Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

PLUHURI MË I SHTRENJTË SE LIBRI

Enciklopedia SovjetikeIm atë kish bibliotekë të pasur, të cilën e kish mbledhur vetë, vit pas viti, me libra të profesionit. Ca prej këtyre i kish lexuar, ca të tjerë e kishin lexuar; dhe më në fund, në një raft rrinin edhe librat që i kish shkruar vetë.

E megjithatë, kur dua të kujtoj atë bibliotekë, që mbulonte të paktën tre faqe muri, i pari titull që më vjen në mendje është Enciklopedia e Madhe Sovjetike (Большая советская энциклопедия), në botimin e dytë, të viteve 1950-1958.

Pesëdhjetë vëllime të rënda, të vëna në rresht e të veshura me uniformë blu të errët, si të ishin rekrutë të flotës; e të dalluar prej njëri-tjetrit jo nga titulli, por nga numri. Pesëdhjetë batalione marinsash cirilikë, tashmë në gjumë.

Kot e mban këtë enciklopedinë, i thoshte ime më; sa zë vend dhe mbledh pluhur. Hidhe më mirë.

Por im atë nuk dëgjonte nga ai vesh; edhe pse vëllimet e enciklopedisë nuk e kam parë t’i prekte kurrë. Për të, ajo armatë fjalësh ishte trashëgim magjiplotë prej viteve kur kishte studiuar në Moskë; dhe pesëdhjetë vëllimet e ruajtura në bibliotekë vlenin si lingotat e arit, që kanë pasë mbajtur bankat në bodrume të fortifikuara, për të garantuar vlerën e monedhës.

Unë, nga ana ime, enciklopedisë ia mbaj mend mirë edhe ngjyrën edhe aromën karakteristike, por jo fjalët – sepse rusisht nuk dija. Madje, me kalimin e viteve, ato bedena të Murit të Madh Rus, që më ngriheshin mu në dhomën ku flija, erdhën dhe u shndërruan në kufitarë të një territori të keq, ku kisha refuzuar të shkelja.

Ka artikuj të vyer, për shkencën dhe teknikën, thoshte im atë; por pa bindur kënd, madje as veten.

Pas ftohjes dhe pastaj “prishjes” me sovjetikët, në vitet 1960, Bashkimi Sovjetik erdhi dhe përfundoi i shpërbërë, anembanë Shqipërisë, në trajta produktesh herë kulturore herë politike, herë shkencore herë dëfryese, që tashmë nuk i duheshin më kujt, por që shumëkush i ruante.

Disa mbanin enciklopeditë, të tjerë pllakat e gramafonit me operat e Glinkës dhe baletet e Çajkovskit dhe rumbat e fokstrotet si prej cirku; disa radiot me dru panje, të punuara si mobilje, të tjerë albumet dhe librat e artit, riprodhimet e peizazheve të Shevçenko-s; e të tjerë akoma fotografitë që kishin bërë andej, të veshur me pallto të rënda dhe kokore, të përqafuar me mështekna.

Unë mbaj mend edhe filmat vizatimorë të Mosfilm-it, që i shfaqte operator Benoni, në kinemanë e Pallatit të Pionierëve – dhe njëfarë droje ose ankthi, që më ngjallte mua fëmijës zëri i kadifenjtë i përrallëtarit rusisht, në sallën e errët dhe të zhurmshme; sikurse mbaj mend edhe veturat e markave sovjetike – Pobjedat, Zim-ët, Moskviç-ët, Vollga-t, të cilat vjetëroheshin, dita-ditës, në rrugët përndryshe pa trafik të Tiranës.

Elitave të krijuara në vitet 1950, që kishin studiuar me aq entuziazëm në universitetet e Lindjes e më shpesh në ato të Bashkimit Sovjetik, iu desh pastaj t’i heqin mënjanë municionet e tyre të lagura të dijes, së bashku me kujtimet, diplomat deri dje të vëna në kornizë, gratë që kishin rrëmbyer andej dhe krenaritë e mëdha.

“Bashkimi Sovjetik është bërë tashmë qendra e botës së qytetëruar,” pallte parathënia e veprës.

Pesëdhjetë vëllime, pesëdhjetë mushka të militarizuara, që transportonin, nga një vit në tjetrin, një botë tashmë për ne të perënduar: Bashkimin Sovjetik të sapodalë triumfues nga Lufta II Botërore, dhe të gatshëm për të pushtuar botën mbarë. Herë-herë, vendi që zinin këto troje të fjalës ruse, në bibliotekë, më dukej i krahasueshëm me vendin e Bashkimit Sovjetik vetë, në hartën e botës – tepër i madh, tepër i shtrirë, tepër i hapësirshëm për të pasur kuptim mirëfilli.

Kur shkroi, në 1940, prozën e vet të mistershme, për “Tlön Uqbar-in”, dhe për Orbis Tertius-in, këtë version të një enciklopedie dyzet-vëllimshme hartuar në vendin imagjinar të Tlön-it, Borges-i gati i parapriu shfaqjes në firmamentin tonë, të këtij objekti kabá dhe të frikshëm, të këtij plani për t’i dhënë trup dhe jetë një roboti stalinist të hatashëm, të programuar për ngërthim mendjesh.

Për enciklopedi të tilla baroke dhe madhështore si paradë, thonë se nuk i lexon askush – qëllimi i tyre nuk është të përcjellin dije dhe të kuvendojnë me përdoruesit, por ta skalitin dogmën në mermer dhe t’i japin vërtetësi të amshuar. Jo më kot ua ndesh vëllimet e numëruara të vëna në radhë, uniformisht, në sallat e bibliotekave institucionale – roje të statu quo-së, të dijes së koaguluar, në mos të fosilizuar; kështjella ndonjëherë më të papushtueshme se ato prej guri.

Vite më vonë, pasi vdiq im atë, jemi përpjekur të bindim ndonjë bibliotekë a institucion kulture, në Tiranë, që t’i marrë ato vëllime – por këtë pesëdhjetëkëmbësh antideluvian tani nuk e dëshiron më askush, as për ta pasur, as për t’ua treguar të tjerëve, butaforikisht, se e ka. Vepra, me kalimin e viteve, ka përfunduar në zhvepër –ekzoskelet kandrre dikur të ngathët e sot përndryshe të përtharë, përmendore e trishtë e entropisë, vrimë harrese e kthyer së prapthi.

Nëse një enciklopedi, në vetvete, nuk shfletohet por vetëm peshon, fizikisht dhe mendërisht, aq më pak do të hyjë në punë kjo sovjetikja, në Shqipëri, kur e shkruar në një gjuhë tjetër, tashmë të huaj në të gjitha kuptimet e mbiemrit; dhe që i referohet një rruzullimi me të cilën ne shqiptarët pothuajse nuk komunikojmë më.

Pa përmendur pastaj që vetë Bashkimi Sovjetik ka dalë nga përmasa jonë e historisë, dhe tani mbijeton, njëlloj si Tlön Uqbar-i i Borges-it, në kujtime, në imagjinatë, në harta, në disertacione… dhe në enciklopeditë.

Çfarë janë ato pesëdhjetë vëllime, në mos një sistem i renditur udhëzimesh të imta deri në obsesion, se si ta risjellësh përbindëshin në jetë, faqe pas faqeje, dogmë pas dogme, hero pas heroi?

Ende e stivuar në raftet e bibliotekës sime, por tashmë me vëllimet të përziera si letrat e bixhozit para fallit, Enciklopedia e Madhe Sovjetike vazhdon të mbledhë pluhur, shtresë pas shtrese, pa u shqetësuar për ndryshimet përreth.

Sikur të begeniste dikush ndonjë ditë, dhe të ulej t’ia bënte analizën stratigrafike pluhurit, do të gjente aty historinë tonë si familje – leskra dhe luspa të kodeve tona intime, përzier me tymra të vjeshtës, qerpiç të tharë, blozë të oxhakëve të mëhallës, hi duhani e, kushedi, edhe ndonjë atom ceziumi radioaktiv, të arratisur nga Çernobili i largët.

Por se ç’kanë një qetësi si prej varreze tani, aq sa nuk të bëhet t’i trazosh më – thuase po të guxosh t’ua hapësh kapakët, do të të shkrihen në duar, si rëra; dhe askush nuk do të uronte t’i shtohej rërë Saharasë që na rrethon.

Pa Komente

  1. Uauu, me kenaqe me teresine teper te ringjallshme qe me shkaktove nepermjet nje situate gati identike. Ne shtepine tone kishim volume te panumert te nje enciklopedie qe i referohej artit dhe modes, reflektim i natyres se shkollimit te tim eti ne Rusi. Te xhaja dhe burri i halles kam para syve enciklopedite ruse, çuditerisht ne ngjyre bezh dhe pothuajse po aq voluminoz; 40-50 syresh. Nderkohe, ideja baze e shkrimit eshte nje sinteze spektakolare e mendimit racional. Urimet e mi me te mira!

  2. Si i motivuar nga filoamerikanizmi irracional i popujve te Jugut me duket pak ky hasret i stisur me popujt e Verit dhe disa enciklopedi te pafajshme dhe me nje fat te dhimbshem. Pluhur sigurisht, po pluhur ne ere jemi te gjithe, do te thoshte Lavrovi, ruse dhe amerikane bashke.

    Gjithsesi, une kam te njejtin problem me disa koleksione dhe albume shume te vjetra bimesh te ish-Gjermanise lindore. Une keta te mite po mundohem t’i shes pa iu zberdhylur ende perfundimisht ngjyrat, nuk kam nder mend t’i fal, po besoj se enciklopedite e ketilla mund t’i grumbulloje e t’i marre mbrapsht me shume qejf edhe ndonje sekretar i ambasades ruse, p.sh.

  3. xhaxha, na kënaqe. shkrimi është kaq naturalist, kaq i gjalle, saqë kur e mbarova kisha ne hundë erën e letrës së aciduar 😀

  4. ah, ato mamate shqiptare qe lindin gjyshe! Kane nje hunde, po kane nje hunde ato… nuhasin mire fundin, qe diten e pare qe dicka shfaqet!

    nje mik i imi gjerman i binte kryq e terthor ish-Gjermanise lindore ne vitet 90, qe te gjente te gjitha romanet dhe novelat e botuara ne te ne vitet e socializmit. Ne shtpi ne Koeln nuk kishte vend ku te flinte nga sasia e libravwe stivosur neper rafte pa fund. Jam e sigurt qe vazhdon kerkimin e vet.

    Shumica e njerezve lodhen duke mbajtur gjera qe s’i perdorin dhe i hedhin pastaj, edhe kur u besojne fort atyre. Une mbaj fjalore et vjeter qe sido qe e di se s’kane asnje vlere sot, ma kenaqin shume t’i shoh e t’i prek. I kam bartur deteve e oqeaneve dhe me vlejne shume emocionalisht; ndaj, s’kam ndermend t’i hedh. 🙂

  5. Varet se ç’kuptojmë me Enciklopedi. Në qoftë se përbën tërësinë e njohurive të strukturuara, atëherë edhe pluhuri mbi enciklopedinë është enciklopedi më vete. Ngaqë shtresë pas shtrese ka depozituar kujtesën dhe historinë familjare e ndoshta më gjerë. Parë kokëposhtë, enciklopedia ruse nuk është tjetër veçse sendi i vendosur mbi pluhurin historik të padukshëm me sy. Por në kujtesë mjafton t’i “frysh” pak dhe çdo gjë vjen në sipërfaqe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin