TIRANA ANTICA

Rruga Kont Urani, me këtë emër kaq fisnikëror, është e famshme edhe për arsye të tjera – aty ka qenë selia e Radio Tirana-s, tashmë e shndërruar në Institut të Kulturës Popullore; aty është xhiruar edhe filmi “Radiostacioni”, i B. Shehut, mbështetur në romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, të I. Kadaresë.

Incidentalisht, është edhe rruga ku banoj unë, kur vij në Tiranë.

Një segment i rrugës Kont Urani, që lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës, shërben edhe si treg i rrobave të përdorura gjatë ditës.

Me qindra, në mos mijëra njerëz, kalojnë përmes tezgave dhe pirgjeve me gjithfarë rraqesh, për të gjetur mall të lirë dhe të përshtatshëm.

Disa prej pirgjeve dhe tezgave janë shtruar mu poshtë gërmadhave të ndërtesës në foto, e cila dikur shërbente si shtëpi banimi, por sot është braktisur krejt.

Sa herë kaloj aty, më duket sikur do të mjaftojë një shkulm ere, ose edhe kalimi i një kamioni të rëndë, për ta rrëzuar murin në kokat e “kustomerëve” të GABI-t.

E parë nga ky kënd, ndërtesa më kujton rrënojat romake në Romë – veçanërisht le Terme di Caracalla. Me pak mundim dhe krijimtari, ato mund t’u paraqiteshin turistëve si mbeturina të qytetërimit ilir. Këtë e konfirmon edhe fiku i kundogjendshëm, i cili ka mbirë aty, njëlloj siç ka mbirë te Instituti i Kulturës Popullore pak më tutje.

 

Nga një pikëpamje, ndihesh mirë kur sheh se bimësia po e fiton luftën me qerpiçin; më anë tjetër, të vjen keq që ky degradim ka përfshirë një rrugë mu në qendër të Tiranës.

Fqinjët e mi, me të cilët bisedoj, më thonë se ndërtesa ka mbetur ashtu, për faj të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve në lidhje me pronësinë mbi truallin.

Në fakt, shumëkush do ta lakmonte këtë vend, dy hapa larg qendrës; por gërmadha ka mbetur aty, anti-lapidar për çfarë nuk shkon, në administrimin e pronësisë në Shqipëri.

Herët a vonë, ajo do të kërkojë edhe sakrifica njerëzore, siç ndodh rëndom në këto anë të globit.

Nuk ka komente

  1. Kalova aty vec para pak ditesh, xhaxha, dhe ndonese ndava po te njejten ndjesi shkretimi e braktisjeje qe pershkruan ti, ai fiku qe gufon nga dritarja, m’u duk, sidoqofte,i bukur.

    p.s. Sa per hak te autorit, regjisor i “Radiostacionit” eshte Rikard Ljarja e jo Bashkim Shehu.

    1. Vërtet – filmi është i R. Ljarjes… e kisha harruar këtë krejt. Ishte ndalimi i filmit, që e lidhi atë me B. Shehun (skenaristin, në mos gabohem prapë).

  2. Së shpejti bashkëpronarët do gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe do ia japin ndonjë pronari ndërtimesh. Mbase atëherë do jetë më e rëndë kur të shohësh ndonjë 10 apo 12 katësh të mbijnë si pa kuptim në atë cep Tirane shumë simpatike sepse popullore…

  3. Rrugica ne fjale dikur ishte njera nga me te preferuarat per mua. Pas xhiros se mbremjes ne bulevard (isht koha kur behej xhiro!!), pothuaj ne cdo rast me biciklete kaloja nga rruga e Durresit tek e Kavajes. Rruga, apo rrugica qe kishte edhe nje shesh te vockel, ishte mjaft romantike, e paster me shtepite private njekateshe te gjitha me bahce. Kjo qe ka mbetur eshte per tu ardhur keq, por po qe se diskursi per pronen nuk perfundon me therrje, atehere aty me siguri do te ndertohet nje ndertese gjigante, te cilen komshinjte do ta mallkojne perjete se do tua marre frymen. Pra keto foto te sotme do te duken me te bukura madje duken pakez antike se e ardhmja.
    Sa per fiqte, supozoj se ato kane mbire aty si rezultat e “nevojes urgjente” te dikujt pasi ka konsumuar me shije pak si teper fiqte e sezonit, e keshtu pa dashje i ka dhuruar jeshillek rrugices.

  4. Ka dhe zona te tjera te ngjashme ne Tirane. E meqe po flasim per zona qendrore te kryeqytetit, perse te mos veme ne pah per shembull zonen pas Pallatit te Kultures? Kush nuk ka kaluar aty ne mes te godines dhe parkut anash saj (ne ate rrugice) dhe nuk ka vene re nje park ku urinohet bashkarisht ne publik? Po ato shtylla betoni te rrenuara ne mes te parkut dhe ate pellg plot plehra e uje te ndotur (qe dikur duhet te kete qene ndonje shatervan i vogel). Pastaj le te bejme nje kalim ne nje vend po aty afer, tek 9-katshet. Si mendoni qe, ate karabina te nxirre nga pluhuri dhe zjarri prej kushedi sa kohe, ta shpallim “art modern” ne mes te kryeqytetit? Per te mos folur me pas per Lanen, qe edhe pse ne masen derrmuese te saj eshte restauruar si veper, nuk mund te anashkalohet fakti qe ende perfaqeson nje kanal te ujerave te zeza qe pershkon Tiranen tej per tej.

  5. Kisha per te lexuar me limaksje nje mikrohistori te atij sheshit kinematografik qe hapet ne rrugen “Kont Urani”…por megjithate me duket se e kam lexuar vite me rradhe.

    Nuk ka nyje ADN-je si kjo me ne Tirane, qe ta kete me lezet perzier qerpicin lindor (edhe ne kuptimin zanafillor) me gjithe italianaten qe erdh e iu vesh pastaj natyrshem modernitetit socialist. Bashke me emrin dhe etosin, rruga Kont Urani duket sikur eshte sajuar prej Ismail Kadarese: nese Kusturica ka sajuar nje fshat te vetin realisht, po i ka dale nje parodi skenografike pa shije, Kusturica yne mund te shkoje qe tani e te vere firmen si nen nje “ready made” (!) nen ballkonin levantin te dykateshit neoklasik ne lindje te sheshit (nese nuk e kane prishur ende).

    Tani jo per te shperfolur gjithe te nje grari me te cilen Kadare ka populluar krejt zonen perreth, (ne pasqyren e te ciles grari kemi perftuar aq Tirane xhanem), po desha te pyes ketu, a eshte e vertete ajo qe lexoj ne shtyp, se rrenoja qe mezi mbulohet sot me gjethe fiku, na paska qene “maison close” ne vitet perkatese ’30?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: