KATALOGU I FYTYRAVE

Në një intervistë dhënë tani së fundi, themeluesi i Facebook-ut Mark Zuckerberg ndalet ndër të tjera edhe në çështjen aq të debatuar të privatësisë.

Thotë Zuckerberg:

Duhet të kemi parasysh se gjërat kanë ndryshuar shumë në gjashtë vjetët e fundit. Dhe se koncepti që kam unë për privatësinë nuk është i njëjti me atë të tim eti, as me atë të një djali 14-vjeçar. Gjashtë vjet më parë, askush nuk dëshironte që të dhënat e veta personale të dilnin në ueb, ndërsa sot një numër i madh njerëzish s’e kanë për gjë të bëjnë publik numrin e tyre të celularit në Facebook. Për prindët e mi privatësia ishte vlerë, për moshatarët e mi vlerë është përndarja (sharing). Për ne kontrollet ndaj privatësisë kanë qenë gjithnjë me rëndësi që në krye, nëse kemi bërë ndonjë gabim, e kemi ndrequr menjëherë. Kryesor është dialogu me përdoruesit e sajtit, dhe ka ndodhur që këta kanë shtruar disa çështje dhe ne i kemi marrë parasysh duke i thjeshtuar punët dhe bërë më të kuptueshme.

Vërtet po zhvlerësohet kështu privatësia për brezat e rinj? Dhe, çka është edhe më e rëndësishme, vërtet nevoja për privatësi i kundërvihet nevojës për përndarje (sharing)?

Pyetjes së parë nuk di t’i përgjigjem; por nga përvoja vetjake, nuk më duket se brezi i ri ka ndonjë koncept të ndryshëm për privatësinë nga imi; ndoshta ndryshimi ka të bëjë me raportet e të rinjve me njëri-tjetrin, në krahasim me raportet e tyre me brezin më të vjetër. Çfarë këta e kanë të lehtë ta ndajnë mes tyre, mund të mos duan t’ua bëjnë të ditur, bie fjala prindërve.

Më anë tjetër, nevoja për të ndarë me të tjerët më duket se ndihet më shumë brenda një grupi, ose në kontekst; ndërsa nevoja për privatësi ka rëndësi pavarësisht nga konteksti. Një informacion imi publik në Facebook nuk është aq publik për njerëzit që më njohin – edhe pse gjasat janë që ata do ta përdorin vetën – por për të tjerët, për të gjithë ata që sot nuk më njohin, por që ndoshta interesohen për mua, për të më shitur mallra, ide politike, ideologji, propagandë e kështu me radhë.

Tek e fundit, unë përndarjen e shoh edhe si privilegj; nëse i ndaj me ty disa gjëra të miat, kjo ndodh ngaqë kam besim tek ti. Në momentin që privatësia e humb domethënien, atëherë edhe vetë vlera etike e përndarjes vjen e tkurret.

Ka edhe një aspekt tjetër që duhet cekur: privatësia merr rëndësi së bashku me peshën e një individi në jetën e të tjerëve. Sa më publik të jetë dikush, aq më kritike është që disa anë të jetës së tij të mbeten jashtë vëmendjes publike; dhe këtë e them jo vetëm duke pasur parasysh tabloidët, ose rrezikun për shantazh.

Sinqerisht, Zuckerberg-u më tingëllon hipokrit; sepse ai vetë tashmë bën pjesë në një elitë njerëzish të suksesshëm, të cilët i përkufizon pikërisht distanca nga të tjerët, muri ndarës ose… privatësia.

Nga ana tjetër, një sipërmarrjeje tregtare si Facebook-u i intereson që t’i kosherizojë përdoruesit e vet, sepse ashtu e ka më të lehtë t’ua zotërojë sjelljet, shijet dhe prirjet. Nga kjo pikëpamje, zhvlerësimi i privatësisë përfton para së gjithash insekte kolektiviste – bletë ose milingona, të dobishme para së gjithash për t’u ndërtuar piramidat faraonëve të rendit të ri të botëror: korporatave.

Për Facebook-un dhe rrjetet sociale në përgjithësi po flitet shumë, në disa nivele. Kohët e fundit, blogu Programe shqip ka botuar përkthimin e një analize të thelluar të Tom Hodgkinson me titull Me të tillë miq…, i cili meriton të lexohet krahas dhe përballë flluskave që lëshon Zuckerberg-u, për të kuptuar përmasën ekonomike të dukurisë.

Nuk ka komente

  1. Xha Xha,

    Me ndjej qe jam jashte temes por qe nuk ri dot pa e thene.

    Kam nje mendim timin per sa i perket fjales anglisht “privacy”. Ka kohe qe me beren perbrenda.

    Me qene se ti je mjeshtri i fjales dhe gjuhes tone shqipe, cdo te thoje nese ne do ta perkthenim kete fjale ne “mevehtesi”? Personalisht me pelqen shume dhe do doja qe te merej ne vemendje si nje zevendesim shume i pershtatur i kuptimit te kesaj fjale.

    Te lutem me jep arsyet perse nuk mund te kemi kete fjale ne gjuhen tone. Ajo eshte MEVEHTESI.

    C’fare thone antaret e tjere te blogut?

    What is your take?

    Falemnderit.

    1. Une e kam shkruar edhe me pare ne kete blog, e do te vazhdoj ta rikujtoj sa here te me jepet rasti.
      Vargjet me poshte jane te Lasgush Poradecit, qe e ka njohur konceptin dhe ka perdorur fjalen shqipe ne vjershe:

      Kur nuk ndjehesh fare mire,
      (Sepse shpirtin e ke plot),
      Ze kendon ne vetesire
      Pa te derdhen pika lot.

      … ne e kemi fjalen.

    2. Mua më pëlqen shumë fjala mëvetësi, si shqipërim i privacy (është më e mirë se kalku privatësi). I vetmi problem është që mëvetësi në shqipen librore e ka ruajtur kuptimin “pavarësi”, meqë ashtu është përdorur në dokumentet historike të kohës. Fjalori i Shqipes së Sotme e jep si të vjetëruar (arkaizëm), meqë tashmë është zëvendësuar nga pavarësi. Për t’u vërejtur këtu që raporti kuptimor midis pavarësisë dhe privatësisë nuk është aq i tejdukshëm sa ç’mund ta sugjerojë ndërkëmbyeshmëria e fjalëve; në fakt, mëvetësi me kuptimin “pavarësi” do marrë si leksikalizim (njëfjalësim) i togut më vete, në përdorimet: doli më vete, jeton më vete, kokë më vete (njëlloj si mëkëmb që lidhet me togun (ngre) më këmbë) ose i mëvonshëm me më vonë, mëdyshje nga më dysh, mandej nga më andej etj.); ndërsa mëvetësi, me kuptimin “privatësi” mund të perceptohet si thjesht formim me parashtesën përforcuese m(ë)- (që del edhe te mvesh, mburr, mbart, mbrapa, i mvarur (khs. me të vjetëruarën i pamvarur), mëkoj, mpak etj. Nuk po futem në analiza etimologjike të mëtejshme.

      1. Shume i bukur shpjegimi.

        E kuptoj se nuk mund te futet nje fjale e re, vetem me deshiren time apo te ndonje tjeri por e mira eshte qe te debatohet per te. E perseris qe me pelqen. Edhe qe e shkruaj ashtu; mevetesi. Me-ja ketu nuk eshte si me fj.vj. mekembje ose me dyshje por si: “me veten time”. Nuk e kam mundesine per ti vene pikat eeeese se shkrete.

        Jo se nuk e kam menduar ngjashmerine e saj me pavaresine.

        Duke qene me veten tende mund te jesh i varur ne nje mori’ fijesh deri te pavaresia e vendit tend. Me duket si rast ideal per ti vene Dermen nje fjale te huaj. Kush e di se kur na vjen perseri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin