FAKTORI KATARSIS

Katarsisin ( κάθαρσις në greqishten e vjetër) e lidhin zakonisht me estetikën dhe efektin e një vepre arti, zakonisht një drame ose tragjedie, ndaj publikut; edhe pse ka nga ata shqiptarë të cilëve u kujton, përkundrazi, një nismë politike të ish-kreut të PS-së Nano.

Gjithsesi, në greqishten e vjetër, fjala donte të thoshte “pastrim, purifikim”, dhe me atë kuptim përdorej, derisa erdhi Aristoteli dhe e metaforizoi, për t’i dhënë kuptimin me të cilin e njeh tani bota anembanë.

Sikurse dihet, katarsisi shënjon sot efektin emocional pastrues ose çlirues që ushtron një vepër arti; në mënyrë të ngjashme, edhe psikanaliza e përdor të njëjtin term për të shënjuar shkarkimin e emocioneve të forta, por të ndrydhura, nga mendja e të sëmurit neurotik.

Nisma e tanishme e AKZ-së, ose më mirë ideja e hedhur për ndërrimin e toponimeve të huaja në trojet shqiptare lidhet edhe ajo, njëfarësoj, me nocionin e pastrimit ose të purifikimit – këtë herë të gjeografisë – nga një barrë e huaj dhe e panevojshme.

Mund të pyesim nëse kjo nismë ka në vetvete edhe ajo natyrë katartike, pastruese ose shkarkuese, për emocionet kolektive, përtej objektivave të saj praktikë.

Ndërrimi i toponimeve të huaja kërkon mobilizim të madh njerëzish dhe burimesh financiare, sikurse kërkon mbështetje të gjerë nga opinioni publik. Edhe sikur AKZ-ja të siguronte përkrahjen e komuniteteve përkatëse, unë kam frikë se shteti i sotëm dhe administrata nuk i kanë mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme për ta kryer një ndërrim të tillë me sukses.

Nëse është kështu, atëherë për këtë janë të vetëdijshëm edhe nismëtarët; dhe nëse nismëtarët e dinë se ideja e tyre nuk ka ndonjë shans për t’u realizuar në praktikë, atëherë mund të supozohet se efekti që kërkohet të arrihet me nismën nuk ka të bëjë me përmbajtjen konkrete të nismës vetë.

Thuhet: “të ndryshojmë emrat e huaj të vendeve, nëse komunitetet përkatëse e kërkojnë këtë.” Nisma të ngjashme i ndesh edhe në lidhje me fjalët e huaja që depërtojnë shqipen publike pa nevojë; ose më tej, me degradimin e muzikës së lehtë, ose tabloidizimin e shtypit.

Të gjitha këto, mund të grupohen nën ombrellën e diçkaje që mund ta quanim kulturë të protestës kundër rrëgjimit, ose më mirë, ndotjes së shqiptarisë nga elementi i huaj i padëshiruar.

Ideologjia pas këtyre nismave kulturore ngjan me atë të Rilindjes Kombëtare; por ndryshe nga Rilindësit, të cilët fjalët i shoqëronin me vepra, të sotmit zakonisht mjaftohen me konsumimin e temës në ligjërimin publik, pa u lodhur shumë që të shtyhen më tutje.

Përtej mureve të kulturës, dukuri të ngjashme ndeshen kur është fjala për të denoncuar regjimin totalitar dhe sidomos krimet çnjerëzore të organeve të diktaturës; shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të pronësisë; abuzimin me dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe të tjera si këto.

Edhe në këto drejtime, fjalët nuk shoqërohen me veprime konkrete, madje edhe atëherë kur nismëtarët përkatës i kanë në dorë mjetet për t’i zbatuar në realitet nismat e tyre.

Është fare e thjeshtë ta shpjegosh këtë dukuri si efekt anësor të mendësisë parazitare të kujt shpreson se shqetësimet që shpreh do t’ia zgjidhë dikush tjetër, p.sh. shteti paternalist.

Përkundrazi, ndoshta duhet menduar, në këtë pikë, se të gjitha këto nisma kinse “për veprim” synojnë thjesht të krijojnë grupe interesash dhe të sigurojnë mbështetje popullore nëpërmjet efektit psikologjik të katarsis-it.

Më konkretisht: nisma për të ndryshuar toponimet e huaja ka pasur sukses si katalizator për koagulimin, rreth nismëtarëve, të një grupi të madh qytetarësh të cilët, të shtyrë nga ndjenja patriotike shpesh të mirëfillta, mendojnë se këto toponime duhet të ndryshohen.

Ky grupim njerëzish, të frymëzuar nga një nismë që atyre u duket e drejtë dhe në kohën e duhur, mund të shërbejë dhe të përdoret, natyrisht, për qëllime të tjera, që s’kanë të bëjnë me toponiminë.

Në të njëjtën mënyrë, ka më shumë se 20 vjet që dëgjon të shprehen, lart e poshtë në mediat, nyjëtime të një proteste kundër mënyrës si u trajtua, në vitet 1960-1970, tradita letrare dhe gjuhësore e gegërishtes veriperëndimore (katolike shkodrane). Mund të thuhet me siguri se këto nyjëtime kanë shërbyer për të organizuar një grup intelektualësh, me prejardhje kryesisht nga ato treva, të cilët mendojnë se gegërishtja veriperëndimore duhet rigjallëruar. Përkundrazi, nuk mund të thuhet se nyjëtimet ligjërimore dhe publicistike janë ndjekur, në realitet, nga ndonjë hap i mirëfilltë në këtë drejtim, si përpilimi dhe botimi i një gramatike, i një manuali drejtshkrimor dhe i një fjalori filologjik të atij varianti letrar; me përjashtim pak nismave individuale, që spikatin me izolimin e tyre.

Duket sikur lëvizje të tilla mjaftohen me efektin katartik dhe solidaritetin brendagrupor që sjell denoncimi i një padrejtësie të vjetër; dhe nuk i kanë energjitë dhe ndonjëherë as synimin për të vazhduar më tej dhe për ta ndrequr këtë padrejtësi.

Padrejtësia e dikurshme përdoret, në këtë kontekst, njëlloj si kobi që u binte në kokë personazheve tragjike të teatrit grek; ose si artific për të provokuar efektin katartik te publiku.

Kësisoj, përftohen grupe interesash të cilat i bashkon vetëdija e një padrejtësie të vjetër dhe indinjata që lidhet me të; por jo vullneti për ta vënë në vend këtë padrejtësi duke u angazhuar drejtpërdrejt, në terren, me pasojat e saj. Deri edhe anëtarë të Parlamentit, që mund t’i zhvillojnë betejat e tyre drejtpëdrejt në lëmin ligjvënës, parapëlqejnë oratorinë e televizionit dhe të gazetave, ose skenën e teatrit mediatik ndaj pjacës politike.

Si efekt i këtij përçudnimi – sepse i tillë është, përçudnim – protesta veçohet nga veprimi; duke u shndërruar në veprim politik, ideologjik dhe social autonom dhe të vetëmjaftueshëm.

Ne protestojmë, pra jemi, do të thoshte Dekarti.

Grupet e përftuara nëpërmjet protestës rituale, qofshin ato politike apo jopolitike, kulturore ose ideologjike, janë grupe të themeluara mbi dëshirën; dhe konkretisht, mbi dëshirën për të vënë në vend një padrejtësi: etnike, politike, ideologjike.

Përçudnimi fillon kur veprimtaria e grupeve, në praktikë, vjen dhe distancohet nga dëshira; ngaqë dëshira është e parealizueshme, ose tepër e kushtueshme për t’u realizuar, ose ngaqë ka një grup tjetër që nuk e lejon realizimin, ose thjesht ngaqë inercia sociale dhe institucionale e bën realizimin të pamundur.

Gjithsesi, qëllon që edhe vetë grupi t’i druhet momentit kur nisma e vet themeltare të kurorëzohet me sukses, sepse ashtu edhe vetë arsyet që e mbajnë grupin bashkë nuk do të ekzistonin më; dhe për shumë grupe të tilla kanë për mision kryesor të konsolidojnë praninë e tyre në jetën sociale dhe politike, ose të mbijetojnë, në raport me grupet rivale. Ligji i xhunglës i shndërron kështu objektivat patriotikë dhe kulturorë në diçka si hajmalitë e varura në qafë para betejave vëllavrasëse.

Ndërkohë, kjo nuk i pengon grupet vetë që të organizohen, të fitojnë status dhe, para së gjithash, të mësohen të përdorin përemrin “ne”, për t’iu referuar grupit, dhe “ata”, për t’iu referuar të tjerëve; dhe në përgjithësi të gatiten dhe të marrin pjesë në beteja politike për pushtet, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje me dëshirat dhe aspiratat e flijuara në themelet e tyre.

Veçanërisht, kur grupet i kanë rrënjët dhe i gjejnë arsyet e ekzistencës në ndonjë padrejtësi reale që u është bërë njerëzve, komuniteteve ose edhe kulturës së tyre, dikur në të kaluarën, atëherë kjo padrejtësi, e ripërjetuar nëpërmjet protestës, u jep aspiratave të grupit fisnikërinë e nevojshme, prej viktimash.

Në këto rrethana, megjithatë, lufta për ta vënë padrejtësinë në vend kalon në plan të dytë; dhe pasioni katartik që e mban grupin së bashku vjen dhe i bjerr lidhjet me nevojën për drejtësi.

Ajo luftë tani do të përdoret kryesisht për t’i shtuar virtyt lëvizjes vetë, pavarësisht objektivave të saj konkrete.

Marrëdhëniet e emocionit me politikën i kanë përshkruar prej kohësh; dhe nuk mund të presësh që një lëvizje e gjerë, popullore, të mbështetet në silogjizma dhe arsyetime të holla. Megjithatë, t’i përdorësh disa tema themelore të shqiptarisë, ose edhe të historisë së vonë, vetëm e vetëm për të përftuar efektin katarsis në publik dëshmon, në mos për gjë tjetër, të paktën për një farë papërgjegjshmërie të mirëllogaritur të nismëtarëve.

Shënim: Ky shkrim është botuar më parë në gazetën Shekulli.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin