ME DRU, ME METAL

Te një reportazh fotografik për komunizmin në Shqipëri, të cilin e pashë në faqen shqip të Deutsche Welle, më bëri përshtypje thënia e mëposhtme për Muzeun Historik në Tiranë:

Muzeumi duhet të “çarmatoset”, mendojnë specialistët. Në të tregohet kryesisht se si ka luftuar populli shqiptar.

Kjo natyrisht ka shumë të bëjë me konceptimin e historisë sonë kombëtare si histori luftërash; duke filluar që nga thënia “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë,” të cilën ia atribuojnë Enver Hoxhës.

Këtu janë një numër çështjesh që ftojnë për diskutim.

Së pari, mund të pyetet se çfarë i mbetet historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve po t’i heqësh armët dhe fortifikimet, përtej objekteve me natyrë etnografike (kostumet popullore, orenditë shtëpiake, etj.) të cilat, në thelb, nuk janë dhe aq historike.

Më pas, mund të pyetet nëse ky vizion i historisë sonë si histori luftërash i detyrohet më shumë ideologjisë që ka frymëzuar historiografitë zyrtare (romantizmi, kombëtarizmi, marksizmi etj.), apo faktit që ne vërtet jemi identifikuar në shekuj nëpërmjet armës që kishim në dorë.

Më në fund, mund të krahasohet kulti i armëve në kulturën e sotme kombëtariste shqiptare me çfarë ndodh në vende të tjera; meqë muzeumet e armëve nuk i kemi shpikur ne të parët.

Me këtë rast, m’u kujtua një vizitë imja në Kunsthistorisches Muzeum të Vjenës, ku e njëjta biletë më siguroi hyrjen në tri muze të ndryshme: Koleksionin e armëve dhe të armurave, Koleksionin e instrumenteve të vjetra muzikore dhe Muzeun e Efesit.

Më duhet ta pranoj se unë kisha shkuar aty kryesisht për të parë… armët e Skënderbeut!

Megjithatë, kalimi nga sallët me metal të ftohtë të shpatave, shtizave dhe armurave, në drurin e ngrohtë të instrumenteve muzikore më shërbeu njëkohësisht si leksion i filozofisë së njeriut: çfarë bëjmë, çfarë mund të bëjmë.

Rrallë qëllon që të vritet dikush me ndonjë instrument muzikor; në një kohë që armët bëjnë vërtet shumë zhurmë, por nuk janë të përshtatshme për të prodhuar muzikë. Megjithatë, këngëtarët gjithnjë u kanë kënduar betejave, të rënëve, luftërave dhe heronjve; edhe pse njerëzit rrallë kanë luftuar për çështje të muzikës.

Sallat e shumta me uniforma dhe pancire çeliku të kalorësve të Mesjetës nuk di pse më kujtuan, sistematikisht, ndonjë fabrikë të braktisur robotësh; në një kohë që mandolinat, llautat, kitarat, violinat dhe instrumentet e tjera të panumërta përtej më sollën ndërmend një kopsht bostanesh.

Industri nga njëra anë, kopshtari nga ana tjetër.

Idhujtaria e armës rreket të të bindë, dashur pa dashur, se punët gjithnjë zgjidhen me dhunë; por pastaj të del përpara instrumenti muzikor, i mrekullueshëm në kotësinë e vet, si mishërim i dashurisë së kulluar, që të kujton se jeta është diçka më tepër sesa mbijetesa vetëm.

Nëse historinë e armëve dhe të kështjellave të djegura na e kanë imponuar të tjerët, atëherë le të pranojmë, qoftë edhe në heshtje, se jemi të vrazhdë, si dhelpra që u ka shpëtuar paq stinëve të njëpasnjëshme të gjahut.

Le të pranojmë, gjithashtu, se instinkti i mbijetesës që kemi kultivuar në shekuj tashmë po na pengon ta jetojmë bashkëkohësinë të plotë.

Armët vërtet mund t’i ruajmë; madje edhe të vajisura mirë – por në bodrume, jo në stenda muzeumesh, madje edhe sikur kjo të kërkojë zëvendësimin e një pjese të historisë me etnografinë.

Tek e fundit, shqiptarët vonë i kanë zbuluar qytetet, si vende ku prodhohet historia; përkundrazi, kanë jetuar në fshat, ku koha përjetohet në mënyrë ciklike, së bashku me fazat e hënës, shtegtimet e patave, stinët dhe përmbytjet. Një qeleshe mund të jetë po aq e vjetër sa edhe përkrenarja e Skënderbeut; edhe pse mund të jetë prodhuar vetëm dje.

Ndoshta në muzetë e historisë duhet t’i hapim pak më shumë vend qenies, ose arsyes, sado të munguar, të luftërave të djeshme.

Nuk ka komente

  1. “Muzeumi duhet të “çarmatoset”, mendojnë specialistët. Në të tregohet kryesisht se si ka luftuar populli shqiptar”.

    Me sakte gjermani mund ta kishte thene: “Ne te tregohet kryesisht ME SE ka leftuar populli shqiptar”. Per arsye se ne eksponate nuk mbaj mend asnje lloj skeme grafike per teknikat e hapjes, versuljes, rimbushjes, terheqjes etj. Studiot historiprodhuese te diaspores, ne fakt, pas dokumentarit atletik mbi Skenderbeun, me stilin e “300”, mund ta nisin ta mbushin edhe kete boshllek, duke prozuar videolodra taktike me tituj si “Torvioll-Vaykal:The Revenge.” etj.

    Megjithate armet ne eksponate, groposur pertej xhamit rikontekstualizues (Thyeje ne Rast Rreziku), jane fantastike: filigranat eksituese qe mbeshtjellin pisqollat e pavionit te Lidhjes se Prizrenit, si te qene dantella ne pulpa valltaresh Cancan-i, jataganet aerodinamike, me kthesen mu aty ku duhet dhe me rigat e metaleve te vyera inkrustruar teh e poshte, e deri tek triumfet demode te teknologjise qe vijne duke evoluuar ne armet joartizanale ne katet me siper te historise. Nje muze armesh (me vjen keq qe nuk e kam vizituar me kohe ate te Gjirokastres, se thone se eshte pergjysmuar tashme) eshte ne rradhe te pare nje muze dizajni, mendoj. Personalisht, e fundit gje qe me bie ndermend (po ama me bie) ne nje muze armesh te mesjetes se vone-fillimit te modernitetit, eshte dhuna apo lufta: detajet neper armet e sterilizuara te fusin ne nje bote deshifrimesh e ornamentesh, kaligrafish e bestytnish: sidomos armet e Lindjes se Aferme, Japonise, Indise e arkipelageve Malajo-javaneze, jane ne pergjithesi kaq femerore, manieriste e delikate, sa duken krejt kunderproduktive, gati komplotiste kunder luftes. Cka mbase shpjegon poetikisht, me tej, edhe kolonializmin qe i skualifikoi lehtesisht, e furnizoi me to fill pas betejave rekuizita e dekore dhomash zjarri a muzeumesh neper Europen ku i shohim sot e gjithe diten.

    PS: Xhaxha, ne linkun e DW qe ke lidhur ketu, nuk di a te beri pershtypje fotoja nr. 7 e revistes: ec e gjeje pse dosjet e denimeve e burgjeve jane mbeshtjelle nje per nje me reklamen e djersitur homoerotike te parfumit te Jean-Paul Gaultier-se…

    1. Në fakt, tani po kujtohem edhe unë, që kur vizitonim, ende fëmijë, Muzeun e Luftës Na-Çl te Rruga e Barrikadave, na mbeteshin sytë te pushkët e shumta (në librat e letërsisë për të vegjël këtyre u thoshin paticka ose malihere) dhe pyesnim: po sikur të ndodhë ndonjë e pathënë, dhe t’i vjedhë këto armë ndonjë keqbërës, që të hapë pastaj zjarr kuturu kundër masave punonjëse? Na qetësonin duke na thënë se punonjësit e muzeut ua kishin hequr gjilpërat. Ne nuk e dinim se ç’ishin tamam gjilpërat e pushkëve, por ama ishim në një moshë kur gjilpërat i kishim shumë frikë, çka na bënte dyfish të druajtur ndaj një arme që jo vetëm mund të të mposhtte me plumb, por edhe të të shponte, tradhtisht, me gjilpërë. Gjithsesi, kjo që them mund të jetë edhe ndonjë pseudo-kujtim, që ma ka ndjellur në kokë historia, e shumë-përsëritur, se kur po hynte Italia fashiste në Shqipërinë e prillit 1939, Zogu kishte dhënë urdhër që t’u hiqeshin gjilpërat armëve në depot (atyre armëve që i kërkonte populli). Të shkretat armë, ç’kanë hequr.

      Kur lexoja ç’më thoje për armët e orientalëve, të mbuluara me stoli dhe xhixha, më erdhi në mend një uniformë kalorësi mesjetar japonez, që kam parë, në mos gabohem, të fshehur në një skutë të Muzeut Metropolitan këtu në NYC, si të trembur nga korracat prej hekuri të kalorësve perëndimorë (që pastaj u desh të dilte një Skënderbe, që t’ua hiqte edhe këtyre gjilpërat). Por ky japonezi e kishte veshjen shumë të butë, prej skene teatri; madje edhe nga trupi vinte si i vogël, gati-gati kishte turp që ndodhej në shoqëri të gjithfarë Van-ëve dhe Von-ëve; kishte edhe një si rrjetë metalike kinse për t’u mbrojtur, që ne sot nuk do ta kishim zënë me dorë as për të kruar tenxheret (këtë e them në kuptim figurativ dhe për të kënaqur nostalgjikët; përndryshe sot si në armatim, ashtu edhe në kuzhinë, përdoret gjerësisht tefloni).

  2. Tani e pashë prapë ekzibitin no. 7 të foto-prezantimit; më le gojëhapur. Për mendimin tim, këto dosje të serta do t’i jenë blatuar shoqatës si ndihmë bujare nga ndonjë bamirësi perëndimore, që kushedi ku i ka mbledhur, në çfarë dyqani rraqesh të pashitshme (mallra me qarkullim të ngadalshëm, i quanin këto)!

    Gjithsesi, ia bëra fotos një kopje rudimentare që po e përcjell këtu:
    null

    Fotoja shoqërohet nga ky tekst:

    Si mund të merret statusi i të përndjekurit politik? Me një kërkesë që bëhet tek Shoqata e ish të përndjekurve politikë, jepen të dhënat për kohën e dënimit ose të internimit. Shoqata kërkon të dhënat nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, ku janë mbledhur të gjitha dosjet. Dosjet që shihni në fotografi janë dosje që tregojnë për dënimet e kaluara.

    Ja edhe fotoja origjinale, për të gjithë ata që s’e hanë sapunin për djathë:

  3. Muzeumi Kombëtar i Armëve në Gjirokastër sot është një hije e shkëlqimit që ka pasur dikur muzeumi, me ato koleksione të pasura armësh, sidomos nga perjudha e pushtimit osman, të gjitha të punuara në duar e të stolisura me ar e argjënd. Hera e fundit që e vizitova ishte vjet në behar, në kala të qytetit. I gjithë ambjenti ishte i trishtueshëm. Vetëm tre nëpunës ishin në kala. Një roje private, një pastruese edhe një nëpunës me shumë role (roje, shoqërues, biletëprerës, mbase edhe drejtor).

    Brënda në muze na tregoi shoqëruesi se pavijoni i lashtësisë ishte hequr për arsye sigurie. Ato shpata që më kishin bërë përshtypje kur isha i vogël mungonin tani. S’kishte as shpata, as përkrenare, as parzmore, as mburoja, as heshta, as harqe e shigjeta, as sika, as sibuna, as ushta, as hobe, as kama e as pafta.

    Po ashtu mungonte edhe pavjoni i mesjetës dhe i perjudhës osmane. Nuk kishte as këmisha metalike, as helmeta, as shpata, as palla, as sopata, as çekanë luftarakë, as halebarda, as topuzë, as arbaleta, as jataganë, as hanxharë, as shigjeta, as mazdrakë, as balestra, as shkopeta, as mushqeta, as mushqetona, as arqebuzë, as pisqolla, as mortira, as karjfile (prodhuesit Carlo e figli), as martina, as huta, as calina, as kalemtushe, as cuba, as karbëresha, as lezhiane, as egzalia, as serme, as alltina, as kapsulie, as dollaplia, as petica, as shishane, as beshlie, as latune e as vezme.

    Ato që ekspozonte tash muzeu ishin armë nga perjudha e Rilindjes deri në Luftën e II Botërore. Pra kishte breshana (prodhuar në Brescia), shishapo (Chassepot mod. 1866), fushnja (etimologjia nga fusil), malihera apo manlihera (në jug të ardhura kryesisht nga Greqia të tipit Mannlicher-Schoenauer, kurse në veri kryesisht nga Austria e Italia, përkatësisht Mannlicher dhe Mannlicher-Carcano) me bajonetat e tyre madhështore, kishte manxera (Mauser turke e gjermane), belxhikë (Belgique) më kapi syri një Lee Enfield anglez si edhe mjaft pistoleta Mauser 1908, revolverat shumë të përhapura Nagant dhe pistoleta austriake Steyer. E keqja ishte se për asnjë armë e objekt nuk kishte tabela dhe kështu nuk munda të përcaktoja disa armë që më bënë përshtypje. Shoqëruesi kur më pa se unë po identifikoja shumë nga armët më kërkoi që t’i tregoja se ç’ishte një në mur që kishte dhe ai në shtëpi (nga gjyshi?). Doli se ishte një Mauzer turku, mod. 1903.

    Shumica e armëve viinte natyrisht nga perjudha e L II B, perjudha e mitologjisë komuniste, prandaj gjithkah shikoje helmeta italiane (greke), helmeta gjermane të tipit “fritz”, helmeta franceze e angleze (greke), pushkë gjermane Mauser K98k, pushkë italiane Carcano, automatikë italianë Beretta, automatikë gjermanë MP 40 (s’ka film shqiptar ku gjermanët të mos paraqiten me këtë armë në duar), mitraloza italianë Breda, mitraloza gjermanë MG 34, mina gjermane teller, granata dore, mortaja, kundrajrorë, pistoleta gjermanë luger P08, pistoleta walther P38, pistoleta Beretta, por edhe diçka që nuk e prisja; automatikë gjermanë Sturmgewehr 44 (shoqëruesi insistonte se ishte “kallash”).

    Diçka tjetër e papritur që vinte në kontradiktë me historiografinë komuniste ishte prezenca e një sasie të konsiderueshme të armëve aleate (britanike). Kishte automatikë Sten Mk II, mitraloza të lehtë BREN dhe granathedhësa kundërtankë PIAT. Madje disa armë të tilla i pash (në retrospektivë) që përdoreshin në filmat epikë me partizanë (si tek Dimri i Fundit). Pse ndodheshin atje? Nuk besoj se ata që i vendosën e dinin se ishin prodhime britanike por edhe sikur ta dinin bazoheshin tek injjoranca e popullit që besonte se ishin trofe e luftës.

  4. Jam kurioz te di kush jane specialistet qe kane propozuar idene e “çarmatosjes” te Muzeut ?

    Meqenese e njoh permendesh ate muze, mund te them qe ideja e çarmatosjes eshte teresisht e pabazuar!

    Muzeu eshte konceptuar ne formen e nje vizite kronologjike qe ti krijoje vizitorit nje ide (pa e lodhur) mbi historine e Shqiperise dhe shqiptareve . “Armatosja” e disa sallave vjen natyrshem dhe ne menyre teresisht te balancuar. Per shembull: pas salles heleno-romake, ka nje pasazh (nje paradhome) me Baton, kryengrites ilir dhe menjehere me pas rivjen nje salle me skulptura romake (salle e pushtimit romak). Pas hapesires ku flitet per zhvillimin e kultures arberore dhe fetare, vijne “shpatat, heshtat dhe mburojet” e Skenderbeut dhe salla qe vjen menjehere me pas (ne sensin e guides) eshte nje salle (disi e izoluar) me nje koleksion pullash poste. Dmth, ne dy kate muze ku ndodhen me dhjetera vitrina e qindra objekte, ka vetem nje salle e çerek (ajo paradhoma e Batos) “te armatosura. ”
    Nje kat me siper, vjen salla e Rilindjes kombetare. Ne te majte ka objekte te kesaj periudhe, veshje, arme, riprodhime te objekteve te asaj kohe. Ne fund eshte shqiponje e ndertuar me pushket e bashkuara, simbol i Lidhjes shqiptare te Prizrenit. Te qendrojme pak ne kete pike: A duhet çarmatosur kjo shqiponje pushkesh qe simbolizon kryengritjen e armatosur te shqiptareve kunder roberise? Se mund te ndodhe qe keta “specialistet” te thone edhe qe gjate rilindjes nuk u shkrep asnje pushke. Edhe kjo ndodh. Salla perfundon me nje monument te Ismail Qemalit (te paarmatosur).
    Dicka me tutje, gjithmone sipas kronologjise, eshte salla qe tregon perpjekjet e shqiptareve per te mbrojtur pavaresine. Ka arme, harta, faksimile, gazeta te kohes! Mbrojtja e trojeve u be kryesisht me arme! Ndoshta keta specialistet, dine ndonje version tjeter te historise?
    Gjithsesi, si per ta zbutur, jo larg kesaj hapesire te rrezikshme, vjen salla e ikonave shqiptare.
    E serish, rifillojne problemet per specialistet. Shfaqen ne nje korridor te ngushte, fotot e Ahmet Zogut, fotot e kontit Ciano, Duces, etj etj. Pushtimi Fashist. Ka vetem foto dhe asnje arme.
    Ne fund te korridori, vjen ajo, e perbindshmja salla e armeve qe tmerron “specialistat” tane: salla e LANC’it. Foto, faksimile, objekte te ndryshem, arme, piktura murale, etj. Mos eshte kjo ndoshta ajo hapesire qe duhet çarmatosur? Ndoshta duhet te vendosen ne kete salle ca zjarre ne vater me pula e qingja ne hell?
    Zbret nje kat me poshte.
    Salla e etnologjise shqiptare, objekte tradicionale (kryesisht veshje) dhe kulturore te trevave shqiptare. Asnje arme.
    Ne te njejtin kat, ne te majte ndodhen pavijoni i diktatures. Objekte te viktimave dhe faksimile nga koha e diktatures.
    Ketu mbaron edhe guida ne muze.

    Mendimi im xhaxha eshte qe muzeu ka nevoje per nderhyrje (rikonstruktim) fizike (ndricim me te mire, ajrim me te pershtatshem, kushte normale per vizitat ne vere dhe ne dimer, mbrojtje nga lageshtira, etj). Por dokrrat me çarmatime te muzeut me argumentin se aty tregohet vetem sesi shqiptaret kane luftuar, kete e kupton dhe nje femije kur e viziton ate muze qe ky argument eshte idiot. Ai eshte Muzeu Historik Kombetar, pra muzeu i historise se shqiptareve dhe per mendimin tim strukturimi i vizites sipas kronologjise historike eshte i mire dhe i balancuar. Ne ate muze jane vene me ne pah momentet me te lavdishme te historise shqiptare qe nga kryengritjet e Batos, ne periudha kulturore romake, nga ajo e zhvillimit te kultures arberore, tek betejat e Skenderbeut, nga pavijoni i pullave te postes, tek salla e Rilindjes Kombetare, nga salla e pas’Paveresise (dhe e luftes se I boterore) tek pavijoni i ikonave, nga salla e LANC’it menjehere tek salla e etnografise, nga pavijoni i diktatures tek dyqani i suvenireve. 🙂

    Une tek ajo çarmatosja, pervecse nje çakerdisjeje (e kohes kjo) nga ana e “specialistave”, shoh tendencen e tyre per te çarmatosur historine e shqiptareve,e cila, ta pranojme, nuk ka qene “roze”, por e pergjakur.

    Si perfundim, mqs kam punuar si guide per nje kohe te konsiderueshme, mund t’ju them qe ato qindra turiste qe une kam shoqeruar, kane mbetur tejet te kenaqur nga ky muze dhe s’jane ndjere ASPAK te tronditur nga armet. Perkundrazi, pikerisht balancimi i permbajtjes se sallave, ka qene nje nga pikat e forta te muzeut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin