ME “JU”, TË LUTEM

Në Shqipërinë e sotme nuk është e vështirë ta dallosh rënien e theksuar të përdorimit të përemrit vetor “ju” me funksionin e nderimit e të respektit gjatë bashkëbisedimit. Ta përcaktosh saktë përdorimin e “ju”-së, në kohë e nga pikëpamja sasiore, është e vështirë për këdo, aq më tepër në mungesë të studimeve të posaçme, por është njëkohësisht e lehtë ta verifikosh atë në praktikë, të paktën në krahasim mes epokash madhore. Fakti është se të folurit me “ju”, kur i drejtohemi dikujt në shenjë nderimi, po përdoret gjithnjë e më pak në ditët e sotme dhe po zëvendësohet  me formën “ti”, që sundon tashmë kudo: nga shkolla në parlament, nga trotuari në televizion, nga sms në e-mail.

Për këtë kuptuar arsyet e kësaj dukurie, që detyrimisht i kalon kufijtë e gjuhësisë, duhet pranuar që në fillim se forma “ju” përbën kodifikimin e mënyrës së bashkëbisedimit midis dy personave të caktuar që duan të nënvizojnë disa aspekte jashtëgjuhësore të marrëdhënieve të tyre. Rregullat gjuhësore të mirësjelljes shenjojnë largësinë ose nderimin midis bashkëbiseduesve. Në shqip, sikurse në gjuhë të tjera, kundërvënia qëndron midis përemrit vetor “ti” dhe “ju”. I pari tregon afërsinë, familjaritetin, i dyti largësinë, mosnjohjen; jo rrallë të dy bashkë shenjojnë asimetrinë në bashkëbisedim. Ky rast i fundit vihet re kur flasin bashkë mosha të ndryshme. Adoleshenti nuk e ka të vështirë t’i drejtohet  me “ju” të moshuarit, ndërsa ky e ka më të lehtë t’i drejtohet me “ti”.

Shumësi “ju”, për të treguar mirësjellje, por edhe role të ndryshme në bashkëbisedim, gjendet në shumë gjuhë. Në frëngjisht, për shembull, gjejmë kundërvënien e ngjashme tu/vous, kurse gjuhë të tjera si italishtja, spanjishtja, gjermanishtja, anglishtja, e kanë zgjidhur ndryshe kundërvënien midis përemrave vetorë që tregojnë dallim në bashkëbisedim. Pa dashur të hyjmë në hollësira gjuhësore krahasuese, kujtojmë se edhe italishtja e dikurshme e kishte dallimin tu/voi (madje në jug përdoret ende në forma dialektore), sikurse anglishtja e kishte dikur kundërvënien pavarësisht se me kalimin e kohës shkoi drejt humbjes. Pavarësisht nga diferencat nga një gjuhë në tjetrën, duhet nënvizuar fakti se gjuhët përgjithësisht e kanë kodifikuar në kohë dallimin social në bashkëbisedim.

Në planin diakronik ndryshimet e përdorimit të përemrave vetorë (alokutivë) janë tejet të dukshme pikërisht sepse u referohen situatave të caktuara sociale, pra kanë një lidhje të veçantë me marrëdhëniet shoqërore që krijohen midis individëve bashkëbisedues në epoka të ndryshme. Në shumë gjuhë, jo shumë kohë më parë, edhe bashkëshortja i drejtohej burrit me “ju”, për të mos folur për bashkëbisedimet midis mbretërve, aristokratëve, pronarëve, parisë në përgjithësi, me ata që mund të quhen vartës ose gjithsesi më poshtë në shkallaren sociale të asokohe. Çdo gjuhë e ka një histori të përdorimit të përemrave alokutivë, transformimi i të cilëve mund të japë edhe hartën e ndryshimeve shoqërore.

“Ju” ka të bëjë gjithsesi me pushtetin ose me hierarkinë në shoqëri. Në këtë rast na vjen në ndihmë një studim i famshëm i Brown R. e Gilman A. në vitin 1960 me titull “Përemrat e pushtetit e të solidaritetit” (The pronouns of power and solidarity). Sipas studiuesve amerikanë trajtat alokutive modelohen sipas dimensioneve të pushtetit e të solidaritetit. Deri para dy shekujsh, sipas tyre, mbizotëronte dimensioni i parë, ku reciprokësia nuk ekzistonte, si rrjedhojë komunikimi ishte asimetrik; dy shekujt e fundit gjërat kanë ndryshuar meqë përemrat po përdoren në një mjedis solidariteti, reciprokësie, pra simetrike.

Mirëpo dallimet nuk kufizohen vetëm brenda qerthullit pushtetor. Aktualisht mund ti flitet me “ti” gjithkujt pavarësisht nga titujt që mund të gëzojë. Madje mjafton që dy persona të bien dakord të flasin me “ti” dhe diferencat në bashkëbisedim anulohen. Nga ana tjetër, nga pikëpamja gjuhësore, jo gjithnjë respekti jepet nëpërmjet përdorimit të “ju”-së. Tradicionalisht në shqip është përdorur veta e dytë njëjës, në rastet e të folurit me nderim, por janë shtuar gjithnjë fjalë që jepnin idenë e dallimit social, gjithsesi të respektit të bashkëfolësit: “Si je gdhirë zotrote?”, “A mujte, bacë?”.

Nga pikëpamja sociale, shprehjet gjuhësore dhe mirësjellja përbëjnë një farë lubrifikimi, pasi synojnë minimizimin e tensionit gjatë komunikimit dhe ruajtjen e harmonisë. Parë në përgjithësi, shenjat e dallimeve në bashkëbisedim, gjuhësore e jashtëgjuhësore, verbale ose xhestuale, dëshmojnë një karakteristikë universale kulturore, që ka të bëjë, sipas studiuesve, me bashkëjetesën sociale, e detyrueshme për nga natyra. Tipare të tjera specifike, lidhen me kontekstin social ku janë krijuar, por jo me funksionin thelbësor. Kështu, heqja e kapelës mund ta zëvendësojë fare mirë përdorimin e “ju”-së verbale, sikurse kjo mund ta zëvendësojë më së miri përuljen në shenjë nderimi.

Zbatica e “ju”-së kohët e fundit ka të bëjë me zhvillimet socio-kulturore. Ithtarët e “ti”-së e lidhin përdorimin e këtij përemri me demokracinë. Në fakt, “ti”-ja tingëllon moderne, demokratike, e shpejtë, televizive. Me një fjalë angleze do ta quanim “cool”. Nga ana tjetër e rrugës, gjendet vetori “ju”: i largët, i vjetruar, i mykur, muzeor. Ky perceptim është mjaft i përhapur në botën anglosaksone, meqë “you” përdoret e pandryshuar, si në vetën e dytë njëjës ashtu edhe shumës (anipse historia e shpjegon ndryshe transformimin). Mjetet e kumtimit masiv e kanë eksituar pa masë përdorimin e vetorit “ti”. Në botën e internetit, përjashto ndonjë e-mail drejtuar qeveritarëve ose profesorëve, mbretëron pa rivalë “ti”-ja. Në chat, blogje, forume, e të tjera dhoma virtuale, në fakt nuk ka alternativë tjetër, madje as kërkohet, ngaqë është mediumi vetë që e nënkupton joformalitetin në komunikim. Po kështu sms-ja, e cila e përjashton largësinë implicite të “ju”-së, pasi komunikimi bëhet midis dy telefonave celularë, mjete tejet personale, që përderisa kumtohen ndërvedi vërtetojnë gjithsesi një farë familjariteti.

Në botën shqiptare kanë ndërvepruar tashmë të gjitha risitë e teknologjisë moderne, sikurse hapja ndaj botës në përgjithësi. Vërshimi i papërmbajtur i formës “ti” në komunikimin shqiptar duhet parë si pasojë e hapjes demokratike, por edhe i kundërshtive që përmbante vetë sistemi totalitar në këtë pikë. Në kohën e totalitarizmit, siç dihet, përdorej forma “shoku” dhe jo “zotëri”. Dallimi kishte në thelb nuanca politike, meqë u referohej klasave të dikurshme shoqërore, porse përdorimi i “shokut” e tejkalonte fushën zanafillore. Kundërshtia qëndronte pikërisht këtu, meqë “shoku” synonte eliminimin e dallimeve klasore (jemi të gjithë të barabartë, askush nuk është zot i tjetrit), por nga ana tjetër shpeshherë forma “shoku” kërkonte përdorimin e “ju”-së (“Ju, shoku mësues”, shiko Fjalorin e shqipes 1984).

Pas kalimit në sistemin pluralist, përemri vetor “ju” normalisht duhet të kishte pasur një rritje graduale në komunikim, qoftë vetëm për ringjalljen e “zotit” të vjetër, që përshenjon detyrimisht respekt e distancë, pra vetën e dytë shumës. Kjo nuk ndodhi sepse dallimet e rolet sociale në kohën e totalitarizmit u perceptuan si ngurtësi, sikur të ishin të gjitha me prejardhje politike. Edhe forma “zotëri” kaloi një periudhë limboje, midis dy doganash, sepse forma “shok” refuzohej si politikisht e pasaktë, por “zotëri” dukej ende artificiale për t’u përdorur natyrshëm. Nuk duhet harruar gjithashtu, se strukturat sociale paratotalitare, përfshirë edhe familjen, pësuan ndryshime rrënjësore, në një farë mënyre u lëngëzuan, për t’u kristalizuar sërish në forma të reja. Statuset e ndryshme sociale u rimodeluan në një kohë të shkurtër, ndërsa respekti vetë nuk ndizej më me karburantet e dikurshme. Në këtë kuadër, faktori i migracionit brenda e jashtë vendit ka pasur rëndësi të madhe, sepse ka rritur lëvizshmërinë e popullsisë.

Mirëpo ka diçka që nuk shkon në arsyetimin e mësipërm, pasi lëvizshmëria e shoqërisë rrit edhe mosnjohjen midis individëve. Si rregull, “ti”-ja duhet të përdorej më pak në qytetet shqiptare ku fytyrat e panjohura rriten përditë e ku fytyrat e njohura ndryshojnë dita ditës. Shpjegimi duhet gjetur pjesërisht tek kapërcimi i shpejtë i roleve në Shqipërinë postotalitare, ku merita nuk ka ndonjë peshë domethënëse dhe ngjitjezbritjet në shkallaren sociale janë shpeshherë të rrufeshme. Duhet marrë parasysh gjithashtu se edukata dhe mirësjellja nuk e kanë pasur jetën të lehtë në Shqipëri, si në totalitarizëm ashtu edhe në pluralizëm. Ka një shirit të përbashkët, me emrin vrazhdësi, që e rrethon Shqipërinë e dekadave të fundit. Vrazhdësia mund të merret si koncept i mëvetëm, abstrakt, por që shprehej në mënyra të ndryshme në epoka të ndryshme. Krahasimet midis varfërisë së djeshme e asaj të sotmes, midis burgjeve të djeshme dhe dhunës së sotme, mund të krijonin keqkuptime të gjithanshme; pra është mirë të shmangen sepse do të kërkonin detaje saktësuese të pafund. Në analizë të fundit, mund të thuhet se kjo vrazhdësi konstante, nga epoka në epokë, nga regjimi në regjim, mund të shihet tek pakujdesia dhe indiferenca ndaj njeriut, tek mosrespektimi i dinjitetit njerëzor.

Në këtë prizëm, e folura me “ti” ose me “ju” shfaqet thjesht si llambushkë e mosfunksionimit të mirësjelljes në shoqërinë shqiptare. Por problemi mund të shikohet edhe nga pikëpamja psikologjike. Ka njerëz që parapëlqejnë përdorimin në shumës të përemrit vetor për arsye personale: janë të ndrojtur, nuk duan të familjarizohen, duan të mbajnë distancë, e konsiderojnë të paprekshme sferën personale, vuajnë nga fobi sociale. Ekziston, me fjalë të tjera, edhe një hapësirë personale që shenjohet nga sinjalistika verbale. Në këtë kuptim, midis dy personave, kur dikush vazhdon të flasë me “ju” dhe tjetri insiston me “ti”-në bezdisëse, mund ta quajmë një farë dhune, dakord pothuajse e padukshme e pa pasoja, por kemi të bëjmë me një provokacion ndaj hapësirës së tjetrit, duke ia shkelur kufirin paq.

Ata që janë emigrantë në vend jo anglosaksone e dinë nga përvoja se në vendet pritëse njerëzit priren të flasin me “ti”, kinse për të lehtësuar bashkëbisedimin me “të huajin”. Kjo gjendje mund të mirëkuptohet deri në një farë pike, në kontekste të caktuara, gjatë punës për shembull, kur ustai i shpjegon punën suvatuesit; por kur imigranti paraqitet para zyrave të shtetit, “ti”-ja që përdor zyrtari pas sportelit me xham, duke i shqiptuar fjalët me shpejtësi të ngadalësuar, sikur lë shije të hidhur, përderisa pararendësit i fliste me formën e mirësjelljes e normalisht. Komunikimi në këtë rast paraqet ndërlikime, kurse “ti”-ja është thjesht alibi për të fshehur hierarki të padëshirueshme e inekzistente.

Në vetvete, as triumfi i sotëm i “ti”-së, as kolapsi i “ju”-së, nuk përbën ndonjë problem të madh sikur shoqëria shqiptare të kishte gjetur forma të tjera gjuhësore për të komunikuar mirësjelljen. Është e vërtetë që komunikimi me “ti” e rrit konfidencën midis personave, e thjeshton atë, por jo gjithnjë konfidenca është raporti që krijohet midis njerëzve, madje ka raste që as mund të krijohet, qoftë për arsye protokollare. Nga ana tjetër, “ju” vërtet e rrit distancën midis bashkëbiseduesve, por ka gjasa që ta masë drejt atë fillimisht, për të kaluar më pas me forma të tjera. “Ti”-ja duket si e rrëmbyer, e parakohshme, e gjithsesi problematike, nëse nuk gjendet mirë regjistri i komunikimit. Me pak fjalë, kalimi nga “ju” tek “ti” është i natyrshëm e ndodh pa trauma bisedore; e kundërta, pra kalimi nga “ti” në “ju” mund të lërë ndonjë papastërti në kanalin e komunikimit.

Po të bënim fantagjuhësi, mund të thoshim se pas shumë kohësh në shqip do të zhdukej tërësisht përemri vetor i dytë shumës me funksionin e lartpërmendur. Për inat të “konservatorëve” dhe për qejf të “progresistëve”. Kjo mund të ndodhë, por ky funksion duhet të zhvendoset në plane të tjera gjuhësore ose jo, përndryshe do të kishim një varfërim të komunikimit, për të mos thënë të marrëdhënieve shoqërore. Nuk është e tepërt të thuhet se pas dy rregullave të thjeshta gjuhësore, qëndron ideja vetë e rregullave dhe e respektit të tjetrit, mungesa e të cilave mund të çojnë deri në anomi. Madje ka diçka më të thellë se vetë rregullat, ndoshta me lirinë siç ka thënë një filozof, përderisa historia na ka treguar se kundër formave të mirësjelljes janë vërsulur roberspierët, leninët, musolinët, enverët. Historia, gjithashtu, na ka dëshmuar se rreziku nuk vjen gjithnjë nga një emër i frikshëm nga lart. Shqiptarët, falë të kaluarës së afërt, mund ta kuptojnë fare mirë se thellë thellë sfida nuk qëndron mes dy përemrave të vegjël, por midis nesh dhe shoqërisë që duam të krijojmë.

Nuk ka komente

  1. Pershendetje
    Artikulli ose analiza juaj e trajton problemin me saktesi . Perdorimi i JU-se ne shoqerine shqiptare paratotalitare mendoj se me shume perdorej per te theksuar dallimin midis klasave dhe profesioneve. Shume rregulla sociale te asaj kohe ishin si te thuash te detyrueshme dhe mosrespektimi i tyre ndeshkohej nga grupet sociale , si familja ne radhe te pare , shkolla si dhe nga koleget e punes. Ndersa sot nje ndikim negativ per eleminim e JU-se ne bashkbisedim po luan dhe televizioni dhe mjetet e tjera te informimit dhe komunikimit publik. Kalimi nja JU ne Ti behet nese ta lejon bashkbiseduesi , ai te cilit e drejtohesh dhe jo duke nisur nje bisede kalon direkt ne numrin njejes me TI. Kjo quhet dhunim i hapesires personale . Nje verejtje vetem desha tju them . Ju lutem mos perdorni terma te gjuheve te huaja perderisa ekzistojne perkatesisht te njejtat terma ne gjuhen shqipe. Po ju jap nje shembull nga shkrimi i mesiperm: Alokutive dhe Implicite

    1. Journalist, meqë komenti yt është emblematik, nëpërmjet teje po u përcjell të gjithëve ftesën që ta lënë qëndrimin higjienist ndaj shkrimeve të paktën të këtij blogu. Tingëllon përnjimend fyese. Le t’i përmbahemi temës së ngritur, të mos merremi me çikërrima, përndryshe komenti yt përmban aq gabime në shqip sa do të ishte “skuqur” nga korrigjimet. Por këtu nuk jemi në klasë, po bashkëbisedojmë, tha. Madje duke iu drejtuar njëri tjetrit me “ti”, siç e do (b)logu.

    2. Journalist, të lutem, ma hiq një merak: me çfarë fjalësh shqipe do t’i zëvendësoje termat alokutiv dhe implicit?

  2. Jo sepse të përkëdhel sedrën, por kur kamerierët në lokal, apo kur një i panjohur të drejtohet me ju, jemi më të prirur të ndihemi mirë në atë ambjent apo të përgjigjemi me më qejf për të ndihmuar të panjohurin.

  3. Pishak, nuk besoj se do të zhduket ndonjëherë shumësi i mirësjelljes, me “ju”.

    Tkurrja e tanishme e këtyre formave ka të bëjë, ndoshta, me kaosin social të këtyre dy dekadave dhe përmbysjen e hierarkive, e cila sjell një lloj barazie si default.

    Gjithsesi, nëse shoqëria do të priret drejt stabilizimit, kjo do t’i rikthejë hierarkitë; dhe bashkë me hierarkitë, edhe format gjuhësore që i shenjojnë.

    Mospërfillja e vertikalitetit social dhe e respektit që vjen me të, kur ndodh falas, ose pa ndonjë arsye të mirëfilltë për ta sfiduar tjetrin, tradhton një pazotësi për t’u përshtatur, të cilën viktima e përjeton si një formë rebelimi. Në shqipe këtë lloj individi e quajmë zakonisht kastravec.

    Mbaj mend të kem ndeshur te Schopenhauer-i mendimin se njohja e rangut është rang; çka për mua do të thotë se vetëm një individ që e respekton tjetrin, meriton respekt.

    Kjo s’do të thotë se format gjuhësore të respektit kanë për mision të sanksionojnë pabarazinë; por, përkundrazi, se diferencimi gjuhësor, në bazë të rangut dhe të pozitës sociale, e përdor pabarazinë hierarkike (ju) për të rithemeluar barazinë brenda grupeve (ti); ose grupet vetë, si forma elementare të institucioneve dhe të shoqërisë civile.

    Edhe një vërejtje që nuk ka lidhje me sa më lart: shqipja e ka pasë përdorur vetën e tretë të respektit, njëlloj si spanjishtja, gjermanishtja dhe gjuhë të tjera; siç e provojnë shprehje të tilla si: si ka qenë zotnia juej?, ku veta e tretë e foljes (ka qenë) përzihet me vetën e dytë të pronorit juej. Në jug, këtë shprehje e dëgjon të rrafshuar në si ke qenë zotrote?, ku zotrote nuk është veçse një kontraksion i zotëria jote (khs edhe rumanishten dumneavoastră, e cila i përgjigjet ju-së shqipe të mirësjelljes dhe e ka prejardhjen, në analizë të fundit, nga latinishtja dominus voster, “zoti juaj”).

    1. Xhaxha, shumë interesante vërejtja e paragrafit të fundit. Duke kullotur për temën nëpër livadhet e gjuhëve të tjera gjeta një sërë studimesh për përemrat vetorë të respektit. Zbulova për shembull historinë e “ju”-së në anglisht. Sipas disa gramatikave, dallimi thou/you u zbeh me kalimin e kohës në favor të vetës së dytë shumës, çka tregon se në anglisht flitet me respekt me njëri tjetrin, në mënyrë të përhapur, pavarësisht se perceptimi i folësve është i përkundërt.
      Dallimi ti/ju (njëjës/shumës) e ka prejardhjen nga latinishtja e vonë. Lexova gjithashtu për vetën e tretë të respektit që përdoret në italisht, spanjisht, gjermanisht. Ka studime të posaçme për temën në shumë gjuhë, por për shqipen nuk gjeta ndonjë monografi për përdorimin e përemrave vetorë të respektit. Nëpër gramatika u kushtohet pak vëmendje. Por ndoshta nuk kam kërkuar mirë.

      Atij individit që citoje më lart, atij kastravecit, në lagjen time i thonë edhe trangull.

  4. Mospërfillja e vertikalitetit social dhe e respektit që vjen me të, kur ndodh falas, ose pa ndonjë arsye të mirëfilltë për ta sfiduar tjetrin, tradhton një pazotësi për t’u përshtatur, të cilën viktima e përjeton si një formë rebelimi. Në shqipe këtë lloj individi e quajmë zakonisht kastravec.

    Rrefejne se, dikur ne familjen e kukurbitckave (Cucurbitaceae), kur marredheniet nderkungullore nuk karakterizoheshin nga hierarkite humanoide, e bostani, kungulli dhe trangulli (kastraveci, gjetke) kultivoheshin si te barabarta ne bahcen e pazot, plasi sherri se cili i kishte gjethet me te bukura. Per kete morren si gjykates nje fshatar, i cili, per te mos u zgjatur, i beri sallate te gjitha dhe i vendosi ne hierarki per nga shija dhe jo bukuria: kastravecin sallat, te parin; kungullin supe, te dytin dhe bostanin si frut, te tretin. Por erdhi nje tjeter dhe i rreshtoi: bostanin sallat, te parin; kastravecin tarator, te dytin, dhe kungullin byrek te embel, te tretin. Nje tjeter fshatar atypari u rrembeu listen nga duart dhe i renditi: kungullin supe te parin dhe bostanin te dytin, por harroi kastravecin (ose trangullin, si i thoshte dikush nga nje lagje). E qe prej asaj kohe marredheniet nderkungullore jane hierarkike, dhe bostanit i vjen marre te mos cilesohet nga kastraveci me “Du”, e kungullit i dalin farat nese bostani nuk i drejtohet me “Sie”, e kastraveci vret mendjen sesi.

  5. Në Shqipëri, por ndodh edhe në vende të tjera me siguri, zakonisht përemri vetor përdoret për të shënuar një tip kufiri ndërmjet atij që në atë moment ka pushtet, dhe dikujt tjetër që këtë pushtet nuk e ka. Ndodh që një ministër i drejtohet me TI, të gjithë atyre që ka nën vete, sepse ngatëron format dhe mënyrat e respektit me fuqinë që i jep detyra. Njëkohësisht, i njëjti person, pothujase në mënyrë befasuese i drejtohet me JU, dikujt më lart se vetja ose një të huaji që e pozicionon sidoqoftë mbi veten në hierarikinë profesionale. Pra, përdorimi i përemrit vetor si shënjë kufizuese e pushtetit momental, ose e interesit të çastit.

  6. Mua me ka rene ne sy nje dukuri e çuditshme ne menyren e drejtuarit sesi i drejtohen njerezit personit tjeter. Shume shpesh, per te mos thene ne shumicen e rasteve (sidomos ne intervista ne televizion apo gazeta/revista) biseda niset me ‘JU’, pastaj kalon ne ‘TI’, diku ne mes kalon me ‘JU’ dhe perfundon ne nje turli ‘TI/JU’.

  7. Forma me “ju” ka shumë të ngjarë që, në raste të tilla, të shënjojë gjëra të ndryshme. Kur njerëzit e nisin një bisedë, ajo tregon mirësjellje dhe respekt; por pastaj, teksa palët familiarizohen me njëra tjetrën, zëvendësohet nga “ti”. Megjithatë, në momentin kur ka një acarim mes palëve, ose kur lind nevoja për ta rivendosur distancën imagjinare me tjetrin, njerëzit do të kalojnë në “ju” sërish; vetëm se në këtë rast respekti është më tepër një maskë e armiqësisë (hostilitetit). Pala që kalon nga “ti” në “ju” duket sikur kërkon t’i thotë tjetrës se “nuk jemi më miq”. I njëjti funksion, respekti i shprehur nëpërmjet distancës, shënjon kështu dy qëndrime të ndryshme: simpatinë në fillim, armiqësinë më pas.

    Natyrisht, në ato raste të tjera, kur i njëjti person i ngatërron vazhdimisht format dhe kalon lirisht nga “ju” në “ti”, shpjegimi është edhe më i thjeshtë – dhe ka lidhje me modulet e gatshme të komunikimit, të cilat kombinohen mes tyre në mënyrë të pasaktë. Një bisedë televizive zhvillohet njëkohësisht në dy rrafshe (të paktën): rrafshi i komunikimit mes atyre që bisedojnë, dhe rrafshi i komunikimit mes atyre që bisedojnë nga njëra anë, dhe publikut nga ana tjetër. Jo të gjithë janë në gjendje ta ruajnë drejtpeshimin gjatë kalimit nga një rrafsh në tjetrin. Një gjë është të flasësh me dikë, dhe një gjë tjetër të flasësh me dikë, duke e ditur se këtë bisedë po ta ndjek (ose do të ta ndjekë) një publik i padukshëm. Alternimi kaotik, mes formave me “ju” dhe formave me “ti” është shprehje, besoj unë, e tensionit mes këtyre dy rrafsheve.

  8. Le të marrim shembullin e mëposhtëm:

    drejtuesi i emisionit e nis me: “Faleminderit që keni ardhur”; më pas kalon në një rrafsh ende më personal: “Me ça po merresh Stefan Çapalliu në këtë kohë” dhe pastaj e rikalon përsëri në rrafsh formal.

    Unë nuk mendoj që qëndron analiza që ke bërë sepse me duket tejet e sofistikuar. Teoria ime (bashkë me pompozitetin që vetpretendon) është se e kemi të ngulitur si pykë (ose si mish të huaj) perdorimin e vetes se dytë shumës si formë mirësjellje. Më duket se, në rastin tonë, drejtuesit të emisionit i bie një si këmbane dhe atëherë ai kujtohet dhe formalizon bisedën.

    Qofsha gabim thoshte gjyshja ime.

    1. Do të thoja se politesa, e shprehur në ligjërim, është një teknikë që duhet mësuar, sikurse teknika të tjera të komunikimit dhe, në një kontekst më të gjerë, të mirësjelljes.

      Folësit i duhet që ta zotërojë këtë mjeshtëri për të kaluar nga veta e dytë njëjës në vetën e dytë shumës dhe anasjelltas, në vartësi të marrëdhënies që ka me personin me të cilin po flet.

      Këtë teknikë ta mëson familja, më tej shkolla, dhe më tej akoma mjedisi social: puna (dikur edhe shërbimi ushtarak), komunikimi publik, filmat, librat, etj. Edhe pse nuk është pjesë e shqipes njëlloj si paskajorja ose urdhërorja, edhe politesa ka të bëjë me rregullat gjuhësore.

      Kam përshtypjen se shumë prej nesh formën e të drejtuarit me ju e praktikojmë dhe e përvetësojmë në shkollë, në marrëdhëniet tona me mësuesit. Forma vetë duhet të shënjojë respekt, por në shkollë shënjon edhe pranim të hierarkive, disiplinim dhe bindje.

      Meqë të gjithë jemi të detyruar të bëjmë shkollë, atëherë këtë formë duam s’duam do ta mësojmë, është pjesë integrale e socializimit.

      Siç e thashë, në një botë ideale, forma me ‘ju’ shënjon respekt; por në fakt, në rrethanat praktike, të përditshme, ajo shpesh përfundon së shënjuari një raport vertikal ose një nënshtrim, sado formal, ndaj autoritetit. Ndoshta prandaj disa njerëz që kanë probleme me autoritetin, e kanë të vështirë edhe ta përdorin lirisht.

      Në emisionin më lart, m’u duk sikur Nanoja e filloi në vetë të dytë, pastaj kaloi në vetë të tretë fare (“Me çfarë po merret Stefan Çapaliku në këtë kohë,”), çka tregon se komunikimi po konsumohet përballë një publiku (real dhe imagjinar). Me siguri të dy këta janë takuar para emisionit dhe ndoshta edhe e njohin njëri-tjetrin dhe janë miq; çka e problematizon vetën e dytë shumës, e cila megjithatë nxjerr krye, e shtyrë nga konteksti formal i të folurit në publik.

      Përndryshe, diferencimi i trajtave ligjërimore sipas hierarkive sociale (ose përdorimi i formave të politesës) lidhet drejtpërdrejt me shoqëri të vertikalizuara, ku njerëzit që komunikojnë kujdesen që, nëpërmjet komunikimit, të riprodhojnë edhe këto marrëdhënie vertikale.

      Kur ti flet me drejtorin tënd, atëherë normalisht çdo replikë e jotja duhet të përcillet edhe me një sinjal se ti je i vetëdijshëm për marrëdhënien vertikale midis jush. Këtë proces e ndihmon (madje e katalizon) respekti i mirëfilltë, por edhe mekanizma të tjera vikare, p.sh. servilizmi, ironia, ose distancimi i ftohtë.

      Gjithsesi, nuk duhet të ngatërrojmë, besoj, implikimet e vetë formës (veta e dytë shumës) me implikimet e distancës me tjetrin si të tillë, e cila nuk është gjuhësore, ose së paku nuk është vetëm gjuhësore.

      1. Ndoshta nuk po shpjegohem mirë sepse nuk po kuptohemi. Ndosha mund te tingëlloj fyes (kërkoj falje për këtë) por e vetmja shprehje qe me vjen në mendje është ‘Pordhë me rigon’.

        Pak rëndësi ka formalizmi në vetvete me gjithë implikimet që nënkupton.

        Drejtuesi ka të drejtën e tij ta zhvillojë bisedën në vetën e parë sepse e konsideron emisionin informal, ato jane miq në jetën e përditëshme, nuk do me vënë ne siklet bashkëbiseduesin etj etj; sikundër ka të njëjtën të drejtë ta zhvilloje atë në një formë formale. Jam mëse dakort që në çdo moment të bëhet kalimi nga një rrafsh formal në një informal (ose dhe anasjelltas duke marrë shëmbujt që më shkruaje ne replikën e parë). Këmbana e alarmit më bie kur bëhet një mish-mash i vertetë në bisedë. Ta nisësh fjalinë në vetën e parë, ta kalosh në vetën e tretë dhe ta vazhdosh në vetën e dytë per mua kjo tregon mungesë edukate mbi të gjitha plus profesionale. Drejtuesi ka dhe peshën e edukimit te publikut, të të qënit shëmbull. Ai formon dhe drejton masat. Rrjedhimisht mungon mirësjellja tek kjo shtresë e shoqërisë ça mund të presësh nga publiku.
        Shëmbuj të këtille gjen çdo ditë në shtyp si dhe në tv (mjafton të merret një emision i çfarëdoshëm i Rudina Xhungë-s apo si dhe drejtuesit të mësipërm).

        1. Megjithatë, sa kohë që e diskutojmë këtë, duhet të sqarojmë:

          (1) nëse ka një mungesë respekti dhe kulture të bashkëjetesës vertikale në shoqërinë shqiptare, apo

          (2) nëse shqipja nuk i ka mjetet e nevojshme (ose shqipfolësve u mungojnë shprehitë e nevojshme) për ta shprehur këtë respekt që megjithatë ekziston sikurse ka ekzistuar, apo

          (3) nëse është mungesa e respektit, e cila ka shkaqe sociale, që ia dobëson shqipes mekanizmat honorifike, meqë folësit nuk e shohin të nevojshme që t’i përdorin, nuk ua ndiejnë nevojën, apo

          (4) nëse është dobësia e këtyre mekanizmave në gjuhë, e cila shpjegohet me faktin që janë transplantuar vonë dhe artificialisht, që e vështirëson shprehjen e respektit dhe, që këtej, i komprometon edhe marrëdhëniet e tipit honorifik, që vendosen [edhe] nëpërmjet të ligjërimit.

          Përndryshe, mund të themi edhe se “njerëzit nuk dinë të sillen”, ose “janë të vrazhdë”, por ky është një konstatim i nivelit sipërfaqësor; do të ishte njëlloj sikur këtu në blog, çdo ditë, ne të ofronim të dhëna për motin, kampionatin italian të futbollit, ose çmimet e bonove të thesarit.

        2. Me aq sa mund të them mendoj se:

          1. Po ka një mungesë (do të thoja shekullore) të bashkëjetesës njerëzore në shoqërinë shqiptare që rrjedhimisht krijon dhe format e mirësjelljes.

          2. Jo, mendoj që shqipja i ka të gjitha mjetet e nevojshme per ta shprehur këtë respekt. Derisa ka ekzistuar sikurse ekziston rrjedhimisht mjetet formale e bëjnë detyrën e tyre.

          2.a Po, shqipfolësve u mungojnë shprehitë. Shkak mendoj që ështe pika 1.

          3. idem si pika 1

          Duke mos qënë politikisht korrekt do të thoja që pika 1 është pasoje e mos-arsimimit të masave. Statistikat e para ’90 thonin qe shumica e popullësisë jeton në fshat. Gjatë kohës se mbretërisë shifra arrinte deri ne 90% te popullësisë. Ne këto vende qellimi kryesor ka qënë mbijetesa. Mirësjellja mund të konsiderohet lluks që ato njerëz nuk mund t’ia lejonin vetes. Gjithashtu dhe mbi të gjitha Shqipëria nuk ka patur kurrë aristokraci, e vetmja shtresë shoqërore ku forma është dhe substancë.

          Për mendimin tim kjo është gjeneza.

  9. Santacroce me mire çoje tek koha e majmuneve dhe sa prapa ka ngele majmuni shqiptar.

    Kaluam 45 vjet komunizem ku shoku zevendesoi zoteri,zotni e sado qe perdorej edhe ‘ju shoku filan’ perseri shok ne psikologjine masive shoqerohej me ‘ti’, perndryshe eshte shume me e lehte te perdoret ju zoteri/zotni.
    Biles besoj se e ke degjuar, ‘mos mu drejto me ti, se nuk jam shoku yt’ ose ‘mos iu drejto me ti se nuk e ke shokun tend’.

    Ju, shoku filan eshte kunderthenie ne terma e mund te thuhet se nje pjese te mire te fajit e ka zbatimi ne praktike i ketij paradoksi.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: