NE TË NGRITËM, NE TË RRËZOJMË

Këto ditë është folur, në shtyp, për anti-semitizmin e zbuluar rishtas të Heidegger-it, me rastin e botimit të “fletoreve të zeza” – një diçka si ditar filozofik, që ai kish mbajtur gjatë viteve 1939-1941.

Disa pasazhe të fletoreve, të bëra publike nga Frankfurter Allgemeine Zeitung, u ngjajnë, në fakt, elukubracioneve të Goebbels-it, të po atyre viteve.

Për flirtin e vazhdueshëm të Heidegger-it me nazizmin është folur e shkruar edhe më parë; por materialet e “fletoreve të zeza” e ngrenë polemikën në një nivel të ri.

Çështja mund të shtrohet kështu: a mund t’i qasemi më Heidegger-it si më parë, tani që e dimë se ka qenë anti-semit dhe mbështetës, sado i tërthortë, i regjimit nazist?

E theksova e dimë pikërisht për të treguar se thelbi i kësaj çështjeje, strumbullari, nuk ka të bëjë aq me integritetin politik dhe ideologjik të një filozofi gjerman të 70-80 vjetëve më parë, por me informacionin që kemi ne tani, në lidhje me autorin e çfarë njohim si veprën e Heidegger-it në filozofi.

Është çështje e subjektit, e agjencisë, e raporteve të autorit njeri me autorin si makinë brenda një teksti, dhe sidomos e raporteve të moralitetit me dijen.

A ka gjurmë të anti-semitizmit në veprën e Heidegger-it? Nuk e njoh këtë vepër aq sa të mund t’i përgjigjem vetë kësaj pyetjeje, por do të pranoj me rezervë se anti-semitizëm atje nuk ka.

Çka do të thotë se bindjet personale të Heidegger-it nënshtetas i Reich-ut të tretë dhe kushedi simpatizues i nazizmit dhe urrejtës i hebrenjve; ose edhe më tutje, torturues macesh ose koleksionist mbathjesh të balerinave, etj., nuk kanë lidhje me çfarë thuhet në vepër.

Dhe meqë Heidegger-i mbahet si i madh dhe admirohet për veprën e tij, atëherë të gjitha këto “zbulime” që kanë lidhje me personin dhe veprimtarinë e tij jo si autor i veprës heideggeriane nuk duhej të cenonin raportin tonë, si lexues, me këtë vepër.

Mirëpo e cenojnë.

Instinktivisht, kur e vlerësojmë shumë një vepër deri atje sa ta konsiderojmë si ungjillin tonë personal të dijes dhe çelësin që do të na hapë dritaret e ndriçimit mendor ose shpirtëror, duam edhe që autori të ketë të përbashkëta, me veprën e vet, disa virtyte.

Këtë shfrytëzojnë pastaj rregullisht detraktorët, të cilët e sulmojnë një vepër të rëndësishme tërthorazi, duke zbuluar çikërrima poshtëruese për autorin.

Sa herë kemi dëgjuar që Marksi ka pasur një fëmijë jashtë kurore dhe se ka bërë seks me shërbëtoren e vet; ose që Foucault-i ka pasë frekuentuar hamamet e komunitetit gay në San Francisco, gjithë duke e ditur se ishte infektuar me SIDA?

Ka një kategori shkronjëtarësh që specializohen në këtë lloj balte: profesion që paguan mirë.

Dhe jo vetëm: edhe balta funksionon. Funksionon, sepse kur ndeshemi me një vepër që na ndriçon mendjen, duam edhe ta konsiderojmë autorin e saj si të ishte mësues.

Mirëpo roli i kërkon mësuesit një profil etik të caktuar – sepse që t’u mësosh diçka të tjerëve, duhet të jesh vetë i besueshëm; dhe njollat morale ta ulin këtë besueshmëri.

Nga njëra anë, na duhet të dallojmë – punë e vështirë – midis integritetit të një vepre dhe integritetit të kujt e ka nënshkruar atë (autorit, në kuptimin tradicional të termit); nga ana tjetër, duhet të dallojmë – sërish punë e vështirë – midis atyre të dhënave nga jeta personale e autorit që ndihmojnë për t’ia kontekstualizuar veprën dhe atyre të dhënave të tjera, të cilat idealisht duheshin klasifikuar si bajga.

Detyrën na i vështirësojnë edhe më tej të gjithë ata që, të pakënaqur me veprën e dikujt, ose të gatshëm jo aq për ta konsumuar sesa për ta përdorur atë vepër, bëjnë kërcimin fatal dhe na ofrojnë, për adhurim, autorin vetë si të ishte shenjtor.

Edhe këta mbështeten në argumentin e rremë, ose të paktën të rremë në format e veta të skajshme, se autori i një vepre sublime nuk mund veçse të ketë qenë sublim vetë; por pastaj hedhin edhe një hap më tutje, dhe duan të na bëjnë të gjithëve t’i përkulemi autorit, jo veprës.

Paskëtaj, mjafton të dalë në dritë edhe fakti më banal, nga jeta e autorit, për t’i rrëzuar këto konstrukte prej procesionesh të provincës; ose këta shenjtorë të sajuar me bukëpeshku dhe të lyer me manikyr.

Një skandal i viteve të fundit, që përfshiu historianin britanik Orlando Figes, ndihmon për ta kuptuar më mirë problemin.

Figes ka shkruar vepra me peshë në lëmin e historisë së Rusisë dhe të Bashkimit Sovjetik, të përkthyera në shumë gjuhë të botës dhe të lëvduara nga kritika.

Vepra e tij madhore The Whisperers, e mbështetur në dëshmitë gojore të njerëzve “të rrugës”, i dha lexuesit një tablo të panjohur të jetës private gjatë viteve të rënda të stalinizmit në BS.

Në kulmin e suksesit dhe të famës së vet, Figes-i u zbulua se kish publikuar me pseudonim, në sajtin britanik të dyqanit online Amazon, komente (reviews) tepër kritike ndaj disa veprave të kolegëve dhe rivalëve të vet, Robert Service dhe Rachel Polonsky, ku njëkohësisht thuheshin fjalët më të mira dhe rekomandohej me forcë vepra e Figes-it.

Në krye Figes-i e mohoi këtë dhe shpjegoi se komentet i kish publikuar e shoqja, Eva; më pas, e tërhoqi mohimin dhe pranoi “përgjegjësi të plotë” për çfarë kish ndodhur.

Nuk e priste kush, prej një historiani të profilit dhe të staturës së Figes-it, që të humbte kohë, në Amazon, duke hedhur poshtë veprat e kolegëve e duke lëvduar të vetat – mirëpo ja që ndodhi.

Ç’do të ndodhë me veprën e këtij historiani, tani që e dimë se qenka me karakter të mangët, ose i vogël nga shpirti?

A mund t’i zëmë besë Figes-it historian, tani që mësuam se ai ka gënjyer duke u paraqitur me kredenciale të rreme në Amazon?

Për fatin e keq të këtij autori, botuesit e tij në Moskë refuzuan ta publikojnë përkthimin rusisht të veprës së vet më të famshme, për shkak të gabimeve serioze metodologjike, në shfrytëzimin e burimeve.

Nuk ishte hera e parë që Figes-i qortohej për këto gabime; e kishin kritikuar më parë kolegët e tij Richart Pipes dhe Rachel Polonsky; por pyetja të vjen vetvetiu, nëse për këtë refuzim mund të jetë bërë shkas skandali i komenteve në Amazon.

Nga ana tjetër, pavarësisht nga gabimet që janë vënë në dukje, Figes-it i duhet njohur merita se ai i ka vendosur materialet e veta burimore online, në mënyrë që kushdo të mund t’i konsultojë, t’i krahasojë dhe t’i përdorë për studimet e veta.

Këtë ngatërresë nuk e zgjidhim dot këtu; por na ndihmon për të kuptuar se ndonjëherë, madje më shpesh se ç’kujtojmë, prapa një vepre të admirueshme qëndron një autor-njeri me të metat, mangësitë dhe mëkatet e veta; dhe që nuk i afrohet dot, për nga integriteti dhe shkëlqimi, profilit etik të veprës; ose të paktën atij profili etik që ia japim ne si lexues veprës.

Për ta mbyllur, një citat nga Foucault-i vetë: “Mos pyesni se kush jam, dhe mos më kërkoni që të mbetem po ai… Le t’ua lëmë burokratëve dhe policisë, që të shohin nëse i kemi dokumentet në rregull” (The Archaeology of Knowledge).

Nuk ka komente

  1. Nje oqean per mendjet e vogla dhe meskine. Ka nje hapesire sigurisht midis individit dhe vepres se tij, qofte kjo ne art, filozofi, shkence apo politike.
    Xhaxhai nguron ti quaje me emrin e tyre te denje (grabites kufomash dhe kanibale oportuniste, ne rastin me te mire), por nuk ka arsye te ndruhemi per tu drejtuar prozhektorin nje letyre te tille morale.
    Egziston nje industri e tere qe merret me anet e errta te cdo Ylli mbi nje madhesi te caktuar.
    Nese vazhdohet deri ne fund atehere realizohet objektivi kryesor: Relativiteti i cdo gjeje.

  2. Një lexues i rregullt i blogut më dërgon një koment për shkrimin më lart, dhe pasi ka cituar paragrafët e mi më poshtë:

    Çka do të thotë se bindjet personale të Heidegger-it nënshtetas i Reich-ut të tretë dhe kushedi simpatizues i nazizmit dhe urrejtës i hebrenjve; ose edhe më tutje, torturues macesh ose koleksionist mbathjesh të balerinave, etj., nuk kanë lidhje me çfarë thuhet në vepër.

    Dhe meqë Heidegger-i mbahet si i madh dhe admirohet për veprën e tij, atëherë të gjitha këto “zbulime” që kanë lidhje me personin dhe veprimtarinë e tij jo si autor i veprës heideggeriane nuk duhej të cenonin raportin tonë, si lexues, me këtë vepër.

    Pyet:

    Atehere perse Berlusconi kurvar, simpatizant i Sali Horr Berishes, joshes minorenesh qofshin edhe jo balerina etj. etj. duhet ta cenonte raportin tone, si lexues, me nje veper per te cilen ai kishte shkruar vetem parathenien?

    Çdo krahasim çalon, dhe nuk është e vështirë të gjesh edhe se çfarë çalon këtu. Megjithatë, kështu me instinkt, unë do të thoja se Berlusconi-t iu kërkua të shkruajë parathënien (nuk besoj se është ofruar vetë) në cilësinë e autoritetit moral (ideologjik?), ose të dikujt që ia ngre vlerën librit të atë Zefit, të paktën në sytë e publikut italian.

    Pra kur thuhet se Berlusconi ka bërë këtë dhe atë, nuk është fjala për ekstrapolim, por thjesht për të vënë në dukje se Berlusconi, me atë figurë publike që ka tani, nuk e përmbush cilësinë e autoritetit moral, me të cilën e ka shkruar parathënien.

    Përndryshe, unë do të pranoja pa problem një parathënie të Dominique Strauss-Kahn të një libri për teorinë e huave ndërkombëtare, por jo parathënien e Dominique Strauss-Kahn të një libri për seksin interracial; sikurse do të pranoja, pa problem, edhe një parathënie nga Berlusconi të një libri, të themi, për historinë e Canale 5 ose për biografinë e autorizuar të Marco Van Basten-it.

    Veç kësaj, unë nuk kam ndërmend as ta blej, as ta lexoj librin me parathënien e Berlusconi-t; sepse për fat mund ta lexoj atë libër në origjinal.

    Problemi nuk është pra “yni si lexues” por i “atyre si lexues” – dhe kjo nuk është lojë fjalësh; sepse “ne” e njohim atë Zefin dhe dimë ta mbrojmë nga Berlusconi; ndërsa publikut italian ky autor i prezantohet nëpërmjet Berlusconi-t. Një tjetër dallim, pra, për t’u pasur parasysh.

  3. Dhe per me teper kur cdo dite e me teper reklama apo “te hequrit ashtu si do qe te te shohin te tjeret vs. ajo qe je realisht) behet dominante, incidenti i parathenies se nje libri te nje autori shqiptar nga nje figure e njollosur si ai qe po flasim del ne plan te pare.
    Lejimi qe kjo te bejej (flas per parathenien) eshte nje katastrofe.
    Besoj se nuk kemi te bejme me Cargo Cult (ne arrnautet e mbajme hunden me lart se pepinot) por thjesht me budallallek (ne rastin me te mire), apo me oportunizem tipik katundaresk – sic besoj.

  4. Ky shkrim me solli nder mend debatet e shpeshta qe bejme ne shqiptaret rreth autoreve “me cene ne biografi”, si Koliqi, Harapi, Kadare etj. Ua gjykojme vepren duke u nisur nga biografia, madje shpesh na mjafton vetem biografia per t’i gjykuar, pa i lexuar fare librat.

  5. Mos e dhente Zoti tu bjere ne dore libri i Cesare Lombrosos i shkruar rreth 120 vjet me pare qe quhet pak a shume “Gjeniu ne raport me artin politiken dhe psikiatrine”
    Aty autori per te ilustruar nje nga teorite e tij kryesore (qe nuk eshte objekt i kesaj teme), analizon gati te gjithe njerzit e medhenj qe nga antikiteti deri ne kohen e tij.
    Mjafton te permend faktin se vetem dy figura nuk shfaqen shenja turbullirash mendore e cenesh te tjera qe ai i quente (Geni Integri): Leonardo Da Vinci dhe Darvini.
    Sigurisht vepra e rende e Lombrozos (kishte jo me pak se 800 libra te konsultuar ne Indeks) nuk ishte per te tentuar diskreditimin e gjithe elites Kulturore, Shkencore dhe Filozofike te planetit!
    Nje incident sa i dhimbshem dhe komik i ndodhi kohet e fundit dhe aktorit gjerman qe na ka sjelle Komisarin Derrik (Horst Tappert) per 20, vjet pak kohe pas vdekjes.
    Ca letyra i gjeten nje cen ne biografi dhe tani Komisari Derrik eshte i ndaluar ne Gejrmani Austri e ka te ngjare ne te gjithe Europen!
    Ne shqipatret i kemi njohur keto marifete 30-40 vjet perpara, Europa me Korrektesen Politike po i perjeton tani.
    Me ne fund ja dolem ti’a kalojme Europes ne dicka!

  6. Ti xhaxha e ke provuar edhe vete qe ne media te caktuara je sulmuar ne komente, per ceshtje qe nuk kishin lidhje me artikullin qe publikoje, por per gjynahet e tua ne raport me fene e tyre( komentuesve).

    Mendoj se shume njerez por fatkeqesisht, dhe qarqe zyrtare kerkojne tek autoret zota me porosi qe ti kene ne krah te mendimeve dhe politikave te tyre.
    Ata qe per gjynahe njerezore nuk i permbushin kriteret, behen kollaj shejtane.

    Dikur me vinte per te qeshur me tim at, rahmet paste, i cili perpiqej qe te mos e pelqente me Elton John (emri im tregon se sa e pelqente), pasi mori vesh se ishte gay.
    Sot po degjoj qe sulmohen autore, dhe nga qarqe qeveritare se jane homofobe ( mjaft te thuash se gay-lleku eshte jo normal, dhe beheshi tille).

    Imagjino cfare ikonoklazme do te ngjallte psh publikimi i ndnj nje dosjeje te CIA, ne te cilen thuhet se Abdyl Frasheri ishte agjent grek i cili hodhi shqiptaret njekohesisht ne lufte kunder osmaneve, sllaveve dhe anglo-francezeve me qellim dobesimin e tyre, apo se I. Kadare ishte ne fakt emri pas te cilit publikonte veprat letrare E.Hoxha. (mqs ra fjala, sapo ja futa kot per Kadarene dhe Enverin dhe me erdhi ne mendje fakti qe Kadare veprat me te mira i ka shkruar sa ishte Enveri gjalle. Me pas ka renie. Sa kollaj lindin teorite e komplotit).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin