SHFAQJA E GABUAR

Natën time të fundit në Tiranë, më ftuan të shihja dramën Darka e gabuar me regji të Fatos Haxhirajt, të mbështetur në romanin me të njëjtin titull të I. Kadaresë.

Ngaqë romani nuk më ka entuziazmuar dhe aq, nuk prisja ndonjë epifani as nga pjesa teatrale, por çfarë pashë i tejkaloi edhe parashikimet e mia më pesimiste.

Dramën e ka vënë në skenë Teatri Kombëtar, duke e gjykuar si vepër të dalluar “për origjinalitetin, enigmën, thrillerin dhe gjuhën e përzgjedhur”. Në të luajnë aktorë të mirënjohur, si Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu dhe Artan Imami.

Madje ky i fundit, pas premierës së paradokohshme të kësaj pjese, deklaroi se “Darka e gabuar” është

Një ndër veprat më të spikatuara, ideologjike dhe historike, që i bën autopsi diktaturës komuniste. Është vepra ku janë të martuara ngjarje historike të vërteta, me groteskun, makabritetin, kriminalitetin, e fillimit të një epoke, ku armiq kryesorë ishin intelektualët. Kjo do të jetë një vepër që do të na tregojë ne si popull. Ne do të shohim veten tonë në pasqyrë.

Në të vërtetë, këtë realizim të Fatos Haxhirajt vështirë ta quash dramë – sepse është më tepër një ilustrim kaotik i një romani jo nga më të mirët e I. Kadaresë. Aty nuk ka as enigmë, as thriller [sic] dhe as gjuhë të përzgjedhur dhe, gjithsesi, çfarë ndodh dhe paraqitet në skenë është shumë më poshtë, artistikisht, se çfarë thuhet në faqet e romanit.

Veprat e Kadaresë përgjithësisht nuk kanë ecur mirë në skenë dhe në ekran (duke përfshirë këtu edhe baletin), por për këtë nuk mund të bësh me faj vetëm përshtatësit dhe regjisorët përkatës. Ndoshta ka diçka të mangët në vetë strukturat e tyre narrative ose në plotësinë e personazheve, të cilat diskursi kadarejan arrin t’i kompensojë, të paktën si rregull, por që del lakuriq gjatë transpozimit.

Çfarë ndodh kur një roman përshtatet në dramë? Në thelb, struktura narrative i mbijeton shndërrimit, ndërsa nga struktura diskursive ruhet vetëm rrafshi mimetik, ose fjalët që shkëmbejnë mes tyre personazhet. Përkundrazi, fjala e autorit shndërrohet në imazhet dhe lëvizjet e aktorëve, dekorin, muzikën dhe të tjera aspekte anësore.

Si roman, Darka e gabuar ka disa probleme me rrafshin narrativ dhe kohezionin, ndërsa një numër linjash të rëndësishme shfaqen me vonesë dhe mbeten pa u gërshetuar mirë me çfarë u ka paraprirë. Këto probleme dramaturgu dhe regjisori Haxhiraj nuk i ka shmangur dot në qasjen e tij ndaj romanit, por vetëm sa i ka nxjerrë edhe më në pah.

Para së gjithash, narrativës së mishëruar në skenë i mungon besueshmëria: nuk merret vesh se çfarë ndodh ose më mirë çfarë nuk ndodh, personazhet deklamojnë gjëra pompoze për besën, Lek Dukagjinin, legjendat; oficeri gjerman, i luajtur nga N. Xhepa dhe i shoqëruar nga dy klounë me uniforma ngjyrë mize, shfaqet si një version i rikombinuar i gjeneralit të ushtrisë së vdekur (tanimë gjenerali i vdekur i ushtrisë); doktor Gurametoja i madh nuk arrin dot të imponohet si protagonist, sepse regjisori nuk ia ka dhënë logjikën ku të mbështetet dhe ta kapërcejë hendekun që e ndan një grumbull fjalësh nga figura njerëzore; doktor Gurametoja i vogël, pavarësisht nga emri premtues, veçse shfaqet pa lidhje në dy-tre skena; një numër i madh personazhesh dytësore, barazvlerë e korit te “Doruntina” e dikurshme (përsëri e Haxhirajt), bëhen menjëherë të mërzitshëm, me bisedat e tyre të ricikluara nga romane të vjetra të Kadaresë. Asgjë në skenë nuk të bind, dhe asgjë në skenë nuk është aq imagjinative, sa të shijohet vetëm si krijim ose artific.

Më keq akoma, dramës së Haxhirajt i mungon drama (“dramaciteti ka lindur i vdekur”, thotë kritikja E. Demo, në një shkrim të mirë për dramën botuar në Shekulli; për mua, kjo vjen ngaqë tensioni dramatik ndërtohet në mënyrë spekulative, ose nga një hamendje në tjetrën, çka mund t’i shkojë një romani, por jo skenës). Gjetja fillestare e ftesës që i bëhet për darkë një të vdekuri, në sfondin e Luftës II Botërore, nuk është vetvetiu e keqe, as ka lindur e gabuar; në duart e një regjisori të mirë mund të kishte shërbyer më së miri si katalizator për tensionin dramatik; por këtë me Haxhirajn nuk e shpreson dot. Përkundrazi, shtesa të mëvonshme, si ajo e komplotit të mjekëve hebrenj dhe vdekja e Stalinit janë po aq qesharake sa edhe anakronizmi (i vetëdijshëm) i vjedhjes së organeve të trupit.

Nuk është se po i kërkojmë një drame të mbështetur në një roman surrealist që të jetë ajo vetë realiste; por edhe më surrealistja e dramave ka nevojë për koherencë, kohezion dhe besueshmëri. Në skenë asgjë nuk i referohet natyrshëm Luftës II Botërore, përveç tekstit dhe ndonjë kostumi që duket si i zhvatur nga skenografi dhe kostumografi të tjera; realiteti në skenë i përket një universi paralel, të gjymtuar, ku ligjet e marrëdhënieve njerëzore nuk ekzistojnë siç i njohim ne. Më tepër se dramë, kjo ndoshta duhej realizuar si një teatër kukullash, ose më mirë hijesh.

Vetë ngjarja kyç e darkës së gabuar zgjat jashtëzakonisht pak; si miku nazist i Gurametos të madh, Ndriçim Xhepa deklamon disa gjepura për kanunin dhe pastaj nis të çirret si i ndërkryer, pa asnjë arsye dhe jashtë çdo konteksti; në një kohë që Bujar Asqeriu dënohet të shqiptojë banalitete të njëpasnjëshme; disa figura krejt pasive, si familja e Gurametos, mbeten edhe më inerte se kolltuqet dhe perdet, teksa dy protagonistët shkëmbejnë mes tyre fjalë të drunjta dhe filozofime prej adoleshentësh.

Ndërkohë, detyra për comic relief i është besuar një personazhi të marrë hua nga Kronikë në gur: Llukan Burgamadhit, i cili rreket të bëjë sallën për të qeshur, së bashku me një karagjoz tjetër që vajton ikjen e prostitutave, mëndafshet, çorapet dhe rrokullimën e rruazave femërore në dysheme.

Më shumë se dramë, teksti i Haxhirajt artikulohet si parodi e të gjitha klisheve të veprës së Kadaresë gjatë tridhjetë vjetëve të fundit. Këtë e përforcon edhe mungesa pothuajse totale e grave në skenë, përveç dy-tre karikaturave dhe një metafore të pëlqyer, me hanëmen që i bie të fikët kur i thonë “shoqe”, por që nuk e ka vendin në këtë skenë, as në këtë univers.

E mbytur në ujërat e ndenjura të një diskutimi bajat për besën dhe Niebelunget, darka e gabuar shërben si pikënisje edhe e një linje narrative të turbullt, në lidhje me “çifutin Jakoel”, të cilin gjermanët e paskan liruar së bashku me pengjet e tjera, gjë që do t’i skandalizojë hetuesit komunistë më pas (historikisht, unë nuk di që nazistët të kenë kapur ndonjëherë ndonjë hebré në Shqipëri). Çuditërisht, kjo linjë në dukje e parëndësishme do të shërbejë pastaj për ta lidhur pjesën e parë të dramës me të dytën.

Pjesa e dytë e dramës shtjellohet kryesisht si marrje në pyetje, e Gurametos së madh, nga një numër hetuesish, njëri më i çmendur se tjetri. Dy prej tyre janë të policisë sekrete shqiptare, një tjetër gjermanolindor (i STASI-t) dhe një i katërt rus. Dihet se hetuesia, si kontekst komunikimi, e përfton dramën vetvetiu duke ia bërë fare të lehtë punën dramaturgut, meqë këtij s’i mbetet veç të zbardhë. Nuk ka dialog më skenik, sesa ai i marrjes në pyetje, në qeli ose në sallë të gjyqit. Megjithatë regjisori Haxhiraj është kaq i pafrymëzuar, sa arrin ta përgënjeshtrojë edhe këtë të vërtetë të vjetër të teatrit, duke i bërë skenat e hetuesisë të pakuptueshme dhe të mërzitshme. Hetuesit i kërkojnë Gurametos informacione të çuditshme për Stalinin, rolin e mjekëve në vrasjet politike, vendin dhe peshën e Gjirokastrës (udite, udite…) në hartën e teorive globale të komplotit. Në rolin e hetuesit, Artan Imami, me sa duket i instruktuar nga Ndriçim Xhepa, vetëm sa i ulërin të burgosurit të vet, në një orvatje për ta ngritur tensionin skenik nëpërmjet sforcimit të kordave vokale; ndërsa hetuesi tjetër, me pamje prej klouni dhe veshje që e bën të duket si trombonist i një orkestre frymore në provincë ose kujdestar i një stacioni të vogël hekurudhor në Indi, nuk ka asnjë rol, përveçse të inspektojë një çezmë karakteristike qytetëse që ka mbetur në qelinë e hetuesisë nga skena e aktit të mëparshëm. Dikur shfaqet edhe Gurametoja i vogël i lidhur me pranga me të madhin, por nuk kuptohet pse – një problem që nuk mbaj mend ta kem ndeshur në roman. Pastaj Stalini vdes duke u shkaktuar pikëllim të papërshkruar hetuesve dhe Gurameton e madh e vrasin në qeli duke e qëlluar me revolver, mes një kaosi që i ka kapluar të gjithë. Ndoshta kjo katrahurë e mrekullueshme do të kishte funksionuar si komedi gazmore.

Drama është e ambientuar në Gjirokastër – një qytet që, megjithë meritat e veta, për Lek Dukagjinin nuk e ka çarë ndonjëherë kokën. Ambientimin gjeografik ia kujton publikut edhe skenografia me fotografitë e qytetit në sfond, pa përmendur “guvën e Shanishasë” ku torturohen Gurametot.

Siç mund të merret me mend, Gjirokastra e Darkës së gabuar është qytet-makth i populluar vetëm nga burra; gratë dalin ndonjëherë në dritare, si napolitanet në ballkonet e opera buffa-s, për të shkëmbyer pasthirrma rrethanore dhe qortuar burrat poshtë; ose edhe për t’ia ofruar oficerit nazist duart që t’ua puthë, si dëshmi e fisnikërisë së tij të natyrshme (Shkruan E. Demo në artikullin e cituar: “Nuk ka asgjë nga atmosfera e qytetit që përshkruhet në roman, sidomos nga ajo pjesë ku qyteti vihet përballë zonjave të tij”). Sa për “korin” e tuhafëve në paraskenë, prania dhe arti skenik i këtyre duket se rrjedhin drejtpërdrejt nga estradat e viteve 1980; ndoshta edhe nga Portokallia.

Këtë pjesë teatrale do ta mbaj mend si një nga më të këqijat që kam parë ndonjëherë në jetë; në krahasim me të, dramat dhe komeditë e viteve 1960 dhe 1970 jam tani gati t’i quaj avant-gardiste, moderniste, dekadente, të guximshme. Kjo më duket se varet nga së paku tre faktorë: regjia e dobët dhe pa personalitet, mangësitë dramatike të fabulës dhe të romanit vetë, dhe pretencioziteti i produksionit, ose bindja, që i përcillet deri edhe publikut, se është duke u bërë “teatër i mirëfilltë”, madje “sublim” për nga tema, idetë dhe etosi (ose kitsch-i i kulluar).

Për fat të keq, publiku që mbrëmë e kishte mbushur sallën duket se e beson këtë farë falsiteti dhe duartroket, pjesërisht i hipnotizuar nga prestigji dhe zhargoni diskursiv i Kadaresë (besa, legjendat, i vdekuri, etj.), pjesërisht ngaqë është çedukuar tashmë dhe nuk di të kërkojë më tepër. Ky është publiku që e konsumon shfaqjen në heshtje të admirueshme, thuase po ndjek diçka nga Shekspiri ose Sofokliu; por edhe që mezi pret sa t’i kthehen heronjtë e vet të paemër të korit, që ta bëjnë për të qeshur. Ky është publiku që më një anë kërkon të zbavitet, më anë tjetër të besojë se është në kontakt me artin e vërtetë. Janë ditë të vështira për teatrin shqip.

Nuk ka komente

  1. I nderuar xha xha.
    Une e kam lexuar romanin e Kadarese.Natyisht nuk eshte me i miri,por me ka pelqyer. me ka pelqyer sidomos po te shohesh nivelin e botimeve qe jane sot ne qarkullim.Do te isha e interesuar se pse juve nuk ju ka entuziasmuar apo me keq ju eshte dukur medioker.Respektoj shume mendimin tuaj.Natyrisht pa asnje impenjim.

  2. Te falenderoj per kete shkrim Xha xha !

    Mi kujtoi gjithe pasditet ku i zhgenjyer ( ndonjehere dhe neveritur ), kam dale per te marre fryme me ne fund ( sa ironike, te marresh fryme mu ne qender te atij pislliku prane qendres ) pertej asaj dere te madhe te teatrit. Te vetmin ngushellim, kesisoj, e kam gjetur duke e menduar veten nje personazh te nje shfaqjeje teatrale, ne te cilen shfaqje une vazhdimisht shpresoj se ajo pasdite ne teater do jete ndryshe, e megjithate ajo vazhdon te jete po njesoj. Pra nje teater paralel, monoton edhe ky pse jo, por gjithsesi me i gjalle sesa ai i vete skenes.

  3. Shfaqja ka dale e dobet sepse regjia dhe skenaristet do kene perdorur material jo cilesor.
    Sikur ta kishin perkthyer vepren e Ismailit nga frengjishtja, do kishte qene me mire. Vlera artistike e vepres, dhe e narratives do te rritesh kushedi sa fish sikur perkthimi te behesh me nje fjalor te pasur te shqipes, dhe nga dora e nje perkthyesi shume, shume te mire te frengjishtes, qe di ta sjelle fjalen shqipe nen nje drite te re, dhe qe ka ngelur i pa infektuar nga i gjithe masakrimi qe i eshte bere kesaj gjuhe te vjeter ne keto 30-40-50-60-70 -80-90 vjetet e fundit.

  4. “Veprat e Kadaresë përgjithësisht nuk kanë ecur mirë në skenë dhe në ekran (duke përfshirë këtu edhe baletin), por për këtë nuk mund të bësh me faj vetëm përshtatësit dhe regjisorët përkatës. Ndoshta ka diçka të mangët në vetë strukturat e tyre narrative ose në plotësinë e personazheve, të cilat diskursi kadarejan arrin t’i kompensojë, të paktën si rregull, por që del lakuriq gjatë transpozimit”.

    Pergjithesisht, veprat e mira letrare kane dhene perhere traspozime (te pakten kinematografike, per kete jam i sigurt) te dobta. JL Godard, si nje nga te rrallet mjeshtra te kinemase qe eshte shprehur edhe teorikisht per kinematografine (perveç te shrephurit permes imazheve) gjithmone ka mbrojtur idene se, nje regjizor i mire, nese deshiron te beje nje traspozim filmik te nje romani, novele apo tregimi, gjeja me e mire eshte te zgjedhe nje te tille qe te jete i dobet artistikisht. Ose i çfardoshem – ta themi keshtu (ai merr shembullin e asaj letersie qe quhet ne frengjisht “roman de gare”, dmth romane te lehta qe njerezia i blejne ne stacionet e trenit, per te kaluar kohen gjate udhetimit). E gjitha kjo, per arsyen e thjeshte se, keshtu, nje regjizor i mire qe ka ca gjera per te thene, do ti thote ato permes mizaskenes, regjizures.

    Une nuk kam lexuar as romanin ne fjale te Kadarese, as kam pare transpozimin e tij teatral. Por me te gjitha gjasat, “Darka e gabuar” nuk eshte ndonje roman cilesor, fundja sikurse nje pjese e mire e asaj ç’ka ai ka shkruar ne keto 20 vitet e fundit. Kjo ndofta do ti jepte shance pjeses teatrale te tejkalonte romanin, dhe ne teater, sigurisht qe ky tejkalim do te kalonte permes dialogjeve. Por me sa komenton xha xhai, ato paskan qene te nje mediokriteti te pashoq.
    Sigurisht qe ne kete rast, gjithshka i duhet faturuar regjizorit !

  5. I nderuar Xha xhai.
    Ju shpreh keqardhjen time per largimin tuaj nga tirana, isha mesuar keto kohet e fundit t’ju shihja verdalle ne pika te ndryshme te kryeqytetit, me bente te ndihesha mire. Imagjinoja dhe fantazoja se pikerisht ne ate moment dhe ne ate situate ishit ne kerkim te temes qe do trajtonit diten e neserme ne kete blog. Fatkeqesisht kjo nuk mu konfirmua asnjehere 🙂
    Kane kaluar disa dite tashme nga hera e fundit qe ju ndesha ne panairin e librit dhe te them te drejten, duke filluar nga e nesermja isha ne pritje te nje shkrimi tuaj mbi te, por serisht nuk ndodhi. Keto dite ne te gjitha mediat shqiptare flitet vetem per te si eventi kulturor kryesor i vitit, me pjesmarrje te gjere , me te huaj, me artiste te mirenjohur, me sa e sa vizitore etj etj. Te gjitha mediat ishin kopja e njera tjetres duke filluar nga fotografite ne gazeta dhe filmimet e televizioneve e pastaj levdata levdata levdata. A nuk kishte valle aty elemente per nje diskutim (te mprehte te stilit tuaj), duke filluar nga duhani qe te gjithe pa perjashtim pinin?
    Per sa i perket vepres “Darka e gabuar” nuk e kam lexuar ende, por shume e kane cilesuar si me e mira, disa te tjere si me e keqja… As adaptimin ne teater nuk e kam pare, por eksperienca ime e fundit ne teatrin kombetar me vepren e Luigi Pirandello-s mund te them me bindje te plote se qe nje eksperience vertete zhgenjyese e cila me veshtiresi do me rikthjeje ne ate teater serisht. Aktore qe ulerinin, asgje nuk kuptohej dhe akoma me pak percillej nga levizjet e tyre ne skene. Ne salle njerez qe komentonin me ze te larte, njerez te shperqendruar qe dergonin sms dhe duartrokisnin pa vend, celulare qe binin, te tjere qe shfrynin te shqetesuar prej te pareve, nje shperqendrim i pergjithshem. Nuk di te them i kujt eshte faji per kete gjendje te teatrit tone, por jam e sigurt se ky art nuk sherben ose me mire sherben vetem per ata qe te nesermen gjate oreve te gjata ne kafenete e bllokut, mes nje cigare dhe nje gllenjke makiato me qumesht te ftohte, do shpalosi dhe do krenohet me jeten e tyre te angazhuar artistiko – kulturore ne kryeqytet, por nderkohe kane harruar ose ndoshta nuk kane ditur asnjehere as titullin e shfaqes. Eshte ashtu si thoni ju “nje popull i cedukuar, qe nuk di te kerkoje me teper” sepse nuk di qe ekzizton me teper. Se po nuk e provove nje vere cilesore nuk e kupton qe ajo qe po te sherbejne ne te vertete eshte uthull.

  6. Unë e kam lexuar romanin e Kadaresë dhe më është dukur ndër më të mirët e tij! Pa dyshim një tjetër kryevepër e shkrimtarit tonë. Nuk mund të pajtohem me autorin të këtij sythi për sa i takon veprës letrare, ndërsa lidhur me përshtatjen teatrale, rezervoj të jap mendim pasi ta shoh.

  7. “Darka…” eshte liber i mire ne vetvete, por padyshim i dobet krahasuar me te tjere te Kadarese. Sidoqofte ai mbetet nje shkrues i madh.
    Jo rastesisht nuk e cilesova “shkrimtar”. Pas disa leximeve te fundit, gjykoj se ai ka humbur dukshem si shkrimtar, por duke qene nje njohes i shkelqyer i gjuhes dhe i teknikave te narracionit, tashme, ne te mbramen e vet, serish arrin te jape produkte te lexueshem (por fatkeqesisht vetem kaq).
    Dy-tre dite pas “Darkes…” nisa “Shakaja” e Kunderes dhe me thene te drejten, me erdhi keq per ate tonin, packa se krahasimi ne thelb nuk qendron; veprat qe Kadare ka shkruajtur ne vitet ’60-’70 (kur eshte shkruar edhe “Shakaja”) jane artistikisht me lart se kjo. Sidoqofte, te perthithura njera pas tjetres, “Shakaja” ishte shume me mbreselenese se “Darka…”. Ne keto momente, per hir te nderhyrjes, automatikisht mendja reflekton memoriet e secilit liber dhe me duhet te pranoj qe “Darken…” e kujtoj keq…

    Sa per Teatrin…; po c’pate o Bubikacurrel qe ma risolle ate shijen e keqe te asaj nate?! Dereziu Pirandello. S’kishte ndodhur kurre te ngrihesha ne mes te shfaqjes… Per fat, sapo kishte nisur projektimi i nje filmi te Millenium…

    1. Meqe ra fjala tek Pirandello. Ndoshta PNH ose dikush ketu mund te me ndihmoje ; une vepren nuk e kam lexuar dhe jam kurioz : ai personazhi karagjoz qe fliste si femer, eshte realisht pjese e vepres apo ndonje shtojce e regjizorit per te “kenaqur” publikun ?

  8. Peshperites, s’te ndihmoj dot se…, helbete, edhe une si ti…

    Po, meqe mu dha llafi per here te dyte, po shtoj nje element qe kohet e fundit me ka bere pershtypje ndersa pres te filloje shfaqja e radhes ne teatrin kombetar: spektatore (prane meje) qe pyesin nj-tj se “si titullohet kjo komedia” (packa se mund te behet fjale per nje drame te mirefillte), apo te tjere qe nxitojne te qeshin e ta perjetojne si komedi cfaredolloj drame a tragjedie.

  9. Xhaxha, kam pershtypjen se teatri nuk eshte fusha juaj; , cuditerisht ato qe, ne kritiken tuaj, ju i quani te paarritura ne kete drame, do te vleresoheshin nga nje kritik arti! Dhe po ju detajoj vetem nje aspekt, ne menyre qe te mos zgjas se tepermi komentin: 2 ore te kaluar ne teater nuk mund te jene te barazvlershme me 2 ore histori ne shkolle! Cka do te thote qe kalimi ne dy ore veper i 40 viteve histori eshte thjesht ne sherbim te domethenies artisitike dhe jo te refemit veridik te historise, sic kerkoni ju te ndodhe. Kadareja nuk besoj se ka dashur ne ndonje rrefim te tij te tregoje historira te ndodhura apo treguara, perkundrazi te tipizoje duke rendesuar ngjarjen. Porse narracioni i tij eshte kaq atraktiv dhe mbushamendes saqe juve xhaxha mund t’ju duket se historia ka ndodhur realisht. Edhe kjo drame nuk duket se ka dashur te rindertoje ndonje element historik. Une e kam pare 2 here dhe me eshte dukur interesante dhe e guximshme. Kujdes, nuk ka lidhje me realizmin socialist mbi optiken e te cilit ju ndertoni kritiken; madje me perforconi kete ide kur prisni te gjeni ne cdo shfaqje teatrale te sotme efektet dhe performimin e shfaqjeve te viteve 60 e 70! Personazhet margjinale, gjuha e te cileve mund te mos ju pelqeje (de gustibus et coloris non est disputandum) me japin idene se ndihmojne ne definimin e periudhes per spektatorin dhe per cdramatizimin e kohe pas kohshem. Nejse, kam pershtypjen qe jeni nxituar ose nxitur ne gjykim, por kjo edhe ndodhe ne jete! Qofshin te shkuara per ju.

    1. Parid, me shumë dëshirë do të kisha lexuar prej teje se çfarë të pëlqen pikërisht te shfaqja – meqë duket sikur je marrë më shumë se ç’duhet me përshtypjet e mia.

      Thua: “kam përshtypjen se teatri nuk është fusha juaj.” Unë kam disa probleme me togfjalëshin “fusha juaj”. Vërtet – teatri nuk është fusha ime, sa kohë që unë nuk kam vënë ndonjë pjesë teatrale në skenë, as kam luajtur në një të tillë, as ia kam pikturuar ndonjërës skenografinë, as ua kam bërë grimin ose qepur kostumet aktorëve. Përndryshe, teatri ekziston për njerëz si unë – që interesohen për të, ia shohin shfaqjet, ia blejnë biletat, ia ndjekin autorët, ia njohin historinë. Nga kjo pikëpamje, teatri është fusha ime që ç’ke me të. Prandaj nuk më duket e hijshme që ta kundërshtosh mendimin tim me një pozë kaq të konsumuar ekspertize. Po sikur unë të të thoja tani: “Parid, kam përshtypjen se komentimi në blog nuk është fusha juaj.” Sa absurde do të tingëllonte kjo, për ty dhe për mua? Prandaj nuk m’u duk e hijshme hyrja e komentit tënd.

      Tani, të vijmë te çështja e realizmit që ngre ti. Unë nuk flas kund për realizëm në shkrim (fjala realizëm nuk përmendet aty asnjëherë); dhe nuk flas, sepse nuk më intereson. Përkundrazi, flas për besueshmëri. Besueshmëria dhe realizmi janë dy gjëra të ndryshme, madje sa më irreale/ surreale/ joreale/ kundërreale/ hiperreale të jetë një vepër arti, aq më e besueshme duhet të jetë, meqë pa një raport besueshmërie midis publikut dhe veprës (që ndonjëherë përthyhet si raport midis publikut dhe artistit ose publikut dhe autorit) komunikimi nuk kryhet mirë dhe vepra dështon. Për shembull, transformimi i Gregor Samsa-s në insekt te Metamorfoza e Kafkës nuk është realist, por është i besueshëm, sepse autori e ka bërë të besueshëm për lexuesin.

      Më tej, nuk e kuptoj çfarë ke parasysh me teatrin e viteve 1960-1970 – meqë më duket se e ngatërron me teatrin që erdhi më pas, ose pikërisht pasi Plenumi IV (1973) e kastroi teatrin shqiptar, duke ia spastruar forcat krijuese deri edhe fizikisht. Mjaft të të përmend dy emra, për ta futur pohimin tim të mësipërm në kontekst: Brecht dhe Stanislavski. Ne kishim atëherë regjisorë si Kujtim Spahivogli, të cilët do të kishin shkëlqyer kudo në Europën lindore, duke përfshirë edhe teatrot e mëdha të Moskës dhe të Leningradit (por që më pas u dërguan fshatrave për riedukim). Më anë tjetër, në Shqipërinë e atyre viteve shfaqej Arturo Ui, e Brecht-it, ndër të tjera me skenografi të marrë drejtpërdrejt nga një produksion i Berliner Ensemble (të paktën kështu më kujtohet të kem dëgjuar atëherë). Unë i kam ende në sy, sot e kësaj dite, gjurmët e dhunës vizuale të flamujve dhe të prop-eve të tjera të propagandës naziste në skenën e asaj shfaqjeje. Kujdes – kur flas për Brecht-in, nuk kam parasysh pjesët teatrale të Brecht-it, por teatrin e tij (metodën), njëlloj siç kam parasysh metodën kur flas për Stanislavski-n, i cili përndryshe kish vdekur kur shkuan shqiptarët e parë të studiojnë për teatër në universitetet ruse.

      Tatëpjeta e teatrit në Shqipëri filloi pas Plenumit IV; nuk ishte vetëm shtypja brutale e çdo orvatjeje për të thënë diçka më tepër në skenë dhe për të zhvilluar një diskurs stilistik relativisht opak; por edhe vyshkja e shkollës regjisoriale shqiptare, për shkak të mungesës së lidhjeve me botën, duke filluar që me shkollimin, specializimin dhe formimin kulturor të regjisorëve dhe të aktorëve. Ajo çka u quajt realizëm, në vitet 1980 (të cilat ti kam frikë se i ngatërron me çfarë u parapriu), nuk ishte veçse emëruesi më i vogël i përbashkët i një përpjekjeje përgjithësisht konformuese, të komanduar nga mediokriteti dhe frika.

      Tani, sinqerisht, nëse ti, Parid, e konsideron teatrin “fushën tënde” (dhe unë shpresoj që ashtu të jetë), ma analizon dot shfaqjen “Darka e gabuar”, e cila të ka pëlqyer dhe të është dukur e guximshme, për të ma inkuadruar nga pikëpamja e metodës dhe e filozofisë skenike? E guximshme si dhe pse? Ka thyer ndonjë tabu? Ka rishkruar ndonjë diskurs? Ka çelur ndonjë shkollë ose drejtim të ri regjisorial?

  10. Xhaxha, nuk duket te jete fusha jote kritika e nje akti regjizorial dhe kjo me perforcohet edhe me fort pasi lexova komentin e komentit te komentit tend. Por kjo nuk duhet te te perndeze sepse eshte opinion imi. Nuk do te ta thoja shkoqur ne nje rast tjeter, per miresjellje, por ja lejoj vetes ta them hapur dhe me qellim, sa here rastis ne fodullek, shperfillje, keqdashje dhe largesi matjeje nga parametrat e pranuar te kritikes per nje send, rast, parim etj.

    Keshtu lexohet kjo qe ke shkruar xhaxha! Serish nuk kam ndermend te harxhoj shume germa as ne kete rast, por te kujtoj vetem nje aberracion te rendomte te komentit tend: nje performance qe mbush sallen per muaj te tere e qe duartrokitet nuk mund te jete e pavlere, aq sa te jete pjesa me e keqe qe TI ke pare ndonjehere! Pra, ne teorine e statistikes, ti konsiderosh Nul jo referencial, pra si te them me thjesht per ty, veteanullohesh nga e drejta e kritikes parimore. Po ne vijim te kesaj teorie, por tashme ne aplikimet e saj ne ate qe quhet inference statistikore, ti veteklasifikohesh pjese joparimore e kritikes, pra i pabesueshem, meqe besueshmeria ishte terna e perqasjeve te tua!

    Ne spektra te tille divergjente, pra kur suksesi, te themi komercial, i nje vepre, sepse i tille me kane thene qe vazhdon te jete, kunderhas nje kritike totalisht dermuese (them nje, sepse pervec tendit nuk di te kete tjeter te tille), nje lexues a studiues i vemendshem mendon qe shkruesi eshte I NXITUR nga dicka/dikush, jo i nxituar! Dhe meqe ne Shqiperine tone te dashur ndercytja per interes eshte fatkeqesisht pjese e perditshmerise tone, kam krijuar bindjen qe komenti yt eshte harac per dicka/dike.

    Pergjigjmu me se pari Xhaxha, ne se e ke bere per ndonje “hall” tendin, se po te jete keshtu, eshte e kote ti futemi komenteve per regjine skenike. Ne te kundert do te te rendis opinionet e mia per kete pjese, bashke me verejtjet qe kam per te.

    Last but not least. Komenti yt ex cathedra ne lidhje me historine e teatrit ne AL nuk eshte i pavlere, duket qe je ne nje fushe afer tendes, por edhe nje here, nuk ka lidhje me ate qe te kam shkruar me pare…

    Nata te prufte keshilla Xhaxha! 🙂

    1. Parid, ende nuk ke parashtruar ndonjë kundërargument tëndin në lidhje me pjesën, përveç suksesit që ka pasur në publik.

      Unë edhe atë sukses do ta shihja si relativ, meqë nuk di që TK-ja të ketë ndonjë konkurrencë në Tiranë, sa i përket marrëdhënieve me publikun.

      Megjithatë, unë u mundova ta mbështet opinionin tim, sado të skajshëm ose anti-konformist. Nuk fola si kritik ekspert i teatrit, por si një spektator i zhgënjyer. Nuk i dhashë kujt mësime, por vetëm ofrova ekuivalentin diskursiv të një fishkëllime. Ende nuk e kuptoj pse nuk paskam pasur të drejtë ta bëj këtë.

      Tani, meqë flasim për suksesin që ka pasur kjo pjesë në publik, unë kam frikë se ky sukses ka lidhje me dashurinë, madje adhurimin e publikut për Kadarenë shkrimtar. Shumë njerëz besojnë se një pjesë teatrale, e mbështetur në një roman të Kadaresë, nuk mund të jetë e keqe me përkufizim, duke rënë viktimë e asaj që e quajnë association fallacy (në rastin konkret, honor by association). Edhe pse nuk flas dot për regjisorin e kësaj pjese në veçanti, kam frikë se disa regjisorë, shqiptarë e të huaj, teatri e filmi, u janë qasur veprave të Kadaresë duke shpresuar “ta kalërojnë” suksesin letrar të tyre. Vëreja se kjo shpresë, gjithnjë në përgjithësi, nuk është përligjur nga skena.

      Thua: “në teorinë e statistikës ti konsiderohesh një nul joreferencial”… ndoshta; por ç’hyn teoria e statistikës këtu? Apo do ta vendosim demokracinë edhe në art dhe t’i përcaktojmë vlerat me vota tash e tutje?

      Përkundrazi, për mua suksesi i një vepre të keqe është vetvetiu alarmant; sepse garanton mbijetesën e një modeli që e dëmton konsumin e artit përkatës – dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për teatrin.

      Ti nënkupton se një vepër s’mund të jetë aq e keqe, derisa ka pasur sukses në publik; unë këtë nuk e kuptoj fare. Prej vitesh jetoj në NYC dhe ndjek me sa mundem kinemanë e këtushme; të siguroj se, në shumicën e rasteve, filmat më të suksesshëm në publik janë edhe ata më të këqinjtë, madje të neveritshmit.

      Megjithatë, ndryshe nga filmat trash që i ofrohen publikut në Perëndim për t’ia marrë paratë e biletës, “Darka e Gabuar” nuk është produkt komercial, por mëton të konsumohet si vepër arti e mirëfilltë – gjë që nuk e them dot, bie fjala, për Eddie Murphy-n & Co. Prandaj unë e konsiderova kitsch, jo trash. Kitsch-i qëndron më lart se trash-i, për nga cilësia absolute e artistëve që e krijojnë dhe e interpretojnë; por përkatësisht publikut kitsch-i është më i dëmshëm se trash-i, meqë kamuflohet si art gjenuin.

      Më në fund, atë dramë shkova ta shoh ngaqë Kadareja është i vetmi autor shqiptar me të cilin kam një raport pothuajse obsesiv – nuk lë asgjë pa ia konsumuar, madje edhe kur më vjen e ndërmjetësuar nga palë të treta. Prandaj të lutem vazhdo me opinionet e tua për pjesën, të cilat jam i sigurt se do të vlejnë më tepër se opinionet e tua për motivet që më nxitën mua të kritikoj një dramë.

      Unë s’e di ku jeton ti; por në Perëndim – ku kam jetuar unë që prej 20 vjetësh të paktën – kritika “dërmuese” siç e quan ti është fare e zakonshme. Janë shumë të pakta ato produksione skenike ose të ekranit që i shpëtojnë kryqëzimit. Vizito, p.sh. një sajt kolektor si Rotten Tomatoes, për të parë se çfarë thuhet për filma që ndonjëherë kanë kushtuar qindra miliona dollarë dhe janë drejtuar nga regjisorë nga më të talentuarit e Hollywood-it dhe kanë pasur sukses të paimagjinueshëm në publik. Pa folur pastaj për ca show në Broadway që ndiqen prej muajsh në mos vitesh nga publiku entuziast, edhe pse artistikisht nuk sjellin asgjë që s’e kanë sjellë të tjerë më parë.

      Përndryshe, kritika, edhe kur është krejt negative, është më e mirë se indiferenca. Madje unë, edhe sikur të kem gabuar me vërejtjet e mia më lart, të paktën ngushëllohem me debatin që hapëm në vijim…

  11. Në fund të viteve ’60, në Moskën e Bashkimit Sovjetik, Tarkovski shfaqi një film, i cili aso kohe u prit shumë keq nga publiku e ca më keq nga kritika.

    Se si është ndjerë mjeshtri i artit të 7-të, i cili e kish punuar filmin në fjalë për një periudhë disa vjeçare, këtë vetëm mund ta marrim me mend.

    Por në atë kohë, mjeshtri u shpreh për pritjen që i rezervoi publiku filimit, pohim i cili ndihmon të kuptojmë më shumë se ndjenjat e vetë Tarkovskit.

    Pohimin e mjeshtrit po e perifrazoj nga memoria dhe lutem për mirëkuptim nëse nuk e përcjell saktësisht, por thelbi i mesazhit i tij ishte pak a shumë ky:

    “Publiku sovjetik është edukuar prej vitesh tashmë të shohë vetëm filma të dobët. Nuk është për t’u habitur që, kur gjendet përpara një filmi të madh, nuk arrin ta kuptojë/pëlqejë”.

    Fimi në fjalë është ‘Andrei Rublev’. Kusuri është histori. Gjithë sikurse në Bashkimin Sovjetik të viteve ’60-’70, kinemaja avantgardiste e Eseinshtejnit me shokë është histori. Histori ndërkaq e largët kjo për publikun sovjetik të viteve ’60-’70.

    Këto fjalë të Tarkovskit më shtyjnë të shtroj disa pyetje thelbësore për çështjen e edukimit estetik dhe artistik të publikut shqiptar.

    Sa kohë ka ky publik që ushqehet me filma dhe shfaqe teatrale tmerrësisht të dobëta?

    Si dhe sa ka ndikuar shëmtia e vazhdueshme me të cilën përballet ky publik prej vitesh në shijet e tij estetike dhe artistike, pa llogaritur ato ideore?

    Sa i përgatitur është ky publik të bëjë dallimin midis një shfaqeje të dobët, të pranueshme (lexo: mediokre) apo të mirë, pa përmendur këtu kryeveprat që mbeten universalisht të rralla?

    Me cilën shqisë munden të klasifikohen këto dallime nëse shqisa nuk edukohet apo mirëmbahet?

    Në Tiranën e viteve 50-70, teatri rrëfehet të ketë qenë përgjithësisht një ngjarje urbane që mbante ndezur pritshmëritë e larta artistike të publikut.

    Regjisorë, por edhe aktorë kalibri si N. Frashëri, A. Prosi dhe K. Roshi mbanin gjallë nevojat dhe projeksionet artistike të kryeqytetit.

    Brezi im nuk e ka njohur këtë epokë të artë të teatrit shqiptar. Gjatë vieteve ’70, teatrin e përfshiu shëmtia si gjithë sektorët e tjerë të jetës publike së kryeqytetit, asfiksuar e atrofizuar në izolim.

    Por kam dëgjuar me ëndje rrëfime nostalgjike për lojën e mahnitshme të K. Roshit, përfshirë si rrallëkush në rolin e Hamletit, e bashkë me të edhe për të tjerë.

    E njëjta sitiuatë katastrofike ndodhi edhe me kinemanë e re dhe të brishtë shqiptare, përpirë edhe ajo prej izolimit frymëmarrës ideologjik e artistik.

    Sidomos filmat e parë të Hysen Hakanit dhe Kristaq Dhamos – regjisorë këta të vërtetë – përpos aspektit të pashmangshëm ideologjik, artistikisht dhe estetikisht të paktën, janë filma që nuk do të skuqnin asnjë autor serioz, bashkëkohës të tyre gjetiu, përkundrazi.

    Si mundet atëherë që një publik masiv, i ushqyer me ekuivalentin artistik të pulave frigoriferike industriale hungareze që prej viteve ’70, të kuptojë diferencën midis një filmi apo një shfaqeje të mirë dhe të keqe teatrale?

    Mrekullirat kanë kohë që kanë rreshtur së ngjari në sferën e artit shqiptar sepse që të ndodhin mrekullitë – dhe kjo duhet kuptuar mirë – duhen më së pari merituar.

    Për sa kohë arti shqiptar refuzon të komunikojë sinqerisht me publikun, me punë të thjeshta dhe autentike; me ekuivalentin e pulës së keqrrjepur, të cilën e shet një momë e thatë kokëmbuluar me maraman të bardhë për bukën e gojës në cep të rrugës, e që polici plularist e godet me shqelm sepse i prish dekorin dhe tregun kërmë post-socialist, vështirë të bëjmë paqe me artin shqiptar.

  12. Si ta them kete: I am getting sick and tired of it, ose, j`en ai assez de ca, ose mi sta rottendo propio i coglioni, ose me ka ardhe ne maje te hundes qe sa here qe dikush kalon asi pari ketu, duhet patjeter t`i kujtoje te zotit te punes, punen e specialistllekut. Pastaj kur i zoti i punes i kerkon kalimtarit te rastit, qe te mos beje nevojat fiziologjike para vitrines se tij, ky i fundit te tregon edhe gishtin e mesit, jo alla shqiptarce, por ashtu alla frenga, te ngritur lart, duke mos lene te share pa permendeur, qe nga ex chatedra, tek fodulleku, e deri te inferencat statistikore te leshit, (sikur ky lloj pseudo graviteti vete-respektues i ben lexuesit te ditur, pa e thene, se perdoruesi e merr “ujin” e vet nga realmi i high intelligence and culture)

    Dikur na doli pune me specialistet e Heideggerit, qe pergjitshka folen e shane, por nje llaf ne subject nuk e thane, qe nuk e thane, qofte me te lutur apo me pahir. Tani kemi nje tjeter qe ne menyre induktive, e konsideron veten si nje specialist te kritikes se artit regjizorial, te cilit, tek merr mundimin te lezoje Xhaxhain, i thote atij se ti s`merr vesh nga teatri, sepse ajo qe ti sheh, nuk eshte tamam ashtu sic e sheh ti. Madje eshte e kote te ta spjegoj ate qe ti sheh, se edhe po e bera, eshte mund i humbur se ti s`ke per ta kuptuar dot, sepse thjeshte s`merr vesh dot.

    Une e di qe ka vend per ciniket ne kete bote.
    Por masturbimi ne publik, apo urinimi ne salle, simbas kanunit, duhet te jete akti i fundit dhe jo ai i fillimit.

  13. Mirembrema xhaxha.
    mbramja mire elle ty Dod (n’mos kjosh tuj urinue)

    Kendej nga anet e mia eshte nxire me kohe; ti besoj xhaxha se po i gezohesh akoma feksit te fundit te dites. Para se te hysh edhe ti ne te zi te thelle, po mundohem te hedh ca germa – nga ato qe i kam me kursim, megjithese jam fare pak gjirokastrit.

    Te me ndjesh qe edhe sot nuk do mundemi te duelojme ne lidhje me pikpamjet e gjithesecilit mbi dramaturgjine, regjizuren dhe…darken e gabuar. Do te vije edhe kjo dite, por dolcis in fundus sic themi ne ne…Turqi!

    Me intereson qe te ndalem edhe ca tek forma e pazakonte e kritikes tende – dhe mos me thuaj se shkruan nga karrigia e spektatorit se deri me sot nuk kemi pare qe spektatoret te shkruajne neper gazeta…Virulence, agresion verbal te trazuar me kokemadhesi e shperfillje! Duket sikur hedh ne plehra foshnjen jo bashke, por para se te hedhesh pelenat madje! Dua te them, ne rast se qellimi yt eshte te krijosh armiq, ose te tregosh qe je nje avatar i pakopjueshem, me vlera universale qe rreken ti afrohen absolutes, kete ja ke arritur shume shpejt; ama ne rast se kerkon qe te influencosh ndonje lexues a te reflektosh ne karte cke nxene deri me sot ne jete (aferim te qofte vertete ne se synon kete) nuk me duket se ndjek rruge te mire. Vreri mbyt idene tek ti!

    Po mundohem te trash ca detaje te kritikes tende. Vetem disa nga ato te darkes se gabuar.
    1. Ti thua: “Ngaqë romani nuk më ka entuziazmuar dhe aq, nuk prisja ndonjë epifani as nga pjesa teatrale, por çfarë pashë i tejkaloi edhe parashikimet e mia më pesimiste.“

    Perse vazhdon me tej kur e ngul shpaten qe ne raundin e pare?! Clirimi preambular i konkluzionit eshte element i diskursit politik dhe sherben per tu pozicionuar pa ekuivoke para audiences, nuk mund te jete hyrje e nje artikulli kritik. Ky i fundit pershkruan fillimisht e ne terma neutrale per c’behet fjale e me tej ndan opinione. Jotja duket si hyrja e…Belulit ne skene!
    2. Ti thua : “Në të vërtetë, këtë realizim të Fatos Haxhirajt vështirë ta quash dramë – sepse është më tepër një ilustrim kaotik i një romani jo nga më të mirët e I. Kadaresë“
    Pse cfare quhet drame per ty? Nuk te mjafton te konsiderosh drame “nje forme arti qe luhet ne skene”? Ne se nuk te pelqen eshte tjeter pune,pra mund te thuash drame e keqe, por pse nuk te duket si drame xhanem?
    3. Ti thua : « Çarë ndodh kur një roman përshtatet në dramë? Në thelb, struktura narrative i mbijeton shndërrimit, ndërsa nga struktura diskursive ruhet vetëm rrafshi mimetik, ose fjalët që shkëmbejnë mes tyre personazhet. Përkundrazi, fjala e autorit shndërrohet në imazhet dhe lëvizjet e aktorëve, dekorin, muzikën dhe të tjera aspekte anësore.“
    Nga e ke nxjerre kete perkufizim? Mos valle e ka llafin per “dramatizim“ te romanit, pra jo per DRAME, sic e shikon te shkruar edhe ne afishen e TK-se! Drama, qofte kjo e bazuar ne nje veper letrare ekzistuese, eshte e hapur per personazhe te tjere, situata e vleresime shtese, ka lirine e saj, kjo ne funksion te synimit por sidomos te modaliteteve te venies ne skene, pra nuk mbetet brenda linjave te romanit.
    Me ndje por kjo diference eshte aq e madhe sa kritika jote te zbrese nga 10 ne 0 sakaq!
    Te kishe pyetur te pakten shkruesin ose ndonje ne TK perse shkruhet ne afishe DRAME dhe jo DRAMATIZIM.

    Nuk po bej me copy&paste nga artikulli yt se nuk do mbaroja se shkruari, por shkurtimisht verejtjet e tjera lidhen me:
    a) kembenguljen tende per te kerkuar veridicitet historik ne nje pjese teatrale. Perseris, salla e teatrit nuk eshte vendi me i mire per te mesuar historine e WW2!
    b) Kerkesa jote per linearitet pergjate zhvillimit te drames. Duhet te presesh fundin per te spjeguar fillimin; keshtu ndodh kur pretendohet elementi „thriller“.
    c) Perseritja deri ne merzi e faktit qe drama bazohet mbi nje roman te keqashkruar! Obsesiviteti yt per Kadarene ndofta?

    Konkluzioni im eshte qe nuk ke dashur te besh kritike, por thjesht te nxjerresh ndonje kunj tendin…Qofsha i gabuar!

    1. Parid, ke të drejtë – drama dhe dramatizimi janë dy gjëra të ndryshme. Meqë pjesën e kanë quajtur dramë, atëherë ashtu do të jetë; nuk jam në gjendje të verifikoj sa është larguar nga romani, por kam përshtypjen se jo shumë.

      Natyrisht, arsyet pse e kanë quajtur dramë mund të jenë të shumta – për shembull, administrative (për të marrë financimin); por e përsërit, nuk kam të drejtë të paragjykoj autorët dhe zgjedhjet e tyre, sa kohë që nuk kam mundësi ta verifikoj dyshimin tim.

      Tani, sa për vërejtjen e dytë, të lutem ki parasysh se ka dallime midis shkrimit në blog, i cili i përshtatet kërkesave të blogut dhe artikullit që ka dalë në Shekulli, i cili është i ndryshëm nga shkrimi. Blogun unë e konsideroj si bashkëbisedim në distancë, ndërsa artikulli ka kërkesa të tjera, duhet të jetë më kompakt dhe i vetë-përligjur. Elementi personal, që në blog nuk mungon asnjëherë, del i minimizuar në faqe të gazetës. Gjithsesi, këtë mund ta konstatosh edhe vetë, pa vështirësi.

      Më në fund, nuk di si të ta shpjegoj se unë nuk kërkoj “veridicitet” historik te një pjesë teatrale, por vetëm besueshmëri – janë dy gjëra të ndryshme, shumë më të ndryshme mes tyre se dramatizimi me dramën.

      Edhe elementin e thrillerit e kanë pretenduar vetë autorët e dramës, ose anëtarët e komisionit që e përzgjodhën dikur; unë nuk kërkoja linearitet atje, por koherencë vetëm.

      Pse i referohem ndonjëherë edhe romanit të Kadaresë? Sepse më mundon dyshimi mos po i bie shumë në qafë regjisorit dhe artistëve të tjerë të skenës, për mangësi që drama i ka trashëguar nga romani. Me këtë rast do të të ftoja t’i hidhje një sy edhe komentit të Stalker-it më lart.

      Tani, Parid, unë nuk mund të merrem më gjatë me këtë çështje. Kritika e kritikës sime mund të jetë ushtrim intelektual i këndshëm për ty, por pa interes në vetvete. Të kërkova që të thoje diçka se pse të ka pëlqyer drama pikërisht, por nuk e bëre. Preferove të harxhosh kohë duke u marrë me shënimet e mia, jo me kundërshtimin e tyre pozitiv. Të jetë kjo një mënyrë për të më provuar se po nxjerr ndonjë kunj me mua?

    2. Andej nga Kacinari, t`paret na mesojne se kjo lloj diatribe eshte pjese e asaj qe quhet “combative correspondence”, me shtate llojet e ambiguitetit te saj.
      Ne llojin e 6-te, ajo cfare thuhet eshte kontradiktore dhe pa lidhje. Si perfundim lexuesit i duhet te shpike interpetimet simbas qefit…

      Psh, le te themi se Homeri shkruan diku ne Iliaden e vet se:

      ” Paridi nuk ishte vecanerisht i bukur…”

      Kush do te ishte kuptimi i fjaleve te gojetarit ketu? Qe kur i lexon fjalet e tij, nuk do menduar se ai, Paridi, ishte krejt i zakonshem, ne menyre ordinere? Qe nuk do supozuar se mund te imagjinohet kollaj se cfare pamje kishte ai, por sido qe te ishte, deri sa i ra ne zemer Helenes, me nje lloj sigurie mund te pranohet se ai kishte nje pamje gjithsesi te admirueshme?
      Ka plot variante te mundeshme. Por per nje lexues te Homerit, qe mendon se eshte i vemendeshem, ai e ndjen se autori e ka vene xhelozine e tij nen zap, dhe se duke e qetesuar imagjinaten nga impulset e veta, e ka leshuar ate me krahe, ne ajer, te lire, dhe se, ne fund te fundit ai – autori – s`ka ofruar asnje perkufizim te bukurise, qe do te mund te perdoresh kunder tij me vone, apo edhe ne te njejtin moment, nga nje lexues tjeter.

      Te gjitha keto, abo imo pectore…

      1. Ab invito, po i them edhe unë dy llafe.
        Së pari, parafolësi ka një “o” të tepërt në frazën latine me të cilën e mbyll replikën e vet.
        Nejse, nemo mortalium omnibus horis sapit.
        Ajo që më bën përshtypje mua është se, sikur tema ishte Kadareja, dhe dramatizimi i veprës së tij në skenën e Teatrit Kombëtar, dhe jo Homeri?
        Ah, po, damnant quodnon intelligunt…

  14. … dhe me thoshte gjyshja i ndritete shpirti:
    “Meso latinisht, se as ne blogu xhaxhait s’ke per te shkruajtur dot”, po jo une.
    Helbete femije, kisha frike, gjuhe e vdekur…

  15. I kisha varur dhe vazhdoj ti var shpresat tek Paridi per ofrimin e nje kritike pozitive te kesaj drame, dhe sic eshte premtuar, me profesionalizem. Perndryshe, i bie qe dod te jete i sakte edhe nga urinorja.

  16. Edhe unë vazhdoj të shpresoj se Paridi nuk është nga ajo kategori njerëzish që gratis lëshojnë vetëm pështymën, ndërsa për të tjerat duan të paguhen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin