SQUFUR

Një vendbanim i humbur, provincial, në Oklahoma të Amerikës, i dënuar të mbetet pa histori; një njollë e papërfillshme në hartë.

Një qytet me një emër që asnjë qytet nuk do ta meritonte: Sulphur, i quajtur kështu për faj të kutërbimit squfuror prej llixhave pranë qytetit.

Papritur, qyteti vjen e bëhet i famshëm, anembanë rruzullit tokësor, falë një qenushi të vogël, i cili i mbijetoi “vënies në gjumë” (eutanizimit).

Qenushi, nga ato kafshët mjerane të pastreha, të cilat zakonisht i mëshirojmë duke i larguar nga kjo botë, ishte shënjuar për ekzekutim nga autoritetet përkatëse të Sulphur-it; një nëpunës i quajtur Scott Prall dhe i punësuar si animal control officer pranë bashkisë së qytetit, i injektoi viktimës dy doza vdekjeprurëse të një sedativi, në këmbën e përparme dhe drejtpërdrejt në zemër – sipas procedurës standard.

Injeksioni i dytë, në raste të tilla, shërben si garanci e të parit.

Një ditë më pas, nëpunësi Prall u habit teksa e gjeti qenushin ende të gjallë, në kazanët e plehrave të destinuar për “magazinimin e mbetjeve trupore”.

Lajmi i gëzuar për qenushin që i shpëtoi ekzekutimit të dyfishtë u afishua sakaq në një sajt për adoptimin e kafshëve të shoqërimit dhe më pas, doemos, në Facebook.

Një farë Marcia Machtiger, nga Pittsburgh dhuroi 100 dollarë, që qenushin ta mbanin në strehë edhe një javë tjetër.

Pas afishimit në Facebook, janë me qindra amerikanë që kanë shprehur dëshirën për ta adoptuar ish-viktimën e shiringës.

Amanda Kloski, që punon si teknike veterinere pranë strehës së kafshëve në Sulphur, i deklaroi agjencisë Associated Press se tani “po përpiqemi të përzgjedhim strehën më të mirë për qenushin.”

Të pakta janë shanset që një fe e re të nisë a të themelohet mbi këtë krijesë të përvuajtur që i shpëtoi, për mrekulli, vdekjes së sigurt; por qenushi nga Oklahoma, vetëm me këmbënguljen dhe vendosmërinë e tij për ekzistencë, të paktën i bëri amerikanët të ndihen mirë me veten.

Strehët e kafshëve anembanë vrasin rregullisht qen, mace dhe të tjerë pets të braktisur prej pronarëve të tyre ose endacakë, të kapur rrugëve, skutave dhe plehrave; këto qenie kanë ardhur në botë falë pakujdesisë sonë, ose hubris-it për t’u hequr si Perëndi; janë të paplanifikuara, askush nuk i do e askush nuk ndjen gjë për to, veç atyre që do t’i ekzekutojnë.

Në Tiranë kam parë me qindra qen rrugësh, të rrjepur dhe të sëmurë; mace të uritura në pullazet, të holla gati dypërmasore; fantazma të një dhembshurie që nuk është jona, por që s’mund veçse të jetë jona; qenie të kota dhe të dëshpëruara e njëkohësisht shembëlltyra për gjendjen tonë si njerëz, së paku për ata që kanë sy të shohin.

Megjithatë, shumë prej nesh ndihen aq të lumtur në shoqëri të një qeni ose një maceje, sa të besojnë, ndonjëherë, se këto krijesa janë më afër virtytit se sa njeriu: më besnike, më të mençura, më vetëmohuese.

I duam fort, madje edhe kur i çojmë për injeksionin e fundit, me shpresën e pashpresë se dikush do të gjendet, për të vepruar njëlloj me ne, kur të na vijë ora.

Edhe likuidimin rutinë, i kafshëve të tepërta, në strehët e mbipopulluara anembanë botës perëndimore priremi ta shohim si një gjest dashurie, ndaj qenieve përndryshe të dënuara me një jetë në kufi të torturës.

Qenushi nga Sulphuri, dy herë i vdekur dhe i ringjallur, u pranua në botën e këtejme edhe nëpërmjet pagëzimit: e quajtën WALL-E, për nder të robotit plehraxhi, personazh të filmit të Disney-t me të njëtin titull.

Ndoshta ky emër e ky homazh do t’i shkonte më mirë oficerit Scott Prall që e gjeti viktimën e vet të gjallë në kazanët; po t’i bindeshin metaforat logjikës.

Në fakt, WALL-E është vetëm një nga filmat e Disney-t ku makinat marrin jetë, për t’u shndërruar në diçka të ndërmjetme midis fëmijëve dhe kafshëve të shoqërimit (“9” më vjen në mendje gjithashtu); në këto filma, ndryshe nga çfarë ndodh në realitet, robotët janë të vegjël, të padëmshëm, shakaxhinj, besnikë, tuhafë dhe të virtytshëm – ose krejt të kundërt me krijuesit e tyre.

Ndërkohë, YouTube ka katalizuar admirimin e qindra miliona internautëve për kafshë të vogla topolake, kotele dhe qenushë, lepurushë dhe pinguinë, protagoniste videoklipesh që përftojnë të njëjtin efekt: vënien në skenë të së padëmshmes, katarsis për një publik gjithnjë e më paranojak, të kërcënuar dhe anksioz.

WALL-E robot kompaktor, edhe pse me manierizmat tipike të kafshëzave të Disney-t, kish për mision të pastronte, prej plehrave konsumeriste, një Tokë tashmë të braktisur prej banorëve të saj. WALL-E qenush deri dje anonim, krijesë e rastit dhe e harrueshme, u rilind në plehra, për t’u shpëtuar shpirtin prindërve të vet virtualë. Nëse Disney kërkon, me mënyrat e veta, t’i përgatitë fëmijët për traumën e përballjes me kërcënimin teknologjik, publiku reagon duke i pagëzuar, me emra makinerish, heronjtë e vet të ringjallur nga plehrat.

E gjithë kjo mitologjemë gatuhet, jo rastësisht, në një qytet të quajtur Sulphur, si për të na kujtuar ferrin që po ndërtojmë, me duart tona, rrotull nesh; gjithnjë besimplotë se Disney do të na shpëtojë edhe këtë herë, të paktën duke na infantilizuar.

No Comments

  1. Interesant ne lidhje me kete ndoshta mund te jete edhe fakti se se fundmi ka pasur nje debat jo pak te rendesishem ne “robotics” ne lidhje me pergjegjesite ligjore ne kete fushe, me “liabilities.” Robotet po hyjne ngadale ne te perditshmen, duke u programuar qe te bejne pune qe njeriu nuk deshiron t’i beje vet. Mirepo shpesh here ndodhin aksidente, keshtu qe ne raste te tilla, duke qene se robotet jane ne pergjithesi semi-automatike, kush duhet t’i marri pergjegjesite dhe kostot per keto aksidente. Nje nga anologjite e ofruara eshte ajo me makinat. Ne rast aksidenti, dhe ne varesi te situates, pergjegjesia mund te bjere mbi shoferin, apo mbi prodhuesin e makinave. E megjithate, njerezit qe merren me kete pune nuk jane te kenaqur nga analogjia, pasi makinat nuk jane aq indipentente sa robotet. Duke qene se robotet gezojne nje lloj indipendence, krahasimi, apo analogjia qe ka filluar te behet e te zeje vend, eshte analogjia e robotit me kafshet shtepiake, ne pergjithesi me qente, te cilet jane qenie me nje indipendence te ngjashme me ate te roboteve, pergjegjesine ligjore per ta e mbajne te zotet e qenit. Ashtu si i zoti i qenit eshte i pergjegjshem nese nje qen shkakton nje aksident, ashtu edhe i zoti i robotit duhet te jete i pergjegjshem nese roboti i tij shkakton nje aksident. Besoj se qeni WALL-E mund edhe te lexohet ne kete kontekst, ku Diseney dhe krejt e pandergjegjshmja kolektive nuk jane duke bere gje tjeter pervecse duke i hapur rrugen zgjidhjeve te problemeve qe mund te ngrihen nga perdorimi gjithmone e ne rritje i roboteve.

  2. Duke lexuar me vijne ne mendje edhe keto.

    Nevoja jone per t’u vetemashtruar eshte pa cak, dhe jo vec per t’u ndiere me te mire sesa jemi. Por njerezve edhe u pelqejne mrekullite: u rrisin adrenalinen, i shkundin nga rutina e merzitshme, i bejne te ndihen se jetuan ne kete bote jo fare kot e kur nuk ia vlente te ishe, por ne nje moment kur ‘ia vlente’ te ishe, pra u jep qellimshmeri. Pastaj kane c’t’u tregojne familjareve, komshinjve, shokeve te punes. Pa dyshim, nese ate gjene e vecante apo ‘mrekulline’ e bejne edhe pjese te jetes se tyre, atehere ndihen ne nivelin e celebriteteve. Pa dyshim, “nevoja e te ndjerit mire me veten”, dhe klasifikimi i vetes ne nahine e te moralshmeve, eshte nder themeloret nder kotesite qe ndertojne jeten njerezore. Megjithate, ate une do ta konsideroja me te dobishme se te tjerat, nese nuk do konsistonte ne raste te vetmuar qe rastesisht marrin status nepermjet mediave. Kujtoni reagimin qesharak te publikut dhe institucioneve te ndryshme pas “te pastrehut me ze radiofonik” Williams. Dhe me pas proliferimi mediatik edhe me qesharak akoma. Madje pashe nje gazetare qe intervistonte disa dite pas kesaj “mrekullie”, nje tufe me lypesa e te pastrehe te ndryshem e i bente te provonin aftesite e veta. E beri te kendonte nje mesogrua te pastrehe per nja 5 minuta. Ky reagim eshte i turpshem, e prape gjen me shumice audienca qe e pelqejne. Sepse ne njerezit jemi keshtu. Ne dime te bejme sikur, dhe nuk e kemi te veshtire te besojme se vertete “u be deti kos”. Apo eshte “u be deti pace”? Sipas meje lehtesia dhe kinse-leshkolleku i marrjes se rastesise per normalesi, vepron edhe ne rastin e llotarive.

    Ne fakt, kjo sjellje njerezore eshte arsyeja perse CNN nuk ka dite qe te mos nxjerre nder lajmet kryesore edhe mrekullite qe lidhen me nje kafshe shtepiake, apo ndonje katerkembesh qe ia del te funksionoje normalisht me vetem njeren prej kembeve, kalamaj qe shtremberohen lezetshem e rrallesi te tjera qe gjenden kollaj ne ‘you-tube’, vetem qe te siguroje disa nga audiencat qe ka humbur.

  3. Ndofta njerezit kane nevoje per kauza sepse ndjejne nevojen ti japin kuptim ekzistences se tyre duke perqafuar ide, levizje, aspirata larg te perditshmes dhe rutine-banalitetin qe e pershkon.

    Poshte dritareve te zyres time beheshin vazhdimisht protesta e demonstrime gjithefaresh. Me bente pershtypje se sa shume vemendje i kushtonin koleget protestave gjysem lakuriqe ne mbrojtje te kafsheve dhe mos perdorimit te gezofeve. Dhe krejtesisht indiferente kur demonstronin somalezet apo sudanezet kunder genocidit apo luftrave civile.

    Ne parim nuk kam ndonje gje kunder shoqatave qe mbrojne qente, balenat, arinjte polare….por se si me duken, si pa vlere, kur mendon se akoma vdesin femije nga uria, dhe jo vetem ne Afrike, por edhe ne Amerike.

    1. LG: besoj se koleget e tu (me duket se e ke fjalen per kolege amerikane) thuajse te gjithe kane eksperienca, shpesh edhe te ngushta, me qen e mace; nderkaq pak prej tyre (ose askush) kane eksperienca me somaleze e sudaneze. Ndaj identifikohen me lehte me nje kafshe, sesa me njerez. Nga ana tjeter ketu besoj nderhyjne edhe paragjykimet. Per fat te keq kafshet paragjykohen me me veshtiresi sesa njerezit e nje race qe konsiderohet inferiore. Gjithashtu njerezit qe demonstrojne shihen shpesh nga ata qe kane nje qoshe pune, si arsye per ‘trouble’. Kur ngreme zerin per kafshet e dime qe ato nuk do bejne revolucion se u hapem syte ne, dhe turbullirat qe krijojme ne jane te kontrolluara po nga ne dhe me kosto te ulet… kafshet pasi u japim disa te drejta, nuk do na kerkojne me shume, ose, larg qofte, nuk do emigrojne ne shtepine tone ose te kerkojne te mbulohen me para te taksave tona. Ende afrikani (shume me shume se ne) shihet si trouble neper vendet perendimore. Pamje per te qare. Per fat, reagime te tilla, shpesh nuk jane racionale. Dhe ky eshte ndoshta edhe fati i keq.

  4. Ne nuk e njohim dashurine per kafshen dhe ndihmen per me te dobtin, dhe kjo ndodh sepse jemi kaq shume te preokupuar me veteveten, dhe e marrim kaq shume seriozisht veteveten, saqe kur degjojme ndonje ndodhi si kjo e mesipermja sigurisht qe do e rrotullojme perseri gjithshka rreth vetes, si psh : jemi te vetmuar, dalim nga rutina, i tregojme shokeve mrekulline, kemi eksperienca me te aferta me kafshet se me njerzit e te tjera pallavra si keto.
    Nuk arrijme te kuptojme dot, (dhe aq me shume e justifikojme qe eh keta jane “budallenj”), qe ka shume njerez ne kete bote qe duan te ndajne miresine materiale, qe ka njerez ne kete bote qe gjejne lumturi ne sakrifice, qofte duke rritur nje qenush te vogel qe eshte pa strehe apo qofte dhe duke trajtuar nje somalez jo si inferior por si “Njeri”. Sepse ne gjithmone mendojme qe jemi me te mire se te tjeret, jemi me te ditur se te tjeret, kemi me shume moral se te tjeret, rrogat me te mira se te tjeret, i kemi femijet me te mire se te tjeret, ruajme pozicion intelektual me te larte ne shoqeri se te tjeret, kemi shtepi me te bukur se te tjeret, jemi fashioniste te “perkryer”, dhe nuk di pse vjen kjo, ndoshta nga preardhja “fisnike e lashte” qe trashegojme, apo jane mekanizma ne subkoshience qe na ndihmuan te mbijetojme gjate diktatures, dhe po mbijne ne siperfaqe tashme per te mbijetuar akoma, ne shoqeri qe po duket se nuk po i thithim dot ajrin si pjese e jona legjitime, dhe mundohemi qe dhe ndodhi te tilla kaq te pafajshme ti ngaterrojme ne rrjeten tone prej merimangeje shqiptare. Por kur vjen puna per politike, ah atehere mos na dil perpara se te gjithe dime te japim pergjigje, se te gjithe kemi opinione dhe zgjidhje per cdo situate. Per te gjykuar e per te dhene mend ne kemi vertet shpaten ne dore, por kur vjen puna per te marre pjese praktikisht justifikohemi te trembur.
    Ky qen i vogel qe duket se i ka shpetuar vdekjes per mrekulli eshte sensacion me i mire dhe me i kendshem per te degjuar ne lajme, sesa billionat e Gadafit, Mubarakut, Berishes etj. Dhe kjo aspak se e ben kete audience qe e pelqen kete lajm te ndjehet mire me veteveten! (prape rreth “vetevetes”), por thjesht se ky eshte nje lajm i thjeshte dhe i pafajshem, sepse pikerisht ne lajme te tilla ne nuk dime sesi te veprojme, pervec te zeme pozicionin e gjykuesit, rol i pershtatshem per te dhene mend, per t’u paraqitur i mencur dhe per te mos bere asgje.