MUNDËSIA DHE PAMUNDËSIA

nga Xhabyni

Zhvillimet që kanë ndodhur në teatrin e politikës së vendeve fqinje nuk kanë rënë në heshtje në mediat e vendit tonë, sidomos situata në Greqi. Gjatë kohës kur luhej akti i zëvendësimit të kryeministrit Berlusconi, aq shumë të papëlqyeshëm për shumicën e intelektualëve italianë (por jo vetëm) me një financier si Mario Monti, në lozhat e teatrit të madh të jetës qarkullonin shumë thashetheme për prapaskenat që sollën këtë kurorëzim.

Disa prej tyre pohonin se ishte vetë Merkel që e hoqi qafe kryeministrin qejfli të Italisë për t’i hapur udhën shpëtimit të Italisë, ndërsa të tjerë me po të njëjtën potencë propozonin se Mario Monti u vendos nga vetë Silvio. Por të dy grupet e lozhave binin dakord me faktin se Mario Monti ishte nga ata financierë që nuk kishin ndërmend të bëheshin politikanë, përkundrazi qëllimi i tij (të paktën deri më tani) është të shpëtojë Italinë. Nuk kaluan shumë kohë dhe Monti filloi të shtrëngonte rripat për të gjithë italianët duke u mësuar atyre se çfarë janë rregullat, pas disa muajsh ai arriti të paraqiste një plan që la gojëhapur pjesën më të madhe të BE-së madje nuk mbeti me kaq por filloi të kërkonte nga BE. Natyrisht që Monti nuk është aspak si Berlusconi, ai nuk është populist e as narcisist. I mungon dëshira për të qenë presidenti i një ekipi futbolli, njëkohësisht për të qenë trajner i po atij ekipi, pastaj menaxher lojtarësh, pronar mediash e kështu me radhë.

Për një moment më lindi një mendim, ani pse ekstravagant por edhe provokues, a mundemi që edhe ne të kemi një Mario Monti? Dikush mundet edhe të pyesë se përse na duhet një Monti?! Arsyet se përse duhet një Monti janë të shumta e prej tyre mund të veçoj tre:

Së pari. Një personazh i tillë do të ndihmonte në zgjidhjen, në mos kanalizimin e shumë prej ngërçeve që janë trashëguar që nga periudha e parë e tranzicionit deri në këto ditë. Probleme të tilla si prona, ish-të përndjekurit politikë, drejtësia ekonomike por edhe ajo sociale si dhe respekti ndaj institucioneve nuk mund të zgjidhen për asnjë lloj afati kohor nga politikanët të cilët mendojnë në çdo çast zgjedhjet e ardhshme dhe mosprishjen e qejfeve të atyre që i mbështesin ata në zgjedhje. Mirëpo pikërisht zvarritja e këtyre pikave kardinale ka sjellë edhe këtë tranzicion kaq të gjatë që nga çasti në çast mund të shpërthejë në një revoltë që nuk do të ketë asnjë qëllim tjetër veç shkatërrimit dhe shfryrjes së dufit që njerëzit kanë mbajtur dhe po mbajnë.

Së dyti. Një personazh i tillë do të ishte shumë i domosdoshëm për të na mësuar me zbatueshmërinë e rregullave dhe ligjeve si çdo qytetar i ndërgjegjshëm, sepse me sa po shikoj gjithnjë e më shumë qytetari i ndërgjegjshëm është gjithnjë e më i përbuzur nga shoqëria por edhe nga administrata. Taktika të tilla si dhënia e parave nën dorë një doktori, mësuesi apo edhe rojës së një spitali nuk ndodhin në formë sporadike dhe të fshehur, duke e lënë mëkatin në një rreth të mbyllur, por janë aq të hapura sa, në momentin që ti nuk pranon t’i japësh, atëherë ke probabilitetin më të madh për të mos e marrë shërbimin e duhur e për të fituar njëkohësisht edhe indiferencën e shoqërisë.

Së treti. Shqipërisë së këtyre viteve dhe këtyre ditëve u duhet një personazh që të jetë sa më pak populist, të dalë sa më pak në media dhe mundësisht të mos dijë asgjë më shumë se sa i takon të dijë një kryeministër; pra të dijë diçka atë që të mos flasë mbi gjithçka he për gjithçka edhe sikur t’i dijë të gjitha.

Mirëpo sa është e mundur që një personazh i tillë të hyjë në jetën tonë politike? Natyrisht që mundësitë janë, mbase ne nuk mund të nxjerrim një Mario Monti si ai përtej detit por kjo s’do të thotë që nuk mund të nxjerrim dikë që ka karakteristikat e tij qeverisëse po të paktën t’i afrohet. Por në këtë moment shtrohen dy pyetje tepër të rëndësishme: a do të mbetej personazhi ynë politik një teknicien që nuk do të mendojë për një të ardhme politike? A do të jetë ai aq i aftë dhe i fortë në karakterin e tij sa të durojë jo vetëm ëmbëlsinë që të jep pushteti por edhe presionin që ai të ofron? Të them të vërtetën nuk mendoj se mundet të nxjerrim një Mario Monti, profili i tij prej një intelektuali që vjen nga katedra universitare e Bocconit, një rektor i cili nuk i ka kompromentuar titujt e tij shkencorë me pazare të ulëta politike. Pra një person me integritet moral të lartë, një person të tillë nuk e shoh aspak tek ndonjë prej rektorëve të universiteteve tona dhe jo vetëm tek ato private (që nuk po i fus fare në ekuacion) por as tek ato shtetërore.

Nga ana tjetër, vëreni karakterin e tij nordik në politikat fiskale dhe ekonomike (http://www.project-syndicate.org/commentary/mario-monti-s-nordic-dream): zor se mund të gjendet në vendin tonë një person i cili të ketë një karakter të tillë në fushën e zbatimit të ligjit. Por edhe nëse ka atëherë ai është aq i margjinalizuar nga një shoqëri si kjo e jona saqë zor se mund të vijë deri atje ku ka shkuar Monti, duke qenë se pushteti nuk mundet ta pranojë në organizmin e tij. Pa folur pastaj për integritetin e tij moral dhe financiar, që është akoma më i vështirë të gjendet në shoqërinë tonë e mbushur me komplekse të trashëguara nga regjimi komunist.

Pra, le të flasim shkoqur, politikanët tonë e kanë të pamundur që të prodhojnë një specie të tyren që të mos jetë i prirur të shpërdorojë të mirën publike, të mos përfitojë nga prokurimet dhe të jetë i drejtë. Madje jo vetëm kjo klasë por me shumë mundësi edhe të rinjtë në politikë nuk janë të prirur të sjellin ndryshimet të cilat mund të prodhojnë një politikë të tillë. Nga ana tjetër intelektualët (dhe këtu fut edhe pedagogët e rektorët) nuk janë gjë tjetër, në shumicën e rasteve, vetëm se ushtarë të pushtetit (në cilindo kah të jetë ai) të cilët presin t’u vijë një llokmë nga sipër si shpërblim për veprimet e tyre. Ata nuk janë të lirë, jo vetëm politikisht por edhe ideologjikisht, në veprimet e tyre dhe ndërthurja e tyre me pushtetin më së tepërmi i bën intelektual të gënjeshtër (pushtetit) apo sofistë të pushtetarëve se sa intelektual mirëfilli në shërbim të kombit. Ani pse ndonjë prej tyre mund të ketë mjekër (si për të simbolizuar urtësinë) ajo është një shenjë në të cilën mbetet yndyre e tavës së ngrënë në sofrën e Partisë.

Në pak fjalë mund të them që ambienti intelektual dhe ai politik e ka të pamundur që të prodhojë një personazh të tillë por edhe vetë shoqëria jonë e ka të pamundur që të nxjerrë prej margjinalizimit ndonjë personazh të ngjashëm; por me arsyet e kësaj të fundit dua të merrem në një shkrim tjetër.

 

Nuk ka komente

  1. Historia e ardhjes ne pushtet te Mario Montit tregoi se demokracia eshte e vdekshme ( si cdo gje tjeter ne natyre), tregoi se “power that be” i ofrojne nje respekt hipokrit vullnetit te shprehur te njerezve, tregoi se njerezit nen demokraci kane tendence te budallallepsen deri ne iracionalitet (10.3 trilion euro eshte borxhi qe kane aprovuar me vullnet te lire qytetaret e 27 vendeve te Europes, me 500 miljon euro per vit, te paguara vetem ne interesa e plot e plot te tjera)

    Mario Monti eshte fundi i dickaje qe dihet dhe fillimi i dickaje qe nuk dihet.

    E kupton edhe ai vete, prandaj ngjan me fytyren e kaloresit te vrerosur sa here qe del ne skene..

    Kurse Berluskoni eshte fytyra e panem et circenses. Trashegimtar i vertet i Romes se kohes se princave. Prandaj hiq eliten, te gjithe te tjeret e duan.
    Dhe meqe jemi tek buka dhe cirku, pak rrjeshta para se te merret me to, Juvenal shruam edhe per votat dhe votuesit.
    S`kam pare njeri ti permendi.

    Por ndoshta s`e marrin vesh… tha.

    1. Historia e ardhjes ne pushtet te Mario Montit tregoi se demokracia eshte e vdekshme

      Ken Rogoff dhe William Reinhart ne librin e tyre seminal mbi historine e krizave financiare, flasin per rastin kurioz te Newfoundland, sot province e Kanadase. Po citoj me poshte sepse konkluzioni eshte tejet interesant. Premisa Newfoundland ndodhet ne ‘default’ te borxhit gjate viteve 1928-1933

      Historia politike e Newfoundland-it sot konsiderohet si nje kapitull i parendesishem i historise te Kanadase. Askush nuk eshte i ndergjegjesuar per ngjarjen e jashtezakonshme qe ndodhi atje gjate vite 30-te te shekullit te kaluar. Ajo qe ndodhi ishte qe Parlamenti Britanik dhe parlamenti i nje dominioni autonom rane dakord qe demokracia duhet ti nenshtrohet borxhit. Parlamenti me i vjeter i Perandorise Britanike pas atij te Westminster-it, u abrogua dhe 280,000 subjekte anglisht-foles qe kishin 80 vjet qe jetonin nen demokraci direkte, iu nenshtruan diktatures me dhune. Me pas qeveria Britanike perdori pushtetin e saj kushtetues dhe e shkriu ate shtet ne nje konfederate me Kanadane

      Le te mos harrojme qe i njejti marifet ndodhi edhe me shtetin e pare Grek pas revolucionit. Arsyeja pse monarket moderne greke ishin Gjermane ishte se Greqia moderna brenda 10 vjetesh ekzistence beri ‘default’ mbi borxhin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin