PORTOKAJ TË HIDHUR

Rosarno është një qytet i vogël në provincën e Reggio Calabria-s, në jug të Italisë. U bë i njohur në nivel ndërkombëtar nga janari i 2010-s, kur një grup imigrantësh afrikanë protestuan me forcë kundër kushteve të mjerueshme të jetesës dhe shfrytëzimit të egër që duhet të përballonin çdo ditë. Rosarno gjendet në fushën e Gioia Tauro-s, Kalabri, ku kultivohen kryesisht agrume, por edhe kiwi, domate, e pemë të tjera. Imigrantët në këtë zonë punojnë kryesisht në bujqësi e cila, siç dihet, karakterizohet nga puna stinore.

Katër vjet më pas nga ngjarjet e zhurmshme, që tërhoqën vëmendjen e mediave anembanë, pak gjëra kanë ndryshuar për imigrantët në këtë zonë. Megjithëse premtimet nga politika u trumbetuan me të madhe, disa kushte përkundrazi janë përkeqësuar. Në periferi të qytetit San Ferdinando, pak kilometra nga Rosarno, ekziston një fushë e tërë me tenda, ose tendopoli siç e quajnë të gjithë nga këto anë.

Të hysh atje është e pamundur, por falë dom Robertos, një prifti të ri kalabrez, punonjësit imigrantë na e hapën derën e “qytetit” me tenda. Janë të gjithë afrikanë, por me prejardhje të ndryshme. Ka nga Mali, Togo, Nigeria, Senegal, Afrika qendrore, por edhe nga vende të tjera. Rreth 1200 vetë gjithsej. Disa janë frankofonë, të tjerë anglofonë, por të gjithë me dëshirën për të komunikuar problemet e përditshme.

Dom Roberto i njeh pothuajse të gjithë. Është gjithnjë i pranishëm, vjen përditë për t’i ndihmuar. Sjell ushqime, veshmbathje, barna mjekësore e të tjera mjete jetese. Është ai udhërrëfyesi ynë në ferrin e tendopoli-t, ku gjendja është përnjimend e mjerueshme, kushtet e banimit dhe gjendja higjieniko-shëndetësore të tmerrshme. Po të mos i shikoje me sytë e ty nuk do t’i besoje kurrë. Kushte të paimagjinueshme, të padenja për një vend të qytetëruar. Në jug të kampit janë ngritur baraka të reja, të mbuluara me teneqe e mushama. Mes barakave dhe tendave shikon pellgje uji, grumbuj plehrash e mbeturina të ndryshme. Trishtimi, së bashku me të ftohtin, të hyjnë në palcë në këtë fund janari.

Disa imigrantë na afrohen për të na shpjeguar kushtet ku jetojnë. Dikush i shpjegon kolegut tim gazetar se nuk dinë si të ngrohen. Natën bën shumë ftohtë, dikush ka vdekur para ca kohësh, prandaj edhe ndezin zjarr nëpër kazanë, edhe pse është tejet e rrezikshme. “Drita nuk kemi, më thotë Abduli. Ato të rrugës qendrore erdhën vetëm dje, kurse në disa banja korrenti nuk vjen”. Ka dëshpërim në sytë e tij, por edhe lodhje e rasenjim për këtë situatë të zgjatur. Në kamp ka edhe pesë femra. Njëra prej tyre, Joy, është shtatzënë në muajin e pestë. Nuk e ndjen veten mirë këto ditë, ndaj edhe nuk shkojmë për ta takuar. Na afrohet një djalë tjetër afrikan me një skedë në dorë. Është lejeqëndrimi në format modern, si kartë krediti (ironi therëse). I skadon në fund të marsit, por nuk di çfarë të bëjë për ripërtëritjen. Na pyet e kërkon informacion. “Ku duhet të shkoj?” Pyetja më duket më e gjerë se sa çështja e dokumentit.

Kur flasin për punën që mungon, për rrogën e vogël që marrin, për gjendjen në tenda, për problemet shëndetësore, sytë janë si thëngjij të shuar. Marrin dritë kur prekin temën e futbollit. Edhe priftit të ri i ngazëllen fytyra. “Qyteti i tendave ka skuadrën e vet të futbollit – na tregojnë. Luan në kampionatin e kategorisë së tretë dhe ka rezultate të mira”. Dëgjon me vëmendje, por në heshtje, Sar Moussa, portieri i skuadrës, kur dëgjon nga dom Roberto vështirësitë për fanellat, organizimin, e probleme të tjera që mund të zgjidheshin me një angazhim modest.

Situata e përgjithshme është alarmante. Kriza ekonomike ka prekur shumë edhe këto anë. Dikur nga kjo zonë niseshin drejt tregjeve të botës portokajtë më cilësorë të jugut italian, bashkë me klementinet e famshme, një lloj mandarine e ëmbël pa fara. Tani agrumet rrinë mbi pemë, bien e kalben. Konkurrenca nga jashtë nuk e bën të leverdishme vjeljen e tyre. Si rrjedhojë edhe për punonjësit afrikanë ka më pak punë. Rritet gjithashtu rreziku i shfrytëzimit të tyre dhe mosrespektimi i të drejtave sociale.

Që situata është e dëshpëruar, e pranojnë edhe kryetarët e komunave Rosarno e San Ferdinando, të cilët e ndjejnë veten të braktisur përballë një dukurie me përmasa epokale. Për ta nuk është e thjeshtë, po të mendosh se Rosarno ka rreth 14 mijë banorë, kurse San Ferdinando vetëm 4 mijë. Barra që kanë mbi supe është më e madhe se forcat e tyre. E megjithatë mundohen të bëjnë diçka. Nuk mungon angazhimi i shoqatave, i sindikatave, i kishës, por problemet janë të panumërta, nga ato praktike, si p.sh. ngrohja dhe dritat, deri në çështjet e integrimit, sepse siç thotë sindikalisti i zonës, Michele, “kjo është bombë sociale që mund të shpërthejë nga çasti në çast”.

Mua më vijnë ndër mend kampet e para të refugjatëve me shqiptarë në periudhën e eksodeve. Pavarësisht se duken si pa ngjashmëri me situatën e kampit të San Ferdinandos, më dalin prepotente nga kujtesa, pamjet e stadiumit të Barit, plot me imigrantë shqiptarë nën diellin përcëllues të gushtit, në kërkim të panines së thatë dhe shishes me ujë. Janë të gjithë migrantë, i bashkon ikja nga vendlindja dhe dëshira për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Situata e tendopolit, përveç dinjitetit njerëzor të imigrantëve, fyen edhe vlerat e mikpritjes e të solidaritetit të kësaj krahine, ku jetojnë prej shekujsh njerëz me prejardhje të ndryshme, përfshirë arbëreshët e grekët. Kjo e bën më të papranueshme gjendjen e “qytetit të tendave”, por edhe më imperativ veprimin për të dalë nga kjo situatë e turpshme.

[fotografitë janë të autorit]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin