Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: KREDH

kredh “zhys”, kridhem, u krodha “zhytem në ujë”; kredharák m. “Podiceps cristatus, shpend ujës”, në My­zeqe e në Vlorë, kredhomë f. “bal­to­­vinë, ligatë”, te Godini. Fjalë me eti­mologji të diskutuar. G. Meyeri 204 e afron me sll. e vj. kishtare gręznoti “me u zhytë në ujë”, gręza “baltë, llucë”. Me gji­thë dyshimet e Meyerit më vonë (AS III 8, 15), kjo etimologji për­me­ndet – po me rezervë – te Bernekeri I 350 e Walde­­-Pokorny I 654. Pederseni KZ 36, 335 e quan krejt të pasigurtë. Për Trei­merin MRIW I 360 kredh ësht’e afër me nord. e vj. krata “me ra, me u lëkundë”. Jokli (te Walde-Hofmann I 617) mbi dëshminë e variantes krydh që ekzi­ston pranë kredh, e afron fjalën me prus. e vj. krūt “me ra”. Këtë spiegim e merr parasysh, pranë atij të mëparmit, edhe Vasmeri REW I 315v., ku jepet dhe literaturë e mëtejme (Agrelli). Me kredh lidhet emri kridhë “baltë e madhe ku zhytet këmba e kalit”. Fjala krydh, me­gji­thë­se përdoret za­konisht me tjetër ku­ptim, “ia marr paret nga xhepi pa e ndjerë”, jepet prej Tasit dhe për “kredh”, e mund të jetë një fjalë me të. Me­gjithë këtë rrethanë për kredh paraqitet mundësia e një afrimi të bre­ndshëm: kër‑hedh, kridhem : kër­‑hidhem, u krodha : u kërhodha.

Para­shte­­sa kër- përveç emrave u ngjitet edhe fo­lje­ve: kërthnezem (ndezem), kërqethem (qethem), kërveshem (vesh), kërleshem (përleshem); sh. Xhuvani­-Çabej BSS 4, 1956, f. 73, sh. dhe kërtyl. Në folje na duket se ky prefiks ka një kuptim intensiv, përdoret sidomos në verbe afekti; një i tillë verb është edhe kredh kridhem. Te kredh, kridhem, u krodha ndryshimi vokalik është po ai që ka hedh, hidhem, u hodha. For­ma e reduktuar kr- e prefiksit nde­shet dhe te i kréturë “i munduar prej etit” në shqi­pen e Greqisë (te G. Meyer, AS V 87 e pa­spie­guar), që është kr-éturë. Psiloza që vihet re te kredh shi­het dhe te pri­mitivi, që shumëkund shqi­ptohet edh, idhem, u odha (sh. dhe eci). Për krydh do shënuar se ekziston dhe forma krudh, përdorur te I. D. Sheperi.

Kjo formë është një kompozit me hudh (kr-hudh) siç është kredh një i tillë me hedh; krydh do të jetë një formë meta­fo­ni­ke e krudh. Kjo metafoni del dhe në si­ste­min verbal; khs. mbruj : mbryj, për­gju­njem : përgjynjem, trus : trys, kërtyl : tul (sh. këto fjalë).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading