VEND DHE KOHË (II)

koha

Perceptimi pagan i kohës – thotë Ramfos, është i trajtës ciklike. I përgjigjet ciklit diellor, stinëve, eventeve që lidhen me ndryshimin e motit, të korrave, të mbjellave, dimrit, verës etj. Ky cikël kohor kalendarik, përsëritet pambarim. Veçantia e feve monoteiste, është se i japin perceptimit të kohës një karakter dinamik. Nëpërmjet narrativës biblike, Gjenezës, Eksodit etj, e kaluara mitike, krijon një lidhje me të tashmen – e dyta duke u frymëzuar nga e para; madje projekton dhe të ardhmen – nëpërmjet premtimit të Parajsës. Kjo karakteristikë vektoriale në perceptimin e kohës, i ndihu mjaft krishtërimit në përhapjen e vet, sidomos në tre shekujt e parë të erës sonë. Pas këtij momenti – vazhdon Ramfos, ky projeksion dinamik u mpleks me kalendarin ciklik pagan helenistik, dhe kjo nën influencën e disa rrymave filozofike si stoicizmit dhe neoplatonizmit.

Kush ka pak njohuri mbi krishtërimin, arrin të dallojë ndikimet pagane në trajtë kalendarike madje. Festa të ndryshme të kalendarit të krishterë: Pashka (Shën Gjergji), Epitafi, Krishtlindjet, i përgjigjen në koherencë festave pagane të konvertuara: dita e Verës, festa e Adonit, dita e Diellit etj. Kjo ngjizje, thotë filozofi, midis paganizmit dhe krishtërimit, e shndërroi dinamizmin e filozofisë kristiane (përsëri) në një rreth ciklik paganist. Aq sa, nuk festohej më ngjarja (ngjallja, krishtlindjet), por festohej preteksti për të – pra, grumbullimi i njerëzve, panairet, qengji, vezët e kuqe, bredhi, shkëmbimi i dhuratave etj. Ky shndërrim nga ekstrovers në introvers, e ktheu projektimin e së ardhmes – që kishte formën e premtimit të parajsës, në një të ardhme mitike. Dhe çdo ngjarje kësisoj, e shpjegonte prej pasojave dhe jo arsyeve që e kishin krijuar. Për shembull: rënia e Kostandinopojës kthehet në “fundin e botës”, dhe premtimi për ta marrë merr formën e Parajsës – për grekët kjo. Për shqiptarët, paralelisht do të ishte: pushtimi i Kosovës është “fundi i botës”, çlirimi i saj, e drejtë e vendosur në vend. Shumë lëvizje, veprime, fushata ushtarake mund të shpjegohen me këtë mënyrë. Katër Kryqëzatat mund të shpjegohen kështu – premtimi për të marrë Vendet e Shenjta, zbulimet e Botës së Re mund të shpjegohen në këtë mënyrë; akoma dhe disa tipare të shteteve të sotme moderne post-fetare, si për shembull vetë Bashkimi Evropian, dhe zelli ndonjëherë i tepërt, dhe ndoshta pak i kuptuar i shteteve perëndimore për të përhapur demokracinë nëpër botë.

Ka akoma; nëse shpjegimi i ngjarjeve historike ka karakter të tillë introvers, pra çka ajo që kemi pësuar prej kohës, ka qënë diçka e keqe për ne dhe këtu gjykimi kritik pezullohet; ndodh që vende, kombe, grupime njerëzish, të kenë një perceptim të kohës së shkuar – dhe po njësoj shpjegim të së tashmes – që merr tipare thellësisht a-historiciste. Një shembull grotesk të tillë, kisha ofruar me presidentin e ri egjiptian Mohammed Mursi. Ramfos në shkrimin e vet, kritikon mungesën e koherencës dhe perceptimit të kohës në bashkëkombësit e vet, dhe e quan këtë të pasinkronizuar me kohën e Perëndimit. Nikos Dimou madje, në sajtin e vet ofron një dialog karakteristik të mendësisë greke për perceptimin e kohës – si shpjegim i të shkuarës – në lidhje me një evropian.

Përpjekjet për revizionim (çmitizim) të historisë qoftë prej autorëve grekë apo shqiptarë, në këtë mënyrë, marrin një qëllim të vetin – janë përpjekje për sintonizim (kohor dhe vendor) me botën që na rrethon.

Ndërsa kthehemi tek Ramfos, ai pyet: e dini pse kemi Memorandume? Sepse qëllon si komb, vazhdon ai, të kemi memorje të shkurtër. Kështu na duhet një “përkujtesë”. Memorja e shkurtër, shpjegon Ramfos, është fragmentizimi i kohës akoma dhe ndërmjet qytetarëve të të njëjtit shtet. Këtu njerëzit përsëri ndahen sipas përkatësisë politike. Për shembull: për një përkrahës të Juntës, tashmë votues të AiA, kjo ndoshta është “kohë e mirë”. Theodoros Pangallos nga ana tjetër, provokoi vjet në parlamentin grek një debat shumë të nxehtë kur deklaroi: viti 1982, ishte ardhja e demokracisë në Greqi. Ai vit ishte – në fakt, koha kur PASOK për herë të parë mori pushtetin. Abuzimi, madje grotesk me kohën, vihet re gjithashtu dhe në politikën shqiptare. Përmbajtja e shkrimit të Xha Xhait për piedestalet, mund të shërbejë këtu si referencë. Sigurisht që ai shkrim është tepër pak për të vënë re përdorimin e historisë prej politikës. Por është shenjë për të shquar disa tipare tepër të dukshme të politikës shqiptare, siç është për shembull klanizimi, tribalizmi etj. Kuptimi i kohës veç nëpërmjet fragmentalizimit tribal, qëllon që të riciklojë të njëjtat probleme, të njëjtat kriza, qoftë ekonomike apo politike, dhe të njëjtët njerëz.

“Koha”, thotë Ramfos, shndërrohet në “vend”, kur qytetit ia marrim hapësirat e veta publike, dhe ia privatizojmë ato. Këtu nuk besoj se ka gjë për të shtuar rreth paralelizimit me aktualitetin shqiptar.

Filozofi grek e mbyll kështu një nga shkrimet e veta:

Duke e marrë si të dhënë faktin që shumë ndjekës “realistë” të “pragmatizmit” e sollën gjendjen në këtë pikë të pashpresë ku dhe ndodhemi, i njoh vetes – dhe të tjerëve “ëndërrimtarë” – të drejtën për të kërkuar problemin në rrënjë, në mënyrë që njerëzit të kenë parasysh mendimet tona, dhe elitat politike t’i marrin parasysh këto të dhëna, duke i kthyer në qëndrim dhe vizion strategjik. Nuk pres asgjë, sigurisht, prej këtij sistemi politik të rrënuar. Do të kisha dëshirë të shpresoja tek ata që do e tejkalonin moralin e bjerrë të sistemit dhe do shpresoja tek sistemi pasardhës. Do të flisnim për sistem politik të rigjeneruar, që do të përfaqësonte ata të cilët do e merrnin mbi supe – si forcë – dhimbjen e vendit, duke e ditur se nuk dorëzohemi përballë jetës, dhe kështu as ajo nuk na lë në baltë. Kështu merr dhe kuptim shprehja: qoftë i bekuar ky vit i ri.

Nuk besoj se mund të shtoj diçka tjetër.

Për këdo që njeh gjuhën greke, shkrimet prej të cilëve kam përzgjedhur dhe përshtatur disa pjesë për serinë e mësipërme, mund t’i lexojë këtu. 

Nuk ka komente

  1. Për ironi të fatit, veç dje u dha vendimi i gjykatës për ngjarjet e 21 Janarit. Nuk do komentoj politikisht për ngjarjen, po thjesht vëreni këtu sesa diametralisht i kundërt në shpjegimin e ngjarjes është qëndrimi i komentuesve, si rrjedhojë e bindjeve politike.

    Tjetër, meqë flasim për kohën, veç një frazë nga deklarata e Jozefina Topallit:

    Boll keni vra 50 vite ka ikur koha juaj.

    Koha, si e xanun, e uzurpuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin