NJË PROFESOR MË PAK

Me vonesë të madhe mësova për vdekjen e prof. Hamit Beqes, mik i familjes të cilin e kam takuar që kur kam qenë fëmijë, por edhe që më ka dhënë mësim në universitet.

Edhe pse i njohur vitet e fundit kryesisht nëpërmjet librave me natyrë eseistike që merreshin me psikologji të aplikuar, prof. Beqja pa tjetër duhet kujtuar edhe si një nga ideatorët dhe promotorët kryesorë të politikave arsimore shqiptare gjatë viteve 1960-1970.

Komunist i bindur dhe i formuar teorikisht në Bashkimin Sovjetik, profesori iu përkushtua arsimit brenda kuadrit ideologjik të kohës dhe të institucioneve ku bënte pjesë; por kontributi i tij, në lëmin e pedagogjisë dhe drejtpërdrejt për organizimin dhe funksionimin e shkollës në Shqipëri i kapërceu lehtësisht caqet e këtij kuadri.

Ishte një fat i mirë për të gjithë ne, nxënësit e asaj kohe, që një njeri me erudicionin dhe shpirtmadhësinë e Hamit Beqes mbikqyrte programet tona shkollore në të gjitha instancat dhe kujdesej, me aq sa mundej, të kufizonte dëmet dhe mangësitë e shkaktuara prej politikave totalitare të regjimit, të cilat ai nuk i ndryshonte, as i korrigjonte dot.

Ishte njeri i kohës që jetoi, me meritat dhe të metat e kohës; por meritat pa dyshim ia tejkalonin ku e ku të metat.

Pa frikë do ta përfshija në kategorinë e atyre njerëzve të cilët u kapën peng i rrethanave dhe, për të mbetur në paqe me ndërgjegjen e tyre, u munduan të gjejnë dhe të bëjnë sado pak të mirë, në mes të së keqes së përgjithshme.

Ndoshta jam i anshëm në këtë vlerësim; por këtë anshmëri ma mbështet edhe respekti i madh që e rrethonte prof. Hamitin, në të gjitha mjediset.

Në universitet, më jepte lëndën e Pedagogjisë; unë do të kisha dashur të na jepte diçka më sfiduese, p.sh. filozofinë e historisë, ose historinë e kulturës shqiptare. Edhe ai vetë ishte i vetëdijshëm që për lëndën që jepte mungonte interesi; na thoshte ndonjëherë: “këto që po ju them janë pak të mërzitshme.”

Kam edhe kujtim tjetër personal për të; pas mbarimit të gjimnazit, teksa isha ende duke punuar në Fabrikën e Tullave, Vorë, si stazhier, ende s’e kisha vendosur se çfarë dege të kërkoja pikërisht, në aplikimin për të drejtën e studimit. Vetëm dëshiroja që të shkoja në shkencat shoqërore, duke anuar nga filozofia. I kërkuam me këtë rast një mendim prof. Hamitit, i cili tha: nëse e ka vendosur djali për shkenca shoqërore, atëherë i këshilloj gjuhësinë, sepse është e vetmja fushë që ka edhe substancë, edhe strukturë. Ia ndoqa këshillën, në fillim me gjysmë zemre, por më pas gjithnjë e më me entuziazëm; dhe nuk jam penduar kurrë, përkundrazi.

Do ta kujtoj me mall.

Nuk ka komente

  1. Me kujtohet nje here kur dha nje leksion per programet e reja mesimore ne sallen 410A te fakultetit te shkencave natyrore. Salla zinte me shume se 200 vete por ai, me zerin e tij kumbues te cillin dukej sikur e projektonte ne çdo qoshe te salles, e zoteronte te teren, saqe gjithesecilit i dukej sikur profesori po i fliste direkt atij ose asaj. Pervec zerit me ka mbetur ne mendje edhe qartesia e tij e mendimit, dukuri e rralle ne ato kohe per personazhe te shkencave shoqerore.
    Profesorin vete nuk e kam njohur personalisht por kam njohur dy nipa dhe nje mbese te tij si dhe nga larg djalin qe studionte per informatike. Nje familje e shkelqyer! Me kujtohet mbesa e tij e cila ne vit te trete te gjimnazit doli fituese e olimpiades se matematikes por ne vit te katert nuk pranonte te merrte pjese ne olimpiade se kishte frike se po te fitonte do ta dergonin te studionte matematike. As njerezit ne nivele te tilla nuk i shmangeshin dot budallallekut te asaj kohe.

  2. Xhaxha, ta ndjeva emocionin permes gabimeve te shkrimit…

  3. Ashtu ka qene vertete Prof. Beqja, pikerisht sic e pershkruan Xhaxhai.

    Disa miq te mi tregonin nje histori/shaka te hidhur, nga ato te kohes se komunizmit me profesorin. Behej nje plenum per edukimin, shkollat etj. dhe sigurisht fjalimin do ta mbante Enver Hoxha, por do ta shkruante Profesor Beqja, se kush tjeter me mire se ai i dinte ato pune. Dhe u ul profesori dhe e qendisi fjalimin per plenum. Ja dha Nexhmies e atyre te tjereve, dhe pa shume ndryshime u pranua si fjalimi qe do mbahej. Vjen dita e plenumit, profesorin sigurisht e kishin ulur ne rreshtin e pare si personalitet i fushes per te cilen mbahej plenumi. Fillon Enveri te lexoje fjalimin, profesori me sa dukej nga mosha a merzitja a kush dreqin e di pse, dremiste here pas here. E sheh Enveri duke dremitur, ndalon fjalimin dhe pyet “Po ti Hamdi, pse nuk mban shenime, apo i di ti keto qe po thom u?” Afrohet Nexhnmia tek veshi dhe i peshperit “E ka emrin Hamit, shoku Enver” “Hamdi te thom!!!” uleriti ai. Nuk u ndje profesor ziu, se ai te bente gjemen, jo emrin qe ta nderronte, por te bente te te harrohej fare emri e gjithe te tjerat.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin