FLUTURIME ME PRESH II

Ligjërimi publik shqiptar po ndotet dita ditës. Tashmë në vend të komunikimit ka sharje, fyerje, akuza. Mjafton të hapësh një gazetë çfarëdo e do të lexosh fjalë nga më të rëndat. Për provë, natyrisht pa mëtime statistikore, mora dy komente të botuara nga një e përditshme shqiptare dhe i bëra një vjelje të shpejtë leksikore.

Në artikullin e parë me titull “Plaku Skizofren dhe Mercenarët e Plakut” shënova fjalët e mëposhtme:

“Sali Berisha mund të konsiderohet tashmë një plak i rrjedhur “, “skizofren”,  “ai përdor një medikament, të quajtur “haloperidol”, për të kuruar psikozat dhe tendencat e tij skizofrenike”, “Berisha masakroi popullin”, “diktator oriental”, “zorzop”, “doza të forta paranoje”, “individë injorantë, mediokër, dhe të pavlerë për shoqërinë”, “përbindëshi”, “djalli i mishëruar në tokën Shqiptare!”, “hafijet, shërbëtorët, dhe mercenarët e pushtetit”, “për hir të plaçkës”, “për vlerë kanë primitivizmin dhe antivlerën”, “për moral kanë kusarinë dhe imoralen”, “mëndje-rrjedhur dhe zëmër-ngushtë”.

Në artikullin me titull “Derrat që kemi mbi krye” nënvizova këto fjalë:

“bandë e armatosur që u udhëhoq nga Lulzim Basha dhe u inspirua nga Sali Berisha”, “neo-diktatori fashist”, “t’i bërtasim këtij derri”, “Ata, drejtuesit e institucioneve mund të na vrasin masivisht në Gërdec, mund të na seleksionojnë me snajpera në bulevard, mundet edhe të na drejtohen duke na quajtur, horra, morracakë, kokëpalarë e lavire”, “bandë kriminelësh dhe hajdutësh”, “popullit, që për t’i siguruar derrave këtë mirëqenie është transformuar në kokëpalarë e morracak”.

Nuk e fsheh se ishin titujt ato që ma tërhoqën vëmendjen, por po t’i kisha vjelë komentet, do të kishin dalë shumë qyfyre të tjera, ndoshta të pabotueshme në këtë faqe. Gjithashtu, po të kisha shkuar në gazeta të djathta do të gjeja të njëjtin fjalor agresiv e të ndyrë, adresuar kësaj radhe Edi Ramës.

Tani, është e qartë se ajri publik që thithim në Shqipëri është i ndotur në maksimum. Oxhaqet e ndotjes duhen kërkuar fillimisht tek partitë politike, ku më shumë e ku më pak, por përdorues të atij ajri jemi të gjithë. Dashur pa dashur pra, infektohemi edhe ne nga kjo malarie.

Berisha është i fyeri kryesor i shkrimeve të cituara, por ai nuk mund të ankohet, për sa kohë përdor, në parlament e gjetiu, batare të tëra me sharje, nga laviret deri tek lakuriqët. Mirëpo unë, si qytetar i thjeshtë, mund të ankohem, jo vetëm në adresë të klasës politike, që nuk i respekton standardet e mirësjelljes sime, por edhe kundrejt gazetave të ndryshme, që janë shndërruar në fletërrufe postmoderne me akuza e pretenca, pa përmendur fjalorin rrugaç. Mediat, sikurse politikanët, nuk duhet të harrojnë se ushtrojnë, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, edhe një rol edukativ për qytetarët.

A ka shkaktuar kjo ndotje verbale ndonjë vrimë të rrezikshme në shtresën mbrojtëse të etikës së komunikimit? Me siguri, njësoj si vrima e ozonit, nga ku mund të kalojnë rrezatime të dëmshme për njeriun. Viktima e parë është politika me “P” të madhe, natyrisht në konkretësinë e saj, ajo që grekët e lashtë e quanin Polis, pra, në analizë të fundit, ne.

Nuk ka komente

  1. E gjitha vjen si pasoje e trashegimise komuniste Pishak. Metodologjia dhe fjalori jane i njejte me Zerin e Popullit, kur ishte organi i ekzekutimit verbal te kundershtareve te rregjimit para se te kryhej edhe eleminimi fizik. Nuk ka ndryshuar asgje ne ate mentalitet dhe ligjerim. Dalja e emrit per keq ne ZP, ishte vendimi i pashpallur nga gjykata ose organet e tjera per ne burg, pushkatim ose me e pakta per pushim nga puna (ve re qe edhe keta nuk presin e pyesin shume per prokurori, gjykata, institucione, kerkojne gjyqe popullore). Sot ZP-ja nuk eshte me organi i partise shtet, por ajo menyre qe perdorej kunder kundershtareve ka ngelur e njejte. Trashegimtaret e asaj ideologjie e metodologjie revolucionare, pavaresisht moshes, e perdorin dendur kete dhe ne fakt edhe nuk dine me mire. Eshte induktuar tek keta ky lloj fjalori e ligjerimi. Kundershtari duhet te demonizohet qe eleminimi i tij, pse jo edhe fizik, te behet me i pranueshem per njerezit. Nderkohe qe duhet zhdukur fare opozicioni ne shtyp. Eshte shqetesues imponimi qe kerkojne te bejne keta njerez, atyre qe mendojne ndryshe nga ta the thone qe ajo qe ndodhi me 21 janar ishte veprim antikushtetues. Ngulmojne ne menyre shume te rrezikshme per unison ne mendim me ta dhe nuk tolerojne asnje lloj disenti.

  2. Viktima kryesore e kesaj retorike te mbarsur me epitete dhe metafora si ne eposet e miteve, por dhe me tone banale e vulgaritet te pashoq, eshte vete diskursi e debati publik.

    Me apo pa deshire keto retorika helmatisin kete debat, qe dhe para tyre ishte teper i ulet; se ja, cfare debatohet ketu e dy vjet midis paleve politike dhe “te pavarura” mediatike e popullore? Kryesisht asgje me shume sesa cfare fjali mund te formulohen me kryefjalen “kuti” dhe me foljet “hap” dhe “mbyll”.

    Si puna e sherreve banale, sa me shume shahet dhe ofendohet me epitete aq me pak merret vesh perse po zihen.

    Mediat jane thjesht zgjatime te politikes; kete duhet ta pranojme tashme se keshtu jane, kryesisht e pergjithesisht, hiq ndonje artikull opinioni qe mund te ndryshoje nga vija e pergjithshme.

    Ne nje vend tjeter do ishin mediat ato qe do orientonin popullin duke terhequr vemendjen tek ceshtjet kryesore e duke i bere kunderpeshe ketyre retorikave, e jo sic bejne keto tonat duke permbytur popullin me amplifikimin e ketyre retorikave nga ana e tyre, perpos transmetimin e tyre, shpesh here ‘literally’ me regji te partise.

    Duke dale prap tek sondazhet, do ishte me interes te dihej se sa efikase jane keto strategji politike (ashpersimi i retorikes, dhe boshatisja e saj, qe shkon paralel me te) ne popull. Besoj se jane mjaftueshem efikase, persa partite insistojne ne to.

  3. Te pakten ne artikullin e Leart Koles, ka argument, po aq sa edhe mllef e pathos. Shkon gjuha ku dhemb dhembi, thote populli, jo vetem gjuha kocka s’ka e kocka thyen. Pishak, nuk me duket se analiza jote qendron krejtesisht. Dakord qe gjuha e rende e fyese behet shkak per shthurjen e politikes, por eshte edhe shthurja e politikes qe eshte shkak per gjuhen e shthurur nga komentatore te ndryshem. Ta kam llafin qe nuk jam i qarte ne kete analizen tende, shthurjen e etikes se komunikimit nga komentatore te ndryshem, e sheh si shkak apo si simptome e shthurjes se politikes?

  4. Dmth faji i vetëm i klasës politike shqiptare na qënkërka se përdorin ligjërimin e gabuar?
    Nqs fjalori i politikës do të ishte politically correct, atëhere a do të mund ta konsideronim preshin si hudhër të njomë?!

    Në ktë pikë, në vend që të analizojmë apo pretendojmë për një ligjëratë korrekte nga ana e politikës, do ishte më e udhës që të këshillohej direkt: Kur ta fut kundërshtari, mos lëviz! (se përndrysh… edhe do i shtosh kënaqësinë).

  5. Sot Berisha e quajti Ramen “bajloz i zi”, m’duket se ka filluar “te kundroje” peisazhet me “ajpod” :p

  6. “A ka shkaktuar kjo ndotje verbale ndonjë vrimë të rrezikshme në shtresën mbrojtëse të etikës së komunikimit? Me siguri, njësoj si vrima e ozonit, nga ku mund të kalojnë rrezatime të dëmshme për njeriun. Viktima e parë është politika me “P” të madhe, natyrisht në konkretësinë e saj, ajo që grekët e lashtë e quanin Polis, pra, në analizë të fundit, ne.”
    -Tha Pishaku.

    Ne prani te disa degjueseve dashamires, te cilet nuk arriten as te falenderonin politesen e artikulimit te mendimit te tij, pasi ashtu pa as me te voglen arsye te dukshme filluan te shperndaheshin degjuesit e mire. Dikush kish bere nje fende/pordhe te heshtur.

    Nuk funksionon, jo vetem kur flet keq, por edhe kur flet mire, ne se dikush reagon ne ate menyren e heshtur, si me siper.

    p.s. Te me fale Pishaku, per inskenimin e sajuar ne referimin e fragmentit te marre me siper.

  7. Ajo ministrja e Jashme e Frances, qe i propozonte ndihme ne police dhe mjete policore Ben Aliut, jo me shume se 48 ore para se ai te merrte arratine, sapo dha doreheqjen. Sot ne mbremje. Ne te njejten dite me doreheqjen e kryeministrit aktual tunizian. Dy shembuj nga dy vende krejt te ndryshem per te njejtin institucion demokratik : ate te doreheqjes .

    Si mund te pretendohet ne Shqiperi per “politikë me “P” të madhe, natyrisht në konkretësinë e saj, ajo që grekët e lashtë e quanin Polis, pra, në analizë të fundit, ne” (dixit autori i shkrimit), kur insitucione te tilla elementare te politikes (biles asaj me “p” te vogel !) si doreheqja, kane humbur pa nam e nishan ??
    Na e shpjegoni ju lutem ne injoranteve, kete ‘kontradikte’ elementare (vende si Franca e Tunizia na e aplikokan, ne jo !!), qe te mund te hidhemi pastaj ne fazen e dyte te debatit, pra ne ate te ‘etikes se komunikimit’ !

  8. Pishak, po i rikthehem edhe njehere pyetjes qe bera me lart, pasi nuk besoj se e meritoj, si lexues i rregullt, te mos sqarohem. Kesaj rradhe madje po ofroj edhe nje artikull pak me te hershem se keto te dy qe ke ofruar, qe perdor pak a shume te njejten gjuhe. http://www.peshkupauje.com/2011/02/populli-te-largoje-me-mosbindje-civile-g

    Po ashtu, t’i kthehemi perdorimit te termit “derr” nga ana e Koles, me kujton ate shprehjen qe thote “T’i themi derrit derr, e dajes daje.” Nuk besoj per hir te etikes se komunikimit je duke keshilluar t’i themi derrit daje. Besoj se shikon nje problem real tek gjuha e perdorur. Nuk di je duke kerkuar eufemizma, apo thjesht etik ne komunikim, por nuk e kuptoj pse nuk e quan etike ne komunikim, qe mungesen e politikes te mos e kritikojme me fjalet qe meritojne? Po ashtu, keto fjale te perdorura, nuk me dukesh se po sqarohesh, i sheh si komplet jashte realitetit? Thua nuk jane fare deskriptive? Ne mos deskriptive, nuk jane fare as denotative, pra nuk mendon se vene ne dukje nje fenomen qe eshte real e pertej gjuhes qe keto artikuj perdorin? Eshte gjuha e perdorur nga Qosja shkak per genjeshtrat e Berishes e rrjedhimisht shthurjen e polis, apo jane genjeshtrat e Berishes shkak per etiketimin e tij si genjeshtar? Po ashtu, eshte etiketimi prej Koles i politikaneve si derra shkak per derrnine e tyre, apo eshte derrnia e tyre shkak per kete etiketim? Per me teper, cfare eshte marredhenia mes fakteve bruto dhe etikes se komunikimit? Thene ndryshe, cfare eshte marredhenia mes te vertetes, fakti qe Berisha eshte genjeshtar, skicofren, etj, etj, dhe etikes se komunikimit? Sa i sherben ne fakt Polisit nje komunikim qe nuk e thote te verteten sade, por qe sakrifikon kete te vertete, sa do subjektive qofte, per hir te nje etike komunikimi qe duke mos qene e drejtperdrejt rrezikon te lexohet si furce apo lavd prej politikaneve ne drejtim te tyre? Shkurt, eshte kjo gjuhe e perdorur nje reagim i perligjur e rrjedhimisht etike, pavaresisht banalitetit e vulgaritetit qe mbart, apo je duke bere nje thirrje per ruajtjen e manierave me cdo kusht, edhe atehere kur eshte pikerisht ruajtja e ketyre manierave, qe perballe dhunes, derrnise, genjshtrave, tiranise, do ishte fluturim me presh?

    Shiko troc fare si eshte puna. Tek artikulli “krahasime te guximshme” mu drejtove me shprehjen “leksionet mbi etiken gjeju adrese” duke nenkuptuar keshtu se dije per cfare flisje. Nderkohe ketu je duke i bere nje apel etikes, por eshte aq vakuoz ky apel, aq abstrakt e i pergjithshem, sa qe gjithcka mund te bjere nen kupolen e etikes, madje edhe kthimi i faqes tjeter edhe kur faqa tjeter, si c’e provuan ata kater te vrare, eshte ne ate bote. Nuk e ve ne dyshim qe e di se per cfare flet, por ky perdorim kaq siperfaqesor i “etikes se komunikimit,” siperfaqesor ne kuptimin qe je duke e perdorur termin sikur ne si lexues ta dime se per cfare je duke folur, duke i rene shkurt e shkurt me kater paragrafe, nga te cilat dy jane citate, e duke mos kthyer pergjigje ne lidhje me disa pyetje qe besoj jane legjitime per sa i perket subjektit ne fjale, me ben te dyshoj, ndoshta dhe gabimisht, se nuk di c’flet. Qofsha gabim, po e them edhe njehere, por etika e komunikimit, te pakten atehere kur niveli i keqkuptimit eshte kaq i thelle sa ky qe kam pershkruar me larte, te detyron qe dhe te kthesh pergjigje. Perndryshe, kollaj fare eshte te themi “mos fluturoni” e te kthehemi e te ndjekim ceremonine e Oscar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin