ANKTHI I NDIKIMIT

I intervistuar nga “Gazeta shqiptare”, poeti Xhevahir Spahiu rrëfen për kohët kur e akuzuan se ishte ndikuar, në krijimtarinë e tij, nga ekzistencializmi i Jean Paul Sartre-it.

Kjo akuzë i pat ardhur atëherë drejtpërdrejt nga Enver Hoxha dhe pastaj u amplifikua, siç pritej, në faqet e gazetave dhe në sallat e gjyqeve popullore të regjimit.

Shkak ish bërë ky varg: “Jam ai që s’kam qenë, do jem ai që s’jam” nga poezia Jetë.

Spahiu e pohon tani se nuk e kish lexuar Sartre-in, madje edhe që nuk dinte frëngjisht.

Ai përsërit se poezia në fjalë “Ishte diçka që thjesht doli nga unë, jo se qeshë ndikuar nga Sartri.”

Me siguri do ta ketë shpjeguar këtë edhe atëherë – por nuk e kanë besuar. Ishte koha kur të kishe një ide “ekzistencialiste” nuk ishte vetvetiu e dënueshme; ose, në çdo rast, jo aq e dënueshme sa ta kishe marrë këtë ide nga një filozof “i dënueshëm.”

Në kuptimin Spahiun e dënuan, sepse nuk dënonin dot Sartre-in.

Në ato vite Sartre-i kish folur me simpati për Kinën maoiste dhe, nëse nuk më gabon kujtesa, edhe për Shqipërinë; madje qarkullonin zëra sikur kish shprehur dëshirën të vizitonte Tiranën.

Dhe sado e rrezikshme të ketë qenë filozofia e tij, fakti është se këtë filozofi në Shqipëri nuk do ta kuptonin më shumë se 4-5 vetë.

Pgc4aG1lNga ana tjetër, Spahiu nuk përfaqësonte ndonjë rrezik për regjimin – përveçse rreziku që shoqëron talentin dhe një farë dukshmërie në qarqet letrare të kryeqytetit.

E dënuan jo si element disident, por si kanal që i kish përcjellë, publikut shqiptar, shfaqje të huaja. Enver Hoxha u kish shpallur luftë memeve në një kohë kur koncepti nuk ishte formuluar, as kristalizuar akoma.

Prandaj për artistin shqiptar të fillimviteve 1970 shprehja “është ndikuar nga” tingëllonte fatale. Në kontekstin totalitar, shprehja e Harold Bloom-it, The anxiety of influence merrte një kuptim tjetër, më “ekzistencial.”

Nuk ishte rastësi as që akuzën për ndikime nga Sartre-i e bëri të vetën, në mos e hodhi i pari në qarkullim, vetë Enver Hoxha.

Nëse Spahiu do të ngulte këmbë atëherë sikurse ngul këmbë edhe tani se nuk e njihte Sartre-in, akuzuesit e tij – të larë e të palarë – do të implikonin të kundërtën: se ata kishin qenë kushedi të detyruar që ta zbërthenin atë vepër, meqë armiku duhej njohur.

Nuk e di nëse Hoxha ia ka lexuar frëngut filozofinë, edhe pse kështu me intuitë nuk ma merr mendja; dhe nuk kam parë kurrë asnjë shenjë, në tekstet e Hoxhës, që ky ta ketë qoftë edhe shfletuar rivalin e vet imagjinar.

Megjithatë, ishte e nevojshme – për fatet e revolucionit botëror – që Hoxha t’i paraqitej publikut si një nga ata pak shqiptarë, në mos i vetmi, që kishte akses në filozofinë moderne franceze.

E cila përndryshe ishte edhe e ndaluar të qarkullonte në Shqipëri.

I lexoj unë, dukej sikur thoshte lideri shqiptar, që të mos i lexoni ju. Madje jo vetëm i lexoj, por edhe jam në gjendje të pikas, në diskursin tuaj, ato ndikime nga Sartre-i që ju do t’i kishit, sikur ta kishit lexuar.

Para kësaj skenografie, Spahiut nuk i mbetej veç të ndryhej në dhomat e “Zërit të Popullit” (“Më 1973-shin unë qëndrova 8 muaj brenda mbyllur në “Zërin e Popullit,” thotë ai në intervistë) dhe të priste dënimin; madje edhe pa e kuptuar se kjo lënie në pritje do të ishte pjesa më e keqe e dënimit.

Ngaqë ishte ndikuar prej një autori frëng që ai s’e kish lexuar, prej një lideri shqiptar, që gjithashtu nuk ish në gjendje të dallonte Sartre-in nga Louis Ferdinand-Céline-i.

Kanë qenë kohë heroike, pavarësisht nga mbretërimi i frikës.

Nuk ka komente

  1. Në këtë mënyrë zbatohej një farë censure preventive, e përzier me një frikë fatale, ngaqë shkrimet e tua mund të akuzoheshin për ndikime nga gjithfarë autorësh, për ekzistencën e të cilëve ti ndoshta nuk e kishe idenë fare. Por akuza nuk mund të vinte nga kushdo, sepse edhe akuzuesit mund të akuzoheshin se kishin lexuar literaturë të gabuar; ndoshta jo menjëherë, por kur vinte rasti i duhur. Që këtej edhe një farë ndrydhje ose paralizimi i krijimtarisë, ose fshehja pas klisheve e modeleve tashmë të autorizuara. Ai sistem ishte përnjimend super djallëzor.

  2. Pasi lexon intervisten e plote kupton se Spahiun e kane patur hale ne sy por jo ato qe ta pret mendja. Ne mos per Sartre-in do ta kishin akuzuar per ndonje influence toksike tjeter vetem qe t’i tregonin vendin dhe nese Hoxhat do ta kishin pare aq problematik nuk do ja hiqnin te drejten e botimit pese here, pra Spahiu sdo kish shans te rehabilitohej pas shkarjes se pare, po te kish shkelur ne thember Hoxhen. Te jepet pershtypja se Enveri dhe Nexhmija po ja veshtiresonin jeten Spahiut per hater te ndonje tjetri, qe edhe mund ta kishte lexuar Sartre-in dhe te kishte aq autoritet sa kritika te binte ne veshin e duhur.

    U habita per ngjarjet e 97 sepse nuk e kuptoj se kush kishte vemendje teper ne ate kohe te lexoje poezi e te ndihet i kercenuar nga Spahiu. Nuk e kam aspak te qarte perse nje poet do të vihej ne shenjester dhe nga cila pale. Po ashtu, a ka patur figura te tjera te kultures qe jane perndjekur ne te njejten menyre ato kohe?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: