NJË HISTORI ME XHINJ

Edhe pse gjuhët shkëmbejnë mes tyre fjalë, nëpërmjet fjalëve përcillen edhe morfema, ose njësi që nuk kanë pavarësi leksikore; dhe që pastaj mund të bëjnë jetën e tyre në gjuhën pritëse. Kjo ndodh më shpesh me morfemat fjalëformuese.

Mekanizmi i dukurisë mbështetet mbi analogjinë. Për shembull, shqipja ka huazuar nga turqishtja osmane fjalë si teneqexhi, kazanxhi, kallajxhi, jorganxhi, bojaxhi, të cilat emërtojnë njerëzit sipas zanatit ose profesionit. Meqë krahas këtyre emrave të profesionit në shqipe kanë hyrë edhe fjalët teneqe, kazan, kallaj, jorgan, bojë, atëherë folësit janë në gjendje t’i analizojnë emrat e profesionit më lart si teneqe-xhi, kazan-xhi, kallaj-xhi, jorgan-xhi, boja-xhi dhe të dallojnë atje një prapashtesë –xhi, e cila njëfarësoj tregon personin që ka lidhje me objektin e temës (teneqexhi – zejtar që punon me teneqe; kazanxhi – zejtar që prodhon ose riparon kazanë; kallajxhi – zejtar që lyen enët me kallaj; jorganxhi – zejtar që qep jorganë; bojaxhi – zejtar që lyen muret me bojë). Pas kësaj, mjafton që emrat e mësipërm me prapashtesën –xhi­ të qarkullojnë në ligjërim, që prej tyre të abstragohet kjo –xhi dhe të përdoret me tema që nuk janë huazime nga turqishtja – p.sh. mullixhi, furrxhi, plehraxhi, fshesaxhi, arixhi etj.

Në fakt, fjalë si mulli, furrë, plehra, ari shqipja i ka pasur para se të hynte në kontakt me turqishten osmane. Duke i kombinuar ato me prapashtesën –xhi, krijohen fjalë hibride (ose gjenetikisht të modifikuara), të cilat kanë një temë vendëse (le ta quajmë kështu) dhe një prapashtesë të huazuar. Kjo prapashtesë, në rastin tonë, vazhdon të kryejë të njëjtin funksion si në fjalët e huazuara nga turqishtja osmane: të formojë emra njerëzish sipas zanatit ose profesionit që kanë.

Në turqishten osmane, prapashtesa –xhi nuk ka qenë përdorur vetëm për emra zejtarësh; por, në përgjithësi, për të formuar emra njerëzish dhe mbiemra që lidhen njëfarësoj me çfarë shënjon tema e fjalës. Kështu, shamataxhi është personi që bën (e ka zakon të bëjë) shamatë, jo zejtari i shamatës; dhe sherrxhi idealisht personi i prirur për të bërë sherr vend e pa vend. Kështu, në bazë të së njëjtit mekanizëm të deduksionit ose të abstraksionit të prapashtesës – sa kohë që shqipja i ka huazuar edhe fjalët shamatë dhe sherr – shohim të formohen, këtë herë brenda shqipes, fjalë të ngjashme si rrëmujaxhi dhe poterexhi; ku temat rrëmujë dhe potere nuk janë huazime të shqipes nga turqishtja. Edhe një herë, kombinimi i një teme vendëse me një prapashtesë “të huazuar” përfton fjalë hibride, të cilat përbëhen nga një element vendës ose jo-turqisht, dhe një element me prejardhje nga turqishtja.

Tani, prapashtesa –xhi ka qenë mjaft e përhapur në shqipe derisa nuk kish filluar vetëdijësimi për nevojën e largimit të orientalizmave nga gjuha. Më pas, praktikisht që me Rilindjen e këtej, prirja e shqipes së shkruar ka qenë që t’i zëvendësojë emrat më –xhi me fjalë shqipe, nëpërmjet zëvendësimit të prapashtesës, ose ndonjëherë të krejt fjalës. Doemos, kështu u zëvendësuan edhe emrat që e kishin sjellë këtë –xhi me vete, edhe emrat që e kishin marrë prapashtesën brenda shqipes. Qëllimi ishte që t’i kruhej shqipes, së paku shqipes publike, mbishtresa e fituar gjatë shekujve të sundimit osman dhe të ndërveprimit midis shqipes dhe turqishtes osmane.

Këtë proces zëvendësimi, ndonjëherë të çuar përpara me zell të veçantë nga lëvruesit e fjalës së shkruar, e ndihmoi edhe vetë vjetrimi i shumë fjalëve më –xhi, të cilat shënjonin zeje dhe profesione që nuk ndesheshin më. Kështu, nëse në shqipen e sotme nuk dëgjon më të flitet për kallajxhinj, bozaxhinj, hallvaxhinj, kazanxhinj, teneqexhinj, çertexhinj, jorganxhinj, qymyrxhinj, kalldrëmxhinj, kujunxhinj kjo vjen jo aq ngaqë këta emra janë zëvendësuar nga të tjerë “më shqip”, por ngaqë profesionet vetë janë zhdukur ose, të paktën, janë pakësuar shumë.

Këtë fat kanë pasur edhe fjalë hibride, si furrxhi, trapaxhi, plehraxhi, fshesaxhi, lustraxhi, mullixhi, qerrexhi, sharrëxhi, biçikletaxhi, akullorexhi etj. të cilat i referohen dyfish një ekonomie dhe shoqërie të vjetruar – në kuptim dhe në formë. Edhe profesionet përkatëse janë vjetruar, në mos mënjanuar krejt; edhe emrat dallohen si turqizma-orientalizma për shkak të prapashtesës dhe, si të tillë, i referohen një kohe kur Turqia ishte ende shumë e pranishme në jetën dhe në ligjërimin e përditshëm të shqiptarit. Megjithatë, mjafton ekzistenca e këtyre emrave për të provuar që shqipja e bëri të vetën prapashtesën –xhi, ngaqë i hynte në punë.

Orvatjet e organizuara për largimin e orientalizmave nga shqipja e shkruar, ose në përgjithësi publike, nuk çojnë asnjëherë drejtpërdrejt në zhdukjen e fjalëve të shënjestruara; por vetëm në modifikimin e statusit të tyre. Kështu, një fjalë e shpallur si non grata do të kufizohet në përdorim vetëm në ligjërimin bisedor ose në dialekt; ndërsa zëvendësuesja e saj do të zërë vend në ligjërimin e shkruar ose formal. Që këtej, zëvendësimi i prapashtesës –xhi duke ia ruajtur fjalës temën do të funksionojë si mjet diferencues i shqipes së shkruar ose letrare, nga shqipja bisedore:

Ligjërimi bisedor Ligjërimi formal
Furrxhi furrtar
mullixhi mullis
sharrëxhi sharrëtar
fshesaxhi fshesar
biçikletaxhi biçikletar
akullorexhi akulloreshitës
qerrexhi qerrtar
hekurxhi hekurtar
trapaxhi trapar
nishanxhi shenjëtar
etj.

Natyrisht, zëvendësimi i fjalës në ligjërimin formal (p.sh. nga furrxhifurrtar) nuk garanton gjë mbijetesën e saj; sepse kjo varet nga natyra e profesionit të shënjuar: sa biçikletarë, hekurtarë dhe traparë kanë mbetur sot në qarkullim? Kjo do të thotë edhe që fjalë si ato të kolonës djathtas do të priren të shërbejnë si shënjues të ligjërimit libror të shqipes – në kuptimin që është vështirë që fjalë si akulloreshitës ose hekurtar t’i dëgjosh të përdorura në biseda të lirshme.

Përtej emrave të zejeve dhe të profesioneve, të cilët afrohen për nga karakteristikat kuptimore me terminologjinë dhe nomenklaturat dhe prandaj kanë përdorime mjaft specifike, shqipja e shekullit XX ka pasur një numër të konsiderueshëm emrash dhe mbiemrash më –xhi të huazuar nga turqishtja osmane, të tillë si dallaverexhi, shakaxhi, delenxhi, etj. të cilat, në pajtim me prirjen e përgjithshme të fjalëve të kësaj kategorie, kanë precipituar në ligjërimin bisedor dhe, në masë të madhe, janë vjetruar.

Në të njëjtën kohë, disa krijime të vetvetishme të shqipes vetë, nga tema jo-turqishte por me prapashtesën –xhi, dhe që nuk shënjojnë profesione a zeje, kanë arritur të mbijetojnë në ligjërimin bisedor ose në ligjërimin e thjeshtë, duke shërbyer si shënjues të këtij ligjërimi.

Kështu, zorraxhi, batutaxhi, gafaxhi dhe burgaxhi janë më shumë të ligjërimit të thjeshtë; ndërsa shkresaxhi, kompromisaxhi, lajkaxhi, thashethemexhi, interesaxhi, plaçkaxhi janë të ligjërimit bisedor, edhe pse gjithnjë me ngjyrim keqësues, i cili pjesërisht ka të bëjë me prapashtesën vetë.

Gjatë kohës së pushtimit italian dhe më pas, në tekste të folura dhe të shkruara ku bëhej fjalë për italianët, u përdorën tendur emrat keqësues breshkaxhi dhe makaronaxhi; të cilat tani gjithsesi mund të jenë vjetruar; pa çka se një kohë i referoheshin mënyrës përçmuese si i shihte “populli” ushtarët e Duce-s.

Ka edhe një kategori fjalësh të cilat gjuhëtari nuk e ka të lehtë t’i kategorizojë si huazime, apo si krijime brenda shqipes.

Kështu, për një fjalë si arixhi mund të thuhet me siguri të madhe që nuk ka hyrë në shqipe nga turqishtja osmane, sepse tema e saj, ari është fjalë shqipe e vjetër.

Sikurse mund të thuhet, me po aq siguri, që kujunxhi ka hyrë drejtpërdrejt nga turqishtja osmane, meqë kjo fjalë nuk mund të zbërthehet brenda shqipes (nuk ekziston ndonjë temë *kujun-).

Përkundrejt këtyre dy skajeve gjendet një mori fjalësh për të cilat siguria mungon. Kështu, jorganxhi mund të ketë hyrë drejtpërdrejt nga turqishtja osmane, por mund edhe të jetë krijuar brenda shqipes, sa kohë që shqipja i pat bërë të vetat si temën jorgan ashtu edhe prapashtesën –xhi.

Në raste të tilla, sidomos sa herë që nuk ka dallime në kuptim, gjuhëtarit i duhet të vendosë në parim.

Nga ana tjetër, gjen edhe ndonjë fjalë shqipe më –xhi e cila, pavarësisht se është formuar nga një temë turqishte, vështirë të ketë hyrë nga ajo gjuhë. Për shembull, fjalë si gallataxhi, qyfyrexhi, qylaxhi mund të duken si turqizma të mirëfilltë, por në fakt u referohen kuptimisht fjalëve gallatë, qyfyr dhe qyl ashtu siç përdoren këto të fundit në shqip, jo me kuptimet që kanë në gjuhën burim (se si fjalët gallatë, qyfyr dhe qyl në shqipe janë larguar kuptimisht nga përgjegjëset e tyre në turqishte e kemi analizuar në shkrime të tjera të mëparshme). Për shembull, nëse küfür në turqishte ka kuptimin “blasfemi, profanitet, fjalë e ndyrë”, atëherë qyfyrexhi nuk mund të ketë ardhur nga turqishtja, por është formuar brenda shqipes, nëpërmjet bashkimit të një teme dhe një prapashtese të cilat qëllojnë të kenë hyrë në shqipe nga turqishtja.

Unë kam rezerva të ngjashme edhe për fjalë si bejtexhi, sherrxhi, ahengxhi, qoftexhi, hallexhi – meqë nuk po i drejtvizoj dot me fjalët përgjegjëse të turqishtes; pse temat nuk korrespondojnë kuptimisht, ose fjalët vetë nuk më rezultojnë gjëkundi. Këtu më duhet të hulumtoj më tej.

Edhe më interesant është rasti i fjalës duhanxhi – e cila sot përdoret në shqipen bisedore për të shënjuar dikë që pi (shumë) duhan. Në fakt, tema duhan me kuptimin “tobacco” ka hyrë vërtet nga turqishtja osmane, në shqipe sikurse në gjuhë të tjera të ballkanit; pa çka se turqishtja e sotme përdor një fjalë tjetër për këtë produkt (tütün). Nga ana tjetër, Dizdari jep, për duhanxhi, kuptimin “duhanshitës” (duke vërejtur që “turqishtja s’e ka”); fjalë që në shqipe do të jepej si cigareshitës. Për këto arsye, ka shumë gjasë që edhe duhanxhi, me kuptimin “njeri që ka vesin e duhanit, që pi shumë cigare” të jetë formuar brenda shqipes, me mjete morfologjike që vetëm rastësisht janë me burim nga turqishtja.

Gjithsesi, dhe pavarësisht nga këto kuriozitete, statusi i turqizmave më –xhi në shqipen e sotme dhe prodhimtaria e prapashtesës –xhi sidomos brenda shqipes bisedore janë dy çështje vërtet të lidhura mes tyre, por që duan trajtuar veçan.

Fjalori i Shqipes së Sotme (2006), të cilin mund ta konsultoj më lehtë, ka zgjedhur t’i lërë shumë prej këtyre fjalëve jashtë; dhe veçanërisht është treguar i pamëshirshëm me fjalët hibride, ose të gjitha ato raste kur prapashtesa –xhi ka vepruar aktivisht, si mjet fjalëformues, brenda shqipes; çka lë shumë të kuptohet për ideologjinë puriste që ka frymëzuar hartuesit e fjalorit, por e bën këtë duke i ngatërruar punët, ose duke e maskuar gjendjen reale të përdorimit të fjalëve, sidomos në ligjërimin bisedor mbi-dialektor.

Mirëpo se ç’fat do të ketë në shqipe një fjalë si çertexhi kjo është vërtet diçka e dorës së tretë, që nuk ngre shumë peshë; në një kohë që gjuhëtari, dhe jo vetëm gjuhëtari, ende duhet të pyesë nëse një prapashtesë si –xhi është apo jo ende aktive në ligjërimin bisedor; sepse, po të rezultojë që është ende aktive, atëherë gjasat janë që shqipja ta specializojë si shenjues (marker) të këtij ligjërimi; pavarësisht nga prejardhja e saj.

Pse tregojnë, për shembull, gjallëri të veçantë në shqipen bisedore fjalë si interesaxhi ose thashethemexhi? Vetëm ngaqë shënjojnë dukuri sociale-psikologjike aktuale dhe ngacmuese, apo edhe për shkak të morfologjisë së tyre karakteristike?

Edhe një herë, problemi këtu është se me ç’mjete do të përftohet ligjërimi bisedor i shqipes, si nivel i dallueshëm dhe i pavarur edhe nga shqipja e shkruar edhe nga shqipja dialektore; dhe ky problem nuk mund të ndriçohet, as të zgjidhet duke futur kokën në rërë, si struci – aq më tepër që pa një shqipe bisedore të konsoliduar, në rrafshin edhe leksikor edhe gramatikor, shkrimtarët nuk do të arrijnë të shkëputen dot nga niveli i një letërsie provinciale, ose të shënjuar krahinisht, edhe atëherë kur duhet.

Nuk ka komente

  1. XhaXha, është përshtypja ime e gabuar apo ka një të vërtetë se aty ku fjalëve shqipe u është shtuar prapashtesa –xhi, kjo shoqërohet gjithashtu me një ngjyrim negative? Psh të dyja fjalët që përmende këtu në fund: thashethemexhi apo interesaxhi, kanë në të vërtetë një dimension denigrues, madje përdoren në shqipen bisedore vetëm si të tilla.

    Po ashtu do të mund të sillja raste të ngjashme, psh një fjalëformim që hyri me sukses nga një komedi e popullarizuar gjerësisht në fund të viteve ’80: tullaxhi (nga Pallati 176), qartazi me konotacion të theksuar denigrues. Plehraxhi është një shembull tjetër. E kështu me radhë.

      1. Shumë interesante, falemnderit për këtë. Edhe një herë vërtetohet plasticiteti i gjuhës që merr jetë nga njerëzit e ngjyra nga rrethanat,

  2. Po, vërtet – një ngjyrim që e kanë edhe shumë fjalë të cilat sot përdoruesi i shqipes i percepton si “turke” dhe i shoqëron me një mënyrë jetese dhe mendësi të kapërcyer ose të prapambetur. Pjesërisht kjo është edhe produkt i ideologjisë së Rilindjes, por pjesërisht i detyrohet edhe thjesht vjetrimit. Prandaj edhe fjalë si sedër, rast, setër, zyrë ose sherr i kanë shpëtuar stigmës: ato nuk “duken” turke dhe ashtu trajtohen me indiferencë. Nga ana tjetër, për fjalë si thashethemexhi ose interesaxhi nuk është e lehtë të matësh rolin që luan prapashtesa në ngjyrim; sepse kemi të bëjmë me karakteristika psikologjike të njerëzve që janë vetvetiu negative, nuk është se i bën të tilla mveshja gjuhësore. E shumta që mund të thuhet është se ajo -xhi-ja si prapashtesë e rimerr, madje e përforcon në mënyrë redundante, ngjyrimin (konotacionin) negativ, duke shërbyer si relais.

  3. Nga ‘bejtexhi’, ‘sherrxhi’, ‘ahengxhi’, ‘qoftexhi’ dhe ‘hallexhi’, vetëm ‘qoftexhi’ ka gjasë (shumë gjasë) të ketë ardhur në shqipe bashkë me prapashtesën, kurse nga të tjerat asnjëra nuk ekziston në këtë formë në turqisht, kjo sepse semantika e tyre nuk e përligj formën në fjalë. ‘Bejit’ në turqisht ka kuptimin rigorozisht teknik ‘dyvargësh’ dhe prodhimi i dyvargësheve, kuptueshëm, nuk është parë ndonjëherë si veprimtari për t’u shprehur specifikisht. Kurse në shqip fjala ‘bejte’ ka të bëjë edhe me frymën, stilin apo përmbajtjen. (Nuk e di nëse ka të bëjë edhe me anën teknike të bejtes shqipe.)

    Po kështu edhe fjalët ‘sherr’ dhe ‘aheng’, të cilat, në mos gabohem, i ke trajtuar më parë si huazime të katapultuara semantikisht. Kurse lidhur me ‘hall’ nuk jam i bindur nëse është huazim nga turqishtja. Kjo si përshtypje personale, duke qenë se nuk kam hasur në ndonjë trajtim lidhur me prejardhjen e kësaj fjale dhe as kam patur shansin të konsultohem me fjalorin e Dizdarit apo me ndonjë tjetër të ngjashëm që nuk e di se ekziston. SIdoqoftë, nëse vërtet vjen nga ‘hal’, po ashtu është e sigurt se prapashtesën e ka marrë në shqip, pasi ‘hal’ do të thotë thjesht ‘gjendje’, për mirë apo për keq.

    1. Oksigjen,edhe fjala allishverishaxhi që vjen qartazi nga turqishtja (apo osmanishtja? nuk e di këtë), e përdorur në shqipen bisedore ka kuptim thellësisht denigrues, ndërkohë që në turqishten e sotme allishverish përdoret gjerësisht dhe pa ndonjë konotacion të caktuar për të treguar ëmbël, qetë e bukur aktivitet tregtar.

      1. Me sa di une, sot e mot, si ne turqishten e sotme edhe ne osmanllishten e djeshme “alish-verish” eshte e lidhur me aktivitetin tregetar. Tregetia eshte nje menyre per te nxjerre fitim: e blen me nje cmim dhe e shet me nje cmim tjeter. Diferenca eshte vlera e shtuar, qe ka te beje me shume faktore, sic mund te jete ta zeme, malli qe shitet transportohet nga nje vend ku prodhohej, ne nje tjeter qe nuk e prodhon, ose thjesht nga tregeti me shumice ne pakice, etj.

        Mendoj se kuptimi ne shqip, si fjale denigruese, ndoshta ka ardhur se shqiptaret e kane pare kete aktivitet fitimprures, shoqerisht “te pamoralshem”, duke mos njohur logjiken kapitaliste kerkese-oferte, qe sigurisht duke perqendruar ne pak duar kthehet pastaj ne monopol. Tregetaret sic duket, ne syrin e shqiptareve, nuk jane pare si njerez qe gezojne opinion te mire, por vecse si allishveraxhinj(tregetare) te paskrupull. Ky perdorim pastaj do te jete perhapur ne sfera te tjera te jetes, duke u kthyer ne nje metafore qe shpjegon nje marrje-dhenie jo te drejte, te pamoraleshme ne kurriz te shoqerise.

        Dikush ngrinte nje pyetje interesante: Perse hebrenjte, nuk e kane populluar atdheun e shqiptareve sa duhet? Nje tjeter kishte nje pergjigje interesante. Hebrenjte kishin vene re se si i shisnin vezet fshataret shqiptare ne pazaret e qendrave urbane. Nuk e njihnin shitjen me shumice, ku cifutet do te sherbenin si qendra grumbullimi vezesh ta zeme. Kishin preference t’i shisnin me kokrra. Kjo sigurisht mund te vinte nga vobektesia, por sidoqofte, dicka e tille tregonte se hebrenjte e kishin te veshtire te benin ne Shqiperi allishverishe. 🙂

        1. Ia ke fut kot Read Me. Ajo që thua ti për tregtinë – më saktë, parimi nga i cili nisesh – është tejkaluar me shekuj, që nga koha e të ashtuquajturit revolucion margjinal. Margjinalistë që ndryshe nga shumë ekonomistë të tjerë që e shikonin vlerën me syze të ngurta, panë tek ajo një subjektivitet që luhatet jo vetëm nga nevojat dhe rrethanat duke kaluar nga robi tek robi por edhe nga vlerat dhe ajo që këta individë vlerësojnë tek ai objekt/shërbim apo më gjerë në jetë.

          Pastaj të shash fitimin dhe ta denigrosh në atë farësoj, nuk do të thotë gjë tjetër veçse të jesh anti-progres… (për mendimin tim, po them për të qenë brenda.) Çfarë tjetër veç fitimit dhe sinjaleve që vijnë nga ai, i tregon njeriut dhe njerëzitmi se diçka ka vlerë? Vallë nuk e ke mësuar akoma se arsyeja pse dështoi dhe do të dështojë çdo formë socializmi është sepse i mungojnë çmimet dhe sinjali që vjen nga fitimi? Vallë nuk e ke kuptuar se kjo ishte arsyeje se nëmos ti, të tjerë në shqipëri ngriheshin në katë të mëngjezit për të mbajt radhën për të marrë një kothere buke, apo për të blerë të ashtuquajturat trikotazhe?

          Gjynah…

          1. SBB, fjalet e tua legjitimojne edhe trafikantin edhe hileqarin (contraffazione). Ka pasur e vazhdon te kete nje mosbesim legjitim ndaj menyrave si i shtohet vlera mallit. Besoj se trafikimi dhe hileja jane format qe i kane dhene hapesire fjales allishverish, e cila ne pamundesi te zevendesonte fjalen tregti zevendesoi fjalen ose formen me te cilen shenjohej para turkut dukuria e tregtise se paligjshme e kriminale (psh hileja/contraffazione ushqimore luan me jetet e konsumatorit).

          2. SBB: “Ia ke fut kot Read Me. Ajo që thua ti për tregtinë…”

            Tregetia eshte nje menyre per te nxjerre fitim – shkruajta une. Te fitosh, nuk eshte fjale denigruese ne fjalorin tim. Me tej mund te sqarohet, mund te jesh me percaktues se per cfare fitimi behet fjale.

            Pjesa tjeter e komentit tend duket sikur eshte nje dialog imagjinar, duke ndertuar nje keshtjelle ne ajer me fjale te imagjinuara, por jo te thena apo nenkuptuara prej meje.

            Fjala “alish-verish” ne turqisht vjen nga foljet “almek” dhe “vermek”, qe do te thote me marr dhe me dhene, pra tregon marrje-dhenie, marredhenie. Kjo eshte pra tregetia, qe i sherben te dyja paleve qe hyne ne marrje-dhenie, marredhenie, alish-verish.

        2. Një shpjegim do të ishte se ata që i kanë dhënë kuptim keqësues fjalës allishverish, nuk ia kanë ditur mirë kuptimin në burim – dhe ia kanë bashkëlidhur njëfarësoj anës së fshehtë të transaksionit tregtar.

          Një shpjegim tjetër, që lidhet edhe me sa thotë RM, dhe që e kërkon të keqen ose negativen te vetë tregtia, si veprimtari ekonomike, më duket me më pak gjasë; por edhe më ngacmon më shumë.

          Kush mund ta shohë tregtarin me dyshim disi përbuzës? Nga njëra anë fshatari, nga ana tjetër punonjësi i administratës ose i shtetit, që e ka rrogën të garantuar. Në Shqipërinë e Rilindjes – ose kohën kur fjalët orientale morën kuptime keqësuese – kishte shumë nga të parët dhe jo pak nga të dytët (rrogëtarët).

          Asnjë nga këta nuk e rrok dot mirë vlerën që ia shton mallit tregtari; duke u prirur ta shohë këtë si përfitues ose spekulator. Mutatis mutandis, të njëjtën mendësi e gjen edhe tek tatimi i jashtëzakonshëm që iu vu tregtarëve menjëherë pas Çlirimit; pa folur për ata që i torturuan, për t’u marrë vesh se ku i kishin fshehur florinjtë – frytet e “allishverisheve.”

          Kështu kalojmë nga leksikologjia historike në sociologjinë e asaj shtrese që ua shtoi ngjyrimet negative fjalëve orientale; ose asaj shtrese që i dha tonin zhvillimeve në Shqipërinë e fillimshekullit XX e më pas: punonjës të shtetit dhe administratës dhe fëmijët e tyre që u shkolluan brenda dhe sidomos jashtë Shqipërisë dhe u kthyen pastaj me punëra “intelektuale”.

          Kjo klasë përjashton natyrisht pronarët dhe tregtarët e mëdhenj shqiptarë ose elitat e vjetra, të cilët nuk u përshtatën dot me transformimin e dinosaurit (Perandoria Osmane) në hardhucë (Shqipëria); dhe as morën dot pjesë tamam në lëvizjen nacionaliste në politikë dhe në kulturë e cila, paradoksalisht, i hapi rrugën komunizmit.

          1. Përbuzja e tregtisë si aktivitet ndër shqiptarë nuk është aspak për t’u hedhur poshtë. Një fakt interesant dhe i njohur, ndonëse shpesh i mbetur në hije, është se turqit në Perandorinë Osmane e kanë parë me përbuzje tregtinë, ngaqë u mësuan t’i konsideronin si forma fisnike të fitimit pushtimet dhe plaçkën e luftës, si dhe aristokracinë e tokës që u zhillua si linjë ushqyese e aktivitetit ushtarak nëpërmjet sistemeve të timarit etj. Kështu tregtia në perandori, të paktën në anën perëndimore që përfshinte Anadollin dhe Ballkanin, erdh u bë aktivitet thuajse ekskluziv i hebrenjve, grekëve e armenëve, të cilët për shkak të lidhjeve tregtare që zhvilluan me Evropën e rritën mjaft ndikimin edhe në burokracinë e jashtme dhe në financat e brendshme duke u bërë një burim i rëndësishëm kreditimi për shtetin osman. Kurse tek turqit tregtia mbeti e kufizuar dhe e lidhur ngushtë me prodhimtarinë dhe zejet. Vetëm në periudhën më të fundit të perandorisë turqit nisën t’i qaseshin tregtisë së mirëfilltë. Tani, duke marrë parasysh se edhe shqiptarët kishin një profil të ngjashëm me turqit në perandori si ushtarakë e administratorë, si dhe karakterin e përgjithshëm të nxehtë e luftarak, është mjaft e mundur që ky mentalitet të ketë mbizotëruar edhe tek shqiptarët. Veç kësaj, këtu më vjen ndërmend një rast që rrëfen Eqrem Bej Vlora, kur i sugjeroi një labi që t’i merrte në konsideratë edhe perimet si elemente të mundshme të dietës dhe ky ia ktheu në stil kalorsiak: “S’jam dele unë që të ha bar!” Interesante është se së shpejti po ajo frymë kalorsiake do të artikulohej në formën “Edhe bar do të hamë e parimet nuk i shkelim!” E pjesë e këtyre parimeve ishte edhe abstinenca tregtare e cila, ashtu si erdhën punët, mbijetoi më gjatë se abstinenca vegjetariane, madje në kurriz të kësaj, në botën e shqiptarit. Megjithatë, sado ngacmuese të jenë të tilla reflektime mbi personalitetin e shqiptarit në veçanti dhe ironinë e fatit në përgjithësi, pak e ndihmojnë çështjen e dinamikave gjuhësore që ngërthen ngjyrimi semantik i fjalës ‘allishverish’ apo i prapashtesës ‘xhi’. Mendoj se çështje të tilla kërkojnë pikësëpari një filtrim rigoroz e të ftohtë linguistik, si për shembull, duke e analizuar prapashtesën ‘xhi’ në raport me statusin e prapashtesave të tjera me funksion të ngjashëm, ose fjalë si ‘allishverish’ në kontekstin e fjalëve të ngjashme si kategori leksikore, dhe vetëm pastaj të kalohet në vlerësime tejlinguistike, për të cilat gjithsesi gjithnjë ka shumë vend. Prandaj për një vlerësim sa më të drejtë të vendit që zënë huazimeve turke në shqip në përgjithësi, mendoj se do të vlente shumë një studim krahasimor me trungjet e tjera të huazimeve nga latinishtja apo sllavishtja, në kontekstet e tyre përkatëse historike. Një sugjerim i vockël do të ishte, për shembull, nëse këto huazime kanë marrë një ngjyrim të veçantë në shqip për shkak të fonetikës së veçantë joindo-evropiane, në dallim nga huazimet e tjera të lartpërmendura, çka në fakt Xhaxhai edhe e ka cekur si mundësi në trajtesat e mëparshme. Për t’i shkuar më thellë kësaj, do mund të vlente një krahasim midis fjalëve me prejardhje turke, arabe e perse. Por në mungesë të ekspertizave të tilla, ndoshta duhet ruajtur gjithnjë njëfarë rezerve në vlerësimet psikoanalitike, socio-politike, kulturore e antropologjike të fenomenit që përndryshe shfaqen shumë joshëse dhe vetë nuk bëj përjashtim në këtë drejtim. Mund të vihet re se ndër shpjegimet për semantikën karakteristike të huazimeve nga turqishtja shfaqen veçanërisht tërheqëse ato që i referohen përfytyrimit që shqiptarët kanë patur për atë botë nga vinin këto huazime, ndoshta ngaqë vetë ky përfytyrim ka qenë mjaft kompleks e shpeshherë kontradiktor, shpeshherë edhe i manipuluar, e gjithsesi ende i pastabilizuar, përgjatë marrëdhënies sonë me turqit e sidomos që nga rilindja e këtej dhe për këtë arsye këtu fshihen edhe shumë çështje kyçe të identitetit tonë si komb. Kështu, teksa nga njëra anë mund të thuhet se ka patur një tendencë për t’i periferizuar huazimet turke, qoftë me nxjerrje nga përdorimi, qoftë me shtyrje në regjistra më të ulët gjuhësorë, mund të thuhet gjithashtu se këto huazime përdoren e perceptohen si erëzat e kulinarisë së shqipes dhe ndoshta ky status i dyzuar reflekton pikërisht luftën e papërfunduar mes turkofobisë dhe turkofilisë, që zë një vend aspak për t’u nënvlerësuar në kozmologjinë e shqiptarisë.

  4. Ky arsyetim,ndonse ne nje mase i sforcuar, edhe mund te qendroje nese “allishverish” do te gjykohej i vetmuar,jashte kontekstit. Por ” allishverish” nuk ka asgje te vecante qe t’i shpetonte fatit te pergjithshem çvleresues te turqizmave ne gjuhen shqipe
    Renia e panderprere e prestigjit te Perandorise Osmane,”I semuri Bosforit”, qe gradualisht ishte rregjuar ne Turqi, nuk mund te mos ndikonte edhe ne humbjen e prestigjit te dikurshem te turqishtes. Nga ana tjeter nderprerja e kontakteve me Turqine pas 1912 dhe orientimi ndaj qyteterimit europian (shembell tipik princ Vidi) do te fuste pashmangshmerisht ne moden gjuhesore huazimet prej gjuheve europiane, qe do te zevendesonin gradualisht nje pjese te turqizmave.
    (Nenkuptohet ketu roli madhor i Rilindjes Kombetare per krijimin e nje identiteti te ri gjuhesor, kryesisht nepermjet neologjizmave e kalkimit, dhe qe,duhet theksuar, gjeti perkrahje masive ne te gjitha shtresat, prandaj dhe i suksesshem.)

    Orientimi drejt nje qendre te re qyteterimi nuk mund te mos sillte çvleresimin e te meparshmit, qe tashme perceptohej si i vjeteruar, perfshire edhe komponenten gjuhesore. I ngjashem si proces ne ditet e sotme me renien ne nje fare mase ne gjuhen shqipe te prestigjit te italishtes ndaj anglishtes, si gjuhe e globalizmit,

    O tempora, o mores! – thoshte Ciceroni. Ishte ndryshimi i perceptimit qe i hapi rruge termit neutral “tregeti” duke e çvendosur “allishverish” ne kuptimin e nje tregtie te pandershme, me te hedhur, me te futur. (ose nje tjeter shembell: kredit dhe fajde,kreditor/fajdexhi duke lene menjane per momentin huadhenes -huamarres, qe e specifikojne me tej marredhenien). Dallohen fjalet , dallohen edhe proceset qe pershkruajne dhe kjo e pasuron gjuhen,pavaresisht se “allishverish”-it i kufizohet shume sfera e perdorimit deri ne perjashtim dhe njesoj, pavaresisht se Turqia e sotme nuk eshte me ajo e shkuara.

  5. Fatma: “Ishte ndryshimi i perceptimit qe i hapi rruge termit neutral “tregeti” duke e çvendosur “allishverish” ne kuptimin e nje tregtie te pandershme, me te hedhur, me te futur.”

    Kjo teme eshte pikante dhe shkrimi i 2xha, krijon hapesira per prurje interesante. Fatma me te drejte flet per nje zevendesim te “allishverishit” me tregetine si term qe i pergjigjet ndryshimeve gjeopolitike dhe shkeputjes nga Perandoria Osmane; e pare si nje e keqe me pasoja katastrofike, prej te ciles shqiptaret duhet te shkeputeshin me te gjitha format, edhe ne perdorimet dhe huazimet gjuhesore.

    Eshte per tu vene re se dhe fjalet treg(eti), treg(tar) megjithate nuk i ka shpetuar neutralitetit, si aktivitet kryesisht i ndershem, qe mbeshtet prosperitetit e shoqerise. Sic permenda edhe me pare, – nje fakt per tu dalluar, – tregetia shpesh nuk ka gezuar reputacion si nje aktivitet i ndershem. Theksohet pershembull “shko tek ai se eshte tregetar i ndershem”, apo ben “tregeti te ndershme”, dhe e kunderta, “mos i beso atij/asaj(qe do te kete origjinuar nga marredheniet tregetare), ai ta shet sapunin per djathe”, apo ka “shpirt tregetari”. Kjo e fundit “shpirt tregetari, apo shpirt tregetie” mund te jete edhe nje percaktim pa nuanca negative, thjesht per te treguar aftesine per tregeti te dikuj. Po ashtu te kujtojme edhe shprehjen “per te gjithshka eshte per shitje, per tu tregetuar”, qe mbart po ashtu edhe ngjyresa negative, etj.

    Nuk jam i sigurte per origjinen e fjales treg, por tregtar dhe tregeti, megjithate sic permenda marrin edhe kanotacione negative. Per shembull te kujtojme permbledhjen me tregime te shkurtera te Ernest Koliqit, me titull Tregtar Flamujsh, apo shprehjen “me mikun(vellain, motren, etj) ha e pi, por tregeti mos bej”. Apo shprehjen per te treguar karakterin e dobet te nje njeriu, “per pare, (apo interesin e tij/saj te ngushte) ai/ajo shet edhe nenen e vet”. Kjo duke patur parasysh te menduarin se shitja eshte pjese e aktivitetit tregetar.

    Po ashtu eshte interesante marredhenia e fjaleve treg dhe pazar. Nje shprehje shume e perdorur per te treguar me ngjyra negative nje marredhenie te caktuar, fjala “pazarllek”(angl: bargain), qe ne turqishte pervecse tregon nje marredhenie, ku te dy palet pas nje lloj loje tregetare oferte-kunderoferte, bien dakort se fundi per cmimin.

    Ne shqip “pazarllek” ka kanotacion pothuajse negativ. Kjo nuk eshte vecse per shqipen, por edhe per turqishten. Fjala “pazarlik” flet per arritjen e nje marreveshje; sidomos midis dy paleve (politike) per te ndare pushtetin ose llokmen me te mire, qe jo domosdoshmerisht mund te kete efekte pozitive per te gjitha palet, qe ne nje menyre apo nje tjeter, do te ndikohen, do te kene pasoja nga nje vendim apo marreveshje qofte politike apo shteterore. Nje pjese qe nuk ka zerin e larte aq sa duhet ne kete pazarllek, mund te shperfillet, neperkembet, apo demtohet nga “pazarlleku”.

  6. Read Me: tani po vras mendjen nëse ngjyrimi emocional i fjalës “tregtar” nuk u determinua edhe nga qëndrimi mjaft i pozicionuar i shtetit te ri komunist shqiptar në vitet ’45-’46, kur shpronësimi apo dëmshpërblimet e luftës iu imponuan një klase që ndoshta pikërisht në atë moment historik u ngjiz si e tillë (pra si klasë). Më kujtohet se gjerësisht në librat e historisë së shkollave tetë vjeçare apo të mesme, tregtarët rëndom përmendeshin me konotacion negativ.

    1. Do të ketë pasur edhe një element ksenofobik, te droja dhe përçmimi ndaj tregtarëve.

      Tregtarët në trojet shqiptare shpesh u kanë përkitur minoriteteve – jo aq hebrenj si gjetiu (ndonëse ka pasur edhe hebrenj), por më shumë vllehë dhe shqiptarë të krishterë (ortodoksë, katolikë).

      Ndryshe nga bujqit stacionarë, por edhe ndryshe nga barinjtë shtegtarë nga një kullotë në tjetrën, tregtarët udhëtonin ndryshe, madje edhe “shihnin botë me sy”.

      Kishte tregtarë të shëtitur, sikurse kishte tregtarë shëtitës.

      Duke u zhvendosur nga një vend në tjetrin, tregtari nuk i përkiste komunitetit, por i qasej nga jashtë.

      Kishte edhe tregtarë mirëfilli të huaj, që vinin nga përtej detit.

      Dyqani ishte burim të mirash materiale, por që zakonisht nuk prodhoheshin atje – vinin nga gjetiu. Tundimi për ta hequr qafe këtë ndërmjetës do të ketë qenë i fortë.

      Kur pata shkruar diçka për Ezra Pound-in javë të shkuara, mbaj mend që lexova se, një nga tezat e tij të hershme, ishte se konflikti më karakteristik për botën moderne qenkësh ai midis “ekonomisë dhe financës.”

      Kjo tezë m’u kujtua tani, duke menduar se për fshatarin shqiptar tregtari nuk “punon” siç punon bujku në arë, as siç punon bariu me dhitë; dhe as t’i merr paratë me forcën e armëve, si shteti ose të fortët e radhës.

      Ka një lloj shkathtësie të zhongleri, te mënyra si të ndan tregtari prej parave të tua dhe të bën të kthehesh në shtëpi me diçka që, kur je i varfër, të duket gjithnjë e shtrenjtë.

      Dhe si për të përforcuar këtë stereotipi, tregtia sot mes shqiptarëve vijon të perceptohet, shpesh me të drejtë, si bahçe ku kultivohet haptazi batakçillëku.

      Jemi vite dritë larg etikës protestante dhe themeleve morale të kapitalizmit modern – çfarë nuk na ka penguar të importojmë nga Perëndimi modele garantiste në politikat ekonomike, të cilat jo veç mbrojnë vetëm të keqen, por edhe e ndjellin atë.

      Magji e zezë, e praktikuar ditën për diell.

  7. Verejtje e sakte.

    Sophieshqip shteti komunist veproi ne logjiken leniniste; modelin e kishte te gatshem dhe me gryken e pushkes te fitimtarit, dhunen dhe shpalljen e ligjeve si ato te tatimeve te luftes dhe te jashtezakonshme, midis armiqve te klases, vuri ne shenjester sic e quan dora vete EH, borgjezine tregetare.

    Per te kuptuar dimensionin armiqesor dhe ngjyrimet emocionale qe pushteti komunist ushqeu me propogande masat, turmat, ate pra popullin, mjafton per te nxjerre nga pluhuri i 25 vjeteve postkomuniste kujtimet e numer njeshit ne Shqiperi, ne doren e te cilit u kontrolluan fatet e Shqiperise per dekada.

    Megjithese jashte teme, por po sjell dicka qe mendoj se eshte interesante dhe ne nje linje me komentin tend. Citimet e meposhtme jane marre nga kujtimet e EH. Interneti ta jep kete mundesi. 🙂

    >

    “Borgjezia po ndiente në palcë shpatën e mprehtë të diktaturës së proletariatit. Masat dhe reformat e para nuk kishin vetëm karakter ekonomik, tehu i tyre ishte më i mprehtë në thelbin e tyre klasor politik. E tillë ishte edhe venia e tatimeve të jashtëzakonshme per fitimet e luftës. Kjo qe një masë me tendenciozitet të theksuar klasor, sepse godiste brinjë më brinjë borgjezinë tregtare, e cila, si gjithmonë, edhe gjatë periudhës së luftës, ishte majmur me gjakun dhe mjerimin e popullit.”

    (Ka nje dinamike interesante rreth nje familje me emer gjirokastrite, Selfot, qe EH kishte lidhje. Kjo mund te shpjegoje edhe dicka jungiane ne dinamiken e urrejtjes te deshmuar.)

    “Syrjai ishte nga Selfot, që qenë tregtarë të mëdhenj. Këta, me përjashtim të vetë Syrjait dhe Halitit, i cili doli partizan, qenë të këqij. E mes tyre vinte né radhë të parë Reiz Selfoja që mbahej si i pari i familjes sé Selfove. Ky ishte një nga më reaksionarët e më dallaveraxhinjtë dhe ekspert né rrethin e tregtarëve të mëdhenj. E kishte mirë me çdo regjim, me Zogun dhe me italianët. Vetëm me ne nuk i shkoi, sepse, për krimet që kishte kryer ndaj popullit e atdheut, i treguam vendin dhe gjyqi e dënoi me pushkatim.”…

    Kurse Syrjain e kisha shok të mirë, me të cilin bisedoja shpesh dhe më kishte kuptuar; ai komunist nuk ishte, por ishte patriot, antiitalian, antifashist. Mua veçanërisht më donte sinqerisht dhe unë po ashtu. …

    Syrjai e ndihmoi luftën sa mundi, dy shtëpi që zuri me qira na i vuri né dispozicion të punës sonë ilegale. Jepte ndihma né të holla për luftën tonë, edhe mua personalisht gjatë luftës më ka ndihmuar shumë, po ashtu dhe familjen time kur dola né ilegalitet.

    Kur çliruam Shqipërinë, Syrjai ishte i gëzuar. Një ditë e takoj dhe i them:

    Erdhi dita për të cilën luftuam, por lufta po vazhdon. Tash të gjithë tregtarëve do t’u vëmë taksat e luftës dhe këto do të jenë të rënda. Selfot do të jenë né mes të këtyre.

    Syrjai më tha: – Zjarri t’u hyjë nga fundi né krye, të tëra i merrni dhe unë do t’ju ndihmoj. Unë vetëm dua të punoj, pa të tëra i konfiskoni.”

    >

    Gjuha e EH mjafton per te perfytyruar se cfare imazhi krijoi pushteti i tij per “borgjezine tregetare”.

    Per me teper mund te kontrollohet linku me poshte:

    http://ciml.250x.com/archive/hoxha/albanian/eh_kur_6.html

  8. Ka fort te ngjare qe “allishverish” te kete hyre fillimisht ne shqipe bashke me nje ngarkese negative. Se ne c’mase ky negativitet, eshte pune ekspertesh, por cilesisht ja nje deshmi e Evlia Celebiut per ata qe ushtrojne allishverishin,tregtaret:
    ” Ata jane rrenimi i detareve. Ua blejne me te lire drithin qe sjellin dhe e depozitojne ate. Kur pllakosin thatesira dhe zia e bukes , ata e rishesin drithin me cmime te larta. Keta jane njerez te keqinj, jane per t’u share, jane matrapaze.”
    (Duket edhe ketu qe turqishtja e ka negativen, por gjithsesi edhe negativi,matrapazi, allishverishe ben dhe vete procesi infektohet ne kuptim sidoqofte .)

    Pertej pershtypjes qe te krijon Celebiu , menyra se si funksionte Perandoria Osmane jepte shkas qe konsumatori i thjeshte te perftonte nje percmim per profesionin e tregtarit.

    Tregtia e jashtme e PO ishte e kufizuar; psh deri afer fundit te shek. XVIII Deti i Zi ishte nje det i ndaluar per anijet perendimore. Ne Mesdheun lindor dhe detin Egje, lundrimi prane brigjeve sundohej nga anijet osmane. Brenda PO per shumicen derrmuese te popullsise nderhyrja e huaj, europiane, as qe ndjehej fare. Kjo popullsi ishte ne kontakt te vazhdueshem e te vetem me tregtaret e vegjel vendas,qe per shume arsye silleshin sic i pershkruan Celebiu.

    Prodhimi i brendshem nuk ishte i rregullt e i kenaqshem, me mungesa te shumta ne treg, me shtrenjtim te mallrave e deri ne zi buke. Keto mungesa sillnin trazira ,bile edhe ne Stamboll. Keto situata jepnin shkas per spekullime, ku doemos tregtaret kishin rol te dores se pare. PO here pas here perpiqej te merrte masa kunder ketyre fenomeneve por ajo shkelqente vetem ne mbledhjen e taksave.

    Nga ana tjeter, nese ne kryeqytet per nevojat e popullsise merrej vete veziri i madh, neper qytetet e krahinave me kete detyre ishin te ngarkuar kadileret. Keta me ndihmesat e tyre, muhtesibet,kontrollonin edhe sferen e qarkullimit te mallrave per popullsine. Por korrupsioni ishte i kudogjendshem ne PO dhe kuptohet qe pasojat ne fund te fundit binin mbi konsumatorin. Sic e thote edhe bejtexhiu yne: ” Kadiu per parane/ ters e vertet sheriane”…

    Cmimet edhe per krahinat vendoseshin nga Divani ne Stamboll por zbatimi ishte ne dore te krahinoreve, qe teorikisht duhej te kontrolloheshin nga nepunes te vecante. Por cmimet e percaktuara nuk i kenaqnin prodhuesit dhe kjo nxiste shitjen nen dore, tregun e zi e kontrabanden. Edhe kete here pasojat ishin mbi konsumatorin,qe krijonte perceptim negativ me ate qe ishte ne kontakt, egzekutorin ,tregtarin,ate qe bente allishverishin.

    Kur PO, per ndalur krizen e renies se pakthyeshme, forcoi autonomine vendore si pasoje lindi nje shtrese e re tregtaresh ne Ballkan ,qe u quajt ‘tregtaret ortodokse’ ( si ne rastin e Voskopojes).Kjo tregti ballkanike, qe eksportonte jashte PO (Austri, Gjermani,etj) por dhe brenda territorit osman konsiderohet me gjase nje tjeter faktor i shfrytezimit te rende te fshataresise ne Ballkan. Keta, ashtu si dhe me pare tregtaret hebrenj e armene,terhoqen mbi vete pakenaqesine sidomos te popullsive myslymane, te cilet per shkak te fese se ndryshme e kishin me komode ta perceptonin te percmuar tregtarin ortodoks e bashke me te edhe vete tregtine, allishverishin.

    Keto efekte , si ne kete rast, mbi fjalet vijne nga faktore afatgjate e persistente , aq sa mund te humbasin fare zanafillen e behen tradite. Ne kete kuptim efekti percmues ndaj tregtareve e tregtise per hir te sekuestrimeve komuniste te pasluftes (1945-46) eshte i paperfillshem. Jo cdo gje e ne cdo rast mund te shpjegohet me faktorin e rregjimit komunist. Nese prej asaj periudhe do te mbetej nje ndjenje per tregtine,ajo duhej te ishte ngurtesimi, mungesa e cilesise,inefektiviteti.

  9. Nëse i rikthehemi Dizdarit, në pamundësi për më mirë, allishverishi dikur në të folurën e shqiptarëve i bie të mos ketë pasur ndonjë konotacion (“Sot s’para kemi patur allishverish në dyqan. Shkon mirë me dugajë, ban alleveresh gjith ditën.”). Shembullin e vetëm përkeqsues Dizdari e vjel nga letërsia e re, nga një tekst i Kutelit.

    Po tregtarit si i kanë pasë thënë tanët orientalisht dhe a ka bartur ndonjë stigmë fjala?

    Në letërsinë me tema historike të paranëntëdhjetës hasej forma “tyxhar”, e njëjta që vazhdon të përdorë turqishtja e sotme (tüccar). Në zërin TYXHAR (“tregtar që shiste e blente me shumicë; grosist, reshper” etj.) Dizdari sjell nga folklori vetëm shembuj miklues apo thjesht përshkrues për tregtarin: “Kour u vra Halit tuxhari/ Me mindil qau pazari”; “Kur vjen djali nga pazari/ Porsi bir tuxhari”; “Tash t’marton nana me tuxhar/ Ku t’a ken kalin me shalë (…)”. (Një më poshtë, në fjalorin e Dizdarit gjejmë dhe hyrjen TYXHARET për tregtinë.)

    Vështrimi vëngër mbi tregtinë, shit-blerjen, pasurinë e të pasurit nuk ka lidhje fort me programe apo incidente të kronikës ekonomike diku – këto vetëm sa do t’i shtoheshin problemit -, sa me një lloj etosi monoteist/manikeist paramodern që vepron ende gjatë gjithë kësaj zone të qytetërimit, me të pasurin që hyn në parajsë sa deveja në birë të gjilpërës, me Krishtin me kamxhik në Tempull, me shitblerjen prej 30 asprash e me botën materiale të ngasjeve satanike të luksit, grykësisë që i kundërvihen frymës. Shembujt ishin biblikë, si më të cekur, por edhe në Kuran, me gjithë disa metafora pozitive me tregun, gjejmë përmendje kërcënuese për të dhënët pas pasurisë e mallit, për të pasurit që nuk shpërndajnë, specifikisht për tregtarin abuzues, e sidomos për kë bën “tregti me fenë”. Ky etos furnizon sistematikisht kulturën prej shekujsh dhe është bërë gati pjesë e natyrës së tregtisë e pasurisë në këtë anë të botës – dalluar nga një vështrim më bujar ndaj pasurisë në kultura sa më lindore. Nëse kultura popullore tek ne nuk po duket të ketë qenë fort e ndjeshme ndaj stigmave letrare të pasurisë e tregtisë, meqë dhe e mbuluar dobët me ligjërim klerikal, stigmat duhen pritur atëherë dhe kur dokumentohen – me rritjen oksidentalizuese të shkrimit, shtypit, letërsisë, arsimit, në fillimet e shek. XX, deri kur stafetën e merr propaganda e luftës së klasave.

    Duket e natyrshme pastaj që për një veprimtari që imiton tregtinë aty ku nuk duhet (kompromisi, korrupsioni etj.) fjalët vijnë më mirë sa më rokoko të tingëllojnë (pazarllëk, allishverish etj), sidomos kur rendet revolucionare të njëpasnjëshme tek ne i kërkojnë natyrshëm përkeqsuesit në stokun e terminologjive të diskredituara së bashku me rendin e përmbysur.

  10. Ne nje koment timin me pare permenda permbledhjen me tregime te Ernest Koliqit Tregtar Flamujsh. Kam qeshur, jam ngazellyer vertete, kur kam lexuar nje nga tregimet e tij, Djepi Arit.

    Pavarsisht se ambjenti eshte lokalist, i kufizuar ne qytetin e Shkodres, proza e Koliqit deperton ne menyre te admirueshme ne karakteret dhe boten e personazheve, kryesisht shtrese e mesme, familje e rreth tregetaresh. Komenti i apada-s percjell universalen dhe kompleksen qe ka shoqeruar figuren e tregetarit ne kulturat dhe civilizimet e ndryshme. Ky tregim kontribon po ashtu, por me gjuhen e letersise, prozes letrare.

    Sic edhe percillet nga karakteret e skices te Koliqit, nuk eshte kaq lehte te perkufizosh, te japesh verdiktin perfundimtar mbi rolin e ketij profesioni, pa te cilin nuk do te kishte as civilizime, as shkembim kulturash, as zhvillime teknologjike e kulturore, as mundesira per te gezuar materialisht e shpirterisht boten.

    Ju ftoj te lexoni skicen ne fjale, tregon edhe forcen tregimtare te Koliqit si shkrimtar modern i viteve 30-te, qe levroi gjinine e shkurter (me interes te vecante eshte edhe pjesa ku flitet se cfare do te benin te dy shoket me milionat, mesuesi dhe biri i tregetarit).

    Koliqi e mbyll tregimin e tij si vijon:

    …Ne fund paret qi merr i ka hak, – bisedoi Hilushi. – Sduhet perzie Bajrami me vjedhsit e
    zakonshem.Edhe ai ban tregti.Shet andrra.Skane te paguem andrrimet e bukura,me te cilat
    u kenaqme mbrame,nesa Bajrami na perkundte ne djepin ari te fantazis se tij…

    http://www.proletari.com/pdf/Ernest%20Koliqi%20-%20DJEPI%20ARIT.pdf

  11. Meqe Read Me e rihapi debatin:

    Me mire se Dizdari yne duhet ta dije turqishten turku Halil Inalçik,i cili jep kete shpjegim : tyxhar(tüccar)=tregtar i madh,mysliman,i krishtere ose hebre,qe bente sidomos tregtine e sendeve te luksit me viset e largeta.

    Sipas Inalçik kishte dy klasa tregtaresh, ata qe merreshin me prodhimin vendas kishin nje pozite me te ulet se ata qe merreshin me karvanet apo tregtine pertej detit. Ne kategorine e pare hynin dyqanxhinjte, etj, ndersa ne te dyten tuxharet (ose bazirganet). « Keta ishin kapitalistet e vertete te shoqerise se Lindjes se Afert. Nuk kishte gje qe t’i ndalte ata perpara cfaredo lloj sipermarrjeje apo shtimit pa kufij te pasurise se tyre,[…] bile shteti i nxiste nismat e tyre [..]dhe klasa e larte invenstonte parate e veta nepermjet ketyre tregtareve. »

    Veshtire qe nje tregtar i madh objektesh luksi te kete kontakte me konsumatorin e rendomte, subjektin ku perftohet opinion jo i mire per tregtarin ( e vogel apo te mesem qe shet sende jetesore). Prandaj ky term, tyxhar, nuk pritet te kete ngarkese negative te vecante. Ndaj nje figure te tille mund te linde zilia (edhe nderimi per arritjet e medha) por nuk mund ta krahasosh me dyqanxhiun, bakallin apo çertexhiun e lagjes, qe perpiqet te nxjerre edhe qindarken nga bleresi se aq e ka takatin. Dizdari sjell nje shembell: “ma peshoi buken 100 gram eksiq”; kush valle? Ekmekxhiu,tregtari bukes.

    Allishverishet i bejne te vegjelit dhe populli opinionberes me keta eshte ne marredhenie . Tyxhari nuk ben allishverishe, tyxhari ben transaksione.
    Per shtresat popullore tyxhari eshte nje figure e larget, e fuqishme, e suksesshme dhe e pushtetshme; per te opinioni ngrihet mbi shkelqimin e pasurise dhe suksesit ne ndryshim nga matrapazi, xhambazi, kaçakxhiu(trafikanti) , te cileve u evidentohet sjellja e pandershme.
    Prandaj jane te kuptueshme : « Porsi bir tuxhari”; “Tash t’marton nana me tuxhar »,etj, por edhe « U ba’sh bir rreshper i rande/u ba’sh rreshper , u ba’sh zotni “, qe jane metafora e shprehin deshira,fare te zakonshme ne letersine popullore, si psh ajo me e perhapura e me superiorja ku fukarai aspiron te marre bijen e mbretit per grua.

    Dizdari nuk ka shume shembej me konotacion negativ dhe ato i sjell si rregull nga autore,mesa duket per t’i mbeshtetur me tekste. Psh: “Atje punon pehlivanlleku shekullor i orjentalave” nga K.Maloki. Per “allishverish” jep shembej per te sqaruar kuptimin e fjales dhe i vetmi ilustrim nga letersia eshte tejet negativ,ku allishverish barazohet me dallavere. Nje ilustrim i vetem dhe edhe ai negativ, e ka nje domethenie. Nese “allishverish” nuk do te kishte ngarkese negative , perse duhej ta sillte ilustrimin e Kutelit?
    Sidoqofte nuk mund te sillet si prove e pakundershtueshme. Psh nuk ka shembej negative per “kadi” por kjo nuk e çvlereson H.Z. Kamberin. Ose nuk ka negative per “fajde”,nderkohe qe mund t’i gjesh per “faiz” apo “fajdexhi”.

    Lidhur me negativizmin e hershem te turqizmave(orientalizmave) kemi edhe nje konfirmim ,mjaft interesant, nga nje studjues me emer si Xh. LLoshi :”..në shqipen e re të etapës së Rilindjes kanë ndodhur ndryshimet përkatëse sidomos semantike të huazimeve orientale në shqipen, ndërsa në etapën e shqipes së sotme u shtua gama e ngjyrimeve stilistike dhe shprehëse të huazimeve orientale, sepse deri atëherë mbizotëronin konotacionet negative për shkak të qëndrimit përgjithësisht negativ kundrejt trashëgimisë orientale, qëndrim që do të bëhej më i larmë me kalimin e kohës.”

    Se fundi, eshte vertete ndikimi i etosit por duhet te kihet parasysh nese ky etos u lind e imponua nga hiçi apo eshte pasoje e praktikave jetesore, qe mbivendosen per breza e breza te tere per te dhene kultura pergjithesuese.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: