KUR TË EMANCIPON TJETRI (VII)

Për më shumë se dy dekada, dhe pikërisht gjatë viteve 1960-1980, Shqipëria ia mbylli dyert botës dhe përqafoi një politikë të jashtme paranojake dhe ksenofobike, të cilën pastaj e kompensoi, në imagjinatën kolektive, me kryemetaforën e rrethimit.

Rrethim donte të thoshte se nuk ishte regjimi në Tiranë, që e kish izoluar veten dhe shtetin dhe krejt shoqërinë shqiptare nga bota përreth, por përkundrazi, ishte bota mbarë që e kish halë në sy Shqipërinë dhe pushtetin popullor, dhe konspironte, djathtas e majtas, imperialistë dhe revizionistë, amerikanë dhe sovjetikë, për ta rrëzuar këtë regjim. Paranoja shndërrohej kështu në megalomani, nëpërmjet një formule të huazuar tale quale nga tekstet e psikiatrisë.

Si metaforë, rrethimi vjen me karakteristikat e veta, prej të cilave më intriguesja ka natyrë hapësinore; meqë Shqipëria e rrethuar vetvetiu do të ishte edhe qendra e rrethit, ose e rruzullimit; dhe bota mbarë ishte e kthyer me fytyrë drejt saj, edhe pse me qëllime aspak dashamirëse. Nëse periferia e këtij rrethi imagjinar ishte vendi gjeometrik i paranojës, qendra e tij ishte vendi gjeometrik i megalomanisë.

Nga ana tjetër, Shqipëria e rrethuar përfytyrohej rëndom si kështjellë (ose shkëmb graniti), çka ia shtonte një përmasë të tretë, vertikale, imazherisë së rrethit; meqë ne pozicionoheshim kështu jo vetëm në qendër të rrafshit, por edhe në një pikë më të lartë se rrethuesit; ne ishim lart, ata poshtë; ne ishim në mal, ata në fushë; ne ishim në qiell, ata në baltë; ne ishim “qyteti i ngritur në majë të malit” (the city upon a hill), për të cilin flet Krishti te Mateu (5:14), pra edhe “drita e botës”, të cilin të gjithë njëkohësisht e urrejnë dhe e admirojnë.

Kruja e Skënderbeut, veçanërisht gjatë rrethimit osman të vitit 1450, ofronte një paralele historike të përsosur për të tashmen shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX; sikurse edhe gojëdhëna biblike e Davidit dhe Goliatit. Në të dy rastet, i vogli kërcënohej nga i madhi, por fitonte, sepse e kishte të drejtën me vete.

Në aspektin dinamik ose agjentiv, metafora e rrethimit parakuptonte një modalitet reaktiv në marrëdhëniet tona me botën – sa kohë që ata na sulmonin dhe ne mbroheshim; ata ishin agresorët dhe ne viktimat; ata na kishin në grykë të pushkës (por edhe ne i kishim “në grykë të topit”); ata donin ta bënin Shqipërinë si veten, duke rrafshuar diferencat; ose duke rrafshuar vetë kështjellën.

Bota e jashtme, si bashkësi shtetesh, përfytyrohej kështu si një hapësirë homogjene, e përkufizuar jo aq si Tjetërsi, sa si dëshirë e Tjetrit për të hyrë tek ne, për të na e helmuar ajrin dhe, tek e fundit, për t’u bërë ne, nëpërmjet kolonizimit shpirtëror.

Sikurse dihet, Enver Hoxha e izoloi Shqipërinë nga bota kryesisht për të ruajtur pushtetin e vet, përkundrejt kërcënimeve reale dhe imagjinare që vinin nga fqinjët dhe aleancat ushtarake ndërkombëtare.

Kështu, kërcënimi jugosllav në fund të viteve 1940 ishte real, njëlloj sikurse kërcënimi sovjetik gjatë viteve 1960; ndërkohë që Perëndimi, pas dështimit të operacioneve me komando në vitet 1950, praktikisht po e shpërfillte krejt Shqipërinë dhe, nga vitet 1960 e këtej, interesohej vetëm e vetëm që kjo të mos i ribashkohej kampit lindor, duke u pajtuar me sovjetikët.

Megjithatë, dhe veçanërisht në vitet 1970, izolimi dhe autarkia nuk mund të përligjeshin më nga pikëpamja strategjike, duke u kristalizuar më tepër si forma të paranojës në krye të shtetit dhe të Enver Hoxhës vetë; dhe është pikërisht në këto vite, kur lidhjet ekonomike dhe kulturore me botën interpretohen si hapje dyersh ndaj rrezikut kolonizues (lufta kundër shfaqjeve të huaja në kulturë dhe art, lufta kundër liberalizimit në ekonomi), që rrethimi imperialisto-revizionist përdoret me energji të madhe, nga propaganda totalitare, si kundërmetaforë e izolimit.

Nuk jemi ne që izolohemi nga bota, por është bota që na mban të rrethuar. Nuk jemi ne, që kemi imponuar autarkinë në ekonomi, por është bota që ka vendosur një bllokadë ekonomike kundër nesh. Nuk jemi ne që i tutemi botës, por është bota që ka frikë nga ne; sepse ata mund të jenë imperializmi dhe social-imperializmi, por ne jemi revolucioni.

Herë-herë, metafora e rrethimit merrte edhe trajtat e një metafore tjetër, që për arsye të vetëkuptueshme do të mbetej e pashqiptuar: atë të karantinës. Në epidemiologji, karantina është një regjim izolimi në hapësirën gjeografike dhe sociale, që i imponohet një komuniteti të caktuar, për të bllokuar përhapjen e një sëmundjeje ose agjenti patogjen, nëpërmjet vendosjes së një kordoni sanitar, ose të një kufiri të papërshkueshëm midis zonës së infektuar dhe zonës së painfektuar.

Po të shfletohen dokumentet e kohës, dhe veçanërisht fjalimet e Enver Hoxhës, duket sikur, të paktën nga këndvështrimi i regjimit në Tiranë, infeksioni kishte pushtuar tashmë botën përtej, ose ushtrinë rrethuese (kampin armik); dhe izolimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve – tregtar, kulturor, turistik – synonte ta mbronte Shqipërinë nga rreziku i infektimit nga jashtë.

Në një varg fjalimesh që mbajti në vitet 1973 dhe 1974, Enver Hoxha e përshkroi mjaft qartë konceptin e tij për natyrën e infeksionit që do të mund të depërtonte në Shqipëri nëpërmjet kulturës, produkteve të tregut, shijeve dhe modës së huaj, ose edhe vetë bartësve të tyre. Nuk do të lejojmë, tha ai, që të na hyjnë në Shqipëri “derri dhe dosa.”

Në lëmin kulturor infeksioni vështirë se mund të shmangej tërësisht: njerëzit shihnin radiot dhe televizionet e huaja, lexonin letërsi të ndaluar, të re dhe të vjetër, dhe i kishin mbajtur disa kontakte rudimentare me botën. Vetë regjimi ishte i detyruar t’i mbante disa kanale të hapura, veçanërisht me Perëndimin, për të përgatitur specialistët aq të nevojshëm, veçanërisht në rrethanat e planeve ambicioze të zhvillimit industrial të vendit.

Ky infeksion materializohej në të ashtuquajturat shfaqje të huaja, term sa i mirënjohur, aq edhe kërcënues, në vitet 1970; që përdorej veçanërisht për të denoncuar dhe qortuar çdo lloj zbutjeje ndaj botës, çdo lloj uljeje të vigjilencës, përballë rrezikut të përhershëm.

Shfaqjet e huaja nuk ishin veçse simptomat e sëmundjes së kolonizimit të mendjeve, të cilën karantina, ose mbyllja e kanaleve të komunikimit, pritej ta kufizonte në minimum. Individët e kolonizuar, ose “me lakra në kokë”, përbënin “kontingjent armik” dhe ashtu edhe trajtoheshin: duke u neutralizuar si të tillë, ose si individë; dhe me një egërsi të tillë, e cila do të gjente përligjje vetëm në kuadrin ligjor dhe etik që i bashkëlidhej karantinës – ose gjendjes së jashtëzakonshme (rrethimi, shtetrrethimi, coprifuoco-ja, errësimi i dritareve, zhurmimi, ndalim-qarkullimi, kursimi).

Kjo do të thotë edhe se imponimi i karantinës, në një regjim ku metafora dhe realja shkriheshin mes tyre, përligjte edhe metodat totalitare të disiplinimit të mendjeve dhe të dhunës që ushtrohej ndaj popullatës. Edhe për këtë, si të thuash, fajin e kishin ata të tjerët, që nuk na linin të qetë, por na detyronin ta “ashpërsonim luftën e klasave.”

Në vizionin paranojak të Tiranës totalitare të atyre viteve, bota e jashtme, me një mijë mënyra, kërkonte të na korruptonte mendjet, duke na dërguar mesazhe që, sipas rastit, kishin efekt helmues (poisonous), ose toksik (toxic).

Kështu, një marksist-leninist me flokë të gjatë, që vinte për të vizituar vendin e vetëm socialist të botës, mund të ushqente qëllimet më dashamirëse ndaj Shqipërisë, por flokët e tij të gjatë kishin efekt detyrimisht toksik ndaj masave punonjëse; që këtej edhe nevoja për ta neutralizuar, nëpërmjet instalimit të një berberi të besuar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Përkundrazi, një agjent i Vatikanit, i maskuar si marksist-leninist, që përpiqej të fuste në Shqipëri një bibël në gjuhën shqipe, ose qoftë edhe një numër të revistës Shejzat, ishte duke trafikuar helm (poison).

Jo më kot Enver Hoxha, në ato vite, përdorte metaforën e pilulave të sheqerosura, ose të helmit të maskuar me ëmbëlsi, që depërtonte në mendjet e shqiptarëve nëpërmjet valëve radio-televizive. Këto pilula nuk ishin karamele, por vetëm maskoheshin si të tilla, për ta bërë efektin pasi shqiptari naiv t’i gëlltiste; dhe ato sillnin në sistemin shqiptar spore fatale për mënyrën “socialiste” të jetesës: individualizmin, kultin e parasë, kultin e luksit, hedonizmin, erotizmin, vanitetin, intelektualizmin, liberalizmin.

Nga ana tjetër, karantina kërkon një kordon sanitar, të tillë që ta ndajë botën më dysh: këndej të infektuarit, andej të shëndoshët. Vdekja dhe jeta, errësira dhe drita, e djeshmja dhe e nesërmja takohen pikërisht tek ajo vijë kritike – e cila njëlloj si lumi edhe i ndan edhe i bashkon të dy brigjet.

Izolimin shqiptar të viteve 1960-1980 nuk mund ta kuptosh, pa marrë në vështrim kufirin shtetëror; i cili më tepër se shenjë dalluese e territorit ku Tirana ushtronte sovranitetin e vet, u shndërrua në një mur ndarës të përmasave dhe vetive mitike, si ai që ndan këtë botë nga e përtejmja, ose Ferrin nga Parajsa.

Kalimi i paligjshëm i kufirit, në të dy krahët, mund të ndëshkohej me vdekje: nga plumbi i kufitarit, dhëmbët e stërvitur të qenit, ose gjykata popullore. Një francez i çfarëdoshëm që u gri me automatik diku afër Sarandës, aq vonë sa viti 1984, teksa po i afrohej bregdetit shqiptar pa leje, provoi se koncepti i Enver Hoxhës, për shenjtërinë e kufirit, vepronte në të dy kahet.

Në ato vite Europa priste me indiferencë që të vdiste patriarku në Tiranë dhe think tank-et e studimeve strategjike përpiqeshin të merrnin me mend se nga do të anonte Shqipëria pas asaj vdekjeje; askush nuk mund ta kuptonte pse duhej vrarë dikush që i afrohej bregut me një varkë dëfrimi; në kuptimin që Shqipërinë, ashtu siç e kishte katandisur izolimi dhe autarkia, nuk e merrte kush edhe sikur t’ia falnin (sikurse edhe nuk e mori kush, pas 1990-ës e deri më sot).

Gjithsesi, të huajt e pakontrolluar nuk do të lejoheshin të vinin këmbë në truallin shqiptar (të larë me gjak, asnjë pëllëmbë, etj.); por edhe shqiptarët e pakontrolluar nuk do të lejoheshin të dilnin që andej. Ky bllokim dy-kahesh e problematizon konceptin dhe metaforën e karantinës – aq sa të na detyrojë të pyesim se kundër kujt ish vendosur kjo karantinë pikërisht dhe pse.

Përndryshe, fakti që shqiptarët mbaheshin rreptësisht të mbyllur brenda mureve të kështjellës dhe kush që kërkonte të largohej do të ekzekutohej menjëherë prej rojeve, nuk mund të shpjegohet i tëri brenda kuadrit konceptual të rrethimit; aq më tepër që bota përreth i mirëpriste këta të ikur, madje edhe kur nuk kish fare ndërmend t’i përdorte për t’i katapultuar mbrapsht andej nga kishin ardhur; në kuptimin që bota vërtet mund të na mbante në rrethim, por ama nuk e dinte që na kish rrethuar.

Po të dëgjosh retorikën e Enver Hoxhës në vitet 1970, të krijohet në mendje imazhi i anijes së Uliksit, që kalon afër ishullit të Sirenave; në poemën e Homerit, Uliksin e kish paralajmëruar tashmë Çirçja për rrezikun; prandaj ai ua mbylli detarëve të vet veshët me dyllë, që këta të mos korruptoheshin nga kënga fatale. Megjithatë, dhe ndryshe nga Uliksi, i cili u kërkoi shokëve ta lidhin në direk të anijes dhe të mos e lëshonin që andej edhe sikur ky t’u përgjërohej me të madhe, Enveri ishte i sigurt që nuk do të tundohej nga Kangët e Perëndimit, prandaj u mjaftua që t’u dylloste veshët vetëm shtetasve të vet. Sinjali televiziv i RAI1 dhe RAI2, që deri në vitin 1973 transmetohej në Tiranë nga një repetitor në malin e Dajtit, pas plenumit IV i përcillej vetëm bllokut në Tiranë, me kabllo; të tjerët do të mjaftoheshin me Kleopatra Skarcon dhe Pleqtë e Krujës.

Shqiptarët e Shqipërisë totalitare trajtohen, kësisoj, si qenie të gjymtuara, të pambrojtura ndaj rrezikut që u vjen nga Përtej; me sisteme imunitare krejt të komprometuara; të ekspozuara ndaj këtij rreziku infektimi dhe kolonizimi fatal, që ndonjëherë merr edhe trajtat e pilulave të sheqerosura; dhe e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur këto qenie të brishta, është dylli në veshë; ose ndërprerja fizike e komunikimit, ngritja e mureve dhe e kështjellave, sajimi i miteve me shkëmbinj graniti dhe shqiponja që fluturojnë lart.

Dhe nëse është kështu, atëherë imazhi që sugjerohet vetvetiu është ai i një pavijoni ku mbahen të izoluar të sëmurët me defekte imunitare ose ata me prapambetje mendore, të paaftë për t’u përballur sy më sy me botën e jashtme e për t’u mbijetuar këngëve të sirenave; e që mund të mbijetojnë vetëm në një mjedis me atmosferë të kontrolluar, përndryshe ekspozimi ndaj botës do t’i vriste sakaq, dhe me përkufizim.

Shteti shqiptar i Pasluftës, si diktaturë e proletariatit, e nisi jetën e vet si projekt dhe ashtu edhe e vazhdoi: i kthyer nga e nesërmja. Nga kjo pikëpamje, marrëdhëniet e Shqipërisë socialiste me borgjezinë ndërkombëtare dhe imperializmin nuk mund të ishin, teorikisht, veçse të llojit darvinian: vetë ekzistenca e Shqipërisë dëshmonte dhe konfirmonte asgjësimin e domosdoshëm të Tjetrit nga realiteti.

Taktikisht, ishte bota e jashtme që kish ngritur rrethimin ndaj nesh; por strategjikisht ishte Shqipëria, së bashku me proletariatin ndërkombëtar, që e kish rrethuar botën e jashtme dhe po ia numëronte orët solemnisht.

Rrethimi – pavarësisht se i kujt dhe kundër kujt – paraqitej dhe imponohej kështu si domosdoshmëri ideologjike, ose formë e asaj lufte klasash që, sipas doktrinës marksiste-leniniste, ishte edhe motori i historisë.

Shteti shqiptar nuk mund të komunikonte, strategjikisht, me vendet e tjera josocialiste, përveçse nëpërmjet luftës, ose përpjekjeve – sado teorike – për t’i përmbysur regjimet e atjeshme.

Në fakt, Enver Hoxha e kishte denoncuar haptazi dhe me forcë të madhe, në teori dhe në praktikë, doktrinën hrushoviane të bashkekzistencës paqësore, duke e gjykuar si një formë dobësie dhe gjunjëzimi, të revizionistëve sovjetikë dhe lakenjve të tyre, ndaj kapitalizmit ndërkombëtar.

Udhëheqja e shtetit totalitar shqiptar ishte gjithnjë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme që i vinin nga bota, sepse kësaj gjendjeje armiqësie të përhershme me Tjetrin ajo ia detyronte deri edhe vetë mbijetesën e saj dhe natyrën e jashtëzakonshme të masave represive që ndërmerrte ndaj qytetarëve. Çfarë Enver Hoxha nuk ishte në gjendje të shpjegonte, as të përdorte në favor të tij, ishte indiferenca e Perëndimit dhe më pas edhe e Lindjes, ndaj Shqipërisë; indiferencë që ia shponte regjimit të Tiranës deluzionet megalomaniake dhe idetë e madhështisë. Që ne të ishim të rëndësishëm, duhej që bota përreth të mos reshtte kurrë së luftuari me ne; përkundrazi, përballë shpërfilljes ne do të binim në depresion të menjëhershëm, sikurse edhe ndodhi në realitet.

Kështu do të shpjegohet, megjithë paradoksin, edhe involucioni kombëtarist i regjimit dhe i Enver Hoxhës vetë, në fillim të viteve 1980; dhe pikërisht si një prelud ndaj hapjes së mundshme të Shqipërisë (në atë kohë u realizua edhe vizita e shumëpërfolur e bavarezit Strauss në Tiranë); sepse hapja, e pamendueshme në rrethanat e revolucionit botëror si çështje të shtruar për zgjidhje, do të përligjej, nëse ishte fjala për të shpëtuar kombin shqiptar, sa kohë që askush nuk po shqetësohej më për të na rrethuar, luftuar dhe asgjësuar.

Shënim: ky shkrim është pjesa e shtatë e një serie. Lexuesve do t’ju kërkoja të njiheshin – sipas mundësive dhe kohës – edhe me pjesët e tjera, para se të shprehnin mendimet e tyre.

Nuk ka komente

  1. . Çfarë Enver Hoxha nuk ishte në gjendje të shpjegonte, as të përdorte në favor të tij, ishte indiferenca e Perëndimit dhe më pas edhe e Lindjes, ndaj Shqipërisë; indiferencë që ia shponte regjimit të Tiranës deluzionet megalomaniake dhe idetë e madhështisë.

    Eshte interesante te permendet qe nga aspekti ushtarak, sipas Alfred Moisiut, RPSSH-ja u pergatiste te perballej njekohesisht si me NATO-n ashtu edhe me Traktatin e Varshaves. Kostoja qe marramendese. Nuk kam pare ndonje studim ekonomik te shpenzimeve kolosale ushtarake te asaj kohe, por ekziston nje legjende sikur kostoja e bunkereve ia kalonte kostos te vijes mbrojtese Maginot qe ndertuan Francezet pas L1B.

  2. Shqiperia komuniste ishte shtet agresiv, te pakten ne leter, sepse propogandonte revolucionin e perhershem.

    Perhapja e revolucionit me dhune, si preçedent ka pase Napoleonin, e atij komunist BS-ne.

    Ne filozofine e revolucionit, hynin edhe studentet e huaj ne Shqiperi, te cilet pergatiteshin per te kryer revolucione ne vendet perkatese.

    Pse-ja e ketij qendrimi besoj se gjendet tek BS-ja e Stalini, biles vete Shqiperia filloi te sillet si nje BS ne miniature dhe Enveri si nje Stalin po ne miniature.

    Kercenimi publik qe i bente Enveri anglo-amerikaneve dhe denoncimi i socialimperialiste sovjetike, merrte konturet e nje Shqiperie udheheqese boterore e Marksizem-Leninizmit.

    Ndersa Titoja ‘kapi’ vendet e paangazhuara, e mori rol boteror qe Jugosllavia e vogel s’do e kish pase kurre, Enveri vendosi te ruaje besnikerine ndaj marksizem-leninizmit per nje politike boterore.

    Por kjo pertej megallomanise ishte nje perllogaritje e ftohte si garancia me e mire per mossulmin e jashtem.

    Nje Shqiperi anonime, do te mund te gelltitej lehte nga BS-ja, sikunder u gelltit Shqiperia zogiste nga Italia dhe nuk do te kish thene kush gjysem llafi.

    Por nje politike agresive ne leter, besnikeri ndaj marksizmit dhe frymemarrje boterore, do e bente Shqiperine te famshme ne gjithe rrethet e majta boterore. Ne fakt Shqiperia jo vetem ishte e njohur nga gjithe te majtat ne bote (ka ardhur per vizite edhe Che guevara), por edhe e adhuruar nga nje pjese ekstremiste e tyre.

    Kjo i garantonte nje mbrojtje te jashtezakonshme nga invazioni sovjetik ne radhe te pare, por edhe anglo-amerikan.

    Pastaj mbeshtetja qe pati nga Kina, i jepte edhe ca seriozitet zukatjes se mizes shqiptare.

    Me pak fjale, mua me duket shume realiste politika e jashtme e Enver Hoxhes. Pastaj faza e fundit nacionaliste, perkoi me izolimin e plote nderkombetar, po nderkaq Shqiperia ishte e armatosur mire, kishte bere bunkere, ishte shtuar popullsia, me pak fjale ishte edhe nje shtet problematik per t’u pushtuar e mbajtur, sidomos prej faktit qe sulmi do vinte prej detit dhe zbarkimet jane operacione shume te veshtira, ne krahasim me sulmin tokesor.

    Ne fund te fundit, mes artilerise e tankeve, Shqiperia kishte 4 mije gryka zjarri te mbrojtura nga bunkeret, dhe kjo eshte nje shifer e konsiderueshme per territorin e vogel e malor te Shqiperise. Do kish rezistuar e shume dhunshem, sa gjate nuk kemi per ta ditur kurre. Me siguri shqiptaret kishin ate nivel indoktrimi, saqe s’do leshonin meter toke pa lyer me gjak.

    1. Shkruan:

      mua me duket shume realiste politika e jashtme e Enver Hoxhes

      Ndërsa mua më duket se politika e jashtme e Enver Hoxhës i katandisi shqiptarët aq keq, sa ende nuk është e qartë se si dhe kur do ta marrin veten.

      Gjestet madhore të kësaj politike, si prishja me sovjetikët dhe kampin lindor; dhe prishja me Kinën më pas, patën pasoja katastrofike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

      Politika e jashtme e Enver Hoxhës i shërbeu vetëm Enverit vetë, që të mbante pushtetin.

      1. Ai ishte çmimi per sovranitetin e kulluar territorial. Me sovjetiket do te ishte i kufizuar (doktrina zyrtare sovjetike), ndersa prishja me Kinen ishte e pashmangshme, Kina hoqi dore nga politika boterore e Maos dhe ka 35 vjet qe eshte perqendruar tek zhvillimi. Ndoshta rikthehet ne skenen boterore pas 15 vjetesh, kur eshte projektuar kapercimi ekonomik i Amerikes.

        Une besoj se ishte politika e brendshme qe i katandisi keq shqiptaret, sidomos urbanizimi i ulet (36%), kur vendet e tjera shkuan me hapa gjigande drejt 2/3 te urbanizuar, hiq Kosoven qe ishte tek 50%.
        Ka edhe nje efekt te teknologjise qe ka luajtur rol te rendesishem por te paanalizuar publikisht. Industria e rende ka pase qene historikisht industri e punesimeve masive, por teknologjia heci aq para, saqe i dogji kartat e zhvillimit ne duar, sepse ra shumefish numri i punetoreve te nevojshem. Kjo solli krizen e papunesise e renien e ritmeve te urbanizimit (pashaportizimi).

        Regjimi u gjet i papergatitur , vendet e Lindjes e sidomos Perendimit reaguan me investime ne industrite e tjera dhe terciar, regjimi s’kish ç’te investonte per ndryshimin strategjik te zhvillimit.
        Nje vend qe e ka vuajtur krizen ne Perendim eshte Belgjika. Pjesa e zhvilluar historikisht per shkak te industrise se rende, Vallonia, pati krize te rende, me emigrime te forta drejt Flandres ku pati potencial me te madh terciari. Edhe sot ndihen diferencat ne favor te Flandres.

        Nje urtbanizim ne masen 2/3 ne vend te gati 1/3, do na ofronte shume me teper potencial te gjithanshem per rimekembje ne 1990.

    2. “Do kish rezistuar e shume dhunshem, sa gjate nuk kemi per ta ditur kurre. Me siguri shqiptaret kishin ate nivel indoktrimi, saqe s’do leshonin meter toke pa lyer me gjak”

      Qe rezistoi dhunshem, dmth beri ca naze, kete e dime se si, disi; ndersa per gjatesine e rezistences (it’s the economy, Berti!), edhe kete e dime sa shkoi, deri ne piken ku iu lutem ne kor NATO-s (pa dallim feje dhe ideje, ne nje kor qe shkrihej pikerisht tek vibratoja e Nexhmijes) iu lutem grarisht te vinte e te na i sharronte te 4000 tytat (kush e harron buzeqeshjen e trasheguar te Michael Douglas-it ne Polican, me dy gjysma pushke shqiptare ne duar?) – deri ketu kishte mberritur niveli i indoktrinimit tone; po deri atehere, sigurisht qe edhe metra te tera toke i lane ne gjakun tone, fillimisht kufitaret tane, pastaj kur keta vete filluan te cajne kufirin, me dy gjysma pushke ne duar, detyra e gjakut tone i mbeti per derdhje kufitareve karshi

      Indoktrinimi yne ne fakt ishte i tille qe i afrohej me shume perkufizimit te terrorit, aq sa nuk mundeshim te ndanim me njeri habine e tipit: si shpjegohej qe Veprat e rrezikshme revolucionare te Enver Hoxhes (botuar tek “8 nentori” ne 8 alfabete e disa fish me shume gjuhe) na reklamoheshin ne Shqiperi si te suksesshme kudo neper bote, neper panaire libri e takime punetore nderkombetare, pa na shpjeguar kush si kishin mundur ta canin bllokaden deri aty dhe te mund te kontribuonin keshtu, me pas, si mina te telekomanduara karizmatike ne territorin armik, qe ne te mund t’i shperthenim ne demonstrata apo sabotazh ne cdo kohe ose sapo armiku te na sulmonte

    3. Ne fakt Shqiperia jo vetem ishte e njohur nga gjithe te majtat ne bote (ka ardhur per vizite edhe Che guevara), por edhe e adhuruar nga nje pjese ekstremiste e tyre.

      Shqiperia ishte e njohur nga delet e zeza te te majtes boterore. Te ashtuquajturat ‘splinter groups’ te partive komuniste mbareboterore vinin ne Shqiperi..por jo ortodoksia komuniste.

      1. Nejse se varet se ç’nenkupton me ortodoksine komuniste. Hakçe hakçe ortodoksine komuniste e ruajne ‘delet e zeza’.
        Gjithsesi Enveri per figuren e tij beri edhe libra doktrinore, psh ‘eurokomunizmi eshte antikomunizem’ hynte brenda diskutimeve doktrinore te se majtes europiane.
        Shih pak se ç’liste partish komuniste ne mbare boten e kane pasur apo e kane ende enverizmin (hoxhaizmin) ne programet e tyre.

        http://en.wikipedia.org/wiki/Hoxhaism

        Padyshim, pas Kadarese, Enveri eshte shqiptari me i degjuar ne bote dhe ç’eshte me e bukura, ka hyre si ‘klasik i komunizmit’, dmth do i ngelet emri ne bote edhe kur ne Shqiperi ta kene harruar.

  3. Ky Mihal Dangelliasi qe atehere u semur rende. Tregojne se edhe njerez te ndryshem qe moren kazmen e prishnin muret e xhamive apo teqeve andej nga Jugu, iu nem fara. Jo vdekje, jo semundje ne shtepi e te tilla mesele. Zune Perendine me gure si i thone nje fjale. Do thuash ti, c’lidhje ka kjo e Mihalit qe demontonte tytat me ate te teqeve? Ka qe c’ke me te. Ja Kadare thote se shqiptaret u myslimanizuan ngaqe donin tu merrnin armet. Arma eshte pra me e shenjte se e shenjta. Ndaj dhe Mihalit te fala, ndonese mua me vjen keq se me ka pelqyer si aktor. Te vish nga Hollivudi dhe te te bjere vilani ne Polican rreze Tomorrit. Ku e di njeriu i shkrete se ku e ka te shkruar!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin