SI KITARA

VaceIkja e Vaçe Zelës, si mrekulli alkimike, bashkoi në dhimbje, nostalgji dhe lavde të pabashkueshmit – të themi, Edison Ypin dhe Nexhmije Hoxhën.

I bashkoi, sepse e tillë ishte Vaçja: monedhë e rallë floriri, në një treg kulturor prej operete, ku shkëmbeheshin vetëm vlera përdorimi; element i natyrës në një shoqëri ku gjithçka ekzistonte e kodifikuar, e ambalazhuar me uniformë.

Vaçe Zela ishte zëri që u këndoi bjeshkëve dhe lëndinave, oxhaqeve me tym të uzinave, nënës, betonit, deleve, yllit partizan, Enverit, revolucionit që marshon, por edhe lemzës a një shëtitjeje apolitike natën vonë.

Zëri që këndoi me ritmin e marshit luftarak, por edhe të “Granadës”; jazz dhe kitsch; këngë partiake dhe këngë popullore; toskërisht dhe gegnisht.

Njëlloj si kitara, që mund të përftojë ëmbëlsinë më delikate prej telave, por edhe shkërmoqjen apokaliptike të metal-it, Vaçja ishte krye-instrumenti i muzikës shqiptare të kultivuar.

E donim të gjithë, pse e shihnim si cilësi të kulluar, në shkallën zero të ideologjisë.

Vazo të gatshme për t’u mbushur me përjetimet, emocionet dhe ëndërrimet tona; por sidomos me ndjesinë e të qenit pjesë e një së tëre.

Vaçja zog këngëtar simbol i unitetit intim të shqiptarëve, më shumë e më thellë se shqiponja me kthetra.

Pa çka se muzika pop shqiptare, për njëzet e kusur vjet, u organizua rreth Vaçes: kompozitorët shkruan për të meloditë, poetët tekstet, muzikantët i orkestruan këngët për të, komisionet ia dhanë çmimet e para pa iu dridhur dora.

Vaçja ishte mishërimi skenik i miratimit total dhe duartrokitjes, çka edhe e imunizonte ndaj rolit që pritej të luante, në hierarkitë e propagandës muzikore dhe të vetë skenës kulturore të regjimit; hierarki ku ajo bënte ligjin, pa qenë pjesë e tyre.

E kundërta e liderit politik totalitar, ishte e paprekshme, pothuajse abstrakte, në thjeshtësinë e saj sado të brohoritur.

Të gjithë ne që u ndalëm tani një çast për t’ia kushtuar një imazh, një mbresë muzikore, kushedi edhe një lot Vaçes që iku, ia bëmë një lëshim, me atë rast, edhe nostalgjisë – për një kohë kur vetë nostalgjia konsiderohej si gabim ideologjik.

Por jemi ende në gjendje të kujtojmë, pavarësisht nga ideologjitë dhe propagandat, se Vaçja si monedhë kulturore i tejkalonte kufijtë artificialë të muzikës pop totalitare.

Në ato vite, ajo muzikë ende koagulohej rreth Vaçeve: Italia kishte një Minë dhe një Milvë, Franca një Edith Piaf dhe një Mireille Mathieu, Greqia një Marinella, Portugalia një Amalia Rodriguez. Kombet këndonin me zëra femërorë dhe Vaçja e vinte Shqipërinë në hartën e zogjve këngëtarë të botës mbarë.

Jemi në gjendje të kujtojmë; edhe pse kjo nuk na detyron gjë, aspak, që të mbetemi pengje të diskursit nekrologjik, kur kujtojmë në publik.

Dhe meqë jemi në temë, kur flasim për Vaçen zog këngëtar, le të mos humbim sysh kafazin që ia mbyllte fluturimin.

Nuk ka komente

  1. Arrita tek ky shkrim nepermjet Ministres se Kultures qe e kishte postuar ne faqen e saj ne FB. Shpresoj ta kete bere nga deshira per te ndare me simpatizantet e saj nje shkrim “nerv”; ne pamundesine per te qene ajo Mirela qe ca muaj me pare pati guximin te flas kunder perdorimit qe i behet artistit si fytyre/ze qe bekon e fuqizon politiken nepermjet estetikes.

    Shkruante dikur Mirela per Elhaiden….

    “Dhe, qershia mbi tortë, liderët politikë nuk humbën ama, asnjë minutë për t’ia marrë fytyrën, emrin e fitoren vajzës e për t’ia vënë në shkallët e stadiumeve të tyre politiko-zgjedhoro-partiako-mitingo-fejsbukiane a tuitoriane.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin