E KEQJA NË BALLKAN

Téa Obrecht, në një ese për muzgun e vampirëve në Ballkan botuar në numrin e fundit të revistës Harper’s (nëntor 2010), vihet në kërkim të gjurmëve të këtyre banorëve të rralluar të legjendave dhe të nënvetëdijes kolektive të gadishullit, duke u ndeshur, dashur pa dashur, me të keqen dhe kundërshtimin e saj, nëpërmjet bestytnisë.

Shkruan Obrecht:

Feja në Ballkan mbështetet në traditë, jo në besë; në bestytni jo në besim; dhe megjithë përhapjen e Islamit dhe dy degëve të Krishterimit, ndikimi i feve pushtuese nuk ka qenë kurrë i thellë; kruaje pak sipërfaqen, dhe do të zbulosh një rezervuar ndikimesh pagane të përbashkëta, të cilat të gjitha mund të reduktohen në të njëjtin thelb: besimi në Zot, pavarësisht nëse i kultivuar në një katedrale, bazilikë apo xhami, vjen i dyti, pas frikës nga Djalli. (Gjyshja ime, myslimane boshnjake, s’e kishte për gjë të më mbronte prej Tij me një ikonë të Shën Gjergjit, kur s’gjendej ndonjë mënyrë tjetër.)

Ky nuk është Djalli si Antikrisht, ose burim i largët tundimesh ose administrator i ndonjë pusi të zjarrtë të pasvdekjes. Djalli në Ballkan është flamë ambulante, krijesë shtëpiake organike; duart ia sheh mbi gjithçka të dashur ose të brishtë, prandaj ne pështyjmë mbi foshnjet kërthí dhe i quajmë të shëmtuara; dhe nuk na pëlqen të themi se jemi mirë me shëndet, ose të diskutojmë publikisht kënaqësitë që duam t’i provojmë në këtë jetë; madje maskojmë deri edhe vuajtjet tona, nga frika se Ai do të na i bënte edhe më të rënda. Djallin e gjejmë të ulur sipër planeve tona më të sigurta, gati për t’i kthyer përmbys, si ndonjë ngatërrestar olimpik i dorës së parë. Shenjtët vërtet na mbrojnë prej tij, por vetëm po të përqafojmë një etiketë të rreptë prej ritualesh të përditshme dhe çikërimash mbrojtëse, por edhe ashtu prapë s’i dihet. “Në dashtë Zoti”, e kemi zakon të themi, por Zoti është veç një buffer.

Këto përsiatje mua më çuan pas në fëmini, tek stërgjyshet dhe plakat e tjera të kujdesshme, që dinin për botën gjithnjë diçka më tepër e të parrokshme prej mendjeve racionale të prindërve tanë të sovjetizuar; duke më kujtuar magjinë me të cilën ato më mvishnin, përkundrejt kundërmasave laboratorike të mjekëve, edukatorëve, mësuesve. Këtej shiringa me penicilinë, andej yshtja me thëngjill të shuar në ujë; këtej thelbi i hudhrës në xhep të pantallonave të shkurtra, andej porositë pedagogjike për të mos u dhënë xhevap të panjohurve; këtej merimangat macet e zeza arabeskat e llumit të kafesë në filxhan syri i keq syri i bardhë nuskat flokët e prerë pështyma, andej alfabeti vaksinat disiplina narrativat morale. Ballkani i autores është edhe Ballkani ynë, njëlloj i modeluar, tradicionalisht, në mbrojtje të përhershme ndaj së keqes, çka nënkupton edhe pranimin, pa përkufizim, të së mirës si gjendje të natyrshme të njeriut.

Kundërvënia primordiale, në këtë Ballkan të bestytnisë, ishte midis fatalizmit, ose të ardhmes të parashkruar e të lexueshme në gjithfarë shenjash nga njëra anë; dhe besimit në mundësitë e pakufishme të magjisë, për ta kundërshtuar dhe rishkruar fatin. Më një anë, çdo incident sado i vogël, qoftë edhe një teshtimë ose një gotë e thyer ose një invazion milingonash ose kripa e derdhur përdhé do të lexoheshin si shenja për të interpretuar shpejt dhe saktë të ardhmen (“sihariq”); më anë tjetër heshtja, fshehtësia ose maskimi prej “syrit” ishte ndër mënyrat më të sigurta për ta penguar të keqen që të ndodhte (“mos ia thuaj njeriu”).

Ndonjëherë më duket sikur fetë në Ballkan kanë kërkuar të zënë vend duke u shtyrë në hapësirat midis bestytnisë dhe botëkuptimit magjik; leximit semiotik të realitetit dhe vullnetit për ta ndryshuar këtë realitet, me mjete irracionale. Gjithsesi, do të ketë qenë fjala për një zëvendësim gjuhësh; pse komunikimit, sado irracional, me kontekstin e drejtpërdrejtë ose botën e perceptuar, është orvatur t’ia zërë vendin komunikimi me të përtejmen, ose nivelin më abstrakt të ekzistencës. Gati-gati hapësirën ka dashur ta dëbojë koha.

Nuk ka komente

  1. Jo shume dite me pare, “Fiks fare” publikoi per te disajten here nje seri “mjekesh” popullor, prej shume qytetesh ne Shqiperi. Mjekimet e tyre, konsistonin ne formula “magjike”, citime kurani apo bible, plumb te shkrire ( po kete nga e kane nxjerre valle ), rrota me penj, karamele me ngjyra, yshtje, rituale te mirepercaktuara me djegie e pervelime, e lloj lloj bestytnish te ketilla.
    Ta do mendja qe keta lloj “mjekesh”, ekzistojne per sa kohe ka paciente qe ua besojne sherimin, dhe ketu te tille ka pafund. Kjo ( sikur te ishte nevoja ), provon bindshem kete lloj marredhenieje me Zotin, apo Djallin, apo cfaredo qofte, ne thelb te se ciles qendron pra frika prej ndeshkimit, prej se keqes.
    Te tille lloj mjekesh, kam pershtypjen duhet te ekzistojne ne gjithe ballkanin, ku me shume e ku me pak.

  2. Ballkani i Tea Obrecht-it si i paraqitur ketu, apo i Xhaxhait e komentuesve te tjere, me duket i veshur nga malli, qe edhe ne hall kthehet ndonjehere, me nje petk magjiko-romantik imagjinar. Ne te gjithe boten e sotme perendimore egzistoje keto dy bote. Krahas antibiotikut egziston moxibustioni, krahas kimioterapise egzistojne metoda ayurvedike, etj. Artikulli i Obrecht nuk di pse me solli ne mend Bajronin, opiumin, orientin.
    Keshillat e bazuara ne antibiotiket me shume se me eren sovjetike lidhen me eren e penicilines e cila me efektet e saj te shpejta sheruese mahniti gjithe njerezimin. Prinderit tane i perkisnin atij brezi qe kishte pare te aferm te vdisnin nga tuberkulozi e te tjere te aferm qe u sheruan me antibiotike ne nje kohe rekord. Kjo beri qe te duken komplet vjetersira e magjira mjekesite qe bazohen ne bime, argjile,ferkime me kripe, etj te cilat kerkojne kohe e japin rezultate ne nje jete qe kryhet ne harmoni me natyren ne menyre te vazhdueshme e jo ne harmoni me industrine e qymyrit a te naftes bie fjala. Prinderit iu adaptuan modernizmit me mire se gjyshet qe vazhdonin te perdornin antibiotikun e tyre tradicional me doza homeopatike: hudhren. Per hir te bashkejeteses ne paqe me natyren jam e gatshme te perdor argjile por nuk jam gati te sherohem me avuj te plumbit. Plumbi eshte perdorur per qellime nga me te ndryshmet per mijevjecare ne bote, por qe kur u gjet shkaku i saturnizmit, etj. eshte komplet marrezi te sherohesh me avuj plumbi te shkrire. Kjo nuk me duket atmosfere ballkanike, thjesht histori e rendomte e zhvillimit te shoqerise njerezore.

  3. Dikush qe e njeh mire perendimin, per mendimin tim, nuk do ta shkruante nje artikull te tille. E shkruan dikush qe mendon se e njeh, edhe sikur te jete fjala per dike qe ka lindur atje, por qe mjedisi familjar ia ka sjelle Ballkanin ne valixhet prej druri.

    Mund te jete edhe nje faze tranzicioni, sikunder na ndodh kur nje gjuhe e sapomesuar na interferon te nje tjeter, e konsoliduar mire. Ne fakt interferenca se jashtemi kerkon te na binde se e kemi asimiluiar aq mire, sa mund ti sugjerojme ca fjale edhe asaj gjuhes tjeter, me te cilen jemi marre nje jete te tere, por kjo vetem se jashtemi….

    Sikur Tea te mendonte me gjate per misticizmin, paragjykimet (keni degjuar per meshen e madhe ekzorciste per debimin e djallit a syrit te keq qe po ndikonte uljen e shitejve te pampers-ave), temjanisjen e motorrave apo makinave dhe mbi te gjitha per numrin tmerresisht te madh te njerezve (me miliona e miliona ne France) qe shkojne te konsultohen me lloj lloj batakçinjsh qe ushtrojne “voyance-n”, qe shohin te ardhmen, zgjidhin problemet sentimentale, problemet financiare, si do shkoje mbledhja e neserme me drejtorin, takimi per punesim e qindra marrezi te tilla qe me duken te pabesueshme kur i lexoj neper gazeta, ajo do te tregohej me e permbajtur ne gjykimin e trojeve te saj te origjines.

    Si i ka punet Franca dhe si i kam punet une, pyeste çdo jave François Mitterand-i sapo hynte te salloni i fallxheshes se tij te fameshme Elisabeth Tessier.

    Vetem vone shoferi tij nisi te tregoje se presidenti qendronte diçka me shume te salloni ne fjale se sa i duhej per te pare te ardhmen e tij e te Frances…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin