MAT ME GRUSHT

shah-boksNëse do t’i jepnim të drejtë atyre që shikojnë tek shahu sublimimin e betejës së vërtetë, me siguri do të mbesnim në mëdyshje përballë lajmit se chess boxing, ky sport relativisht i ri, paska gjithmonë e më shumë sukses në botë. Të paktën fillimisht, si të thuash, me dëgjim të parë. Mirëpo, siç dihet, përshtypja e parë jo gjithnjë është e gabuar.

Autorët Anthony Saidy dhe Norman Lessing kanë shkuar edhe më tutje, duke e quajtur shahun si “beteja e sublimuar par excellence”,  çka do të thotë se niveli i sublimimit është më i lartë se në lojëra të tjera. Që shahu është metafora e jetës, e mendojnë pothuajse të gjithë admiruesit e tij. Mësimet e shahut shkojnë përtej lëvizjeve të ushtarit, mbretit apo kalit. Sidomos për ne shqiptarët, kjo lojë nënkupton njëkohësisht shumë gjëra. Sa për ta kujtuar, shahu është në antitezë me bixhozin dhe lojtarët janë luajalë mes tyre. Hile nuk ka. Si metaforë e jetës, shahu na ofron skema që kanë të bëjnë me marrëdhëniet njerëzore. Për Shqipërinë, edhe vetë rregullat e lojës tregojnë diçka më shumë.

Mirëpo le t’i kthehemi “shahboksit”, e le ta bëjmë pyetjen e natyrshme: Ç’hyn shahu me boksin? A mund të luhet shah e boks njëkohësisht? Po, përderisa sporti në fjalë (chess boxingpo përhapet dita ditës, e ndoshta më shumë në media, se sa në realitet. Po ku piqen e ku ndahen këto veprimtari? Së pari, tek përkufizimi. Shahu është lojë, boksi është sport. Në fakt, thuhet “luaj shah”, e jo “luaj boks”, “bëj boks” e jo “bëj shah”. Tek e fundit, sporti kalit trupin, shahu jo. Mirëpo, dikush ka thënë se shahu është tepër serioz për të qenë lojë dhe është tepër lojë për të qenë serioz.

Jo gjithnjë është kollaj ta ndash lojën nga sporti, e jo gjithnjë është aktiviteti fizik e antagonist ai që e bën ndarjen. Paskal ka thënë se shahu është palestra e mendjes, çka do të thotë se përbën një farë sporti. Në këtë pikë ndoshta takohen me boksin. E me siguri përputhen në shprehjen e artistit Marcel Duchamp: “Loja e shahut është sport. Një sport i dhunshëm”, pavarësisht se batuta duket me karakter metaforik. Të njëjtën gjë paska thënë mjeshtri Ray Keene, sipas të cilit shahu është pa dyshim sport. Ka shkuar më tej shahisti rus, që ka hyrë tashmë në histori, Gary Kasparov, duke e konsideruar shahun si sportin “më të dhunshëm” që ekziston. Në shqip kjo “dhunë” dallohet edhe në leksikun e shahut, sepse themi “merrja kalin, ushtarin, filin”, por edhe “haja kalin, ushtarin, filin”, që deri në një farë pike ngelemi në mishngrënien disi normale, edhe pse të pazakontë, gjithsesi brenda zinxhirit ushqimor; por më tej shkojmë drejt kanibalizmit. Megjithatë, po ta vështronim çështjen hollë, do të vërenim se edhe leksiku i dhunshëm bën pjesë në sublimimin e dhunës së luftës që, përkundrazi, në ring shprehet hapur me grushta në fytyrë.

A ekziston sporti jashtë veprimtarisë fizike? Shahu, siç e kemi parë gjetiu, është jo vetëm lojë e mendjes, por edhe ndeshje psikologjike. Shahu luhet me mendje jo me duar, mendon dikush, çka e nxjerr shahun nga fusha e sportit, për ta lënë brenda kategorisë së lojës. Në fakt, nuk duhen harruar fjalët e Volterit: “Loja e shahut është loja që i jep më nder intelektit njerëzor”. Atëherë përse e ngatërrojnë shahun me boksin? Ngaqë bëhen si kampionate shahu ashtu edhe boksi? Për t’ia nxjerrë në pah anën e dhunshme? Boksi nuk duket se i është nënshtruar shumë procesit të sublimimit, kurse shahu është tepër i lidhur me intelektin për të qenë aktivitet muskulor.

Ka nga ata që i marrin punët me qetësi. Pa e lodhur mendjen, pa bërë filozofira. Shahu është lojë dhe pikë, ka thënë kampioni Boris Spassky. Tek e fundit, edhe pse bëhen kampionate, kombëtare e botërore, shahu mbetet në thelb lojë për t’u zbavitur. Edhe pse kohët moderne vozitin kundër shahut, edhe pse koha është përshpejtuar progresivisht, edhe pse në rrugë luhet gjithnjë e më pak, shahu mbetet sërish lojë për të kaluar kohën. Thjeshtësia të nxjerr në dritë, derisa dikush e komplikon përsëri çështjen duke pohuar: “Shahu është lojë lufte” (Anthony Saidy dhe Norman Lessing).

Jo gjithnjë sporti është i shpejtë, megjithatë nuk mund të jetë i ngadaltë. I duhet një farë ritmi, sepse ia do kalitja. A ka ritëm shahu? Po ta shohim nga ana taktike e strategjike e lojës sigurisht që po. Por në lëvizje, nga pikëpamja sportive, jo. Ja batuta humoristike e Eric Sykes: “Pardje shkova për drekë me një shahist. E kuptova që ishte lojtar shahu se për të më dhënë kripën iu deshën 20 minuta”. Boksi nuk ka lidhje fare me ritmin e shahut. Apo kemi të bëjmë me kombinimin e të kundërtave që të jep kënaqësi, si në kuzhinë ku akullores i hidhet çokollatë e nxehtë? Mundet, por në këtë rast shahu shërben për pushim. T’i thyhesh hundët tjetrit nuk është e lehtë. “Shahu është i pamëshirshëm: duhet të jesh gati të vrasësh njerëz”, ka saktësuar shahisti e komentuesi Nigel Short.

Fusha e shahut është si rrjeta e volejbollit, ose e tenisit; është perdja ndarëse midis lojtarëve, me ndryshimin se forca e muskujve nuk ushtrohet mbi diçka (topin) që e përcjell atë në drejtim të kundërshtarit. Funksioni përçues i topit, me karakter të dukshëm fizik, nuk ekziston në lojën e shahut. Janë figurat dhe ushtarët që përleshen mes tyre, janë ata që e përfaqësojnë simbolikisht luftën dhe përplasjen midis trupave në fushëbetejën me kuti. Prandaj kanë kuptim të thellë fjalët e kampionit jugosllav Svetozar Gligorić: “Ntyson-veshië shah përpiqem gjithnjë të luaj kundër gurëve të kundërshtarit tim, se sa kundër tij”. Këtu, rrugët e boksit me ato të shahut sikur fillojnë e ndahen më shumë. Në boks, kundërshtarët dyluftojnë me njëri tetri, në kontakt aq të ngushtë fizik, sa ndonjëherë shkëmbejnë djersën, erën, frymën, e ndonjëherë tjetër i kafshojnë veshin rivalit.

Tifozët e boksit, me pak sforcim, mund të dallojnë analogji midis sportit të preferuar dhe lojës së shahut, sidomos kur flitet për aspektet psikologjike. “Shahu është luftë ndaj vetes” ka thënë i lartcituari Gligorić, sikurse të tjerë dallojnë tek boksi luftën ndaj përbindëshave të vetes. Analogjitë e kapërcimit të vështirësive të brendshme psikologjike shikohen si tek boksi ashtu edhe tek shahu, porse tek ky i fundit metafora është më e pastër, meqë guri paraqitet krejt i ndarë nga vetja. “Jeta është një lojë e pafund shahu. E rëndësishme nuk është të fitosh ose të humbasësh, por të jesh lojtar e jo gur (kukull). Sepse lojtari është përkrahës i fatit të vet edhe në humbje, kurse guri është viktimë e ngjarjeve edhe në fitore”, citohet të ketë thënë Dino Notte. Kutia e shahut na ndihmon t’i bëjmë një pyetje vetes: Në jetë, jemi gurë apo lojtarë? Boksi nuk na vjen në ndihmë shumë, pasi na jep përshtypjen sikur jemi gjithnjë lojtarë, edhe pse fijet mund të jenë diku sipër ringut.

Ta bindësh dikë se boksi ka lidhje me harmoninë e lëvizjes dhe se ngjason me baletin nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Eleganca e të famshmit Cassius Clay është e paharrueshme. Por t’ia mbushësh mendjen dikujt se boksi ka lidhje me muzikën duhet fantazi e madhe, ose dorëzim pa kushte. Përkundrazi, përqasja midis muzikës dhe shahut, duket më e arritshme, të paktën sepse nisen nga emëruesi i përbashkët i heshtjes dhe i paqes. Tek e fundit, si muzika ashtu edhe shahu, kërkojnë dëgjim në heshtje, jo zhurmë ose grusht me ndokënd. E bukur thënia e Michelangelo Scalcione: “Shahu është muzikë shumë e qetë”, por më domethënëse e më të drejtpërdrejta fjalët e kompozitorit të famshëm italian Ennio Morricone: “Për mua të luash shah është si të kompozosh një simfoni”.

Nuk ka komente

  1. Artikull i kendshem. Besoj se ajo cfare i ka bere bashke keto sporte eshte pikerisht bashkimi i te kundertave, sidomos persa i perket perceptimit te ritmit dhe “perplasjes”.

    Gjithashtu mendoj se shahu mund te jete nje nga lojrat me te sublimuara, dhe kjo eshte e qarte, por nuk eshte kurresesi loja metafore e jetes. Nese vertet dashamiresit e shahut mendojne keshtu, atehere kjo me habit. Arsyen e keni dhene edhe ju ne fjaline pasardhese. Shahu shume pak ka te beje me hilene ose edhe me fatin, nderkohe qe jeta keto te dyja i ka me shumice. Rrjedhimisht, mendoj une, ne ka loje me “pa lidhje” me metaforen e jetes kjo eshte shahu. Nga ana tjeter shahu funksionon me teper si nje metafore deshirore dhe reduksioniste ,pra realitet me rregulla te qarta e te kufizuara ku idealisht duhet te fitoje me i miri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin