PUNA E SHQIPTARËVE NË ITALI (I)

Nga viti i eksodit e deri më sot, tregu italian i punës është transformuar thellë, por edhe shqiptarët i janë përshtatur mirë, natyrisht duke ndryshuar edhe ata. I parë në tërësi, emigracioni shqiptar në Itali ka pasur rritje të vazhdueshme në vite, duke kapur në fillim të 2010-s shifrën 466.684, pra 11% të gjithë imigrantëve.

Sa janë shqiptarët që punojnë? Ku punojnë? Në cilët sektorë? Meqenëse arsyeja kryesore që i shtyn shqiptarët të marrin rrugët e botës është ekonomia, atëherë njohja e emigrantëve duhet të fillojë nga puna që ata bëjnë. Para se të zhytemi në shifra e statistika duhet thënë se puna është thelbi jo vetëm i emigrimit, por edhe i integrimit, si shtysë dhe si mundësi për t’u përshtatur në shoqërinë e re.

Në fund të vitit 2009 në Itali punonin gjithsej 224.339 shqiptarë. Gjatë këtij viti janë punësuar rishtas 15.472 vetë, por diferenca midis të punësuarve dhe të dalëve nga puna është negative (-4.276), shenjë e qartë kjo e fundit e krizës ekonomike që ka kaluar vendi fqinj së fundi. Rëndësia e këtyre shifrave mund të dallohet vetëm në raport me grupet e tjera etnike. Po të hiqnim Rumaninë, qytetarët e të cilës, si vend neokomunitar, gëzojnë të drejtën e qarkullimit të lirë në BE, do të vinim re se shqiptarët janë të parët në numrin e të punësuarve, qoftë në përgjithësi, qoftë të marrë rishtas në punë. Marokenët nuk janë larg, por ata kanë pasur një rënie më të theksuar në punësim.

Shumica e punonjësve shqiptarë janë meshkuj. Këta përbëjnë 68,7% të numrit të punësuarve, kurse femrat vetëm 31,3% (70.220). Kjo e dhënë ka nevojë për interpretim, përderisa emigracioni shqiptar paraqitet sot i ekuilibruar nga pikëpamja gjinore. Në fakt, po të vlerësonim numrin e përgjithshëm, del se 45,8% është i përbërë prej femrave. Kjo dëshmon nga një anë origjinën mashkullore të emigracionit shqiptar, nga tjetra shpërndarjen më të njëtrajtshme në tregun e punës. Natyrisht, ka edhe ndikime kulturore, të cilat bëjnë që femrat të merren kryesisht me përkujdesjen familjare. Rasti i Ukrainës, sa për të bërë një shembull nga Lindja e Evropës, është i përkundërt. Punonjësit ukrainas në Itali janë gjithsej 137.529, dhe vetëm 18,4% e tyre janë meshkuj. Emigracioni maroken, përkundrazi, ka më pak femra në punë (23,9%) se shqiptarët. Bëhet fjalë për tradita dhe histori të ndryshme emigracioni.

Statistikat tregojnë se shqiptarët në Itali punojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Me përqendrime që luhaten nga sektori në sektor, por jo aq të forta sa të flasin për “specializim etnik” në tregun e punës. Në sektorin industrial punojnë 110.731 shqiptarë, pra pjesa më e madhe e tyre. Bëhet fjalë për industrinë mekanike, kimike, ndërtimore, elektrike, ushqimore, të tekstilit, të drurit, etj. Në fushën e shërbimeve rezultojnë 90.056 të punësuar. Këtu futen nënsektorë si tregtia, transporti, shëndetësia, pastrimi, hoteleria, asistenca familjare, etj. Së fundi bujqësia: këtu punojnë jo pak por 20.158 shqiptarë. Me përqindje, rendi i pranisë në sektorët ekonomikë do të shfaqej në këtë mënyrë: industri (49,3%), shërbime (40,1%), bujqësi (9%).

Për nga shpërndarja sektoriale, marokenët ngjasojnë me shqiptarët edhe pse duken më të ekuilibruar: industri (44,9%), shërbime (44,4%), bujqësi (8,9%). Në këtë pikë duhet pasur parasysh karakteri më i përkohshëm i punës në shërbime, se sa në industri. Duke pasur parasysh përbërjen e lartë femërore të emigracionit ukrainas në Itali, do ta kuptonim fare lehtë përse në shërbime punojnë 73,7%, kurse në industri vetëm 13,3% e në bujqësi (4,4%). Të dhënat demografike janë gjithnjë të lidhura me ato të tregut të punës. E ngjashme situata e rumunëve, anipse numrat e tyre janë shumë më të mëdhenj. 32,2% e rumunëve punojnë në industri, 52,6% në shërbime dhe 12,1% në bujqësi. Në fakt, prania e femrave dhe e meshkujve rumunë në tregun e punës është e ndarë në mënyrë të barabartë: pothuajse 50 me 50%.

(vijon)

Nuk ka komente

  1. Pishak, më duket se diçka nuk shkon me “shifrën 466.684, pra 11% të gjithë imigrantëve”.

    1. Në fund të 2009-s rezultonin në Itali 4.235.059 të huaj rezidentë. Rumunët zinin vendin e parë me shifrën 887.763 vetë, ose 21% të totalit. Shqiptarët vendin e dytë me 466.684, pra 11%; marokenët vendin e tretë me 10,2% të numrit të përgjithshëm.
      Duhet shtuar se numri i mësipërm u referohet imigrantëve me dokumente, pra me qëndrim të rregullt. Numri i atyre që nuk kanë lejeqëndrim (klandestinëve) nuk dihet nga askush. Megjithatë, numri i rezidentëve jo gjithnjë përkon me numrin e saktë të emigrantëve. Ka të atillë që janë me lejeqëndrim të rregullt, por nuk kanë kërkuar rezidencë. Të dhënat shpeshherë janë të vështira për t’u lexuar…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin