NGA REALIZMI NË PORN

kukullaSikurse e përmendja në shkrimin e mëparshëm, dokumentit Land of the Eagles i parapriu, të njëjtën mbrëmje, filmi i Viktor Gjikës Nëntori i Dytë, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1982, por tani i restauruar nga The Albanian Cinema Project (ACP); dhe kjo pranëvënie nuk mund të mos sugjeronte, sikurse edhe sugjeroi, ngjashmërinë midis këtyre dy filmave – veçanërisht në raport me qëndrimin e autorëve, dhe të publikut, ndaj së shkuarës totalitare.

Nuk them dot shumë për cilësinë teknike të restaurimit të filmit të Gjikës; ngjyrat m’u dukën të mrekullueshme, si në asnjë film shqiptar të asaj kohe; imazhi i pastër dhe me një konsistencë pothuajse prej kartoline; peizazhet të gjelbra, zjarri prushues, qielli i kaltër, flamuri kuqezi. Sikur ngjyrat të ishin nota, do të flisja për simfoni. E megjithatë, vështirë ta etiketosh këtë restaurim si të pafajshëm dhe të gjykosh, me sipërfaqësi, se filmi kështu i shpëtoi shkatërrimit dhe iu rikthye publikut. Shkatërrimit vërtet i shpëtoi; por nëse është rikthyer apo jo, për këtë mund të flasim.

Duke filluar, pikërisht, nga e drejta jonë – e institucioneve, e restauruesve, e nismëtarëve të këtij makijazhi me përmasa epike – për t’i prekur këto produkte të një epoke të caktuar, të një kinemaje dhe një estetike të caktuar, të prodhuara me synime politike të caktuara; produkte që denatyrohen sapo nxirren nga konteksti i tyre i natyrshëm. Pyetja mbetet për të gjitha filmat e atëhershëm: sa të drejtë kemi, morale dhe artistike, që t’ua heqim këtyre filmave moshën, rrudhat, shenjat e viteve; ose pikërisht atë cilësi të vjetërsisë, që tashmë është pjesë e tyrja, po aq sa subjekti, personazhet, kolona zanore dhe planet e xhirimit. Aq më tepër që restaurimi, me sa mund të marr me mend, jo vetëm ia riktheu filmit ngjyrat e origjinalit, por shkoi edhe më tej, duke e pastruar edhe më, deri në atë pikë sa publikut t’i lindë dyshimi se vetë regjisori mund të mos e miratonte këtë kruarje; dhe se koncepti i V. Gjikës për filmin me siguri bazohej edhe në caqet teknike të celuloidit të kohës dhe në kapacitetet modeste të Kinostudios Shqipëria e Re për të prodhuar ngjyrën. Me fjalë të tjera, V. Gjika kushedi nuk do të lumturohej dhe aq me imazhin kartolinë, që shpesh i bënte personazhet e filmit, duke filluar nga Ismail Qemali vetë, të dukeshin si figurinat në qerret e karnevaleve.

Së bashku me ngjyrën dhe imazhin, filmi vinte edhe me mesazh të restauruar – këtë herë vetvetiu. Nëntori i Dytë, film i kategorisë “festive” ose “përkujtimore”, i prodhuar me rastin e kremtimeve të 70-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, doli në kinematë shqiptare në një periudhë kur regjimi totalitar i Enver Hoxhës kish nisur të mbytej në zgjyrën e vet; dhe kur vendin e kish pushtuar terrori policor, pas vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu.

Vetë historia e Shqipërisë, e përcjellë në film, vjen në variantin zyrtar të Akademisë së Shkencave, të bekuar nga vetë diktatori që e mendonte veten historian të historianëve (siç e pat treguar ndërhyrja e tij në rastin e njohur të Haxhi Qamilit). E përqendruar në ato pak ditë të udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë dhe në vetë aktin e ngritjes së flamurit kombëtar, kjo histori nuk duhej të ishte veçse një formë inferiore, ende e paarrirë, por plot premtime dhe parabolike, e asaj çfarë do të ndodhte në Shqipëri kur të vinte Nëntori i Tretë, ose kur ta merrnin pushtetin komunistët vetë, në 29 nëntor 1944.

I gjithë etosi i filmit e ushqen këtë lexim; që nga karizma e Ismail Qemalit dhe klishetë e drunjta që ia kanë vënë në gojë personazhit autorët e skenarit, te personazhet e shumta “nga populli”, përfshi edhe një Robert Ndrenikë në versionin “katnar”, dhe të tjera momente të lehta estrade; dhe sidomos skenat e njëpasnjëshme të kontaktit të liderit me popullin, dashuria e pakufishme, brohorimat, solidariteti, simpatia e menjëhershme, gatishmëria e sakrificës.

Dhe këtu paralelizmi me skenat dokumentare të Land of the Eagles vinte e imponohej deri në dhimbje; sepse nuk ish e vështirë, për një publik të informuar, të pikaste se skenat e Nëntorit të Dytë nuk i ndante asgjë thelbësore nga pamjet filmike të dokumentarit, ku tregohej Enver Hoxha i shkrirë me masat, ose duke u përqafuar me gjithfarë fëmijësh dhe pleqsh. Në fakt, edhe pas kaq e kaq vjetësh, Nëntori i Dytë të lë të njëjtën përshtypje – se filmi është prodhuar për të zbavitur një Enver Hoxhë senil, i cili vitet e fundit të jetës nuk gjente dot më dallime, as diferenca mes pavarësisë së një vendi dhe izolimit të tij; ose asaj që shpalli Ismail Qemali në 1912, dhe asaj që kullandrisi ai vetë, në dyzet vjetët e mbretërimit të tij.

Ende nuk e kam të qartë se me ç’kritere ishte zgjedhur ky film për t’u restauruar: Ngaqë ishte më i dëmtuari? Ngaqë mbahej si më i meritueshmi për restaurim nga të dëmtuarit? Ngaqë mbahej si nga më të mirët e atyre viteve, prej komisionit që mori vendimin? Ngaqë u mendua për potencialin e tanishëm të një filmi me temë “patriotike”, ose pikërisht në epokën e zgjimit (rizgjimit) të patriotizmit në trevat shqiptare dhe në diasporë? Dhe, më tej akoma: a u bë ky restaurim për të shpëtuar filmin si të tillë, apo për t’i dhënë një dorë varak një produkti propagandistik, që i ruan vlerat e veta edhe në klimën e sotme?

Të vjen keq kur sheh se, edhe pas 30 vjetësh që kanë kaluar që prej prodhimit të Nëntorit të Dytë, narrativa jonë e përbashkët për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912 nuk duket të ketë ndryshuar; duke mbetur ajo e Akademisë së Shkencave të Tiranës, e viteve 1970; e cila, nga ana e vet, konsiston në një lexim fund e krye manikeist dhe ksenofobik të ngjarjeve, qëllimi përfundimtar i të cilit ishte që ta paraqiste 28 nëntorin 1912 si prelud të çlirimit të vërtetë të Shqipërisë, që do të ndodhte pas Luftës II, me ardhjen e komunistëve në pushtet.

Shumë nga tropet në ekran sot nuk mund t’i lexosh veçse me ironi: që nga përfaqësuesit e feve, të vizatuar si karikatura; te njerëzit e thjeshtë, që kanë gjithnjë të drejtë; te kosovarët që janë viktima të padrejtësive të papara, por edhe të mbushur me vendosmëri heroike; te mallëngjimi i përgjithshëm përballë simboleve kombëtare. Filmi vetë është skematik tipik i realizmit socialist; dhe aq më tepër një produkt ilustrativ, i dënuar të përdoret për arsye festive, ose të paktën kremtuese; dhe që, tani kur ngjyrat i janë gjallëruar deri në fosforeshencë, nuk mund veçse të duket si një teatër madhështor kukullash, ose film vizatimor i glorifikuar.

Publiku që e mban mend kinematografinë shqiptare të viteve 1980, do të dallojë mes aktorëve të filmit fytyrat më njohura të aktorëve shqiptarë të kohës, ose një who’s who të Hollywood-it shqiptar – Sandër Prosi, Reshat Arbana, Guljelm Radoja, Demir Hyskja, Robert Ndrenika, Pandi Raidhi, Viktor Zhusti, Mario Ashiku, Bujar Lako, Anastas Kostandini Kristofori dhe plot të tjerë. Aq e vërtetë është kjo, sa një film i prodhuar për të qenë “përkujtimor” i Pavarësisë, sot do të shërbejë edhe si “përkujtimor” i Kinostudios “Shqipëria e Re” të viteve 1980; një efekt ky që nuk i përket as i detyrohet veprës së artit vetë, por përdorimit të saj si katalizator grupesh, përvojash dhe kujtimesh të vjetruara (“Filmi nuk shikohet në kontekstin historik, por vetëm si tribunë nostalgjike për aktorët dhe regjisorët e asaj kohe,” më shkruante dje një shok; me një fjalë, si të ishte ndonjë video dasme).

Për më tepër, kombinimi i dy filmave në të njëjtën mbrëmje, më tepër se koincidencë, madje më tepër edhe se akt në shërbim të nostalgjisë për të dikurshmen, risjell në qendër të vëmendjes, për ata që duan të mendojnë, trajtimin kulturor, estetik dhe kritik që po u bëjmë sot dokumenteve të periudhës totalitare, përfshi këtu edhe ato me natyrë thjesht propagandistike që kanë mbetur arkivave pasi kanë qarkulluar një herë dhe janë konsumuar si të tilla, ose si propagandë.

Në fakt, edhe Land of the Eagles, edhe Nëntori i Dytë u referohen – pa çka se me mënyra dhe rrugë të ndryshme – arkivave të komunizmit; dokumentari i Koçit duke i shfrytëzuar si lëndë të parë, ose si ready-made, për një produkt të ri, që nuk duhet parë doemos si art as si i qeverisur doemos nga normat estetike; filmi i Gjikës, i restauruar aq rrënjësisht, si ai vetë dokument arkivor – i zbuluar, i zhgroposur, i shpëtuar, i rekuperuar, i pastruar, i lustruar, i bojatisur, i plastifikuar – dhe që i rikthehet publikut, si vepër sa e re, aq edhe e vjetër; madje sa më e re, aq edhe më e vjetër.

E megjithatë, në të dy herët është fjala për materiale në thelb propagandistike, ose me mision politik të caktuar; të destinuara për t’u parë nga publiku kryesisht në funksion të indoktrinimit të tij dhe të disiplinimit mendor të përgjithshëm; dhe që tani propozohen sërish, pasi u janë nënshtruar operacioneve teknike gjithfarësh: kolazhit dhe kontrapunktit tekstual kritik, në rastin e Land of the Eagles; rigjallërimit të imazhit, në rastin e Nëntorit të Dytë; sipas një estetike – le ta quajmë kështu – që kërkon të jetë post-moderne, madje edhe kur beson se edhe ashtu mund ta ruajë pafajësinë.

Që me shpikjen e fotografisë, dhe më pas të filmit si zhvillim i natyrshëm i kësaj teknike, publiku e ka parë imazhin si garanci të së vërtetës; në kundërvënie me fjalën, e cila e sjell gënjeshtrën me vete. I perceptuar si natyrshëm i vërtetë, imazhi – qoftë fotografik, qoftë filmik – është përdorur me zell të madh nga propagandistët totalitarë të shekullit XX: që nga Lenini, Stalini & Co., e deri te Mussolini dhe Hitleri, në krahun tjetër. Për Titon thonë se, kur xhiroheshin filma me temë historike, kujdesej që deri edhe targa e makinës që dilte në ekran të ishte e njëjtë me atë të dikurshmen, “të vërtetën”; e gjithë kjo në emër të riprodhimit besnik, të realizmit, të besueshmërisë së ekranit. Jo më kot këtë lloj obsesioni me të vërtetën e detajit e kanë quajtur fotografik.

Imazhet, fotot, pamjet filmike, e në përgjithësi footage-i i ruajtur nga vitet e totalitarizmit e sjellin me vete realitetin e tyre; dhe e sjellin, për ta thënë me Eco-n, si intentio operis; ose si një bashkësi udhëzimesh, të trupëzuara në indin e veprës, e që i tregojnë publikut si ta lexojë atë, si ta interpretojë, si ta rindërtojë në mendjen e vet. Një pamje, krejtësisht reale dhe e patrukuar për kohën, e udhëheqësit karizmatik që lahet në banjën madhështore të turmës do ta nxitë gjithmonë te publiku nevojën e natyrshme, pothuajse instinktive, për t’i shkuar mbrapa një prijësi. Nga ky kënd vështrimi, konsumi i shpenguar i diskursit totalitar të arteve, të rekuperuar dhe të restauruar nga arkivat, nuk mund të mos degradojë, sikurse edhe ka degraduar, në një lloj pornografie propagandistike.

Nuk ka komente

  1. Ky eshte percaktim i gabuar. Filmat historike nuk jane depresive. Ne ate film jane paraqitur faktet historike ashtu sic ka qene, me realizem. Eshte si te shash titanikun si film se pse Leo me Kate kane luajtur kot. Sa per ngjyrat ky eshte ndryshim i teknologjise qe eshte aplikuar ne film. Filmi eshte xhiruar ne 35mm, nderkohe qe eshte skanuar dhe i jane rritur ngjyrat, kontrasti, gje qe ka sjellur humbjen e thellesise ne film si dhe uljen e rezolucionit nga miliona pixel qe eshte filmi ne HD 1920×1080. Pra ne thelb eshte krijuar nje konserve per te ruajtur nje film te vjeter. Kurse dublimi i filmit Skenderbeu isjhte nje gabim trashanik, i pafalshem per Pirro Milkanin qe duhet futur ne burg per kete.

    1. Shkruan:

      Ne ate film jane paraqitur faktet historike ashtu sic ka qene, me realizem.

      Jam kurioz të di se ku e mbështetni këtë pohim – meqë nuk besoj të keni qenë ju vetë pjesë e shpurës së Ismail Qemalit në atë kohë! Nga ana tjetër, gjithashtu dihet sa e indoktrinuar ka qenë historiografia e Tiranës, në ato vite; prandaj nuk mund të presim që ta ketë pasqyruar “me besnikëri” ngjarjen në fjalë. Aso kohe historiani ia jepte besën pushtetit, jo së vërtetës.

      Në fakt e kundërta rrezikon të qëndrojë: dhe pikërisht që ky film të merret, tash e tutje, si “historia ashtu si ka qenë”.

    2. E vetmja “e vërtetë” e vlefshme krahasimore në atë film, është ngjashmëria midis pushtetit të atëhershëm komunist dhe bacës Ismail. Sugjerimi i Xha Xhait duket se është: ti shihje Ismail dhe mendoje Enver.

      Ndodh, jo rastësisht që kërkesa nga populli për një tjetër Enver, të vijë përsëri me paradigmën e “një burri të vërtetë si ai”. Kjo është mënyra sesi shqiptarët riprodhojnë të njëjtin kallëp lideri. Është aludim? Është. Ngelet të shihet sesa qëndron.

    1. Kot qasesh këtu, o Dajë. Këtu bëhen muhabete të rriturish. Shko në ndonjë stadium lojërash me dorë, më mirë.

  2. Nuk e kam pare kete version te restauruar per te cilin flet Xha Xhai, por kam pare shume filma te vjeter te restauruar gjermane dhe italiane, sidomos bardh e zi.
    Restaurimi nuk eshte makijazh, por nje nderhyrje qe synon vetem ruajtjen e filmit. Nje film i restauruar duhet te percjelle saktesisht po ate raport dhe intensitet ngjyrash apo dritehijesh e po ata zera, timbra e tinguj si origjinali dhe jo t’i “modernizoje” ato.

    1. Ke cekur ne nje tjeter aspek te ketij diskutimi qe ndoshta do te trajtohet me vete : c’fare eshte vertete nderhyrja e ACP? Restaurim, preservim, duplikim (riprodhim) apo rindertim? Kam pershtypjen se vete grupi i angazhuar ne projektin e ACP di ta bej dallimin, sidomos arkivistja Regina Longo, edhe pse ne faqen e tyre keto koncepte duket se perdoren pa kriter dhe si te kembyeshme me njera tjetren. Te besh dallimin eshte nje nevoje etike qe ta kerkon nje nderhyrje kaq kolosale ne arkiv.

      Per nje nivel te publikut puna e ACP flet vet per veten dhe nuk ka nevoje per shume nderhyrje e sqarime; per nje nivel tjeter, qe ndoshta eshte i interesuar me shume per procesin sesa produktin, nuk do mjaftoje butaforia arkeologjike e “zbulimit” te ketyre filmave.

  3. “Nga ky kënd vështrimi, konsumi i shpenguar i diskursit totalitar të arteve, të rekuperuar dhe të restauruar nga arkivat, nuk mund të mos degradojë, sikurse edhe ka degraduar, në një lloj pornografie propagandistike.”

    Duke mos qene i pranishem ne ate salle ku u projektuan keto dy filma, nuk arrij ta kuptoj kete pohim te Xha Xhait.
    Di vetem te them se restaurimi, ruajtja dhe shperndarja e dokumetareve dhe filmave te vjeter eshte tashme nje praktike me se e zakonshme dhe absolutisht e domosdoshme ne mbare boten, ku ekzistojne dhjetera botues dhe distributues filmash te vjeter ne salla kinemash, ne DVD dhe ne internet. Sot mjafton te hapesh nje account ne IMDb dhe te blesh qindra filma te vjeter, perfshire ata propagandistike.
    Filmat, sikurse çdo forme arti, librat, shtypi etj. jane shprehje e kohes qe i prodhoi, jane kulture dhe duhen ruajtur, restauruar dhe shperndare. Ç’hyn “pornografia propagandistike” ketu?

    1. E quajta pornografi, sepse filmi rrezikon të konsumohet në kontekst instinktiv, jo artistik; ose duke u përdorur për të stimuluar atë që e kanë quajtur truri reptil. Që produkte të tilla gjenden sot me lehtësi, kjo nuk ua bën më pak pornografik konsumin.

      1. Nese eshte e vertete, kjo, besoj, duhet te vleje edhe per format e tjera te artit dhe letersise se prodhuar nen diktatura, mes te cilave, me gjithe stilemat propagandistike dhe gjurmet e kohes, ka kryevepra te padiskutueshme. Gjithsesi, nuk e kisha konsideruar ndonjehere ne kete kend veshtrimi.

        1. Do të vlejë sidomos kur, bie fjala, poema “Nënë Shqipëri” të recitohet në një pritje diplomatike; ndërkohë, le t’i gëzohemi lajmit se, pas filmit “Nëntori i Dytë”, e ka radhën të restaurohet filmi “Ballë për ballë.” Armiqtë social-imperialistë as në varr nuk do të gjejnë rehat.

  4. Nuk e kam pare filmin e restauruar. As kete dhe as Skenderbeun. Po te le menjane kuriozitetin, nevojat e restaurimit dhe, kualiteti i makiazhit te ri teknik jane dy gjera qe mund te mos merreshin se toku ne analize. Mjerimi ne te cilin qendron e zhytur kinematografia shqiptare diktoi qe per Festen e Madhe te zgjidheshin te tille filma dhe dukej sikur me kete rast edhe “arti iu pergjigj mobilizimit” per ate feste qe u be ashtu si u be. Ata qe i dhane parate menduan se filmi i Gjikes jo vetem i ben sherbim Nentorit te Trete por edhe atij te Katertit. Eshte kjo arsyeja qe nga tere shqetesimi i Xha Xhait une do te vecoja pikerisht frazen permbyllese “pornografi propagandistike”
    Sa per artin, …art gjekundi nuk eshte dukur atehere dhe ca me pak te duket tani. Dhe Skenderbeu dhe Nentori i Dyte jane kapituj te filmuar ilustrativë te Historise se Shqiperise.
    U shtyta ne kete nderhyrje edhe per nja dy saktesime, qe i di me mire se kam qene afer atij lemi: a. Filmi eshte bere me 1979, para 40 vjetesh. Hoxha ishte gjalle. b. Njerit prej aktoreve i eshte vene jo saktesisht mbiemri. Eshte fjala per Anastas Kristoforin.

    [falemnderit për korrigjimin e emrit të aktorit; të cilin sapo e futa edhe në tekst. Sa për vitin e prodhimit të filmit, disa sajte që pashë (edhe IMDB-ja), kanë 1982. 2Xh]

  5. Xha Xhai permendi pak me pare nocionin e Eco-s “intentio operis”.
    Nuk di te them me saktesi se ç’ intentio auctoris kane pasur ndermend autoret e rinj pragmatike te restaurimit, sepse kete vetem ata e dine. Gjithnje po t’i besojme Eco-s, “intentio operis” i kohes kur i prodhua filmi tashme ka perenduar dhe nuk mund te ringjallet me! Sot filmi fiton pashmangshem nje tjeter “intentio”.
    Shume vite me pare me ka rastitur te shoh ne nje salle te vogel te Berlinit nje film te vjeter historik te prodhuar gjate nazizmit: “Der alte und der junge König”.
    Filmi ishte i gjate dhe i merzitshem dhe mua me terhoqi thuajse zvarre ne ate salle nje mik i apasionuar. Tani qe i therras kujteses, publiku i pakte, sikurse edhe miku im, nuk m’u duk i perbere nga skinheads te ekzaltuar.
    Megjithate ndoshta krahasimi nuk eshte i goditur.
    Ajo qe dua te them eshte se, pavaresisht rrethanave aktuale dhe intentio-s qe mund te marre sot ky film, une vazhdoj te besoj se keta filma, si pjese e trashegimise sone kulturore, duhen restauruar dhe vene ne dispozicion te publikut. Shkaterrimi dhe humbja e tyre do te ishte e pafalshme!

    1. Restaurimi është për t’u përshëndetur, sidomos në kushtet kur shteti shqiptar nuk ka ushkur për të lidhur brekët (me gjithë numrin e milionerëve atje, që vjen duke u rritur dita-ditës). Megjithatë, nga njoftimi i Shekullit që përmendet në shënimin tjetër, duket sikur zotëruesit e këtyre filmave kanë ndërmend t’u japin vlera përdorimi të reja; në kuptimin që duan ta kthejnë restaurimin në zhvarrosje. Tipike, edhe këtë herë, që marrëdhënia e Shqipërisë së pas 1990-ës me atë të mëparshmen materializohet në trajtat e plaçkitjes: si me industrinë, si me armatimet, si me arkivat, si me artin, si me dosjet, si me shtallat e derrave, si me monumentet e kulturës, si me arkeologjinë, si me shinat e hekurudhave, si me kolltuqet me susta të shtëpive të pushimit, si me bronzin e monumenteve. Në psikiatri, mania e një të sëmuri për të kafshuar dhe ngrënë qimet e veta të trupit quhet tricophilia: kushedi duhej ta kisha përdorur këtë term në shkrim.

  6. Perveç idese se I. Qemali shkoi nga pika A ne piken B, filmi eshte larg te vertetes historike. Aty gjate gjithe kohes eshte folur per shfrytezimin e konjuktures nderkombetare, per nje perspektive afatgjate te mardhenive me Turqine etj., gje qe ishte nje akt i zgjuar per Qemalin me shoke, por qe nuk del gjekundi ne film, se ai duhej t’i bente jehone idese “…me forcat tona.”
    Gjeja me interesante “historike” ka qene se ne disa pjese shpuren e shoqeroi edhe nje gazetar i TIMES, i cili kur mëbrriti ne Vlore nisi nje artikull te titulluar (me sa kujtoj) Lindja e nje kombi. Pikerisht, ky fakt qe ndryshonte gjithçka, mungon, sepse tregon dashamirsine e pjeses me te mire te Evropes, gje qe nuk ishte ne pajtushmeri me kohen kur u be filmi, etj. etj.

    1. Doemos. Ismail Qemali e shpalli pavarësinë në bashkërendim të ngushtë me fuqitë e mëdha, jo duke predikuar shqiptarizmin në popull, si një lloj evangjelizuesi i kombit (vetëm sandalet i mungojnë, në film). Natyrisht, pavarësisë i paraprinë kryengritje dhe protesta anti-osmane, anembanë shqiptarisë në Ballkan (që edhe e përgatitën njëfarësoj); por pavarësia vetë, si akt shpalljeje, është diçka tjetër – nuk mjafton ta shpallësh, duhet edhe të ta njohin të tjerët, të huajt, të mëdhenjtë; dhe po nuk ta njohën, ajo nuk është pavarësi, por teatër kukullash (si në film). Në përgjithësi, Ismail Qemali ishte produkt i kulisave të politikës perandorake osmane, aristokrat, njeri i kancelarive dhe i diplomacisë, jo kaçak me gjysmë opinge, që zbret nga mali në qytet dhe shkon të dalë në fotografi mjekër-kërleshur te Marubi, para se të ulet në sofër me karrocierët dhe të hajë mishra të pjekura. Për fat të keq, sikurse ma konfirmoi edhe një koleg që komentoi këtu dje, njerëzit që e kanë mësuar historinë nga tekstet propagandistike, kujtojnë se filmi i qëndron besnik; dhe pastaj shkojnë edhe më tutje, dhe e quajnë “shtrembërim” të historisë çdo përpjekje për ta rrëmuar dhe kruajtur varakun propagandistik të filmit.

      1. Ndoshta ka të bëjë pasqyrimi televiziv për këtë. Sepse, hamendësoj, televizioni si teknologji e re, do ketë qënë përfytyruar si diçka magjike. Dhe kujtimet e fëmijërisë të lidhura me këtë, gjithashtu. Shpesh harrohet në këtë proces se kostumi që i kishin veshur Ismail Qemalit në atë film, ishte prerë në studiot e propagandës së regjimit. Mesa mbaj mend nga ajo kohë, transmetimi i filmit në datën 28 Nëntor, ka qënë eveniment më vete, i rëndësisë së veçantë. Filmi për Skënderbeun, gjithashtu.

    1. Lajmi i fundit eshte qe filmi i ardhshem qe do t’i nenshtrohet çpluhurimit dixhital eshte “Balle per balle”, me skenar sipas ‘Dimrit te Madh’ te Kadarese. Do te kishte qene interesante, Xha Xha, qe ne Director’s Guild, te kishit pare njeheresh “Balle per Balle” dhe ‘Vendi i shqiponjave’. Por ndoshta heren tjeter.

  7. Shumica e filmave te Kinostudios meritojne te shpetohen vetem per qellime studimore. Nga te paktit filma qe meriton te çpluroset nga arkivat dhe t’i sillet publikut i restauruar, mendoj se eshte filmi “Debatiku” i Hysen Hakanit. Pertej Ideologjise qe duhet thene se nuk e lodh si realizim, seç ka dicka magjike dhe te pafajshme ai film.

  8. Qofsha i gabuar, por seç kam pershtypjen se askush prej komentuesve te mesiperm nuk i ka lexuar kujtimet e Ismail Qemalit.

    1. Atehere duhet ta kesh vene re se skenari i filmit eshte mbeshtetur pjeserisht ne kujtimet e vete I. Qemalit e pjeserisht te bashkepunetoreve te tij, perfshire njefare fryme patetike dhe egocentriste te vete protagonistit te atyre ngjarjeve 🙂

      1. Nuk e mbaja mend kaq mirë… por tani që e shfletova prapë, pashë se pjesa e udhëtimit nga Durrësi në Vlorë dhe vetë shpallja e Pavarësisë (ose arsyeja pse e kujtojmë ne autorin sot) pothuajse nuk është rrëfyer, kushedi pse. Ose më mirë, e ka plotësuar gazetari vetë, duke sjellë aty një shkrim të Ismail Qemalit botuar gjetiu.

        Por kam parë edhe një dramë në Tiranë, tani që isha në nëntor, të mbështetur sërish në kujtimet e tij. Drama m’u duk korrekte dhe pa patetizëm, por e mërzitshme për vdekje. I mungonte konflikti, sikurse edhe i mungonte konflikti filmit. Në asnjë çast nuk e shohim Ismail Qemalin në rrezik – kushedi ngaqë vërtet ashtu, nuk ka qenë në rrezik.

        Me arsyetim, besoj se osmanët, që kishin edhe ushtri relativisht të mëdha në Shqipëri, po të donin vërtet, e kishin penguar Pavarësinë, por në atë moment kishin halle të tjera më të mëdha. Po a mjafton kaq për të thënë se pavarësinë Ismail Qemali e shpalli prej vendeve fqinje, jo prej Perandorisë Osmane?

      2. Po karrocierin, a e përfshin gjëkundi Ismail beu në kujtime? E ke parasysh, që nuk e dorëzon vendin e punës pas asaj shtrëngatës aty në pyje – i kërkon dhe falje udhëheqjes që nuk mundi ta realizonte misionin që kishte marrë përsipër. Por qëndron stoik në postin e vet. Madje mban dhe një fjalim të denjë për klasat punëtore, ku thotë është mësuar me vështirësi.

        Pastaj kemi “shën Korrierin” në fillim të filmit, që e shpërndan telegramin si vetëtimë. Më tej, malësorët gati të “kryqëzuar”, që edhe në momentin e fundit, nuk e mohojnë besimin e tyre në shqiptari.

        Akoma më, në film gjendet dhe një skenë konvertimi, kur pasi i zënë rrugën Ismail beut një garnizon, Patriarku i shqiptarisë, u bën thirrje të kthehen në rrugën e drejtë të perëndisë, të deklarohen shqiptarë.

        Pastaj është edhe trashëgimtari i gjithë përpjekjeve dhe mundimeve të pavarësisë. Një fëmijë i vogël, që do e trashëgonte gjithë këtë. Kush mund të ishte ky?

        1. Julius, ti ose ke pare versionin e restauruar ose duhet te kesh nje kujtese te jashtezakonshme. Une te gjitha keto hollesi qe thua ti nuk i mbaj mend. Madje tani po dyshoj seriozisht nese e kam pare ndonjehere integralisht ate film apo jo. A thua t’ia kem futur kot deri tani? 🙂 🙂

          1. Janë të gjitha lehtësisht të vërtetueshme. Është si puna e gorillës në fakt.

            Këtu një version online i filmit. Jutub, të jep mundësi nëpërmjet vendosjes së mausit tek kursori gri, të duket skena në të cilën ndodhesh, në miniaturë. Unë thjesht i hodha një sy të shpejtë, se kam vite pa e parë.

            korrieri, min 3.30 deri në 5.30 vazhdon.

            malësori, gati i kryqëzuar (çfarë gjetjeje!) min 28.30.

            karrocieri min 52.30.

            “konvertimi” 1.05.20.

            1. Julius, e pashe dhe me kete rast u hodha nje sy edhe disa filmave te tjere qe nuk i kisha pare ndonjehere (mengjese te reja, flutura ne kabinen time etj.).

              Mire e kishte nje nga komentuesit me lart. Ata filma vetem artistike nuk jane!

              I pa edhe im bir qe nuk i kishte pare kurre: fillimisht me kureshje, pastaj me habi, e se fundi me te gajasura shpotitese, sepse pandehu se me kishte pushtuar nostalgjia. Ec e duroje tani 🙁

  9. Po i hedh nje sy ndryshe…

    Filmi,per ate kohe qe eshte produktuar e kreu misionin e vet, pasi kaloi filtrat e kohes. ‘Realizmi’ i tij ishte sipas ‘realizmit’ te kohes se produksionit dhe jo te kohes se zhvillimit te ngjarjeve. Ne fund te fundit nje film artistik eshte, dhe jo nje film i ilustruar me skena e dialoge historike. Per kohen e prodhimit si skenar, si rregji e si loje artistike ka vlerat e veta e dobesite e veta me ‘sy e mendje’ te asaj kohe e jo te sotmes…

    ‘Pornografia’ e filmit te restauruar me lifting modern eshte perdorimi i tij sot per te ndezur shkarpat e patriotizmit e nacionalizmit sipas deshirave politike te klasave ‘elite’ qe drejtojne atmemedhene tone. Ky lloj perdorimi eshte pornografik.

    Restaurimi i filmave e cdo gjeje eshte e mire per t’a ‘mirembajtur’ historine me ato ‘dokumenta’ qe na kane lene trashegim. Vecse, dua te theksoj, ritrasmetimi i tyre ka nevoje per nje epilog ekspres nga specialista paqra shfaqjes, ku te trasmetohen edhe mangesite per te cilat pretendohet, dhe ne fund te fundit, shikuesi ta vleresoje me ‘filtrin’ e vet.

    Gjithe ato vite nen ate sistem, gjithe ato filma artistike, gjithe ato dokumentare, gjithe ato te dhena ‘qe deshironte te na leshonte pushteti per konsum’ le t’i tresim ‘me stomakun’ e kesaj kohe…

    Ka plot krijime qe shume interesaxhinj manipulues mund t’i perdorin si ‘prostituta’ per t’i kenaqur pjese te miletit me ‘masturbim’ historik. S’ke c’i ben ! Edhe sikur te vendosen X-a te kuq e te cilesohet mosha e arsimi ne nje cep te akranit qe duhet t’i ndjekin, nuk shpetojme gje. Macet behen hiena kur i le ‘pa ushqim’…

  10. Shiko, mund edhe te jete jashte aspektit formal te temes, por titulli i ketij shkrimi mund te gjeje nje ilustrim shume te mire ne zhvillimet politike te dites. Meqe si ndermjetes te kalimit nga realizmi ne porn eshte Restaurimi.

  11. XhaXhai:

    Duke filluar, pikërisht, nga e drejta jonë – e institucioneve, e restauruesve, e nismëtarëve të këtij makijazhi me përmasa epike – për t’i prekur këto produkte të një epoke të caktuar, të një kinemaje dhe një estetike të caktuar, të prodhuara me synime politike të caktuara; produkte që denatyrohen sapo nxirren nga konteksti i tyre i natyrshëm.

    Por nga momenti që filmi artistik është në fakt edhe një vepër arti, atëhere normalisht, nuk do i nënshtrohet procesit të restaurimit si gjithë veprat e artit që kanë nevojë për një veprim të tillë (me kalimin e kohës)? Nuk kemi të drejtë të restaurojmë ikona, piktura, qilima, skulptura, dhe akoma më tej; shtëpi, tempuj, Akropolis-in vetë?

    Manualin e filmit propagandistik, Triumph des Willens (1935) të Leni Riefenstahl, kemi të drejtë ta restaurojmë?

    Nuk di si punohet për këto restaurime të filmave por puna e bërë më duket kolosale (filmi në fjalë ka një metrazh 2391,8m) dhe qëllim të vetëm gjej rikthimin te publiku e një vepre në formën se saj fillestare, dmth, siç është shfaqur në kinematë në nëntor të 82shit. Dhe shpresoj kjo të bëhet me të gjitha filmat e Kinostudios.

    Filmi është propagandistik, këtu nuk ka dyshim. Madje, jo vetëm pena e Shuteriqit që ka shkruar skenarin (me bashkautor Kiço Blushin) garantonte se do ishte besnik i versionit të Akademisë, por ka patur edhe konsulent Gazmend Shpuzën, bashkëpunëtor të vjetër shkencor të Institutit të Historisë, për të ruajtur vijën zyrtare. Por kjo nuk e bën një film të keq. Për mua Sandër Prosi, i cili është dekoruar dhe me çmimin e Republikës të Klasit të Parë, dhe me medaljon në Festivalin V të filmit Artistik Shqiptar, ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer. Pra, edhe në kontekst, edhe jashtë kontekstit, mendoj se filmi është një nga arritjet më të mëdha të Kinostudios.

    Nuk duhet të harrojmë se përveç propagandës, filmi shqiptar shumë herë ka pasur edhe një rol, do thoshja edukativ. Propagandë në versionin e vetë të historisë, në popullarizimin e arritjeve të diktaturës, por edhe shpërndarjen tek masat e ideve, moralit. Nuk besoj se është e rastit që gjenerata të tëra kanë nostalgji (unë vetë kam) për filmat aq të dashura me fëmijë të Kinostudios. Të rilexojmë edhe njëherë Pishakun tek http://xhaxhai.wordpress.com/2009/12/27/tomka-dhe-shoket-e-tij dhe http://xhaxhai.wordpress.com/2010/01/01/tomka-dhe-shoket-e-tij-ii/. Nuk është e rastit se këto filma, me mesazhin e tyre, janë ato që kanë patur edhe një pëlqim jashtë trojeve shqiptare (dhe nuk e kam fjalën për diasporën). Lulkuqet mbi murre (1976) është dekoruar me çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të filmave në Beograd, shkurt 1980 dhe me medaljen e artë të Festivalit Ndërkombëtar të Salernos (Giffoni Valle Piana), 1985. Tomka dhe shokët e tij (1977) dhe Beni ecën vetë (1976) po ashtu janë vlerësuar me çmim të veçantë në festivalin VIII ndërkombëtar për fëmijë e të rinj në http://www.giffonifilmfestival.it/en/contest-forever-young.html

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin