CILIT FYELL T’I BIEM

Meqë jemi në temë, dhe meqë tema duket sikur ngjall interes dhe është, pa dyshim, me interes, duhet të cek edhe një aspekt tjetër të marrëdhënieve mes gegërishtes dhe standardit, në momentin e tanishëm.

Çfarë do të them i kam thënë më parë dhe ndoshta edhe më mirë; por ia vlen të rikujtohen, për ta saktësuar kornizimin e debatit.

Autorët që duan t’ia kundërvënë gegërishten – në çfarëdo forme – standardit, e realizojnë këtë gjakim në mënyra të ndryshme, shpesh të papajtueshme mes tyre.

Ka një palë, e cila i përkushtohet thjesht lëvrimit publik të traditës letrare të gegërishtes, p.sh. të shkodranishtes ose të kosovarishtes, krahas standardit; por pa ndonjë pretendim për t’i bërë karshillëk, ose për ta zëvendësuar këtë të fundit.

Ka një palë tjetër, e cila kërkon të integrojë në standard elemente të gegërishtes – jo vetëm fjalë, por edhe forma gramatikore (paskajoren, pjesoren e dyformëshe), elemente fonetike, etj.

Të parët, kërkojnë rivendosjen ose rikthimin e një statusi pluralist, së paku për disa nivele të ligjërimit publik, të ngjashëm me atë të Shqipërisë në vitet 1930; edhe pse nuk duket të synojnë që, për shembull, t’i kenë edhe ligjet ose rregulloret të shkruara në gegërishten letrare, paralelisht me versionet standard.

Të dytët kërkojnë rishikimin e standardit, ndonjëherë edhe rithemelimin e tij, në bazë të zhvillimeve sociale, demografike dhe kulturore të këtyre 20 vjetëve të fundit; ose ndryshimin e kësaj kushtetute gjuhësore, në përgjigje të ndryshimeve në vetë strukturat e shtetit, të hapësirës publike dhe të marrëdhënieve të krahinave me kryeqytetin; ose edhe të (ri)shfaqjes së Kosovës si realitet i përditshëm në komunikimin brendakombëtar.

Këto qëndrime nuk pajtohen mes tyre; madje kam dëgjuar një prej partizanëve më të flaktë të lëvrimit të shkodranishtes të thotë se, që nga momenti kur ua hapim rrugën integrimit në standard të formave të tilla si paskajorja gege, shkodranishtja letrare do të goditet për vdekje për së dyti – një qëndrim ky që, paradoksalisht, përkon me atë të shumë gjuhëtarëve të cilët e mendojnë integrimin e paskajores gege në standard si fatale për standardin vetë, i cili nuk do ta përballonte dot këtë farë risimi, për arsye thjesht strukturore.

Sfida më e madhe, për të parët, është nëse mund të rimëkëmbin një traditë letrare, e cila është ndërprerë një herë dhunshëm, për shumë e shumë vjet. Megjithatë, unë besoj se më të mirët mes tyre kanë treguar se kjo është e mundshme; duke u mbështetur edhe në ndërmjetësimin gjuhësor të ndonjë autori të shquar, si Martin Camaj, midis së vjetrës të gijotinuar dhe së resë që s’i janë mbyllur dot fontanelat.

Sfida më e madhe, për të dytët, është përkundrazi të bindin të tjerët se standardi duhet rishikuar dhe, sidomos, ta ndërmarrin këtë rishikim, i cili kërkon një mobilizim organizativ dhe përkushtim njerëzor të jashtëzakonshëm.

Mbështetësit e rishikimit e shohin standardin si relike të një periudhe të kapërcyer, kur elita toske e dalë fitimtare nga Lufta kontrollonte të gjitha pushtetet në Shqipëri; prandaj edhe duan ta ndryshojnë tani, në pajtim me ndryshimet e mëdha në raportet e forcave në pushtet, ndonjëherë edhe duke e përfytyruar 1990-ën si datë të fitores ose të revanshit të gegëve, deri atëherë të keqpërfaqësuar në shtet, në pushtet dhe në qytetari.

Kjo, për mendimin tim, është e gabuar; sepse sa kohë që e lidhim standardin me klanet, krahinat dhe fiset në pushtet, vetë standardi nuk do të funksionojë dot mirë, duke mbetur i cenueshëm nga vullnetet e palëve; në një kohë që thelbi i standardit ka të bëjë me pandryshueshmërinë e tij, sikurse ndodh me çdo standard tjetër; çka nuk e përjashton reformën, por vetëm si një status përjashtimi, ose pezullimi të realitetit.

Rruga e të parëve është më e ndershme, sa kohë që ata e kanë një traditë të spikatur, nga ku të ushqejnë, me intertekstualitet, diskursin e tyre. Mbetet për t’u parë nëse gegërishtja e tyre letrare e ringjallur do të arrijë të mbetet gjallë dhe funksionojë normalisht, e shartuar në realitetet e reja shoqërore; sa kohë që shkodranishtja klasike i përgjigjet një strukture të shoqërisë shqiptare, e cila është kapërcyer tashmë.

Të dytët, përkundrazi, rrezikojnë të mbjellin kaos në komunikimin publik dhe t’i japin edhe shprehje e mveshje gjuhësore segmentimit të rëndë politik dhe social, sidomos mes elitave me dhe pa pushtet.

Natyrisht, në asnjërin prej dy grupeve nuk bëjnë pjesë ata shkrimtarë, publicistë dhe lëvrues të tjerë të shqipes, të cilët kërkojnë të integrojnë në leksik fjalë të gegërishtes; sepse ky integrim, ose përfshirje, është karakteristik për standardin, që nga sanksionimi i tij, në kuptimin që struktura leksikore e standardit gjithnjë ka qenë dhe mbetet e hapur ndaj elementit geg, që për arsye të ndryshme ende nuk është përfshirë në leksikun standard. Prandaj përpjekjet për të futur në përdorim fjalë të gegërishtes, brenda standardit, unë i shoh si shprehje të përpjekjeve për ta kultivuar dhe përmirësuar standardin, jo si sfida ndaj tij.

(Astrit Cani shkruante sot, në MAPO, për një redaktore që ia kish zëvendësuar ca fjalë gege në përkthimet, sepse nuk i kishin tingëlluar mirë; unë besoj se kjo drojë e redaktores nuk është veçse reaksion hiperkorrekt prej një profesionisti të fjalës, ndaj një meraku tashmë real, se mos disa rebelë të rastit “po na i prishin standardin”. Ka edhe të tillë, ushtarë ende të groposur në llogoret, të frikësuar më shumë nga heshtja sesa nga vetë beteja, dhe të harruar kushedi edhe prej vetë komandantëve të tyre.)

Qëllimisht lashë pa përmendur, më lart, një palë të tretë, e cila përfaqëson një masë të keqarsimuar shqiptarësh me prejardhje nga zonat më të prapambetura të vendit, të cilët pamundësinë e tyre për t’u integruar gjuhësisht po duan ta kompensojnë, me rrugë “demokratike,” duke kërkuar, herë verbazi e herë më shkoqur, “një shqipe të re”; të cytur për këtë edhe nga demagogët, që kulturës shqiptare sikurse edhe politikës s’i kanë munguar kurrë.

Të tretët janë viktima të diskriminimit politik dhe social, të djeshëm dhe të sotëm; është e neveritshme të shohësh e të dëgjosh ata politikanë populistë dhe politikues gjithfarësh, që inferioritetin e këtyre viktimave të padrejtësive të përsëritura duan ta shndërrojnë në armë për të marrë dhe konsoliduar pushtetin, qoftë edhe thjesht nëpërmjet gjeografizimit të dasive politike.

Nuk ka komente

  1. Kembengulja per ta mbajtur debatin ne formen e kundervenieve te tilla si: dialekt tosk-dialekt gege;standard-shkodranishte-kosovarishte, eshte ne fakt nje shmangje nga problemi real(te cilin e permend edhe XhaXhai , kur flet per palen e dyte), qe ka te beje me ndryshimet e medha ne hapesiren shqiptare.

    Ndryshimet ne strukturen sociale, politike, ekonomike do ta kene ndikimin e tyre (ne fakt kane filluar ta kene) edhe ne strukturen kulturore e shpirterore. Ne lemin shoqeror, ky eshte nje ligj po aq i vlefshem, sa cdo ligj elementar ne shkencat e sakta.
    Pikerisht, ndryshime te tilla imponuan , ne mesjete dryshimin e standardit latin dhe zevendesimin e tij me italishten vulgare!Natyrisht , edhe ne ate kohe ‘latinistet’ flisnin per “vullnet” te perbashket per ta ruajtur gjuhen e kultures;per presion nga vulgu i frustuar nga inferioriteti,injoranca apo nga thjeshte fakti i te qenit i tille! E megjithate zhvillimet reale social-politike dhe ekonomike rezultuan shume me shume percaktuese , sesa “vullneti” per ruajtur standardin latin.

    I gjithe debati per standardin ( e perseris ), nuk do te kishte asnje vlere, asnje pike vlere , nese do te flitej vetem per RSH. Ata ,qe merren seriozosht me ceshtjen , e kuptojne me mire se askush tjeter kete rrethane.Kosova, ceshtja e bashkimit(sidoqe te vije e sidoqe te jete ai), e ben krejt te pavlere ,sidomos, debatin fallc standardiste-shkodraniste, dhe i ve te gjithe perpara nevojes per te bere dicka.Se cfare eshte kjo ‘dicka’ , kjo pastaj eshte ceshtje e profesionisteve.

    Mund te vihet re me lehtesi, qe pothuaj te gjithe ata qe jane kunder ndryshimeve(standardistet), kur vjen puna tek bashkimi me Kosoven, ose heshtin(pjesa me e madhe), ose jane kunder, ose ose…na flasin per dy shtete shqiptare ne Ballkan(!) ,duke mos kuptuar se keshtu ushqejne ndjesi akoma me te theksuara tribale.

    Kam pershtypjen se gjithcka ka lidhje me friken; ndjenjen me te natyrshme njerezore: friken ndaj ndryshimit.

    1. “Pikerisht, ndryshime te tilla imponuan , ne mesjete dryshimin e standardit latin dhe zevendesimin e tij me italishten vulgare!Natyrisht , edhe ne ate kohe ‘latinistet’ flisnin per “vullnet” te perbashket per ta ruajtur gjuhen e kultures;per presion nga vulgu i frustuar nga inferioriteti,injoranca apo nga thjeshte fakti i te qenit i tille! E megjithate zhvillimet reale social-politike dhe ekonomike rezultuan shume me shume percaktuese , sesa “vullneti” per ruajtur standardin latin.”

      Te kujtoj vetem nje gje: procesi i zevendesimit te latinishtes me italishten vulgare zgjati qindra vjet. Filloi se paku ne krye te viteve 1200 me “poetet siciliane”, kaloi permes “De Vulgari Eloquentia” te Dantes (1304), zuri te piqej me perpjekjet normezuese te Bembos (1525), per te ardhur deri te Accademia della Crusca (1600 e tutje) dhe nuk mbaron ketu, por po e le me kaq se nuk dua te bej historine e italishtes. Dua vetem te them se pas 400-500 vjetesh te jesh i sigurt se edhe standardi yne do te kete ndryshuar mjaft.

  2. (Astrit Cani shkruante sot, në MAPO, për një redaktore që ia kish zëvendësuar ca fjalë gege në përkthimet, sepse nuk i kishin tingëlluar mirë; unë besoj se kjo drojë e redaktores nuk është veçse reaksion hiperkorrekt prej një profesionisti të fjalës, ndaj një meraku tashmë real, se mos disa rebelë të rastit “po na i prishin standardin”.

    Se pari, ata qe e njohin mire boten editoriale shqiptare, e dine se pershkrimi i Canit eshte krejtesisht i sajuar, nuk eshte i vertete. Nuk ka shtepi botuese ne Shqiperi me redaktore qe te nderhyjne ne zgjedhjet stilistikore dhe leksikore te autorit, perndryshe botimet shqiptare nuk do te dilnin me aq shume gabime drejtshkrimore e lajthitje tastiere. Perveç rasteve kur vete autoret jane gjuhetare, nuk ka botime ne Shqiperi ku te mos gjesh nje mori gabimesh drejtshkrimore ne çdo faqe. E kam fjalen per gabime prej padijes e jo zgjedhje te vetedijshme e koherente te autorit. Sikur shtepite botuese te kishin redaktore nga ata qe pershkruan Cani, para se te benin zevendesime fjalesh, do te kishin ndrequr gabimet e shumta drejtshkrimore dhe gramatikore.
    Se dyti, vertet sistemi leksikor i standardit eshte i hapur ndaj prurjeve dialektore apo neologjizmave, por qe keto te nguliten ne standard, propozuesi a propozuesit duhet te gezojne nje prestigj dhe autoritet te larte kulturor dhe shoqeror. Cani tash per tash nuk hyn nder keta. Mjafton te kujtojme dhjetera fjale gege apo neologjizma qe kane hyre ne perdorim te pergjithshem permes vepres se Kadarese.
    Para do kohesh lexova nje artikull te “Corriere della Sera” me nje liste me neologjizmat qe kane hyre dhe jane pranuar tashme ne italishte keto dhjete vitet e fundit. Perkrah seciles fjale ishte emri i autorit qe e perdori i pari si edhe libri, numri i faqes, data dhe gazeta ku u shfaqen se pari. Behej fjale per emra nga Umberto Eco deri te Giuliano Ferrara. Sikur t’i kishim shkruar une a ti, nuk do te na i kishte pranuar kush.

    1. …”Para do kohesh lexova nje artikull te “Corriere della Sera” me nje liste me neologjizmat qe kane hyre dhe jane pranuar tashme ne italishte keto dhjete vitet e fundit. Perkrah seciles fjale ishte emri i autorit qe e perdori i pari si edhe libri, numri i faqes, data dhe gazeta ku u shfaqen se pari. Behej fjale per emra nga Umberto Eco deri te Giuliano Ferrara. Sikur t’i kishim shkruar une a ti, nuk do te na i kishte pranuar kush….”

      Kete qyteti tim e kane mare ne dore nje ekstrem i majte politik, dhe megjithese eshte nje nga qytet me te bukura qe kam pare e jetura, can vendosur ta bejne edhe ca me te bukur…
      Ketu, anet e rrugeve qofshin te vjetra apo te reja, mbahen e mbillen me peme. Pemet jane te llojeve te ndryshme por per zbukurim.
      Keshilli i qytetit me politikezen e tyre korrekte, ka marre vendim qe tani e tutjen te pedoren “food bearing trees”.

      Gazetat filluan te talleshin: “njerezit normal i quajne “peme frutore”.

    2. Nuk e kuptoj sesi Vehbiun e han meraku i redaktorit dhe e quan me nji lapsus frojdjan, “reaksion” ne vend qe me e quejte “reagim”. Fiks per “reaksion” bahet fjale Vehbi. Asht reaksioni se mos keta, qe ne ua hoqem qytetarin, po na e fitojne prape.

      Njiherit nuk e kuptoj si mundet ky njeriu me pseudonim (Relapso) me me akuzue se rrej, kur mundet krejt mire me kontrollue librin “Rruga” botimet Dudaj, redaktor S. Cekani. Une ngulmoj se shprehja “film horror” nuk mund te bahet “film me tmerre” sikunder “film western” nuk mund ta bahet “film me sherifa” pasi, ne shum “filma western” nuk ka sherifa fare, ka vetem kauboj… Njiherit, nuk e kuptoj pse kane kaq frike nga sfumaturat, p.sh. kur une ne perkthim perdor fjalen fundesire (fundesire grasoje a lyre), rendaktori ma ban “fund”!! Dhe ky na qenka reaksion hiperkorrekt! Po fundesire ekziston siç ekziston tretesire!
      Dhe keshtu nuk mund te perdorim asnji fjale ne shqipen letrare qe nuk e ka perdor as Kadareja, doganieri i vertete i gegnishtes. Po e perdori ai, do ta perdorim tane! Domethane se ju vazhdoni halà me kultet e personalitetit.
      A e kuptoni se ne Tirane, niveli asht kaq i dobet, sa çdo fjale letrare qe perdor, màkar te marre edhe nga Noli, ta quejne dialekt! Ngaqe kane kultin e Kadarese, i cili, ç’asht e verteta per nga leksiku nuk perdor ma shum se 2000 fjale gjithesej, si Georges Simenon qe shkruente dy romane ne muej.
      Ju keshilloj megjithate qe te lexoni nga une si perkthyes te pakten “Pyesni Pluhurin” apo “Rrugen” se do te kenaqeni… kurse ma muzikorja nga une asht Duhantorja, qe perkthyesi juej i afirmuem Tupja e pat kthye shum vjet para meje si Kioska e cigareve

      1. Do të ketë edhe ndonjë redaktor të atij kallëpi që thua, se Shqipërisë ndyrësirat nuk i mungojnë (përkundrazi, ka edhe për eksport). Por nuk hyn në atë grup Sejdin Cekani, të cilin e njoh dhe ia vlerësoj shumë punën dhe kujdesin si redaktor (më ka redaktuar dy libra). Nëse të ka ndërhyrë në tekst, veç mirë të ka bërë.

        1. Ardian paske mbete shum mbrapa mor burre: po si qenka mire qe “film horror” me ta ba “film me tmerre”, imagjino me te perkthye edhe produktin, “scotch-in” me ta ba “konjak skocez” etj… ia fut kot qe i del zot… dhe mos harro qe vepra e Londonit “Shqejza e bardhe” nuk ka si me qene “Dhembi i Bardhe”, pasi ai super-qen ka shqejza, pra dhambe qe shqyejne e jo dhambe qumeshti… pa keto ngjyresa na dalin te tane shkrimtaret e mire te botes, si me qene shkrimtare tonet

          1. Nuk ta konfirmoj dot nëse kam mbetur mbrapa apo jo; por ti ruaju mos e pësosh si Wile E. Coyote, duke e vazhduar pak vrapin edhe në hava mbi humnerë, në entuziazëm e sipër.

            1. ah, mos ma kujto Kanionin e Madh… shiko, te te tregoj nji te forte: une bana nji “quarta di copertina” per McCarthy-n e cila mbyllej me shprehjen… Mos ia jepni Nobelin Cormac McCarthy-t, dhe redaktori yt i preferuem i hoqi, se kujtoi se po e shaja McCarthy-n… e qyfyrshme, a po?

  3. “Te kujtoj vetem nje gje: procesi i zevendesimit te latinishtes…”
    Une nuk bera asnje lloj krahasimi ne kete aspekt, bile as ne ndonje aspekt tjeter.Jane dy procese te ndryshme. Gjithsesi kjo nuk me intereson aspak.

    Mora nje shembull sesi faktoret jashtegjuhesore ndikojne ne zhvillimet gjuhesore.

    Ajo qe doja te thosha une eshte qe ndryshimet sociale,politike, ekonomike imponojne ndryshime ne strukturen kulturore dhe shpirterore te nje shoqerie, dhe e solla kete si shembull, meqe ka lidhje me gjuhen.Perndryshe mund te kisha marre shembuj te tjere pafund, qe vertetojne kete fenomen shoqeror.

    (Eshte absurde te besh krahasime mes ndryshimeve ne mesjete me ato qe ndodhin sot! Eshte njesoj si te krahasosh posten me kale me posten elektronike !)

  4. Ti solle nje shembull dhe une u rreka te saktesoj perfundimet qe rrjedhin prej atij shembulli.
    Vertet qe ndryshimet sociale, politike, ekonomike sjellin ndryshime ne strukturen kulturore dhe shpirterore te shoqerise, por keto ndryshime te dyta nuk vendosen ne tavoline nga filani a fisteku; ato ndodhin natyrshem si pasoje e vetvetishme e ndryshimeve te para.
    Une nuk bera krahasime, thjesht iu permbajta krahasimit qe bere ti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin