Muzika e mirë gjithnjë të fton ta shijosh së bashku me të tjerë – njëlloj si filmi ose çdo art tjetër skenik. Ndërkohë, mass mediat bëjnë të pamundurën për të na detyruar të dëgjojmë, veç e veç ose bashkë, muzikë të keqe.
Një koleg më nxiti para pak ditësh të flasim më shumë për muzikën e mirë, sidomos jazz-in. Ideja më është sjellë e risjellë në mendje, duke më bërë të përfytyroj se çfarë do të kisha dashur unë të më sugjeronin, nga muzika që kam zbuluar vetë.
Po e filloj me trumbetën – instrument i lavdishëm.
Shumë prej nesh kanë dëgjuar Miles Davis, të paktën albumin e tij Kind of blue (ata që nuk e kanë dëgjuar, duhet ta fillojnë aty).
Sërish shumë prej nesh do të kenë ëndërruar për të pasur një Miles Davis “tonin.”
Ose të paktën, një Miles Davis mesdhetar.
Prandaj dua ta nis me trumbetistin Ibrahim Maalouf, muzikant libanez, kompozitor dhe instrumentist klasik dhe jazz-i, që sot jeton në Paris.
Kam pasur fatin ta dëgjoj live vjet në NYC.
Muajin që shkoi, Maalouf nxori një album të ri, Wind, të kompozuar si kolonë zanore të një filmi pa zë (La proie du vent, René Clair; një ide për llojin e muzikës te Wind këtu dhe këtu; ndërsa Beyrouth nga albumi Diagnostic këtu).
Muzika në këtë album, edhe pse e themeluar në estetikën e Miles Davis, vjen me humus mesdhetar të jashtëzakonshëm.
Maalouf luan një trumbetë të njohur si quartertone trumpet, me katër valvula; e cila është njëkohësisht burimi dhe destinacioni i melodive dhe shëtitjeve të tij.
Atyre që i ngacmon ideja e një Miles Davis-i të anëve tona, u sugjeroj edhe trumbetistin italian Paolo Fresu, dhe veçanërisht albumin Chiaroscuro, që ky ka regjistruar së bashku me kitaristin amerikan Ralf Towner.
Ralf Towner është mysafir në ujërat e Mesdheut. I shquar si kitarist i grupit Oregon, ka nxjerrë një numër të madh albumesh si solist, ku luan kryesisht kitarën akustike me 12 tela. Ndryshe nga shumë kitaristë të tjerë amerikanë dhe jazz-i në përgjithësi, Towner nuk ka ndikime të blues-it në muzikën e vet.
Gjithsesi dyshja Fresu-Towner përfton një muzikë magjike, që evokon ujërat e thella të plazheve të shkreta të Mesdheut. Në album, Fresu luan në trumbetë dhe në flugelhorn (dëgjojeni një pjesë këtu). Kushedi pse, Amazon nuk e ka më opsionin për ta shkarkuar Chiaroscuro si mp3.
Më në fund, në këtë mini-katalog nuk mund të mungonte një Miles Davis nga Ballkani – trumbetisti veteran serb Dushko Gojkoviç, i mirënjohur në skenën europiane, që me muzikën e tij ia ka dalë shpesh të kombinojë, për dekada, ndjeshmëritë e jazz-it modal amerikan me timbrin ballkanik.
Nga Amazon mund të shkarkohet një album i dyfishtë i Gojkoviçit, Balkan Blue; sikurse edhe albume të tjera, më të reja, e kushedi edhe stilistikisht më kompakte. Pjesa e parë e Balkan Blue ekzekutohet nga një kuintet, ndërsa tek e dyta Gojkoviç shoqërohet nga orkestra filarmonike NDR (Norddeutscher Rundfunk). Një ide për llojin e jazz-it në pjesën e dytë të albumit mund të merret këtu.
Ketij katalogu mjaft te mire do t’i shtoja edhe Peter Berstein. Me duket sikur eshte ure lidhese e dy epokave. Per mua i ka sjelle nje auditor te ri jazz-it pak sa te tradhetuar ne ditet tona. Ka diçka jo te keqe prej tij ketu: http://www.youtube.com/watch?v=BMoxOqtjOlY&list=PLB3E6596F95B7A2FD
Sapo degjova Wind nga Ibrahim Maalouf – faleminderit. Nuk duhet humbur.
Meqe jemi te trumbeta (apo trumpeta?) ka shume jazz-trumbetiste te famshem por ndoshta me popullori eshte Louis Armstrong edhe pse shume nga kenget e tij jane pop apo gjini te tjera. Per mua eshte i lidhur me kujtimet e femijerise sepse ka qene i preferuari i babait tim dhe i dija emrin pa kuptuar akoma asgje nga c’degjoja.
Une do rekomandoja megjithate dy kenge te kenduara prej tij qe nuk jane jazz, ndoshta sepse perkojne me atmosferen e pas pak diteve 🙂
http://www.youtube.com/watch?v=A3yCcXgbKrE
Disa mendime apo informacione të shpejta po i jap dhe unë, kryesisht për muzikën e jazz-it në Itali …..
Jazz-i italian në të kaluarën u pat konsideruar një lloj “hirushe” në kontekstin ndërkombëtar, dhe më vonë dalëngadalë evoluoi, si në aspektin teknik dhe atë krijues dhe sot panorama italiane paraqet një tërësi komplekse tendencash dhe stilesh, duke filluar që nga “Hot jazz” në fillim të viteve 900’, dhe deri në eksperimentimet më të fundit, duke kaluar që nga “swing”-u, “Free”, etj e deri “Rock” , “Etnica”…. Né këtë panoramë gjejmë dhe praninë e “të afërmeve ” të jazz-it si “Gospel”, “Spirituals” e “Blues”, që e bëjnë akoma më të pasur stilin italian, deri në nivelet më të larta cilësore …
Do të rrjeshtoja Stefano Bollanin të parin: pianist dhe kompozitor, i cili mbas një eksperience pop me I. Grandi, Giovanotti, fillon të bashkëpunojë në rrugën e gjatë të jazz-it me emra si Gato Barbieri, Lee Konitz, Pat Metheny, Chick Corea, Michel Portal, Enrico Rava, Paolo Fresu, Richard Galliano, Han Bennink e Phil Woods. Por dallohet mbi të gjithë bashkëpunimi i tij me trombistin Enrico Rava. Më 1998 Bollani fiton çmimin e revistës “Musica jazz” si talenti më i shquar midis të rinjve. Në 2004 revista japonese “Swing journal” i jep çmimin “New Star Award”; në 2003 revista anglese “Mojos” konsideron “Småt Småt” e tij si diskun më të mirë të vitit . Bollani ka një prodhim të vazhdueshëm albumesh me stilin e tij të njohur mjaft eklektik, ku i vlen shumë formimi i tij klasik (i laureuar në konservator per pianoforte) deri sa arrin të egzekutojë dhe prodhojë né CD per Decca Records, Rhapsody in Blue – të G. Gershwin e Koncert në Sol maggior të Ravelit me dirigjentin e njohur Riccardo Chailly.
Enrico Rava: bëhet fjalë për një nga eksponentët më të mëdhej të jazz-it italian, i njohur dhe në arenën ndërkombëtare, me një aktivitet të gjatë dhe në Amerikë. Bie në sy preferenca e tij ndaj figurave si Miles Davis e Chet Baker. Rava egzekuton dhe në flikorno dhe dallohet për një stil të vetin, me një tingull të ngrohtë, të thjeshtë por ekspresiv, e shpesh i pëlqen të shëtisë akrobatikisht në regjistra të lartë. Të ipnotizon kur luan në tempe të ngadalshme, duke preferuar zhvillime armonike të qarta dhe të thjeshta të jazz-it klasik.
Paolo Fresu (lindur né 1961) është kompozitor, trombist dhe flikornist, me famë ndërkombëtare, themelues i festivalit “Tame jazz”, që zhvillohet çdo vit në Berchidda të Sardenjës. Mbasi diplomohet për trompë në konservator, fillon menjëherë një karierë të jashtëzakonshme, duke regjistruar mbi 300 CD dhe ekspertët e sot e konsiderojnë vazhdues të Miles Davis e Chet Baker.
Themelon “Paolo Fresu Quintet”, më 1984 dhe vazhdon të rezistojë akoma sot, me të njëjtën komponentë përbërës. Lind më vonë një grup tjetër historik i Paolo Fresu, i quajtur “Angel Quartet”, dhe mbas shkrirjes së tij, grupi me emrin “Devil Quartet”. Ky formacion i ri paraqet sot një nga risitë e jazz-it italian me turne të shumta në Itali dhe Francë. Puna e tyre e fundit quhet “Desertico”.
Gianni Basso (1931-2009) ka qënë saksofonist, dirigjent dhe kompozitor. I takon brezit të mbas lufte, i mbështetur në të ashtuquajturin “cool jazz” (Baker dhe Mulligan), duke krijuar kështu “Basso-Valdambrini Quintet”: (që zmadhohet deri në oktet, sipas muzikës) dhe fillon turnetë në Itali dhe jashtë saj, duke bashkëpunuar me të tjerë italianë si Dino Piana e Mario Pezzotta (trombon), Glauco Masetti e Attilio Donadio (sax), Gianni Cazzola (batteria) e Renato Sellani (pianoforte).
Ky është dhe dhjetëvjeçari më me fat i G. Basso-s, që e çon të njihet dhe në Amerikë, duke bashkëpunuar me emra të tillë si Gerry Mulligan dhe Chet Baker. Në vitet 60 fillon të luajë sëbashku me të mëdhejtë e jazz-it si Lee Konitz, Phil Woods, Art Farmer, Johnny Griffin, Zoot Sims, Buddy Colette si dhe jetë i kërkuar në çfaqje të nivelit botëror, duke bërë pjesë në formacione të tilla si “Kenny Clarke/Francis Boland Big Band”, “Maynard Ferguson Big Band” dhe “Thad Jones Big Band”.
Muzika e tij mbetet e hapur ndaj stileve të ndryshme të jazz-it botëror.
Stefano Di Battista (lindur në 1961) saksofonist, mbasi diplomohet në moshë të re, fillon të luajë në Francë me grupe të ndryshme, deri sa arrin të luajë me gjigantë si Aldo Romano Jimmy Cobb, Michel Petrucciani, Nat Adderley. Më 1997 publikon albumin e tij të parë “Volare” e më tej ”A prima vista”. Në 2000 regjistron CD me emrin e vet, duke fituar çmimin e rëndësishëm frances “Telerama” dhe në vënd të parë, si CD më i shitur në Europë. Aktualisht është lideri i “Stefano Di Battista Jazz Quartet”. Shpesh e ftojnë për solot e tij këngëtarë të kalibrit si Celentano, Giovanotti, Zero, Baglioni etj. …..
Koha ka bërë punën e vet dhe unë mendoj se sot Italia e jazz-it është e pasur kreativisht, shumëngjyrshe dhe rezistente ndaj modave të ndryshme. Mund të themi se teknika është rafinuar dhe egzistojnë një numur i madh muzikantësh. Ka interpretues e kompozitorë si Franco D’Andrea, që me kalimin e kohës i ka shumëfishuar forcat duke prodhura vepra të një bukurie të veçantë. Interesante është Rita Marcotulli, fituese e “Top Jazz”, e organizuar nga revista “Musica Jazz” (muzikantja më e mirë). Një emër i njohur po bëhet Robero Gatto, Danilo Rea, si dhe mjaft zëra femërorë si Maria Pia De Vito, Tiziana Ghiglioni dhe Barbara Casini.
Lista do të ishte shumë gjatë po të përmëndja të rinj të apasionuar që hyjnë me guxim në këtë “rrymë luksi”, që provojnë të mos “majmunizojnë” të mëdhejtë e së kaluarës, por që u duhet të bëjnë një gavetë të gjatë për t’ju afruar dritave të skenës. Në këtë grup do të fusnja dhe dy emra shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Itali, si Markeljan Kapidani, që si pianist serioz, provon të “ballkanizojë” muzikalisht skemat harmonike dhe aspektin improvizativ, akoma pa gjetur vetveten, por duke na siguruar për një formim të plotë dhe njohje mjaft të gjërë të zhanrit të jazz-it. Tjetri, Robert Bisha, një djalosh i ri, i formuar pjesërisht né Itali, sillet i pasigurt midis stilit improvizativ të veprave pianistike impresioniste dhe stilit të jazz-it, ku dhe kur citon tema të njohura shqiptare popullore, i sigurt se po improvizon, po koncerton, të jep më tepër përshtypjen e muzikantit që ndodhet vetë në studion e tij dhe provon diçka, që duhet t’ja paraqesë në një moment tjetër publikut…..
Duke u kthyer pak ne kohe, eshte nje dyshe trumbete dhe saksofon (alto) qe do doja ta rekomandoja. E kam fjalen per bashkepunimin Chet Beker me Paul Desmond (i permendur ne kete Blog si anetar i grupit te Brubeck) ne albumin Together. Per t’u permendur eshte edhe pjesemarrja a muzikanteve te tjere te medhej si Jim Hall (kitarre), Ron Carter (kontrabas) apo Kenny Barron (piano).
Per nje shijim mund te vizitohet Youtube:
Autumn Leaves – http://www.youtube.com/watch?v=Gsz3mrnIBd0
dhe sidomos
Concierto De Aranjuez – http://www.youtube.com/watch?v=rjxR9fJUP8g
Ndonëse ilustron shumë mirë idenë tënde, Concierto në fakt i atribuohet Jim Hall-it, një nga yjet më të ndritshëm dhe më të ndërlikuar të jazz-it.
Ia vlen të përmendet, përpos atyre që ke përmendur, Steve Gadd-i, nga bateristët më të mirë deri më sot, ende aktiv dhe i shumëkërkuar.
Vetë vepra është shembull i goditur i mundësive të pakufishme shprehëse të jazz-it. Krahasuar me të, Concerto de Aranjuez origjinal tingëllon demode. Kurse puna e Hall-it ka një sofistikim, një finesë të ëmbël, që të fton ta ridëgjosh sërish e sërish. Një variacioni më i hershëm jazz (1960?) mbi të njëjtën temë nga Gil Evans, shkruar për një album të Miles Davis-it është, për mua, edhe më i lodhshëm se sa origjinali, me kastaneta që të bezdisin masë pas mase, sikur origjinali të mos ish mjaftueshëm nevrotik. Këtu shpaloset talenti i pamasë i Hall-it, që më 1975-n i dha veprës origjinale një frymë krejt tjetër. Kemi prapë një interpretim jazz të veprës, por dora e mjeshtrit tani ka prodhuar 19 minuta të një elegance të rrallë.
Gjigant, ky version i koncertit.
Duke e dëgjuar, më shkoi mendja se aty do ta ketë origjinën – artistike – një tjetër pjesë e mirënjohur e jazz—it, Are you going with me, nga Pat Metheny Group (albumi “Offramp”), e cila gjendet këtu, dhe në versionin live (që për shumë mbahet si më i arritur) këtu.