SANREMOJA E KAPUR NË KRONOLOGJI

Shumë u fol këto ditë për impaktin e Festivalit të Sanremos në Shqipërinë totalitare – dhe ashtu edhe u përvijua, si edhe herë të tjera, një kujtesë e rreme, ku mistifikimi ia ka zënë vendin korrektësisë historike.

Më poshtë po përpiqem të vë pak rregull, në kaosin e ah-eve dhe të uh-eve; duke përcaktuar një kronologji.

Festivali i Sanremos filloi të mbahej, në Itali, në vitin 1951. Në atë kohë publiku shqiptar, ende i apasionuar pas muzikës italiane edhe për shkak të historisë së afërt, e dëgjonte në radio, sepse aparatet televizive pothuajse nuk ekzistonin.

Për herë të parë Festivali u transmetua drejtpërdrejt nga RAI në janar të vitit 1955 – edicioni i 5-të.

Në Shqipërinë e viteve 1960, veçanërisht në qytetet e mëdha, Sanremoja gëzonte një farë popullariteti që pa hyrë në qarkullim televizorët e parë, të cilët u vinin si dhuratë privatëve nga të afërmit që kishin jashtë; ose shiteshin në dyqanin me valutë.

RAI filloi të ndiqej rregullisht në Tiranë në fund të viteve 1960, kur edhe regjimi instaloi dhe aktivizoi një ripetitor në Dajt, i cili furnizonte kryeqytetin dhe rrethinat me sinjal të fortë dhe të qartë. Më parë sinjali kapej më mirë zakonisht në verë, dhe varej nga pozicioni (dhe lartësia) e antenës.

Këto ishin edhe vitet e shkëlqimit të Sanremos në Itali dhe gjetiu: një nga koincidencat kryesore të kësaj historie.

Megjithatë, le të mos harrohet se numri i atyre që e shihnin Sanremon në televizion mbetej i paktë, për shkak të përhapjes shumë të kufizuar të televizorëve, në Tiranë dhe gjetiu.

Njerëzit e dëgjonin festivalin në radio, ose mblidheshin për ta parë në shtëpitë e atyre që kishin televizion.

Regjimi mbante qëndrim zyrtar kritik ndaj Festivalit; por nuk e ndalonte, as i përndiqte ata që e dëgjonin. Mbaj mend që edicionin e vitit 1970, të cilin e fitoi Adriano Celentano me Chi non lavora non fa l’amore, e sulmoi gazeta “Drita”, duke e cilësuar këngën fituese si “grevëthyese”; ndërsa këngën e suksesshme të Sergio Endrigo-s, që fitoi çmimin për tekstin më të mirë, e akuzoi për ekzistencializëm (për shkak të vargut “che fatica essere uomini…”).

Përndryshe, aq popullaritet kish Festivali, sa mbaj mend që këngën “Jesahel”, të grupit Delirium, e kemi kënduar – ne kalamajtë e klasës së 8-të – në një klasë të shkollës “Avni Rustemi” në pushim; derisa erdhën dhe na thanë ta mbyllim. Kush ka qenë atje, do ta mbajë mend.

Sanremoja e fundit, që u transmetua në Tiranë përmes ripetitorit të Dajtit ka qenë ajo e vitit 1973, që u fitua nga Peppino di Capri, me këngën “Un grande amore e niente più.”

Vetëm pak javë më parë, në dhjetor të vitit 1972, ish mbajtur në Tiranë Festivali i 11-të, ose versioni shqiptar i Sanremo-s.

Plenumi i 4-t i KQ të PPSH, ai që dënoi liberalizmin në kulturë dhe në art, u mbajt në qershor të vitit 1973. Pas kësaj, në tetor ose në nëntor të atij viti – por këtu mund ta gaboj muajin – u ndërpre edhe transmetimi i sinjalit të RAI-t nga ripetitori i Dajtit, për Tiranën (me përjashtim të edicioneve të përditshme të lajmeve dhe eventeve sportive që ende do të lejoheshin).

Ndërkohë, edhe për Sanremon në Itali kishin ardhur kohë të vështira: i pari Festival, që nuk u ndoq nga Tirana ishte ai i vitit 1974, i fituar nga Iva Zanicchi, me “Ciao cara come stai?”; por shitjet e disqeve morën tatëpjetën; për të mos folur për protestat e shumanshme, censurën, intrigat, grevat e jurive dhe të pjesëmarrësve dhe ndërhyrje të tjera turbulluese. RAI transmetoi vetëm natën e fundit të festivalit.

Në një kohë që muzikë-dashësit në Shqipëri ende vajtonin vitet kur ishin në gjendje ta ndiqnin Sanremon lirisht dhe nivelin artistik të eventeve të shkuara, Festivali i Sanremos, në Itali, hyri në krizë. Edicioni i vitit 1975 u bojkotua nga shtëpitë diskografike kombëtare, çfarë bëri që shumë emra të njohur të mbeteshin jashtë konkurrimit (lexoni këtu për më tepër kontekst).

Fituesja Gilda, dhe ajo e vendit të dytë Angela Luce dhe pjesëmarrës të natës së fundit, si Rosanna Fratello, Valentina Greco, Lauro, Franco e le Piccole Donne, Le Nuove Erbe, Nico dei Gabbiani e plot të tjerë nuk do të linin ndonjë gjurmë të spikatur në historinë e muzikës së lehtë italiane.

Paraliza e përgjithshme, në pjesëmarrje dhe në ide, vazhdoi edhe në vitet 1976, 1977, 1978, 1979 e më tutje. Këto festivale nuk linin ndonjë gjurmë jo vetëm në Itali dhe gjetiu në Perëndim, por as në Shqipëri – edhe pse kish ende nga ata që i dëgjonin. Në Itali ishte inercia, që i mbante gjallë; mbase edhe për Shqipërinë mund të flitet për inerci.

Këto ishin edhe vitet e përhapjes masive të televizorëve në Tiranë dhe në Shqipëri (tashmë të prodhuar në Durrës, në stil autarkik); dhe të ambientimin me mediumin televiziv të një brezi që Sanremon e njihte më shumë si mit të dekadës së mëparshme, të shpenguar dhe liberale; por në këta televizorë RAI-t do t’ia zinte vendin, pashmangshëm, “(jugo)sllavi”.

Ndërkohë, në Italinë e viteve 1980, megjithë përpjekjet për t’ia rindezur shkëlqimin Sanremos nëpërmjet rikthimit të yjeve të viteve më parë (si Domenico Modugno, Ricchi e Poveri dhe Al Bano e Romina, Massimo Ranieri), Sanremoja sërish mbeti në periferi të zhvillimeve muzikore të mirëfillta në Itali, duke anuar gjithnjë e më shumë nga spektakli dhe, në analizë të fundit, nga karnavali.

Prandaj edhe rënia e përgjithshme e interesit për Sanremon në Shqipëri nuk ishte aq rezultat i politikave represive të regjimit të Hoxhës, sa ç’ishte efekt i krizës së atij lloji eventi në Itali, përballë suksesit të jashtëzakonshëm të brezit të kantautorëve, nga Lucio Battisti, te Claudio Baglioni, Fabrizio de Andre, Francesco De Gregori, Edoardo Bennato, Lucio Dalla, Mia Martini, Antonello Venditti, Paolo Conte, Pino Daniele, Gianna Nannini, Franco Battiato, Riccardo Cocciante, Vasco Rossi, Zucchero dhe plot të tjerë.

Deri edhe Gianni Morandi dhe Adriano Celentano-ja arritën ta ri-shpikin veten si artistë, duke u distancuar njëfarësoj nga skenat e preferuara të “borgjezisë” italiane dhe të spektaklit bosh.

Në përfytyrimin tim, Sanremoja dhe publiku shqiptar u afruan shumë në një moment fatlum të fundviteve 1960 – kur vetë festivali kish gjetur një ekuilibër mes novacionit artistik dhe appeal-it për publikun e gjerë; dhe kur Shqipëria intelektuale dhe artistike po e kthente fytyrën nga Perëndimi.

Çfarë nuk e kuptuam ne atëherë në Tiranë dhe gjetiu; dhe çfarë disa ende refuzojnë ta marrin parasysh, është se kriza represive në Shqipëri, pas plenumit IV, përkoi me krizën artistike dhe ideologjike të vetë Sanremos, mu në ato vite. Festivalit, si të thuash, i ra vrulli njëkohësisht, edhe këtej edhe andej Adriatikut, edhe pse për arsye të ndryshme.

Edhe sikur regjimi të mos e kish shkëputur kordonin umbilikal të ripetitorit të Dajtit, që e lidhte ultësirën bregdetare me Italinë me rrugë televizive, publiku shqiptar do të ishte zvjerdhur vetvetiu nga cilësia e dobët në mos mjerane, dhe pesha e lehtë e edicioneve të viteve 1975-1985.

Ka ndonjëherë mes ngjarjeve historike një paralelizëm që nuk shpjegohet dot: nëse kthesa politike në Shqipërinë e pas Plenumit IV nuk mund të interpretohet veçse si konservatore, pas viteve të liberalizmit, përkundrazi, ajo që ndodhi në Itali pas vitit 1973 (dhe krizës energjitike të viteve 1970) erdhi si rezultat i fuqizimit të sindikatave dhe të së majtës (PCI), dhe dobësimit të pushtetit demokristian ndaj kulturës masive dhe mass mediave.

Një tiranas i rritur me radion italiane dhe RAI-n e fillimviteve 1970, do ta kish të vështirë të ri-ambientohej me televizionin italian të dekadës pasuese.

Në fakt, brezi im iu rikthye RAI-t italian dikur nga fillimvitet 1980, duke përfituar nga një ripetitor jashtë kufirit shtetëror, që transmetonte sinjal të mirë të RAIUNO-s, që nga Jugosllavia – por, ngaqë atyre valëve u mbivendosej, me funksion zhurmues (jammer), sinjali i RTSH-së, ndiqnim vetëm programet e vona, pasi Tirana i përfundonte transmetimet; dhe ashtu mëkoheshim më shumë me kulturë, se me spektakël.

Përndryshe, vitet 1974-1985 duhen kujtuar si vitet kur brezi i ri, të paktën në Tiranë, u ushqye sa nga Radio RAI, aq edhe nga radio-televizioni jugosllav. Njerëzit vërtet i mbyllnin dyert dhe dritaret, por jo për të parë Sanremon: përkundrazi, për të parë Tangon e fundit në Paris, të Bertolucci-t, të transmetuar nga RTJ2; një film që RAI nuk do ta transmetonte dot kurrë, sepse tejet transgresiv, madje pornografik.

Sa për televizionet e Berlusconi-t, të cilat u përfolën rëndë në Itali gjatë viteve të ekzodit shqiptar, duke u akuzuar si karremi që i kish tërhequr refugjatët në brigjet e Puglia-s, këto patën ndikim – nëse patën – në shtresat më pak të kulturuara, të viseve bregdetare; meqë në Tiranë sinjalet e tyre nuk mbërrinin.

Si event kulturor dhe i spektaklit, Sanremoja ndoshta doli përfundimisht nga kriza në vitet 1990, të cilat ishin edhe vitet e fitores së Luftës së Ftohtë për Perëndimin (dhe Italinë) hapjes totale të Shqipërisë ndaj botës (dhe Italisë). Por kjo histori nuk mund të rrëfehet këtu, sepse nuk ka relevancë; pa çka se shumë shqiptarë sot, edhe mes elitave, e ngatërrojnë njërën kohë me tjetrën dhe e interpretojnë Sanremon të sheshuar, si objekt mitologjik, të pandryshueshëm në valencën e vet subversive dhe anti-totalitare.

Për ta përmbledhur: deri para Plenumit IV, në Shqipëri Sanremoja ndiqej me shumë interes, dhe askush që e ndiqte nuk persekutohej (si mund të persekutohej njeri, kur sinjalin e RAI-t e amplifikonte vetë shteti i Hoxhës?); pas Plenumit IV, Sanremoja nuk do të ndiqej më, por shkak për këtë ishte sa ndryshimi në politikat e regjimit ndaj mediave të huaja, aq edhe kriza që përjetoi Sanremoja vetë. Për këtë arsye, edhe ata që e ndiqnin muzikën italiane nëpërmjet radios (këtu fut edhe veten), Sanremon nuk e kishin më në listë, sepse nuk ngrinte peshë në logjikën e gjërave.

Prandaj edhe, mes atyre që përfunduan të përndjekur nga regjimi pse dëgjonin muzikë të huaj, nuk besoj të ketë pasur amatorë të ndezur të Sanremos; edhe pse me siguri do të ketë pasur adhurues të mitit të Sanremos – tek e fundit, edhe regjimi i druhej më shumë mitit, se realitetit vetë; meqë miti do të ishte më i vështirë për t’u çrrënjosur, siç e tregon edhe mbijetesa e tij sot e kësaj dite.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi në media të tjera. Kundërvajtësit do të përndiqen ligjërisht.

Imazhi në kopertinë: Këngëtarë të Festivalit të Sanremos në vitin 1961.

2 Komente

  1. Ju dashka thene Ivano Fossati-t (sa eshte gjalle) qe kengen e tij e kendonin kalamajt ne shkollat e Tiranes, ne vitin e larget… 1972!

    Edhe kete; e megjithate, me gjithe uljet e ngritjet e Sanremos, ka diçka qe ka mbetur pak a shume konstatnte ne ate festival: edhe pse, eshte e vertete qe disa si Baglioni apo Nanini e Battiato nuk ja pane kurre deren Sanremos, te tjere si Vasco Rossi apo Zucchero kane kaluar qe ç’ke me të nga Sanremo, sikurse disa te tjere si Gino Paoli, Druppi apo Berté kane pranuar here pas here të ‘stare al gioco’ e ti rikthehen atij here pas here (po ta mendosh mire, jane ndofta ata më te sinqertet ne kete histori)

  2. Duke qene se vitet ’60 kane patur vale RAI me te rregullta se ne vitet ’70, por ne anen tjeter ne Tirane kishin televizore kete kohe vetem familje te zgjedhura, (besoj nje per pallat, e ndoshta kjo ka qene edhe nje arsye per liberalizmin shteteror ndaj valeve te RAI-t), jehona e Sanremos duhet te kete qene me e perhapur permes radios. Persa i perket pastaj nivelit artistik, kjo besoj mbetet si gjithnje nje teme subjektive deri diku. Vitet ’70, qe i kam perjetuar vete si femije, por pa televizor deri nga ’76-’77, kjo jehone Sanremo ekzistonte gjithashtu, por vetem 1 jave para nisjes dhe nja dy jave pas mbarimit. Per fatin e keq dhe ne ndryshim me Durrsin, ne Tirane RAI kapej me veshtirsi ne dimer, ose thuajse fare, nderkohe -sic thuhet dhe me lart- TV1-Beogradi dilte me paster. Ne kete situate, ne lidhje me Sanremon, shkon dicka edhe shprehja: larg syve, larg zemres.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin