KËPUCËT NË GOZHDË

Në një analizë të botuar sot në Gazetën Shqiptare, Ahmet Shqarri vajton për gjendjen mjerane të futbollit në Shqipëri.

Edhe pse futbolli shqiptar mua sot nuk më intereson fare në vetvete, përsëri më vjen keq që brezat e atjeshëm po privohen nga përvoja dhe emocionet që kam provuar unë dhe shokët e mi, vite më parë, kur ia mbushnim Tiranës stadiumin çdo të diel.

Kur shoh në gazeta e në TV pamje të shkallareve të zbrazura, më duket sikur jam unë që kam harruar të shkoj atje, për të shijuar lojën dhe mbështetur skuadrën time.

Shkruan Shqarri, me rastin e përfundimit të kampionatit në Shqipëri [theksimi im, 2Xh]:

Sa herë kemi dëgjuar apo të shkruhet këto ditë, prej të gjithëve, dhe jo vetëm prej ndonjërit që na paska dëshirë “të nxijë realitetin” e futbollit tonë, se ky kampionat i superiores tek ne ishte një dështim i vërtetë; sa herë kemi parë gjatë kësaj gare, e veçanërisht gjatë fazës së tretë kur gjithçka u bë llucë e baltë, se ndeshjet në përgjithësi ishin të trukuara; sa herë jemi përballur me deklarata dhe intervista të guximshme, deri në çjerrjeje maske për ata që vetëm për ditë “kurorëzimesh” dalin në skenë, se ky kampionat duhet të fshihet nga historia e futbollit tonë për gjithë ato parregullsi dhe skandale në të cilat është përfshirë?

Pse ka ndodhur kështu me një festë popullore si futbolli, në Shqipëri?

Shpjegimi që zakonisht sillet, se njerëzit tani i shohin ndeshjet në TV ose ndjekin kampionate të vendeve të tjera nuk më bind; sepse interesi për futbollin mbetet i madh kudo gjetiu në Europë dhe në botë, të paktën atje ku ka qenë po aq traditë sa edhe ndër ne.

Po ashtu, skandale me shitblerje ndeshjesh, korruptim arbitrash dhe marrëveshje mes skuadrave kanë ndodhur edhe gjetiu, madje edhe në superfuqi futbollistike, si Italia; por këto vende i kanë gjetur forcat, për ta korrigjuar kursin, duke treguar, të paktën, vetëdijë të lartë qytetare dhe publike.

Për mua, kjo krizë e futbollit është si ajo kanarina që ngordh e para, në galeri të minierës: tregon se shoqëria shqiptare është e sëmurë, tepër e sëmurë. Gëzimi i çiltër, i çinteresuar i një të diele të kaluar në stadium – ku veç lojës do mbajtur parasysh edhe rituali i organizimit, i grupit, i njerëzve që takohen, i festës pas ndeshjes, i udhëtimit nga një qytet në tjetrin e kështu me radhë – është zëvendësuar nga përçudnimi i basteve, larjes së parave të pista, dhunës në fushë të sportit dhe shëmtimit të përgjithshëm.

Një manifestim i vetëdijes publike të degraduar për të cilin s’mund veçse të të vijë ndot; por pastaj kujtohesh se vetëm njëzet vjet më parë, fusha e futbollit në Shqipëri ishte ende një palestër ku kultivohej virtyti – në mos për lojëtarët, të paktën për publikun: shpirti luftarak, fair play, shpirti i sakrificës, gjakftohtësia; në mënyrën e vet, tek ndeshja e së dielës mijërat e sportdashësve përjetonin dramën dhe katarsis-in e përjavshëm.

Për më tepër, një derby legjendar si “Tirona-Partizoni”, nuk ishte veçse maja e një piramide të admirueshme përpjekjesh, që nga klasat sportive e deri te puna me të rinjtë dhe talentet, ose me ata mijëra e mijëra fëmijë që ëndërronin që një ditë të dilnin edhe ata në fushë, për të veshur fanelat e skuadrave të tyre.

Nuk dua ta idealizoj sportin në totalitarizëm; por vetëm të vë në dukje se përtej ideologjisë, bullshit-it komunist, ndërhyrjeve nga anëtarët e politbyrosë dhe hierarkët dhe patriarkët, rrëmbimet e lojëtarëve nga ekipet e privilegjiuara, frikësimet e arbitrave dhe persekutimet politike të futbollistëve me “njolla”, sporti i mirëfilltë gjithnjë gjente mënyrën për t’u manifestuar, në pastërtinë e vet etike.

Po sot?

Tepër e lehtë të thuash se një sport virtyti si futbolli nuk mbijeton dot në një shoqëri që i është përkushtuar adhurimit të vesit; edhe pse kjo mund të jetë, tek e fundit e vërtetë.

Shitblerjen, korrupsionin, pisllëkun e palëve, grykësinë, lidhjet me krimin e organizuar, të gjitha këto i kemi thënë, ne dhe të tjerë më parë dhe më mirë se ne.

Këtu dua vetëm të theksoj një aspekt që ndonjëherë harrohet: marrëdhëniet e futbollit me provincën, me jetën në provincë, me të dielën në provincë; së bashku me festivalet, kremtimet, kostumet, folklorin, tryezat e restoranteve dhe riprodhimin e identitetit nëpërmjet gëzimit.

Kriza e futbollit shqiptar nuk është pa lidhje me likuidimin e provincës shqiptare, si vend ku mund të jetohet, të krijohet dhe të shijohet e përditshmja.

Nuk është pa lidhje me faktin që sot banorët e periferive e identifikojnë veten me distancën në kilometra që i ndan nga Tirana.

Idealisht, një kampionat kombëtar, në çdo sport, do të shërbente edhe si një platformë ku Shqipëria të komunikonte brenda për brenda, nëpërmjet shkëmbimit sportiv – jo vetëm të skuadrave, por edhe të tifozëve, të kulturës lokale, të turizmit, të produkteve. Kampionati do t’i vinte kështu provincat në një rrafsh me qendrën; por për t’u afirmuar si vatra të kulturës dhe të krenarisë lokale, jo për t’u reklamuar si dyqane gladiatorësh për arenat dhe bastet shumëmilionëshe.

Kjo nuk po ndodh; madje kampionati tanimë nuk kuptohet më se për çfarë shërben – për të promovuar interesat e sponsorëve, për të shitur mallrat që reklamohen, ose edhe lojëtarët vetë; për t’u ofruar një platformë randomiteti basteve… me fjalë të tjera, diçka kulturorisht po aq irrelevante sa edhe bixhozi.

Nuk po shtoj gjë për trishtimin që më kap, kur lexoj artikuj si ky i Shqarrit; tek e fundit, ta quash futbollin metaforë të jetës është klishé, por ndoshta kjo këngë do t’jua përcjellë mendimin tim më mirë se fjala e shkruar.

Nuk ka komente

  1. Shumë saktë! Kriza e sportit shqiptar është krizë e vetë shoqërisë shqiptare. Madje, për ta thënë troç, shoqëria shqiptare është kthyer në një llum të paparë, në një gjëndje të çuditshme apatie dhe ngërçi; është turp që kombi me moshën më të re në Evropë – dhe këtu fus edhe Kosovën – nuk ka nxjerrë një tenist apo teniste për të qenë; shikoni serbët dhe kroatët…Pa folur për reklamën që u bëjnë vendeve të tyre në mbarë botën.
    Mirëpo rinia kosovare ose e kalon kohën kot, ose merret ende me një të sëmurë si Albin Kurti. Po ashtu, rinia shqiptare – kryesisht tiranase – e kalon tërë ditën nëpër kafene, kurse mbrëmjen nëpër pabe, sigurisht me celularët më të fundit dhe me rroba firmash.
    Sa për sport, p.sh. futboll, basketboll, volejboll, ping-pong, atletikë, qitje, hipizëm, mundje, etj, etj, as që të shkojë mendja.
    Dikur jo vetëm stadiumet ishin plot, por edhe pallatet e sportit. Kurse kampionati i shahut ndiqej madje edhe me komente televizive, ku shquhej komentatori Zef Ashta.
    Kurse sot nuk gjen një fushë sporti për të luajtur futboll.
    Natyrisht këtu e ka fajin edhe Shoqata e Ndërtuesve, që nuk ka lënë fushë sporti, që nga Shallvarret e deri tek Ali Demi e Qyteti i Nxënësve, pa e mbushur me pallate. Dhe pse jo, edhe kryetarët e bashkive të Tiranës.
    Sa për rrethet, që autori e quan me të drejtë “provincën”, harroje.
    Shqipëria sot është e ndarë më dysh – Tirana nga njëra anë, dhe jo-Tirana nga ana tjetër.
    Kurse Tirana, sigurisht, është e ndarë edhe ajo në ish-Bllokun nga njera anë dhe pjesa tjetër e Tiranës.
    Shkurt, Shqipëria sot është ish-blloku; atje është jeta, qejfi, politika, financat, thashethemet, droga, makinat luksoze, gjasme-xhiroja, shkurt, gjasme-jeta.
    Pjesa tjetër është kot.

  2. Festat e futbollit dhe të sporteve tjera, sikurse edhe festat në përgjithësi, kanë një lezet të veçantë në provincë. Ato e gjallërojnë provincën dhe e mbushin me jetë. Kryeqytetet edhe ashtu janë të privilegjuara në çdo pikëpamje.
    Kam vënë re se ata që ishin më të varfër më shumë i përjetonin festat fetare, bajramin apo krishtlindjet. Kështu edhe provinca, si më e varfër, i përjeton më fuqishëm festat.
    E ndiej vetën shumë keq për gjendjen e futbollit dhe të sportit në Shqipëri dhe Kosovë. Edhe pse në Kosovë ka pasë një ringjallje të basketbollit pas lufte, gjendja në përgjithësi është e keqe.
    Kënaqem vetëm me të kaluarën – edhe sot e mbaj mend gëzimin e madh kur Kushta i Flamurtarit e eliminoi Partizanin e Beogradit me një gol shumë të bukur. Në fund të lojës, lojtarët e Flamurtarit nuk patën kujt t’ia dorëzojnë lulet. Lojtarët serb nuk mundën ta fshehin shovinizmin – i rrefuzuan lulet e shqiptarëve.

  3. Kam bindjen se ne shkrim nuk ke permendur aspektin me te shemtuar per fushen e futbollit. DHUNEN; qe eshte e pranishme gati ne cdo takim. Gjyqtari nuk ka piken e autoritetit ne fushe dhe gjithshka djemte e zgjidhin me njeri-tjetrin dhe vetem me sherre dhe grushta. Shikon gjyqtare qe ndiqen kemba-kembes nga te njembedhjete lojtaret dhe shpesh edhe nga traineret dhe rezervat.

    Une shoh shume ralle TV dhe akoma me pak futbollin tone. Por nje dite, i ndodhur ne nje lokal per pushim, syte me shkojne te televizori dhe c’te shoh. Nje rrovolepsje e pa pare midis nje ekipi udhetues qe nuk e mbaj mend se cili ishte me Gramozin ne Erseke. Vijerojtesi ose si i thoshnim ne, gardalina, me sa duket per nje dhenie te nje pozicioni jashte loje, po gjurmohej nga i gjithe ekipi i Gramozit kemba kembes. Ne momentin qe gjygjtari u ndodh ne piste perpara pankines se Gramozit, dhe me mendimin qe ja kishte hedhur paq, qellohet pabesisht me nje grusht shume te fuqishem nga ndihmes traineri i Gramozit.

    Sikur te ishte vetem korrupsioni dhe punet e pista qe bejne do ishte cereku i te keqes se ato nuk duken ne ekran dhe do benim si do benim po grushtave si i behet hallit.

    Si shkojne zogjte o korb? Sa vene e nxihen i tha korbi Xha Xha.

  4. Xhaxha, nuk kembengul ne kete qe po them por kam pershtypjen se pasioni i jashtezakonshem per sportet ne teresi e futbollin ne veçanti ishte pak si jo normal, gati shqetesues, ne mos patologjik (te disa).

    Qe atehere mua nje gje e tille me dukej si nje forme e ikjes nga realiteti, si nje menyre per te sublimuar gjendjen e sikleteshme, stresuese, nje hobi e shumepritur per ta harruar pejsazhin pa relieve te jetes nen diktature.

    Teknikisht hapsira per korrupson kishte pak dhe ajo mund te prekte me shume individet se sa ekipe te tjera. Në loje, ndryshe nga sot, nuk kishte interesa te medha financiare, por jo rralle skuadra te ndryshme detyroheshin “te humbisnin” para ndonje ekipi.

    Te nje brez i caktuar shihja edhe nje ankth e deshire per revansh politik, veçanerisht ne ndeshjet midis Tiranes dhe Dinamos. Nga nje ane tifoze kokoroçe e te papenshtruar e ne mospajtim me realitetin politik (natyrisht nuk shprehej hapur)nga ana tjeter ushtaraket dhe pensionistet e organeve te brendeshme, per te cilet nje gol i dinamos perjetohej si nje lloj orgazme mbi trupin e te mundurit etj.

    Per te tjerat luan rol edhe fakti se e kemi ndjekur dhe sjellim ne kujtese ndeshje te ndryshme te bukura, duke harruar se i kemi para ne nje moshe qe ishte e bukur ne vetvete. Dhe te tille moshe njeriu ka vetem nje ne jete. Mund te qelloje qe ajo shtrihet pergjate harkut kohor te nje diktature,veçse kjo e dyta vetem sa zbeh konturet, por nuk deformon imazhin. Ishte kohe e bukur ne vetvete dhe askush nuk eshte i gatshem ta identifikoje me ate kohe qe levizte jashte nesh.

    Natyrisht gjendja e tanishme e futbollit eshte e papranueshme, por duhet te ndodhin keto gjera qe opinioni te sensibilizohet, qe te kalohet ne nje faze me cilesore.

    Eshte njelloj si aksidentet rrugore. Ligjet me te mira ne bote nuk mjaftojne per ti kufizuar. Duhet qe te lahen rruget me gjak, qe te sensibilizohet çdo individ per respektimin e kodit rrugor… fatkeqsisht, por kjo eshte ne natyren e njeriut.

  5. Lyss,

    Nuk mund te krahasojme futbollin e asaj kohe me kete te sotmin per shume arsye.

    Ne ate kohe futbolli ishte i vetmi “hoby” i perbashket per te cilin mund te flsinim qe pas ndeshjes te se djeles deri ne momentin qe do goditej topi ne qender te fushes te djelen tjeter. Pastaj, te flisje per futbollin ne ate kohe ishte fusha me e pa rrezikshme dhe pa “mina” per te diskutuar pasi, ne dukje nuk kishte te bente me politiken e Partise.

    Kjo shkonte deri edhe te futbolli italjan, te cilin e ndiqnim dhe e diskutonim lirshem ne grupe me diskutime te zjarrta a thua se na luanin djemte e xhaxhallareve ne ato ekipe.

    Eshte e vertete qe derby-it 17 Nentori – Partizani nga shume tifoza te Tiranes shikoheshin si duel i sistemit me rebelizmin dhe kundershtimin ku keta tifoza shfrynin dufin pa u spikatur se cilet ishin. Edhe kunder Dinamos, tifozat e Tiranes kishin rezervat e tyre po ndryshe nga Partizani, keta te fundit jo vetem ishin shume pak ne numer por ishin edhe shume te urte dhe nuk diskutonin me zjarr. Ne te vertete tifozat e Dinamos ishin fanatiker por shume te qete dhe te fshehur ashtu si vete sigurimi i shtetit.

    Shpesh me ka qelluar te ndjek takime ne fusha te qyteteve te tjera te vendit por ato qe me kane bere pershtypje jane fushat e Flamurtarit, Tomorrit dhe Naftetarit. Vlonjatet kishin nje urrejtje patologjike kunder tiranasve deri aty sa autobuzi i Fiqos kthehej Vlora me te gjitha xhamat e thyer. Cuditerisht, ata nuk ishin aq agresiv me Partizanin dhe Dinamon.

    Shume me keq shkonte puna ne Berat dhe Qytetin Stalin ku gjuhej me gure te medhej nga jashte stadiumit.

    1. Edhe dicka qe te lidh me shkrimin.

      Duke folur per korrupsionin qe ka mberyther fushat, topat, kepucet dhe sallat e pazareve te sporteve tona e them me binje te plote qe nuk ka patur korrupsion ne sportet tona te asaj kohe. Dhe nuk ishte arsye per te patur pasi gjithshka ishte e shtetit dhe e kontrolluar nga shteti.

      Po. A kishte favorizime per ekipet e dikastereve? Kishte sa te duash por edhe ato beheshin me shume kujdes per te mos rene shume ne sy. Sa per ta ilustruar, me vjen ne mend momenti i grumbullimit te ekipeve tona para nje takimi nderkombetar. Partizani dhe Dinamo shkonin ne konvaleshencat perkatese te plepat nderkohe qe 17 Nentori flinte ne hotel Internacional dhe ushqimin e mernin ne klubin e tyre prane parkut te Xha Tonit.

  6. Nga BalkanWeb:

    Play-out, mbyllet me grushta Kastrioti-Lushnja

    TIRANË- Është mbyllur me grushta dhe një sherr masiv përballja mes Kastriotit dhe Lushnjës, e vlefshme për qëndrimin në Kategorinë Superiore. Takimi i luajtur në “Qemal Stafa” ka qenë i tensionuar përgjatë 90 minutave, por situata ka degjeneruar në çastet e fundit. Në minutën e 92-të, pas një faulli të dhënë në anësore për krutanët, kapiteni i Lushnjës Gentjan Çela dhe Renato Kalari, janë kapur me grushta me njëri-tjetrin, ndërsa në sherr janë futur edhe lojtarët e tjerë. Arbitri Albano Janku ka ndëshkuar me të kuq dy protagonistët, ndërsa loja mbeti e ndërprerë për 3 minuta. Pas përfundimit të takimit, që u fitua 1-0 nga Kastrioti falë golit të Abazajt në minutën e 2-të, nisi edhe sherri më i madh.

    Lojtarët e Kastriotit ishin duke festuar, ndërsa 4 futbollistë të Lushnjës kanë kapur me grushta Turdiun e Kastriotit. Në sherr është futur edhe kapiteni i krutanëve Shameti, ndërsa tifozët në stadium kanë parë një boks të vërtetë. Ndërhyrja e forcave të policisë çoi në ndarjen e lojtarëve të të dy skuadrave, ndërsa tensioni është zhvendosur edhe në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, probleme pati edhe në fund të pjesës së parë, kur trajneri i Lushnjës Artan Bano u fut në fushë dhe kapi me duar gjyqtarin Janku. Ai u nxorr me të kuqe, ndërsa protagonist u bë edhe ndihmësi i Banos, që pati një konflikt fizik edhe me forcat e policisë që po shoqëronin arbitrat dhe futbollistët miq. Kjo bëri që edhe zëvendës trajneri i Lushnjës të ndëshkohej me të kuqe dhe në pjesën e dytë skuadra myzeqare u drejtua nga shefi i klubit Llazar Dushi.

    Këta as profesionalitetin e majmunëve të cirkut nuk kanë (ndoshta prandaj është zhvilluar në Tiranë ndeshja – që të vijë mileti të paktën për të parë grushtin, edhe kur është ftohur me futbollin si lojë).

    E vetmja zgjidhje është t’i lësh pa ngrënë (s’e kam fjalën për grevë urie).

    1. Harrova të shtoj se, në rastin tonë, emërtimi bashkëkohor play-out merr kuptimin “lojë që vazhdon edhe jashtë fushës”.

    2. E sheh Xha Xha? E pashe edhe une mbreme krejt rastesisht ne lajmet e darkes.

      Ideja e lenies pa buke me duket shume e goditur.

  7. Une i kam urryer perhere debatuesit(ikasit) e futbollit se gjithnje ulerasin, pellasin, u fryhen damaret e qafes e te tjera si keto. Mirepo debatin ne TV Alsat e kam ndjekur gjithnje, edhe kroniken per futbollin, sepse me eshte dukur perhere si me profesionale dhe me e plotesuar me informacion. Sa u nderrua pronari dhe e nxoren koken; kronika e sportit fillon e mbaron me hallet skuadres se Gramozit, qe loti edhe me Realin o lako. Trajneri i saj ftohet gjithnje dhe me cdo rast nuk harron te kujtoje padrejtesite qe i jane bere ketij ekipi ambicioz qe, dale dale se do ia degjoni kengen. Kjo parodi kooperative ne fakt filloi me ardhjen e Mario Kempes si trajner i Lushnjes ne vitin 1996. Me ne asokohe e bashkonte pak fare modeli i flokeve dhe vullneti per t’iu bashkur devizes “Vizion 2000”.
    Sa per hurin qe kercet stadiumeve dhe qe eshte bere irritues edhe per ata qe nuk ndjekin futboll kulmi ishte ne Vlore para dy vjetesh mos gaboj. Tifozet shanin arbitrin me moter (c’ne se ata nuk flasin me kete gjuhe!!!) dhe kronika u transmetua ne televizionin kombetar…
    Reagoi menjehere Policia e qytetit: “Arbitri nuk kishte Moter”.
    Deklarate zyrtare flas. Tani imagjino ti se ku kullot ky popull.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin