Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Kulturë / Totalitarizëm

VIGANË DHE SHPELLARË

Para disa ditësh, në një shkrim botuar te Gazeta shqiptare, Gëzim Qendro analizonte traditën në artet vizuale shqiptare (Supet e munguara të viganëve), duke vërejtur zhvendosjen tonë të madhe gjatë shek. XX – dhe jo vetëm në vitet e totalitarizmit – në raport me frymën e kohës.

Shkruan Qendro:

Në vitet ’20 -’30 të shekullit të kaluar duhet thënë se Shqipërisë, pas një shkëputjeje disa shekullore, iu ofrua të parës rasti historik për t’u përfshirë në rrjedhat e kulturës evropiano-perëndimore dhe vendimtare pa dyshim në këtë rast, ishte përgatitja në akademitë perëndimore e mjaft artistëve të rinj. Duhet pranuar se ata u treguan të shkathët për t’u ngjitur në “supe viganësh” ndonëse me keqardhje duhet thënë se zgjodhën “viganët” e gabuar. Shqipëria e humbi mundësinë e përfshirjes në rrjedhat e artit modernist dhe të përballimit të sfidës së bashkëkohësisë sepse shqiptarët që studiuan në Perëndim, ndonëse kanë meritën e pamohueshme të përforcimit të themeleve të traditës së artit pamor laik shqiptar, nuk arritën dot të sjellin në Shqipëri risitë e artit modernist, të cilat asokohe ishin në lulëzim të plotë në vendet ku studiuan, por u mjaftuan me përvetësimin e traditës klasike e cila pasqyrohet gjerësisht në veprat që lanë pas.

Autori e shpjegon këtë “me faktin se në kohën kur ata studionin në Perëndim, arti modernist nuk kishte hyrë ende në kurrikulat e akademive shtetërore të cilat vazhdonin të ndiqnin me rreptësi programet tradicionale klasike”, çka për mua është krejt e pamjaftueshme; sa kohë që lihet jashtë “fakti” tjetër, se modernizmi, para se çështje teknike dhe shkollash, ka të bëjë me filozofinë e të krijuarit artistik dhe të rolit të artistit në zhvillimet sociale. E vetmja mënyrë si mund të përligjet kjo harresë e Qendros, është të supozosh se në atmosferën e mbytur provinciale të Shqipërisë të asaj kohe, thjesht të bëje një pikturë ose skulpturë ishte formë rebelimi, antikonformizmi dhe sfide ndaj reptilizmit kulturor.

Ndërkohë, rastësisht ndesha sot në një fotografi të lashtë të rubrikës së mrekullueshme “Shqipni e Harrueme” të revistës MAPO, ku flitej për një kompleks monumental në Kukësin e vjetër.

Thuhet në tekstin që shoqëronte fotografinë:

Kukës, 1939. Në vitin 1932, në Kukës u përurua monumenti me bustin e Mbretit Zog, vepër e Odhise Paskalit. Më tepër se një bust i thjeshtë, ai ishte një monument i përbërë nga disa elementë: piedestali, busti i bronxtë, të dy dedikimet, pallaka e sfondit mbrapa, dhe elementi i fundit, relievi me kokën e dhisë, për të bërë edhe lidhjen me figurën e Skënderbeut. Në shtyllën në të cilën qe vendosur busti, shkruhej me gërma bronxi: “L. M. TIJ ZOG I BASHKIA E KUKESIT ME 8 TETUER 1932”, ndërsa në plakën e mermertë që krijonte edhe sfondin, shkruhej: “O MBRET! ENGJELL SHPETIMTAR I KOMBIT T’ONE ME ZJARR DASHTNIJE TE ZEMRES ARBNORE ME KRENARI KOSOVA KET PERMENDORE T’A KUSHTON”. Duhet të kemi parasysh, se Kukësi ishte qendër e Prefekturës së Kosovës, që përmblidhte Veriun e vendit. Vetë busti, e paraqiste Mbretin me kokë pak të kthyer drejt kufirit, andej nga shtrihej Kosova. Busti nuk pati jetë të gjatë, pasi 6 vjet më pas, në vitin 1939, italianët pas pushtimit të Shqipërisë, e hoqën bustin e Zogut dhe dedikimet, por pa e prekur monumentin. Po atë vit, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, mbi të njëjtin piedestal u vendos busti i Skënderbeut, vepër gjithashtu e Odhise Paskalit, e realizuar me këtë rast.

Çfarë më ra në sy në këtë tekst, ishte “fakti” i habitshëm që të dy bustet: atë të Zogut në krye dhe të Skënderbeut që e zëvendësoi, i pat bërë Odhise Paskali, skulptor që i përket brezit të atyre artistëve shqiptarë të kacavarur, sipas Qendros, në supet e “viganëve të gabuar”.

Është e pamundur që lexuesit të informuar t’i shpëtojë, në këtë kontekst, “fakti” tjetër, njëlloj i habitshëm, që Paskali kryeskulptor nacional e ka provuar dorën jo vetëm me Zogun I dhe Skënderbeun, por edhe me Enver Hoxhën më pas, duke u dhënë shqiptarëve një imazh të përshtatshëm për idhujtari gjatë viteve të totalitarizmit. Po të ishte gjallë, ndoshta sot do të shijonim, prej gjeniut të tij, edhe një Sali Berishë ose, ndoshta, Ibrahim Rugovë.

Pavarësisht nga batuta e pashmangshme, nuk kam ndërmend, as më takon ta gjykoj Paskalin për subjektet e veprave të veta skulpturore; edhe pse më duhet të pohoj, për hir të kontekstit, se, nga ana artistike, skulptura e tij nuk më ka pëlqyer dhe aq.

Gjithsesi, rolin e artistit të oborrit nuk e krijoi i pari ai, as ishte i vetmi që e praktikoi në kohë të Zogut dhe më pas në kohë të Enverit. Këtu veç dua të vërej se anti-modernizmi i këtij skulptori nuk ishte ndonjë imponim policor i realizmit socialist, por ishte shfaqur që me veprat e tij monumentale të viteve 1930; të cilat besoj unë duan marrë më tepër si orvatje të sinqertë edhe pse groteske, në mos drejtpërdrejt të Paskalit së paku të epokës kur jetonte Paskali, për t’ia dhënë Shqipërisë një të kaluar kulturore sadopak monumentale; për të restauruar një periudhë përndryshe inekzistente; diçka analoge me gërmadhat e gënjeshtërta romake, që hijeshojnë ndonjëherë parqet e Europës Qendrore.

Natyrisht, vepra të tilla janë fryt i një estetike konservatore, madje regresive; e cila gjatë asaj kohe vërtet përçmohej nga modernistët anembanë kontinentit, por ndërkohë ishte e lidhur ngushtë me lëvizjet politike të fashizmit në Itali dhe të nazizmit në Gjermani; ndoshta nuk është e rastit që muskujt, trupat gjysmë të zhveshur, heronjtë me putra ariu dhe qafa si trungje rrapi, femrat mashkullore dhe figurat androgjine, kreshnikët vetullkaleshë të miteve, luftëtarët apokaliptikë dhe idealet estetike hiperrealiste të pastërtisë, higjienës, racës, folklorit, atleticizmit dhe koralitetit do të lulëzonin njëlloj këtej dhe andej, djathtas dhe majtas, në kulturat e shoqërive nazi-fashiste dhe në kulturat e njëkohshme me to, dhe natyrisht të mëpasme, të shoqërive komuniste.

Në Shqipërinë e viteve 1920-1930 fashizmi do të përftohej vetvetiu, në bazë të një panspermie fatale idesh që nuk la rrëzë të Europës pa prekur; komunizmi do të përhihej, përkundrazi, si një transplantim befasues. Bash për këtë arsye, Migjeni nuk mund t’ia rrezikonte kurrë Fishtës kandidaturën për poet kombëtar; dhe është e njëjta arsye që u jep disa krijimeve të kudogjendura të Paskalit pamjet prej Neandertali, ose ato stilema që do të infektonin pastaj krejt skulpturën shqiptare – si forma më reaksionare në artin shqiptar të shekullit XX; më reaksionare edhe se piktura, edhe se muzika, edhe se letërsia, edhe se filmi, madje edhe se opera dhe baleti në vitet e kinezërive; mishërim i një ideali estetik ktonik dhe i një primitivizmi të maskuar si kremtim kombëtarist.

Pa Komente

  1. Deliri nga niveli individual shendrohet gradualisht ne nje delir kolektiv.Njerez primivitive,lindur nga matrica e zerove,kerkojne pavdeksine nepermjet monumenteve vigane.Lartesia e viganeve rritej nga viti ne vit.Lart me lart o shoke…cdo gje:statuja,mureala,piktura,flamuj,fitore,rendimente,kv/ha….Muskuj te tejzgjatur e sterfryre.Kollonoizmi i lavdishem Romak i pallatit te Kultures.Piramidizmi madheshtor Egjyptian i faltores se Ra Enverit.Divi metalurgjik.Gjiganti Fierze.Vigani i tekstileve Berat.
    Njihja ne Shqiperi nje njeri qe kishte simptomat e sistemit edhe pas viteteve 90’.Ai kurre nuk beri aq leke sa te rindertonte shtepine e tij private te ulet,te vjeter dhe te shemtuar.Une nuk u habita apsak kur nje dite pashe perpara shtepise se tij vnje porte gjigante prej betoni dhe hekuri.Lartesia e portes ishte reth 6 metra dhe gjerisa reth 7 metra.Shtepia pas saj pothuaj nuk mund te shikohej.Muret mbajtese te portes ishin veshur me mermer dhe mbi to ngrihej nje çati e bukur me tjegulla te reja italiane.

  2. Nuk me duket se ideja e Qendros nuk mjafton. Nuk jam ne gjendje te shoh se si para se te jete ceshtje shkollash, modernizmi eshte ceshtje formimi artistik. Formimi dhe filozofia e krijimit artistik, si dhe roli i artistit ne shoqeri eshte ne rradhe te pare ceshtje shkolle. “Risite e artit modernist” per te cilat flet Qendro, e qe artistet shqiptare te asaj kohe nuk arriten t’i sjellin ne Shqiperi, nuk pretendohet asgjekundi se jane thjesht risi teknike dhe jo risi ne lidhje me rolin e artistit ne shoqeri. Plus qe veshtire te thuash se Qendro ka harruar faktin se “modernizmi, para se çështje teknike dhe shkollash, ka të bëjë me filozofinë e të krijuarit artistik dhe të rolit të artistit në zhvillimet sociale” kur ne fakt gjithe artikulli i tij eshte ngritur mbi metaforen e viganit. Po nejse, pak rendesi ka metafora. Me c’me kujtohet artikulli, qe tani nuk jam ne gjendje ta hap, Qendro e perkufizon modernizmin sipas Clement Greenberg, ku theksi tek artisti si agjent shoqeror nuk mungon, dhe i cili perkundrazi, ravijezon pikerisht lidhjen mes Kistch-it dhe fashizmit, apo artit shteteror. http://www.sharecom.ca/greenberg/kitsch.html

    Nga ana tjeter, eshte interesant te thellohet privilegjimi qe Xhaxhai i ben skulptures si misherimi i luftes mes avant-gardes dhe kistchit, artit vertete revolucionar dhe atij reaksionar. Dhe per kete duhet trajtuar jo vetem aspekti formal, apo thjesht subjekti i skulptures, por edhe lenda apo materiali i saj, qe ne fund te fundit eshte me prane hapesires si hapesire se cfare do forme tjeter arti, pervec ndoshta arkitektures.

  3. Kunder instinktit qe me thote ta qep gojen, po ne dreq te veje… tha.

    Kush tjeter vecse Odise Paskalit? Edhe Skenderbeu ne Rome eshte prej dores se tij me duket.
    Si skulptor, te kishte qene ai vetem skulptor, me siguri qe Paskali do te qendronte pertej rrezes se qitjes te kritikes (si gjithnje) te vonuar dhe oportuniste shqiptare.
    Xhaxhai, me te drejte, e vendos punen e O.Paskalit ne kontekts te periudhes kur ai u formua si artist, qe perkon me periudhen kur arti shteteror ishte ne apogje te plote, dhe shoqerite ku ky art predominonte si Itali, Gjermani dhe Rusi, ishin ne qender e ne pararojet te cdo zhvillimi te asaj epoke, qofte ky politik, ekonomik, artistik, apo social. Kam neper duar nje biografi te Friedrich von Hayek. Se sa e madhe ishte influenca qe shembulli social i shoqerive etatiste, ku shteti, shpesh me i suksesshem se sa format e tjera te organizimit te shoqerive te kohes, ishte fillimi dhe mbarimi i cdo gjeje, persa i perket jetes se nje individi, mund te shihet nga presioni i jashtezakonshme dhe hedhja poshte thuajse me perbuzje e mendimit ekonomik dhe politik qe Hayek ngrinte per diskutim dhe mbronte gjate tenures se tij ne London School of Economics , ne Londren e viteve 30-40. Pjesa me vokale e shtreses intelektuale, ne shume fusha me influence, si politike, publicistike, ekonomi, histori etj etj, nuk ndalonin dot se ngrituri lart ne qiell te mirat e organizmit socialist te shtetit, me kolektivizimin e thuajse gjithe jetes se shoqerise, si e vetmja menyre e sukseshme per te shkuar perpara. Kur edhe djepi i demokracise liberale sic ishte Britania e Madhe, ishte e mbizoteruar nga nje diskurs i tille, mund te imagjinohet se si do te ishte gjendja ne Italine e Odise Paskalit, ku supremacia e shteti nuk ishte me nje ceshtje as per diskutim e as per zgjidhje. E megjithate skulpturen devocionale te Paskalit nuk ke se si te mos e shohesh si nje hap perpara per kulturen shqiptare. Ne mos tjeter, thjeshte per faktin se ai fillonte nga zero, ku cdo gje sado e shemtuar, e transformuar, e hiperbolizuar apo e dedikuar, ishte me teper se sa c`ka kishin bere paraardhesit. Pastaj, kur flitet per mundesine e perfshirjes se Shqiperise ne rrjedhat e artit modernist te viteve 30, kush jane kufinjte apo dritat qe perkufizojne, simbas kritikes se sotme shqiptare, kanalin ku do lundronte artisti shqiptar per ti sjelle popullit te vet artin e kohes se re moderne? Mendimtari i Rodinit? Brikolazhi i Pikasos? Apo arkitekturen e Euro-Fermit?

    Paskali do t’i kete degjuar ne Itali fjalet e Duces, kur deklaronte ne 1925 se “ ne 5 vjet, Roma duhet te cudise gjithe popujt e botes”, dhe se “duhet te duket e madhe, e rregullt dhe e fuqishme, ashtu sic ishte ne kohen e Augustit”. DHe Xhaxhai e pershkruan ne menyre teper elokuente ate cfare nje artist shqiptar do te merret si me te vyeren nga nje atmosphere e tille, kur shkruan se … “ndoshta nuk është e rastit që muskujt, trupat gjysmë të zhveshur, heronjtë me putra ariu dhe qafa si trungje rrapi, femrat mashkullore dhe figurat androgjine, kreshnikët vetullkaleshë të miteve, luftëtarët apokaliptikë dhe idealet estetike hiperrealiste të pastërtisë, higjienës, racës, folklorit, atleticizmit dhe koralitetit do të lulëzonin njëlloj këtej dhe andej, djathtas dhe majtas, në kulturat e shoqërive nazi-fashiste dhe në kulturat e njëkohshme me to, dhe natyrisht të mëpasme, të shoqërive komuniste…”

    Ndofta skulpturat e tij nuk ngrihen dot aty ku do te deshironte kritika, per ti sherbyer kultures se popullit te tij, me ato perseritjet e tij tematike te perjetshme ( I fuqishmi, I madhi), dhe ndofta eshte gabim qe te pretendohet me teper.
    Ne analize te fundit eshte e mjaftueshme per te thene se Odise Paskali e ben me se miri ate qe asnje artist tjeter shqiptar nuk e beri dot me mire. Ne mos tjeter, ai meriton te kujtohet per perkushtimin e tij ndaj artit te tij dhe popullit te vet.

  4. ”’artit vertete revolucionar dhe atij reaksionar.””

    Shek 20 eshte shekulli artistikisht me skarso duke u nisur prej Rilindjes Italiane ne shek 15.
    Mesa duket revolucionar ben rime me skarso.

    Ka dy gjendje njerezore qe mund te prodhojne art, gjendja luftarake dhe gjendja spirituale, agresiviteti ne formen e kulluar dhe butesia ne formen e kulluar.
    Arti luftarak dhe arti fetar. Format e tjera ‘civile’ i kane rrenjet tek arti fetar, realizmi socialist eshte nje ‘aberracion’ i artit.

    Kur fetarja dhe luftarakja perputhen, si ne Greqine e lashte, kemi majat artistike. Idealet luftarake, te lidhura me te jashtmen gershetohen me idealet spirituale te lidhura me te brendshmen dhe gjejme skulpturat me te bukura greke dhe qypat me te bukur po greke.

    Egjipti ishte me spiritual, ashtu si India dhe Kina, kurse Roma me luftarake, prandaj qendrojne poshte Greqise qe arriti nje ekuiliber mes luftarakes dhe fetares. Bizantin e mbyti spiritualiteti.

    Tek ne, ne shek 20 ishte nevoja e luftarakes, ne s’kemi qene ndonjehere shume spirituale pasi su lidhem dot me nje fe te vetme dhe ne shek 20 Perendimi ishte thelluar ne artet ‘civile’ prej kohesh, civile (laike, profane) qe eshte nje eufemizem per lidhjen mes kristianes dhe paganes greko-romako-gjermanike.

    Konceptimi i artit si nje tjeter veprimtari ‘copy-paste’, eshte nje nga keqkuptimet me te medha qe e le shoqerine shqiptare ne mediokritet artistik.

    Ne jemi me shume romake e gjermanike e me pak kristiane apo greke, prandaj kur Italia dhe Gjermania ne kohet e fashizmit kerkonin rrenjet pagane , Italia ato te ‘virtu e valentia’ romake ndersa Gjermania ato ‘Wagneriane’ edhe Shqiperia, shtet i ri ne kerkim te rrenjeve dhe identitetit kulturor nuk mund te mos shkonte tek arti luftarak, i ndjekur me vone nga komunizmi kur ketij nuk i mjaftonte realizmi socialist per mbajtjen e pushtetit.

    Kulti i forces, mprehtesise se tipareve dhe bukurise trupore i perket artit luftarak, te vetmin lloj qe mund te levronte me sukses skulptori shqiptar, pasi e vetmja shenje e dallueshme e frymes shqiptare ishte luftarakja.

    Metafizika eshte ne themel si te etikes ashtu edhe te estetikes dhe jo me kot emra si Odise Paskali, Ismail Kadare e Sander Prosi, do ngelen ne historine e artistikes shqiptare, pasi keta ishin me afer frymes shqiptare.

    Askush nuk e do me shume femijen e tjetrit se eshte me i bukur apo i mencur se joti, prandaj edhe shqiptaret duan e do duan me shume ‘shemtine’ e frymes shqiptare se ‘bukurine’ e asaj se huaj.
    Pastaj ka pasur dhe ka edhe shume copy_paste-iste, po keta perfaqesojne aksidente historike, pak a shume si vllehet, realizimi socialist ose arti aktual, sado te perpiqen te vendosin veten si model edhe 500 vjet rresht.

    p.s Kunder instinktit qe me thote ta qep gojen, po ne dreq te veje… tha.

  5. Shtrirja e gjate kohore e subjektit krijon carje per debat.

    Po e filloj me faktin qe edhe pse ne artikull Qendro e lidh mungesen e prezences se ndikimit te periudhes se artit te renesances me faktin e pushtimit otoman prej shekullit XV, nuk mund te mohoet fakti se arti bizantin lulezoj ne territorin e shqiprise (Berat, Korc etj.) ne shekujt pas pushtimit otoman i cili nuk kish as nji lidhje me artin bizantin pervec mokthit cocial.
    Mokthi social, ky fenomen i cili bashkon perseri ne shekullin e XX’te – fashizmin dhe nazizmin perball me komunizmin, ose ana tjeter e se njejtes medalje.

    Edhe pse Arti (i suksesshem) eshte minoritet brenda llojit te vet, nuk mund te konceptohet i vecuar nga disa rrethana fillestare sociale, prandaj shoh marrje-dhenje te subjektit me te dyja kahet (izolim dhe hapje), per te mos perfunduar ne fajsimin e njeres per tjetren, duke e kthyer ne satelit njeren nga palet ne kendveshtrim.
    Arsyeja e mesiperme me nxit variantin e te menduarit, qe “Viganeve” i mungon realizmi socialist po aq sa i mungon moderrnja e “Viganeve” te izoluareve.

    Skulptura e Paskalit, Xha, eshte sukses i llojit, dhe me pelqen kur e shoh jo i ndikuar nga emrat e personave qe ka portretizuar ne to. Eshte nje lloj si kur shohim skulpturen egjiptiane apo grek-romane pa u ndikuar si ndodh me rastin e Pskalit. Eshte tjeter gje qe une personalisht, ose edhe shume te tjere, perfshire edhe ju, mendoj, nuk do te perdornim talentin per te njejtin lloj subjekti po te ishim artist-skulptore

    Premisa e “moderrnes” ne artikullin e Qendros ka shume per te diskutuar. Ma merr mendja se eshte pasthirrme e debatit mendor kompleks “pse mungon art moderrnist”, ne nje kohe qe smungoj art socialist. Eshte e njejta gje sikur “viganet” te ankohen qe “ju” j’u mungon arti i realizmit socialist.

  6. ””Pastaj, kur flitet per mundesine e perfshirjes se Shqiperise ne rrjedhat e artit modernist te viteve 30, kush jane kufinjte apo dritat qe perkufizojne, simbas kritikes se sotme shqiptare, kanalin ku do lundronte artisti shqiptar per ti sjelle popullit te vet artin e kohes se re moderne?””

    Shiko idashur, vete Qendro ben nje gabim kolosal ne gjykimin e vet dhe pastaj pothuajse mahnitet qe disa elemente te nderthurur midis realizmit socialist dhe frymes shqiptare, tek piktura te titulluara, Motra, Plaku, Çeta u pelqyen ne Kosove,e cila ne ndryshim nga ne ish futur ne rrjedhen historike te artit.

    Po ti heqesh anen propogandistike komuniste dhe ca elemente si katundaret e gezuar, punetoret e lumtur si piktures, skulptures dhe filmit gjate kohes se komunizmit, gjen frymen shqiptare.

    Shqiperia eshte me e ngritur se Kosova sepse ne Shqiperi komunizmi u detyrua te mbeshtetet tek fryma shqiptare, kurse ne Kosove u lejua cdo lloj modernizmi, pervec frymes shqiptare.

    Modernizmi ne Europe perfaqeson kaosin spiritual, Zoti kish vdekur, Europa u zhyt ne surrealizem, ekspresionizem, futurizem, kubizem etj . Surrealizmi e zevendesoi Zotin me psiken.

    Modernizmi perfaqeson shkeputjen nga tradita, eshte akt ateist, ku spiritualiteti kristiano-pagan i shek 19, i cili si shekull eshte ku e ku me lart ne cdo fushe te artit,muzikes e letersise, u mohua, filloi rremuja, shpejtesia, humbja e harmonise apo quajtja e kaosit harmoni, estetika u kthye permbys, me pak fjale metafizika u braktis per psikologjine.

    Si perfundim na solli post-modernizmin, i cili mbahet gjalle prej snobizmit si dhe te dallojme tek ky trash culture-n qe mbahet gjalle nga masat, po kjo si e shkeputur nga kultura popullore/foklorike qe eshte ku e ku me lart.

    Gabimi ne gjykim i Qendros, qendron pikerisht ne veshtrimin e artit shqiptar si ‘a priori’ i lidhur me ate perendimor, se shqiptaret u dashka ti kerkojne rrenjet tek arti perendimor meqe artistikisht Shqiperia u varferua kur u pre kordoni perendimor nga turqit, keshtu qe ne vitet 20-30 paska ndodhur dicka ‘e tmerrshme’ qe modernizmi nuk u perthith nga shqiptaret qe kishin studiuar jashte.

    Dallimi mes klasikes dhe cdo percaktimi tjeter, qendron tek universalizmi i klasikes, aty eshte arritur ‘objektivja’ duke u nisur nga subjektivja dhe sherben si etalon ku mund te ngjizet nje subjektive tjeter.
    Kur dicka behet klasike(jo se i takon Greqise klasike) nuk i takon me vetem nje kulture te caktuar, ajo i takon njerezimit.

    Kur shqiptaret kthehen me pasurine klasike dhe jo me modernizmat, kane qellim qe me ndihmen e objektivizmit klasik te ngjizin subjektiven shqiptare, artin shqiptar.
    Shqiptaret e viteve 20-30 ishin te ndergjegjshem per kete detyre, nuk zgjodhen viganet e gabuar.
    Jane shqiptaret e sotem qe nuk dine ç’bejne. Perendimit i duhet ‘grabitur’ ç’eshte klasike, ashtu sikunder cdo qyteterimi boteror qe ka arritur tek ndonje ‘klasike’ dhe me ndihmen e tyre si mjete objektive ti jepet nje dore subjektives shqiptare, muzikes, piktures, skulptures, politikes,etikes, filozofise etj.

    Sot kur perendimi eshte i mbushur me trash culture dhe s’po tregon me kurrfare kapaciteti permiresues, eshte detyra e popujve qe kane ende dicka per te thene, qe te zhvillohen nepermjet zbulimit te qenies se tyre duke shfrytezuar ‘klasiket’ kudo jane. Ne kete kendveshtrim ne jemi popull i privilegjuar per frymen e kohes, po privilegji eshte i rende per ate qe eshte i bindur ne inferioritetin e tij; katundari s’mban dot rrobe e pergjegjesi pasaniku, s’bejne per mua thote, ndersa djali i tij po.

  7. XhaXhai:

    [F]emrat mashkullore dhe figurat androgjine…

    Sinqerisht, të gjitha “durohen” nga arti i realizmit socialist, por kjo nuk përtypej fare. Sidomos tek tablotë që paraqitnin shoqet partizane ishte shumë e vështirë të dalloje një femër nga një mashkull. Dalloheshin vetëm nga flokët e gjata, nga mungesa e mustaqeve (jo të gjitha) dhe nga një dyshim gjoksi. Shote Galica e Ramës (në mos gabohem) nuk i ka as këto. Duket si një butch që bën zap jo vetëm gratë por edhe burrat. I shkreti Azem…

    XhaXha, pak më poshtë përdore shprehjen “ideale hiperrealiste”. Hiperrealismi, të paktën për greqishten, është surrealizmi. Këtu ç’kuptim ka? Një shkallë më të madhe realizmi?

    1. Kisha më tepër parasysh këtë.

      Gjithsesi, diçka më tepër se fotorealizmi; edhe pse shoh tani se termi qenka përdorur në fillim për fotorealizmin – dhe unë ashtu e kam ndeshur, në post-strukturalistët francezë (Barthes).

      Megjithatë, sot po duan të bëjnë një dallim mes fotorealizmit dhe hiperrealizmit; duke e bazuar këtë të fundit në një përkufizim të Jean Baudrillard, si “simulim i diçkaje që në fakt nuk ka ekzistuar kurrë.”

  8. Deri kur ndodhën demonstratat e 81-shit, kishte një bashkëpunim mjaft intensiv ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës. Kishte edhe bashkëpunim kulturor të mirë për kushtet e atëhershme të izolimit të Shqipërisë. Kulmi i këtij bashkëpunimi ishte viti 1980, kur Kosovën e vizitoi edhe Ismail Kadare dhe ministrja e arsimit dhe kulturës, Tefta Cami. Kadare kishte ardhur me rastin e botimit të “kompletit” të veprave të tij, në dhjetë vëllime (mungonte “Dimri i madh”).
    Po në këtë vit hapet edhe ekspozita e përbashkët e veprave të Odhise Paskalit dhe Abdurahman Buzës. Dy vjet më parë, në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte hapur poashtu një ekspozitë e përbashkët e artistëve figurativ të Shqipërisë. Thuhej se këtë ekspozitë e kishin vizituar mbi 40 mijë vetë.
    Ekspozita e Paskalit dhe Buzës ishte shumë e vizituar, dhe janë shpërndarë një numër i madh i katalogëve të këtyre dy artistëve. Edhe unë e vizitova këtë ekspozitë dhe i mora katalogët që jepeshin gratis. Në ballinën e katalogut të A. Buzës ishte tabloja “Shqipëria vallëzon”. Të gjitha ishin të stilit të realizmit socialist, përveç të 2-3 sosh që ishin krijuar para LDB-së. Ndër to më kujtohet një autoportret.
    Odhise Paskali ishte “ylli” i kësaj ekspozite. Kishte mjaft skulptura, disa enkas për këtë ekspozitë, si p.sh. “Idriz Seferi” në bronz. Nga katalogu i tij i vitit 1980, mbaj mend skulpturën e vitit 1928, “I urituri”, të punuar që kur ishte student i letërsisë në Itali. Ma kujtonte Poemën e mjerimit të Migjenit.
    Meqenëse burri i hallës sime ishte mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ai i merrte si musafir në shtëpinë e tij, gati të gjithë artistët që vizitonin Kosovën. Këta artistë ishin shumë të dashur për ne, dhe zakonisht “i mbulonim” me dhurata. “Odiseja nuk pranonte dhurata – më tregonte halla – kurse Abdurahim Buza nuk dinte të thoshte jo”.

  9. Ajo cka ve re ne kete shkrim eshte se me kritiken e kritikes (se Qendros ) xh2 meton ti “vere vetullat” te vertetes mbi mungesen e ndikimeve te modernizmit ne artet vizuale shqiptare te shek xx dhe, vertet ben saktesime te dobishme, por nuk i ka shpetuar nxitimit dhe,per pasoje, rrezikon ti “nxjerri syte” (te vertetes ) vecanerisht kur rreket te nihiloje rolin dhe krijimtarine e O.Paskalit.
    Ne vitet 30 Shqiperia nuk u perfshi ne rrjedhat e zhvillimeve moderniste te artit jo per faj te Paskalit dhe kater pese piktoreve te tjere te shkolluar ne Perendim te cilet sipas Qendros “zgjodhen viganet e gabuar”
    O. Paskali zgjodhi te ishte interpret i nevojave uleritese te kohes, ku mungonte arti skulpturor monumental, pra ajo tradite klasike qe kishte mbushur sheshet dhe galerite e Perendimit. Vertet Paskali eshte produkt dhe ndjekes i shkolles klasike heleno-romake por me disa punime ne vitet 20 tregoi se ishte edhe mjeshtri neoklasicizmit (i URITURI,) Thyerjet, ekspresiviteti e neoklasizimit gjallojne edhe ne skulpturen e tij monumentale te krijuar ne vitet e komunizmit (komunizem jo xhanem por kshu eshte mbiquajtur ) Mjafton te kujtoj monumentin e Partizanit Fitimtar, Luftetari Kombetar, Cerziz Topulli dhe ndonje tjeter qe dalin jashte korrnizave te skulptures statike te socrealizmit monumental.
    xh2 thote se skulpturat e Paskalit ” duan marrë më tepër si orvatje të sinqertë edhe pse groteske, në mos drejtpërdrejt të Paskalit së paku të epokës kur jetonte Paskali, për t’ia dhënë Shqipërisë një të kaluar kulturore sadopak monumentale”
    Grotesk me duket konstatimi per ta quajtur grotesk themelimin e kesaj tradite te ngritur ne boshllek. Nqs gjithe ajo tradite e skulptures monumentale europiane qe materializon figurat historike dhe mitike te kombeve perkates, ju duket groteske, prape nuk ngushellohem. Nuk mund te dalim jashte kontekstit te kohes, pavaresisht deshirave tona per te ecur ne nje hap me te tjeret. Ndryshe do binim ne situaten “sikur te kishte halla k…e ”

    Me tej xh2 vazhdon: “Natyrisht, vepra të tilla janë fryt i një estetike konservatore, madje regresive; e cila gjatë asaj kohe vërtet përçmohej nga modernistët anembanë kontinentit, ”
    Regresive ? Modernistet e velur nga klasicizmi i bukurise formale dhe akademizmi i ftohte i kanoneve kerkuan mjete dhe horizonte te reja shprehese por vlerat e krijuara ne te kaluaren mbeteshin dhe mbeten vlera. Arti eshte si stinet. Nese ne vere nuk vishet palltua kjo s`do me thene se percmohet si vlere e nje stine te shkuar.
    Po konteksti social-kulturor i Shqiperise se viteve 30 cili ishte? Fare mire mund ta karakterizojme me fjalet e Migjenit: shoqeri, hiq bragashat!
    Nqs perendimi ishte pushtuar nga izmat, arti shqiptar i viteve 30 duhej cliruar nga letersia reaksionare e mistifikimit dhe mitologjizimit te historise (roli neoshqiptarizmes ) duhej pastruar nga folklorizmi anakronik qe kendonte realitete me nimfa e zana e nderkohe maleve e vetmja legjende ishte ajo e misrit dhe malsorit me brekushe.
    Paskali me skulpturen e tij monumentale mbushi nje boshllek ne traditen e arteve vizuale. Por kjo krijoji vakumin e artit modernist-shton nihilisti. Ky nuk eshte vetem faji Paskalit. Epokat e munguara nuk mund tu faturohen disa individeve, sado ndikues te jete roli i tyre ne histori.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin