NËNTORI I VETMISË SË MADHE

Tani që kaluan disa javë pas kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë anembanë hapësirës shqiptare, ka vend për një tjetër lloj qasjeje ndaj ngjarjeve.

Deri më sot mediat janë përqendruar në pozicionimin haptazi kombëtarist, në kufi të irredentizmit, të kryeministrit Berisha, i cili bëri të vetin një diskurs që ishim mësuar ta dëgjonim nga AKZ-ja dhe të tjera lëvizje jashtëparlamentare.

Gjithsesi, ky diskurs tashmë është përqafuar prej të gjithëve, duke u kthyer në emërues të përbashkët të programacionit politik të partive – çka do të thotë se e ka humbur edhe atë kuptim që mund të kishte pasur, duke ruajtur vetëm shënjimin “edhe unë.”

Por, ndërsa rrëmbushja kombëtariste e kalkuluar e Berishës nuk i ka shpëtuar kujt, fare pak analistë, komentatorë dhe politikanë e kanë parë të udhës të vërejnë dhe të interpretojnë një aspekt shumë më domethënës, të zhvillimeve politike publike të atyre ditëve:

Faktin që shqiptarët e kremtuan 100-vjetorin e Pavarësisë praktikisht të vetëm, po të mos llogaritim kryeministrin anti-europian të Hungarisë Viktor Orban dhe Rita Orën.*

Me pak përjashtime që e bënë edhe më të dhimbshëm rregullin, festimet e mëdha të Jubileut u shpërfillën nga të gjithë: shtetet fqinje, shtetet mike, organizatat ndërkombëtare.

Festa më e madhe e shqiptarëve mori pamjen e pritjes tradicionale, nga Kryeministri në fund të vitit, të ambasadorëve të akredituar në Tiranë.

Dhe meqë pavarësia e një shteti ka, në thelb, edhe kuptim relativ, ose ekziston edhe në marrëdhënie me njohjen e saj prej shteteve të tjera, kjo mungesë e madhe mysafirësh në kremtimet shqetëson; meqë duket sikur ne festojmë, por të tjerët bëjnë sikur nuk na shohin.

Se çfarë i bëri këta të tjerë të mos vinë, për këtë mund të diskutojmë. Maqedonasit dhe grekët u tërhoqën në momentin e fundit, pas poplave kombëtariste të Kryeministrit tonë në Shkup e gjetiu; italianët ndoshta ishin të ngecur në krizë politike (siç janë gjithnjë); por nuk gjej dot arsye për të tjerët, veç supozimit se ata nuk i tërheq asgjë në Shqipëri: as vendi, as zhvillimet politike dhe ekonomike, as edhe elita politike, me Sali Berishën në krye.

Shto këtu edhe faktin që kjo indiferencë përkoi me vendimin për ta lënë Shqipërinë edhe këtë herë jashtë Europës, për të kuptuar se kemi vërtet një problem të madh në duar; ose që elefanti jo vetëm ka hyrë në dhomë, por edhe ka vendosur të banojë aty.

Mungesa e miqve të huaj të nivelit të lartë, gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, nuk mund të interpretohet përveçse si një izolim i ri i Shqipërisë, pas atij totalitar.

Dhe nëse i pari ishte i vetimponuar, ky tjetri kushedi vjen ngaqë Shqipëria e Berishës dhe e elitës së tij politike të papërgatitur dhe hipokrite nuk po i ofron dot asgjë me interes Europës dhe botës – veç gënjeshtrave, shtirjeve, armëve dhe plaçkave të përdorura, pëllitjeve, kacafytjeve të brendshme të shëmtuara, kriminalitetit, korrupsionit dhe, në përgjithësi, papjekurisë totale të treguar në tryezë me të tjerët.

Kur përfytyroj këtë izolim të ri, më vjen ta krahasoj me ca skena në vagonat e metrosë në NYC, kur qëllon që hipën dhe ulet ndonjë i pastrehë: për shkak të erës së rëndë të trupit të palarë të të porsahyrit, njerëzit fillojnë e largohen një nga një, si pa rënë në sy, dhe vagoni vjen e boshatiset; madje edhe sikur të jetë orë piku.

Nuk di të them nëse nacionalizmi i rizbuluar nga një elitë politike e njohur për jargavitjet e saj ndaj të huajve është pasojë e kësaj ftohtësie të Europës, apo katalizator i saj. Ka të ngjarë të jetë edhe ashtu edhe kështu. Megjithatë, në parim, asnjë vizion apo axhendë kombëtariste nuk mund të merren seriozisht, pa simpatinë e miqve të shumtë, në rajon dhe në botë.

Gjendesha në Tiranë gjatë festimeve, dhe u pikëllova nga numri i pakët dhe cilësia e ulët e mysafirëve që erdhën; deri edhe Enver Hoxhës do t’i kishin ardhur më shumë kryetarë partish marksiste-leniniste (edhe pse ky nuk do t’i kish lejuar të hapnin punimet e darkës qeveritare). Është e lehtë dhe e volitshme të bësh me faj për këtë “armiqtë” e shqiptarizmit, madje ta përdorësh këtë pastaj si argument, për të ushqyer edhe më tej afshet kombëtariste.

E megjithatë, vështirë të heqësh nga mendja përshtypjen se Europa nuk na do kështu siç jemi katandisur politikisht; dhe kjo do të ishte katastrofë diplomatike dhe strategjike, së paku për të gjithë ata që integrimin europian e kanë vënë në ballë të programeve të tyre politike.

*Një listë relativisht e plotë e shtetarëve të huaj mysafirë në kremtimet e 100-vjetorit të Pavarësisë mund të gjendet këtu.

Nuk ka komente

  1. Lista ne fakt jep disa emra te rendesishem, perveç Orbanit, si Fini psh, pastaj kryeministrat e Kroacise, Sllovenise, zvkryeministri i Turqise, zvkancelar i Austrise, Presidenti malazez, e ndonje tjeter.

    Teorikisht, per arsye simbolike, Italia dhe Austria mund te prezantoheshin pak me mire.

    Nga ana tjeter, nje feste kombetare si Pavaresia nuk shkon mire me Brukselin, i cili ne aspektin afatgjate synon heqjen e Pavaresise.

    Ajo qe me ben pershtypje eshte mungesa e Gjermanise, se nga Franca s’pres gje.
    Gjermania ishte shtylla kurrizore e Italise dhe Austro-Hungarise dhe tashme eshte bere shtylla kurrizore e Europes.
    Jo tamam Merkelin, se i duhet pune te na gjeje ne harte, po ndonje figure e dyte mund te vinte.

    Mendoj se mungesa e ftesave te prites per Berishen nga vendet europiane eshte akt i mjaftueshem nga ana e tyre per te treguar mospajtimin me politiken qe ai ndjek ne Shqiperi.

    Mosardhja ne 100 vjetor tregon mungese respekti per shqiptaret si komb dhe Shqiperine si shtet.

    Prandaj, une do mjaftohesha me rifreskimin e listes se miqve ose me mire te jomiqve te shqiptareve ku do fusja edhe Gjermanine.

    Nga ana tjeter boshti franko-gjerman jep nje sinjal tjeter, qe Shqiperia s’ka per te hyre ne Europe per nje kohe te gjate, na e kane mbyllur deren dhe s’kane ndermend ta hapin.

    Por, kjo s’do te thote detyrimisht izolim i ri, do te thote se ka ardhur koha qe shqiptaret te kerkojne kontekste te tjera, sepse sot me shume se kurre, si pasoje e teknologjise, largesite perbejne me pak pengese.

    Po ambasadori i famshem hollandez pati ndonje rol apo duhet te kishim integruar ndonje parade te tipit gay pride qe te zinte rolin e nderit ?
    E te mendosh qe hollandezet erdhen per te formuar xhandarmerine e ushtrine e pare te shtetit.

    Besoj se kjo feste, pertej Berishes, Rames, sistemit shqiptar, na thote se duhet te jemi me te kujdesshem, ndaj atyre qe na flasin gjithe kohen per te na treguar udhen e duhur, por pastaj s’vijne te marrin pjese ne gezimet e hidherimet tona.
    Akoma me te kujdesshem ndaj atyre qe s’vijne te marrin pjese ne gezimet tona dhe behen njekohesisht protagoniste te hidherimeve tona, si kjo puna e Hollandes psh.

  2. Po si mund te pranohet nje ftese per nje feste (qofte ajo edhe e madhe) kur te behet nga nje kriminel si Sali Berisha? Sa me shume plaket aq me teper behet nje kopje e shemtuar e Enverit.

  3. Mysafiret e huaj qe erdhen jane ata qe kane stomak te forte e hunde te dobet. Era kuterbuese qe leshon ‘elita’ politike e Tiranes nuk i pershtatet parimeve higjenike te Evropes jo-periferike.

    Nderkohe le te kujtojme qe era e qelbur qe i vjen Shqiperise eshte pikerisht efekt anesor i ‘stabilitetit’ qe kerkon BE-u.

    PS: italianet s’e kane problem te eksportojne plehun ne Shqiperi…C’u duhet atyre te shkojne te festojne 100 vjetorin e kazanit te plehrave? “Il paese di fronte” ka humbur edhe cilesine e vetme qe kishte per ta: si rezervat gjahu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin