MENÇURIA E PUSHTETIT

Tridhjetë vjet pas vdekjes së Gjeneralit De Gaulle, francezët më në fund ia ngritën një statujë në Champs-Elysées, edhe pse De Gaulle-i vetë, në të gjallë, e kish lënë amanet që të mos e nderonin në bronz.

E bazuar në një fotografi të liderit francez duke ecur në bulevardin më të famshëm të Parisit, menjëherë pas çlirimit të Francës më 26 gusht 1944, statuja shoqërohet edhe me një citat nga De Gaulle-i, të mbishkruar në piedestal:

Il y a un pacte vingt fois séculaire entre la grandeur de la France et la liberté du monde (“Ka një pakt dymijëvjeçar midis madhështisë së Francës dhe lirisë në botë.”)

Citatet nga burra shteti të shquar nxjerrin shpesh krye në publicistikë – të gjithë kemi dëgjuar të tilla nga Churchill-i, Jefferson-i, JF Kennedy, madje edhe Stalini dhe Maoja.

E megjithatë, kur ndesh në ndonjë thënie pikante, që kombinon urtësinë dhe mençurinë në një formulë të thukët dhe tërheqëse, vështirë të mos pyesësh, së paku veten, nëse këta shtetarë që kanë komanduar miliona i kanë thënë vetë këto fjalë të mençura, apo vetëm sa kanë lexuar fjalët e të tjerëve.

Krerët e shteteve sot kanë në dispozicion një aparat të fuqishëm që ua sekreton ligjëratën publike; si dhe një ekip regjisorësh, që ua dikton daljen në publik, veshjen, gjestet dhe deri edhe mënyrën e ecjes. Politika e madhe është aq e mediatizuar, sa vetëm me përpjekje kolektive mund t’ia dilet.

Presidenti amerikan JF Kennedy e shqiptoi të famshmen “ask not what your country can do for you…” gjatë fjalimit të tij inaugural, në 20 janar të vitit 1961. Kennedy doemos kishte specialistë që ia shkruanin fjalimet (speechwriters), dhe ka gjasa që këto fjalë lapidare të kenë dalë nga pena e ndonjërit prej këtyre të fundit – sikurse ka njëlloj gjasa që Kennedy t’i ketë shtuar aty vetë (ndonjë filolog a historian do ta ketë kushedi përgjigjen).

Ne që jemi rritur me një kulturë ose më mirë kult të shkrimtarit-autor si qenie e bekuar nga hyjnitë ende rrudhim buzët, kur dëgjojmë për shkrues fjalimesh – pse ky profesion të sjell në mendje, mes të tjerash, të shkretin Demkë që ia qëndiste fjalimet dhe artikujt shokut Zylo, të Dritëro Agollit.

Megjithatë, kohët kanë ndërruar; shtetarët e lartë ngjiten dhe i kapin postet e tyre jo pse janë intelektualisht brilantë, por ngaqë janë thespianë të mirë, fotozhenikë, me zë të bukur dhe, tek e fundit, edhe kujtesë të fortë prej aktori.

Në ShBA shkruesit e fjalimeve janë shpesh figura profesionalisht brilante, që kanë pranuar me vetëdije të bashkëpunojnë me politikanët, për hir të mbrothësisë publike. Duke e njohur kapacitetin e presidentëve intelektualisht modestë, si Ronald Reagan-i ose tani vonë G.W. Bush-i, fjala e tyre publike as mund të përfytyrohet, pa kontributin, e heshtur, të këtyre murgjve modernë.

Edhe pse praktika e shfrytëzimit të mëditësve të ligjëratës ka traditën e vet në sallonet e politikës së Tiranës, mjafton një lexim i shpejtë i fjalimeve të (ish)kryeministrit Berisha – sa për të sjellë një shembull – që gjenden në faqen e Këshillit të Ministrave, për t’u bindur se një pjesë të mirë të tyre nuk i ka prekur dorë shkrimtari a specialisti të ligjërimit publik.

Ndoshta do të ketë ndonjë lidhje midis kësaj dëshire, të shtetarëve tanë, për t’i shkruar vetë fjalimet që mbajnë (ose, më keq akoma, për t’i improvizuar shkeleshko në momentet kur dalin në publik), dhe faktit që prej këtyre fjalimeve nuk të mbetet asgjë në mendje, asnjë copëz e vetme mençurie ose urtësie, asnjë shkëndijë inteligjence e tillë që të ngacmojë mendimin.

Ironia, në këtë mes, është se IQ-ja e ulët e diskursit publik të shefave të politikës shqiptare shpjegohet drejtpërdrejt me megalomaninë e tyre, ose dëshirën e tyre obsesive për ta përfytyruar veten si intelektualë – meqë vetëm “intelektuali i mirëfilltë” nuk do të pranonte të shqiptonte në publik fjalët e përgatitura për të nga tjetërkush.

Pa çka se tradita e ligjëratës politike shqip përfshin figura të kalibrit të Nolit dhe të Konicës; e pa çka se Noli vetë, gjatë periudhës së tij meteorike në krye të shtetit shqiptar, i ka shkruar doemos vetë fjalimet e veta, përfshi edhe atë të Lidhjes së Kombeve!

Natyrisht, niveli i diskursit politik të sotëm pasqyron nivelin e politikës, jo doemos të politikanëve; meqë balta i njollos të gjithë njëlloj, të bardhët e të zinjtë, të lartët e të ulëtit. Veçanërisht Berisha, sikurse e kemi thënë shpesh e me hollësi në këtë blog, në kohë të tjera dhe atëherë kur duhej, i ka shkaktuar dëm të madh këtij diskursi, duke e zhytur ndonjëherë në gjiriz; edhe pse ai vetë, si njeri dhe mjek profesionist, nuk ka përkitur kurrë gjirizit.

Nëse JF Kennedy do të mbahet mend edhe për të famshmen “Ich bin ein Berliner,” kryeministri ynë do të kujtohet edhe për njëlloj të famshmen dhe famëkeqen “lavire bulevardi”, të cilën ia drejtoi kreut të një institucioni madhor të shtetit.

Mund ta themi me siguri edhe se ajo farë invektive nuk ka dalë nga pena e ndonjë shkruesi fjalimesh në Presidencë; së bashku me morinë e banaliteteve që si Berisha, si kolegët e vet në krye të mikrofonëve, i kanë ofruar publikut këto 20 vjet.

Një brez i tërë është rritur, ndër shqiptarët, duke u edukuar me këtë kulturë të ligjërimit publik politik; dhe duke kujtuar se politika është përnjëmend kacafytje endacakësh ose rrugaçësh të rëndomtë.

Të mos kishim pasur një Nol, një Konicë a një padër Anton Harapi në traditë, do t’i ishim dorëzuar fatit dhe do të kishim pranuar se vende dhe kultura të vogla si jona janë dënuar që tonin diskursit publik t’ia japë nevojtorja.

Sa për citatin e De Gaulle-it, që përmenda në krye të shkrimit, atë do ta ketë shkruar gjenerali vetë; meqë është shqiptuar në një fjalim që ky mbajti në Londër, në 1 mars të vitit 1942; ose në një kohë kur luftëtarët francezë të Rezistencës nuk i kishin mjetet, as kishin ngé për të pajtuar shkrues fjalimesh.

Nuk ka komente

  1. « Kennedy doemos kishte specialistë që ia shkruanin fjalimet (speechwriters), dhe ka gjasa që këto fjalë lapidare të kenë dalë nga pena e ndonjërit prej këtyre të fundit… »

    Në fakt është e njohur që tashmë këtë shprehje ia ka shkruar Arthur Shlezingeri. Kujtoj një interviste para se të vdiste, ku tregonte nje gje te tille si edhe nje episod qe me eshte fiksuar ne tru. Kur te nesërmen e zgjedhjes, Kenedi e thirri nga universiteti ku punonte dhe i propozoi te punonin bashke, ai i tha. Po çfarë do të bëj unë këtu, z. President? Kenedi iu përgjigj. Nuk di ç’të them, unë jam zgjedhur president dhe nuk e di çdo të bëj.

    « Sa për të citatin e De Gaulle-it, që përmenda në krye të shkrimit, atë pas gjase e ka shkruar gjenerali vetë; meqë është shqiptuar në një fjalim që ky mbajti në Londër, në 1 mars të vitit 1942; ose në një kohë kur luftëtarët francezë të Rezistencës nuk i kishin mjetet, as kishin ngé për të pajtuar shkrues fjalimesh… »

    Mundet qe e ka shkruar vete se i del edhe te Kujtimet, por nuk duhet harruar, se mendjet me te ndritura te Francës shkuan e u bashkuan me te në Londer që më 1940. Mjaftoj te kujtoj filozofin Rajmond Aronin që për mua është filozofi me largpames i pasluftës (kur shoku i tij i klases Zh. P. Sartri iu bashkua maoisteve, ai fliste per rrezikun e nje rruge te tille dhe parashikonte rregjimin e asaj ideologjie). Po përmend edhe Moris Dryonin, qe punonte me De Golin ne Londer (edhe pse i majte) një shkrimtar brilant dhe një burrë tejet i mençur (Putini,president, vinte ne vizite private ne France dhe shkonte ta takonte drejt e ne shtepine e tij).

    Në Shqipëri i është përkthyer Familjet e mëdha.

  2. Politika duhet konceptuar si diçka serioze, që kërkon jo vetëm pasion, por edhe profesionalizëm. Por mbi të gjitha politika nuk pranon IMPROVIZIM, ose të paktën në ato nivele sa të mos dallohet. Mirë në Shqipëri improvizimi është mbreti i vërtetë. Për fat të keq jo vetëm në politikë.

    Për këtë arsye ligjërimet politike ndiqen nga qytetarët sikur të ishin ndeshje boksi, kurse politika si hapësirë perceptohet si një ring periferie, ku grushtet fluturojnë nga nofulla tek vetja pa asnjë rregull, e publiku bërtet me të madhe, por nuk duartroket dot, se i ka duart e zëna nga shishet me alkool.

    1. Më duket se zgjedhjet e fundit dëshmuan se publiku është më i maturi dhe më i urti, kurse elitat – gjithsesi të improvizuara – janë të dehura me intelektualizmin e vetshpallur.

      1. Nuk e di nëse e kuptova mirë komentin. Gjithsesi, nuk desha të përgjithësoj. E kisha fjalën për tifozllëkun që i bëhet ndonjëherë IMPROVIZIMIT, duke e quajtur si të natyrshëm, autentik, të vërtetë, të drejtpërdrejtë, të sinqertë. Nga të gjitha palët. Ndonjëherë, improvizimi i skajshëm perceptohet si “gju më gju me popullin”, “flet si populli”, etj. ndërkohë që ligjërimi politik ka edhe një aspekt “edukativ e kulturor” për hapësirën publike.
        Desha të them se komentet si “ia përplasi në fytyrë”, “ia futi bukur!”, “mirë ia bëri qelbësirës”, “kështu i do mushka drutë” e të tjera më të rënda, janë të llojit “mejhane”. Si tifozët e boksit ilegal të dikurshëm.
        Politikani ka rolin e PËRFAQËSUESIT. Ministri X kur lexon një fjalim, praktikisht lexon materialin që i kanë përgatitur disa drejtori bashkë, gjithnjë në respekt të programit politik të qeverisë. Ka raste që Përfaqësuesi Y, sidomos në raste me karakter teknik, nuk e ka shumë idenë përse po flitet: për arsye njerëzore nuk mund t’i dijë të gjitha. Megjithatë, në atë moment ai është zëdhënësi i asaj politike të caktuar dhe i atij institucioni. Nuk duhet të improvizojë, edhe pse nga gjuha dhe gjestet mund të ngjajë me mua, qytetarin e thjeshtë. Thjeshtësia është një gjë, improvizimi dhe papërgatitja diçka tjetër.

        1. Ndoshta edhe unë nuk u shpreha mirë, sepse shkrova me ngarkesën e lajmeve nga Kosova në kokë, në të cilat populli akuzohet që nuk del në protesta apo nuk bën revolucion. T’ia lësh fajin popullit, publikut, apo cilësdo masë amorfe, është një ikje e lehtë nga përgjegjësitë e intelektualëve dhe elitës. Sidomos e të parëve, që më duket se duhet të reflektojnë.

          Dua ta ndaj një anekdotë që më duket shumë interesante dhe në lidhje me temën. Ma merr mendja që dini për atë librin e kuq të citateve të Maos, një libër i vogël xhepi, sa shuplaka e dorës. Në kohën e krizës në mes të Kinës e Indisë, dy kufitarë kinez i provokojnë dy kufitarë indianë duke e valëvitur mbi koka këtë librin e kuq të Maos. Fati e deshi që njëri nga kufitarët indian ishte student i fizikës, dhe që atë kohë i lexonte ligjëratat e Feynman-it. Tash, këto ligjërata janë të shtypura në libër shumë të bukur, me kore të trashë e të kuqe, dhe me dimenzione sa gjysma e një tavoline pune. Ky kufitari fizikan, i mërzitur nga rrengat e kinezëve, e merr dhe e tund librin e Feynman-it, që patjetër i shashtis kinezët. Tregohet se prej asaj dite, ajo pjesë e kufirit është e qetë.

        2. Me ngacmoi ky cilesimi i te ndjekurit si ndeshje sportive, e ballafaqimit politik, prej popullit. Nuk e kam kuptuar nese eshte e qellimshme, apo eshte vete zgjedhje e nje pjese te popullit…
          E qellimshme mund te ishte pasi nje qeverisjeje te keqe i intereson qe qytetaret te mos e ndjejne veten kontribues te shtetit e te qeverisjes. Zgjedhje e njerezve mbase mund te jete prej mungeses se lirise dhe pergjegjshmerise individuale, te individeve te shoqerise, qe nuk duan ti ngarkojne vetes pergjegjesi per keqqeverisje apo edhe lenien e vetes ne pozicionin e viktimes, justifikuar prej fatit (me ka bere pershtypje gjithmone, qe kur diskutohej vjedhje vote, thuhej “ky” ja futi “atij”…nderkohe qe “ky” na e fuste ne…;me falni per fjalorin), pasi eshte e dhimbshme mbase, te perballesh me detyrimet e nje njeriu te lire.
          Kjo situata sportive, mbahet gjalle edhe prej stilit te retorikes, ku akuzat ad hominem, dhe evokimi i ndjenjes, jo i arsyes, per gjykimin e kundershtarit (apo vetes), i pershtatet (dhe mbase ushqehet prej tij) nivelit te ulet te asaj pjese te ndjekesve te sigurt. Ketu del nje rrol “edukativ” shume larg asaj qe eshte normale, dhe kjo eshte zbatuar ne mase derrmuese prej Berishes, dhe ne shkalle totale prej tij gjate periudhes qeverisese te PD (ne mungese te kapacitetit qytetar perceptues, sipas meje, por edhe komunikues, por edhe prej mungeses se rezultateve dhe mundesise frymezuese prej qeverise, dhe mbase ne mungese te akuzave te prekshme ndaj opozites).

  3. Fjalimi i fitores se Rames ishte me nivel ,per nga stili i frazave dukej i pregatitur nga ndonje shkrues anglosakson.
    Fjalimi i humbjes se Berishes ngjante me nje raport ne asamblene e kooperatives.23 vjet vjet ne politike dhe ai asnjehere nuk mesoi te flase ne publik.Fillimi dhe fundi mbahen mend ,te pakten me fjalimin e fundit dikush duhej te ishte kujdesur te kishte ne te disa shprehje frymezuese per tu mbajtur mend.Concession speeches duhen mbajtur short and sweet .me fraza si:
    “.. Pozicioni yne ne qeverisjen e Shqiperise ka ndryshuar por perkushtimi yne ndaj Shqiperise e shqiptareve nuk ka ndryshuar.Ne pushtet apo ne opozite ne do te vazhdojme te jemi syri , zeri dhe veshi i tyre.Ne pushtet apo ne opozite ndjenjat deshirat enderrat dhe ambiciet e tyre do te vazhdojne te jen ndjenjat enderrat deshirat dhe ambiciet tona.ne besuam fort , punuam fort, luftuam fort , arritem shume por ato nuk ishin mjaft qe ta bindin votuesin te na jepte nje mandat tjeter.Ne besuam dhe vazhdojme t ebesojme se plani yne ishte me i miri por votueset vendosen ndryshe duke zgjedhur nje ekip te ri nje kryeminister te ri.ne e pranojme plotesisht kete verdikt

    1. Fjalimi i fitores qe mbajti Rama ishte i shkruar bukur dhe me kujdes, por ishte vetem forme dhe ton. Permbajtja calonte shume. P.sh. problemi nr 1 ne vend eshte korrupsioni. E di sa here permendi ai fjalen “korrupsion” ne fjalim? 0

      Nje fjalim fitorje duhet te preke plaget kryesore te vendit dhe te shtroje disa pika te pergjithshme, ama konkrete, te vizionit te fitimtarit per te ardhmen. Rama ofroi vec nje tablo fjalesh te shkruara me kujdes. Pra ngelet ti japem pike qe s’tha “une s’jam politikan” apo “dua vec te le nje emer, te tjerat s’me interesojne”.

      Fjalimi i Berishes pastaj, shume me mysybet, komplet fjalim politbyroje, si gjithe stili i udheheqjes dhe politikeberjes se tij xhanem, perpos qe ne kete fjalim doreheqje kembengulte se nuk do largohej kurre.

      1. Edhe une nga forma e pata fjalen nga ana sintaksore me fjali te shkurtra te sakta te thjeshta me shprehje qe te mbeten ne mendje.Fjalimet e fitores jane ne pergjithesi reagime frymezuese te momentit dhe nuk pershkruhen plaget e vendit ne pergjithesi , ato zakonisht behen ne fjalimet inaugurale kur marrin detyren.

  4. Une dua te besoj se te dy personalitetet De Goli dhe Kenedi e kishin ligjerimin publik natyrshem te mencur dhe nga studimet e tyre te vazhdueshme.

    De Goli te atin e kishte profesor historie dhe filozofie, shkenca nga te cilat nuk u nda gjithe jeten edhe pse studjoi e beri karriere ushtarake.Jo me kot Pompidu kur njoftoi francezet per vdekjen e tij tha ” Franca mbeti e ve “.

    Kenedi perfundoi Harvardin , madje punoi dhe si reporter, dhe te mos harrojme se ne vitin ’57 eshte lauruar Pulitzer per ‘Profiles in Courage’.

    Kurse ligjeruesit tane pushtetar na bejne me dije se ne feminine e tyre kishin endrra per t’u bere poete, shkrimtar, gazetar; pra vetem endra…dhe na mbushin me banalitete te cilat do te mbeten ne histori si barcaleta. Dhe ne qofte se kane patur pas vetes Demka ata do te mbeten te panjohur nga ana jone sepse s’ka kurrfare krenarie per ligjerimet e tyre. Vetem kur hapin e lexojne letrat shfaqin caze seriozitet , ndersa kur marrin revan pa to …nxihen dhe ekranet nga zbulimet ne lemen e ‘fjalorit banal ‘, Dhe kenaqen militantet e nisin t’i perdorin mejhaneve gjithe epsh…

  5. Une nuk medoj se popullsia imiton politiken.
    Ne fakt mendoj se ndodh e kunderta.

    Te shpresojme se fourth estate dhe fifth estate te arrijne ta mbajne klasen politike te vendit nen prozhektore, duke u matur cfare u del nga goja e nga duart.

    Me qe ishim tek fjala ne politike, nga fjalimet apo diskurset politike me te bukurat dhe te fuqishmet me duken ato te perfshira ne “Lufta e Peloponezit” e Thudicidit. Magji e vertete. I lexoj dhe mundohem te imagjinoj se cfare formimi do te kene pasur protagonistet qe te ishin ne gjendje ti artikulonin mendimet ne ate forme. Shtoji kesaj edhe faktin se ajo periudhe perputhet me periudhen e mjeshtrave te tragjedise greke ( e cila ne fund te fundit ishte nje letersi e mbeshtetur kryesisht ne fe), dhe perfundimi I vetem eshte se audienca ,qofte ajo politike apo artistike ishte mjaft e kultivuar per te kuptuar, shijuar, aprovuar apo hedhur poshte perfaqesuesit e saj.

  6. Mendesia ‘degoliane’ dhe vendosja e saj ne piedestal (ende sot), besoj qe eshte problemi themelor i Frances se pas-luftes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin