PSETË E SHQIPTAROMETRISË

Edhe disa pak vërejtje të tjera në vijim të debatit tonë për censusin.

Thamë që censusi është, në mënyrën e vet dhe para së gjithash, matje e disa treguesve të popullsisë.

Ndoshta nuk e thamë aq mirë sa duhet, se kjo matje u bë sërish, prandaj rezultatet e saj, cilatdo qofshin, nuk mund veçse të krahasohen me rezultatet e matjeve të mëparshme; sepse nuk mund të rroken në tërësinë e tyre, jashtë krahasimeve me rezultatet e mëparshme.

[Krahasimi parakupton, natyrisht, që censuseve në kohë të ndryshme t’u jenë nënvendosur kritere të ngjashme.]

Megjithatë, sa kohë që censusi mund t’i referohet një censusi të mëparshëm, të paktën për disa prej matjeve, atëherë variacioni në matjet është më i rëndësishëm, për të kuptuar jo vetëm dinamikat por edhe vetë strukturën e popullsisë në Shqipëri, sesa të dhënat në vetvete.

Dua të them: rënia dramatike në numrin e të krishterëve ortodoksë ose edhe e bektashinjve ose e myslimanëve në përgjithësi, është më e rëndësishme se të dhënat numerike për këto popullsi.

Dhe kjo sidomos në raport me pritjet tona për këto rezultate.

Le ta ilustroj këtë me shembullin e kujt peshohet një herë në tre muaj; dhe këtij një ditë peshorja i thotë se ka rënë 15 kg, në raport me peshimin e mëparshëm; në rrethana të tilla, fakti që ky person tani peshon 80 kg dhe jo 95 kg është më pak domethënës sesa fakti tjetër, që brenda tre muajsh këtij i është ulur pesha me 15 kg (ose përafërsisht 16%).

Ose më mirë, dy rezultatet mund dhe duhet të interpretohen ndryshe: nëse ti peshon 80 kg, por je vetëm 158 cm i gjatë, atëherë thjesht mbetesh mbi peshë; por nëse tre muaj më parë peshoje 95 kg, dhe brenda tre muajsh humbe 15 kg ose 16% të peshës, atëherë duhet të shqetësohesh për rënien në peshë, më shumë edhe se për vetë peshën problematike që ke; dhe kjo sidomos kur këtë rënie ti nuk e prisje (p.sh. nuk po mbaje gjë dietë, ose nuk ishe futur gjë në grevë urie).

Për t’u kthyer te censusi: një gjë është fotografia që ia bën censusi popullsisë shqiptare, në aspektin e vet fetar-kulturor, ose të peshës numerike së secilit komunitet fetar-kulturor në jetën e vendit dhe një gjë tjetër është rënia e theksuar absolute dhe relative, në madhësitë numerike të disa komuniteteve.

Fotografia (snapshot) do të përfundojë në fjalorë, enciklopedi dhe në factbook-un e CIA-s (të cilin do ta citojnë pastaj mediat shqiptare hareshëm, si autoritetin absolut për çështjet shqiptarometrike); ndërsa variacioni do të duhet më parë pranuar dhe pastaj shpjeguar urgjentisht, së paku në parim, nga studiuesit.

Me sa kam dëgjuar – por ma provoni që e kam dëgjuar gabim, para se të më thoni se po flas me të dëgjuar – pakkush e priste këtë ripërmasim kaq dramatik të ortodoksëve shqiptarë dhe të bektashinjve. Mund që kjo të ketë ndodhur ngaqë parashikuesit tanë profesionistë janë të paaftë, mund edhe të ketë ndodhur thjesht ngaqë censusi është përgatitur dhe kryer me gabime ose, ta themi për hir të plotësisë së argumentit, manipuluar në nivelin e mbledhjes ose të përpunimit të të dhënave.

Gjithsesi, fakti që censusi na dha një rezultat të cilin nuk e prisnim, dhe një rezultat të tillë për nga rëndësia, që t’i errësojë të gjitha rezultatet e tjera të censusit vetë, atëherë censusi duhet të përsëritet, si çdo matje tjetër aberrante.

Me sa kam dëgjuar, demografët prisnin kushedi një rënie në numrin e besimtarëve myslimanë, të paktën në raport me të dhënat e vjetra për komunitetet fetare (të famshmin 70-20-10); por një rënie të tillë që të pasqyrohej në kalimin e njerëzve nga komuniteti mysliman në komunitetin e atyre që i përkasin një besimi jospecifik, që thonë se nuk i përkasin ndonjë besimi, ose që deklarohen agnostikë/ateistë. Dhe mua më duket se një pritje e tillë u konfirmua prej të dhënave të censusit – rënie e përqindjes së myslimanëve, e kompensuar me përqindjen e atyre që s’i përkasin ndonjë besimi specifik ose që deklarohen si agnostikë/ateistë.

Përkundrazi, tkurrja dramatike e komunitetit ortodoks nuk ishte parashikuar, ose të paktën jo në përmasat që ndodhi.

Sikurse thashë, kaq mjafton për të përligjur përsëritjen e censusit, nëse vërtet duam të dimë për raportet në përqindje relative mes komuniteteve kulturore-fetare në Shqipëri; dhe sidomos në kontekstin e disa dinamikave reale ose të supozuara të popullsisë, ku Jugu na paraqitet si në largim drejt Greqisë, ndërsa Veriu emocionalisht i gatshëm të shkrihet me Kosovën, në shndërrimin e vet inflacionar.

Çështja është e dorës së parë, e rëndësisë kardinale, sidomos për të gjithë ata që strategjitë e “bashkimit kombëtar” nuk duan t’i shohin e t’i lexojnë si të bashkërenduara me strategjitë e dëshirës vorio-epirote për Shqipërinë e Jugut.

Nga ana tjetër, edhe sikur thjesht të konstatohet se pyetësorët e censusit kanë qenë formuluar keq, ose konteksti politik i censusit vetë ka qenë i tillë që të ketë ndikuar në përgjigjet e njerëzve duke i kushtëzuar ato, edhe vetëm kaq do të mjaftonte, si arsye, për të kërkuar me të drejtë përsëritjen e censusit.

Nuk ka nevojë pra, të humbim kohë me interpretime për shkaqet e një variacioni në rezultatet e censusit, që na kapi të gjithëve në befasi; por vetëm duhet të biem dakord se variacioni i matur është i një madhësie të tillë, që të kërkojë përsëritjen e censusit, pavarësisht nga çfarë faktorësh mund ta kenë shkaktuar; përsëritje që mund edhe të fokusohet vetëm në fotografimin e strukturës fetare-kulturore të popullsisë së Shqipërisë.

Nuk ka komente

  1. N.q.s një census nuk konfirmon parashikimet, atëherë ai duhet përsëritur??? Atëherë i bie që censusi të ketë si funkson vetëm përligjjen e opinionit të përgjitshëm. Nuk më duket shume racional ky arsyetim.

    1. Nuk është ky, arsyetimi im (no straw man argument pls). Censusi duhet përsëritur sepse variacioni në rezultat (në krahasim me pritjet) është aq i madh, sa të mos përligjet dot si variacion normal. E përsërit: problem nuk është moskonfirmimi, por shkalla e moskonfirmimit. Janë dy gjëra të ndryshme.

      Një krahasim. Kalamajtë e klasës së shtatë kanë shtatlartësi të ndryshme, ca të gjatë ca të shkurtër; por nëse një prej tyre është 1m 90 (me matje e konfirmuar), atëherë prindët bëjnë mirë ta shpien te mjeku për t’ia kontrolluar hormonet.

      Dhe më tej: censusi duhet të përsëritet jo thjesht ngaqë mund të ketë pasur gabime; por edhe ngaqë, sikur të ketë qenë i saktë, atëherë rezultati (sa i përket peshës specifike të komuniteteve fetare-kulturore) është me rëndësi kapitale për dinamikat brenda-shqiptare.

  2. Xhaxha, më lejo së pari të them se edhe mua nuk më bind rezultati i këtij censusi, por kjo është thjesht një bindje personale. Ajo që dua të them është se opinioni im apo edhe i juaji mbi zhvillimet që mund të ketë pasur demografia e komuniteteve fetare që nga censusi i fundit, është tepër subjektiv dhe nuk mund të shërbejë si etalon për të përcaktuar konformimin apo moskonformimin. Për më tepër, “i famshmi 70-20-10” është një e dhënë tepër e vjetër (madje them, edhe jo shumë e saktë për shkak të përqindjeve të rrumbullakosura që ka). Ne e dimë se ndërkohë shumë gjëra kanë ndodhur që mund të cilësohen si një “cunami” i vërtetë për identitetin fetar të shqiptarëve, dhe për demografinë e feve në Shqipëri. Ndaj them se si rrjedhojë nuk kemi kurrfare pike referimi për të përcaktuar pritshmëritë.

    Për sa i përket nevojës së përsëritjes së këtij censusi, unë jam prej atyre që mendojnë se pyetjet mbi etninë dhe sidomos mbi fenë nuk i vyejnë askujt në Shqipëri, dhe aq më pak shtetit.

    1. Natyrisht, është opinioni im, por nuk është vetëm opinioni im.

      Para pak ditësh, u ngrit një grup intelektualësh korçarë, të afërt me KOASH-in, dhe deklaruan se vetëm në qarkun e Korçës ka rreth 130,000 ortodoksë (lidhja në shkrimin e mëparshëm).

      Në një kohë që censusi na jep rreth 190,000 për mbarë Shqipërinë.

      Po kështu, qarku i Beratit ka një popullsi prej 142,000 banorësh (po i referohem pikërisht censusit, f. 133); qarku i Fierit prej 310,000 banorësh; qarku i Korçës prej 220,000 banorësh. T’i lëmë fare jashtë Tiranën (me popullsi të madhe ortodokse) dhe Gjirokastrën (gjithashtu). Po prapë, ç’u bënë ortodoksët e Myzeqesë e të zonës së Korçës (Pogradecit) etj.? Mes gati 700,000 banorëve që kanë Berati, Korça dhe Fieri së bashku (si qarqe), edhe sikur të 190,000 ortodoksët e Shqipërisë sipas censusit të jetonin të përqendruar vetëm aty, prapë do të ishin pak…

      Thua se raporti 70-20-10 është i vjetër, dhe unë jam dakord; është shumë i vjetër. Por unë nuk shoh gjëkundi arsye pse ky raport mund të ketë ndryshuar gjatë shekullit XX. Një lindshmëri më e ulët mes ortodoksëve, për shkak të zhvillimit të tyre më të madh kulturor, nuk do të mjaftonte për ta shpjeguar shkallën e ndryshimit në raportet e sotme sipas censusit; madje as e kombinuar, si faktor, me emigracionin. Shumë-shumë, do të pritej një rënie në përqindje e myslimanëve të deklaruar si fetarë – për shkak të shfetarizimit, por jo më tepër (por edhe kjo e reduktuar në përqindje për shkak të lindshmërisë më të lartë).

      Vërej edhe diçka që më bën përshtypje: mungojnë, në raportin e botuar të censusit, të dhëna për komunitetet fetare-kulturore, sipas qarqeve. Gjithfarë të dhënash gjen, në bazë qarku – por këto jo; deri edhe ndërtesat sipas numrit të kateve dhe pranisë së ashensorit, ose sipas llojit të nevojtores (pika 2.5.6), ose raportin e femrave me të paktën një diplomë universitare me meshkujt me të paktën një diplomë universitare (pika 3.1.2), por shpërndarjen e komuniteteve fetare-kulturore jo.

      Atëherë, sikur të ngrihet nesër kreu i KOASh-it, dhe të deklarojë se, në bazë të regjistrave të kishës së vet, në Shqipëri ka një milion ortodoksë, kush do ta kundërshtojë dhe si? E kam fjalën, me ç’fytyrë?

      1. “deklaruan se vetëm në qarkun e Korçës ka rreth 130,000 ortodoksë”

        Duket sikur jemi futur ne nje rrethe vicioz shifrash. Po t’i referohesh Wikipedia-s rrethi i Korces sipas regjistrimit te popullsise(janar 2010) kishte nje popullsi totale prej 138,898 njerezish.

        Shqiperia ka probleme serioze me hartimin e statistikave.

        1. Ne vazhdim… duket sikur popullsia e qarkut te Korces ka firu brenda nje periudhe te shkurter bazuar ne regjistrimin e popullsise per zgjedhjet (gjithmone referuar Wiki-t).

          Po te besh arithmetike duke mbledhur popullsine e rretheve Korce, Kolonje, Pogradec e Devoll (konsideruaara vec e vec), me rezulton nje numer shume me i larte popullsije per qarkun e Korces.

          Sipas nje kalkulimi te shpejte, popullsia aktuale ortodokse e qarku te Korces bazuar ne censusin sipas intelektualeve korcare llogaritet rreth 60% e popullsise te qarkut.

  3. “Carku i miut” Censusit ju ngrit heret, qe me fushaten sensibilizuese…

    Dihet, kur fut hundet politika per realizimin e nje projekti teknik gjithmone priten sakatlleqe; ca nderhyrje ne formulimin e pyetesorit me djallobudallallek, ca me cjerrje mos u rregjistroni, ca me zgurfullima do ju gjobisim ( e jo pak po 1 milion ),ca ckermitnin dhembet ndaj ndrrimit ‘te seksit’ etnik e fetar, ca e ca…e tupanat ua lodhen veshet njerezise…e ja lane ne dore ‘beni c’te doni’…

    Edhe armata e rregjistruesve direkt e grumbulluar ne momentin e fundit, mesuar me zhurrmat e tam-tameve te politikes, instruktimet te bera sipas niveleve duke firosur udhes, cuan ne ‘basenin’ e censusit rezultate te papertypshme llogjikisht, e madje dhe praktikisht.

    Duhet ribere Censusi.

    Te ribehet vetem per fene, se minoritetet jane te rregjistruar ne gjendjet civile e raportohen kollaj po deshiruan, pavaresisht kostos ekonomike , sepse i druhem mos paguajme nje kosto tjeter me te madhe : Tronditjes nga ‘levizjet sizmike’ te godines se bashkejeteses fetare, aq shume e trumbetuar (mbase me hak) si sukses i shoqerise tone.

    Krisjet ne ‘suva’ po duken…

  4. Pas zhurmes qe po behet me keto rezultate, edhe sikur te ribehet censusi, rezultatet nuk do te jene te besueshme, sepse deklarimet nuk do te jene me te sinqerta dhe spontane, por te ndikuara politikisht.

    Ketu ka te beje shume edhe niveli kulturor i te anketuarve. Mua askush nuk ma mbush dot mendjen se gjysma e shqiptareve jane besimtare muslimane, sikurse as une nuk ua mbush dot mendjen atyre shqiptareve injorante qe deklarohen muslimane thjesht sepse ashtu kane degjuar te thuhet ne shtepi. E nderkohe qe deklarohen si muslimane hane mish derri e pine raki gjithe diten e nuk kane hyre kurre ne jete te tyre ne nje xhami.
    E njejta gje vlen edhe per besimet e tjera. Kushedi se sa shqiptare jane deklaruar katolike a ortodokse pa qene vertet besimtare, madje pa qene pagezuar kurre. Sepse teper te pakte jane shqiptaret nga 20 deri ne 45 vjeç qe jane pagezuar. Edhe nder ata nen 20 vjeç nuk besoj se jane te shumte te pagezuarit. Per kete mjafton te krahasohen te dhenat e censusit mbi lindjet me regjistrat e pagezimeve qe ruajne kishat. Atehere do te kishim perqindjen e sakte te te krishtereve ne raport me popullsine.

    1. Një regjistrim i mirë i popullsisë duhej së paku të dallonte midis myslimanëve besimtarë sunitë, bektashinjve, myslimanëve “deistë” si Berisha, që i referohen Zotit vend e pa vend në mënyrë abstrakte, por nuk është se i ndjekin ritualet; qytetarëve me prejardhje myslimane, që nuk ndihen se i përkasin kësaj feje, por megjithatë nuk janë konvertuar në ndonjë fe tjetër; dhe qytetarëve me prejardhje myslimane, që janë konvertuar në të krishterë. Them “së paku”, sepse mund të nxirren edhe të dhëna të tjera, p.sh. fëmijët nga familje të përziera, me prindër nga fe të ndryshme, etj., në kombinimet përkatëse. Mund të duket e vështirë, dhe natyrisht do të jetë e vështirë, për një administratë që nuk arrin dot as t’u bashkëlidhë njerëzve nga një adresë të hajrit, as të ndajë territorin e shtetit në zona postare (me kodet përkatëse); por censusi njëkohësisht shërben edhe si shkollë për administratën vetë. Nga një lexim i përciptë i zërave të hollësishëm në census, m’u duk sikur një pjesë e tyre janë përkthyer nga censuse të vendeve të tjera, me karakteristika demografike të ndryshme prej Shqipërisë. Unë do të sugjeroja që, herën e ardhshme, ekspertët tanë të censusit të konsultoheshin me kolegët e tyre libanezë, të cilët janë mësuar t’i trajtojnë mirë hartat fetare dhe kulturore komplekse të popullsisë.

      1. Nje njeri eshte ose nuk eshte fetar, e ndien apo nuk e ndien veten pjese te nje komuniteti fetar. Spektri i gjendjeve te mesme eshte i papercaktueshem dhe i paregjistrueshem me statistika. Une do te ndalesha tek aspekti fetar, sepse perberesi “kulturor” ketu eshte tejet i pakapshem dhe efemer. Fjala vjen, nga pikepamja kulturore bashkemoshataret e Xha Xhait me origjine muslimane nuk kane asnje ndryshim nga bashkemoshataret me prejardhje nga fete e tjera.

  5. Si cdo gje e bere keto 20 vjet, pra gabim, edhe Censusi nuk kishte aresye ti shpetonte. Te pretendosh qe ke nje sistem politik demokratik/shumepartiak, por akoma ke probleme me vjedhjen apo tjetersimin e votave ne zgjedhjet politike, do te thote se je kerkund. Prandaj, le te vazhdojme ti besojme intuites largepamese mbi 100 vjecare te Pashko Vasa kur tha se: feja e shqipetarit eshte shqiptaria.

  6. Përkundrazi, tkurrja dramatike e komunitetit ortodoks nuk ishte parashikuar, ose të paktën jo në përmasat që ndodhi.

    Sikurse thashë, kaq mjafton për të përligjur përsëritjen e censusit, nëse vërtet duam të dimë për raportet në përqindje relative mes komuniteteve kulturore-fetare në Shqipëri

    E pse u dashka ditur kjo? Ka ndonje projekt Libanizimi apo si? A po te jete se u dashkan regjente per cdo kult madhor fetar sic beri ‘nemcja’ ok..por c’i duhet nje republike laike nje statistike e tille?

    Une asnje censusi nuk i besoj po nuk e bene Austriaket.

    1. Sa kohë që në Shqipëri ka besime të ndryshme, njerëzit shkojnë në kisha e xhami, bëhen synet e pagëzohen, atëherë të dhënat për komunitetet fetare janë të nevojshme. Nëse nuk janë për ty dhe për mua, janë të nevojshme për të tjerët. Sigurimi dhe publikimi i këtyre të dhënave është pjesë e detyrimeve që ka shteti ndaj taksapaguesve.

      Aq më tepër, në rastin konkret, këto të dhëna ekzistojnë dhe “dihen” – censusi vetëm sa do t’i korrigjonte, duke i përafruar me të vërtetën. Por edhe sikur censusi të mos i ofronte, me frikë se do të përçanin, do t’i ofronin komunitetet vetë, të cilat kanë mënyrat e tyre të numërimit. Prandaj unë të dhënat që jep censusi nuk i shoh si mbyllje të një zgavre, por si ripërmasim të një raporti të mirënjohur.

  7. Shifrat e censusit që pruri Xhaxhai në shkrimin e tij janë vërtetë të habitshme.
    Nuk ka mundësi që në Shqipëri të jetojnë vetëm 6.75% ortodoksë, në qoftë se përpara 70 vjetësh kanë jetuar 20%. Unë ndarjen në 70-20-10 e marr për të mirëqenë për kohën kur është bërë numërimi i popullsisë, ngaqë nuk di të ketë ekzistuar ndonjë platformë veçanërisht anti-ortodokse apo anti-kristiane në fillimshekullin e XX në Shqipëri. Fetë në atë vend kanë qenë të lira dhe vëmendja e pushtetmbajtësve të kohës nuk ishte e fokusuar tek nevoja e ndryshimit të të dhënave statistikore të popullsisë. Në përgjithësi në kohën 1912 – 1939 shteti i ri shqiptar ka funksionuar në mënyrë serioze dhe veprime të karakterit thjeshte administrativo-juridik nuk kanë qenë funksion i pasioneve politike apo ideologjike.

    Lëkundja e konstatuar së fundmi në përqindjen e ortodoksëve mund të ishte e mundshme nëse do të krahasoheshin shifra që do të mbulonte një segment kohor prej disa brezash, segment kohor, në të cilin një komunitet i caktuar i është nënshtruar një lloj asimilimi fizik e kulturor tejet të dhunshëm për të qenë dot i parikthyeshëm.
    Po a ka ndodhur një gjë e tillë me ortodoksët shqiptarë?
    Natyrisht që jo. Përkundrazi! Kështu që ata 20% ortodoksë lindën po ata 20% ortodoksë që do të duhet të rezultonin edhe sot në statistika.
    Ai 13% i të pyeturve, të cilët thonë se nuk i përkasin asnjë komuniteti përsëri duhet ndarë proporcionalisht sipas modelit 70-20-10, ngaqë t’i përkasësh apo jo një komuniteti fetar në Shqipërinë e sotme, është diçka që ndodh për të njëjtat arsye për të gjithë.

    Dy shembuj të thjeshtë:

    “unë nuk besoj në Zot (Krishtin apo Muhametin), ngaqë i besoj natyrës”.

    Ose “unë i besoj Krishtit pas 11 Shtatorit” dhe si kundërvënie: “unë i besoj Muhametit, ngaqë “kaurët” po marrin një çikë si shumë revansh”.

    Përndryshe shqiptari aktual nuk ka ndonjë lidhje të veçantë me Hyjninë dhe feja është një nga të vetmet të mira publike, e cila nuk ka vlerë financiare në treg, siç është përkatësia në një forcë politike. Kush i beson Edi Ramës apo Enver Hoxhës është publikisht më i rrezikuar, se kush i beson Ilir Metës apo Sali Berishës, dhe në këtë rast mund të pritej që shifrat të ishin shumë më konjukturale, sikur të mblidheshin publikisht.

    Unë kam jetuar në Korçë për shumë vite të fëmijërisë, pra në një komunitet të përzier dhe nëse ju hedh një sy emrave të njerëzve që më kanë rrethuar publikisht në mënyrë të rastësishme (shkollë, lagje me pallate të reja), më rezultojnë gjysmë për gjysmë.

    Edhe ndjesia që kishim ishte e tillë. Askush nuk e shihte veten si pjesë e një pakice dhe çdokush ishte i ndërgjegjshëm për këtë. Përshtypja ime është, se nëse ndonjë nga komunitetet do të rrëshqiste nën kuotën e 1/3, ndjesia e një pakice do të krijohej menjëherë.

    Në Korçën time të fillimviteve ’80 në gjimnaz dikur u bë si një lloj loje konstatimi i “ish-feve”. Të krishterët ishin “kaurë” dhe myslimanët ishin “skura”. Epitete të ngarkuara tepër negativisht, por ne i përdornim thjeshtë në kuptimin konvencional dhe nuk na bënin ndonjë përshtypje. Më kujtohet që ishim aq të vëmendshëm sa të bënim edhe nën-ndarje të tilla si “kaur-evgjit” apo “çoban”.

    Ku shkuan të gjithë këta “kaurë”, që nuk figurojnë në statistikat zyrtare të sotme? Ikën në Greqi? Rrojnë në Boston? Ndoshta, por nga ana tjetër në Gjermani, ku punoj prej mbi 20 vjetësh me komunitetin shqiptar, kur është fjala për atë kosovar më rezultojnë si nja 10 katolikë, ndërsa ata “tanët” janë jashtëzakonisht rrallë të krishterë.
    Dhe këtë ua them me garanci, pasi u shikoj rregullisht dokumentet.

    Parë trashë apo hollë, shqiptarët e kanë lënë Shqipërinë proporcionalisht dhe ndoshta vetëm përsa i përket destinacioneve ndryshojnë për sa i përket përkatësisë fetare.

    Këtu ka ndodhur një anomali dhe shkaqet ndoshta duhen kërkuar në një predispozicion anti-ortodoks për të ndryshuar peshën specifike të këtij grupi.

    Ndjesia e përgjithshme përpara censusit ishte që myslimanët do të binin nën 50% dhe ndoshta me këtë frikë censusi u organizua në mënyrë të tillë, që deklarimi i përkatësisë ortodokse të krijonte tek deklaruesi një ndjesi negative.

    Megjithatë ndoshta ju vjen për ndihmë diçka që rastësisht hedh dritë më shumë se çdo census.

    Numëratori telefonik i seleksionuar sipas vlerës numerike të numrit të telefonit të abonentit.

    Shihet këtu:

    http://www.fajtori.com/numratori/index.php?action=qytet&start=0&orderby=3&qyteti=19&emri=&mbiemri=&adresa=&mblike=&emlike=

    Për Korçën me dha këto rezultate:

    Nga 60 “te anketuar” rezultojnë 39 të krishterë (k), 12 myslimanë (m) dhe 9 janë firma, autoritete ose të panjohur.

    42037 Topciu Dashamir Rr.ramadan Isak 1 KORCE m
    42038 Firma Union Teksil KORCE
    42039 Bicolli Vangjo Bll.i Ri Vilave KORCE k
    42040 Dishnica Pandora Rr Th. Germenji Pall 2 B/3 KORCE k
    42041 Seiti Emine Rr.partizani P 3 A/7 KORCE m
    42042 Dervishaj Ilirjan Rr.ajet Gjindolli P.11 B/8 KORCE m
    42043 Kambura Arqile Rr:bll.i Ri Sport P.1(k.k) KORCE k
    42044 Josifi Perikli Rr: 1 Maj Pall 15/13 KORCE k
    42045 Kutrolli Perparim Rr:xh C Lubonja Pall 25 B/ KORCE
    42046 Pili Jorgaq Rr : Llaske Shuli No 1 KORCE k
    42047 Stratoberdha Sotiraq Rr: Bul Republika No 31 KORCE k
    42048 Filiali Albtelecom Maliq KORCE m
    42049 Beri Anastasi Rr.1 Maj P.11 B/5 KORCE k
    42050 Simaku Maqo Rr.jorgo Plaku 36 KORCE k
    42051 Kristo Gjergji Rr : KiÇo GreÇo Pall 4/3 KORCE k
    42052 Koka Gjergji Rr: Midhi Kostani Pall 3 A KORCE k
    42053 Keshilli I Rrethit Sekretaria Rr: Bul Republika KORCE
    42054 Sulollari Xhafer Rr: 28 Nentori Pall 4/13 KORCE m
    42055 Karamelo KoÇo Rr.viktor Eftimiu P 4 B/7 KORCE k
    42056 Adhami Juli Rr: Papakristo Negovani No KORCE k
    42057 Milo Jani Rr: Gjergj Kastrioti Pall4 KORCE k
    42058 Sako Edison Rr.kico Drenova P.18 A/4 KORCE k
    42059 Treska KiÇo Pall Ptt B/4 KORCE k
    42060 Anastas Luiza Rr: Sotir Gura No 7 KORCE k
    42061 Rora Albert Blloku Demokracia Pall 2 A KORCE k
    42062 Gusho Koste Rr: 8 Nentori Pall 2 C/10 KORCE k
    42063 Kotelli Vangjush Rr: Pano Xhamballo Pall 14 KORCE k
    42064 Filipi Albert Rr: Vojo Kushi No 4 KORCE k
    42065 Kurila Artur Rr: 28 Nentori No 49 KORCE k
    42066 Bode Dhimitraq Rr.kong.i Manastirit 5 KORCE k
    42068 Dhimitri Vasilika Rr. 1 Maji P.l.k. Shb/9 KORCE k
    42069 Firma Verko KORCE k
    42070 Bandilli Klodi Rr;kico Greco Pall 6 B/12 KORCE
    42071 Bicolli Mihallaq Rr: Viktor Eftimiu P.30/9 KORCE k
    42072 Xhukellari Muhamer Pall.xhamia B/25 KORCE m
    42073 Baze Edmond Rr;mihal Sharxhi Pall1/15 KORCE m
    42074 Bratko Maksi Rr: Midhi Kostani 7-katshi KORCE k
    42075 Kodra Skender Rr: Rexhep Telhaj Pall 14 KORCE m
    42076 Lubonja Ilo Rr: 29 Nentori No 19 KORCE k
    42077 Gramo Gjergji Rr: Jani Duro No 47 KORCE k
    42078 Polena KiÇo Rr: Sotir Mero No 24 KORCE k
    42079 Drejt.bujqesise Drejtori Rr: Bul. Republika KORCE
    42080 Temo Piro Blloku Demokracia P.1 B/19 KORCE k
    42081 Plasa Piro Rr.alqi Kondi 55 KORCE k
    42082 Bashkia Kryetari Rr: 28 Nentori KORCE
    42083 Riza Niko Rr: Bul Republika No 64 KORCE k
    42084 Lera Thoma Rr: Stavri Vangjeli Pall 2 KORCE k
    42085 Lavdari Xhemal Rr: Todi Vogli Pall 4/6 KORCE m
    42086 Lindraku Gazi Rr: Midhi Kostani Pall.4 A KORCE m
    42087 Ali Irfan Rr S.kacidhja Nr 15 KORCE m
    42088 Maxhe Vasil Rr: Fore Çunoti No 6 KORCE k
    42089 Firma Saft Ish Parku Tregetise KORCE
    42090 Firma Silvestar KORCE
    42091 Cule Robert Rr: Fan Noli No 64 KORCE k
    42092 Stillo Petraq Rr: Dhori Luarasi No 15 KORCE k
    42093 Kajno Gjergji Rr;fan Noli KORCE
    42094 Fajzullaj Maksim Rr.petraq Shomo P.20 B/2 KORCE m
    42095 Treska Sofika Rr;vasil Tromara 38 KORCE k
    42096 Duni Josif Rr: Dhori Luarasi No 22 KORCE k
    42097 Mano Zhuli Rr: Vangjel Ballta Pall 1 KORCE k

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin