FREUDI DHE VIRUSI

Më bëri përshtypje kur lexova, këto ditë, se epidemiologët dhe historianët e mjekësisë ende nuk e kanë të qartë natyrën e disa sëmundjeve ngjitëse të rënda që kanë bërë kërdinë në lashtësi dhe në mesjetë (Arno Karlen, Man and Microbes, Simon & Schuster Paperbacks, 1995).

Kështu, simptomat e “murtajës” që goditi Athinën në shekullin V p.e.s. duke ia shfarosur gati një të tretën e popullsisë, e që mbahet si një nga faktorët vendimtarë për dobësimin e Athinës si palë në Luftën e Peloponezit, ende nuk lejojnë identifikim të sigurt me ndonjë sëmundje infektive të njohur, megjithë përshkrimet e hollësishme që ka lënë Thuqididi.

Deri edhe në fund të Mesjetës europianët vuanin dhe vdisnin në masë nga sëmundje të cilat sot mbeten enigmatike për mjekësinë; e tillë ishte sëmundja e djersitjes (the sweating sickness), e cila u përhap në Angli dhe më pas në kontinent gjatë shekujve XV-XVI; kësaj patologjie të rëndë sot e kësaj dite nuk i dihet shkaku.

Të kenë sëmundjet infektive historinë e tyre?

Në të vërtetë, dihet se një numër sëmundjesh dje vdekjeprurëse dhe me pasoja shumë të rënda për popullsitë e prekura, si p.sh. fruthi, lia e dhenve, shytat, sot janë reduktuar në sëmundje të moshës së vogël; duke u siguruar popullatave imunitet pak a shumë të qëndrueshëm.

Të tjera sëmundje të vjetra, si lia, ethet e verdha, malarja, kolera, lepra dhe tuberkulozi janë zbythur përballë vaksinave, mjekimit me antibiotikë, higjienës dhe në përgjithësi kushteve të jetesës së përmirësuara. Por këto ndryshime prekin kontekstin biologjik dhe social të infeksioneve, jo sëmundjet vetë.

Pyetjes nëse sëmundjet ndryshojnë apo jo është edhe më e vështirë t’i përgjigjesh kur vjen puna për çrregullimet mendore. Ndonëse një pjesë e këtyre të fundit nuk janë shumë më tepër se etiketa për t’i ndihmuar mjekët të orientohen në diagnostikime dhe trajtim, disa kategori të gjëra si depresioni, mania, neurozat, skizofrenia dhe psikozat mund të konsiderohen po aq të konsoliduara sa edhe kanceri, hipertensioni dhe ateroskleroza gjetiu.

A evoluojnë sëmundjet mendore?

Mjekët psikiatër, sidomos ata që e njohin literaturën psikiatrike të vjetër ose që kanë përvojë të madhe me të sëmurët janë të mendimit se po – sëmundjet mendore nuk janë më ato të dikurshmet.

Sot në Perëndim njerëzit duket se po vuajnë më tepër nga neurozat e ankthit dhe sidomos të panikut, çrregullimet obsesive-kompulsive, anoreksia dhe çrregullimet psikogjenike të të ngrënit në përgjithësi; në një kohë që dikur, madje edhe në kohën e Freud-it, krizat dhe çrregullimet histerike ndesheshin shumë më shpesh, së bashku me çrregullime tashmë të riformuluara, si neurastenia dhe psikastenia.

Edhe vetë skizofrenia duket se ka ndryshuar – sot format katatonike po ndeshen gjithnjë e më rrallë, ndërsa duket se janë shtuar format paranoide ose ato të ngjyrosura me depresion dhe ankth.

Më në fund, në tablonë klinike të çrregullimeve bipolare (maniako-depresive), mania e pastër është duke u tërhequr nga skena.

Si mund të shpjegohen këto ndryshime?

Antropologët priren t’i analizojnë sëmundjet mendore në kontekstin social ku shprehen; kështu, skizofrenia do të marrë forma të ndryshme sipas shkallës së racionalitetit të shoqërisë ku jeton skizofreni, ose tolerancës ndaj “të marrëve”. Një njeri që “dëgjon zëra” në një kulturë animiste, nuk do të konsiderohet po aq i sëmurë dhe i papërshtatur sa i njeri njëjti në një kulturë racionale dhe hiper-teknologjike.

Të tjera sëmundje sot të përhapura në Perëndim, për shembull anoreksia, janë drejtpërdrejt të lidhura me marrëdhëniet në familje, kulturën e imazhit dhe seksualitetin; prandaj është e kotë t’i kërkosh, bie fjala, në Mesjetë – sidoqë atëherë mund të merrnin trajta të skajshme të agjërimit ose praktikave të tjera asketike.

E kotë të shtoj, pastaj, se sot një mistik të djeshëm si Swedenborg-un do ta kishin mjekuar me anti-psikotikë, për t’ia fashitur vegimet e shumta (pa përmendur Jeanne d’Arc-un, shën Terezën e Avilës, e plot të tjerë e të tjera vizionare).

Në Shqipërinë e viteve 1945-1990 diagnostikoheshin relativisht shpesh paranoja (si çrregullim i personalitetit), skizofrenia paranoide (mania e persekutimit dhe mania e madhështisë) me ngjyrime herë fetare dhe herë politike – të cilat të gjitha mund të vihen në lidhje me totalitarizmin dhe frikën. Ndërkohë, në femrat, shihje rëndom forma të histerisë, duke përfshirë konvulsionet (ose krizat pseudo-epileptike), të fikëtat dhe histerinë kolektive; të cilat me kohë erdhën duke u zëvendësuar me forma të tjera të somatizimit (lemza, palpitacionet), krahas me ndryshimin e statusit të gruas në shoqëri.

Megjithatë, jo të gjitha ndryshimet në tablonë klinike të sëmundjeve mendore mund t’u faturohen ndryshimeve në rrethanat sociale dhe kulturore; veçanërisht për një numër sëmundjesh, si p.sh. skizofrenia, të cilat nuk dihet mirë se çfarë i shkakton pikërisht.

Disa mjekë psikiatër, antropologë fizikë dhe epidemiologë besojnë se ndryshimet e vëna re në ecurinë e sëmundjeve mendore, përtej ndikimit të faktorëve mjedisorë, duhet marrë si sugjerim për të kërkuar një lidhje midis vetë këtyre sëmundjeve dhe infeksioneve virale.

Kjo duhet kuptuar kështu: nëse në gjenezën e skizofrenisë, bie fjala, luan rol një infeksion viral ende i pazbuluar, atëherë mutacionet e virusit përgjegjës për infeksionin do të shoqërohen, herët a vonë, me mutacione të simptomatologjisë së vetë skizofrenisë.

Hipotezën virale (ose në përgjithësi hipotezën patogjenike) e ndesh ndonjëherë edhe ndër shpjegimet që i janë dhënë homoseksualitetit.

Përveç viruseve dhe bakterieve të ndryshme, edhe parazitët mund të shkaktojnë ndryshime patologjike në sjelljen e organizmit bartës; kjo është vërejtur, për shembull, në minjtë e prekur nga toksoplazmoza, sëmundje parazitare e maceve, të cilët thuhet se nuk kanë aq frikë nga macet sa minjtë e shëndoshë.

Disa autorë kanë përsiatur një lidhje midis toksoplazmozës dhe skizofrenisë.

Natyrisht, kur është fjala për njeriun, mjekësisë gjithnjë do t’i duhet të gjejë ekuilibrin midis trupit dhe shpirtit, materies dhe idesë, biologjikes dhe sociales, natyrës dhe kulturës. Në libra të mjekësisë psikosomatike lexoje, deri vonë në vitet 1960, se edhe ulcera e stomakut dhe e duodenit kishte shkaqe psikogjenike (stresi). Më pas u zbulua se shumica e ulcerave kanë shkaqe bakteriale, i detyrohen infeksionit nga helicobacter pylori dhe mund të kurohen me antibiotikë. Megjithatë, 4 në 5 vetë të infektuar nga ky bakter nuk sëmuren nga ulcera… Që këtej, u rehabilitua edhe hipoteza se stresi luan gjithashtu rol në zhvillimin e sëmundjes.

Një numër sëmundjesh sot ende të konsideruara si psikosomatike dhe që ua nxijnë jetën shumë njerëzve në Perëndim – të tilla si IBS (sindroma e zorrës së irrituar), CFS (sindroma e lodhjes kronike), ADD (Çrregullimi i mungesës së vëmendjes) dhe fibromialgjia kanë zënë vend pikërisht në kufirin midis mendjes dhe trupit, ose atje ku ndeshen mes tyre natyra dhe kultura.

Këtyre sëmundjeve dikur në Gjirokastër u kanë pasë thënë “zorrët e çifutit”; nuk di me çfarë lidhet pikërisht kjo shprehje, edhe pse di që, në Vjenën e Freud-it, koliti ishte një nga sëmundjet më të përhapura, madje të detyrueshme, për gratë e salloneve borgjeze.

Faktori social nuk mund të mohohet: edhe kur i plotëson nevojat elementare për ushqim, strehim, siguri fizike dhe seks, njeriu modern nuk e ka të lehtë të përshtatet me ritmin e evolucionit teknologjik, stresin profesional, stresin mjedisor dhe mutacionet në mjedisin biologjik – duke përfshirë këtu viruset, bakteriet dhe parazitët e ndryshëm; nga ana tjetër, gjithnjë e më të shumtë janë ata që, kur besojnë se vuajnë nga çrregullime të tilla, nuk ngurrojnë t’i drejtohen mjekut psikiatër për ndihmë.

Mund të pyetet, në këtë rast, nëse ka kuptim të flitet edhe për sëmundje sociale të mirëfillta, të cilat shprehen si çrregullime psikike; një shembull klasik për këto e ofron koreomania (ose mania e valles), e përhapur në Europë midis shekujve XIV-XVIII, e cila manifestohej kur grupe njerëzish, ndonjëherë prej disa mijëra vetësh, fillonin të kërcenin në mënyrë të pakontrollueshme në mjedise publike, ndonjëherë edhe duke nxjerrë shkumë nga goja. Gjatë çka njihet si murtaja e valles (Strassburg, verë 1518), banorët e qytetit hodhën valle, pa ndërprerje për ditë të tëra, derisa më në fund shumica e tyre vdiqën nga zemra, goditja cerebrale ose thjesht rraskapitja. Koreomaninë e kanë shpjeguar, ndër të tjera, si formë klasike të histerisë kolektive.

Charles MacKay, autor i librit të njohur Extraordinary Popular Delusions & the Madness of Crowds (botuar për herë të parë në 1841), e shoqëron lexuesin në një kabinet kuriozitetesh të patologjive të tilla si the South Sea Bubble, Tulip-maniakryqëzatat dhe gjuetitë e shtrigave. Po ta kishte shkruar atë libër sot, me siguri do të kishte përfshirë edhe katastrofën sociale në Shqipërinë e vitit 1997, para kolapsit të “piramidave”.

Nuk ka komente

  1. Pa diskutim nje nga shkrimet me me interes qe keni postuar te blogu.

    Te kene semundjet infektive historine e tyre – pyesni ju ?

    Kjo nenkupton nese ato kane ndryshuar ne vetvete, apo se ne sot vijme ketu si individe qe pasqyrojme ne patologjine tone nje proces “mutacioni” reciprok ? Shume interesante, sepse keshtu mund te themi se Semundjet i paraprijne gjithnje njeriut – nje shfaqje e tmerrshme sfiduese qe Natyra i ben sepcies.

    Para disa muajsh kam pare nje dokumentar te BBC qe trajtonte “Murtajen e Madhe” te 1348 qe vrau 1/3 e popullsise se Evropes. Ndiqnin itinerarin e perhapjes se semundjes, studiohej me vemendje sistemi kapilar i degezimit te saj, shpejtesia e perhapjes, simptomat e shfaqura – te gjitha keto te dokumentuara nga rreth 400 libra te famullive.

    Perfundimi qe nxirrej ishte teper trondites; Murtaja nuk kishte qene Murtaje (Bubonike jo e jo ). Dyshimi qe hidhej nga studiuesi britanik qe ishte marre me kete pune konsistonte se ” nisur nga simptomat, nga shpejtesia e perhapjes se saj dhe intensiteti i vrasjes semundja ne fjale i pergjigjet me mire Eboles (Ethet hemoragjike), qe kishte ardhur nga Afrika, meqe rasti i pare ishte hasur ne Marseje. Por edhe kjo me rezerva. Ndoshta per shumekend kjo eshte histori e njohur, por une aty e hasa per here te pare, prandaj Historiku i ketyre semundjeve eshte shume me shume se nje kuriozitet.

  2. Xhaxhai thote: “Po ta kishte shkruar atë libër sot, me siguri (Charles McKay)do të kishte përfshirë edhe katastrofën sociale në Shqipërinë e vitit 1997, para kolapsit të “piramidave”.

    Tamam tani jam duke lexuar “A short border handbook” te Gazmend Kapllanit, besoj botuar se pari ne greqisht e tani perkthyer ne anglisht. Po perkthej nga angl. nje cope te shkurter qe jehon te njejten ide:

    “Ja pra pse them se vuaj nga sindroma e kufirit (border syndrome), dhe kam vuajtur prej saj tash e sa mot. Sindroma e kufirit eshte nje semundje qe veshtire te pershkruhet me saktesi. Ndryshe nga agorafobia apo depresioni, ajo nuk figuron ne listen e crregullimeve mendore. Por cka mund te bej, ndoshta pak me vone, eshte qe te paraqes disa prej simptomave te saj. E di qe ka edhe te semure te tjere, plot te tjere. Ata qe nuk kane ndier kurre nevojen te kapercejne nje kufi apo qe s’kane perjetuar kurre zbythjen e percmimin ne nje pike kufitare, do ta kene te veshtire te na kuptojne. Lidhja ime me kufijte i ka rrenjet larg ne te shkuaren, ne femijerine time. Sepse, a te ze apo jo semundja e kufirit, eshte kryesisht ceshtje fati: varet se ku ke lindur. Une linda ne Shqiperi.”

    Nuk e di nese Kapllani e perdor fjalen “sindrome” ketu, vec nga ana figurative apo jo. Kam pershtypjen se Xhaxhai i referohet ketyre lloj “semundjeve” ne kuptimin me te drejtperdrejte (literally); pra u referohet, bazes se tyre fiziologjike dhe proceseve kimike qe lidhen me to, edhe kur ne dukje jane ndikime dukurish shoqerore ne ndergjegjen njerezore. Per kete aspekt une mund te flas pak ose aspak. Por jam e sigurte qe popuj te nenshtruar e te varfer jane me te pasur me keto semundje sesa popuj relativisht me te lire e te kamur. Ceshtja eshte qe listat e ketyre semundjeve behen mes ketyre popujve te fundit, dhe kryesisht vetem konsumohen nga kategoria e popujve si ne. Por pa dyshim ne do mund te shtonim elemente te rinj, tejet shenjues e jetenderrues ne kete liste.

  3. Meqe Xhaxhai dhe Tamada permendin murtajen, nje pershkrim te sakte, te mbeshtetur ne deshmi okulare, te shkaterrimit qe solli ajo ne Europe ne shek. 14, gjendet ne Dekameronin (sidomos parathenia e shkruar nga vete autori) i Giovanni Boccaccios. Tmerri i pershkruar ne te, me vuajtet fizike te njerezve dhe shkaterrimin e pelhures sociale per shkak te permasave te fenomenit, eshte aq i pafund, i perbindeshem deri ne madheshti, sa edhe sot eshte ne gjendje ta mbushe lexuesin me ankth, frike dhe pasiguri.

    Nuk e di se ku eshte mbeshtetur dokumentari i BBC, per te vene ne pah pasigurine e burimeve faktike, por mendoj se eshte e pranuar se epidemia e kesaj periudhe fillon diku ne Azi, kur tartaret e ardhur nga Azia rrethuan per te pushtuar nje koloni gjenoveze ne Detin e Zi. Rrethuesit filluan te vdisnin ne mase nga semundja, dhe duke pare efektin shkaterrues te saj, njerezit e tyre te vdekur filluan ti katapultonin brenda mureve te qytetit. Banoret te tmerruar iu hypen anijeve dhe perfunduan se pari ne jug te Italise.
    Qe atehere vezhguesit dalluan te tre format e saj: ate bubonike, pneumonike dhe septike. Ndryshimi midis njera tjeres ishte thjeshte jetegjatesia e atyre qe semureshin. Ata me me “fat” jetonin tek e shumta nje jave.

    Nje faktor teper interesant i epidemise se kesaj periudhe eshte efekti i saj ne historine e qyteterimit perendimor.
    Epidemia, qe erdhi papritur, vazhdoi te sillesh neper Europe, duke i shfaqur here ketu e here atje deri nga vitet 1650-1700. Po as papritur, po ashtu sic u shfaq ajo u zhduk vete. Nuk qene as masat profilaktike, as higjena e as zhvillimi i mjekesis qe solli fundit e saj. Edhe sot, po re pre e nje infeksioni te tille, shancet per te perfunduar i vdekur jane shume te medha.

    Ardhja e epidemise, me pasoje pakesimin e popullsise (25%- 50%) si dhe ngrohja e klimes e asaj periudhe – Europa do te dilte nga nje mini-iceage, simbas jo pak autoreve dhe ekonomisteve, krjuan kushtet per lindjen dhe zhvillimin e rilindjes Europiane dhe me vone, te revolucionit industrial, cka ishin kushtete themelore (themeluese) qe bene te mundur daljne e qyteterimit perendimor nga ajo qe quhet “Qarku Maltuzian” (Maltuzian trap).

    Mos ka dore Zoti ne keto pune? – pyeti… 🙂

  4. Ky eshte nje pershkrim konvencional i dukurise qe preku Kontinentin. Une dokumentarin e solla ketu si nje lexim te ri historik te semundjes, pasi ne kujtesen e te gjitheve eshte ngulitur ideja e Murtajes se Madhe. Ne fakt njerezit asokohe u mjaftuan me perdorimin e termit Vdekja e Zeze.

    Cfare sillte dokumentari ne kete kendveshtrim ?

    U ndoq itinerari i perhapjes dhe per kete u perdoren burimet e kohes. Niste ne Jug te Frances, vijonte ne veri drejt vendeve te uleta, Britani, vendet nordike, Poloni, Slloveni, Hungari, Ukraine. Me ra ne sy fakti se territori ballkanik nuk bente pjese ne zonen e nxehte edhe pse ne pergjithesi eshte pranuar origjina aziatike duhet te infektonte edhe kete rrugekalim.

    Merrej si i mireqene fakti se ne valen e pare kemi te bejme me Murtajen Bubonike. Per kete studiuesi ne fjale prezantonte nje rast epidemik te kesaj semundjeje ne Indi ne shek. XIX dhe ne baze te te dhenave bente krahasimin. Nga nje mjek francez u zbulua se kjo semundje transmetohej nga minjte te njeriu permes paraziteve. Zbulimi i tij nuk u mor ne konsiderate. Megjithate konkluzionet e tij u perdoren si protokoll parandalimi nga amerikanet ne nje epidemi qe preku Kalifornine. Skuadra te tera ne gjueti te minjve ku sipas te dhenave u asgjesuan rreth 3 milione brejtes te katakombeve. Pamje dhe foto qe flisnin si deshmi. Pra Malarja Bubonike prek minjte dhe i vret ata ne mase; transmetues eshte paraziti. Vri miun dhe parandalon semundjen.

    Nga 400 libra te famullive qe studiuesi ne fjale kishte shfletuar nuk hasej asnje e dhene per ngordhje ne mase te minjve.

    Se dyti; perhapja e semundjes ne fjale ishte shume here me e shpejte sesa ajo e Murtajes. U perllogarit se shpejtesia arrinte ne 80 km zgjerim vatre ne nje dite te vetme me nje skenar qe niste me nje individ, vijonte rregullisht me anetaret e familjes, pastaj fqinjet e keshtu me radhe. Nga ana tjeter informacioni mbi semundjen nuk paracaktoi izolimin ne zonat fqinje, pse semundja sikur thuhej ne dokumentar jepte simptomat e veta ne nje kohe relativisht te gjate pas infektimit (mos gaboj 3 jave mbas momentit te infektimit). Ky fakt shpjegonte sipas studiuesit efektin vrases aq te madh, pasi dikush qe infektohej nuk jepte simptoma deri ne 3 jave, duke i lejuar vetes mundesine e kontakteve te lira me njerez te tjere.
    Se treti; simptomat e pershkruara jane larg Murtajes Bubonike. Flitej per ethe te forta, njolla te erret neper trup dhe ne faze te fundit per nje humbje te tipareve te organeve te brendshme (organet ngjiteshin dhe plazmoheshin gati ne nje gjendje viskoziteti jonatyral).

    Perfundimi qe sillej ishte se nje semundje e tille per nga simptomat dhe te dhenat historike I AFROHET ME SHUME EBOLES. Por nenvizohej se ky vrases misterioz mund te rikthehet dhe se ne nuk dime asgje te sakte rreth tij. Nje apel pra per studime te metejshme, pasi miti i Murtajes duket te mos jete me i qendrueshem.

  5. Xhaxha, ideja se po ta shkruar atë libër sot, Charles MacKay, me siguri do të kishte përfshirë edhe katastrofën sociale në Shqipërinë para 1997, (do të shtoja edhe atë që ndodhi në pjesën e parë të atij viti simpatik) më solli ndërmend një reportazh të botuar në revistën Klan, të atyre koheve të stuhishme, reportazh nga i cili po sjell vetem disa fragmente.

    …Të ndodheshe ato ditë në Vlorë ishte si të kishe zbritur në një planet tjetër. Në atë familje (është fjala për familjen ku dikush ka bujtur) në mëngjes të gjithë u ngritën njëherësh dhe nisen të grinden për çorapet dhe këpucët që i ngatërronin. Nuk të shihnin fare në sy, nuk të flisnin. Nuk hëngrën bukë. Shprehja e një vuajtje të madhe ishte konstante e fytyrës së tyre. Ishte e pamundur të të shpjegonin atë që bënin. Kjo i bënte agresivë.

    … dua të përqendrohem të riti i harruar i pirjes së gjakut njerëzor. Deri tani ky fakt i rrallë (i cili nuk ndodhi as gjatë Luftës Antifashiste, kur u kapën robër nazistë që kishin djegur fshatra të tërë e masakruar në masë fëmijë, pleq e të rinj) është përdorur vetëm në planin politik dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për të shpjeguar thelbin e tij. Kjo nuk tentohet te behet as ketu, por duke iu referuar disa etnopsikologëve të njohur (Morgan, Lebok), ky rit kurrë nuk realizohet në mënyrë të thate e te drejtpërdrejtë. Ai ka nevojë për një eksitim të brendshëm, që e sjell individin në një gjendje inkandeshente. Por sikundër ndër ritet e lashta, edhe rasti shqiptar, si unik i këtij shekulli, me sa del nga të gjitha përshkrimet, është realizuar në të gjitha hollësitë që kërkon ceremoniali i rastit, sikur ndodhte edhe në tributë e përshkruara nga etnologët, të cilët flasin për një lloj valleje rrotull robit që shtrihej te këmbët e tyre. Të gjithë i kemi para fytyrat e egërsuara (është fjala për demonstruesit e mbledhur rrotull ushtarakëve shqiptarë ende në agoni), gra në moshë që rrahin kokën me grushte dhe kërcejnë para kamerave një lloj valleje që konsiston në ngritjen e duarve dhe hovje të shrregullta përpjetë,që hidhen herë në njërën këmbë e herë në tjetrën, zëra të paintonuar, sy që rrotullohen nga të katër anët… kjo i përket fazës së vetëeksitimit, ose ndryshe valles makabër. Më pas lëvizjet e turmës bëhen më solide, më të frikshme… Gjithçka do të konkretizohet me linçimin e oficerëve shqiptarë, me copëtimin e tyre me sopatë dhe siç po thuhet nga disa burime,(xhaxha, ate qe kishte ndodhur ende nuk e besonim kur u shkruajt ky reportazh) – megjithëse nuk është konfirmuar- me realizimin e ritit të pirjes së gjakut. Morgani veçanërisht ka shpjeguar se gjaku i robit nuk pihet nga e gjithë tribuja, por vetëm nga një anëtar i veçantë i saj….

    …Pas realizimit të këtij riti primordial, dinamika e ngjarjeve merr trajtën e një tabloje klinike, ku nuk është e vështirë të vëresh sindromën e një historie kolektive…

    …Rasti i parë i regjistruar i një historie kolektive në Shqipëri ka ndodhur rreth fundit të viteve ‘ 60 dhe është përshkruar shkencërisht nga mjekët shqiptarë (korpusi i Punimeve psikoneurologjike, nr.5). Ka ndodhur në fshatrat bregdetarë në jugë të Vlorës. Në kushtet e kohës mjekët nuk mund të jepnin arsyet e vërteta të asaj histerie kolektive, e cila shtynte gratë e fshatit të vënin “veprime të turpshme”, gjë që vuri në pozitë të vështirë burrat, sepse dihet që në mendësinë popullore termi histeri lidhet me një lloj shtyse që ka në origjinë impulsesh seksualë…

    … Ne të vërtetë sindroma e neurozës histerike kolektive nuk përfshiu të gjithë manifestuesit. Por edhe pjesa tjetër që arrinte deri në një farë mase të ruante sensin e realitetit, iu nënshtrua vullnetit të turmës,me sa duket fale atij mekanizmi që ka përshkruar Frojdi te Psikologjia e masave dhe analiza e Un-it., ku ai bën përshkrimin me interesant që kam njohur të këtij realiteti. “Ka një të vërtetë fondamentale, thotë ai, në brendësi të një mase njerëzish dhe nën ndikimin e saj individi pëson ndikim të thellë të veprimtarisë së tij psikike, gjendja e tij afektive ekzaltohet së tepërmi, aftësitë e tij intelektuale ulen dhe si pasoje e ketyre dy këto procese cilido tenton në mënyrë të dukshme të barazohet me individët e tjerë të masës” (reportazhi vazhdon me shfaqjen e këtyre simptomave te fytyrat që kalonin aty përpara…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin