MUZIKA E BRUBECK-UT

Nga Read Me

brubeckNdoshta për një pjesë emri Dave Brubeck nuk thotë asgjë. Per dikë që ndjek muzikën jazz  sjell ndërmend menjëherë një nga pjesët më të njohura të jazz-it, krejt e veçantë, e dallueshme prej modalitetet muzikor standard të jazz-it.

Dave Brubeck dhe Kuarteti i tij mbeten një nga bandat muzikore më të njohura, jo vetëm në vendin e jazz-it, në Amerikë, por edhe në botë. Javën qe shkoi Dave Brubeck vdiq në një moshë të shtyrë. Po përpiqem të kujtoj pak gjëra, por që mendoj se kanë diçka domethënëse për dashamirësit shqipfolës të jazz-it.

Rrëfimi përsiatet vetëm rreth një grusht emrash apo titujsh muzikorë. Take Five, Stompin’ for Mili (Gjon Mili), metri dhe ritmet ballkanike, Blue Rondo A La Turc, etj.

Take Five (nuk flitet për lotarinë e New York-ut), e kompozuar në 1959 është titulli i një pjese tepër të njohur të jazzit në repertorin e grupit muzikor të Brubeck-ut. Është ngulitur në kujtesën time muzikore (megjithëse në atë kohë akoma i mitur), jo vetëm nga transmetimet e Radio Tiranës, por edhe nga që luhej nga bandat muzikore e dëgjohej shpesh në lulishtet e Tiranës në orët e vona në vitet 60 – 70të. Mbaj mend, kur luanim në gjysmerrësirë kukafshehtësi rreth statujës të Stalinit tek Parku Rinia, apo ulur me prindërit në tavolinat rreth pistës ku kërcehej dhe ne i gëzoheshim “bollëkut” të kohes: bërxollave, birrës akull të ftohtë, apo akulloreve, nën ritmin e jazz-it të Brubeck-ut. Në atë kohë të largët, dinim fare pak për origjinën e kësaj pjesë kaq të veçantë jazz-i, megjithëse shumë të popullarizuar e që pëlqehej shumë. Vonë kam arritur t’i jap një domethënie: perse ndjeheshim kaq kongjenial veçanërisht me modalitetin muzikor të kësaj pjese?

Muzika është kompozuar nga saksofonisti i quartetit, Paul Desmond. Metri muzikor i kompozimit është 5/4, i ndryshëm nga ritmi standard i jazz-it:  4/4 ose 3/4. Kjo shpjegon edhe titullin, që ka të bëjë me numëruesin e thyesës muzikore (metrit) që përdoret, – 5-sës. Për Desmond-in, nuk ishte një ndërmarrje e lehtë, por ishte ngulmimi i Brubeck-ut që pjesa mundi të niste jetën e saj muzikore kaq të suksesshme. Suksesi i Take Five, duke u bërë pjesë e “mainstream-it” (rrymës mbizotëruese) muzikor, është pazgjidhshmërisht i lidhur me tonet dhe ritmin e melodisë të saj, që kapen me lehtësi nga veshi i çdo dëgjuesi, siç thuhet në anglisht, muzika e saj ka një “catchy melody”.

Kongjenialiteti i im (në se me lejohet, i jonë) me të, ndoshta lidhet me diçka më thelbësore; ndjeshmërinë tonë ndaj ritmit muzikor ballkanas. Frymëzimi për këtë transformim në stilin muzikor ka ardhur nga kontakti i kuartetit me muzikën e folkut turk, të luajtur prej ahengxhive muziktarë nëpër rrugët e Stambollit. Njihen influencat e muzikës turke në Ballkan, e veçanërisht në Shqipëri, ku shpesh haset metri ekzotik i Lindjes së Mesme. Brubeck-ut iu desh të punonte me muziktarët lokalë në Stamboll, për të përvetësuar dhe adaptuar këtë stil kaq të ndryshëm muzikor. Një nga momentet më shokuese që të mban pa fryme është edhe pjesa solo e bateristit Joe Mollino (ndiqni linkun më poshtë).

Nëpërmjet përdorimit të muzikës ekzotike të rajonit, Brubeck-u bëri të mundur edhe kompozimin tjetër të njohur Blue Rondo A La Turc, ku metri kompleks ballkanik (influenca turke) 9/8 është kombinuar me metrin e thjeshtë të jazz-it 4/4. Brubeck-u ka një episod interesant në lidhje me kombinimin e ekzotikes ballkanike me swing-un e muzikës blues/jazz.

I befasuar dhe njëkohësisht i mrekulluar prej ketij ritmi muzikor ekzotik, Brubeck-u pyeti një nga ahengxhitë turq se nga e kishin marrë këtë ritëm të çuditshëm. Përgjigja ishte e papritur: – “Ky ritëm është për ne, siç është blues-i për ju”. Duke mësuar këtë dhe dëgjuar muzikën, marrim me mend përse Brubeck-u e titulloi pjesën “Rondo blu allaturke”. Sikurse edhe kuptojmë përse intonacionet muzikore të rondos allaturke janë kaq afër muzikës që jemi mësuar të dëgjojmë. Amerikanëve të swing-ut tradicional, nuk i vjen e lehtë të kërcejnë nën ritmin e një jazz-i të tillë. Por kërcimtarët ballkanas e gjejnë veten lehtësisht nën ritmin e një kombinimi të tillë.

Stompin’ for Mili është një improvizim jazz-i, bazuar në një kompozim të hershëm të George and Ire Gershwin-it, i njohur si Oh Lady, be good! (Zonjë, silluni mirë!); më vonë pjesë e një prej shfaqjeve muzikore në Broadway me të njëjtën titull. Është tepër e njohur në variantin blues/jazz të kënduar nga Ella Fitzgerald. Improvizimi instrumental i kuartetit të Brubeck-ut është i njohur si “jazz-i kushtuar Milit”. Stompin(g) është një folje anglisht që përshkuan një lloj ekzaltimi muzikor, ku(r) përzihen notat e veglave të ndryshme muzikore që luajnë nën një ritëm sinkopatik (duke ndërprerë, ndërhyrë, e krijuar një përplasje, përzierje ritmesh të ndryshme, thyerje të vijës melodike jashtë harmonisë të pritshme), për të krijuar efektin e një atmosfere të ndezur, plot tension, tejet të ngarkuar emocionalisht.

Është fjala për fotografin e famshëm Gjon Mili. Mili, i cili në atë kohe njihej si një patron i muzikës jazz, promovues i një numri të konsiderueshëm artistësh. Nëpërmjet artit fotografik, si vlerësues e njohës i muzikës jazz, Mili konsiderohej një mik i mirë i muzikës, duke nxjerr në pah artistë të këtij zhanri muzikor, ku spikasnin të zinjtë. Në vitin 1954, Mili ishte në zenitin e karrierës si fotograf; kishte drejtuar filmin e shkurtër Jammin’ the Blues. Filmi kishte adaptuar ekspresionizmin e artit evropian në teknikën e xhirimit, duke e transformuar dokumentarin në një forme efikase popullarizuese të jazz-it. Kishte mundur të ngjallte e nxiste në publikun e kohës idenë e jazz-it si një formë e veçantë ekspresive, që i dorëzohet improvizimit e spontanitetit, por duke qëndruar në këmbë, krejt me vete si formë muzikore.

Brubeck-u dhe kuarteti i tij në atë kohë ishin akoma në fillimet e veta. Brubeck-u nuk dallohej akoma për një stil të veçantë, vulën e tij artistike; madje konsiderohej si pak i ngrirë, jo shumë fleksibël dhe jo fort imagjinativ. Një nga grafistët e revistës Time, në rolin e agjentit muzikor, kishte mikluar Milin që të perfshinte kuartetin e Brubeck-ut në xhirimet e dokumentarit Jazz in the Movies. Mili nuk ishte fort i bindur se kuarteti e meritonte një nder të tillë duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij.

Një mosbesim, shpërfillje e tillë do të prekte e nervozonte këdo, aq më tepër egon muzikore të Brubeck-ut, të vënë para një sfide të tillë. Pas provave të para, Mili nuk e fshehu zhgënjimin e tij duke bërtitur: – “Përshtypja e parë nuk më gaboi”. Për Milin, Brubeck-u nuk kishte atë që duhej për t’u konsideruar për një nder të tillë. Kjo sjellje e Milit, në dukje e ashpër e pa takt, e nxiti Brubeck-un që të provonte para mjeshtrit fotograf se, ai kishte atë që duhej. Siç kujton Brubeck-u “gjaku filloi t’i ziente”. Kështu që pjesa e Gershwin-it “Zonjë, silluni mirë!” (mund të vihet re metaforizmi ndaj gjestit të Milit), u transformua në një improvizim origjinal kaq vibrues, plot zemërate e dell inatçor, duke e detyruar Milin të ndryshonte sjellje e mendim për kuartetin. Ishte një moment kthese për karrierën muzikore të grupit.

Mili u soll siç edhe pritej prej tij, i cili se fundi, dinte të vlerësonte talentin e të pranonte atë. Mili i befasuar, në vrullin e entuziazmit që e karakterizonte kur ndeshte art të mirëfillte, thirri në anglisht: “ – You’re hot! By God you’re hot! Don’t stop now!” Habinë dhe shpërthimin e Milit revista Time e përdori si titull në shkrimin në nder të kuartetit të Brubeck-ut. Improvizimi muzikor që ndryshoi mendjen e Milit, u perfshi në albumin muzikor Brubeck Time, kushtuar mjeshtërit fotograf; akoma sot njihet si Stompin’ for Mili. Titulli përcjell vibrimin dhe tensionin e krijuar nga përplasja; zhgënjimi i Milit e protesta e Brubeck-ut, katalizatore që i hapen udhën zemëratës plot talent muzikor. Jazz-i duke qenë improvizues e spontan nga natyra, krijon mundësi imagjinative të tilla, duke shpërthyer krijimtarinë dhe talentin muzikor.

Një nga kompozimet e tjera të përfshira ne albumin Brubeck Time, i kushtohet Audrey Hepburn, aktores të njohur. Mili e njihte nga afër këtë artiste të brishtë të kinematografisë amerikane. I kërkoi Brubek-ut që jazz-i i lehtë, ndryshe nga momentet plot tension të Stompin’ for Mili, t’i mundësonte atij, Gjon Milit, të imagjinonte artisten tek ecte me brishtësinë e saj mes pemëve të pyllit.

PS. Shkrimi i kushtohet pasionit të Xha Xhait për jazz-in.

Për të krijuar një imazh muzikor më të plotë për titujt e përmendur sa më sipër, po jap link-un për çdo titull në YouTube:

Take Five (si interpretim ky variant filmik më pëlqen më shumë, veçanërisht Joe Mollino dhe Paul Desmond)

Stompin’ for Mili

Blue Rondo A La Turc

Audrey

 

Nuk ka komente

  1. Artikull i bukur. Humbja e Brubeck u celebrua nè gjithè botèn muzikore …

    “perse ndjeheshim kaq kongjenial veçanërisht me modalitetin muzikor të kësaj pjese?” – thotè autori.
    Po provoj tè pèrgjigjem nèpèrmjet njè arsyetimi “teknik” qè nuk di si ta shmang. Pjesa e famshme “Take Five” èshtè konceptuar fillimisht nè mi bemol minor pentatonik, ku tema bazè (pèr ata qè nuk njohin tastierèn) èshtè e egzekutuar vetèm me “taste tè zeza”. Vetè shkalla pentatonike (pesè tinguj dhe jo 7, si shkalla diatonike) èshtè tipike pèr muzikèn tonè popullore tè jugut, shumè mè e vjetèr se shkalla diatonike (kam parasysh sistemin maxhor minor) e lindur artificialisht, pa harruar qè kètè shkallè e gjejmè nè lindjen e largme, midis indianève tè Amerikès etj .. njè intonacion mjaft familjar pèr ne.
    Megjithse ritmi 5/8 pèrdoret nè muzikèn tonè popullore, kujtoj nè ato vite kur improvizonim pjesèn dhe saksofonisti ynè, vuante nè atakun e hyrjes sè tij, jo fort i zakont pèr fillim fraze …
    Kur autori flet pèr egzekutimin e saj nga bandat muzikore, kam dyshimin se me “banda muzikore” nuk ka ndèrmènd formacionet e mèdha frymore, tè pranishme nè tè gjitha qytetet tona, por formacione tè vogla, qè luanin vetèm nè lokale, brenda dhe jashtè, nè qytete kryesore si Tiranè e … ndoshta dhe “Vollga” nè Durrès.

  2. Interesant shkrimi, me pelqeu !

    Une Brubeck ( sikur jazzin ne pergjithesi ), e kam shijuar duke kaluar nje here nepermjet rockut.
    Kur albumi “In Rainbow” i Radiohead u vleresua me Grammy vite me pare, nje prej kengeve me perfaqesuese te tij ishte “15 step”, realizuar pikerisht ne 5/4.
    Kjo pastaj me coi automatikisht te Brubeck, prej te cilit nuk u ndava me 🙂

  3. Take five, pothuajse per 4-5ore rrjesht kishte ngelur duke u riperseritur te dielen e kaluar. Mjaftojn ato 7-8 batutat e para te asaj trombe te asaj”ngritur”, per te te mbajtur “lidhur”.

  4. Read me, falemnderit për këtë shkrim dhe për dedikimin!

    E kam edhe unë një histori timen me të famshmen Take Five.

    E kam pasë dëgjuar në një kohë kur, ende shumë i ri, nuk e kisha idenë se kush ishte Dave Brubeck.

    Këtë pjesë e transmetonte radio RAI në mënyrë të rastësishme, ose për të mbushur boshllëqet midis një emisioni dhe tjetrit të radhës.

    Vërtet, në ato vite (flas për vitet 1970) gjëra të tilla ndodhnin; dhe boshllëqet s’mund të mbusheshin me reklama, sepse minutat e reklamave ishin të përcaktuara me ligj; nuk mund të tejkaloheshin.

    Ashtu qëllonte që, ndonjëherë, të jepej Take Five.

    Unë kur rrija në shtëpi, zakonisht kur studioja, e lija gjithnjë radion të sintonizuar te RAI.

    Take Five më ngacmonte pa masë, për shkak të ritmit. Ishte një ritëm që, përndryshe, nuk e dëgjoje shpesh në muzikën perëndimore.

    Read Me e shpjegoi mirë – ne shqiptarët e kemi pasur të lehtë ta shijojmë këtë ritëm, sepse jemi rritur me të, dhe të tjerë edhe më të ndërlikuar.

    Një profesor imi i kitarës (Aristotel quhej, mbaj mend që vdiq shumë i ri), na pat thënë atëherë se ka deri edhe drejtues orkestrash, në Perëndim, që nuk dinë si ta luajnë ritmin 7/8.

    Gjithsesi, Take Five nuk kish vetëm ritmin e vet të çuditshëm; por edhe ritmin me të cilin e transmetonte RAI.

    Tek e fundit, kjo ka qenë magjia e radios: aftësia për të të kapur në befasi.

    Ti mund të rrije madje edhe një vit në pritje që ta dëgjoje atë pjesë, dhe nuk e dëgjoje dot; pastaj një ditë prej ditësh, të hynte në dhomë pa të trokitur.

    Nuk e kërkoje ti, por të kërkonte ajo.

    Të mistershme kanë qenë ato momente të zbrazëta, që përndryshe do të ishin përkthyer në heshtje.

    Ndonjëherë mund të dëgjoje edhe frymëmarrjen e folësit, në anën tjetër të mikrofonit, duke pritur që të vinte ora e duhur për të folur.

    Take Five, përkundrazi, i përkiste një bote tjetër – ku nuk merrej frymë. Edhe pse shtjellohej në kohë, si çdo pjesë tjetër muzikore, vinte e freskët, pothuajse perfekte në tempon e saj të thyer (teke).

    Ndonjë formulues muzike, në RAI, do të ketë qenë i magjepsur edhe ai pas asaj tempoje, dhe e ka zgjedhur pjesën që të shërbejë si filler; ose si materie elementare, pjesë të eterit radiofonik.

    Jo muzikë sfondi, por shfaqje lakuriqe e materies së errët.

    Se ashtu ka qenë radioja në atë kohë; përveçse medium komunikimi, edhe një si lloj teleskopi (apo vallë stetoskopi?) që na lejonte të përgjonim të rastësishmen: çfarë do të vijë tani? Çfarë kënge do të jepet?

    E papritura nuk lidhej vetëm me lajmin, as me fjalën; por edhe me vajtje-ardhjet e së priturës, ose të diçkaje të njohur.

    Diçka si gjurma e ndritshme e një meteori në qiell; e rëndomtë, dhe njëkohësisht e papritur – ndryshe nga konfigurimet e yjeve, të planeteve, madje edhe të kometave.

    Kur ishte puna për fillers, folësit e radio RAI-t asnjëherë nuk njoftonin për muzikën që sapo ishte transmetuar; emrin e muzikantit, titullin e pjesës; aq sa dukej sikur, gjatë atyre minutave kur radioja “regullonte frymën”, ndërhynte një transmetim i një lloji tjetër, nga një burim tjetër.

    Dhe, në ato vite, kur radioja nuk e identifikonte një pjesë muzikore, ajo mbetej e paidentifikuar përgjithmonë.

    Ose e titulluar “ajo pjesa.” Sa gjenerike dhe e përgjithshme nga emri, aq unike për nga mbresa që linte në kujtesë.

    Janë gjëra që ta mbrujnë identitetin, sikurse të gjitha rastësitë e tjera kritike.

  5. Xha Xha faleminderit por postimin e menjehershem te shkrimit dhe hapjen e portave te kujteses. Ndaj momente te ngjashme…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin