VENDI PA NUMRA

rreth viciozPolemikat që shoqëruan të dhënat e fundit të Censusit shqiptar dëshmuan në radhë të parë mungesën e besimit tek organizmat e ngarkuara me këtë detyrë e në përgjithësi tek institucionet e vendit. Dyshimet për të dhënat e pasakta tani vinë edhe nga vëzhgues të huaj, të cilët vënë gishtin mbi një nga plagët e shoqërisë sonë, që në pamje të parë duket e parëndësishme.

Diskutimet që ngjallën të dhënat statistikore për fenë, duke filluar nga shkrimi  “Numërim me gishta” i Xha Xhait, treguan gjithashtu se publiku është shumë i ndjeshëm për të dhëna të tilla, të cilat ishin bërë objekt fillimisht i politikës kombëtare. Po si e shohin të huajt këtë dukuri? Studiuesja Cecilie Endresen, eksperte e Ballkanit dhe e historisë fetare, autore midis të tjerash e studimit Is the Albanian’s religion really «Albanianism»?, bashkohet në thelb me dyshimin se të dhënat për fenë e Censusit shqiptar janë të gabuara.

Në një intervistë për Osservatorio sui Balcani, studiuesja norvegjeze rreket t’i interpretojë të dhënat e Censusit shqiptar për fenë në krahasim me ato të paraluftës. Sipas saj, përqindjet e feve në Shqipëri kanë ndryshuar për shkak të lëvizjeve demografike (emigracion, lindshmëri e lartë në disa zona). Duhet shënuar se Endresen nuk habitet për uljen e numrit të ortodoksëve, por për sasinë e kësaj uljeje, të cilën e konsideron tepër e lartë.

Përkundrazi, habia bëhet fare e qartë kur flitet për numrin e ateistëve. Sipas studiueses në fjalë, shqiptarët që e deklarojnë veten ateistë, pra që nuk besojnë në Zot, janë më të pakët në numër se ata që jetojnë në vendet e tjera europiane (sipas Censusit 2,5%). Edhe pse normalisht në këtë kategori pritej një shifër më e lartë, për shkak të politikës së regjimit komunist shqiptar, përgënjeshtrohet gjithsesi ideja se shqiptarët janë indiferentë ndaj besimeve fetare. Në intervistë jepen gjithashtu mendime për fenë dhe politikën shqiptare, e mbi të gjitha theksohet se ekziston një farë paranoje kombëtare për faktin se feja mund të bëhet faktor ndarës, ndërkohë që pjesa më e madhe e shqiptarëve duket se janë të mësuar me diferencat fetare.

Pavarësisht nga opinionet e Cecilie Endresen-it, që në vetvete do të kërkonin diskutime të mëtejshme, bie në sy se të gjitha të dhënat e Censusit ballafaqohen rregullisht me të dhënat e sondazhit Ipsos të 2011, në kuadrin e projektit Strategies of symbolic nation-building in West Balkan states. Studiuesja e citon sondazhin pothuajse në çdo pikë. Në fakt, ky sondazh bie ndesh me Censusin shqiptar në disa pika. P.sh. vërtet numri i ortodoksëve rezulton në ulje (më pak se 20%), por jo siç del nga Censusi i fundit (6,75%). Po kështu lidhur me bektashinjtë, numri i të cilëve shfaqet më i lartë tek sondazhi Ipsos, por sipas gjasës tek censusi janë përfshirë tek numri i përgjithshëm i myslimanëve.

Krahasimi i rezultateve të censusit me ato të sondazhit nuk ka baza shkencore. Si censusi ashtu edhe sondazhi janë dy metoda për marrjen e informacioneve të ndryshme që kanë të bëjnë me shoqërinë, por janë në thelb të ndryshme. I pari është regjistrim i popullsisë, i dyti zhvillohet me teknika të ndryshme mbi një kampion të popullsisë. Nuk është e thënë që rezultatet të përkojnë. Madje ndodh që hartuesit e sondazheve të presin me kuriozitet të dhënat e regjistrimeve të ndryshme për të parë nëse sondazhet i janë afruar të vërtetës.  Megjithatë, në rastin tonë krahasime të tilla pranohen, për arsyen thelbësore sepse Shqipëria vuan sistematikisht nga mungesa e të dhënave.

Që studimet e statistikat objektive nuk janë të shumta në Shqipëri këtë e dinë të gjithë. Studiuesit e dukurive sociale janë të etur për statistika lidhur me realitetin shqiptar. Ajo që nuk pranohet ndonjëherë është se studimet vuajnë edhe nga besueshmëria, pavarësisht nga rezultatet e arritura. Me fjalë të tjera, rezultatet mund të jenë objektive, por nuk gëzojnë besimin e publikut. Në fakt, e thotë edhe sondazhi i lartpërmendur: vetëm 44% e shqiptarëve mendojnë se rezultatet e censusit të fundit janë të sakta.

Kujt t’i besojmë? Sondazhit për censusin, apo duhet të presim ndonjë sondazh për sondazhin? Kur statistikat përpunohen nga të huajt janë më të besueshme? Ato shqiptaret duhen hedhur në kosh të plehrave? Po studimet që bëhen në bashkëpunim janë objektive? Jemi tashmë në një rreth vicioz.

Nuk ka komente

  1. Si censusi, ashtu edhe sondazhi, mbështeten mbi informacionin që merret nga struktura formulare – që zakonisht shfaqen në formën e pyetjeve.

    Kjo do të thotë se janë pyetjet ato që përcaktojnë edhe llojin e informacionit që do të mblidhet.

    Meqë pyetja është, tek e fundit, akt gjuhësor, atëherë kemi të drejtë të pyesim se kush po pyet. Si për censusin, ashtu edhe për sondazhin, subjektet e intervistuara besojnë se pyetjet i bën shteti.

    Kjo do të thotë se cilësia dhe vërtetësia e përgjigjeve varet, në masë të madhe, nga perceptimi që i bën subjekti shtetit dhe marrëdhënies që vendos me të.

    Shqiptari shtetin e sheh shumë pak si instrument dhe zakonisht si burim të autoritetit. Unë këtu do të spekuloja se, si për censusin ashtu edhe për sondazhin, subjekti i përgjigjet shtetit jo duke i thënë të vërtetën, por duke i dhënë atë përgjigje që mendon se u përshtatet më mirë rrethanave.

    Informacioni që jepet, në një kontekst të tillë, nuk mund të merret aq si fotografi e së vërtetës, sesa si pasqyrë e përfytyrimit dëshiror që ka subjekti për veten dhe mënyrës si kërkon që t’i paraqitet shtetit.

    Tani, specialistët që formulojnë pyetjet, mes të cilëve unë besoj se ka edhe antropologë me përvojë, duhet ta kishin pikasur menjëherë këtë pengesë dhe të kenë integruar, në pyetësorët, kundërmasat përkatëse.

    Nëse nuk ka ndodhur kjo, dhe unë kam frikë se nuk ka ndodhur, shkaku do të ketë qenë varësia e tepruar nga modelet e huaja, të cilat janë marrë si bazë për hartimin e pyetësorëve.

    Edhe pyetja më e drejtpërdrejtë dhe më e pafajshme, e llojit “sa fëmijë ke?”, rrezikon të japë informacion të pasaktë, sa kohë që nuk specifikohet nëse duhen numëruar edhe fëmijët që dikush ka me një bashkëshort(e) tjetër, fëmijët që i kanë vdekur, fëmijët që i kanë ikur nga shtëpia, fëmijët e adoptuar, fëmijët që ka sjellë me vete bashkëshorti(ja) nga një martesë e mëparshme, etj. Shembulli është banal, por mjafton për të ilustruar.

    Natyrisht, kur vjen fjala për pyetje që lidhen me lexime ose interpretime që ia bën vetes dhe familjes së vet subjekti, atëherë gjithnjë duhet të (nën)pyesim, nëse përgjigjja që po marrim ka të bëjë me realitetin ashtu siç është, me realitetin ashtu siç e dëshiron subjekti të jetë, me realitetin ashtu siç dëshiron subjekti që t’ia “shesë” shtetit, dhe me realitetin ashtu siç dëshiron subjekti që të kujtojë shteti se dëshiron subjekti.

    Nuk do të habitesha, po të më thonin se shumë subjekte të intervistuara për censusin do të jenë përgjigjur në mënyrë të tillë, që t’u ketë dhënë shpresë se mund të nxirrnin ndonjë përfitim çfarëdo nga përgjigjet që kanë dhënë. Ky është një faktor tjetër që do marrë parasysh: çfarë përfitimi kanë shpresuar të nxjerrin, nga shteti, subjektet e intervistuara të censusit?

    Dhe më tej: Nëse supozojmë një bashkëlidhje mes këtij përfitimi (sado deluzional) dhe konformimit me një model të qytetarit që subjekti e konsideron si të dëshirueshëm, atëherë a nuk do të ishte me interes të kërkonim të përshkruanim këtë model të qytetarit?

    Paradoksalisht, edhe pa implikuar ndonjë “foul play” nga ana e agjentëve dhe agjencive të censusit, arsyetimi i mësipërm na shpie në përfundimin se rezultatet e një censusi ku subjektet kërkojnë me çdo kusht t’i konformohen një modeli të cilin e konsiderojnë si të pëlqyeshëm nga agjenti pyetës (autoriteti shtetëror), do të reflektojnë jo aq realitetin, sesa dëshirën e autoritetit.

    Ky përfundim duket se përligjet, së paku në parim, nga të dhënat e papritura, dhe pas gjase absolutisht të gabuara, për madhësinë relative dhe absolute të komunitetit të krishterë ortodoks në Shqipëri.

    1. Desha të ritheksoj idenë e dallimit midis censusit e sondazhit. Nëse i pari është regjistrim periodik dhe i plotë i popullsisë, i dyti mund të bëhet edhe për aspekte të veçanta e gjithsesi nëpërmjet kampionimit. Në të dyja rastet kemi implikime në marrëdhëniet midis intervistuesit dhe të intervistuarit, për sa kohë ka një farë ndërveprimi ndërsubjektor. Tek e fundit, statisticienët seriozë nuk e kanë mohuar kurrë ndikimin e intervistuesit, ose të kundërtën.

      Do të shtoja se censusi, duke pasur parasysh karakterin e tij zyrtar, shfaqet “më i lidhur” me shtetin në sytë e qytetarit. Sondazhet mund t’i bëjë kushdo: një radio, një Tv, një Universiteti, një qendër studimi, madje edhe PTF-ja… Në rastin e censusit, që rrjedh gjithsesi nga një akt ligjor, qytetari (në rastin tonë ai shqiptar) do t’i ndezë të gjithë mekanizmat që rregullojnë raportit e tij me shtetin. Kjo do të thotë se individi fut në punë edhe paragjykimet e tij ndaj autoritetit shtetëror.

      Në Shqipëri, mendoj, nuk ekziston as kultura e censusit, as ajo e sondazhit. Në rastin e parë ka gjasa që të interferojnë mekanizma të llojit përfitues (ta zëmë: çfarë më hyn në xhep nga përgjigjja? Në qoftë se them që jam grek përfitoj diçka konkrete?); në rastin e dytë mund të hyjë në lojë hija e dyshimit ose dëshira për zbavitje (kushedi pse iu duhet, nuk po i them të vërtetën; po ia fus kot përgjigjen, sa për gallatë). Në të dyja rastet mund të verifikohen rezultate të komprometuara.

      Si censusi ashtu edhe sondazhet janë parë fillimisht nga politika e më pas nga publiku në mënyrë krejt instrumentale. Politika nuk i ka përdorur për të mirën e publikut, duke rritur njohjet e saj për shoqërinë e si rrjedhojë për programimin e veprimit të saj, publiku nuk ua ka parë asnjëherë hajrin, madje i ka perceptuar ndonjëherë pyetësorët si ndërhyrje në sferën private. Në këtë kuadër me siguri ka ndikuar edhe kujtesa e traditës invazive totalitare në jetën e individit.

      Kam përshtypjen se sondazhet (tani nuk po bëj dallime) shihen shtrembër nga të gjitha palët, natyrisht nga pikëvështrime të ndryshme. Prestigji u ka humbur jo vetëm organizmave që bëjnë sondazhe, por edhe vetë këtyre të fundit, rezultatet e të cilave instrumentalizohen sapo bëhen publike, madje fillojnë të manipulohen që pa u përgatitur. Megjithatë, mund të supozohet se sondazhet e përgatitura nga organizmat e huaja të kenë ende ndonjë thërrime prestigji, ndonëse tashmë në çorbën e politikës shqiptare ka humbur çdo lloj shije e ngjyre.

      Kush i përpilon pyetësorët, ashtu edhe intervistuesit duhet ta njohin fillimisht target-in e sondazhit e mbi të gjitha ndërlikimet kulturore, duke marrë të gjitha masat që përgjigjet të jenë sa më pak të ndikuara që të jetë e mundur. Por kjo e lehtë nuk është.

  2. Studimi norvegjez eshte me shume vlere besoj per tu krahasuar me censusin, aq me teper qe eshte bere pak a shume ne te njejten kohe pra para publikimit te censusit dhe kontaminimit te mundshem te pergjigjeve nga kontroversi publik mbi fene. Nuk po shoh qe studimi te kete kalkulime konfidence intervali ose une nuk i gjeta tek faqja. Poashtu tabelat me nengrupe (te punesuarit, te papunesuarit etj) kane vlere statistikore vetem nese jane nengrupe te medha perndryshe marzhi i gabimit eshte shume i madh dhe nuk mund tju referohesh.

    Cfare me ben pershtypje eshte qe edhe tek ky studim nuk jepen te dhenat ne format te lexueshem automatikisht si CSV. Pra te dhenat nuk jane te hapura; Se fundmi ka shume rendesi ti ofrosh te dhenat ne formate standart qe studiues te tjere te perpunojne e te nxjerrin korrelacione te tjera ne menyre te pavarur. Ne rastin e censusit nxjerrja e te dhenave ne forme te anonimizuar do ti mbyllte me shume gjasa te gjitha kontroversat dhe pikepyetjet mbi fene.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: