NATO SI KULAÇ

Mediat njoftuan për mospjesëmarrjen e Shqipërisë në Pragë, në takimin me Presidentin Obama, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e vendeve ish-komuniste që sot janë anëtare të NATO-s. Një pjesë e shtypit shqiptar e interpretoi mungesën e Shqipërisë si shuplakë të Presidentit amerikan ndaj politikës së qeverisë sonë. Dikush tjetër e pa mosftesën në kuadrin gjeopolitik.

Në shkrimin e vet me titull “Përse s’u ftua Shqipëria në Pragë?”, tek “Shekulli”, Mero Baze përmend dy arsye që e shpjegojnë udhëtimin e munguar për në kryeqytetin çek. Që të dyja bazohen kryesisht tek politika e brendshme shqiptare, e cila shihet si shkak për përjashtimin e Shqipërisë nga tryeza e mësipërme.

Së pari, mund të jetë karshillëku që qeveria shqiptare i ka bërë NATO-s disa ditë më parë me ligjin e Shërbimit Informativ, i cili ishte një sinjal i gabuar për partnerët perëndimorë.
Ai sinjal detyroi ambasadorin amerikan të dalë në konferencë për shtyp dhe të akuzojë qeverinë për një ligj të gabuar. Po ashtu, zyra e NATO-s i kërkoi parlamentit të tërhiqte projektligjin. Me gjithë arrogancën në dukje, Berisha u tërhoq, por me sa duket shija e hidhur mund të ketë mbetur.
Një arsye e dytë mund të jetë dhe klima politike. Duke parë qëndrimin refraktar të qeverisë ndaj krizës, qeveritë perëndimore nuk duan të japin sinjale mbështetje për të, pa dhënë prova se ka vullnet të zgjidhë krizën politike.

Mero Baze i lë derën hapur arsyeve të mundshme diplomatike – në të vërtetë disi të mjegullta dhe enigmatike – duke përjashtuar kategorikisht arsyet gjeopolitike:

Asnjë argument gjeografik apo gjeopolitik nuk shkon, pasi në këtë takim merr pjesë Kroacia, një vend që ka hyrë në NATO në një ditë me ne dhe jemi në një pozicion gjeografik.

Tjetër mendim ka Kastriot Myftaraj në komentin me titullin tejet sqarues “Obama nuk e ftoi Shqipërinë në Pragë, për t’ i dhënë një mesazh Serbisë“, botuar në gazetën “Sot”. Pasi hedh poshtë hipotezën sipas së cilës Shqipëria nuk u ftua në takim ngaqë nuk ishte dikur vend i Traktatit të Varshavës, Myftaraj shpjegon pa mëdyshje:

Shqipëria nuk u ftua se Presidenti Obama kërkon t’ i japë një mesazh Serbisë, se SHBA, jo vetëm që nuk ka asnjë marrëdhënie preferenciale me Shqipërinë, por mund ta braktisë fare atë. Pra, Obama i bën një uverturë Serbisë, duke i thënë se mes SHBA dhe Serbisë mund të krijohen marrëdhënie special. Lobistët serbë në Uashington, të cilët janë deri në stafin e ngushtë të Obamës (shefi i Stafit të Obamës, Rahn Emanuel ka qenë lobisti kryesor serb në Kongres).

Më tej fut në arsyetim edhe Kosovën, si shtysa e vërtetë për Serbinë në marrëdhëniet e saj të reja me Shtetet e Bashkuara.

Serbia këtë partneritet të ri me SHBA e kupton si një marrëdhënie në të cilën do të rifitojë Kosovën, dhe më tepër se kaq, se ëndrra historike e Serbisë është që nëpërmjet Kosovës të dalë në bregdet, nëpërmjet territorit të atij që sot është shteti shqiptar. Koha do ta zbërthejë më mirë kumtin e koduar të gjestit të Obamës.

Në të dyja komentet e mësipërme, por edhe në të tjera që u bënë këto ditë, vihet re një lehtësi e madhe në konceptimin e organizatave të tilla madhore e komplekse si NATO në rastin tonë, në cilësinë e mjeteve ordinere për arritjen e objektivave në thelb modeste. E kam fjalën se për t’i dërguar mesazhe qeverisë shqiptare mjafton posta, e-maili, ndoshta deklarata e aksh diplomati, ose politikani, por jo përjashtimi nga një tryezë e rëndësishme si ajo e Pragës, me ndërlikime jo vetëm (gjeo)politike, por edhe simbolike. Personalisht e kam të vështirë ta shikoj NATO-n si han me shumë porta, ose si hotel me dyer rrotulluese, ku hyrjet-daljet përcaktohen sipas midesë konjukturale të portierit të radhës, ose të vetë drejtorit.

Futja në NATO e Shqipërisë ka qenë akt e vendim i madh politik, që nuk mund të mohohet, as të pezullohet, vetëm për t’i bërë trysni qeverisë për një apo dy vendime “të gabuara”. Kush e koncepton NATO-n si një klasë nga ku mësuesi të nxjerr jashtë se ke çamçakëz në gojë, e të thotë që të sjellësh prindin, e ka gabim. Ky vizion instrumental, i kushtëzuar ja nga politika ja nga provincializmi, e redukton, madje e poshtëron rolin e NATO-s; si rrjedhim edhe rëndësinë e pjesëmarrjes sonë në këtë aleancë. Po të ishte e vërtetë se mungesa e ftesës ka motivacione politike, atëherë nuk e besoj dot se jemi i vetmi vend në atë Aleancë që e meritojmë një “tërheqje veshi”, ose një  “përjashtim të përkohshëm” si ky i yni; në kuptimin që ka edhe vende të tjera që gabojnë (gjithnjë po qe se e marrin si të qenë) si puna e qeverisë sonë. E kuptoj që vizioni instrumental i NATO-s dhe i organizatave ndërkombëtare në përgjithësi është sa i gjerë aq edhe i vjetër në Shqipëri, por edhe në “përdorimin” e të huajve duhet etikë dhe masë.

Me pak fjalë, e kam të vështirë ta konceptoj NATO-n, ose më mirë anëtarësinë në këtë aleancë, si kulaçin apo kërbaçin e radhës. I ftoj edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë e ta diskutojnë thellësisht problemin pa e kaluar në heshtje. Ose… nuk po i ftoj fare, si Shqipërinë në Pragë, se në këtë mënyrë debatin dhe vëmendjen e kemi të siguruar.

Nuk ka komente

  1. Duke lexuar artikullin thashe me vete “po ky Bazen dhe Myftaraj gjeti te marre per shembull”, por ne fakt shumica e analisteve dhe opinion-beresve shqiptare nuk se jane larg teorive konspirative te Myftarajt apo kane kushedi sa me shume integritet profesional sesa Baze, fatkeqsisht.

    Bile nuk do cuditesha nese, nqs eksperimenti i LHC ne Zvicer verteton teorine e shume-dimensioneve dhe del qe universet paralele te egzistojne, te jepet si shembull media shqiptare si nje aplikim i tyre, pasi ne mediat tona ne menyre te rendomte per cdo lajm, ngjarje, por dhe gjera fikse te shkruara te zeza mbi te bardhe nga dikush tjeter (si raporte e intervista te nderkombetareve) gjen te pakten tre versione alternative qe hedhin poshte njera-tjetren.

    Dhe kjo s’eshte vetem per opinionet. Lajmet jane me keq.

    Zakonisht, sa me e rendesishme te jete nje ngjarje, aq me pak populli di per ngjarjen se cfare ndodh dhe pse ndodh, nga raportimi i mediave. Mjafton te kujtojme pak “lajmet” e mediave tona per Gerdecin (atehere dhe tani), permbytjet ne Shkoder, e cdo gje tjeter.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin