SILUETAT E KOMENTIT

Blogosfera shqiptare ka ardhur duke u zgjeruar vitet e fundit, çka do të thotë se janë rritur edhe komentet që u bëhen shkrimeve të ndryshme. Nga pikëpamja sasiore rritja është e dukshme, nga ana cilësore gjykimi duhet pezulluar; në fakt, nuk mund të flitet për zhvillim harmonik të blogosferës shqiptare, të paktën në lëmin e komenteve. Këto të fundit janë rritur progresivisht që kur mediat tradicionale lejuan komentimin e shkrimeve të veta në linjë, duke iu afruar formës së blogut, pavarësisht se autori zakonisht nuk merr pjesë në diskutim. Gjithsesi, një farë bilanci për komentuesit në internet – galeria e të cilëve është me të vërtetë e pasur – nuk duket i parakohshëm.

Më tej po japim disa profile komentuesish, që enden e shfaqen nëpër diskutime virtuale në shqip, me bindjen se nuk mund të jenë aspak shteruese. Komentuesit e blogut “Peizazhe të Fjalës” përjashtohen me përkufizim, janë tejet të veçantë për t’u përgjithësuar, ndaj nuk duhet ta kërkojnë veten nëpër personazhet e kategorizuar më poshtë. Apo jo? Personalisht p.sh. bëra një provë për të parë në cilin grupim bëja pjesë: pas hetimit psikologjik e pashë veten të pasqyruar në disa figura njëkohësisht. Hoqa dorë, natyrisht.

Ja profilet e komentuesit:

Standardi – komentuesi standard është ai që u jep jetë blogjeve. Është oksigjeni i diskutimit. Pa të vetë blogjet nuk do të ekzistonin. Ky komenton normalisht, diskuton normalisht, debaton normalisht, gjithnjë duke respektuar rregullat e odës; e koncepton blogun si pasurim të ndërsjellë. Mungesa e tij dallohet kur nuk komenton, si puna e ujit, ia njeh dobinë kur je në shkretëtirë.

Profesionisti – ky komenton çdo mesazh që i kalon para syve. Komenti për të është punë, si ara për bujkun, si buka për furrxhiun, si kontrolli për doganierin. Është ai që kushtëzon artikullshkruesit. Këta, kur nuk shohin komente prej tij hyjnë në krizë.

Ekzistencialisti – ky e lidh ekzistencën e vet me aktin e komentimit, ndërsa identitetin me përmbajtjen e komentit. Merr jetë vetëm në hapësirën e komentit, ndërsa komenti bëhet mënyra më e përshtatshme për komunikim. Po t’i thuash “Bëje ti një shkrim”, stepet ose e fillon me “Nuk dija ç’të komentoja, atëherë u ula për të shkruar…”.

Nihilisti – është ai që i vë katra gjithkujt e gjithkund. Ti mund të kesh shkruar shkrimin më të bukur të vitit, traktatin e jetës, shkrimin më interesant, kandidat për çmimin Pulitzer, por ai ta likuidon me indiferencë: “Ia ke futur kot…”, “mos harxho kohën me këto paçavure”.

Entuziasti – përkundrazi, ky shpërndan nëpër internet vetëm pjalmin e fjalëve të mira. Në fakt, për këtë tip, komentet janë thjesht komplimente. Zakonisht është i padëmshëm. Bëhet i dobishëm kur me fjalët e veta neutralizon nihilistin.

I përpikti – komentet i bën me laps në dorë. Nuk i shijon shkrimet si të gjithë, por kërkon me ankth gabimet në tekst, të cilat ia sinjalizon menjëherë lexuesve, duke dëshmuar tërthorazi superioritetin e vet. Kriza e tij shfaqet kur nuk gjen gabime. Në atë rast i shpik vetë, në bazë rregullash shtëpiake. Komentet e veta nuk i shkruan mirë, por kjo nuk bën pjesë në “misionin” e tij.

Kameleoni – merr ngjyrat e blogut ku komenton. Është i egër me kritikët, i butë me refleksivët. Leksiku i tij i ndryshon ngjyrat sipas hapësirës virtuale, ndonjëherë nga vetë dizajni i faqes.

Fantazma – është ai komentues që nuk komenton. Është më i pranishmi me mungesën e vet. Përbën shumicën. Nuk është se nuk ka mendime, por nuk dëshiron t’i thotë. I tërhequr në refleksionet e veta, u beson përsiatjeve të artikullshkruesit. Kur nuk është dakord ndërron faqe, nuk e thotë. Është i ndrojtur, por respektues.

Kërcimtari – bëhet fjalë për atë që i koncepton komentet si trampolina për të kërcyer nga dega në degë, nga një temë në një tjetër, shpesh pa lidhje. Në rastin më të mirë, kur ti flet për mjekësinë ai përmend doktor Berishën, kur flet për lapsat me ngjyra flet për Edi Ramën. Nuk kërcen vetëm në tema politike. Por ka edhe më keq, mund të trajtosh temën e UFO-ve dhe ai të thotë emrat e jashtëtokësorëve që kishte në shkollë, pastaj analizon programet shkollore. Nuk kthehet në vathë edhe sikur ta gjuash me çifte.

Pshurrani– mund të quhet kështu ai komentues që e shenjon blogun si kafsha territorin. Ai dëshiron vetëm të thotë se është aty dhe se nuk mund ta injorosh. Nuk thotë asgjë nëpërmjet komenteve, përveç faktit se ekziston dhe se kontrollon me vigjilencë. Çfarë? Territorin virtual.

Demokrati– është ai tipi që në çdo koment përmend të drejtën e fjalës. Nuk i intereson shumë fjala, por e drejta. Është nga ata që duan ta dëgjojnë zërin e vet kur flasin. Po i the se e ka gabim, të hedh në gjyq drejt e në Hagë, për totalitarizëm virtual, pastaj kërkon strehim politik në ndonjë blog tjetër.

Lakoniku – këtij kategoria e komentuesve i rri ngushtë, sepse nuk përdor shumë fjalë. Më shumë se komente, jep vendime gjyqësore: “Shumë e drejtë”, “Shkrim i saktë”, “Duhet thelluar më shumë”.

Moskomentuesi – ai që lajmëron se nuk ka asnjë koment. Kemi të bëjmë me një oksimoron të gjallë. Thotë: “Nuk ka nevojë ta komentoj”, “Nuk po them asgjë se kuptohet vetë”.

Konfidenciali– në vend që t’i komentojë shkrimet, pyet komentuesit e tjerë për gjëra personale: “Po ti ku jeton?”, “Ku e ke bërë ushtrinë?”, “Mos jemi takuar gjë në Lezhë?”. Është ai që rrugës të pyet për orën, sa për të hyrë në muhabet. Në internet detyrohet të bëjë e-maile në kufijtë e ngacmimit.

Emotikoni – është ai që nuk shkruan por komunikon me emotikone, fytyrëza me buzëqeshje, lotë e sy të mërzitur. Ka shkarkuar nga interneti përmbledhjen më të pasur të emotikoneve. I ka të gjitha, ka edhe emotikonin që tregon nostalgji të përzier me melankoni. Nuk e ka nga përtacia, është i bindur se imazhi është i epërm në raport me fjalën.

Metakomentuesi – ky ka probleme me përcaktimin e objektivit. Nuk e ka kuptuar ende që hapësirat e komenteve janë për shkrimin jo për të komentuar komentet e të tjerëve.

Udhërrëfyesi– jep nëpër komente lidhje të tjera interneti. Shikoni këtë videon këtu, lexoni këtë artikullin atje, vëreni këtë pamjen këtu. Është një lloj dispeçeri i hapësirës virtuale. Zakonisht e pasuron diskutimin, por ndonjëherë e nxjerr atë nga binarët normalë.

Rrodhja – është ai komentues që i qepet njërit e nuk i ndahet derisa të ndërhyjë administratori i faqes, në një nga ato mëngjeset pa kafe. Rrodhja e personalizon diskutimin, e koncepton si duel mesjetar, i harron të tjerët, ka vetëm një synim: asgjësimin e komentuesit kundërshtar.

Hakmarrësi – quhet kështu ai që ia nxjerr inatin personal autorit duke komentuar negativisht. Komentet janë gjithnjë denigruese, a priori, por për arsye që shkojnë përtej tekstit. Inati mund të jetë i largët, p.sh. sepse në fillore autori i vodhi bukën me gjalpë, sepse në të mesme i rrëmbeu të dashurën, në universitet i mori virgjërinë.

Karrocieri – ky nuk bën komente, bën monologë, herë interesante e herë llogje. Thotë mendimin e vet, nuk lexon komentet e të tjerëve, rithotë mendimin e vet, nuk lexon reagimet. Është si kalë karroce, ecën vetëm drejt. Por objektivi nuk njihet.

Partiaku – kur komentet e çfarëdolloj teme devijohen rregullisht në politikë, atëherë kemi të bëjmë me figurën e partiakut. Ky i bie në një vrimë, me një tel, me një ton. Çdo gjë e lidh me politikën, pa e fshehur përkatësinë, përkundrazi. Ti flet për gjeologjinë e hënës, ai ta kthen me rolin e qeverisë në studimet gjeologjike; ti flet për historinë e mongolëve, ai ta kthen me manipulimin e historisë; ti flet për dashurinë, ai ta kthen me dashnoret e politikanëve kundërshtarë.

Kam harruar ndonjë pa përmendur?

Nuk ka komente

  1. Aaaa, jo mor mik, se hame ne ate karem se, i pari qe do komentoje mbi kete shkrim, do profilizohet automatikisht nga lexuesit ne nje kategori inferiore nga aty ku nderi ia do e i takon. Jo or jo, se hame NE ate! Ups…!

        1. Akullthyes NgaHalli?! Ngjan disi fataliste per nje komentues edhe pse duke iu permbajtur perkufizimit ne shkrimin tuaj, mendoj se ne kete blog do guxim edhe te shkruash me pseudonim.

  2. Këtu do të shtoja një specie komentuesi që flet për tema me të cilat s’është marrë kurrë dhe që përndryshe nuk e interesojnë.

    Ky e admiron shkrimin që vihet të komentojë, por kur e lexon, pushtohet nga një kompleks inferioriteti, i cili e shtyn që t’ia provojë vetes, dhe të tjerëve, se edhe ai mund të shkruajë ashtu.

    Komentet e këtij specimeni janë kompetente, por të cekëta – jo në ide, por në motivim. Lexuesi e vëren pa vështirësi se ai po shkruan jo se kërkon ose nxitet vërtet të marrë pjesë në diskutim, por për t’i provuar vetes se edhe ai mund të marrë pjesë në këtë diskutim.

    Është një specie e rrallë dhe e çuditshme; unë e kam ndeshur në individë shumë të mprehtë, por që nuk e kanë formimin e duhur intelektual dhe sidomos që u mungon motivimi për t’u marrë me diçka, përtej një impulsi neurotik të momentit.

    Ndonjëherë më duket sikur këtyre njerëzve u shkon jeta jo duke bërë gjëra, por duke provuar se mund të bëjnë gjëra; në një dialog imagjinar të përhershëm, me një autoritet, mësues ose prind ekzigjent, i cili kërkon prej tyre atë çka ata nuk e ofrojnë dot; por jo aq për shkak kufizimesh intelektuale, sesa për faj të problemeve të tyre psikologjike (nuk arrijnë të përkushtohen dot).

    Mësuesit shkruajnë në karakteristikat e këtyre: i ka mundësitë për të arritur shumë më tepër. Për fat të keq, ashtu ka rrezik të shkruhet edhe në nekrologjitë e tyre, dekada më pas: mund të kish bërë shumë më tepër, për aftësitë që i kish dhënë Perëndia.

    1. Këtë lloj komentuesi e kam pikasur edhe unë, por nuk e kisha fokusuar mirë. Eshtë ca i rrallë. Tani po mundohem ta sintetizoj me një fjalë të vetme, por qenka e pamundur.

        1. Komenticieni them une me mire. Ne analogji me bjuticienen e para pak diteve. Edhe duket pak si profesionist i afte te kundervihet, edhe cien- e mban te lidhur te hullite e komentit, pra nje oponent qe veteshpaloset ne barazi me autorin, por edhe dicka me shume se komentuesi. Plus -cien- sepse jep idene e nje semundjeje kronike, manie apo vesi. Apo ja futa kot?

  3. Admin/Moderatori – ky zakonisht mendon se per shkak te nje fare aftesie ne manaxhimin teknik te faqes, ka nje fare te drejte per te dhene komente perfundimtare, permbyllese e ndryshe mund ta quanim vuledhenesi :)))

    Shume interesante ideja e klasifikimit te komentuesve ne blogje. Ajo qe vura re eshte se duket sikur i konsideron komentuesit si te ndare nga autoret e shkrimeve, nderkohe qe ne boten virtuale kemi dhe faqe interaktive si forumet apo ndonje format tjeter si peshku pa uje qe anetaret mund te jene dhe autore dhe komentues.

    1. SD, unë komentuesin e Pishakut e përfytyroj si rol, jo si person real. Të gjithë mund ta luajmë, por kjo s’do të thotë se jemi komentues dhe s’mund të jemi gjë tjetër.

      1. Po Xhaxha, ke të drejtë. Janë profile rolesh, jo personash realë. Vetë autorët mund të kalojnë në rolin e komentuesit pa problem, disa herë gjatë ditës.

        1. dakord, por ama kur i ndan prerazi ne komentues apo autor, me duket sikur i ben me te thjeshte se c’jane keto role. Nga vezhgimet e mia ne boten virtuale, ka njerez qe jane kryesisht komentues ose vetem komentues dhe qe i ve pergjithesisht ne nje pozicion ndjekes, kurse kur jane dhe autore dhe komentues dinamika e shkrimeve/komenteve ndryshon dhe roli eshte me kompleks.

          p.s. komenti per admin/moderatoret s’ishte nje ngacmim i terthorte, ishte nje pershtypje e vezhgimeve kudo neper blogosfere, sic e quakerkemi tani 🙂

  4. Xha xha ke harruar besimtarin fanatik, qe çdo gjë e lidh me besimin e tij fetar.

  5. Interesante perpjekja per te percaktuar karakteret e blogosferes (entuziasti).

    Ja edhe nje (udherrefyesi?) —> Karkaleci – (ndoshta dicka ndermjet rrodhes, jo-kameleonit dhe pshurranit) – kercen ne cdo blog, a gazete, nuk humbet rastin asnjehere per te dhene mendimin e tij dhe ka nje ndjenje te hatashme te brendshme serioziteti (nga vertetesia?).

  6. Para disa ditesh, Eda Derhemi, ne ResPublica, shqetesohej jo pak nga harbutelleku i komentuesve. Ka patur dhe perpjekje te tjera ne te kaluaren per te satirizuar llojet e komentuesve, por shqetesimi origjinal gjithmone eshte tek niveli i debatit dhe tek komunikimi ne publik, sesa nje deshire per te vene ne shinjester komentuesit.

    SD, nje dore e mire e moderatoreve/autoreve ketu kane qene/jane komentues diku tjeter (ne shqip apo gjuhe tjeter). Nese sot jane ne kete rol, eshte sepse nuk kane qene te kenaqur me perbuzjen qe i behej komunikimit tutje. Shpresoj qe te kemi ndertuar nje hapesire ku larmia e komentuesve te jete virtyt, jo ta mbyse debatin.

    1. Sic rrihej edhe Sokrati ne pazar (e ideve), sherri (dajaku ose e fyerjet) gjithmone kane qene pjese e pandare e vendit te shit & blerjes (te tregut te gjese apo te ideve).

  7. hahah vleresim maksimal per kete shkrim!!
    Do shtoja se duhet te kishit listuar loool pse jo dhe “gjithologun”:
    Ky i di te gjitha, s’ le teme pa komentuar dhe sigurisht do te kembengule gjithmone se ka te drejte. Ne shqipot vecanerisht e kemi gjithologjine ne gjak jo vetem per komentet por dhe per shkrimet. Behemi antropologe, historiane, ekonomiste kur te duam.

  8. Une do te shtoja edhe Identitet-formuesin. Ky eshte vizitor dhe komentues i rregullt qe identifikohet me blogun dhe nje pjese te mire te anetareve te tjere. Ai bie ne sy atehere kur nje vizitor i ri ben komente te forta. Identitet-formuesi e sulmon ashper vizitorin e ri, shpesh here ne nje mbrojtje te tepruar dhe te zellshme te artikullshkruesit apo komentuesit me te vjeter ne blog. Identitet-formuesi harron se qellimi kryesor i nje blogu eshte rrahja e mendimeve dhe jo identifikimi qe i ben dem debatit packa se mund te coj ne kohezion social.

    Ne fakt me teper se profil i qarte ky eshte nje proces qe mberthen dashje pa dashje nje pjese te madhe te vizitoreve te rregullt. Mendoj se kjo ka te beje edhe me nevojen e socializimit apo afirmimit brenda nje grupi te caktuar, qofte ky edhe virtual.

    1. Tamam: te gjithe, qofte si autore, qofte si komentues, kemi se paku disa linja te ngjashme me disa prej ketyre kategorive, ose roleve. Vetem se ka disa qe jane me te qendrueshem se disa te tjere ne rolin qe marrin persiper. Gjithashtu ka disa karaktere qe jane me te spikatura sesa te tjeret dhe kur pershkruhen menjehere na kujtojne dike ose disa persona njekohesisht; ne piken kur tiparet nisin dhe pervijojne nje karikature, roli nis e behet me komik, por edhe me pergjithesues. Ne fund te fundit grupet e Pishakut qe me pas u plotesuan nga shume komentues, perbejne nje set te hapur dhe jo nje liste.

  9. ka nje komentues interesant, une e quaj Pavlov’s bot. ky nuk lexon tekstin, ky kapet si bot-et elektronike nga fjale te tekstit dhe reagon si qeni i doktorit (prej nga dhe emri). nqs teksti permban fjalet “parti, ppsh, byro, komunizem”, bot-i reagon “jeni te keshillit, keni akoma teseren e partise, polpotiste, gjakpires, ekzekutore…”. kur teksti ka fjalet “greqi, deti, Janullatos, koloneli Pasha” bot-i reagon: “poshte Greqia, jeni te shitur, rrofte Fan Noli, eeeeh o grek i m…” kur teksti permban fjalet “l.g.b.t” reagimi eshte me nje fjale “b..q..”!

    nje komentues tjeter jopak interesant eshte autistiku. ky eshte i gozhtuar ne nje ide dhe nuk terhiqet as me plumb. tema flet per bashkine e tiranes, ky pergjigjet “dinamo ti je bota”, tema flet per unifikimin e arsimit me kosoven, pergjigjet prape “dinamo ti je bota”. nuk e ben se eshte troll, e ben se nuk mund te kuptoje dicka tjeter vec dinamos.

    per Konfidencialin une kam nje tjeter emer. eshte nepunesi. ky duket se ka punuar ose punon ne nje zyre shteterore (gjendja civile? kontrolli i taksave?) sepse pyetjet e tij jane gjithmone: “kush te paguan? sa ke marre per te thene keto? cili/ kush je ti? c’pune beje ne diktature?”. pastaj, ne baze te pergjigjeve ploteson formularin HAL-9000 dhe e dergon ne ministrine e rendit publik, ne ate te brendshmen dhe ne ambasaden e Izraelit.

    tema duhet te shihet ne lidhje dhe me kete me poshte (qe merriton te shperndahet per lende mesimi ne fakultetin e psikologjise):

    http://xhaxhai.wordpress.com/2008/06/19/insektofobia/

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin