NAZISTI VON TRIER

Nuk më habiti hiç lajmi që regjisori i njohur danez Lars von Trier u shpall persona non grata në Festivalin e Canne-s.

Një ditë më parë, në një konferencë shtypi për filmin e tij të fundit Melancholia, i pyetur për rrënjët e tij gjermanike, ai tha, ndër të tjera:

“Për një kohë kujtoja se isha hebre dhe isha i lumtur për këtë… Pastaj takova regjisoren (hebreje) Susanne Bier dhe sikur më iku pak entuziazmi. Më pas zbulova që unë qenkësha, në fakt, nazist. Familja ime ishte naziste. Edhe kjo më dha një farë kënaqësie. Çfarë të them tjetër? E kuptoj Hitlerin… madje kam simpati për të deri diku.”

Më tej Von Trier ia hapi gropën vetes edhe më thellë: “Nuk dua të them se jam pro Luftës II, dhe nuk jam kundër hebrenjve, madje as edhe kundër Susanne Bier…” “Në fakt unë jam shumë në favor të hebrenjve. Të gjithë hebrenjve. OK, Izraeli nuk durohet, por…”

E kështu me radhë. Intervistën mund ta shihni këtu (pasazhi me spec është pas minutës 33).

Pas kësaj interviste, Këshilli administrativ i Festivalit të Canne-s doli me këtë deklaratë:

“Festivali i Canne-s u jep artistëve nga gjithë bota një forum të jashtëzakonshëm për të prezantuar punët e tyre dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të krijimit […] Këshilli administrativ vëren me keqardhje se ky forum është përdorur nga Lars von Trier për të shprehur komente të papranueshme, të patolerueshme dhe që bien ndesh me idealet e humanizmit dhe shpirtmadhësisë të cilat frymëzojnë vetë ekzistencën e Festivalit. Këshilli administrativ i dënon me vendosmëri këto komente dhe e deklaron Lars von Trier persona non grata në Festivalin e Canne-s, me efekt të menjëhershëm.”

Duke pasur parasysh incidente të ngjashme me John Galliano, Charlie Sheen, Oliver Stone dhe Mel Gibson, nuk mund të mos dallohet një rregullsi, nga e cila mund të deduktohet shumëçka për klimën e sotme në fshatin global.

Natyrisht, Lars von Trier, me ato që tha, po përpiqej të pikturonte, nëpërmjet një shakaje përgjithësisht pa kripë, disa fantazma të vetat vetjake. I lindur dhe i rritur në një familje hebrenjsh komunistë dhe nudistë në Danimarkë, ai mësoi më vonë, prej së jëmës, se babai i tij biologjik kish qenë gjerman safí. Nuk ka nevojë të jesh psikanalist për të kuptuar se identiteti “gjerman” i shërbeu Von Trier-it të ri për t’iu kundërvënë “hebraicitetit” të familjes së tij adoptive.

Megjithatë, këshilli administrativ i Canne-s nuk nguroi që ta dëbonte nga Festivali, për një fjalë goje, një regjisor nga më kryesorët në festival dhe në Europë. Ironik është edhe fakti se, pikërisht në komunikatën ku lajmërohet dëbimi i Von Trier-it për çfarë ka thënë në konferencën e shtypit, theksohet edhe se Festivali i Canne-s “mbron lirinë e shprehjes dhe të krijimit.”

Kjo ironi është emblematike për kohët që po jetojmë.

Të jetë vallë antisemit dhe nazist Von Trier-i, njëlloj si paraprirësit e tij të famshëm, që me deklaratat e tyre çapraz ngjallën indinjatën e gjithë të drejtëve anembanë planetit?

Nuk e besoj. Por edhe nuk është se më bëhet shumë vonë se çfarë nxjerr nga goja ky danez, në një konferencë shtypi. Regjisori Von Trier më intereson si autor filmash, për të cilat njihet dhe vlerësohet anembanë, jo për llogjet që mund të bëjë me gazetarët.

Shpjegimi im për incidentin është tjetër: Si çdo artist, Von Trier-i është vetvetiu provokator, dhe vdes që të çpojë, në mos të plasë tollumbacë tabush, sidomos tabush të rëndësishme, themeltare, konstitutive.

Hitleri, Holokausti, hebrenjtë dhe Izraeli përftojnë një nga këto tabu, në mass mediat e sotme; madje një të tillë aq të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, sa e vetme mjafton për të organizuar dhe disiplinuar, sipas aksit etik, krejt diskursin publik në Perëndim.

Artistët, ose të paktën disa prej tyre e ndiejnë këtë dhe sfida i tërheq vetvetiu; sikurse i kanë tërhequr artistët sfida të tilla tabush pashmangshëm në shekuj: feja, seksualiteti, hierarkitë sociale, homoseksualiteti, patriarkalizmi, shteti, mbreti, familja. Është ndoshta në natyrën e artit që ta kërkojë këtë ballafaqim me tabunë, ta sondojë tabunë vetë, ta nxjerrë lakuriq derisa kjo të shpërbëhet vetiu.

Këshilli administrativ i Canne-s mund të bëjë ç’të dojë me hapësirën e vet diskursive; tek e fundit, nuk është se ia hoqën Von Trier-it të drejtën e fjalës dhe të shprehjes si artist, por vetëm i thanë: këtu nuk të duam më. Si gjest, ky tregon megjithatë pafuqi për të shmangur kontradiktën midis vetëmburrjes se ti je aty për të garantuar lirinë e shprehjes, dhe vendimit për të nxjerrë dikë përjashta sepse e ushtroi këtë liri shprehjeje siç ia tha mendja.

Von Trier tha budallallëqe, siç ka bërë edhe herë tjetër. Artistëve këto budallallëqe u tolerohen më shumë se të tjerëve, sepse këta na plotësojnë ndonjëherë nevojën për të pasur fëmijë të përkëdhelur dhe për t’i parë të bëjnë karagjozllëqe mbi tavolinë.

Incidenti, në vetvete, tregon se Perëndimi nuk është më i sigurt për vlerat që kërkon të mbrojë. Si edhe herë tjetër më parë, mungesa e një Bashkimi Sovjetik, përtej horizontit, veç po krijon pështjellime.

Nuk ka komente

  1. “feja, seksualiteti, hierarkitë sociale, homoseksualiteti, patriarkalizmi, shteti, mbreti, familja”.

    Keto jane tabu legjitime per t’u sulmuar se nuk lidhen me nje ndonje rast konkret. Jane universale mbarenjerezore.

    Pasoje e çmitizimit te nazizmit mund te jete riperseritja e tij.

    Liria e fjales eshte sigurisht themelore, mirepo, liria nuk eshte konceptuar ndonjehere si e pakufizuar. Liria e cdokujt mbaron aty ku cenon lirine e dikujt tjeter.
    Vendimi i Kanes (Cannes) nuk eshte censure. Eshte thjesht vendosje standardi. Von Trier eshte i lire ta justifikoje t’i jape fytyre njerezore nazizmit (duke ofruar te tijen) diku tjeter, thjesht jo ne Cannes.

    Nuk jane pak ata, te cilet nga ngazellimi qe u duket sikar ua fusin nga pak hebrenjve apo Izraelit harrojne se nazizmi nuk vrau vetem hebrenj. E gjithe historia e Europes qe ketej ka qene rezultat i traumatizimit nga pervoja hitleriane.

    Vetem nje injorant qe nuk e njeh vepren e ketij regjizori mund te besoje se ai eshte nazist. Une nuk besoj se ne Kane mendojne se ai eshte i tille. Ne fund te fundit, ne rrethet ku vertitet Von Trier, sigurisht, te tallesh me kete teme e te tjera eshte pjese e lezetit i te qenit artist dhe elitar.

    Mirepo ne qoshet europerendimore te deshtimit social, nen hijen e rrenimit ekonomik, te luftes per mbijetese, nen hijen e rrenimit te asaj qe dikur ishte shtresa e mesme e shoqerise, e cila po ne nje bote globaliste po humbet statusin e saj social, fryma qe prodhoi hitlerizmin eshte ende gjalle dhe mund te precipitoje perseri nje regjim te ngjashem. Te kerkosh me shume pergjegjesi nga njerezit qe kane fuqine te ndikojne masivisht ne shoqeri si autoret e filmave, me duket e arsyeshme nga ana e Festivalit te njohur.

    1. @ Mos ma merr per kapital:

      “Nuk jane pak ata, te cilet nga ngazellimi qe u duket sikur ua fusin nga pak hebrenjve apo Izraelit harrojne se nazizmi nuk vrau vetem hebrenj. E gjithe historia e Europes qe ketej ka qene rezultat i traumatizimit nga pervoja hitleriane.”

      Vras mendjen se pse ne pop-kujtese e gjithe trauma e Europes (ruseve, romeve, etj. etj.) sic thoni ju, ka ngjitur me pak se kujtesa e holokaustit!
      Mund te tjerresh argumente pa fund mbi temen, por duhet pranuar (mua me duket keshtu te pakten) ironia e seriozitetit me te cilen eshte marre ‘shakaja’. A nuk ishin karikaturat e Muhamedit nje ‘shaka’ qe u mor seriozisht gjithashtu?!

      Mos ma merr per anti-semitizem.

  2. ””Mirepo ne qoshet europerendimore te deshtimit social, nen hijen e rrenimit ekonomik, te luftes per mbijetese, nen hijen e rrenimit te asaj qe dikur ishte shtresa e mesme e shoqerise, e cila po ne nje bote globaliste po humbet statusin e saj social, fryma qe prodhoi hitlerizmin eshte ende gjalle dhe mund te precipitoje perseri nje regjim te ngjashem. Te kerkosh me shume pergjegjesi nga njerezit qe kane fuqine te ndikojne masivisht ne shoqeri si autoret e filmave, me duket e arsyeshme nga ana e Festivalit te njohur.””’

    Humbja e statusit social te shtreses se mesme eshte pasoje e demokracise kozmopolite qe po zevendeson demokracite kombetare te deritanishme.

    Demokracia kozmopolite eshte modifikim i demokracise qe i sjell rezultate shtreses se larte e cila per nga natyra eshte kozmopolite, dinastike, imperialiste, rreth i mbyllur dhe pushtetin e sheh si imperativ i saj kategorik.

    Nderkaq demokracia hyri si produkt borgjez, i shtreses se mesme, e cila perdori (dhe zhvilloi) gjeresisht etnocentrizmin, me qellim rregullimin e statusit te saj dhe pjesemarrjen ne pushtet.

    Shtresa e ulet perkundrazi ka si alternative komunizmin , nderkaq forma e nje autokracie iluministe eshte me e pershtatshmja per te, komunizmi u praktikua si nje lloj autokracie iluministe. Shtresa e ulet (katundare e punetore) nga natyra nuk ka inisiative, prandaj kerkon gjithnje nje rregullim nga lart te puneve.

    Pra shtresa e mesme, me ne krye borgjezine e mesme eshte bazamenti i shtetit-komb dhe demokracise kombetare.

    Konflikti i sotem dhe deshtimi social jane nder te tjera edhe pasoja te shkeputjes se shtreses se mesme nga parimi qe perdori dhe zhvilloi per te rregulluar statusin e vet gjate shek 19.

    Tashme shtresa e larte po mesyn tek te gjitha lirite e privilegjet e shtreses se mesme, po ashtu pasurimi dhe kalimi nga shtresa e mesme tek ajo e larte eshte bere i veshtire per shkak se aktivitetet fitimprurese jane zaptuar, nuk ka me hapesira pasurimi.

    Shtreses se larte nuk i behet vone se ç’karakteristika e ç’vlera ka ‘skllavi’/konsumatori, kurse shtresa e mesme sheh me vemendje se ç’karakteristika e ç’vlera ka bashkeqytetari.

    Qekur i ka humbur interesi per karakteristikat dhe vlerat e bashkeqytetarit, ka filluar pikiata e prestigjit te saj, por njekohesisht me humbjen e prestigjit te saj, humbet edhe demokracia kombetare qe quhet edhe liberale.

    Ne fakt quhej liberale sepse perbente emancipim ndaj autokracise dinastike ne favor te kombit( barazise para kombit), kurse sot nuk mund te quhet dot liberale meqe emancipi i radhes po i kushton shtrenjte, pasi mbeshtetet mbi parime te tjera te kunderta.

    1. Faleminderit Hyllin,

      Shpjegim i shkelqyer.

      Pavaresisht nga se cfare e ka shtyre erozionin e shtreses se mesme, ajo qe na intereson ne kete diskutim eshte se rizgjimi i ideologjise nacionaliste, si refuzim i kozmopolitizmit dhe hakmarrje ndaj elitave te pasura, mbetet nje nga skenaret e mundshme politike te te ardhmes se afert.
      Shenja dhe forma primitive te prirjes per rikthim ne vlerat e sfiduara qofshin nacionaliste, fetare, te orientuara nga raca, apo lokaliste sigurisht qe jane shfaqur me kohe. Sa dominuese do te behet kjo ne jeten politike te vendeve perendimore mbetet per t’u pare. Sigurisht nuk eshte i vetmi skenar i mundshem.

  3. Pardje me duket BE-ja kishte kercenuar haptazi Danimarken, se kjo e fundit po bente kontrolle kufitare.
    Danimarka normalisht u justifikua se donte te pengonte hyrjen e krimineleve, gje qe se ha njeri se eshte e qarte qe do te pengoje hyrjen e emigranteve klandestine.

    Ngaqe eshte bere keq me verte, shtetet e BE-se po bejne politiken me te ngecur tjetrit.
    Lexova sot qe Merkel nga presioni i brendshem u kish thene grekeve shtrengoni rripin, futjuni punes se na rropet nga leket.
    Politika greke me ane te gazetave i ish pergjigjur maje me maje, ne punojme me shume se gjermanet, me te dhena statistikore, grafiqe, funksione, derivate, logaritme dhe integrale te dyqindfishta.

    Tani une mendoj se eshte e kote te fshihemi pas gishtit, perendimi po ndahet aristokrate dhe konsumatore, menyra me e mire per te asgjesuar forcen e shtreses se mesme eshte ta kthesh ne konsumatore.
    2 forcat reale qe mundesonin rishperndarjen e pasurise, komuniste dhe nacionaliste, jane zgerlaqur, perendimi sundohet nga e djathta liberale dmth aristokratet e korporatave dhe finances.
    Keta tallin leshte me socialdemokratet duke u dhene pushtet kulturor po qe edhe ky varet nga dashamiresia e tyre e se ne fakt nuk u prish aspak pune meqe te dyja palet jane liberale.

    Pak a shume po ndodh edhe ne Shqiperi, socialdemokratet liberale sundojne kulturen po si pjerdh njeri as ne politike as ne ekonomi, edhe tek ne jane aristokratet dhe te tjeret.

    Ku eshte fuqia, pushteti i shtreses se mesme shqiptare ?
    Asgjekundi, pas 1924, shtresa e mesme tek ne ka pasur pushtet zero, hiq kulturen kuptohet.

    Tani, format do jene ca primitive ne fillim, sepse rikthimi ne origjine eshte akt rebelimi dhe rebelet jane gjithnje tipa druvaresh dhe mjaft emotive.

    Tek rasti i islamikeve, me duket e qarte nga rastet e Egjiptit dhe Turqise, se keta duan te hecin para si islamike, dmth jo te jene perendimore te civilizuar por islamike te civilizuar. Sa do t’ia arrijne eshte muhabet tjeter, perpjekja ne kete drejtim eshte e qarte.

    Persa i perket nazizmit ky bazohet tek parimi i superioritetit te races dhe qyteterimit europian, pra eshte thjesht ekstremizimi i parimit te vjeter europian te cilin e eksportuan dhe e provuan ne zona te tjera te globit qysh ne shek 17-18.

    Bijat me te dalluara te Europes raciste dhe supremaciste, jane Amerika, Afrika e Jugut, Australia, Zelanda e Re.

    Keto kane rrenjet ne genocid,pastrim racor,aparteid,kolonizim, getizim, kampe perqendrimi, skllaveri etj.
    Por keto kane çuar edhe qyteterim, edhe anet pozitive.

    Hitleri nuk eshte se i shpiku nga mendja e tij e semure keto dukuri, thjesht u dha nje sistematizim, kategorizim, nderkaq racizmi shkencor kishte lindur ne kohen e stergjyshit te Hitlerit.

    Europa i ka rene Hitlerit se do ti mveshe te keqijat e saja, ashtu si ben Amerika me kapuçbardhet.

    Keshtu fajet e Europes i kaluan Hitlerit dhe gjermaneve, nderkaq rregullisht do ta nxjerre psikopat ose karagjoz te historise.
    Europa do ta kete ndergjegjen e paster, nuk do te pranoje fajin, ne kryq per mekatet e saja ka vene Hitlerin dhe gjermanet.
    Imazhi i Perendimit duhet te jete i pastert, i qelibart, i kulluar.

    Cifutet ama jane me te zgjuar se europianet, s’ua ha qeni shkopin njeri atyre, kane 65 vjet qe i mbajne europianet per herdhesh, mund te bejne çte duan ne Palestine dhe Europa do s’do rri urte.
    Cifutet jane edhe te afte ne llogari, ata 6 milione te vdekurit duhet ta mbajne gjalle shtetin e Izraelit per nja 2-300 vjet.

    Kurse ne s’dime t’ia nxjerrim fitimin padrejtesive qe na ka bere Europa, s’dime t’ia felliqim nderkombetarisht imazhin, si forme shantazhi per perfitime.
    Sa me shume dru na japin, aq me shume i duam, parimi kush te rreh te do.

    Ne mund te vjelim miliarda me copetimet, masakrat, pastrimet etnike per te cilat Europa o eshte shkaktare o ka heshtur si bashkefajtore ne krim.
    Kadareja tek ky libri i fundit me duket se na jep mend ne kete drejtim, do jete çifuterizuar ne pleqeri.

    1. E di qe jemi jashte teme, po pershtypja ime eshte qe ne fund te viteve 80 ne Tirane ishte kristalizuar nje shtrese e mesme, e cila jetonte me mire se masa punetore fshatare, ndonese shume keq ne krahasim me te ngjashmit e tyre ne Perendim.
      Kreret komunistet nese do te kishin ditur t’i ushqenin urine materialiste kesaj shtrese do te kishin mbetur ne pushtet per nje kohe te gjate, ashtu sic mbase kane mbetur ne Kine. Po Shqiperia ishte teper e vogel dhe e varfer per nje alternative te tille dhe sigurisht shefat komuniste te saj teper medioker per zgjidhje me fantazi.

  4. Sa per sqarim: ndonese e kuptoj dhe deri diku e justifikoj vendimin e Festivalit te Kanes per t’ia mbyllur deren regjizorit danez, Von Trier mbetet per mua nje nga me te preferuarit dhe do te zgjidhja te shihja nje film cfaredo te tij sesa filmat me te mire te 99% te regjizoreve qe marrin pjese ne ate festival.

  5. Qe do e perjashtonin sa hap e mbyll syte, kjo dihej. Nuk mund t’u hapej drita jeshile miliona e miliona injoranteve, akoma te tille, qe do i merrnin keto fjale si nje ftese per shkaterrim.
    Ndersa vete çifutet, besoj se do ndjehen te perkedhelur ne seder nga kjo menyre te shprehuri e lars von trier, se tregon qe edhe ai tashme eshte thjesht dhe vetem nje çifut, i teri dhe i beri, asgje me teper.

  6. Rasti i regjizorit danez, qe kastigohet nga interesat publike per mendimet e tij private, eshte ne perputhje e ne pershtatje me atmosferen qe mbizoteron sot, ku publiku, i shprehur ne formen e tij me te larte, shtetin, por jo vetem ate, kerkon te rregulloje ne cfaredo lloj menyre dhe kudo privatin, ose formen me te larte te tij, popullin.
    Ekzistenca e publikes dhe privates, e popullit dhe qeverise (shtetit) eshte simbiotike. Pavaresishte se c`forme marrin keto maredhenie, njera nuk ekziston dot pa tjetrin.
    Gjendja e raportit te ketyre maredhenieve ka qene dhe eshte nje subjekt i vazhdueshem i mendimit dhe literatures qe prej filllimit te kohes e deri ne ditet tona.
    Nje interpertim i historise, i pare me kete sy, do te ishte se ajo nuk eshte gje tjeter vecse nje beteje e perjetshme midis interesave private dhe publike, midis popullit dhe qeverise, ku , kush ka nevoje per tu mbajtur nen kontroll eshte publikja, qeveria. Mbisundimin e vet, qe per nga vete natyra e njeriut, ka tendence te jete mundesisht total, kjo e fundit , publikja, e siguron me ate qe quhet “political correctness”, dhe e realizon me ane te predominimit ne finance dhe ekonomi.

    Hiq motorin me djegje te brendeshme, telekomukacionin dhe kompjuterin, ka pak gjera te tjera qe kohet moderne mund ta deklarojne si shpikje te veten. Forma e sotme mbisunduese e te qeverisurit, Republika, qe eshte krejt ndryshe nga Demorkacia e Athines, s`ka asgje moderne. Ajo eshte e bazuar ne modelin e Romes, dhe jo ne ate te Athines. Ne Republike perfaqesuesit e zgjedhur drejtojne qeverine. Ne Demokraci cdo qytetar ka te drejte te propozoje ligje apo te gjykoje gjendjen e qeverise. Roma kishte Senatin e vet, njesoj sic jane parlamentet dhe senatet e sotme.
    Kur i ofrohet tregut te punes, per te marren ne pune personelin e nevojshem per funksionimin e saj, shteti, publikja, konkuron me privaten, sepse burimi ku merret eshte i njejte. Por publikja, shteti, ndryshe nga privatja, nuk i nenshtrohet ligjeve te pashkruara te vete-ruajtjes, dhe gjithmone, per deri sa nje gje e tille te jete materialisht/ fizikisht/ ekonomikish/ politikisht/ kulturalisht e mundeshme, vete-interesat e saj ngelen te pandryshueshme dhe te pakorigjueshme, deri ne piken e keputjes, qe jo rralle, merr nje natyre totale. Psh, nje nga karakteristikat e shume vendeve te punes ne administraten shteterore si polici, zjarrfikes, ushtri, burokraci administrative , etj etj, eshte se mbas 20 vjet pune, ti ke te drejte per nje pension te perjetshme, deri sa te marresh fryme, pavaresisht nga vlera e punes tende. Ne fakt nje benefit i tille nuk eshte rrjedhohe e zhvillimt social te epokes se pas-revolucionit industrial. Ai vjen drejt e nga tradita romake. Ata ishin te paret qe e vune ne perdorim, kur per ti terhequr njerezit qe te regjistroheshin ne ushtrine e Romes, nje nga PREMTIMET ishte qe ata mund te dilnin ne pension, me pension te plote, mbas 20 vjetesh sherbim ndaj Republikes se Romes. Ky lloj benefiti, per arsye qe askush s`di ti thote, vazhdoi neper shekuj, dhe bashke me pervojat dhe eksperiencat e tjera te Romes, ka ardhur deri ne ditet tona.
    Po cfare mund te shihet e te njihet eshte se socialet(istet) e sotem, bashke me zgjidhjet e se kaluares, kane trasheguar edhe problemet e kesaj se kaluare, dhe kane adaptuar te njejtat pensione dhe programe qe kontribuan ne renien dhe rrezimin e Romes. Ekonomisht, ajo qe rrenoi Romen eshte ekzaktesisht ajo cfare shohim ne shoqerine tone. Trendi i sotme eshte kontradikta midis qeverise/ punonjesve te saj kunder popullit, privates. Rasti me i dukshem eshte ai i Greqise. Por ai eshte thjeshte nje banko-prove, sepse ne te njejten rruge po ecin te gjitha qeverite – rruga quhet Premtimet e Pafinancuara.

    Nje nga karakteristikat e sistemit romak ishte mbajtja rigoroze dhe e sakte e te dhenave administrative dhe vendimeve te qeverise.
    Ne base te tyre, eshte llogaritur se ne vitet 200 p.e.s forca ushtarake e republikes se Romes ishte 100 mije vete. Ne vite 90 p.e.s ajo shkon ne 200 mije vete. Ne vitin 0 ajo eshte 300 mije vete, dhe ne vitet 260-280 e.s ajo arrin pikun me mbi 400 mije vete. Qe aty, numrat fillojne te bien dhe ne vitet 550 e.s, pjesa perendimore e perandorise se Romes nuk ka me ushtri. Kurse Bizanti ka nje force prej 280 mije vete, e cila vjen duke u zvogeluar, deri ne zhdukjen e saj ne shek, 15.
    Ekonomia e Romes ishte e bazuar dhe mbeshtetur ne nje sistem financiar, si sot, dhe monedha baze ishte ` denarii ‘, e cila ishte e argjente.
    Simbas llogaritjeve, Roma ne vitin 6 e.s kishte nje buxhet prej 124 miljon denarii per ushtrine, prej te cilave 68 miljon ishin per rrogat, 29 per sigurine sociale ( pension etj) dhe 27 miljon per armatim dhe paisje.
    Ne vitet 68-69, buxheti per ushtrine ishte 127 miljon . 69 per rrogat, 30 per sigurine sociale dhe 28 per armatime dhe paisje.
    Ne vitet 92-100, buxheti ishte 171 miljon. 93 rrogat, 41 sigurimet sociale, 41 arme dhe paisje.
    Ne vitet 195, buxheti ishte 287 miljon. 155 rrogat, 70 sigurimet sociale, 62 arme dhe paisje,
    Ne vitin 230, buxheti ishte 438 miljon. 236 rrogat, 107 sigurimet sociale, 95 arme dhe paisje.
    Pervec rrogave, dhe armatimeve, te cilat ishin imediate, dhe te paevitueshme, financimi i premtimeve sociale nuk ishte imediat, dhe premtimi per pension mbas 20 vjetesh ishte i lehte per tu bere sepse ai qe e bente ne ate moment, nuk do te ishte pergjegjes per cfare mund te ndodhte 20 vjet me pas. Per keto premtime, nuk kishte fonde te lena menjane. Pastaj “shteti”, forma me e larte e publikes, nuk mbaron nga paret asnjehere, keshtuqe ai do ishte gjithnje ne gjendje ti permbushte premtimet qe i bente atyre te cilet punonin per te.

    Ne kohen e Jul Cesarit, dhe Augustit, shteti futi standarte te reja pagese per ushtrine, ku pervec rroges, ushtareve u jepesh edhe “donative”, ose bonuse. Keto bonuse paguheshin ne monedha floriri, te quajtura “aurei”. Bonuset ne fillim paguheshin vetem nga trofete e lufte. Por shume shpejt ato u kthyen nga shperblime te merituara, ne shperblime te detyruara, edhe atehere kur nuk kishte trofe, apo fitime te nxjerra nga lufta. Keshtu Tiberius dhe Kaligula ishin te paret qe filluan te jipnin bonuse jo ne baze merite, por ne menyre te rregullt dhe te herepashereshme. Secili prej tyre shperndau 50 miljon denarii ne bonuse. Tashme pretoriante merrnin ne menyre te rregullt 10 aurei te florinjta. Kohortat urbane merrni 5. Legjionaret e thjeshte 3. Klaudius, mbas vrasjes se Kaligules, ne vitin 41 e.s. i pagoi pretorianet 150 aurei te florinjte per njeri. Pretorianet ne pergjithesi moren rreth 35 miljon denarii. Pjesa tjeter e ushtrise, 50 miljon denarii. Ky ishte cmimi per te siguaruar stabilitetin politik mbas vrasjes se Kaligules. Por ky lloj niveli bonusesh, tashme nuk ishte me i merituar, por i detyruar. Ne vitin 54 e.s, Neroni ofroi te njejten shume. Vitellusi, pretendenti per fron mbas tij, i premtoi Gardes Pretoriane bonuse per nje vlere 88.8 miljon denarii. Perandoret e ashtuquatur Flaviane, Vespasiani, Titus dhe Domician, u perpoqen ta nderronin drejtimin e trendit. Perandoria rrezikonte falimentimin financiar.

    Me ardhjen ne pushtet te Trajanit (98-117 es) , ai iu kthye perseri financimit te sistemit me ane te pushtimeve. Mbas pushtimi te Dacias, ne Ballkan, kronikat flasin per karvanet plot me placke lufte qe mberrinin cdo dite ne Rome per tre muaj panderprerje. Kesaj i do shtuar edhe minierat e reja te zones, qe tashme ishin prone e Perandorise. Por ky burim i ri te ardhurash u shoqerua perseri me nje lirim te dores nga ana e shtetit. Dhuratat ceremoniale u bene perseri te institucionalizuara. Simbas te dhenave te kohes, nga viti 100 e.s deri ne vitin 192 e.s pati 45 raste dhenie bonusesh. Shuma e shperndare ishte 567.25 miljon denarii, ose 22.7 miljon aurei.
    Mbas vrasjes se Comodus-it ne vitin 192 e.s Garda Pretoriane ishte tashme aq e korruptuar sa ajo ia ofroi fronin e perandorit atij qe do te paguante me shume. Dhe ky ishte Didius Julianus, i cili premtoi nje bonus prej 6250 denarii, ose 250 aurei per cdo njeri. Sapo mori pushtetit, gjeja e pare qe ai beri ishte zvogelimi i peshes se denarii-t nga 2.75 gr ne 2.40 gr.Por as kjo nuk e ndihmoi. Brenda dy muajsh do ia prisnin koken.

    Lufta civile qe filloi me vdekjen e Comodus solli ne pushtet Septimus Severus, dhe shenon fillimin e nje dinastie qe e mbajti pushtetit per 43 vjet. Gjate kesaj periudhe ata i paguan plebejve te qytetit shperblime prej 1 miljard denarii, ose 40 miljon aurei. Ushtrise iu dha nje shume thuajse e njejte. Keto shuma astronomike do ta falimentonin shtetin romak, sepse ato nuk prodhonin te ardhura, por thjesht konsumonin pasurine publike. Dhe eshte pikerisht ky ndryshimi midis punonjesit dhe konsumatorit privat dhe punonjesit dhe konsumatorit publik: i pari prodhon rritje ekonomike; i dyti konsumon pasurine e krijuar nga te tjeret.

    Inflacioni i krijuar nga politikat e mesiperme te Romes ishte nje nga pasojat me shkaterruese ekonomikisht per shteti romak, dhe te miren publike. Per ta vene ne prespektive, “denarii” i argjente i kohes se Cesarit, ne vitin 250 e.s ishte prej bronzi dhe kish 1/50 e vleres se dikurshme.
    Ne periudhen republikane te Romes, 25 denarii ishin ne gjendje te mbulonin 50% te nevoja vjetore per grure , te nje familjeje.
    Ne shekullin e 3 e.s., per te siguruar te njejtin standart jetese, duheshin 6,000 denarii.

  7. Unë nuk shoh këtu ndonjë problem të censurës: Drejtuesit e Festivalit përjashtuan regjisorin, por jo edhe filmin e tij i cili akoma mbetet në garë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin