FJALË TË POROSITURA

Shërbimi i gmail-it më ofron rregullisht reklama të përzgjedhura sipas një algoritmi enigmatik, por që e ruan gjithnjë një lidhje me temat e mesazheve të mia, në mos thjesht me shqipen që unë e përdor shpesh.

Sot më kishte nxjerrë para syve, mu në krye të faqes së kutisë në hyrje (inbox), një reklamë për ALPHA Platinum 2001, të cilin ma përshkruante si “Program i Kostumizueshëm për çdo Biznes & çdo Përdorues.”

Natyrisht, këtu reklama më e madhe i bëhej, sado pa dashje, fjalës i kostumizueshëm, përbindësh i vërtetë leksikor, i sajuar sipas anglishtes customizable.

Si ta quash këtë fjalë? Huazim nuk i thua dot,sepse huazimi do të ishte diçka si kastomajzëbl, ose të paktën kustomizabël; përkundrazi, prapashtesa –shëm është shqip safí; ndërsa përpjekja (qesharake) për ta dhënë anglishten custom– me shqipen kostum-, do të fliste në të mirë të një kalku – i cili është një lloj përshtatjeje gjuhësore ose huazimi semantik, si në rastin kur latinishtja pro-nomen jepet në shqip me neologjizmin për-emër, ose kur italishtja tri-angolo jepet në shqip si tre-këndësh.

I vetmi problem është se anglishtja custom, si emër dhe si temë ndërtimesh foljlore dhe prejfoljore, nuk përkon me shqipen kostum. Ndryshe nga ç’ndodh në gjuhë të tjera europiane, si në ato neolatinet dhe në anglisht, shqipja kostum shënon vetëm veshjen e bashkërenduar, kombinimin e rrobave, ose uniformën; por jo zakonin, dokun ose shprehinë.

Nga ana tjetër, anglishtja customize lidhet kuptimisht me fjalën customer “klient, myshteri”; dhe do të thotë, në zanafillë, “ndërtoj, prodhoj ose modifikoj diçka sipas specifikimeve të klientit (customer).” Kjo do të thotë se jo vetëm shqipja kostum nuk lidhet kuptimisht me anglishten custom; por edhe se anglishtja customize është dyfish e larguar nga tema custom, meqë lidhja ndërmjetësohet kuptimisht nga fjala customer.

Mbiemri i kostumizueshëm, që të vret syrin në reklamë, lidhet vetvetiu me foljen kostumizoj; por në shqip kostumizoj mund të ketë, normalisht, vetëm kuptimin “shndërroj diçka në kostum”, “e bëj diçka të duket ose të funksionojë si kostum”; një kuptim për të cilin në shqip nuk ndihet dhe aq nevoja.

Përkundrazi, customize në shqip, në përdorimet tradicionale, do të përkthehej bëj me porosi; krejt i pranueshëm do të ishte edhe përkthimi personalizoj, që ka hyrë tani vonë në përdorim, sipas modeleve të gjuhëve neolatine. Një përkthim i përafërt do të ishte përshtat, mirëpo customizable nuk e përkthejmë dot si i përshtatshëm, meqë kjo fjalë përdoret tashmë për të dhënë kuptime që, në anglishte, i japin fjalë si suitable, fit.

Në kontekste të caktuara, personalizoj mund të shkëmbehet me individualizoj; ndonjëherë edhe ambientoj. Të gjitha këto fjalë nuk vuajnë nga mbingarkesa kuptimore e përshtat.

Gjithsesi, nga pikëpamja leksikologjike, i kostumizueshëm do konsideruar si pseudo-kalk; ose neologjizëm i sajuar nga një person, të cilit i duhet ndaluar të krijojë fjalë, në emër të mirëqenies publike.

Ka mundësi që i njëjti krijues anonim të ketë përdorur edhe shkronjat e mëdha në fjalinë  “Program i Kostumizueshëm për çdo Biznes & çdo Përdorues”, sipas rregullash që nuk janë të shqipes, madje as të anglishtes; por që përpiqen të imitojnë ato të anglishtes. Siç dihet, kjo e fundit lejon që të përdoret shkronja e madhe me të gjitha fjalët e një titulli (me përjashtim të parafjalëve, nyjave, lidhëzave dhe fjalëzave të tjera); normalisht, po të ndiqej rregulli i anglishtes, edhe çdo do të duhej të dilte si Çdo; por ekziston edhe mundësia që ky bilbil i shqipes të shekullit XXI të mos ketë ditur si ta përftojë, nga tastiera e kompjuterit, Ç-në e madhe të shtypit.

Nuk ka komente

  1. 🙂 Faleminderit Xhaxha per humorin e holle qe na sjell ne kete blog. Ne fakt une kam punuar para disa vitesh me kete kompani. Struktura e saj organizative perbehet pergjithesisht nga studente qe ende nuk kane mbaruar studimet e larta dhe shpesh jane te ardhur nga krahina te ndryshme ne Tirane. Per me teper qe edhe fusha e studimit te tyre lidhet me teper me teknologjine e informacionit dhe ekonomikut dhe aspak me gjuhesine. Megjithate edhe menyra e organizimit te punes dhe vizioni i kompanise per te ardhmen nga ana e drejtuesve kryesore te saj ka qene historikisht “I kostumizueshem”.

  2. Më vonë më shkoi mendja se kjo fjalë kaq e çuditshme, i kostumizueshëm, mund të jetë edhe një gabim shtypi për i kustomizueshëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin