DOMATE SERRASH

Agjencitë e lajmeve lajmërojnë se paska vdekur Panajot Pano, futbollist yni i madh i viteve 1960.

Unë pak e kam arritur, që t’ia mbaj mend ndeshjet dhe shkëlqimin në fushë, por ndjenja e “frikës” prej tij, sa herë që luante “Partizani” me skuadrën time, “17 nëntorin”, më kujtohet mirë; sikurse më kujtohet dueli i tij me mbrojtësin e njohur gjerman dhe kampion bote Willi Schulz, në ndeshjen Shqipëri-RFGj të vitit 1967 (të cilën e kam parë në televizor).

Me Panon vdes edhe trashëgimia e një futbolli të vjetër, heroik, që sot nuk ka më asnjë shans të rikthehet në fushat shqiptare.

Këtë nuk e them vetëm për retorikë; pse kam parasysh jo vetëm mjeshtërinë e këtij futbollisti në fushë, por edhe modestinë, marrëdhëniet që kishte me publikun dhe dashurinë e madhe që kishin njerëzit për futbollin e së dielës.

Më zuri syri sot disa thënie dhe vlerësime personalitetesh të ndryshme, kryesisht futbollistësh, për sulmuesin më të famshëm të kombëtares shqiptare, ku veç lavdërimeve të natyrshme, ndesha edhe në këto fjalë të Mehdi Bushatit:

Lojtarë si Panoja i vijnë rrallë futbollit tonë. Nëse në ato vite kur luajti, do të ishte mundësia e lëvizjes së lirë, me cilësitë e mira fizike dhe teknike që ai zotëronte, me siguri ai mund të luante edhe me sukadrat e mëdha të Europës, si Milan, Juventus, e deri Reali i Madridit.

Edhe në lajmin e BalkanWeb, ndër të tjera thuhet:

Një nga pengjet e mëdha të karrierës [së Panos] është që nuk mori pjesë në kampionatin europian apo atë botëror si edhe që sistemi komunist nuk e lejonte të transferohej në ndonjë nga ekipet e mëdha të Europës.

Ka gjë ndonjë paradoks këtu?

Një Pano i sotëm me të shpejtë do të kishte kërkuar fatin gjetiu në Europë; ku mund të bëhej i madh, por gjithsesi larg publikut të vet.

Fenomeni Pano, si fenomen i spektaklit sportiv, i kulturës dhe i shoqërisë shqiptare, nuk mund të realizohej veçse me kusht që Panoja të qëndronte dhe të luante në Shqipëri, pranë dhe para publikut të vet.

E vërteta është se regjimi e mbajti aty me zor; dhe se individit Pano, me talentin e vet të pashembullt dhe ambicien e vet, Shqipëria dhe “Partizani” i rrinin ngushtë; meqë talente të tilla ndoshta kërkojnë arena të tjera gladiatorësh.

Me siguri do të ishte pasuruar larg vendit të vet; nëse do të kishte qenë më i lumtur, për këtë nuk jam aq i sigurt. Përkundrazi, nuk kam dyshim se askund nuk do ta donin njerëzit, siç e deshën anembanë Shqipërisë.

Mjaft të kujtoj se çfarë përfaqësonte Panoja për çdo vocërrak që dilte të luante futboll me top pesëdhjetsh, këmbëzbathur, në rrugë, me porta të vogla të shenjuara me gurë ose me çantat e shkollës, me gjunjët të bërë copë e çikë nga asfalti i shkërmoqur: një ëndërr dhe njëkohësisht një burim gëzimi dhe entuziazmi dhe një hero për t’u identifikuar.

Anembanë Shqipërisë – në qytet dhe në fshat, në qendër dhe në periferi.

E quajta futbollin e atëhershëm futboll heronjsh; jo aq për cilësinë teknike dhe sportive, sesa për emocionet që arrinte të ngjallte në njerëzit.

Çfarë e kam të vëshirë ta arsyetoj, është roli që luajti në këtë mes mbyllja e Shqipërisë ndaj botës, ose fakti që lojtarët shqiptarë nuk lejoheshin të luanin për skuadra të huaja dhe shitblerja e lojtarëve konsiderohej, zyrtarisht, si fyerje e dinjitetit njerëzor.

Mirëpo mjafton të krahasosh futbollin shqiptar dje, me këtë të sotmin, për t’u bindur se çfarë kemi pasur atëherë dhe çfarë kemi humbur sot.

Me dy fjalë: futbollistët ndoshta kanë fituar, por publiku ka humbur; dhe nuk di ç’i mbetet futbollit si sport dhe si veprimtari sociale, po t’i heqësh publikun – ose nuk di ç’do ta dallonte, në atë rast, nga hedhja e shortit gjatë llotarive.

Ç’vlerë do të kishin ndeshjet, po t’u hiqje dramën në fushë dhe përjetimin e asaj drame në shkallët e stadiumit?

Duke penguar osmozën njerëzore dhe sportive me botën, diktatura krijoi vetvetiu një sistem relativisht të mbyllur; ose kushtet optimale për ulje të entropisë. Objektivisht, futbolli shqiptar mund të ndodhej në periferi të Europës, por për sportdashësin në Shqipëri qendrën bota e kishte tek rrethi i mesit të fushës në stadiumin e qytetit të vet.

Sot futbollistët shqiptarë militojnë në ekipe nga më të mirat anembanë kontinentit, shiten dhe blihen rregullisht mes klubeve, paguhen mirë, ndoshta edhe ndikojnë, sado pak, për t’ia përmendur emrin Shqipërisë për mirë në mediat.

Kolegët e tyre që kanë mbetur në Shqipëri ëndërrojnë për të mërguar edhe ata drejt klubeve të mëdha, rrogave të majme, lavdisë, kontratave të favorshme, fotove në faqe të para të tabloidëve në metropolet dhe Lamborghini-ve.

Shqipërisë futbollistike ia kanë shkatërruar ëndrrën; duke ia shpjeguar se është dhe do të mbetet në periferi të periferive.

Shkallët e stadiumeve rrinë bosh, teksa sportdashësit ngulen para televizionit, për të parë Barcelonën, Milanin, Bayern-in, Realin, Liverpool-in dhe Chelsea-n.

Një ëndërr është zëvendësuar me një tjetër. Çfarë ka humbur, përkundrazi, është kontakti i përditshëm me heronjtë, ose realiteti i pandërmjetëm i shkëlqimit. Kujt i ka qëlluar vallë, në Tiranë, të jetë ndodhur në bar kurriz më kurriz me Ronaldinho-n apo Mesi-n, siç u qëllonte shqiptarëve dje me Panon, Bizin, Xhambazin, Pernaskën, Zërin, Mexhit Haxhiun, Tit Dibrën, Brahon, Vasil Rucin…

Provincializëm? Natyrisht. Por si mund të jetojë ndryshe provinca, pa provincializëm?

Dikur Gjirokastra ngrysej dhe gdhihej me Brahon në gojë, sikurse Korça me Xhambazin, Fieri me Majacin dhe Shkodra me Zhegën. Kjo ishte po aq pjesë e normalitetit sa ç’ishte edhe të shkoje të dielën në stadium, ose të të vinte një ditë në dyqan vetë Panoja për t’u qethur, ose për të rregulluar këpucët (jo doemos këpucët e futbollit).

Jeta normale ka nevojë për pak përmbyllje, sepse vetëm ashtu mund ta gjejë drejtpeshimin; dhe një dozë iluzioni është e pashmangshme, për ta krijuar këtë përmbyllje dhe për ta mbajtur në këmbë.

Totalitarizmi dje e rrethoi Shqipërinë dhe shqiptarët me tela me gjemba; por kjo nuk do të thotë, vetvetiu, se alternativa është bulldozerimi ose dinamitimi i kufijve, mureve dhe gardheve; ose hapja pa kushte ndaj së përtejmes.

Shqiptarëve, për të jetuar normalisht së bashku, nuk u mjafton vetëm tregu ose politika; u duhen edhe produkte kulturore të tilla që t’i bashkojnë njerëzit, ose t’i akordojnë si tela të të njëjtit instrument muzikor.

Pak javë më parë, diskutonim për suksesin që kanë sot e kësaj dite filmat e djeshëm të Kinostudios, këngët e Festivaleve të këngës në radio, komeditë teatrale të viteve 1970, aktorët e estradës si Skënder Sallaku dhe Tano Banushi; sot flasim për Panajotin dhe brezin e paharruar futbollistik të viteve 1950-1970; nesër do t’u falemi të tjerave kujtime ose relike, nga një periudhë që, në tërësinë e vet, ka qenë nga më shtypëset dhe ndrydhëset për shqiptarët si popull e si shoqëri, dhe shqiptarët veç e veç si individë.

Si ta arsyetojmë këtë paradoks, si ta përligjim këtë nostalgji?

Vallë mjafton të bindemi se edhe futbolli i djeshëm ka qenë po aq i manipulueshëm sa i sotmi; se filmat e vjetër janë të llangosur fund e krye me propagandë komuniste; se muzika e festivaleve të këngës i këndonte Partisë dhe Enverit; se aktorët e estradave i ftonin për të bërë për të qeshur politbyroistët dhe patriarkët e tjerë të pushtetit qendror e lokal, e kështu me radhë?

Jo, nuk mjafton. Nuk mjafton, sepse dekonstruksioni i këtij iluzioni nuk mund të bëhet sipas aksit etik; meqë vetë iluzioni ekziston i tëri në sociologji; dhe në sociologji duhet interpretuar.

Prandaj dilemën mund edhe ta formuloj kështu: a është adhurimi ynë i sotëm për yjet e djeshme të kulturës shqiptare një sindromë e ngjashme me kujtimet e bashkëvuajtësve në burgjet? A duhet menduar eksperienca e një jete në rrethana të lirisë së privuar, varfërisë kulturore dhe materiale, mungesës së oportuniteteve sociale dhe të karrierës etj. si kusht i domosdoshëm për përftimin e fenomenit Panajot Pano, fenomenit Vaçe Zela, fenomenit Skënder Sallaku dhe fenomenit Kadri Roshi (sa për të sjellë disa emra që i njohin të gjithë)?

Nuk ka komente

  1. Adhurimi yne i sotem per yjet e djeshem eshte vazhdim i adhurimit tone te djeshem per ta. Une duhet te kem qene 6 ose 7 vjec kur kam degjuar ne radio ceremonine e lenies se futbollit nga Panajot Pano, dhe me kujtohet ajo ngjarje si nje nga me te bukurat qe kam perjetuar ne ate kohe, sigurisht edhe per merite te komentatorit sportiv. Arsyet per adhurimin tone ndaj yjeve sigurisht jane te ngjashme me adhurimin qe kane gjithe njerezit per yjet e sportit, kinemase apo muzikes. Por ato kishin vecantine e tyre ne ambientin teper te thate te krijuar nga diktatura. Ato momente te thjeshta e njerezore kur Panajot Pano bente xhiron rreth fushes me djalin qe i vinte nga prapa, te transmetuara nepermjet valeve te radios, benin nje kontrast te hatashem edhe pse natyrisht te pavetedijshem per nje femije te vogel, me fjalimet e pareshtura nga funksionare te larte e te ulet e punetore e fshatare, qe mbushnin shumicen e programeve e qe vecse perserisnin te njejtin avaz te dites, te kompozuar nga diktatori.
    Eshte e vertete qe keta yje ishin shume me teper ne mes te popullit se sa yjet apo edhe miniyjet e sotme. Por ato prape yje ishin, ato ishin njerezit e deres mbreterore mes nesh.
    Une s’jam gjendur ndonjehere ne prani te Panajot Panos, por njehere, diku nga viti 1986, u ndodha ne nje vagon treni te mbushur plot e per plot me njerez. Shumica e njerezve, duke pefshire edhe mua, ishin ne kembe. Pak para se te nisej treni, ne vagon hyri Din Zhega. Me dhjetra njerez u ngriten ne kembe duke u perpjekur t’i lironin vendin. Ai erdhi e u ul diku afer meje. Rreth 30 vete u ngjeshen rreth asaj gjashteshje e zgjasnin kokat duke u perpjekur te thithnin cdo fjale te bisedes qe zhvillohej aty. Biseda nuk pushoi asnje minute gjate 3 oreve qe zgjati udhetimi. E padyshim ne qender te saj ishte Din Zhega, qe u pergjigjej me bujari pyetjeve te panumerta e tregonte ngjarje me udhetime jashte shtetit e brenda shtetit, kampe stervitore e momente ndeshjesh.
    E kam treguar kete ngjarje ate nate e te nesermen e me qindra here te tjera, po e tregoj edhe tani dhe me siguri kam per ta treguar prape ne te ardhmen. Nuk di te them a mund ta konsideroj veten fatmire apo fatkeq qe kam patur mundesi te kem momente te tilla. Por nuk ka dyshim qe fenomeni eshte krejt i vecante, mbase ne bote, dhe krejt i paperseritshem.

  2. Filmat, sporti, arti gjate kohes qe u lindem dhe u ritem na mbajne gjalle nostalgjine e nje kohe qe, ashtu si thote Xha Xhai, i perngjan shume kujtimeve te bashkevuajtesve ne burgje. Aq jepte vendi, me ate mereshim te gjithe gjate gjithe dites. Mendonim, jetonim, punonim si ne rrethim.

    arti me kujtoj nje episod me te madhin Panajot aty nga fillimi i viteve 70.

    Ishte mesdite e nje dite te djele dimri dhe me shi. Blerja e bukes ishte detyre e imja dhe ne furrin e lagjes tone buka 52-she ishte mbaruar. Kuptohet une isha me vonese per kryejren e detyres ne kohe. Shkoj ne nje furr tjeter diku fare afer shkolles ” Avni Rustemi.” Ai furr, ne cepin qe lidh rrugen “Kongresi i Permetit” me “Konferenca e Pezes”, ishte vecanerisht i vogel dhe i ndricuar keq per nje dyqan me aq rendesi per ate kohe. Kush e ka pare ate furr do me japi te drejte.

    Futem brenda dhe shoh qe per fatin tim neper rafte kishin mbetur akoma disa buke 52-she. Brenda ndodhej edhe nje qytetar tjeter. Nderkohe qe po mbyllja cadren degjoj shitesen te pyes qytetarin: Si e ke emrin?
    Panajot Pano – i thotet ai me ze shume te ulet.
    Edhe nje here!- tha shitesja.
    Panajot Pano- tha Panajoti kesaj radhe me ze te larte.

    Ngrej syte dhe shoh Panajotin qe ishte bere qull pasi ishte pa cader. Shitesja fillon te shfletoje faqet e regjistrit te lodhur dhe me fletet e perdredhura te banoreve te lagjes dhe pasi gjeti emrin e Panajotit, i vuri nje kryq ne kuadratin e dites qe i perkiste asaj dite.

    Dhe ne ate furr te vogel blente buken e dites edhe Panajoti yne i madh.

    Aty mora vesh qe Panajoti ishte banor shume afer me shkollen ku une vazhdoja te shkoja.

  3. “…sa herë që luante “Partizani” me skuadrën time, “17 nëntorin”.”

    Kjo hapje-mbyllje e befte e xhaketes, qe le te shihet fanella per pak, ma pezulloi leximin per ca momente.

    As qe e kam kuptuar futbollin ndonjehere, por di te them se, per t’i rene shkurt, po te me kerkohet te them vetem nje fjali per jeten time para 1990, kjo do ishte : Kam qene me Tironen. (pa pikecuditese)

  4. Po të bëjmë pyetje pafundësisht se si do të kishte qenë filani po të kishte jetuar në sistemin e lirë që po përjetojnë sot shqiptarët anë e mbanë 28-të mijë metrave katrorë, pa harruar dhe trupat e “prej jashtë shtetit”, nuk di se ku do përfundojmë. Mbase asgjëkundi.
    Nostalgia-një film kult i Tarkovskit. Nostalgjia-mbase është dhjamosur këto kohët e fundit me shumë dinjitet nga mediat që kërkojnë të mbushin ekranet apo faqet, me lloj lloj lajmesh nga e kaluara.

    Po të marrim filmin, që i ngjet pak futbollit, në Shqipëri kishte Rossellini, Dryer, Lang, e shumë të tjerë regjizorë të mahnitshëm. Edhe pse kritika mungonte, ose më mirë nuk ekzistonte sepse nuk kishte se për çfarë të fliste dhe kujt t’i fliste, Dh. Anagnosti, H. Hakani, P. Milkani, V. Gjika, A. Minga, G. Erebara, K. Dhamo, ishin regjizorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, por kjo ndalej në fillim vitin 91, atëherë kur Kinostudioja, kjo mini Cinecittà shqiptare, copëtohej nga egërsirat pa asnjë mëshirë. Copat krijuan Albafilmra, Arkiva shtetërore për filmat që të ruheshin nga lagështira etj.

    Sot, një pjesë e këtyre regjizorëve akoma krijojnë, nesër ato s’do jenë më. Brezi i ri do i zëvendësojë, por ai brez nuk do punojë më si baballarët e tyre. Ato do të duhen të bredhin rrugëve, t’i bien celularëve, të konkurojnë për të thithur ndonjë financim projekti. Kurse më parë ishte më e lehtë. Gjithçka paguhej nga shteti totalitarist që e mbante kineastin si orkidè të veçantë.

    T’i kthehem fenomenit Pano. Për të mos gënjyer them që e kam dëgjuar si emër, edhe pse anjëherë s’e kam parë duke luajtur, përveç ndonjë imazhi tek-tuk në televizor. Më bëri çudi fakti se si mbahet ditë zie për një qytetar. Ndoshta gabohem në këtë gjykim timin, por mendoj se ka qytetarë të tjerë po aq të talentuar, driblues e të vuajtur, që nuk i është dhuruar një nder i kaq i madh nga shteti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin