EFEKTI PASQYRË

Mehmet Elezi, publicist i njohur, shkrimtar, leksikograf, gazetar dhe tani së voni diplomat, është një nga figurat më të spikatura në përpjekjet për vlerësimin dhe rehabilitimin e gegërishtes si pasuri kombëtare gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit.

Libri i tij Gjuha shqipe në bunker dhe sidomos Fjalori i gjuhës shqipe, me rreth 40 mijë fjalë që mungojnë në Fjalorët e Shqipes të botuar në vitet 1980 nga Akademia e Shkencave, janë vetëm dy nga kontributet e tij më të njohura, për të rithemeluar marrëdhëniet e shqipes standard me gegërishten e folur dhe, deri në një farë mase, edhe me variantet letrare të gegërishtes (veriperëndimore dhe verilindore).

Edhe në vetë ligjërimin e vet publik, Elezi shquhet për përpjekjet për të integruar, në indin e standardit, elemente kyçe të gegërishtes, duke nisur nga paskajorja e tipit me punue; çka e rreshton atë në krahun e atyre që kërkojnë hapje të mëtejshme të strukturave të standardit ndaj elementeve gegërishte.

Është për t’u vënë re se, ndryshe nga shumë revizionistë të sotëm të standardit, të cilët nisen nga fillesa kulturore katolike në kulturën shqiptare dhe mbështeten në traditën e pasur të shkodranishtes letrare të kultivuar prej shkrimtarëve dhe publicistëve të arealit katolik, Elezi i përket një areali tjetër kulturor, duke pasur më shumë pika takimi, edhe objektivisht edhe subjektivisht, me gegërishten e Kosovës dhe traditat letrare të shqipes verilindore.

Me sa thashë më lart, nuk dua të vizatoj një portret të plotë të Elezit si autor dhe si veprimtar në fushën e politikës gjuhësore, por vetëm të bëj një hyrje, krejt informale, në sa do të parashtroj më poshtë, për ta vendosur mendimin tim në kontekst.

Kohët e fundit, Elezi ka botuar një libër me kujtime, të cilin e ka rimarrë pjesë-pjesë edhe Gazeta shqiptare. Më duhet të them se, me sa kam parë në shtyp, libri nuk është pritur mirë, për shkak të së kaluarës komuniste të autorit, i cili në vitet 1980 mbante poste të larta në nomenklaturën komuniste; pa çka se – është vendi për ta thënë – përpjekjet e Elezit dhe të së tjerëve zyrtarë të lartë të krahut liberal të nomenklaturës për ta revizionuar vijën politike të PPSh-së në Shqipërinë e fundit të viteve 1980 kanë qenë ndoshta po aq të rëndësishme sa edhe protestat e studentëve të dhjetorit, në kryerjen me sukses të tranzicionit nga monizmi në pluralizëm.

Megjithatë, mua nuk më intereson ky aspekt i kujtimeve të Elezit, as kam ndërmend të merrem me të këtu (ju lutem edhe komentuesve ta lënë jashtë nëse munden, ose të shkojnë ta komentojnë te ResPublica, ku do të gjejnë hapësirat e duhura). Përkundrazi, më intereson mënyra si e ka vizatuar ai një figurë të njohur të politikës shqiptare të viteve 1980, prof. Sofokli Lazrin.

“Sofokli Lazri na vidhte dietat kur dilnim jashtë”, titullohet fragmenti përkatës i kujtimeve të Elezit i botuar në Gazetën Shqiptare; titulli, pas gjase është i gazetës, jo i autorit.

Duket, nga leximi i këtij fragmenti, se Elezi nuk ka shkuar mirë me Lazrin, ose së paku është poshtëruar prej tij, ose nuk ia ka duruar dot pushtetin, autoritetin, ose mënyrën si vepronte ai, në kulisat e shtetit totalitar, e veçanërisht në marrëdhëniet me shtypin.

Një ditë, gjatë periudhës kur Elezi ishte përgjegjës për shtypin pranë KQ të PPSh (nëse e kam kuptuar mirë), sekretari i kolegjiumit të Zërit të Popullit, Sami Milloshi, i jep një intervistë “Zërit të Amerikës.” Elezi tregon se, të nesërmen pas intervistës, në zyrën e Milloshit kishte rënë zilja e telefonit:

Jo, nuku kisha ndonjë gjë të veçantë, një pjetje desha të të bëja unë tia, more djalë, – foli zëri që vinte nga kati i tretë i ndërtesës së KQ të Partisë. – Një pjetje vetëm: ku ke qejf të punosh tia, në “Zëri i Popullit” apo në “Zëri i Amerikës”?
Samiu ishte shtangur. Në telefon ishte Sofokli Lazri, këshilltar për gjithçka i Ramiz Alisë.
– Por shoku Hekuran sapo më përgëzoi për këtë intervistë…
Zëri i njohur matanë telefonit nuk dorëzohej.
– Dëgjo djalë, po të pjes prapë tia, tia të intereson ç’thotë ki apo ai, apo të intereson ç’thotë Komiteti Qendr[o]r i Partisë? 
Sofoja nuk shqiptonte dot y- në…

Qartazi, personazhi negativ Lazri portretizohet nëpërmjet të folmes së vet dialektore, e cila (qëllon) të jetë toskërishtja. Që të mos lerë asnjë dyshim për qëllimet e veta, Elezi kujdeset të sqarojë, në fund të kësaj skene, se “Sofoja nuk shqiptonte dot y-në”.

Lexuesi mund të vrasë mendjen, për të gjetur se ç’lidhje mund të ketë midis të folmes dialektore të Lazrit dhe bëmave të tij negative, që i përshkruan pena e Elezit. Flakë për flakë, të shkon mendja te një afrim shijekeq mes defekteve në shqiptim të profesorit dhe Enver Hoxhës, që gjithashtu i kishte disa probleme me y-në; por gjithsesi vështirë ta besosh se Elezi, njeri i kulturuar dhe i ndjeshëm, të bjerë në nivele të tilla folklorike të karakterizimit.

Ja si e përshkruan autori më poshtë momentin kur Lazri i shfaqet në zyrë:

Se ç’po shkruaja në zyrë kur hapet dera ngadalë. Nuk u çudita kur pashë atë. Me kostumin e përhimët me vija të venitura, si të shlyera, me këmishën e bardhë të zbërthyer pak, si gjithnjë me kravatë. Vetëm ai futej kështu, prore pa trokitur. Të gjithë e thërrisnin “profesori”. Me Sofo a shoku Sofo e aq më pak Sofokli nuk i drejtohej kush… Qeshë i sigurt se vinte me më pyetë a kisha pirë kafe… Këtë radhë profesori s’kishte ardhur që ta ftoja për kafe.
– More, – më tha, duke qëndruar as hyrë as del – kjo gazeta jote dhe e Foto Çamit, ku do të na shpjerë kështu, përse nuku jepni njoftimin për ardhjen e Misturës?

Edhe këtu, Lazri portretizohet nëpërmjet dialektit të vet, si personazhi i ndonjë romani jo më realist, por natyralist.

[Në një shkrim tepër kritik ndaj kujtimeve të Elezit për Lazrin, Alban Dega sqaron se e ka dëgjuar Elezin t’i drejtohet Lazrit disa herë si “Barba Sofo,” në mënyrën karakteristike të bregut.]

Vazhdon Elezi:

Profesori bëri edhe dy hapa përpara drejt meje, duke i dhënë një të shtyrë derës për ta mbyllur. Çoi kryet e më këqyri ngultas në kokërr të syrit…
– Hëm, – tha duke buzëqeshur pa asnjë grimë gazi të vërtetë – Po Reiz Malile nuk e heq kush, se ai ka qenë në Brigadën e 7- të. Juve po, ju heqin. Për shembull, ke tia ndonjë mik na Gashi të të mbrojë tia? Nuku ke. Atëherë ti do të ikësh që këtej…

Një minidramë vjen e përvijohet, në hapësirën mes kësaj ndeshjeje titanësh të nomenklaturës: është minidrama konfliktit veri-jug.

Komenton Elezi:

E dija se profesori s’kishte idenë e gjeografisë së Shqipërisë, përveç Tiranës, kryesisht pjesës rreth hotel Dajtit, ku e qerasnin ose shtrohej nëpër darka zyrtare, dhe Vunoit, fshatit ku kishte lindur. Kjo mosnjohje nuk tregonte vetëm sht[e]rpësi intelektuale e gjymtim kulturor… Dëshmonte, më së fundmi, primitivizëm të rrezikshëm politik: Sofokli Lazri vuante nga paragjykime të errëta krahinore… Dikush më kish kallëzuar se, kur do të emërohej Maxhun Peka ambasador në Francë, profesori kishte rrudhur buzët: djalë i mirë është, por… është na Hasi! Kjo ishte politikë e pashpallur e atij regjimi…

Nuk dua të dyshoj që Lazri ka qenë vërtet krahinist i paragjykuar; por vallë a nuk përvijohet edhe Elezi vetë, në këto kujtime, si po aq krahinist si Lazri? Nëse “profesori” ka rezerva për të emëruar dikë në diplomaci, meqë qenka ‘na Hasi’, vallë nuk vepron njëlloj Elezi ynë, kur ia nxjerr në pah kaq theksueshëm vunjotshen e karikaturizuar personazhit të vet?

Më tej, në shkrim tregohet si Lazri u përvetësonte një pjesë të dietave atyre që udhëtonin me shërbim jashtë shtetit, dhe riprodhohet dialogu i mëposhtëm, midis profesorit dhe një qyqari të çfarëdoshëm që do të nisej për jashtë:

– E sa do të rrini juve atje?
– Siç e keni vendosur ju profesor, tre m…
– A, po, tre muaj. Epo mirë, fifty- fifty, një muaj e gjisëm për vete, një muaj e gjisëm për mua. 

Të vërehet edhe këtu pranëvënia ose kontrapunkti i pashmangshëm, midis korrupsionit të supozuar të Lazrit dhe paaftësisë së tij për të shqiptuar y-në (aq perëndimore) të shqipes.

Ja edhe një shembull tjetër, për ata që nuk janë bindur akoma:

Te dera e zyrës kalonte si rastësisht profesori dhe lëshonte pyetjen shkatërruese: “More, po ki televizioni inë, i Tiranës është apo i Prishtinës, këtë nuk po e marr vesh unë!”…

Dhe më tej, në një dialog të mëpasëm me autorin:

– Po ja, për këtë intervistën të thirra unë tia, more djalë.

Mund të më kundërshtojnë dhe të më thonë se portretizimi i Lazrit, në këto kujtime, bëhet nëpërmjet të folmes së tij gjysmë dialektore ndoshta për t’i dhënë kolorit, ose “nerv” rrëfimit, për ta bërë atë më realist, më të besueshëm, më konkret. Natyrisht, qëllimet autorit Elezi nuk mund t’i paragjykohen. Por përshtypja mbetet, e pakundërshtueshme, se toskërishtja jugore e Lazrit shënjon, në penën e Elezit, zhargonin e së ligës: intolerancës, intrigës, korrupsionit.

Ia kam lexuar Elezit kujtimet e botuara në gazetë (por ende jo librin), dhe nuk më rezulton që personazhe të tjera të cilat përmenden atje të portretizohen edhe ato nëpërmjet dialektit ose të folmes. Qemal Sakajeva nuk flet në dialekt, as Ramiz Alia, as Sami Milloshi, as Sali Berisha. Ndoshta në pjesën tjetër të kujtimeve dalin edhe personazhe të tjera dialektore, veç Lazrit të lig nga Vunoi; nëse edhe ato janë nga Jugu, atëherë kemi një problem në duar.

Teknika e Elezit më kujtoi, ç’është e vërteta, një stilemë dylekëshe të kinemasë së realizmit socialist, ku diversantët dhe kolaboracionistët dhe tradhtarët dhe kuislingët dhe monarkistët dhe spiunët e nazifashizmit dhe priftërinjtë katolikë dhe në përgjithësi të gjithë ata ndaj të cilëve publiku ftohej të mbante qëndrim duke i urryer ose përçmuar, viheshin të flisnin në gegërishte ose me paskajore, aq sa batutat e tyre, të piperosura siç ishin me dialekt, përfundonin në gojën e të gjithë shqiptarëve. Për një takëm kalemxhinjsh të asaj kohe, gegërishtja e sidomos shkodranishtja përdorej vërtet si të ishte zhargoni i armikut, ose shenja dalluese, për të dalluar kë nuk ishte “yni” (ose edhe “ini”).

Për fat të keq, këtë bën sot edhe Mehmet Elezi, kur e vë prof. Lazrin të flasë në dialekt dhe të mos i përdorë y-të e shqipes; me një fjalë, kur e paraqit këtë jo vetëm si përfaqësues tipik të nomenklaturës komuniste të viteve 1980, por edhe si përfaqësues tipik të jugorit, labit dhe gjirokastritit gegofag, në krye të shtetit komunist. Që ka pasur të tillë, mes brezit të katundarëve të Jugut që solli në Tiranë Enveri, për këtë nuk kam dyshim; por nga Elezi nuk e prisja, sinqerisht, të vishte zhgunin gegocentrik për t’i stigmatizuar, veç në mos atij si autor i vjen për shtat, qoftë edhe simbolikisht, një lloj revanshi maoist, i llojit “borgjezia bëhet proletariat dhe proletariati borgjezi.”

E kotë të shtoj se, në rrethanat kur standardi i sotëm gjuhësor, i bazuar në toskërishten, po sulmohet mbarë e mbrapsht si krijim i politikave gjuhësore totalitare (që për mendimin tim nuk është) dhe vetë toskërishtja po perceptohet aq trashë, nga një takëm militantësh gardistë të kaltër, si zhargoni i komunizmit shqiptar, përpjekja e Elezit për ta vënë personazhin e vet negativ, Lazrin, të flasë në toskërishten jugore, nuk mund të interpretohet ndryshe, veçse si përpjekje për t’i kumtuar lexuesit se edhe ai i bashkohet këtij perceptimi militant dhe përçarës.

Në penën e një autori që ka kërkuar dhe kërkon, prej kohësh dhe me djersë e përkushtim si pakkush tjetër, integrimin e elementeve thelbësore të gegërishtes në standard, ky qëndrim tradhton për fat të keq një mendësi po aq krahinore, madje gegocentrike, dhe një vetëdije të rreme për marrëdhëniet politike midis krahinave të Shqipërisë, kulturave rajonale dhe varianteve letrare.

Nuk ka komente

  1. Elezi la sekretariatin e KQ te Rinise dhe kaloi ne zyren e shtypit te KQP andej nga fundi i 1988, ne mos gaboj.
    Zevendesi i tij, L.Bashkurti, vinte nga e njejta zone.
    Nese kjo lloj levizje ne skakieren e politikes se asaj kohe ishte e llogaritur apo e detyruar, zor te dihet. Por sido te jete, do pranuar se e reja nuk e ka gjithnje rrugen kollaj te hapur.

    Si mendimet ( ne kete rast) te Elezit, ashtu edhe dialogjet me prof. Lazrin, madje deri diku edhe analiza e Xhaxhai, ne syte e mi flasin per njelloj pargjykimi te ngritur ne permasat e nje sistemi.
    Kur permend konceptin, apo idene e paragjykimit, me vijne nder mend fjalet e Edmund Burke, mbi natyren e paragjykimit:
    …“Ne rast nevoje, paragjykimi eshte i gatshem per tu perdorur;
    me perpara, ai e ushtron mendjen ne nje rruge te qendrueshme te mencurise dhe virtytit, dhe nuk e le njeriun te medyshet, skeptik, te hutuar dhe te pavendosur ne moment vendimi. Paragjykimi e ben virtytin e njeriut ne zakon te tij, dhe jo ne nje seri veprimesh pa lidhje midis tyre. Nepermjet paragjykimit TE DREJTE, detyra e tij behet pjese e natyre se tij…`

    …Prejudice is of ready application in the emergency; it previously engages the mind in a steady course of wisdom and virtue, and does not leave the man hesitating in the moment of decision, sceptical, puzzled, and unresolved. Prejudice renders a man’s virtue his habit; and not a series of unconnected acts. Through just prejudice, his duty becomes a part of his nature.–Edmund Burke, Reflections on the French Revolution…“

    A ka paragjykim te drejte…
    Dhe ketu eshte ceshtja, pietja/pvetja… tha.
    Por keshtu do te linim tokat e PC dhe do te hynim ne nje territor tashme te panjohur per ne dhe plot me mistere

    1. Ipare, më sqaron dot, të lutem, se ku e sheh pikërisht paragjykimin në shkrimin tim?

      1. Qish bre ku duket paragjikimi? Vetum kokqipat s’munen me i pa, sepse, a vjen ti prej nji veni ku s’muneni me e thanë i-në?

        M’duket se ja futa kot, se kështu, pa Y, nuk flasin gjirokastritët, por lumjanët 😛

      2. Xhaxha.

        Qe ne paragrafin e pare.
        Eshte si celes qe hap cdo dhome. Une te pakten keshtu e shoh.

        Te perpiqem te spjegohem.
        Psh cdo gje ne mesjete, duke filluar nga filozofia, e deri tek shkencat, madje edhe arkitektura vete, paragjykohesh ne vlere nen ndikimin e fese.
        Ose ne periudhen e arte te Athines, cdo gje paragjykohesh ne sherbim e nen influencen e perendive. Qe nga Partenoni e deri edhe kryeveprat e tragjedisteve te kohes , ne sublimitetin e tyre.

        Ne rastin tone, a mund te thuhet se ekziston dicka tjeter, sopra parte, pertej antagonizmin geg-tosk? Apo ky eshte paragjykimi i kohes, lentja me te cilin shohim, shpesh te detyruar ( une ka 20 vjet qe s’kam qene ne Shqiperi, dhe nuk e njoh apo ndjej kete antagonizme; me duket aq i huaj) realitetin e sotem.

        1. Merita e parë e këtij shkrimi është pikërisht se nuk paragjykon. Ndryshe nga reagimet e deritanishme në shtyp, ku më shumë flitet për biografinë e Mehmet Elezit se sa për librin vetë, artikulli i këtushëm, e nxjerr librin “Nuk isha student i dhjetorit” dhe autorin e tij, nga qendërcikloni i turmës, nga pështyrjet kolektive, nga skena e gjyqit popullor, nga tabelat e fletërrufeve, për ta çuar në sallën e studimit e në odën e fjalës, ku njerëzit që kanë mendime të ndryshme arsyetojnë nuk rrihen, bashkëbisedojnë nuk akuzohen. Xhaxhai, pavarësisht nga opinionet e shprehura për një argument të caktuar, i ofron dinjitetin e duhur publicistit Elezi; çka krijon premisat për një dialog të kulturuar për tema tejet të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ndoshta kjo përbën edhe shenjën dalluese të blogut “Peizazhe të fjalës” nga hapësira të tjera shqiptare në internet e në shtyp.

        2. Shkruan:

          Ne rastin tone, a mund te thuhet se ekziston dicka tjeter, sopra parte, pertej antagonizmin geg-tosk?

          Për mua po. Gjithnjë antagonizmi mes qytetarit dhe katundarit më është dukur më kritik, më thelbësor, më i rëndësishëm.

          1. Dhe ç’është më e keqja, nuk është se kemi të bëjmë me një përçmim të përgjithsuar të qytetarit ndaj katundarit (pavarësisht se dëgjojmë jo rrallë fjalët malok, çeçen, karaduzë etj etj), sesa me ndjenjën e inferioritetit që vuajnë nga brenda, jo fshatarët/katundarët/malokët e vërtetë, por, ata të cilët kanë lëshuar shqelma nga të gjitha anët për të mundur të zënë një vend në hierarki dhe që kërkojnë medoemos të bëhen qytetarë.
            Qytetarinë nuk ta jep pashaportizimi në Tiranë, Shkodër, Korçë apo Vlorë… qytetar je edhe nëse banon në Vuçidol apo Faqekuq por sillesh si njeri i qytetëruar… qytetërim ky, që nuk ka për t’ju ngjizur dot kurrë atyre që pretendojnë ta fitojnë atë vetëm për ta paraqitur si status simbol. Ata kanë qënë, janë dhe do mbeten gjithmonë të pagdhëndur.

            1. Që të mos keqkuptohem: për mua katundar nuk është ai që jeton në katund, as ai që vjen nga katundi, por ai që e sjell katundin me vete në qytet.

            2. Mua katund apo katundar nuk me thotë gjësendi të madhe. E shumta ka vlerë në nivel inatesh të çastit e të vogla dhe më shumë më flet atë që përdor. Eshtë ai që ka nevojë të sigurohet duke përfituar një farë sipërie me diçka për të cilën nuk ka asnjë meritë. Rastësisht ka lindur në qytet. Përkundrazi kur flasim për provincial apo provincializëm atëhere kemi të bëjmë me një kategori mjaft interesante socio psikologjike.
              Dikur ne vitet 80 me ra ne dore libri i R. Qoses Panteoni i rralluar. Aty ai i bën një analizë të shkëlqyer këtij fenomeni.
              Studentëve që vinin në atë kohë nëTiranë nga rrethet unë nuk u thoja dot katundarë. Kishin qejf të mbanin kostum (gjë që unë e kam të vështirë ta duroj edhe sot), nuk u mungonte një farë kulture jetese, por kategoritë e të menduarit që kishin, i tregonin tejet të dalë kohe. Të paktën ne na linin një përshtypje frenuese e pak të dhunëshme për mënyrën si e shihnim botën.

  2. Për fat, apo më mirë, për ironi të fatit, gjendet dhe një formë përgjigjeje e Lazrit ndaj sjelljes së Elezit:

    Veçoj:

    (…) Ja, unë jam nga Vunoi dhe s’ka asnjë të keqe nëse flas apo mendoj si një vunjotas. Mos është kjo diçka për t’u përfolur?!… Dhe, për të mbrojtur Vunoin dhe të folurën e tij të bukur, mos duhet të ngrihem unë tani dhe të shaj ndonjë dialekt apo ndonjë krahinë të atyre që më sulmojnë në shtyp? Nuk mund të ngrihem, sepse kam respekt për vetveten, sepse e dua me gjithë shpirt gjuhën shqipe dhe të gjitha dialektet e saj, dhe, sidomos, sepse nuk dua të kem të bëj fare me këta njerëz, që bëjnë folklor banal në vend të politikës.
    Kjo është e para. Së dyti, po të ishte ndonjë debat për të kaluarën historike të vendit, për marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare ose për politikën aktuale të jashtme, mund të qortohesha për mospjesëmarrje, për ndërgjegje ose përgjegjësi qytetare e të tjera. Por, të dal e të replikoj me ndonjë që më shan pse kostumet e mia i bleja në Nju York e Paris dhe jo në Tropojë, përse syzet i mbaj të pastra, jo të fëlliqura, pse preferoj mishin e kecit dhe jo të derrit, do të më merrnin për të çmendur. (…)

    http://264517.forumromanum.com/member/forum/forum.php?action=std_show&entryid=1088455808&USER=user_264517&threadid=2

    Ndjesë për formatin jo standard të gërmave në linkun më lart.
    ***
    Gëzuar Vitin e Ri gjithë pjesëmarrësve të blogut. Që nga Xhaxhai, Parulla dhe gjithë komentuesit e tjerë.

    1. Intervista me Lazri ishte interesante, e sinqertë dhe e ekuilibruar. Natyrisht ai është në atë dikush që sapo ka humbur dhe nuk mund t’i lejojë vetes tone aq të larta. Megjithatë ai i kujton Elezit çiftelinë që ky i binte në shenjë adhurimi për Enver Hoxhën dhe ky tjetri tani hakmerret.

      Elezi, BRPSH e tij, dhe karriera e tij prej tropojani në diktaturë kishin thjeshtë funksione ornamentale. Për ata që i kanë parë Sofon dhe Mehmetin të hynë dhe dalin në Bllok-un e viteve ’80 e dinë se Sofoja e bënte këtë për punë, kurse Mehmeti për t’u takuar me Sokolin dhe Liljanën. Këtu besoj se ka lindur një kompleks i tmerrshëm i Mehmet Elezit, burim aq fatal i ca banaliteteve të tmerrshme, për të cilat ky i fundit shkruan. Elezi ishte dekor i pushtetit, Lazri ishte pjesë e tij. Si mund të komunikojnë këta njerëz dot me njëri tjetrin ndonjëherë? I flet dot pantoflës, apo të flet dot kjo ty?

      Këtë gjë ky njeri nuk e ka tretur dot siç duket dhe lexuesit nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm se ta durojë atë.

      1. “Elezi ishte dekor i pushtetit, Lazri ishte pjesë e tij”

        Dhe Elezi nisur nga kjo e vertete qe citohet ketu mbetet dekor edhe per logjiken me elementare kur “denoncon” vjedhjen e dietave nga Barba Sofua. Po shyqyr thuaj qe jane Peizazhet qe nuk e paragjykojne se po te ishin te gjithe si Mustafa Nanua, Mehmet Elezit mundet fare mire ti dilte nami si jarga e pushtetit.

  3. ””Ja, unë jam nga Vunoi dhe s’ka asnjë të keqe nëse flas apo mendoj si një vunjotas. Mos është kjo diçka për t’u përfolur?!””

    Kjo qe solle J. (Gezuar 2012 njehere ) sipas kutit te xha xhait eshte katundarizem, sepse sjell fshatin ne qytet, sidomos fakti qe mendon si fshatar.
    Supozoj se Sofokliu thoshte ‘çkemi, ça ben’ e jo ‘çkemi, ça bere’, kjo forme e dyte me kap gjithnje gafil.

    Fakt eshte qe shqiptaret historikisht kane riprodhuar strukturen fisnore ne qytet, qe mund te verehet lehte tek ndarjet e qyteteve te vjetra ne lagje fisnore, tek kjo lagje jane filanet tek ajo lagje jane fisteket ose filanet jane fis i madh e njohur etj.
    Qytetaret me te vjeter jane njekohesisht edhe te vetmit qe gjykojne ende ne baze te raporteve fisnore e peshes se fisit brenda qyteteve.

    Po lexoja tek gazeta Sot per konferencen e Tiranes te 1956, nje nga akuzat ishte se filan fisteku kishte sjelle ne Tirane e kish ngritur ne detyre plot 18 njerez te fisit.

    Une do thoja qe shume me teper sesa sjellja e fshatit ne qytet(e cila ngelet shume subjektive) apo koncepti i provincializmit, problemi ka qene tek riprodhimi i struktures fisnore ( te gjithe e dime qe fisi ka edhe nje te pare, si tip kryetar fisi, qe i degjohet llafi, prandaj ka fuqi te madhe politike) ne qytet, prandaj u kam besuar pak puneve te kultures se qytetarit apo fshatarit.

    Ne kete kendveshtrim shkeputja nga fisi e shume fshatareve qe leviznin ne qytet , mund te quhet edhe fillimi i qytetarise se vertete ne Shqiperi, pavaresisht oportunizmit dhe ndjenjes se inferioritetit qe e ka shkaktuar kete dukuri.

    Per here te pare qytetari nuk mbeshtetej me tek fisi per te ardhmen e tij, ose me mire nuk gjykonte me kategori fisnore, gje qe ende sot e bejne me dhjetera mijera qytetare denbabaden.

    Zakonet e qytetit mesohen lehte, pune vitesh, dituria s’ka per fshatar e qytetar, prandaj ‘kultura’ si percaktor dallues eshte me rendesi te vogel.

    Elezi dhe Sofokliu i perkasin se njejtes kategori, njeri kishte ‘kapur’ Enverin tjetri Ramizin, biles me çpo shkruhet verdalle, mua me duket se Elezi e ka pasur si shembull Sofokliun, me shprese ta zevendesonte.

    Po i rikthehem edhe ca çeshtjes se struktures fisnore, se para ca ditesh tek Topi , Ngjela dhe s’mbaj mend kush tjeter, i meshonin fort çeshtjes se kultures, nje tjeter urbanizimit, nejse ne thelb qe demokracia nuk realizohet se e ka fajin katundari ose katundarizmi.

    Ne fakt, kush do te merret me politike ne Shqiperi, hiq te katapultuarit, gjithe pjesa tjeter perpiqet te beje per vete ‘kryetaret’ e fiseve ne qytet apo fshat, keshtu garanton vota, prestigj dhe njerez qe do e mbeshtesin ne fushate. Po keshtu me shume shanse ka ta arrije objektivin nje pinjoll i nje fisi te madh e me emer, qofte ne fshat e qofte ne qytet, sepse sipas nje ligji te pashkruar shqiptar, fiset e tjera jane me te prirura ta pranojne udheheqjen e nje pinjolli nga nje fis i njohur, mundesisht me shkolle e leke.

    Ah po Topallet- thote shkodrani- jane fis i madh, i njohur, me shkolle, qe zoteronin gjysmen e Shkodres (nuk e di pse gjithnje thuhet gjysmen e qytetit).
    Ah po Topi eshte tironc denbabaden, vjen nga fis i vjeter, kane pasur gjysmen e Tiranes etj etj.

    Nje pinjolle Topalli eshte kryeparlamentare, nje pinjoll Topi eshte President.

    Pastaj keta zihen kush eshte me i fisem, qytetar etj etj.

    Pastaj del Ngjela e thote se e ka fajin katundari.

    Po keshtu del Gert Bogdani nga hiçi e behet deputet, degjon dike qe thote Bogdanet jane fis me peshe ne Tirane.

    Lere pastaj neper katunde, eshte me llogari matematikore, qe vendin ne komune e ka me se s’ben nje pinjoll i nje fisi te madh.

    Atehere ç’demokraci zeza do ngrihet ne Shqiperi, kur fuqia politike varet ne nje mase te stermadhe nga mbeshtetja e fiseve?
    C’jane keto pari politike qe ne nje mase te madhe o zgjidhen nga fiset e medha o me mbeshtetjen e tyre ?
    C’faj ka katundari ne kete mes ?

    Cdo beje neser x, y, z, a nuk do mbeshtese nje politike fisnoro-krahinore ne nivelin e ulet dhe amerikane, greke, serbe e me gjere europiane ne nivelin e larte?

    Mire qe u fut ne politike fale struktures shqiptare, por per te çare me lart i duhet t’i lepihet faktorit nderkombetar, qofte ky armik, greko-serb , qofte mik, amerikan e qofte as mis as peshk si ai europian ?

    Cfaj ka katundari ne kete mes ?
    Cfaj ka dialekti, te qenit tosk’ a geg’ ?

    Pra politika ne Shqiperi e vete fatet e demokracise jane ne duar te nje virusi i cili riprodhohet prej shekujsh duke nxjerre pari qe ne nivelin e ulet veprojne per llogari te fisnoro-krahinizmit e nivelin e larte per llogari te kozmopolitizmit.

    Qe ketej edhe debimi historik i nacionalizmit (pas krijimit te shtetit), i cili eshte ne lufte ideologjike qofte me fisnoro-krahinizmin e qofte me kozmopolitizmin dhe mospraktimi i asnje forme te demokracise kombetare.

    Megjithate humbja me e madhe nuk ka qene debimi historik nga skena politike, sa ka qene debimi nga skena kulturore, meqenese paria kulturore nga 1945 deri me sot, ka imituar parine politike, duke qene fisnoro-krahinore ne nivelin e ulet dhe kozmopolite ne nivelin e larte (me perjashtim te atyre qe linden para 1945 dhe perfituan nga jehona qe ngeli deri ne vitet 60).

  4. Ma do mendja, se sikur Lazri të ishte ngrysur komunist dhe gdhirë demokrat si Elezi apo tutori i këtij tropojani, tropojani tjetër Berisha, për shqipen e tij do të thuhej, se ajo i kishte mbijetuar me heroizëm helenizmit të Bregut duke ruajtur elementet fonetikë karakteristikë të toskërishtes, që tregojnë autenticitetin, lashtësinë dhe bla, bla, bla. Për atë që nuk e di, Vunoi është fshati i vetëm në breg ku flitej shqip.
    Përpjekjet për të vendosur kundërshtarin politik duke ju referuar dialektit që përdor në një dritë të pafavorshme tradhtojnë varfëri shpirtërore dhe mungesë të aftësive analitike dhe abstraguese.

  5. thoni…
    ….përpjekjet e Elezit dhe të së tjerëve zyrtarë të lartë të krahut liberal të nomenklaturës për ta revizionuar vijën politike të PPSh-së në Shqipërinë e fundit të viteve 1980 kanë qenë ndoshta po aq të rëndësishme sa edhe protestat e studentëve të dhjetorit, në kryerjen me sukses të tranzicionit nga monizmi në pluralizëm.

    A mund te di dicka me shume per keto perpjekje te Elezit te lutem?

    1. Çdo ndryshim që ndodh kur kalohet nga një sistem në tjetrin, nga një regjim në tjetrin, nuk mund të verifikohet pa ndonjë “ndihmë” nga brenda sistemit të vjetër, nga brenda regjimit të vjetër. Këtë e thotë e gjithë historia njerëzore. Mjafton të shikohen lëvizjet e elitave në kohë, në të gjitha vendet, duke filluar nga pavarësia e Shqipërisë… Për Mehmet Elezin, i cili ka qenë Shef i ri shtypi në KQ të PPSH-së, megjithëse nuk është tema e shkrimit, mund të thuhet se ka një farë kontributi për hapjen e shtypit të blinduar totalitar (ose më mirë ndonjë të çare në murin e tij), që u kurorëzua me botimet-bomba të disa artikujve të Ylli Popës, Sali Berishës, etj. Ata që kanë qenë dëshmitarë të asaj periudhe, e dinë fare mirë se nuk bëhet fjalë për disa shkrime, por për çështje parimore epokale. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se vetëm një pjesë e vogël e partisë në pushtet pati guxim të kërkonte një lloj hapjeje drejt pluralizmit, çka sot mund të na duket qesharake, por në atë kohë tingëllonte revolucionare. Si Mehmet Elezi ka pasur edhe të tjerë, brenda nomenklaturës e brenda elitës në përgjithësi, pavarësisht se nuk kanë përbërë rrymë zyrtare. Të gjithë së bashku u përpoqën, me aq sa mundën, për një frymë më liberale brenda pushtetit totalitar. E kjo e ka një vlerë për tranzicionin shqiptar, nga monizmi në pluralizëm.

    2. Ka qenë i krahut liberal, së bashku me disa të tjerë. Ngjarjet në Shqipëri mund të precipitonin shpejt dhe drejt dhunës; madje skenari rumun nuk ishte aq i pangjashëm sa mund të duket sot. Që u shmang, luajtën rol edhe liberalët, ose të moderuarit – dhe këtu kam parasysh Elezin, por edhe bie fjala Marash Hajatin, ose disa ministra (Skënder Gjinushi, Shane Korbeci, Reis Malile, etj.). Në momente kritike, fjala e këtyre ngrinte peshë. Shumë gjëra nga ajo kohë janë të paqarta, duke filluar nga roli i Sigurimit të Shtetit; por edhe thjesht me logjikë, ka më shumë gjasa që ky të kishte depërtuar Lëvizjen e Dhjetorit, sesa Qeverinë ose Komitetin Qendror. Dhe e gjithë kjo, pa përmendur rolin e agjenturave të huaja. Gjithsesi, për t’u ktyer te M. Elezi, besoj se duhet t’ia lexojmë librin.

  6. Shinasi Rama ka nje shpjegim krejt ndryshe nga Pishaku, sipas tij keto botimet-bomba sikunder gjithe roli intelektual ishin krejt te kontrolluara e te nxitura nga vete regjimi dhe meqe Shinasiu ka qene ne ato ujera e i sheh sot me syrin e specialistit, une per vete jam i prirur ta besoj.
    Fakti qe po hapet ngadale thesi nga te gjithe duke treguar hollesi te ndryshme, tregon edhe qe ‘personazhet’ kane pasur frike te shprehen me pare.
    Regjimi nuk u rrezua por u shnderrua, duke nisur nga berishet e elezet e deri tek fatoset e ramat.
    E hengren vetem njerezit dhe komunistet e ndershem, kurse njerezit e komunistet maskarenj veç perfituan, se Shqiperia ka qene gjithnje prone e maskarenjve.

    1. Sh. Rama ka të drejtë – por në rrethanat e shoqërisë shqiptare, edhe sikur të kish pasur kryengritje të armatosur të mirëfilltë, atë përsëri regjimi do ta nxiste dhe do ta drejtonte.

      Prandaj çështja nuk është nëse ato shkrime “kundër rrymës” kanë qenë apo jo spontane (nuk kanë qenë), por se cilët nga nomenklatura e regjimit u rrezikuan që ato të dalin.

      Gjatë vitit 1990 erdhi duke u bërë e qartë se regjimi nuk do të mbahej dot si më parë. Në ato kushte, agjencitë e ndryshme që e përbënin nisën të punojnë secila për hesap të vet, për të siguruar mbijetesën ato vetë si agjenci, dhe të individëve që i përbënin.

      Sigurimit të shtetit, bie fjala, nuk i bëhej shumë vonë se çfarë do të ndodhte me Shefqet Peçin; po ashtu, kuadrove të zbulimit nuk është se u dilte gjumi natën, për t’u qarë hallin kolegëve të tyre të kundërzbulimit.

      Madje një nga shenjat e kolapsit ishte pikërisht kjo: humbja e kohezionit brenda strukturave të shtetit. Armiqësitë aty kanë qenë po aq të mëdha, sa edhe ato klasore gjetiu.

      Një gjë duhet të mos e harrojmë, për mendimin tim: që ngjarjet ndodhën ashtu si ndodhën sepse pati faktorë që ashtu i dëshiruan dhe që u përpoqën për ato rezultate.

      Por natyrisht, regjimi nuk u rrëzua. Kush do ta rrëzonte?

    2. Sh. Rama eshte rast i komplikuar per te marre fjalen e tij per levizjen demokratike ne Shqiperi. Elementet qe formesojne karakterin politik te ketij njeriu jane te lidhura me diktaturen dhe ndoshta ky flet duke u nisur nga vetja kur mendon qe rrezimi i diktatures komuniste ne Shqiperi eshte bere nga vete po kjo diktature por kjo s’do te thote qe ka te drejte per te tjeret. Nuk ben sens te mendosh qe diktatura rrezoi veten per te shijuar qelite e burgut, humbjen e privilegjeve etj. Diktatura komuniste ishte frut i kalbur qe pune minutash ose oresh do binte nga pema sepse kishte deshtuar si sistem. Sigurisht qe rrezimin e ketij sistemi do ta udhehiqnin ata qe kishin mundesi (studentet, intelektualet) sepse kundershtaret e hershem te diktatures ishin ne burg ose jashte Shqiperise.

  7. Nese me lejohet do them qe perfundimet ku arrin shkrimi jane te gabuara dhe kot qe e merr rugen per tek faqja e Mucit dhe Shekulli se pervecse propagande nuk do te arrije te sherbeje per dicka tjeter. Nuk eshte shkrim qe ka argumente me baze. Pse?

    Elezi me portretizimin qe i ka bere Sofokli Lazrit nuk ka stereotipizuar, por ka paraqitur me besnikeri personazhin jo te rastesishem te Lazrit. Do te ishte e kunderta sikur Elezi te kishte gjetur ose marre per personazh nje njeri te cfaredoshem, te rastesishem, te zakonshem dhe te merrej me dialektin e tij, origjinen dhe keto t’i paraqiste ne nje menyre te keqe. Kjo nuk ka ndodhur.

    Pushteti komunist ka pasur nje baze krahinore dhe kete e dime te gjithe, por do te ishte e pa mbeshtetur te merrej si perfaqesues i jugut ose me ngushte, Laberise Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Shefqet Peci e te tjere.

    Libri i M. Elezit na rrefen ate qe ndodhte ne kampin punist ne vigjilje te permbysjes se sistemit komunist dhe sic thote edhe vete, nuk pretendon qe ishte pjese e levizjes se studenteve dhe profesoreve.

    Nga ato qe thote Elezi dhe mund t’i provoje me gazetat e kohes, pra nuk na servir vetem fjalen e tij, ka qene kurajoz dhe i drejte ne mendimet qe ka shprehur m’u ne zemren e pushtetit komunist kur ka kerkuar pluralizem.

    I shikoj disi me dyshim keta qe kane qene pjese e larte e nomenklatures dhe me vone jane konvertuar, por ne kete rast Elezi eshte i sinqerte.

    1. Shkruan:

      Elezi me portretizimin qe i ka bere Sofokli Lazrit nuk ka stereotipizuar, por ka paraqitur me besnikeri personazhin jo te rastesishem te Lazrit.

      Kjo që thua do të kishte ndonjë farë vlere, sikur në librin e Elezit edhe Berisha, që figuron si personazh krahas Lazrit, të ishte vënë të fliste në dialekt.

      1. Berisha nuk flet ne dialekt te forte. Mund ti thote nentes nante po kaq, nuk eshte shume i pranishem dialekti keshtu qe s’kishte pse merrej me te ne liber ose ndryshe duhej t’i paraqiste te gjithe njerezit qe permend me nuancat qe kane ne te folur se nuk ma merr mendja qe ka bir ose bije shqiptari qe flet vetem e thjesht ne standard. Por problemi eshte mendoj une te stereotipizimi dhe kete gje Elezi nuk e ben. Nuk merr po themi nje polic a nje anetar plenumi dhe ta veje te flase ne dialekt qe te na sugjestionoje ne se kush flet me te foluren e Vunoit a toskerisht eshte komunist.

  8. Xhaxha shpesh here thua qe Elezi e ve Lazrin te flase ne dialekt ne shkrimin tend, per ta stereotipizuar ate si perfaqesues tipik jugor, tosk, lab te nomeklatures komuniste qe mbart urretje dhe percmim per geget.

    Po sikur valle Lazri te kete folur me vertet ne dialekt vunoqot lab e te kete pasur tendeca antigege?

    1. Unë as që e vë në dyshim këtë – Elezi nuk gënjen, e riprodhon ligjëratën e Lazrit ashtu siç e ka dëgjuar.

      Është një lloj fotografie, por fotografia nuk është kurrë e pafajshme. Nga momenti kur Lazri e kapërcen kufirin nga jeta në jetëshkrim, shndërrohet në personazh – dhe karakteristikat e personazhit kanë gjithnjë kuptim.

      Prandaj, nuk është shpjegim të thuash se Lazri i Elezit flet në dialekt, sepse edhe Lazri i vërtetë fliste në dialekt. Që Lazri i Elezit flet në dialekt, kjo vjen ngaqë Elezi dëshiron që Lazri të flasë ashtu – në mënyrë që të përçojë një mesazh ose ide ose përshtypje te lexuesi. Lazri është në tekst një nyje ku bashkohen garda e vjetër, dredhia e aparatçikut, makutëria, komunizmi dhe të qenët tosk, karakteristika që marrin kuptim duke iu referuar njëra-tjetrës.

      1. Me siper thua qe nuk duhen paragjykuar qellimet e Elezit, e ketu ne kete pergjigje thua gjithashtu qe Elezi nuk genjen dhe ti s’e ve ne dyshim kete (ne riprodhimin e ligjerates se Lazrit).

        Pastaj prap ne artikull thua qe Elezi me portretizimin qe i ben Lazrit, kerkon ti kumtoje lexuesit se ai bashkangjitet perceptimit te militanteve te kalter se toskerishtja ka qene zhargon i komunizmit shqiptar.

        Pastaj te pergjigjia per mua thua qe, Lazri flet ne dialekt se keshtu e deshiron Elezi qe ai te flase per te percjelle nje mesazh (toskerishtja si zhargon komunist).

        Nga ana tjeter ne pergjigjen e tij Elezi e refuzon kategorikisht kete portretizim qe ti i ben asaj qe ai ka shkruar per Lazrin.

        1. Jam gati t’i besoj gjithçkaje që thotë Elezi.

          Por njëlloj i besoj edhe gjithçkaje që thotë teksti.

          Elezi është autori, por teksti nuk ka nevojë për autorin që ta shpjegojë. Teksti vepron vetë – siç thotë U. Ecoja (Lector in fabula), teksti i përmban në vetvete udhëzimet si duhet lexuar.

          Nga ana tjetër, edhe populli (nuk di cili popull pikërisht) thotë se udha për në ferr është e shtruar me qëllime të mira.

          Unë, në shkrimin tim kryesor, gjykova tekstin dhe efektin e tij në lexuesin. Argumentet që kam sjellë janë të gjitha të asaj natyre. Tek e fundit, çfarë synimi ka pasur autori kur e ka hedhur një tekst në qarkullim nuk ka kurrfarë rëndësie, as mund ta verifikojmë dot.

          Për ata që do të ma kuptojnë zhargonin, them edhe se për mua, fakti që Elezi ka qenë tepër aktiv kohët e fundit në promovimin e vlerave të gegërishtes dhe në ri-interpretimin e mënyrës si u përftua dhe u imponua standardi i 1972-shit, është pjesë e paratekstit të gjithçkaje që ai shkruan rishtas – nuk është e thënë që lexuesi ta dijë këtë veprimtari të autorit, por nëse e di, kjo i ndikon në lexim.

          (Dua të them që, në rastin konkret, referimi ndaj veprimtarisë leksikografike dhe thjesht sociolinguistike të Elezit nuk është ndonjë orvatje ad hominem.)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin