FOL PËR VDEKJEN

Këto ditë ideja e vdekjes më rri mbi kokë më shumë insistuese se zakonisht, por nuk është as e frikshme e as tragjike. Thjesht më godet mendjen sikur të ishte një problem që do zgjidhje, dhe zgjidhjen ia gjen vetëm po ta diskutosh. Në fakt, nuk më pëlqen që ne i heshtim tema të caktuara. Besoj se, kur e hesht diçka, ke krijuar një problem të ri apo rritur një të vjetër. Vdekja është ndër ato tema që shumë i mendojmë e pak i diskutojmë. Madje, ideja e vdekjes për të gjithë është më e vizituar dhe e medituar sesa ajo e jetës. Vdekja është edhe më e natyrshmja mike e njeriut. Ndaj, sado e trishtë qoftë, është më shumë vetja jonë sesa atribut i yni. Kështu duhet të kishim shumë kanale komunikimi lidhur me të, udhë që shpesh janë të mbyllura. Ndoshta unë dua të flas për komunikimin mbi vdekjen sot, sepse si temë më ka munduar gjithë vitin, pa ndonjë arsye lehtë të imagjinueshme. Dhe më duket sikur jam e detyruar moralisht që ta diskutoj, para se viti të ketë mbaruar.

Në dy faza, herët në fëmijëri dhe para vdekjes reale, përballemi më ekzistencialisht me kuptimin e vdekjes, dhe, në të dy momentet, njerëzimi i ka të mëngëta mundësitë komunikuese. Kultura specifike e grupit tonë kulturor shqiptar i ka edhe më të kufizuara e të mbyllura këto rrugë komunikimi për vdekjen, sidomos për ata pjesëtarë të grupit pa lidhje aktive me një edukim të strukturuar fetar.

Në fëmijëri ka një moment të veçantë kur kemi nevojë jetike të flasim për vdekjen. Më kujtohet që vetëm pas moshës dhjetë vjeçare nisi një lloj komunikimi i lirshëm dhe relativisht prej të barabartësh me tim atë, por biseda kufizohej në tema politike dhe konkretisht anti-komuniste e anti-enveriste. Si pa dashje diskutimi ndonjëherë përfshinte edhe çështje të jetë-vdekjes, por as im atë dhe as unë nuk dinim se si të merreshim me to. Sidoqoftë, nevoja ime për të folur për vdekjen ka qenë shumë më e hershme sesa mosha 10-vjeçare, e kjo është e natyrshme për gjithë fëmijët. Dhe, përveç nonës që më jepte ndonjë shpjegim të shpejtë e me Zot, sa për të më qetësuar për momentin, nuk gjeja kënd as të më dëgjonte e as të më shpjegonte si qe puna. E zgjidha në mënyrën më të gabuar të mundshme frikën time të thellë: një natë bëra një muhabet të gjatë me time motër që ishte vetëm tre vjeç (unë isha shtatë), dhe i shpjegova atë që ajo s’dinte dhe që unë doja aq shumë të ma shpjegonte dikush. I thashë se pas jetës që është e gjatë vetëm 100 vjet, nis vdekja që nuk mbaron kurrë. Ajo insistonte “po pastaj?” dhe se ku ishte fundi i vdekjes, dhe çfarë vinte pas… tamam atë që kërkoja të dija edhe unë, dhe që po ia mësoja vetes duke u shtirur si mësuese e sime motre. Ndaj i përgjigjesha me më të pamëshirmshmen frikë e besim që kisha: “asgjë s’vjen; ka vetëm vdekje, dhe vdekje, dhe prapë vdekje që s’mbaron kurrë. Por ne nuk jemi më atëherë, se ne jemi vetëm kur jetojmë.” “Po si s’jemi? Ku shkojmë?” më pyeste ime motër me sy të skuqur e të hapur më shumë se zakonisht. “S’jemi, se ne kur vdesim na fusin në tokë dhe na hanë të gjitha insektet, krimbat, na ha dheu dhe uji, rrimë në tokë deri sa bëhemi tokë… dhe pastaj gjithë krimbat që na hanë ne, vdesin, dhe ata i hanë krimba të tjerë; dhe gjithë ata që na njohin ne vdesin gjithashtu, dhe për ne as nuk mendon më njeri, dhe atëherë s’jemi fare fare.” Ende ndihem me faj ndaj sime motre që e përdora kështu, dhe që e lashë vetëm të luftonte me imazhe torturuese të një horrori që ia futa unë në kokë pa më pyetur e pa ma kërkuar hiç, sepse doja shpëtim për frikën time munduese.

Vajza ime e vogël e solli për nja dy vjet rresht temën e vdekjes në shtëpi, dhe nuk ishte kurrë e lehtë ta zgjidhnim, sido që komunikimi qe i hapur dhe iu dha gjithë koha e vëmendja e nevojshme. E ka kaluar krejt tani, por zgjidhja nuk erdhi nga brenda shtëpisë por nga shkolla, dhe besoj se qe një rastësi fatlume. Ose ndoshta një grup faktorësh vepruan pavarësisht nga çka dinim ne. Atëherë ajo ishte katër-pesë vjeç dhe ndiqte shkollën Montessori. Po u mësonin konceptet e infinitit në hapësirë dhe në numërim. Një ditë në shtëpi na tha: “s’kam më frikë nga vdekja, se nuk është ndryshe nga qielli dhe nga numrat prej të cilëve unë nuk kam frikë. Nuk mbaron kurrë.” Ky i saji m’u duk shumë më pak makabër dhe pa humbje njerëzore, sesa ngadhënjimi im mbi vdekje.

Këtë vit humba një njeri të dashur të familjes. Ajo vdiq nga kanceri  dy muaj pasi bëri 72 vjeç. Për muaj rresht të bijtë nuk i thanë se çfarë kishte. As mjekët nuk i thanë gjë, por e patronizuan në çdo vizitë, duke iu hapur vetëm fëmijëve, sikur ajo të mos ishte njeri që meritonte trajtim dinjitoz dhe njohje të së vërtetës më të madhe të ditëve të saj të fundit. Atë grua të zgjuar dhe veçanërisht të fortë e lanë të besontë në gënjeshtra deri sa vdekja iu shfaq përpara me kosën gati. Për mua kjo është t’i marrësh dinjitetin atij që po vdes.  Dhe as institucionet, e as persona privatë me shumë dashuri për atë që po vdes, nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ky është një zakon ndër më çnjerëzorët që kemi, dhe që e ruajmë dhe e ngrohim si njerëzor, por që do eliminuar se i rri keq respektit për njeriun dhe veten në kohën tonë. Sëmundja iu rëndua keqas, e vuajtjet fizike i lexoheshin në ballë e në lëvizje. Nisi t’i lëkundej besimi tek mundësia për t’u shëruar, por ishte e qartë që ende besonte se vërtet kish një infeksion të rëndë, dhe interpretonte në mënyrë qesharake si ilaçet që mërrte, si simptomat që kish. Dy bijtë e vet ishin pa pushim pranë saj duke i shërbyer me gjithë zemër. E çonin buzë detit, nuk e lanë kurrë vetëm, i përgatisnin vezë thëllëze. Por gruaja e fortë u la të shkonte drejt vdekjes me gojën mbyllur deri në fund, pa ditur tamam çfarë kish përballë, duke u trajtuar si fëmijë e si qenie e paaftë të ishte zonjë e vetes dhe e vdekjes së vet, ajo grua që, si pak gra të tjera, kish qenë zonjë e jetës së vet deri sa u sëmur. Nuk mund të jem e sigurtë, por më dukej se ia shihja qartë dëshirën për të folur hapur për të keqen që e kish zënë dhe për atë që e priste. Por askush nuk e la të hapte gojën. S’më lanë as mua ta hapja gojën. E di që në fund fare ajo e mori vesh mirë se çfarë kishte, dhe gdhihej e ngrysej me vdekjen që flinte krah saj. Ajo e shihte e tmerruar banoren e re, por nuk pyeste dot, ç’qe ajo gjë e zezë që i kish hyrë në shtrat e s’dilte që andej. Por atëherë ishte vonë, dhe ajo gojëkyçura për jetë, po ruante të tjerët nga frikërat e tyre, dhe po kujdesej që teksa ajo vdiste, të mos shqetësonte njeri me hallin e vet dhe frikërat nga vdekja. Unë e kam peng këtë vdekje me gojë mbyllur, vdekje ku veç vdekja s’përmendet, sido që ka okupuar gjithçka dhe po i ha trurin atij që vdes. Ime më që ka frikë nga vdekja, le të flasë sa do e si do për të, për veten, për çka vjen pas. Mos ardhtë, por kur vjen, nuk duhet të bëjmë sikur s’e shohim. Kur nuk flet për vdekjen, në fakt e ke lënë personin që ka atë hall të madh, fare vetëm me vdekjen.

Besoj se të flasësh për vdekjen, është jetë e jep jetë. Të jesh i hapur për e me vdekjen, është liri dhe dinjitet, dhe respekt për jetën e vdekatarëve. Dhe, sa më afër vdekja, sa më e qenësishme frika e ankthi krijuar prej saj, aq më nevojë ka njeriu të flasë për të, të qajë, të ulërasë, të qetësohet e të ulërasë prapë.

Nuk ka komente

  1. Presje, së pari ngushëllime të sinqerta për njeriun e afërt tënd.

    Po ta mendosh ndonjëherë, (njerëzit) jemi të vetmet gjallesa mbi tokë, me ankthin e vdekjes. Asnjë lloj kafshe tjetër nuk e ka këtë ankth. Në këtë mënyrë, nuk jemi “normalë”, apo “natyralë”, si gjithë gjallesat e tjera që i udhëheq veç instikti. Edhe filozofitë fetare, apo nevoja për besim, ka ardhur për t’i gjetur një përgjigje rehabilituese vdekjes. Të gjitha besimet fetare, i përgjigjen ankthit të vdekjes, dhe e trajtojnë sipas skripturave në mënyrën e tyre.

    Më kujtove tani një ngjarje që ka ndodhur shumë vite më parë. Të mitë duhej të shkonin në adetin e vëllait të tim gjyshi, kur ky vdiq, dhe meqë nuk jetonin në një qytet me të, mua vendosën të më linin tek një komshie e mirë që e quaja “teto”. Po meqë isha i vogël, nuk më thanë gjë, ose dhe përtypën një justifikim që mendja nuk e hëngri për momentin. Ishte natë, e më kishin mbështjellë me batanije, mbaj mend. Dhe po qaja. Mungesa e arsyes se pse ndodhi kjo situatë e përshkruar, më bëri ta përjetoj shumë dhunshëm. Kush e di se çfarë më kish shkuar në mendje, mbase se po më braktisnin, ose diçka e tmerrshme kish ndodhur.

  2. sigurisht, Juliusx, qe nuk jemi “natyrale” sic jane bimet ose milingonat qe ne themi se nuk e kane “ankthin” e fundit te jetes mbi toke. Ne mendojme, pa kemi ankthe. Por une ende nuk jam e afte te diskutoj e shpjegoj kete lloj “ankthi” makaber dhe tabu. Une dua vetem te them se hapja e kanaleve te komunikimit (jo per hir te diskutimit te vdekjes si teme interesante, por per hir te nevojes se ekzistences se hapesirave te tilla per ke ka nevoje t’i perdore) eshte e rendesishme. 🙂

  3. Trajtimi i vdekjes si diç domosdoshmërisht e keqe është vetëm deprimues, pasi kjo e fundit është e sigurtë. Por për vdekjen nuk mund të thuhet asgjë; parë kështu, ashtu si edhe lindja, vdekja nuk është as e mirë e as e ligë.
    Në këtë shkrim më shqetësoi trajtimi vetëm materialist i temës dhe njësimi i vetëdijes me trupin. Këtu do të qe vendi për të cituar Parmenidin: nuk ka mosqenie, për nga vetë përkufizimi.
    Një nga arsyet që e shqetëson autoren është ankthi para mosqenies dhe marrja e kësaj të fundit si e dhënë. Por si mund të flitet për hiçin, kur ky nuk ka se si të ekzistojë?

  4. pasi kam pare disa aksidente te renda brenda nje kohe shume te shkurter kam filluar te prekem nga filmat e dhunshem apo historite e tmerrit qe lexoj ne libra mbi krimin e organizuar … nese frika ndaj vdekjes mund te perballet me kenaqesine e detyrave te kryera, pafuqine per ta shmangur ose panevojen e qenies (kujt i duhem?), besoj se me shume duhet t’i frigohemi vdekjes se dhunshme … mendimet e tjera mbi vdekjen jane tjerrje qe sjellin shqetesime dhe dikush, me libra a filma (une) apo me pije (drogra etj.) ose me shoqeri, i kalon lehte … pyetjet “si?” dhe “pastaj?” na mundojne vazhdimisht …. lutna o Zot te na lehtesosh vdekjen dhe dhurosh jeten e ameshuar… Amin!

  5. E dashur presje,

    Per punen e vdekjes, Kurani flet shume. Zoti tregon ne Kuran qe Ai eshte qe e ka krijuar jeten dhe vdekjen, per ti provuar njerezit, ne kete kohe te shkurter qe ne jetojme ne toke. Jeta ne kete dynja eshte nje udhetim per ne boten e pertejme. Ne ne kete bote jemi bere nga dy pjese, trupi dhe shpirti. Trupi eshte prej uji dhe dheu, ndersa shpirti eshte ajo force, energji, krijese, e cila e ve ne pune bimen tone trupore. Perpara se te vijme ne kete dynja, Zoti, na krijon shpirtat ne Alemul Ruh, apo boten e shpirtrave. Shpirtrat me pas dergohen ne miter ku Allahu ngjiz jeten, dhe prej barkut te nenave ne dalim ne kete dynja. Ketu jetojme, aq sa ta kete shkruar Allahu, e me pas vdesim. Kur na del shpirti nga trupi, ai eshte momenti i vdekjes. Trupi kalbet, kthehet kufome e ne e varrosim apo e djegim, ndersa shpirti kalon ne boten e berzahut, ku qendron deri ne diten e Qametit, kur Allahu do e prishi gjithesine, dhe do te na ringjalle nga varret e do te na gjykoje per ate qe kemi bere ne kete bote.

    Jeta e kesaj bote, per ne eshte sikur nje film. Lindim te paditur, shoqeria na jep vlerat e saja (ne rastin tone shqiptarizon, amerikanizon, demokratizon etj). Kur arrijme pubertitetin shperthejme ne pasione e ne deshira e na duket vetja te forte e te bukur. Me pas arrijme ne moshen e burrerise/ granise, ku krijojme familje dhe riprodhojme jete, e me pas plakemi. Kockat na dobesohen, trute na rrjedhin, arroganca e rinise na venitet dhe e kuptojme qe po na mbaron koha. Kur kohes tone i vjen fundi, nuk ka shume rendesi sa te bukur, forte, pasur jemi apo kemi qene. Ashtu sikur lindim, edhe kur na vjen vdekja, i leme pas te gjithe pasurite, dijet, titujt akademike qe kemi fituar ne kete dynja. Leme pas grate, burrat, femijet, te afermit. Njerezit na bejne adetet e fundit. Nese ishim te mire na lavderojne, nese ishim te poshter na shajne. Na kujtojne disa vite e me pas behemi histori. Nese kemi qene shume te prape, apo te zgjuar, mund te na kujtojne pak me gjate. Ama mishi e kockat treten, e kthehen ne dhe. Ndersa shpirti qendron i burgosur ne boten e barzakut deri ne diten e fundit te dynjase.

    Allahu qe ka krijuar jeten dhe vdekjen, dhe qe sic thote ne Kuran eshte i pari dhe i fundit (i numrave dhe gjitheckahe) eshte Ai qe nje dite do i japi dum, gjithe kesaj krijese-dynjaje, qe per memorine tone te vogel duket marramendese, e pafund dhe e pafillim. Allahu per kete pune thote ne Kuran :

    – Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte.
    – Pastaj atë e bëmë pikë uji në një vend të sigurtë.
    – Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, dhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues!
    – Mandej, pas kësaj ju do të vdisni.
    – E në ditën e kijametit do te ringjalleni.

    Keshtu eshte edhe puna jone. Ne kete dynja jemi udhetare. Zoti me te madh te Tij, e ka krijuar vdekjen sic e beri edhe jeten, per te na marre ashtu sic na solli. Na ka derguar edhe te derguar me libra qe na tregojne pse jemi ketu. Ata qe duan ta gjejne rrugen, shenjat i kane ne liber.

    Selamet e mia

    1. Obama me kenaqe me kete refim nga Kurani, por vetem dicka nuk kuptova: cila eshte bota e barzakut ku shpirti rri ne burg? Dhe a ka ndonje mundesi aratisje nga ky burg?

  6. Nga ti, Obama, s’e prisja kete ligjerate islamike, pavaresisht nga origjina. Por te falenderoj qe me kallexove rrugen dhe shenjat… se i kam humbur, e Zoti me falte.

    Une shkrimin ne fakt e kisha per nevojen qe te mbahen hapur udhet e diskutimit per vdekjen, sidomos per jofetaret qe, ne mos e diskutofshin ate me njeri-tjetrin, mbeten qyqare e pa derman. Dhe ti, ne fakt, po jep nje shembull hapjeje komunikimi per te sipas asaj qe deshiron te besosh ti, sido qe se c’eshte ose jo jeta e vdekja ne vetvete, nuk ishin pjese e qellimit te shkrimit.

    Por ti qofsh mire, e Allahu i Lartmadherishem te dhente forca per mesime qetesuese e me lule orientale deri ne diten e fundit te dynjase.

    1. Nuk e kuptoj pse duhej te me pergjigjeshe me kaq ironi per ate qe kam shkruar me siper. Shkrimi yt, edhe pse vinte nga nje background jofetar, ishte teologjik ne vetvete pse kerkonte ti jepte njefare xhevapi ceshtjes se vdekjes, dhe per kete e vleresova shume. Ndersa ju jepni eksperiencat tuaja personale, te cilat i kam patur edhe une, dhe pothuajse cdo vdekatar qe hidhet ne kete dynja, pergjigja ime ishte duke u mbeshtetur ne shkrimin e shenjte, qe miliona njerez besojne e ndjekin ne kete toke. Te sugjeroj me sinqeritet qe te lexosh Kuranin, nese kerkon sinqerisht te kuptosh punen e vdekjes.

      Qofsh mire, e Allahu qe na ka krijuar te gjitheve, te meshirofte.

      1. jo, Obama… po beja shaka. Kishte pak ironi, vertet, por kurrsesi nuk doja te fyeja pozicionin tend. Per Kuranin ke te drejte. Dhe urimi im ne fund qe i sinqerte dhe jo ironik.

  7. Thike behet shpirti, kur humbet njeriu dike.Dhe thike-shpirti e pret Njeriun ..sa here peshon humbja e njeriut.( Kjo nuk ka lidhje me humbje njeriu te ngjare se fundi) Aleksander Çipa

  8. Trajtimi i temes se vdekjes nga “presja” meriton te pergezohet sepse jo vetem ne planin individual por edhe ne ate shoqeror, kanalet e komunikimit me vdekjen dhe te diskutimit te vdekjes si fenomen social, jane te bllokuara.Vdekja, si fundi i ekzistenes tone humane , eshte e rrethuar , pergjithesisht, nga nje kulture heshtjeje.Diskutimi per vdekjen, qasja ndaj vdekjes , kur perballen te afermit apo miqte tane me te dhe kur ne, pashmangesisht do te perballemi me zonjen vdekje, eshte gati nje tabu.Skena te ngjashme me ato qe pershkruan Presja per njeriun e saj te aferm, kam perjetuar dhe vete.Ishte nje situate tragjike.Te gjithe ne e dinim (permes kumtit te mjekeve) se personi ishte drejt fundit dhe , nderkohe, vete personi nuk e dinte, ose ndoshta e kuptonte dhe e mbante perbrenda ankthin, per te mos shqetsuar njerzit qe i rrinin prane.Ose shpresonte se do ta kalonte semundjen (ishte i ri).Te gjithe ne , para tij, mbanim nje maske optimizmi, luanim teater, dhe sa largoheshim prej tij, lotonim ne heshtje per fatin e tij.
    Duke reflektuar, kam pershtypjen se me shume se vete personi, ishim ne qe i trembeshim ballafaqimit me te verteten.
    A kemi kaq kulture dhe kurajo per t’u perballur me vdekjen kur ajo troket tek ne apo tek nje njeriu yne i afert? Ne kulturen tone tradicionale, njerzit edukoheshin “me jetu e vdek me nder”.Krijimtaria popullore (Bilbilenjte) ,letersia dhe kinematografia e socrealizmit e kane heroizuar vdekjen dhe kane krijuar modelin e “vdekjes se bukur” (nje kreher para ekzekutimit).
    Nje nga filmat qe mbaj mend, me temen e komunikimit me vdekjen,eshte “Stepmom”.Komunikimi i nenes me femijet per vdekjen e saj te afert, edhe pse i mbeshtetur ne patericen e te pertejmes, eshte nje qasje e natyrshme kundrejt ketij fakti te pakendshem.
    Te gjithe, si qenie humane, jemi te vetedijshem se vdekja eshte e pashmangshme por kjo nuk na dekurajon sepse askush nuk e di ekzaktesisht se kur do ndodhi. Te jesh i vetedijshem se je i vdekshem dhe te mos e perfillesh fundin e ekzistences tende, kjo eshte euforia jone fatkeqe epikuriane.
    Per te kuptuar se cfare eshte vdekja, duhet te dime se cfare jemi ne.Jemi trup, mendje/vetedije apo shpirt? Doktrinat fetare dhe filozofike japin pergjigjet e tyre diverse por asnjera nuk e ngushellon njeriun nga ankthi ekzistencial. Ndoshta mund te jene te pakte besimtaret e vertete, te obsesionuar nga bota e pertejme, qe vdekjen ta presin si clirim prej kushtezimeve te jetes tokesore.
    Nqs si ajo qe na dallon si qenie humane prej botes shtazore eshte vetedija, ketu hapet diskutimi se a eshte vdekja fundi proceseve jetesore, pushimi se kezistuari i trupit si organizem i gjalle, apo personat me demence, tashme jane te vdekurit e gjalle? Po Sokrati, Aristoteli, Marksi, a jane vertet te vdekur perfundimisht?
    Vdekja eshte dicka e keqe , e mire, apo pertej sistemit tone etik te se mires dhe se keqes? Per personin qe vdes ajo eshte dicka e keqe, eshte fundi ekzistences se tij por kete “te keqe”, e konsiderojme ne te gjallet si te tille, nisur nga perspektiva e jetes, sepse kur eshte vdekja, personi nuk eshte dhe nuk ka si ta gjykoje kete fakt.
    Nje kendveshtrim tjeter eshte se vdekja eshte dicka jo e keqe, nqs personi e ka jetuar jeten e tij , ka permbushur projektin e tij, ka realizuar deshirat kategorike, ato qe percaktojne identitetin tone.Vdekjet e parakohshme, kur personi eshte i papaermbushur, jane fatkeqsi dhe dhe dicka e keqe.Ne kete kuptim, shkaterrimi i nje embioni/aborti eshte shume here me i keq sesa vdekja e nje 90 vjecari qe vegjeton dhe nuk ka asnje deshire kategorike, nga ato qe percaktojne motivet e jetes dhe i japin kuptim asaj.

  9. Në shkrimet që komentojmë besoj se është më interesante t’i shmangemi grackës së asaj se çfarë ka dashur të thotë autori, për tu përqendruar te ajo që ai ka thënë në të vërtetë, nganjëherë edhe pa vullnetin e tij. Me sa kuptoj nga natyra e refleksionit, autori edhe pse shpreh natyrën afetare të komunikimit të tij (që ndokush e ka keqkuptuar dhe ka nxituar me zell t’ia shpjegojë fetarisht problemin qe i është dukur se ngrihet), ai pa dyshim që e di se fetë kanë lindur si një mënyrë për të kuptuar dhe interpretuar vdekjen, per te pajtuar njeriun me te. Nga ana tjetër nuk ka mbetur që autori të mësojë këtu (nga unë, fjala vjen) se vdekja është fundi normal i një funksioni biologjik.
    Në shkrim (një lloj refleksioni i papërfunduar) flitet për vdekjen por është gabim të merret si një kërkesë për të kuptuar vdekjen.
    Pranon apo nuk pranon autori, unë këtu shoh një klithmë revolte që do të qartësohej me pyetjen: Pse ekziston vdekja, çfarë kërkon ajo në mesin tonë?
    Nuk është as revoltë e as pyetje pa vend. Natyrisht, shkrimi më jep të kuptoj edhe gjëra të tjera, që ai ka një ekzistencë të kënaqshme, që pavarësisht nga gjithçka ka arritur një sërë synimesh, që ka përvijuar saktë e me besim vijueshmërinë e jetës se saj dhe të të afërmeve të saj… Po ja që dikur duhet të vdesim të gjithë.
    Këtu ka një ekuacion të pazgjidhshëm. Por ajo që nuk zgjidhet përballohet dhe bëhet kauza tënde.
    Vërtetë që vdekja në vitet e fëminisë zë vend, por nga lartësia e moshës që kemi sot, duket të pranojmë se pyetjet shtroheshin gabim. Me duket se ai qe është shprehur këtu, ka ruajtur shume fëmini brenda vetes.
    Duke filluar nga gjysma e dytë e jetës, ka një afrim më realist dhe njeriu përgatitet të pajtohet përfundimisht me vdekjen që e pret diku në një kthesë, në nje kohë të caktuar që përgjithësisht nuk varet nga nesh. Ne nuk kemi në dorë gjësendi tjetër, përveçse te lutemi qe ajo të respektoje nje farë radhe.
    Nga natyra e shkrimit kuptoj se autori refuzon këtë akt pajtimi me te dhe nënshtrimi, por njëkohësisht duket se është shumë pranë . Është një akt i vogël, është “kriza” e fundit para rezinjiimit (résignation). Nuk është aq e vështirë sa duket.
    Pastaj do të ndihet mjaft më i qetë dhe do të vazhdojë të shijojë me vështrim dashamirës ekzistencën e vet, do te dalloje ngjyra te tjera ne te edhe me te bukura,fryt me sa duket i përpjekjeve të tij dhe jo dhuratë e ndokujt.
    Nuk do të kishte horror më të madh po qe se do të jetonim përjetësisht, tha!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin