ARBËRESHË DHE ALBANOLOGË

Për të kremtuar 60-vjetorin e prof. Francesco Altimari-t, profesor ordinar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë (UNICAL), “Panorama” boton një material të prof. Matteo Mandalà-së, profesor i Universitetit të Palermos, ku parashtrohej një biografi e arsyetuar e veprimtarisë kërkimore, akademike, organizative dhe publike të këtij personaliteti të rëndësishëm të albanologjisë në Itali.

Artikulli i vjen lexuesit me titullin “Arbëreshi që ruajti shqipen në Itali.”

Nga përvoja e këtyre viteve, e kam të qartë se tituj të tillë shpesh nuk janë të autorëve, por të gazetave vetë; dhe vetëm kështu mund ta shpjegoj këtë titull të gabuar, sepse të pavërtetë dhe bombastik, që nuk i bën nder as shërbim Altimarit; por vetëm ekzagjeron, në mënyrë tipike vulgare, diçka që nuk ka nevojë të ekzagjerohet për t’u përshëndetur.

Le të sqaroj që në krye se unë vetë e vlerësoj shumë veprën kërkimore të këtij albanologu sikurse respektoj përpjekjet e tij të mëdha për të organizuar katedrën në UNICAL dhe për të çuar përpara studimet albanologjike në Itali në bashkëpunim të dyanshëm me botën akademike italiane dhe atë të shqiptarëve në Ballkan; të gjitha këto i ka përmendur mirë Mandalà-ja në artikull.

Le të sqaroj edhe se e njoh personalisht Altimarin-n që në kohën kur isha lektor i gjuhës shqipe në Institutin Oriental të Napolit dhe e kam vizituar katedrën e UNICAL-it; dhe kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë të mira me të.

ArbereshiPrandaj çfarë më shqetëson këtu nuk është Altimari dhe arritjet e tij të gjithanshme; por mënyra si po i paraqiten këto publikut në Shqipëri; duke filluar që nga bombastika e pahijshme e titullit “Arbëreshi që ruajti shqipen në Itali.”

Para së gjithash, ngaqë listës së gjatë të atyre institucioneve akademike italiane, që rreshton Mandalà-ja në shkrim, i mungojnë dy institucione albanologjike të rëndësishme: katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin “La Sapienza” të Romës (më parë Istituto di Studi Albanesi; tani Centro di Studi Albanesi) dhe në Institutin Oriental të Napolit, aktualisht të drejtuara nga prof. Elio Miracco dhe prof. Italo C. Fortino.

Pa u hequr asgjë kontributeve të Altimarit dhe kolegëve të tij në UNICAL për të çuar përpara studimet albanologjike në Itali dhe për të mbajtur gjallë mësimdhënien e gjuhës dhe të letërsisë shqipe atje, këto mund të vlerësohen veç në kuadrin më të gjerë të përpjekjeve të ngjashme që janë bërë në Romë dhe në Napoli; aq më tepër që, për nga tradita dhe prestigji, edhe “La Sapienza”, edhe Instituti Oriental në Napoli, nuk mund të krahasohen me UNICAL-in dhe universitete të tjera dytësore të Italisë së Jugut.

Prandaj pohimi eksplicit i Mandalà-së, se:

Karizmës dhe autoritetit të [Altimarit] i detyrohet edhe shtrirja graduale e albanologjisë në universitete të tjera italiane si dhe rritja e numrit të katedrave të gjuhës dhe të letërsisë shqipe

në rrethanat kur i njëjti material shpërfill katedrat tashmë historike të gjuhës dhe të letërsisë në universitete të rëndësishme të Italisë, kontribuon në krijimin e një imazhi të rremë për Altimarin dhe vetë albanologjinë në Itali.

Autori bën mirë që përmend prof. Solanon, si mentor të Altimarit dhe patriark të studimeve arbëreshe në botën akademike të Italisë së Jugut dhe më gjerë; por edhe Solanoja vepronte në një kontekst albanologjik më të gjerë, ku shquheshin studiues të kalibrit të Ernest Koliqit dhe më pas Giuseppe Gradilone-s në Romë; ose të Namik Ressuli-t në Napoli, sa për të përmendur vetëm më kryesorët.

Të dyja këto katedra i çonin përpara studimet albanologjike në Itali në një kohë kur UNICAL-i nuk ishte themeluar akoma (krijuar në 1972; aktualisht renditet si e 46-ta në Itali).

Meqë në Napoli kam punuar disa vjet si lektor, po përmend vetëm ndonjë arritje të këtyre 20 vjetëve të fundit të kësaj katedre, në mbështetje të argumentit tim.

Të tilla si konferenca ndërkombëtare kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në histori dhe në letërsi, dhe botimi i akteve të saj (I. C. Fortino-E. Çali (a cura di), Giorgio Castriota Scanderbeg nella storia e nella letteratura. Atti del Convegno Internazionale Napoli 1-2 dicembre 2005, Università degli studi di Napoli L’Orientale, Napoli, 2008).

Ose edhe botimi – tepër i kushtueshëm dhe tipografikisht kompleks – i Atlasit Dialektologjik të Shqipes, të përgatitur me punë shumëvjeçare në terren nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë, por që përndryshe do të ishte kalbur ose shkatërruar, dorëshkrim i vizatuar me dorë, në arkivat e atij instituti.

Kush i ka marrë në dorë dhe i ka shfletuar këto dy vëllime, do të kuptojë se për çfarë e kam fjalën.

Për fat të keq, mënyra si e ka përshkruar dhe parashtruar Mandalà-ja panoramën e kërkimeve albanologjike në Itali më konfirmon, edhe një herë, përçarjen e thellë që ka ekzistuar prej vitesh, mes akademikëve arbëreshë të atij vendi; përçarje që, pavarësisht nga mënyra si nisi dhe si po mbahet ende gjallë, e ka dëmtuar jashtëzakonisht vetë albanologjinë në Itali dhe përpjekjet e komuniteteve arbëreshe për t’u përfaqësuar denjësisht në nivelet e larta akademike dhe të kulturës në Itali.

Pa hyrë në meritat e palëve, më duhet të vërej se që herët në vitet 1990, dy nga studiuesit më të mirë të brezit të tyre, Altimari dhe Fortino, ishin përfshirë në një proces të gjatë gjyqësor për plagjiaturë në lidhje me një konkurs për vendin e titullarit të katedrës përkatëse në Napoli; proces që e ndau më dysh botën e studimeve shqiptare në Itali duke i vënë palët në luftë mes tyre.

Me sa mbaj mend – edhe pse këtu mund të më gabojë kujtesa – ajo përplasje gjyqësore e lidhur me një vend të rëndësishëm pune kish rrezikuar deri edhe që ta linte pa titullar katedrën në Napoli dhe të çonte në mbylljen e saj: katastrofë për një institucion historik si ky; dhe katedrën e shpëtoi (meqë po flasim për shpëtime) vetëm gatishmëria e profesorit të letërsisë dhe gjuhës greke të re, Costantino Nicas, për të marrë përsipër ad interim leksionet e letërsisë shqipe – pa çka se Nikas-i shqipen nuk e dinte. Këtë unë s’e kam arritur, por ma ka rrëfyer Gradilone-ja në Romë; i indinjuar që punët e mësimdhënies albanologjike në Napoli ishin katandisur kështu.

Përshtypja që kam tani është se edhe artikulli kremtues i Mandalà-së, përtej portretit miklues që ia bën Altimarit, është vazhdim me mjete të reja i kësaj lufte “civile” mes akademikëve arbëreshë, e cila tashmë i ka kapërcyer kufijtë e Italisë dhe po vazhdon edhe në trojet akademike albanologjike në Ballkan. Duke gjykuar nga prania pothuajse konstante e profesorëve Altimari dhe Mandalà në veprimtaritë albanologjike në Shqipëri dhe në Kosovë, përfshi këtu edhe ato për De Radën vitin që shkoi, duket sikur institucionet këndej Adriatikut janë bërë edhe ato palë në kundërvëniet mes arbëreshëve.

Dhe kjo nuk shkon, sido që ta marrësh e ta rrotullosh. Vetë titulli i artikullit, “Arbëreshi që ruajti shqipen në Itali” do të lexohet tani ndryshe; sepse, në të vërtetë, përplasja mes akademikëve arbëreshë për vende pune jo vetëm që nuk kontribuoi gjë për të “ruajtur shqipen” në Itali; por vuri në rrezik jo aq mbijetesën e arbërishtes vetë, sesa të katedrave të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në universitetet italiane.

Edhe nëse ky titull, sikurse dyshoj, nuk është i Mandalà-së por i redaksisë, sërish pohime të tipit:

Altimari ia ka dalë ta përfshijë gjuhësinë shqipe mes disiplinave që gëzojnë prestigj dhe respekt në Itali

Tingëllojnë të fryra dhe deformuese. Nga përvoja ime – edhe pse tashmë e kapërcyer dhe modeste – nuk më duket se gjuhësia shqipe gëzon ndonjë prestigj dhe respekt të veçantë në Itali; dhe se edhe Altimari, megjithë disa punime absolutisht kompetente në lëmin mirëfilli gjuhësor (historik-dialektologjik, etj.), është më shumë vazhdues i një tradite të konsoliduar të studimeve albanologjike në Itali, ku theksi i është vënë gjithnjë filologjisë dhe punës me tekstet – sikurse mund të verifikohet nga kjo listë bibliografike e kontributeve të tij të shumta.

Dhe një nga arsyet – joakademike – që ky prestigj dhe respekt i “gjuhësisë shqipe” në Itali nuk kanë qenë në nivelin e dëshirueshëm, është pikërisht përçarja e madhe mes akademikëve arbëreshë, për të cilën fola më lart; e cila e bëri të pamundur organizimin e tyre dhe bashkërendimin e veprimtarisë së tyre, pikërisht në periudhën kur institucionet akademike në Tiranë dhe në Prishtinë pësuan kolaps të plotë – në fillim të viteve 1990 – nga ku nuk e kanë marrë më veten.

Një arsye tjetër do të ishte, natyrisht, perceptimi i përgjithshëm se lëndët e filologjisë dhe të gjuhësisë shqipe, në universitetet italiane, janë monopolizuar tashmë nga një pakicë – profesorët me origjinë nga fshatrat arbëreshe të Italisë së Jugut.

“Panorama” thotë se e ka botuar me shkurtime materialin e Mandalà-së; edhe pse më duket absurde që të ketë hequr që andej selektivisht çka unë mendoj se artikullit qëllimisht i mungon.(*) Natyrisht, Mandalà-ja nuk do të duhej të lejonte as edhe që titulli i shkrimit t’i deformohej, nëse kjo ka ndodhur vërtet; dhe ta përgënjeshtronte këtë publikisht. Shqipen në Itali nuk e ka shpëtuar Altimari, megjithë meritat e padiskutueshme si studiues, pedagog, akademik dhe organizator kërkimesh; as studimet albanologjike nuk i ka shpëtuar Altimari; dhe, më në fund, ende nuk shoh ndonjë lidhje organike midis përpjekjeve – në fakt të admirueshme – që po bëhen nga katedrat përkatëse në UNICAL, Palermo, Napoli dhe Rom, dhe mbijetesës së shqipes në katundet arbëreshe të Italisë së Jugut, e cila rrezikohet nga faktorë socialë, jo akademikë; në kuptimin as edhe demarshe të nivelit legjislativ nuk mund ta shpëtojnë arbërishten, nëse kësaj vjen dhe i mungon, siç e ka shpjeguar Miracco, “elementi i oralitetit” – ose kur ajo nuk flitet më në familjet.

Mirëpo një media shqiptare e ka doemos të pamundur të flasë për çështje të albanologjisë, pa sjellë në vështrim mitin e stërlodhur të “ruajtjes”…

(*) Tani më lajmërojnë se versioni i plotë duhet të gjendet këtu.

Shënim: ky shkrim është pronë e autorit dhe e blogut “Peizazhe të fjalës.” Ndalohet marrja e tij nga media të tjera, elektronike dhe të shkruara, pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.

Nuk ka komente

  1. Kam lajme të mira: “Panorama” ia ndryshoi titullin artikullit: tashmë Altimari mbetet ruajtës i shqipes, por vetëm “në universitetet italiane.”

    Asnjë sqarim nuk i jepet lexuesit për këtë ndryshim – siç mund të pritej nga një media e Tiranës. Ndërkohë shkrimi me titullin e vjetër ende mund të lexohet duke klikuar në linkun që kam dhënë në tekst më sipër.

    Natyrisht, edhe titulli i ri është gabim, dhe jo vetëm ngaqë i mungon një , por sepse nuk i përgjigjet përmbajtjes së artikullit dhe sepse më duket sërish i ekzagjeruar.

    Altimari ka dhënë kontribute të mëdha dhe të rëndësishme, por shqipja në universitetet italiane do të studiohej edhe pa këto kontribute.

    Tradicionalisht katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në Itali, janë varur nga dy faktorë: (1) nga afërsia dhe lidhjet e mëdha kulturore, ekonomike dhe politike mes dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë; dhe (2) nga prania në Itali e një komuniteti relativisht të madh arbëresh.

    Deri më sot, nën ndikimin e faktorit të dytë (që nuk është megjithatë përcaktues), këto katedra i kanë drejtuar kryesisht profesorë me origjinë nga komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut; të cilët u kanë dhënë mësim kryesisht studentëve arbëreshë.

    Kështu është krijuar një traditë, e cila megjithatë tani është në rrezik; dhe do të rrezikohet edhe më kur profesorë nga Shqipëria dhe Kosova (të diplomuar në Itali ose gjetiu) të mund të konkurrojnë lirisht për këto vende pune.

    Madje edhe sikur në katedrat për të cilat flas të studiohej lënda e gjuhës dhe e letërsisë arbëreshe, sërish nuk është e thënë që këtë lëndë ta japë doemos një person me origjinë arbëreshe.

    E vërteta është se, përtej albanologjisë (ku studiuesit janë njëfarësoj të detyruar edhe për shkak të aspiratave, misionit kulturor, programeve institucionale dhe ambicjeve profesionale), arbëreshët nuk po luajnë ndonjë rol për t’u shënuar në marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut.

  2. Trajtimi i kësaj teme kërkon maturi e guxim intelektual, ndaj e përgëzoj autorin.
    Bota akademike arbëreshe, me sa di unë, jo vetëm është e përçarë, por këtë përçarje e ka të trashëguar, në kuptimin që ekzistonte edhe para kolapsit të totalitarizmit shqiptar.
    Shumë prej nesh prisnin që katedrat e shqipes në Itali të bëheshin pika të forta referimi për albanologjinë anembanë botës, kryesisht pas instaurimit të pluralizmit në Shqipëri, por kjo nuk ndodhi.
    Arsyet ekstra-akademike negative për fat të keq u përputhën mes tyre. Ndërsa në Shqipëri institucionet akademike e gjuhësore pësuan rënie të fortë, të shoqëruar edhe nga mosinteresimi i përgjithshëm për gjuhën e kulturën, në Itali zonat arbëreshe janë duke e humbur identitetin e tyre, sidomos brezat e rinj. Kjo ndikoi në mënyrë indirekte edhe në cilësinë e punës së universiteteve dhe botës akademike në vendin fqinjë.
    Në këtë diskutim nuk mund të lëmë jashtë as kuadrin e përgjithshëm të universitetit italian, ku katedrat e shqipes bëjnë detyrimisht pjesë. E pra, universiteti italian ka vite që është në krizë të plotë, por nuk është ajo ekonomike që e trazon më shumë. Kriza është e gjithanshme, madje prek edhe perspektivën e tij cilësore si institucion. Një nga efektet e kësaj krize, e ndoshta edhe shkak, është sindroma e kullës së fildishtë që e ka prekur botën akademike, ku mund të fusim nga një anë dukuritë e klientelizmit e të nepotizmit, nga tjetra mungesën e lidhjes dhe e komunikimit me shoqërinë reale.
    Natyrisht, arritjet pozitive që kanë arritur albanologët arbëreshë jo vetëm nuk duhen zbehur, por duhen vlerësuar pikërisht duke pasur parasysh kuadrin e përgjithshëm. Por vështrimi kritik, përtej shkrimeve bombastike të mediave shqiptare, na bën mirë të gjithëve, përfshirë botën arbëreshe.
    Mbetet ende për të kuptuar se cili do të jetë ndikimi i emigracionit të ri shqiptar në Itali ndaj qendrave studimore akademike të shqipes, meqë sjell risi në shoqërinë italiane, duke filluar nga nevoja për studimin e kulturës shqiptare dhe nga fronti i oralitetit të gjuhës, edhe pse pa lidhjen e dikurshme me territorin. Por edhe këtu del në pah mungesa e koordinimit të institucioneve mbarëshqiptare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin