Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

BINJAKËT LEXO E RILEXO

nga Enit K. Steiner

Para tre javësh udhëtoja me taksi nga një skaj i Tiranës në tjetrin. Rruga ishte aq e gjatë e aq e ngjeshur me automjete e këmbësorë, sa koha mjaftoi për një bisedë jo sipërfaqësore me taksistin. Ajo bisedë më dha shkas të lidh do mendime rreth rileximit, temë e prekur në Peizazhe më shumë se njëherë. Ndjeva një soj ngazëllimi kur fjala „rilexoj“ tingëlloi aty ku s’e prisja, në një taksi, në gojën e një shoferi, i cili më rrëfente për marrëdhënien e tij me librat. „S‘ka gjë më qetësuese për mua,“ më tha. „Kam disa rafte plot me libra në shtëpi, boll t’i shoh kënaqem. Blej sigurisht të rinj, por jo fort shpesh, sepse ma ka ënda t‘i rilexoj ata që kam. Ndoshta ju dukem i mërzitshëm, por e kam këtë zakon. Ndjehem mirë.“

Shumëkush i druhet mërzisë. Sipas këshillës së gjyshes në mbyllje të Kurbanit të Edi Ramës, shkrimtarët aq më fort duhet të mos bëhen të mërzitshëm për lexueset e lexuesit. Nëse lind mërzia mes librit dhe lexueses, fajin e ka mendja që shkruan, jo ajo që lexon. Natyrisht, ka edhe përqasje të tjera. Për shembull, Samuel Johnson këshillonte të kundërtën: nëse ndjen mërzi, cenin kërkoje te vetja. Mos e shmang mërzinë duke ushqyer shpërqendrimin e katapultuar vëmendjen nga një subjekt tek tjetri. Përkundrazi duroje, bluaje, kuptoja logjikën, dhe mërzia ka për të zgjeruar kapacitetin dhe elasticitetin tënd mendor, ose atë që iluministët evropianë quajnë imagjinatë morale. Po tjetër temë kjo. Aty për aty, doja t’i thosha taksistit tiranas çka më kumboi përbrenda: „Qenkeni lexues si qëmoti. Edhe unë si ju jam. S’kuptoj ku qëndron mërzia.“ Nuk iu futa përsiatjeve. S‘qe koha as vendi për të shpjeguar se nga buronte deklarata ime, apo se mërzia më është bërë temë e preferuar, apo se mezi pres botimin e The Anatomy of Boredom të Andreas Elpidorou. E mbase taksisti, pasi të më dëgjonte gjer në fund, do të konkludonte se unë qeshë vërtetë e mërzitshme.

Kur them lexues si qëmoti, kam parasysh revolucionin disashekullor të shtypit, i cili vazhdon të shtjellohet para syve tanë në real time. Biseda me taksistin më kujtoi përçapjet e historianëve të librit, hulumtimet e tyre për të kuptuar evolucionin e riteve dhe ritmeve të leximit. Si kanë ndryshuar këto qysh prej shpikjes së shtypshkronjës në farkën e Johannes Gutenberg-ut? Sipas një teorie të përhapur, por jo të pakontestuar, praktika e leximit në Evropë ka evoluar prej leximit intensiv drejt leximit ekstensiv. Forma intensive nënkupton që mesatarisht lexohet një numër i reduktuar veprash, por këto lexohen më shumë se një herë. Lexueset e lexuesit iu kthehen e rikthehen këtyre pak veprave. Në gjysmën e parë të kulturës së shtypit në Evropë (print culture ose l’histoire du livre), argumenton kjo teori, praktika e leximit intensiv ka mbizotëruar dhe ka qenë shumë më e përhapur se në gjysmën e dytë.

Gjysma e parë e zhvillimit të shtypit në Evropë zë periudhën prej shekullit të XV deri në mes të shekullit të XVIII. Në shekujt e Rilindjes dhe Iluminizmit, të kishe një bibliotekë sado të vogël në shtëpi ishte shenjë statusi. Prania e bibliotekës dëshmonte se i zoti a e zonja e saj kishin të ardhura të bollshme për libra e për t’u shkolluar. Ishte periudhë kur librat kushtonin shumë. Teknikat dhe lëndët e para qenë të kushtueshme. Për shembull, edicioni i parë i veprave të përmbledhura të Shakespeare-it u shit për 1 sterlinë. Në 1623, kur u botua kjo përmbledhje, 1 sterlinë e matur si vlerë pune (labour worth) vlente sa 3,535 sterlina sot, ose tre rroga mujore të një tregtari me përvojë në 1623. Plogështia e rrjeteve shpërndarëse rriste koston e vështirësonte mbërritjen e librit tek lexueset e lexuesit. Ndërkohë shumica e popullsisë ende qe analfabete dhe bibliotekat me abonim u shfaqën relativisht vonë, më shumë se dy shekuj pas Gutenberg-ut: e para britanike në 1725, e para në SHBA në 1762. Kostoja është një ndër faktorët përse librat rilexoheshin. Dhe rilexoheshin më shpesh me zë të lartë në familje e shoqëri se sa në vetmi. Të ndaje eksperiencën e leximit dhe rileximit mishëronte një akt socializues në zemrën e të cilit ndriçonte libri, ky send i shtrenjtë.

Po të marrësh për tregues trendët në Booktok dhe Bookstagram, libri vazhdon të jetë simbol statusi. Megjithatë jo në njëjtën formë, sepse rrethanat kanë ndryshuar katërçipërisht. Që prej 1750-ës deri më sot, kushtet teknologjike-shoqërore kanë theksuar leximin ekstensiv, kurse modeli intensiv gjithnjë e më shumë është dobësuar, paçka se nuk është zhdukur. Shtimi i botimeve, i zhanreve dhe formateve shoqëruan uljen e kostos së prodhimit e të shpërndarjes së librit, si edhe fushatat për alfabetizim. Bashkëveprimi i këtyre kushteve ndryshoi raportin mes binjakëve lexim e rilexim. Në rrjedhën e dekadave, tregu i librit e ka mundësuar publikun të lexojë sa më shumë libra, ama t‘i lexojë shumicën e tyre vetëm njëherë. Mentaliteti ekstensiv, tipik për ekonomi kapitaliste, nxit joshjen e konsumatorëve –vetë makina promovuese i sheh blerësit në thelb si konsumatorë të faqes së shkruar – për të blerë sa më shumë. Ende pa mbaruar mirë librin që ke në dorë, një tjetër botohet, promovohet, rekomandohet, lexohet ose gjysmë-lexohet, shpesh sepse miliona njerëz të tjerë kanë lexuar një x libër dhe ti s’duhet të mbetesh prapa (ose, të ndahesh nga kopeja, do thoshin gjuhët brisk). Leximin ekstensiv e kanë inkurajuar më tej format e leximit digjital. Ndesha diku një shkrim kur thuhej se ebook-ët janë më të rrezikuar prej mosleximit se sa libri letër. Një anketim para do vitesh zbuloi se gati gjysma e ebook-ëve të blerë mbeteshin të palexuar. Ndoshta libri letër të ysht, të thërret “lexomë” falë prezencës fizike, ndërsa librit digjital, të thithur në trupin e sheshtë të tabletave, i kanoset gati jo-prezenca.

Ndonëse e mbaj vath në vesh fjalën „pak e saktë, shumë e për lumë,“ ngurroj të them se leximi ekstensiv ul detyrimisht stekën e leximit aq sa të meritojë përçmuesen „shumë e për lumë“. Fundja, mund të ketë më keq: pak e për lumë. Në fakt, leximi ekstensiv sistematik mund të ofrojë shumëllojshmëri të tillë, e cila me kalimin e kohës ka gjasë të formojë lexues enciklopedikë. Enciklopedi, zgjeron horizontin, por nuk njihet si formë që kultivon mendimin kompleks. Sidoqoftë, kush ka siguri të thotë se kompleksiteti nuk vijon prej momentit kur varietet e dijes arkivohen në kujtesë dhe transformohen prej lidhjeve, asociacioneve, kontrasteve, ngjashmërive, e korrespondencave që ripërmasohen e përjetojnë metamorfozë, brenda lexueses e lexuesit, vetëdijshëm e pavetëdijshëm?

Unë vetë si praktikuese e rileximit – herë sepse e lyp natyra e profesionit, herë sepse s’më ndahet shpirti nga ato vepra me të cilat ndërtoj e rindërtoj folenë e botëkuptimit tim – kam bindjen se rileximi sjell qetim, siç thoshte edhe taksisti tiranas, ndoshta sepse kur rilexojmë nuk presim të na habisë brendia. Në planin primar, kur rilexojmë, vëmendja ka për qëllim të rivizitojë diçka përtej fazës së prezantimit të parë, përtej vijave të trasha. Si kur ecim përgjatë një monopati të njohur, të cilit ia kemi shkelur kthesat, rrëpirat e tatëpjetat dhe nuk na tërheq trajektorja e monopatit, por veçanti më të holla na bien në sy: dheu, bimët, shpendët e kafshët që gjallojnë në atë eko-sistem. Diçka e ngjashme ndodh me rileximin.

Dua të vizualizoj me një tjetër analogji atë shprehjen në dukje paradoksale të Roland Barthes: rileximi nuk është përsëritja e të njëjtës eksperiencë, por përsëritja e një eksperience të ndryshme, pra të ndryshuar gjatë vetë aktit të rileximit. A mund të thuash se, meqë binjakët monozigotikë kanë tipare thuajse identike, kur njeh njërin, zëre se ke njohur edhe tjetrin? Po aq absurde ngjan për mua të pandehësh se në e ke lexuar një tekst njëherë, s’ka kuptim ta lexosh më, sepse s’do të mësosh a përfitosh gjë të re. Tradita e urtësisë shqip e hedh poshtë këtë hipotezë, kur thotë përsëritja është mëma e dijes. Është si puna e rrethit dhe spirales: nëse leximi i parë i përngjan rrethit, rileximet i ngjajnë spirales. Rrethi është zanafilla e spirales, vërtetë, ama spiralja është ajo që sjell dimensionin e tretë.

Martin Heidegger më ka ndihmuar të rimendoj edhe dimensionin etik të “lexo e rilexo”. Në Sein und Zeit, kur nis të qëmtojë konceptin ose fenomenin “kuriozitet”, Heidegger nxjerr ca rrjedhoja relevante për binjakët lexim-rilexim. Ai i referohet kureshtjes në gjermanisht (Neugier), siç ia sugjeron etimologjia: neu (e re) dhe Gier (lakmi, makutëri). Të kesh kureshtje, në gjermanisht, do të thotë të lakmosh, të lektisesh e rendësh pas së resë. Lakmia për risi e nget vëmendjen të kërcejë nga e reja në të re, pa e zbuluar më thellë se në sipërfaqe atë që ka para sysh, pa u angazhuar, pa e integruar, pa depërtuar lëvoren e mërzisë që mbulon tulin e qenies. Si Johnson-i para tij, ashtu edhe Heidegger nuk pajtohet me këtë faqe të errët, fluturake, të kureshtjes. Bash në këtë errësirë fle potenciali negativ i leximit ekstensiv.

Krejt ndryshe, koncepti i kureshtjes në latinisht – curiositas – përcjell tjetër etos. Cura, fjalë që përmban idenë e kujdesit, kultivimit, merakut, vëmendjes, mbikëqyrjes, në anglisht e përafërt me care, në frëngjisht me soin dhe gjermanisht me Pflege, përshkruan rileximin. Mendje e vëmendje të përcipta presin stimulim vetëm nga e panjohura, presin që ekzotikja t’u gudulis kureshtjen dhe, të etur për të renë, hidhen nga një sensacion tek tjetri. E parë nën çadrën kuptimore të kureshtjes si kujdes, merak, vëmendje, mbikëqyrje, interesi dhe përkushtimi ndaj një libri nuk sos pas leximit të parë. Dhe përkushtimi i lexueses e lexuesit  krijon madhështinë e librit. Pse? Nuk di ta them më mirë se sa me fjalët e Arundhati Roy në God of Small Things – “Historitë e Mëdha janë ato histori, të cilat i ke dëgjuar njëherë e ta ka ënda t’i dëgjosh sërish. Janë ato brenda të cilave ti arrin të hysh prej kudo e të jetosh pa ngushti. Ato s’të gënjejnë me trille e funde hileqare. S’ta marrin mendjen me të papritura. Ti ato i njeh siç njeh shtëpinë tënde. Siç njeh me erë lëkurën e të dashurit tënd. E di se si përfundojnë, e prapëseprapë i dëgjon sikur të mos e dije.”

Ndaj, këtë vjeshtë kam plan të lexoj The God of Small Things për të gjashtën herë, Things Fall Apart dhe Interesting Narrative of Olaudah Equiano për të tretën, Ambasadori i Melkizedekut për të dytën herë. Ndërkohë, një kolegia ime, specialiste për letërsi moderniste, po lexon Krenari e Paragjykim – për të pestën herë brenda 2024-ës.

E ç’mund ta shenjtërojë librin më shumë se rileximet?

(c) 2024 Enit Karafili Steiner, people.unil.ch/enitsteiner. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

 

2 Komente

  1. Per mua rileximi ishte aq i nevojshëm sa dukej i natyrshëm. Në fëmijëri librat me arrini në dorë të rrallë e kështu nisja ti “ripertypja” gjë që më pëlqente e mu bë zakon. Me vone librat e Kadaresë do t’i rilexoja per nevoje , per t’i shijuar sa me mirë deri në “kafshatën” e fundit. Çdo herë që e lexoja mesoja e shijoja gjëra të reja. Ne leximin e parë shijoja idetë e zberthyera né fraza, né të dytin si i kish ndërtuar fjalitë plot ngarkesë mendimi në të tretin fjalët plot peshë e maniakalisht të kërkuara – kujtoj psh. që duke rilexuar Dimrin e madh në një moment lëshoja librin i mahnitur e plot kënaqsi që Kadareja shkruante në vënd të zakonshmes ” jashte kishte nisur të binte borë” ai shkruante ” jashtë borëtonte”. Zakoni i rileximit vazhdon natyrshëm si pamundësi për t’a shijuar një libër deri fund.

  2. Kenaqesi te lexoj dhe rilexoj Enitin ne faqen e Peizazhe. Uroj qe ky rikthim te sinjalizoje nje prezence me te shpeshte ne Peizazhe.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin