AKSIDENTE

Edhe këtë vit shkrimtari ynë i preferuar Ismail Kadare nuk e mori dot çmimin Nobel, me gjithë parashikimet, urimet dhe magjitë përkatëse.

Pritja e tanishme përkoi me botimin e romanit “Aksidenti”, i cili, pavarësisht nga ç’tha Tibor Fischer, nuk hyn ndër veprat e mira të shkrimtarit.

Me këtë rast, u rigjallërua edhe debati, këtu në blog dhe gjetiu, për çfarë ka ndodhur pikërisht me krijimtarinë e shkrimtarit.

Një pjesë e mirë e lexuesve dhe të admiruesve të tij, mes të cilëve edhe unë, mendojnë se veprave të shkruara dhe të botuara pas vitit 1990 u mungon shkëlqimi i të tjerave.

E kam të qartë se jo të gjithë gjykojnë kështu (ka prej nesh që mendojnë se edhe lexuesi ka ndërruar; të tjerë besojnë se Kadareja i nëntëdhjetës ka arritur kulme të reja), por tani për tani po e marr këtë rënie si të mirëqenë dhe që këtej do të përpiqem të arsyetoj pse mund të ketë ndodhur.

Çfarë mund të ketë ndodhur me Kadarenë shkrimtar?

Mosha – faktor i trishtuar por i pashmangshëm. Krijimtaria letrare nuk është vetëm e shpirtit por edhe e trupit; disa shkrimtarë përmirësohen kur plaken, të tjerëve nis t’u mbahet nga pak fryma. Më të mençurit mësojnë t’u përshtaten viteve.

Luhatjet statistikore – nëse një autor boton një kryevepër e aq më tepër një varg kryeveprash, kuptohet se pas kësaj nuk mund të vijë veçse rënia. Kjo dukuri s’ka të bëjë me talentin as energjitë krijuese, por më tepër me probabilitetin.

Rrallimi i stimujve – letërsia është edhe një lloj kuzhine; cilësia e gjellëve varet jo vetëm nga zotësia e kuzhinierit dhe mprehtësia e shqisave të tij, por edhe nga çfarë hyn në kuzhinë dhe nga përfytyrimi që ka kuzhinieri për klientët në restorant.

Nevoja për risi – çdo shkrimtar serioz e di që, e vetmja mënyrë për të qenë i sinqertë me lexuesin është duke mos përsëritur vetveten. Edhe Kadaresë nuk i ka munguar kurrë guximi për të kërkuar forma të reja, tema të reja, zhbirime të reja; por një guxim i tillë s’është e thënë të shpërblehet gjithnjë.

Probleme të artikulimit – ose dëmtimi i vetvetishmërisë në shprehje, si pasojë e bilinguizmit, zhytjes në mjedis gjuhësor joshqip, leximeve kryesisht në gjuhë të huaj, pezmatimi i vetëdijes gjuhësore.

Mërgimi – autori është larguar tashmë nga Shqipëria, trualli i tij i natyrshëm për krijim. Mërgimi është edhe çrrënjosje, shkatërrim i lidhjeve të vetvetishme me mjedisin, me kolegët, me publikun; humbje e miqësive dhe armiqësive të vjetra.

Kolapsi i totalitarizmit në Shqipëri – po të kihet parasysh se Kadareja kishte kohë që, si shkrimtar dhe si intelektual, ishte identifikuar me alternativën ndaj obtuzitetit të regjimit, ose vetëdijen kolektive të liberalizmit shqiptar. Kujtoj këtu edhe një skicë të vjetër të Kadaresë vetë, në të cilën Prometeu i mbërthyer në shkëmb desh vdiq nga hipertrofia e mëlçisë, ditën që shqiponja e Zeusit nuk i erdhi për t’ia ngrënë.

Fundi i frikës – Kadareja i shkroi kryeveprat në një kohë kur mund ta arrestonin ose ta internonin në çdo çast; emri i nënvizohej me laps të kuq në zyrat dhe dosjet e persekutorëve dhe një pjesë e mirë e pushtetarëve komunistë ishin gati të firmosnin për asgjësimin e tij si artist dhe si njeri. Për të krijimtaria do të ketë qenë edhe subversion edhe mbrojtje nga subversioni – deri në vitin 1990.

Kompleksi i fajit – ose pamundësia për t’u çliruar nga efektet e marrëdhënieve mes Kadaresë shkrimtar dhe kupolës komuniste, veçanërisht diktatorin Hoxha, të cilin yni e shndërroi në kryepersonazh legjendash epike.

Deprimimi – ka pak të ngjarë, por as mund të përjashtohet. Nëse ankthi shpesh ka efekt psikoaktiv dhe ndihmon sublimimin letrar, depresioni ta ul libidon artistike.

Ndërrimi i publikut – ose përfytyrimi i autorit se tashmë po i flet një publiku shumë më heterogjen se ai i dikurshmi; dhe veçanërisht një publiku perëndimor nga formimi dhe nga shijet. Me publikun shqiptar, Kadareja ishte mësuar të funksiononte si ndërfaqe (interface) e Shqipërisë me Perëndimin; me Perëndimorin, po kërkon të funksionojë njëlloj, por me kah të kundërt; vetëm se shqiptaria së cilës i referohet shkrimtari dhe ajo tjetra, e sotmja, nuk janë të njëllojta.

Lavdia – ose glorifikimi prej mediave, në Perëndim dhe në Shqipëri, i cili kthehet gjithashtu në faktor gjatë procesit krijues, sa kohë që të bën ta shohësh veten si në pasqyrë pashmangshëm.

Lumturimi – ose efekti shkatërrues i puthadorëve dhe i të gjithë atyre që i janë qepur nga pas Kadaresë, pasi ky arriti të triumfojë si shkrimtar, në nivel global; dhe i atyre të tjerëve, që duan t’i vënë në supe pelerinën e tribunit të shqiptarizmës.

Nobeli – ose ndikimi që ka pasur, mbi krijimtarinë e Kadaresë, pritja çdo vit për marrjen e çmimit; dhe zhgënjimet përkatëse. I vetëdijshëm se është gjithnjë në listën e kandidatëve, yni ka filluar të shkruajë si nobelist, çka ia rëndon penën.

Shumë nga këto shpjegime, detyrimisht të pjesshme, janë sjellë e risjellë tashmë; ishte ky i fundit, përkundrazi, që më nxiti të shkruaj.

 

Nuk ka komente

  1. 2xh:Edhe Kadaresë nuk i ka munguar kurrë guximi për të kërkuar forma të reja, tema të reja, zhbirime të reja; por një guxim i tillë s’është e thënë të shpërblehet gjithnjë.

    E gjithe krijimtaria postkomuniste e Kadarese ka nje tematike te njetrajtshme: denoncimi totalitarizmit komunist. Ku eshte risia tematike ketu krahasuar me letersine antikomuniste te levrurar prej disidenteve ruse, Kunderes dhe autoreve te tjere ne kete fushe? Cfare deshmi dhe kumte te reja ka sjelle ne kete letersi Kadare?
    Edhe qasja ne pjesen me te madhe te krijimtarise postkomuniste, pershkrohet nga dy obsesione: ankthi perndjekjes nga sigurimi shtetit dhe obsesioni seksit te munguar.

    1. Në fakt unë flisja për forma, jo për tematikë. Tematika e veprës së Kadaresë mua më intereson vetëm margjinalisht. Përndryshe, kam përshtypjen se stili i tij gjatë viteve 1990 ka ndërruar; madje jo vetëm stili, por edhe ritmi narrativ, këndvështrimi, forca e lapsit në letër, mënyra e ndërtimit të personazheve, vizioni i botës narrative. Mjaft të krahasosh mes tyre romane që duhej të ishin shumë të ngjashëm: Kronikë në gur dhe Çështje të marrëzisë, për të parë çfarë ka ndodhur. Romane epike si Dimri i madh ose Koncerti Kadareja nuk ka botuar më, edhe pse pas vitit 1990 i janë lejuar (ndryshe nga çfarë i ndodhi në vitet 1970, kur sipas tij, ia ndaluan të shkruante romane). Po ashtu, të krahasohen Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Dosja H, për të parë sërish njëfarë evoluimi në formë dhe në teknikën narrative. Përndryshe, zhbirimet diskursive polifonike, si ato që gjen te Viti i Mbrapshtë, duket sikur janë zhdukur. Veprat e fundit, E penguara dhe Aksidenti, janë diçka si novela të zgjatura, shumë të fragmentarizuara, me doza kitsch-i ndonjëherë të papërballueshme (krejt referimi në legjendat mesjetare shqiptare është tashmë fund e krye kitsch). Nuk di pse ky evoluim (involuim) formal i Kadaresë mua më kujton Joan Miró-në e mbramë; uroj të ketë po aq fat në këto eksperimente sa edhe piktori katalan.

      1. Xhaxha, me qe je tek forma, shife pak me kujdes shperthimin e nje vdekjeje teatrale ne jete dhe teatralizimin e nje vdekjeje reale qe ka kap Kadareja me Lul Mazrekun. Po ashtu, pas konstatimit te evoluimit te teknikes narrative nga Gjenerali tek Dosja, te krahasohen te dyja me Darken e Gabuar, per te gjetur aty, apo jo, kulmin e cmagjepsur te kesaj teknike narrative.

        Ne fakt, po aq kitsch do mund te konsiderohej edhe referimi ne Greqine e Lashte. Vetem se kitsch-i nuk konsiderohet i tille pa kualifikim. Shif cfare dua te them. Ne banjon e Hitlerit kishte statuja te vogla imitim te stilit te antikuitetit. Per Eva Braun, apo per kedo mik qe mund te hynte, ato rrezatonin shkelqimin dhe lavdine e Romes se lashte, si dhe kishin rrezatuar shkelqimin dhe lavdine e Greqise edhe me te lashte per vete Romen. Mirepo shiko cfare ndodh. Diten qe Hitleri vret veten, nje fotografe Amerikane, nuk me kujtohet emri per dreq tashti, pushton apartamentin e Hitlerit me gjithe te dashurin e vet, ben disa manipulime pothuaj te padukshme kompozicionale dhe shkrep aparatin lirshem. Statujat e vogla ne banjo ne keto foto mund edhe te mos ishin. Nje pale cizme te renda ushtarake perpara vaskes flasin per nje brutalitet qe i kapercen kufinjte e banales dhe te kitschit, dhe qe cuditerisht, te japin pershtypjen se banjoja ne fotografi i perket ndonje ushtari te rendomte. Te njejtat statuja jane kitsch kur bukuria e tyre rrezaton shkelqim dhe lavdi, por jo kur bukuria e tyre zbret ne plan te dyte fale brutalitetit. Qe te dalim tek Kadareja. Sikur referimi ndaj legjendave mesjetare shqiptare te ishte ne plan te pare, do isha 100% dakord qe do perbenin kitsch. Problemi qe gjej me kete konstatim eshte se ky referim eshte nje lloj dialogu kompozicional me antikitetin grek dhe antropologjine moderne, si edhe gjendet tek Dosja H, me fillimin e legjendave urbane, si dhe konstatohet nga kenga e cmendur e ndonje te piri apo prostitute, me folkloristiken historike te shekullit 19, sic e gjen tek Darka e Gabuar, me monstruozitete arkitekturale si Piramida, dhe perseri dhe perseri, me nderhyrjen aq brutale te aktualitetit, qe si cizmet ushtarake te Amerikanit ne banjon e Hitlerit, ben vaki edhe nuk duket fare.

      2. Xha Xhai , nga cfare ke shkruar, kuptoj qe i bashkohesh grupit te lexuesve dhe kritikes (kemi kritike serioze apo kritike asgjesuese/glorifikuese ?? ) te cilet mendojne se “ylli” i Kadarese si krijues/levrues i letersise pas 90 eshte ne renie dhe nuk ka ate shkelqimin e para 90, pra te krijimitarise ne vitet e diktatures.Kjo eshte hipoteza dhe, per te argumentuar kete, rreshton 14 faktore.Po ti analizosh me radhe faktoret e supozuar, me duhet te them se pjesa derrmuese e tyre nuk jane PERCAKTUES nqs me te njejten logjike dhe ne menyre analoge do te arsyetonim per krijimtarine e x shkrimtari qe te pakten ka te perafert me Kadarene:
        Koheshtrirjen prej pese dekadash te krijimtarise
        Famen dhe njohjen nderkombetare
        Kontekstin social politik te krijimtarise.

        Disa nga faktoret si mosha, lavdia, lumturimi, te vetendjerit nobelist, ankthi kerkimit te risise nqs jane faktore, duhet te jene te tille edhe per shkrimtare te kalibrit te Kadarese.Por rasti te tjereve i pergenjeshtron keto faktore. Le te marrim te fundmin e Nobelisteve-Llosa- 50 vjet krijimtari, mosha po e njejte, ngasjet per cmimin nobel- te pranishme, ankthi risise doemos i paevitueshem.
        Ketu hapet nje piste tjeter diskutimi-te pakten per mua.Cfare hedhin ne balancen e matjes se vlerave akademiket e Stokholmit? Vetem vlerat artistike-estetike, risine formale letrare/shkrimore te kandidateve per Nobel apo edhe personalitetin e krijuesit, angazhimin e tij qytetar, impaktin e krijimtarise letrare dhe te anagzhimit te autorit ne jeten social-kulturore dhe ate politike?
        Ne tavolinat e akademikeve qendron Dosja K-me te gjitha dimensionet e krijimtarise se tij ne te dy kohet.Sikurse ka dhe nje Antidosje K-si shkrimtari me i debatuar,kritikuar, sulmuar dhe anatemuar per sherbesen ndaj regjimit ,ne planin biografik dhe ate letrar.
        Por le ta leme menjane kete diskutim.
        Ti kthehemi dy koheve ne krijimtarine e Kadarese.Ne matricen 14 faktoriale , do te vecoja dy faktore, te rreshtuar aq lehtesisht me faktore te tjere si mosha, prostata, bilinguizmi apo diversifikimi publkut lexues:kolapsi i totalitarizmit dhe clirimin nga kompleksi frikes.
        Nqs pranohet se Kadare ka arritur disa maja te pakaperxyera (Gjenerali, Kronika, Pallati Endrrave) te shkruara nen diktature/censure dhe nqs supozojme se gjenia krijuese eshte nje e dhene e pandryshuar, si thelb, atehere te shkruarit nen trysnine e censoreve, ka prodhuar dykuptimesine ideore dhe kjo nuk mund te percillej vecse nepermjet risive te teknikave narrative, formave te reja kompozicionale dhe stilit alegorik.Kjo eshte nje situate te cilen vete Kadare e ka shpjeguar gjeresisht. Celsi shkelqimit dhe “renies” se Kadarese duhet kerkuar pikerisht ketu-diktatura ishte TJETRI per Kadarene dhe krijimtaria e tij u plazmua ne raport me ate. Pas 90,Prometeu i cliruar humbi arsyet per te kerkuar serish rishpikjen e zjarrit.
        Krijimtaria pas 90 , ne pjesen me te madhe te saj, ushqehet me rrezatimet e fundit te ankthit te lirise.Nqs ne Kadare-ja i para 90 ishte toreadori qe luante me te kuqen duke e rrezikuar dhe u rrezikuar prej demit, pas 90 Kadare eshte nje punetor kadavre ku kqyr rropullite e kufomes se diktatures.
        Kurse ideja se referimi ne legjendat dhe mitologjine shqiptare eshte nje kitsch i konsumuar , me duket gjykim i nxituar.
        Dekonstruktimi miteve dhe legjendave, shkaterrim-rindertimi i tyre dhe vete lendes se historise eshte nje nga magjistralet kryesore te letersise se madhe -nga Iliada e Homerit e deri tek Ulisi i Xhojsit.
        Ceshtja eshte se si u qaset miteve dhe legjendave Kadare? Si nacional komunist -vjen pergjigjia e nje pjese te kritikes.Lexuesi huaj ne kete letersi (Ura,Prilli,Doruntina ) rizbulon/te ekzotikat ballkanike kurse lexuesi vendas perkedhel ndergjegjen e turbullt te kombit te pafat.
        Dhe per ta mbullur: ceshtja nuk eshte se ne krijimtarine e Kadarese pas 90 mungojne romanet epope si Dimri.E verteta eshte se duke mbetur peng i temes antitotalitare, sic thote me te drejte Pifto, Kadare rrezikon te humbasi nje pjese te lexuesit shqiptar i cili tani,ne kete kohe, para se te vazhdoje te magjepset me stilin dhe narracionin e shkrimtarit per ndricimin e llagemeve te diktaures , duhet te cmagjepset nga iluzionet e shoqerise se tregut.

        1. Kur flisja për kitsch-in e legjendave të risjella, kisha parasysh veprat e fundit të Kadaresë (i specifikoja me tituj). Në këto vepra të fundit, referimi ndaj legjendave, para se të jetë referim ndaj legjendave, është referim ndaj legjendave siç janë referuar nga Kadareja vetë në të shkuarën. Kjo veç tingëllon si lojë fjalësh, por në fakt nuk është. Dua të them: autori ka krijuar dikur një funksion estetik-poetik të legjendës mesjetare së ricikluar dhe tani i thërret legjendat vend e pa vend, për të shfrytëzuar funksionin estetik që ua ka dhënë ai vetë, sa herë që ka nevojë t’i japë pak oksigjen narrativës.

          1. Xhaxha, nese ka nje kriter qe te ben te dallosh mes nivelit letrar te para 90es dhe nivelit letrar te pas 90es, i njejti kriter besoj se vlen edhe per te dalluar mes nivelit te puneve te mbledhura ne periudhat e vecanta. E kam llafin qe i njejti kriter duhet te vleje per te bere dallimin mes nivelit letrar te nje pune para 90es dhe nivelit letrar te nje tjeter pune po para 90es. Njesoj edhe per dallimin ne nivel mes dy puneve te dyja pas 90es. Nese kjo qendron, atehere nuk mund te nisesh nga punet me te shquara te para 90es, t’i krahasosh me punet me te rendomta te pas 90es, dhe te dalesh ne konkluzion se niveli letrar ka rene pas 90es. Premisa eshte se, (dhe eshte premise teper serioze per t’u leshuar kaq thjesht neper komente) kriteri mbi te cilin gjykojme punet si grup te keqija ndryshon nga kriteri mbi te cilin gjykojme punet si grup te mira. Nese kjo qendron, atehere ke nje disbalance kriteresh ne gjykimin qe ben kur gjykon ne grup. Edhe sikur E Penguara dhe Aksidenti (interesant mbivendosja e te penguares me aksidentin) te jene realisht, objektivisht, whatever, te dobeta, dhe edhe sikur ky numer te shtohej, kjo nuk mjafton per te thene se pas 90es ka renie, pasi nuk merr parasysh punet e mira. E kam bere shpesh pyetjen dhe do vazhdoj ta ribej. Ore, para 90es, Kadareja asnjehere, ore po asnjehere nuk zhgenjeu artistikisht? Nuk po kerkoj ndonje lloj bamiresie nga ana e kritikes, ketu. Ne fakt, po ve ne dyshim formulimin qe ke ofruar mbi Luhatjet Statistikore. Dakord probabiliteti, por vetem se ka rene njezet heret e para vetem koke, nuk do te thote se probabiliteti per te rene pil heren e njezetenjete eshte me i madh, dhe as te njezetedyten, dhe as te njezetetreten, dhe asnje here. Plus qe ka nje “unfair assumption” aty: a thua se niveli letrar i Kadarese, apo kujtdo, qenka thjesht ceshtje shansi!

            1. LK:

              Dakord probabiliteti, por vetem se ka rene njezet heret e para vetem koke, nuk do te thote se probabiliteti per te rene pil heren e njezetenjete eshte me i madh, dhe as te njezetedyten, dhe as te njezetetreten, dhe asnje here. Plus qe ka nje “unfair assumption” aty: a thua se niveli letrar i Kadarese, apo kujtdo, qenka thjesht ceshtje shansi!

              Kam frikë se kemi një mosmarrëveshje këtu: krijimi i një kryevepre nuk mund të merret si produkt i shansit, prandaj edhe probabiliteti, ashtu siç e zbaton ti, nuk ka shumë kuptim. Por unë nuk kisha parasysh këtë që thua ti; dhe për më tepër, nuk jam as ndonjë ekspert probabiliteti. Kisha parasysh, përkundrazi, sa vijon.

              Le të themi se një shkrimtar do të krijojë, gjatë jetës së vet, një numër romanesh. Nga këto, 1 ose 2 janë më të mirat, ca të tjera mesatare, dhe ca të tjera të dobëta. Se sa vepra janë të dobëta, nuk e prek fare cilësinë e atyre 1 ose 2 kryeveprave; por ndikon në përcaktimin e nivelit “mesatar” të shkrimtarit.

              Më anë tjetër, këto 1 ose 2 kryevepra mund të jenë të tilla për shkrimtarin, por mund të jenë të tilla për shkrimtarin dhe letërsinë përkatëse, ose edhe për mbarë letërsinë botërore.

              Në rastin e shkrimtarit bukolik Gjovalin Mirashi, kryeveprat janë të atij vetë dhe të grupit të diasporës që e duartroket, por përndryshe nuk kanë vlerë brenda letërsisë shqipe ose ballkanike ose botërore.

              Në rastin e një shkrimtari të madh si Kadare, që përsiatet për çmime të kalibrit absolut, si ai Man Booker Prize ose Nobeli, kryeveprat janë të nivelit global.

              Që këtej mund të thuhet se këto janë kryevepra jo vetëm relative, në raport me ç’ka shkruar tjetër Kadareja, por edhe absolute.

              Tani, karakteristikë e kryeveprave absolute është, ndër të tjera, se këto janë pak. Një shkrimtar nuk mund të ketë 100 kryevepra absolute; por e shumta 2-3. Madje mund të thuhet se kryeveprat janë pak me përkufizim; përndryshe nuk do të ishin kryevepra; dhe kjo pavarësisht nga kuadri i referencës.

              Nëse Kadareja i ka shkruar këto 2-3 kryevepra në vitet 1970-1980, gjasat janë që të mos shkruajë dot më të tjera të këtij niveli më vonë; sepse, si të thuash, e ka shterruar hisen e vet të kryeveprave, në mënyrë fatalisht matematikore. Vetëm këtë kisha parasysh, kur flisja për probabilitet në shkrimin kryesor – por kjo nuk lidhet fare, po fare, me hedhjen e monedhës.

            2. Interesante do ishte te mbrohej me konsistence probabiliteti dhe fataliteti matematikor per te njejten ceshtje njekohesisht. Art, hesapi.

              Sidoqofte, brenda te njejtit arsyetim, duke qene se kryeveprat jane te rralla me perkufizim, probabiliteti se kryevepra absolute mund te mos jete shkruar akoma prej Kadarese, eshte po aq fatalisht matamatik sa edhe probabiliteti se kryevepra te tilla Kadareja nuk mund te shkruaje me.

  2. Gustot personale nuk diskutohen, pat thënë dikur latini. Autori ka të drejtë ta marrë të mirëqenë “rënien” e Kadaresë, mirëpo një lexim i disa veprave të fundit të tij, si “Sokaku i të Marrëve” apo edhe “Darka e gabuar” tregon pa mëdyshje cilësinë në rritje të Kadaresë.
    Mendimin për “Aksidentin” do ta rezervoj pasi ta lexoj, megjithëse më duhet të përmend se një kritik skocez e ka lëvduar së tepërmi, duke përmendur madje se Kadare është ndër ata autorë që pëlqehen më shumë në leximin e dytë…

  3. Mbase listës mund t’i shtohej edhe dukuria e shitjes për përfitim të librave që ka pushtuar krijimtarië e Kadaresë. Kur bëhesh shkrimtar më pjellor (si këto njëzet vitet e fundit), cilësia ia lë vendin sasisë….

  4. Per piken e fundit, m’u kujtua se i bindur që nder shkrimtare latonoamerikane, çmimi Nodel do t’u akordohej gjithnje atyre qe ishin politikisht te majte (Neruda mik i Stalinit, Markezi mik i Kastros etj.) M. Vargas Liosa prej kohesh e kishte hequr shpresen se do ta merrte ndonjëherë.

    Megjithate e pyesnin shpesh si e shihte kete pune dhe dikur ia u pergjegj: “Nuk eshte mire qe nje shkrimtar te mendoje per çmimin Nobel. I ben keq per stilin”.

  5. Dakord. Po te mbledhesh te gjitha ato qe ke mbledhur, teorikisht i bie qe vepra e Kadarese duhet te kete pesuar renie. Por, pas spekullimit mbi shkaqet se pse vepra e Kadarese mund te konsiderohet e rene, te mbetet te konstatosh kredon se kjo veper ka rene vertete. Dhe ketu je i detyruar te zgjedhesh punet me te mira te periudhes se pas 90-es dhe t’i krahasosh me me te mirat e para 90-es, duke i kushtuar vemendje ne kete krahasim zgjedhjeve letrare perpara perceptimit te publikut. Dyzet e ca vjet me nje autor, edhe publiku me i admirueshem do lodhej dhe do fillonte te gjente cene tek autori perpara se te konsideronte lodhjen e vet si faktor. Pothuaj gjithe cka eshte shtruar me lart ka te beje me autorin dhe luhatjet e tij ne raport me publikun, gje qe e ben te pamundur konkluzionin mbi cilesine e vepres apo te publikut. Fare mire artikulli me lart mund te shkruhej edhe ndryshe: Marrim te mireqene qe vepra e Kadarese nuk ka rene, por duke pasur parasysh, 1, 2, 3, 4… eshte e pamundur qe publiku te mos perceptoje nje lloj renie tek kjo veper. Dhe edhe ne kete forme do qendronte. Por te thuash se vepra ka rene ama, ka te beje me vepren, dhe luhatjet e vepres ne raport me letersine dhe artin. Te besh nje lexim te holle kantian, bie llafi, duhet qe vepra e Kadarese te shkonte drejt makinerise se bindjes ne menyre qe te konsiderohej si e rene. Thene ndryshe, bindja antitotalitare dhe antikomuniste e kohes do duhej te zinte vend me te madh ne vepren e Kadarese; ose, Kadareja do duhej ta perdorte letersine per te bindur publikun se komunizmi eshte i keq, ne menyre qe vepra e tij te quhej e rene. Mirepo kjo nuk ndodh. Flirtimi i dikurshem i Kadarese me subversionin politik mbetet konstant. Nese ne veprat e djeshme nuk dallohej ne po i vinte regjimit pas avazit apo po e kritikonte, ne veprat e sotshme nuk dallohet ne po e kritikon regjimin e djeshem apo po e lavderon. E vertete qe nuk ka nje trajtim te drejtperdrejte te temave te regjimit te sotshem ne veprat e tij pas 90es, si c’kishte bie llafi tek Dimri i Madh. So what? Vetem kjo e ben letersine te madhe? Kadareja mbetet autor i temave universale, qofshin keto ankthi i perndjekjes apo obsesioni me seksin e munguar.

  6. Askush nuk do të ishte gati t’i jepte çmimin Nobel dikujt, i cili në kulmin e luftërave ballkanike të viteve ’90 dhe pas tyre u pozicionua si një person publik i interesuar kryesisht për dallimet etnike të fqinjëve ballkanikë.

    Pa dashur të jap asnjë konsideratë personale, se mirë apo keq e bëri Kadareja këtë detyrë që ai ja vuri vetes (askush nuk ja kërkoi apo e priti prej tij), mendoj se përshtypja e përgjithshme e lexuesit ndërkombëtar të Kadaresë pas ’90 është, që ky autor ka shkruar gjëra me shumë domethënie vetëm më herët.

    Pritet, ose e thënë më mirë me të madhe, PRITET, që një shkrimtari me ambicie nobeliste t’i rrahë pulsi fort me ritmin e kohës dhe mundësisht diku më majtas se realiteti mesatar letrar. A është mirë a keq kjo, ndoshta nuk është vendi shumë për ta diskutuar tani; në fund të fundit nëse një shkrimtar i madh është i pozicionuar diku më majtas se shoqëria vetë, ky është një fakt i një rëndësie konvencionale, pak a shumë po aq sa edhe në së të shkulin një dhëmballe me apo pa anestezi lokale (gjithnjë kur e ke për të ta shkulur).

    PRITET, që krijimtaria e një shkrimtari të tillë të jetë për nga natyra vetvetiu kritike e realiteteve problematike politike dhe sociale të epokës në shoqëritë prej nga këta autorë vijnë.

    PRITET, që këta shkrimtarë ta njohin thelbin dhe substancën e proceseve sociale dhe politike në vijim dhe të hyjnë në një veprim të ndërsjellët me ato.

    Ç’bëri Kadareja në këto 50 vitet e fundit?

    30 vjet i shkuli herë me dhe herë pa anestezi dhëmballët një diktature deri atëherë të panjohur për shoqërinë shqiptare, gjë që e bëri për shumëkënd shumë mirë.

    20 i fryu në një mënyrë të habitshme dhe të papritur zjarrit nacionalist në Ballkan, ndërkohë që dilema kryesore e këtyre popujve ishte marrëdhënia e qytetarit me institucionet e shtetit të vet.

    Kadareja flet për shqiptarin dhe jo për qytetarin e Republikës, dhe sinqerisht, kush mund ta honepsë dot një pozicion të tillë?

    Kadarenë mund ta akuzosh dot vetëm nga një pozicion radikal antikomunist për bashkëjetesë paqësore me regjimin e diktaturës së Enver Hoxhës, por mendimi i përgjithshëm është, se ai e kreu mirë misionin e tij si shkrimtar kritik, ndërkohë, që nga ana tjetër bashkëjetesa e tij me mizerjen politike shqiptare të 20 viteve më pas është krejtësisht e pashpjegueshme.

    Nobelistët janë si rregull motorë progresivë të shoqërive përkatëse dhe jo ca reaksionarë kuzhinash me çorape leshi nga Kashmiri si Kadareja ynë i madh i këtyre 20 viteve të fundit.

    Lexoj herë pas here këto vitet e fundit romane të Philip Roth, edhe ky një kandidat për të njëjtin çmim. Çfarë larje hesapesh e pamëshirshme dhe pa kompromis me maskarallëkun politik të kohës së presidencës së Xhorxh W Bush! Çfarë kurrajo dhe gjenialiteti për t’i ngulur në mes të ditës shpatën e një shkrimtari drejt e në zemër një sistemi politik të krimbur e politikisht të korruptuar, maskara, hipokrit e rrencak. Çfarë përbuzje e pështyrë në fytyrë për poshtërsinë publike servirur në pjatacat e agjenda të demokracisë së vjedhur! Dhe pastaj çfarë talenti për të zhvendosur kritikën e epokës ku jetojmë në të djeshmen e kapërcyer… njësoj si Kadareja i ynë dikur.

    Nga Philip Roth ka parë në Tiranë të përkthyer “Komploti kundër Amerikës” (“The Plot against America”) dhe “Inati” (“Indignation”), të dyja vepra, të cilat përballen me probleme aktuale të shoqërisë sonë, si manipulimi i demokracisë dhe rrëshqitja e pakuptueshme në sisteme totalitare, zbutja e konsistencës së dinjitetit të njeriut përballe dhunës institucionale apo asaj morale të një shoqërie bigote. Sinqerisht që do t’i kisha rekomanduar të dyja romanet dhe shpresoj që përkthimet të jenë të plota dhe cilësore. Përkthimet e tij në gjermanisht janë shumë të mira dhe ma do mëndja, që edhe në gjuhët e tjera të mëdha evropiane librat e tij të jenë përkthyer mirë.

  7. …”20 i fryu në një mënyrë të habitshme dhe të papritur zjarrit nacionalist në Ballkan, ndërkohë që dilema kryesore e këtyre popujve ishte marrëdhënia e qytetarit me institucionet e shtetit të vet…”

    Me duket se rrjedhoja e ngjarjeve IK i ka dhene te drejte dhe po i jep te drejte, qe me luften e Kosoves, Merkel-in qe per cudi e inat te gjithe te tjereve deklaron se experimentin multikulturalist ne Gjermani ka deshtuar, e deri tifozat serb qe ne mes te ndeshjes Itali-Serbi, deshira me e madhe qe kane eshte te “kill a shiftar”

    Internacionalizmi, si ai komunist edhe ai kapitalist heperhe kam idene se jane gjendje jo natyrale te shoqerise.

    Mendoj se venja e theksit mbi maredheniet e qytetarit me institucionin e vet presupozojne qe shtepia ( shteti) te kete cati. Ne shkalle vlerash kush do te kishte me rendesi, zgjidhja e ceshtjes kosovare, apo sigurimi i nje shteti te forte brenda kufinjve te Rep. se Shqiperise? Varet nga prioritetet e kombit ne fjale. Kadareja, mbas “te vjelave”, duket se e ka pasur gishtin ne puls.

  8. – Me ngjan se sikur po e terhiqni Xha Xhai-n atje ku ai s’ka dashur te shkoje. Pyetja e tij eshte: “Çfarë mund të ketë ndodhur me Kadarenë shkrimtar?” dhe jo ato qe lidhen dmd e drpdr me krijimtarine.
    – Njeheri me duket sikur po e fusni diskutimin ne makineri (bangoprova) te shkences e jo artit apo letersise.
    – Ajo fotografja e fotografuar tek vaska e Hitlerit eshte Lee Miller, pune te se ciles ishin veres (dhe mbase jane) ne nje muze te NYC-it te poshtem. Njohja ime me kete foto nepermjet librit “Jetet e muzave” te F. Prose, me zhvlersoi konsiderueshem “Krevatin e Perandorit” te Agollit, pune jo me origjinale. Libri mbi jetet e nente muzave, ne vazhden e nje tradite jo aq te dukshme, qe nis me filozofin freng E. Gilson, vazhdon me provokimin e kritikes se baletit A. Croce, nepermjet shembujve nxjerr ne pah si force shtytese per krijuesin muzen. Autorja ne parathenie thote se Hudini edhe mund tu a shpejgoje njerezve magjine por artisti e ka te pamundur te shpjegoje alkimine. A Croce-ja ne 1996 pyeste qe ne titull “Mos ka vdekur Muza?” dhe konstaton ne menyre dramatike se mbas revolucioneve te papergjakur qe i dhane fund komunizmit ne nuk shohim te kete muze fare. Ndersa Gilson e nis kapitullin e nente keshtu: Me sa duket rruga e artistit eshte rralle nje rruge ne shenjteri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin