EMOCIONE TË TASTIERËS

Ka qenë një kohë, dikur, kur njeriu arrinte t’i shprehte mirë emocionet e veta edhe me shkrim. Ndoshta jo çdo njeri; sikurse jo çdo njeri dinte të shkruante e të lexonte; por kush merrte penën në dorë, ish në gjendje t’ia përcillte tjetrit çfarë ndiente: gëzim, hilaritet, shpoti, trishtim, ironi, neveri, tallje, sarkazëm, urrejtje.

Sot, për të realizuar të njëjtin efekt, na vijnë në ndihmë emotikonet, si  🙁  :P, e plot të tjera si këto.

Kush rrëfen një shaka online, ndihet praktikisht i detyruar ta shoqërojë tekstin me emotikonin e dikujt që shqyhet gazi. Kjo më kujton një zakon të bezdisur të disave, që qeshin vetë aq sa u mbahet fryma, para se ta kenë përfunduar shakanë ose barcaletën që po tregojnë.

Tjetri nuk është më i sigurt, nëse efekti i fjalëve të veta do të ruhet, gjatë kalimit nga ekrani në sy dhe pastaj në mendje; prandaj e sqaron këtë në mënyrë të tillë, që ty nuk të mbetet veçse të qash ose të qeshësh me të: o-bo-bo, hi-hi-hi, ha-ha-ha.

Tek e fundit, dukuria e emotikonit i përket së njëjtës kulturë që na ka dhënë, mes të tjerash, të ashtuquajturën canned laughter, ose të qeshurit në konservë, një kolonë zanore me të qeshura dokudo, që shoqëron komeditë ose skeçet televizive, të njohura ndryshe si sit coms, për t’u treguar spektatorëve se kur duhet të qeshin.

Ka edhe më. Një ditë, kur po bleja një kumbull, pashë që mbi të kishin ngjitur një etiketë të vogël ovale, në të cilën ishte shkruar një numër katërshifror dhe fjala plum (“kumbull”, në anglishte). Etiketa më kumtonte emrin e objektit, si të isha në një leksion të gjuhës së huaj. Informacion përndryshe i nevojshëm – përndryshe mund ta kisha marrë frutin për fik, ose patëllxhane [këtu duhet të shtoj emotikonin e ironisë].

Jetojmë brenda një kulture komunikimi aq gjithëpërfshirëse, aq demokratike, sa nuk e duron dot më ambiguitetin, sepse ambiguiteti kërkon familjaritet, që të deshifrohet drejt. Një gazetë lokale, bie fjala, komunikon ndryshe me lexuesit e vet sesa U.S.A. Today, që shpërndahet egërsisht në çdo hotel anembanë Amerikës. Në raste si ky i fundit, kur mesazhi i transmetohet mbarë universit, edhe shakaja më e pafajshme, e bërë në kontekst të gabuar, mund të merret seriozisht dhe të përcillet si e vërtetë (kush do të guxonte të gdhendte ndonjë shaka te pllaka që tani fluturon, në bord të sondës hapësinore Pioneer, diku jashtë sistemit diellor?).

Dua të them se, në këtë univers të akullt dhe impersonal ku jetojmë, ironia ime mund të jetë serioziteti yt, patetika ime sarkazmi yt. Fjalët mund t’i kemi pak a shumë të njëjta e t’i themi njëlloj, por emocionet na ndajnë. Që këtej, për të komunikuar emocione, duhet t’u drejtohemi ikonave, ose ushqimeve të gatshme (vetëm ngroheni në mikrovalë).

Emotikoni J është shenjë që të fton të qeshësh, ose e pakta të buzëqeshësh; dhe vjen së bashku me supozimin se ti je aq i trashë, sa mund të mos e kesh kapur këtë nuancë të ligjërimit tashmë; ose e kundërta, me deduksionin se kush po të shkruan është kaq përtac, ose kaq i pazoti, sa s’është në gjendje të formulojë e të përcjellë me fjalë as edhe një emocion kaq të thjeshtë sa ky.

Sa më shumë përhapet ky zakon parazitar i të shkruarit, ky rregullim arbitrar i trafikut gjuhësor informal me shenja të qarkullimit emocional, sa kush nuk i përdor këto të fundit, rrezikon të tingëllojë jo aq troglodit, sesa i ftohtë, në mos i pandjeshëm dhe i vrazhdë.

Krahasoni:

[Sot paradite më ngordhi kanarina.]

1. Më vjen keq 🙁

2. Më vjen keq

Thënia e dytë do të përjetohet si diçka për të larë gojën, ose ftesë, jo dhe shumë e njerëzishme, për të ndërruar temën e bisedës. Emotikoni, përveçse shënjon një emocion specifik, lajmëron edhe zotimin shpirtëror të folësit në çfarë po bisedohet.

Krahas me emotikonet, në tekstet informale online janë shtuar së tepërmi edhe tripikëshet (shenjë e një mendimi të ndërprerë, jo nga demenca, as nga alkooli, por nga intensiteti i ndjenjës), pikëçuditëset dhe pikëpyetjet; madje për këto të fundit, numri është në përpjesëtim të drejtë me intensitetin emocional që shoqëron çudinë ose pyetjen. Edhe kombinimet e tyre pak a shumë rastësore, si ???!!!!, synojnë të përcjellin intensitet të kulluar të një reagimi emocional, pa e specifikuar atë më tej – ti lexuesi vërtet nuk e kupton dot nëse shkruesi është ironik, i revoltuar ose gati për t’ia plasur të qeshurit, ama e kap idenë e përgjithshme se tjetri po e përjeton të gjithë këtë me mobilizim shpirtëror maksimal.

Në këtë pikë, fjalët rrezikojnë të vijnë e të bëhen të tepërta; sa kohë që kuptimin e mirëfilltë ose efektin që duam të përcjellim, në shkëmbime si të mësipërmet, e shpreh emotikoni vetë:

[Sot paradite më ngordhi kanarina.]

3. 🙁

Vështirë ta parashikosh se ku do të na çojë kjo prirje, tani që teknologjia lejon ndërthurjen e teksteve tradicionale me elemente ikonike. Një afrim i shkrimit me sisteme ideografike, si kinezçja e shkruar, nuk mund të përjashtohet – aq më tepër që ikonat, ndryshe prej fjalëve, janë universale.

Nuk është për t’u habitur, në këtë pikë, që sistemet më të ndërlikuara të emotikoneve i ndesh sot në kulturat aziatike – kineze, koreane dhe sidomos japoneze (emoji).

Gjithsesi, mua s’di pse më kujton, e gjithë kjo meselé, një pasazh të famshëm nga Udhëtimet e Guliverit të Swift-it, ku heroi rrëfen për një plan gjenial të hartuar nga Akademia e Gjuhëve, në Lagado; plan që synonte eliminimin e plotë të fjalëve dhe të mundimit fizik që shoqëron të folurit. Meqë fjalët nuk janë veçse emra për sendet, thonë hartuesit e këtij plani, atëherë do të ishte më mirë që njerëzit t’i merrnin këto sende me vete dhe t’i përdornin drejtpërdrejt për t’i komunikuar tjetrit atë çka dëshironin, duke kursyer frymën dhe zërin – edhe pse kjo teknikë kaq radikale vjen me disa vështirësi praktike, që kanë të bëjnë kryesisht me peshën e sendeve që lipsen për këtë proces (po a nuk janë njëlloj të shumta edhe hieroglifet kineze, që ua rëndojnë plumb valixhet e kujtesës vocërrakëve të atjeshëm?). Për biseda të shkurtra, vëren Guliveri, një njeri mund t’i bartë sendet që i duhen në xhepa dhe nën sqetull…

Tjetër avantazh praktik i emotikoneve, në këtë epokë të komunikimit të mbarështuar që po përjetojmë, është se këto i thjeshtojnë mjaft emocionet njerëzore; ndryshe nga gjuha, e folur ose e shkruar, e cila ka prirje t’i fshehë pas nuancave, ambiguitetit dhe ekuivokut.

Të gjithë ne, që i përdorim rëndom emotikonet, përmendim nevojën për të komunikuar shpejt dhe pa keqkuptime, në kontekste zakonisht të çfarë njihet si multitasking, ose kur nuk kemi kohë ta shtjellojmë si duhet, me shkrim, mendimin dhe ndjenjën. Nga kjo pikëpamje, emotikoni dhe shkurtimet e tipit LOL, IMHO, BRB, ROTFLMAO dhe të tjera të kësaj kategorie shkojnë krah për krah, duke synuar, në çdo rast, të heqin qafe çka njihet, në gjuhësi, si nyjëtim i dytë i gjuhës, ose paraqitjen e fjalëve sipas tingullit të tyre. Paradoksi këtu është se, sidoqë ta stenografojmë ligjërimin, shkrimi përsëri mbetet më i ngadalshëm se të folurit; dhe se, edhe shkurtimet edhe emotikonet, janë efekte anësore, relativisht të padëshiruara, të vetizolimit tonë në hapësirën e shkruar.

Nuk ka komente

  1. N’x t’I, nqs ë e vër8 që kanarina -> +infty ( 0 – infty ), ngushllime 😛

    Përdorimi i stenografisë, zhargoni, apo dhe një lloj komunikimi i caktuar(qoftë edhe nëpërmjet emotikoneve), kryhet vetëm në rastet ekstreme… në ato ambjente ku ky lloj komunikimi kuptohet/pranohet prej të tjerëve (=> prandaj nuk shkruhen shaka, megjithse është e mbushur me figura ajo pllaka e Pionerit), ose aq më keq, në ato ambjente ku nuk mund të të kuptojnë nëse nuk ja spjegon edhe me figura.

  2. Pershendetje,
    Sapo zbulova blogun tuaj dhe eshte hera e pare qe po komentoj.

    Ne pjesen nderrmuese te perdorimit te emoticoneve ato NUK tregojne aspak se kur duhet qe lexuesi te qeshe; ato vetem sa pershkruajne KONTEKSTIN e asaj qe eshte thene. Po te marr nje shembull, nese te them un ty:

    -Ajo foto e jotja qe eshte hedhur ne facebook ngjan me nje foto (nga menyra se si i ke vendosur librat, pra ne kolona, njeri mbi tjetrin) te Christopher Hitchens-it; Kopjac. 😛

    -Ajo foto e jotja qe eshte hedhur ne facebook ngjan me nje foto te Christopher Hitchens-it; Kopjac.

    Te rasti i pare kuptohet qe “sta them me te keq” pasi te nxjerr gjuhen, ndersa te rasti i dyte ti mund edhe te fyhesh. Pra mungesa e shprehjes se fytyres, kur flasim ne internet, mund te coje ne keqkuptime te medha. Emoticonet pra, ne kete kendveshtrim jane te nevojshme.

    Pastaj persa i perket kendveshtrimit tend, pra kur zevendesojme fjalet tona me emotikone, jam dakort qe ka efekt te keq mbi gjuhen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin