TREGU I NDEREVE

Sot të thonë që në Shqipëri nuk kryen dot punë pa paguar nën dorë – për shkak të korrupsionit në të gjitha nivelet.

Unë që e kam kaluar jashtë krejt periudhën pas 1990-ës nuk di ç’të shtoj në këtë mes; por situata duhet të jetë komprometuar keq, po t’u besosh mediave.

Nuk ka dyshim se, këto 20 vjetët e fundit, paraja ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e dobishme; jo vetëm sepse ka fituar vlerë të madhe përdorimi, por edhe sepse prirja ka qenë që jeta e njerëzve të vijë duke organizuar rreth parasë: për ta fituar, për ta prishur dhe për ta akumuluar.

Megjithatë, do të isha kurioz të ndiqja mënyrën si sistemi i korrupsionit material po bashkëjeton me sistemin tradicional të favoreve ose “ndereve”, i cili luante rol kryesor deri në fund të viteve 1980.

E kam fjalën te një sistem shkëmbimi informal të bazuar në kapitalin moral; do të bëje ndere dhe do të të bënin.

Gjithsekush kishte mënyrën e vet për ta akumuluar këtë kapital: një mjek do të vizitonte dikë në shtëpi, një mësues do t’i vinte notë kaluese një nxënësi të dobët ose notë maksimale një nxënësi mediokër, një punonjës ministrie do të përshpejtonte një praktikë ose përcillte një informacion, etj.

Mënyra më e shpejtë për të grumbulluar kapital ishte po të “kishe gjë në dorë”; unë kur punoja në Akademi si bashkëpunëtor i thjeshtë nuk kisha asgjë në dorë, por kur nisa të jap mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, kisha në dorë notën e studentëve – dhe prindët e disave më kërkuan përnjimend favore.

Nderi shpërblehej në distancë; shpërblimi i menjëhershëm, me pará, në mall ose me favore të tjera (p.sh. seksuale) konsiderohej vulgar, i padenjë, i ulët. Ideja ishte se ti i bëje dikujt një nder sot, dhe ai tjetri mund të ta kthente nesër, po të kishe ti nevojë.

E kotë të shtoj se kjo kërkonte komunitete të qëndrueshme, ku njerëzit investonin gjatë me besim se investimi gjithnjë do t’u kthehej – diçka e ngjashme me çka ndodh në ekonomi të forta.

Por unë kam përshtypjen se ky sistem i shkëmbimeve të favoreve kishte rrënjë të thella, sepse shtrihej edhe në fusha që nuk kishin të bënin me favoret.

Po e ilustroj idenë duke kujtuar një kushëri timin, i cili shënonte në një bllok emrat e atyre që i kishin ardhur për ngushëllim kur i kishte vdekur e ëma; si dhe emra të tjerë, të atyre që i kishin ardhur për urim kur kishte martuar të birin, së bashku me dhuratën që kishin sjellë. Ky ishte pak obsesiv nga natyra, meqë të tjerë nuk shkonin deri te blloku; por të gjithë mbanin mend.

Sërish një kujtim nga fëminia: prindët e mi, nuk di për ç’arsye, nuk flisnin me një komshi; por kur këtij i vdiq vëllai, ime më i tha tim eti: “çohu t’i shkojmë, sepse edhe ai na erdhi kur na vdiq V.” duke e pasur fjalën për tim gjysh.

Barazia në shkëmbime të tilla (tit for tat) ishte sistem i mirë edhe për të parandaluar tensionet brenda komuniteteve; meqë ashtu edhe vetë njerëzit që futeshin në shkëmbime ndiheshin të barabartë mes tyre.

Përndryshe, nderet bazoheshin zakonisht në njohje. Kur dikush kishte një hall – për shembull, kishte nevojë për të nxjerrë një familjar jashtë shtetit për kurim (po sjell një shembull çfarëdo), hapi i parë ishte të identifikohej personi “që e kishte këtë në dorë”, në rastin konkret ministri i Shëndetësisë; pastaj do të bëhej pyetja: “kë njohim në ministri të Shëndetësisë”; dhe pasi të piketohej njeriu i njohur, atëherë do t’i kërkohej favori përkatës, ose do t’i bëhej ndërhyrje, siç quhej.

Mekanizmi i ndërhyrjes shtrihej në të gjitha aspektet e jetës jashtë familjes (madje edhe brenda familjes ndonjëherë); në kushtet kur jeta publike shtjellohej e tëra në bazë të rregullave përgjithësisht me natyrë politike, ndërhyrja do të ishte kërkesë ose orvatje për ta shkelur rregullin, në emër të miqësisë, farefisnisë ose duke shpenzuar kapitalin moral të fituar paraprakisht.

Nuk kishte çështje të rëndësishme, që të mos shoqërohej me ndërhyrje; dhe kjo ngaqë Shqipëria ishte vend i vogël dhe njerëzit e njihnin njëri-tjetrin mirë, edhe kur nuk kishin lidhje gjaku. Kishte ndërhyrje me natyrë agresive dhe ndërhyrje me natyrë mbrojtëse; ndërhyrje për të ruajtur një privilegj dhe ndërhyrje për ta fituar. Fenomenologjia e këtij mekanizmi mbetet për t’u shkruar. Shpesh mënyra më e mirë për t’iu afruar burrave autoritarë, që kishin në dorë punët, ishte nëpërmjet grave të tyre, të cilat ua administronin kapitalin moral; gjetiu shfrytëzoheshin lidhjet farefisnore, krushqitë, miqësitë e vjetra dhe të reja.

Gjithsekush kishte mënyrën e vet për të fituar kapital moral; një profesor matematike në universitet mund të shfrytëzonte vështirësinë e lëndës së vet, ndërsa një fshatar kooperative mund të siguronte mish qingji ose raki; një shitës mund të ruante mallin për ty nën banak, ndërsa një djalë komshi mund të ofrohej të mbante drutë për ty. Personi që të afrohej për të të kërkuar një nder për vete ose për një palë të tretë, njëkohësisht të kumtonte gatishmërinë e vet për të të bërë ty nder nesër. Krejt shoqëria funksiononte kështu, duke u organizuar në rrjete komunikuese favoresh; deri në atë shkallë sa njerëzit me pozitë e ushtronin autoritetin e tyre në dy nivele: (1) në nivelin formal, ku kryenin detyrën në zbatim të ligjit dhe të rregulloreve, duke përfshirë këtu edhe vijën e Partisë dhe (2) në nivelin informal, ku “bënin ndere” sipas mundësive.

Në një kuptim, prej dikujt në pozitë (duke përfshirë këtu edhe sekretarët e Partisëpritej që të bënte ndere, duke ndihmuar njerëzit në hall; kjo s’kishte të bënte me besnikërinë ndaj vijës politike ose rreptësinë morale – por lidhej drejtpërdrejt me të qenit në krye të punëve.

Tani, mund të pyetet nëse një sistem i tillë mundësohej vetëm në mungesë të ekonomisë së tregut, në rrethanat kur paraja e shumtë nuk ngrinte peshë në jetët e njerëzve. Fakti është që, pas vitit 1990, sistemi i ndereve dhe favoreve të ndërsjellta nuk është se u rrëzua krejt, por u eklipsua prej korrupsionit në pará, çka duhet analizuar më vete.

Unë vetë, sa herë që kam shkuar në Shqipëri, çështjet i kam zgjidhur gjithnjë “me miqësi”; ose duke u kërkuar miqve dhe të njohurve favore, të cilat i kam përfituar, edhe pse unë vetë shumë pak kam pasur “në dorë”. Megjithatë, hallet e mia të pas 1990-ës nuk kanë pasur fare lidhje me çështje të tilla si pronat, tapitë, tenderët, prokurimet, zhdoganimet dhe të tjera kontekste ku thuhet se lulëzon korrupsioni. Prandaj ndoshta mund të supozoj se sistemi i ndereve vërtet mund të jetë ruajtur, por jo në rrethanat kur bëhet fjalë për favore që shoqërohen me fitime të mëdha monetare, ose që kanë lidhje me shkëmbime ose administrime pasurish materiale. Pra sistemi është ruajtur, por i degraduar.

Nga ana tjetër, nderet themelohen mbi miqësitë dhe farefisnitë, të cilat kultivohen më mirë në kushte të qëndrueshmërisë sociale. Lëvizja e madhe e popullsisë brenda vendit ndoshta e shndërron paranë në shkurtore ose më mirë akoma surrogato të marrëdhënieve shoqërore të mbështetura në interesin e ndërsjelltë dhe kapitalin moral, të cilat shumë njerëzve u mungojnë, sepse nuk kanë më kohë që t’i kultivojnë.

Për vende si Shqipëria, shpesh dëgjon të thuhet se një farë niveli korrupsioni është endemik; por njëlloj mund të thuhet edhe se korrupsioni lidhet drejtpërdrejt me rolin që luan paraja në shoqëri: në çdo shoqëri. Sistemi i djeshëm, i favoreve dhe i ndërhyrjeve, ndoshta mbështetej në barazinë e të gjithëve përballë regjimit totalitar; i ngjashëm me solidaritetin që kanë mes tyre të burgosurit, ose ushtarët.

Mund të spekulohet e të shtohet se, kur mungon paraja, atë e zëvendëson kredia, në kuptimin e kredisë morale; jo rastësisht për një person thuhej se “ka shumë kredi”, në kuptimin që “i shkon fjala”. Mund të mendohet edhe se, në një sistem totalitar, ku gjithsekush nuk është veçse ingranazh i mekanizmit total, arbitrariteti është e vetmja mënyrë për të afirmuar njerëzoren; dhe ndërhyrja, ose kërkesa për një favor ose një nder, e vetmja mënyrë për të injektuar pak arbitraritet në sistem.

Çfarë më duket kurioze, në këtë mes, është modelimi i këtij mekanizmi sipas shkëmbimit në natyrë, ose barter-it; meqë e vetmja monedhë që ndërronte duart kur bëhej nderi ishte mirënjohja – tjetri “ta dinte për nder”, ose të premtonte gatishmërinë e tij për të ta kthyer nderin, në rast nevoje. Edhe këtu, në kushtet e ekzistencës së pranuar të kapitalit moral, valuta i paguhej prurësit me të parë.

Më në fund, sistemi i shkëmbimit të ndereve dhe favoreve do të jetë ruajtur brenda organizatave kriminale dhe parakriminale të tipit mafioz, tarafeve dhe klaneve; ku korrupsioni monetar dhe shantazhi i hapur (blackmail) janë tepër të rrezikshëm për t’u praktikuar. Brenda hapësirës së krimit ose të informalitetit farefisnor, të bërët e një favori dhe të pasurit e një borxhi “moral” ndaj dikujt shërbejnë edhe si kriter për të dalluar tanët nga të tjerët; njëlloj si në rastin e familjeve dhe të farefisnive të mëdha, që kapin sektorë të caktuar të ekonomisë ose të administratës.

Nëse është kështu, atëherë korrupsioni i drejtpërdrejtë shenjon edhe kolapsin e mënyrave të tjera, më të efektshme, për të kryer punët.

No Comments

  1. Me dorë në zemër, ju kërkoj falje fillimisht për përdorimin e Zhizhekut, se më duket jam infektuar dhe unë me zhizhekofilokok, po së fundmi një analizë për këtë subjekt, prej tij kam lexuar.

    Kështu pra, Zhizhek argumenton nëpërmjet premisës së majtë, se kapitalizmi nuk është sistem natyral dhe se tejhuazon njerëzit nëpërmjet tyre, duke i zhveshur nga vlerat. Megjithëse kjo më sipër tingëllon shumë si klishe e majtë e madje është thënë e stërthënë – por është interesante sesi e shtjellonte argumentin, ku ai përdorte tamam termat tuaj të shkëmbimeve të ndereve. Dhe thoshte se ky lloj shkëmbimi i favoreve, dhuratave të ditëlindjes, shkuarjes për ngushëllim, dhuratave të dasmave etj, ky lloj shkëmbimi është natyral dhe një marrëdhënie më njerëzore sesa fakti që blen diçka thjesht duke paguar për atë gjë, duke e zhveshur nga ana morale.

    Nga ana tjetër, pata rastin të ndjek në tv një intervistë-emision me një prof. sociolog i cili fliste mbi shpërndarjen e lumturisë në rrjetet sociale të marrëdhënieve midis njerëzve.

    Diçka më shumë mbi këtë studim dhe profesorin Nicolaos Christakis, mund ta gjeni këtu: http://www.edge.org/3rd_culture/christakis_fowler08/christakis_fowler08_index.html (sample). Mua mu duk shumë interesant studimi dhe sapo të kem mundësi do e gjej librin që ka shkruar.

    Ndërsa për marrëdhëniet midis njerëzve në Shqipëri, nga të paktat eksperienca që kam, është se kjo lidhje e rrjetit social mbështetet kryesisht në afirmimin e statusit shoqëror nëpërmjet parasë, gjë që shtrihet në të gjitha marrëdhëniet e tjera njerëzore.

    Nga një gjykim sipërfaqësor i situatës, do të thoja se shkëmbimet sociale mes njerëzish, ndodhen në krizë. Për shkak të paqëndrueshmërisë së status-quo-së të personave që përfshihen në to. Për shkak të cilësisë së munguar qytetare dhe ndërgjegjies së ulët sociale. Në gjuhën e atij profesorit, kjo do të thuhej si mungesë e nyjeve të fortë të rrjetit social, apo pikave të referimit.

  2. sic shkruan dhe Xhaxhai ne kete shkrim mjaft interesant tregu i ndereve ishte nje mekanizem ushtrimi e shkembimi pushteti ne nje shoqeri ku paraja, lubrifikanti i shkembimeve, nuk kishte shume vlere. Por per mendimin tim ky treg nderesh kryesisht informal ka kontribuar poashtu ne informalitetin e ekonomise se tregut shqiptar te pas viteve 90-te. Teme shume interesante gjithsesi.

  3. ””ky lloj shkëmbimi është natyral dhe një marrëdhënie më njerëzore sesa fakti që blen diçka thjesht duke paguar për atë gjë, duke e zhveshur nga ana morale.””’

    Nuk e mora vesh lidhjen mes shkembimit ne para dhe kapitalizmit si jonatyror, mund ta zgjerosh pak argumentimin e zhizhekut.
    Shkembimi ne para, shitblerja ekziston qe ne lashtesi, nuk eshte dukuri kapitaliste. Konsumizmi eshte dukuri kapitaliste, meqe ne epoken e makinave prodhohet shume me teper se me pare dhe ky prodhim duhet blere qe ekonomia te funksionoje.
    Nese nuk blejme gjera qe nuk na duhen, kapitalizmi hyn ne krize.
    Qe ekonomia te kete rritje te vazhdueshme (progresi ne infinit), duhet te kete konsum ne rritje, konsumi ne rritje qe bazohet tek ‘deshirat e pambarueshme’ te njeriut, ka nevoje per mallra te cilesise ne larte ne paraqitje por thelbesisht skarco (psh makina luksoze por me mekanike jeteshkurter), keshtu qe dukja sot eshte esenciale, ndersa esenca barre, pra vlera eshte barre, por si e domosdoshme mbahet ne minimumin e saj.

    Konsumizmi ka nevoje edhe per parate e se ardhmes, kredite, huate prandaj shtetet jane te zhytura ne borxhe te brendshme kolosale,

    Mos e ka pasur fjalen per konsumizmin Zhizheku ?

    Tregu i ndereve ka lindur me njeriun dhe mund te quhet dukuri socio-ekonomike, ndryshe nga korrupsioni qe eshte dukuri pasterisht ekonomike. Tregu i ndereve lulezon ne shoqerite me lidhje te forta sociale, korrupsioni ne shoqerite qe kane raporte te keqija me shtetin.

    Pergjithesisht kap shtresat meso-larta (parine ne kuptimin e saj me te gjere (10% e popullsise), korrupsioni s’kap dot shtresat meso-uleta, e para se s’kane gje ne dore , e dyta se i ruajne me fort lidhjet sociale.

    Korrupsioni eshte problem parish.

  4. Tregun e ndereve, se paku sic e mbaj mend une, dhe korrupsionin nuk i shoh shume te ndryshme dhe as te palidhura. Besoj u perkasin ne perqindje te ndryshme zhvillimeve te ndryshme social-ekonomike dhe gjithashtu niveleve te ndryshme te kohezionit shoqeror, rolit te patriarkalizmit ne shoqeri etj. Ato nderet qe permend Xhaxhai ne fushen e mesimdhenies, psh, nga koha e socializmit jane korrupsion qe nuk ndryshon natyre ne varesi te faktit se profesori shperblehet me nje darke e nje shishe raki, arra per bakllavane, nja akt seksual te papaguar vecse me “nderin” e bere, apo nje apartament ne Tiranen e Re, a nje tufe me para. Per mua ndryshimi mes ketyre formave eshte thjesht sasior e pa dyshim sjell deme te ndryshme ne veprimine nje shoqerie…por eshte po ajo dukuri.

    Nga ana tjeter, kam idene se “nder” ose “favor” perfshin edhe nje kategori krejt tjeter dukurish qe ka te beje me ndihmen dhe deshiren e mire qe njerez qe njihen apo kane simpati reciproke i japin njeri-tjetrit. Kjo ndoshta eshte ajo qe xhaxhai ka perjetuar keto vjet ne Tirane. Une kam ca shoke e shoqe te mira psh ne Tirane, qe kur me duhet nje liber apo me duhet te kontaktoj nje njeri qe s’e njoh (sepse fjala vjen me duhet t’i bej nje interviste e dicka tjeter), me ndihmojne… duke qene se une pas 20 vjetesh e ikur nuk i njoh me as vrimat dhe as te rendesishmit e atyshem. Per mua kjo lloj marredhenieje nuk eshte nder ose favor i tipit me siper. Ndoshta u duhen gjetur emra krejt te ndryshem ketyre dy dukurive, njera aq e lidhur me korrupsionin e tjetra aspak. I ben qellimi i marredhenies te tille. Por kjo nuk eshte aq e thjeshte te percaktohet si marredhenie te themi korruptive dhe tjetra si bashkepunim komunitar.

    Une besoj se cdo shoqeri i ka te dy palet e marredhenieve… e nuk me duket aspak se kapitalizmi ua ndryshon faqen ketyre dy dukurive te ndryshme…jane po ashtu si kane qene gjithnje, thjesht dendesohen apo pakesohen, por mbeten ne thelb te ndryshme.

    1. A ka “treg nderesh” ndermjet shteteve?

      Sigurisht qe ka. Ne kohe paqe, e sidomos ne kohe lufte.
      Per shembull ne librin e Margaret MacMillan, “Paris 1919 – 6 muajt qe ndryshuan Boten”, ajo argumenton se Franca hyri ne lufte kunder Gjermanise ne LIB, per shkak te bondeve ruse te cilat bankat franceze i kishin blere me shumce.
      SIkur te humbete Rusia, bondet (qindra miljoneshe) beheshin pa vlere.

      Ate qe ne e quajme nder, per konvencion apo per zakon, ndryshe mund te quhet klientelizem, dhe klientelizmi i ka rrenjet e thella ne ato vende.
      Klientelizmi eshte nje forme e vjeter e organizimit social ku dhenia ose marrja e nderit brenda farefisnise bazohet ne lidhjet e gjakut, kursje jashte fisit ka me teper natyre apo preokupim reciprokal, ne me te shumten e rasteve me natyre material.

  5. Analiza eshte e goditur, desha vetem te shtoj se sot “nderi” ia ka lene vendin “korrupsionit” ne formen e meposhteme.
    Dallimi midis tyre eshte ne masen matese. Ndersa i pari nuk ka njesi matese, pra nuk ishe ne gjendje te vleresoje sa i madh ishte favori i bere, ne rastin e dyte eshte i materializuar.
    Jo vetem kaq por ka dhe çmim. Pra per te fituar psh nje truall ndertimi ne filan vend, duhet te japesh kaq, ne nje vend tjeter aq (me shume ose me pak).
    Sidoqofte kjo sjell me vete nje efekt krejt te kundert ne aspektin social.
    Kur filani te bente nje nder(atehere), ti ate e shihje si personin pozitiv, te cilin nuk mund ta urreje, perkundrazi, e respekotoje dhe mundoheshe tja riktheje brenda mundesive te tua.
    Kurse sot, ai personi shihet me urrejtje, si personi qe te mori (ropi) kaq e aq para, pra nuk gezon respektin tend, krijon nje raport te thjeshte material, qe po te vije dita qa ai te jete duke u mbytur e therret ndihme, me siguri qe nuk do tja zgjasje doren per ta shpetuar.
    Nje gje e tille as nuk mund te imagjinohet na rastin e pare (ate te nderit).