Intervista me Shkëlzen Gashin

VATRAT E REHABILITIMIT TË GEGNISHTES

Intervistoi: Shkëlzen Gashi

Si mendon se duhet formuluar konteksti i diskutimit akademik dhe publicistik për marrëdhëniet e standardit gjuhësor të 1972-shit dhe gegërishtes (letrare e të folur)?

Nevoja e rishikimit të marrëdhënieve të standardit të 1972-shit me gegërishten nuk ka pse të diskutohet më nga pikëvështrimi romantik për gjuhën e për funksionet sociale të ligjërimit. Pa u ndalur në çështjen e shumabuzuar të “pastrimit”, dua vetëm të shtoj se shumë dashamirës të shqipes e të gegërishtes sidomos popullore e rurale vuajnë nga një farë sëmundjeje foshnjore e fetishizimit të fjalës, të cilën rregullisht e nxjerrin nga konteksti i përdorimit dhe e rrethojnë me pekule, si të ishte eksponat i rrallë në ndonjë koleksion fluturash. Kam pasur rast edhe më parë të përmend krahasimin e fjalës me monedhën; të cilin e bën De Saussure, e që bëjmë mirë ta përfshijmë në përsiatjet tona. Këto fjalë të rralla popullore, të gegërishtes e të toskërishtes, ndoshta kanë vlerë antropologjike, ose për të kuptuar më mirë mënyrën tradicionale të jetësës në katundin shqiptar relativisht të veçuar nga bota; por për funksionimin e sotëm të shqipes ndonjë vlerë të madhe nuk kanë. Unë do t’i krahasoja me një tufë kartëmonedhash të një epoke historike të kapërcyer, të cilat mund t’i ngazëllejnë koleksionistët e kuratorët e muzeumeve, por që në treg nuk shkojnë më, sepse e kanë humbur funksionin themelor të shkëmbimit gjuhësor; dhe e kanë humbur sepse nuk janë përdorur prej kohësh, ose ngaqë sfera e përdorimit të tyre ka qenë dhe mbetet vetvetiu e kufizuar. Mund të pyetet nëse mund të ringjallen këto fjalë; sikurse mund të pyetet edhe nëse ia vlen vërtet të ringjallen. Po të marrësh një prozë shkruar në shqipen e sotme, ose një përkthim çfarëdo, vështirë të mos e vësh re se gjuha atje vuan kryesisht nga dy mangësi themelore: leksiku dhe në përgjithësi mjetet gjuhësore të përdorura janë shumë të pakëta e të varfra, sidomos mbiemrat cilësues; dhe përdorimi i fjalëve është i pasigurt, sepse autori nuk e ka të qartë dallimin midis sinonimeve. Për shembull, dikush mund të përpiqet të futë pak laryshi në ligjërim duke përdorur, krahas dëshpërim, edhe pikëllim, dhimbje, trishtim, hidhërim, brengosje, brengë, helm e të tjera si këto; madje tani kemi edhe dy fjalorë të mirë sinonimesh që të lejojnë të zgjedhësh; por e keqja mbetet që të gjitha këto fjalë ia zënë vendin njëra-tjetrës shpesh pa arsye, pse çka i bashkon në kuptim perceptohet shumë më qartë se çka i dallon. Këtë turbullirë semantike nuk e zgjidh dot duke vazhduar të derdhësh në ligjërim kova me lista të reja fjalësh të mbledhura në popull, ose të nxjerra nga autorë të vjetër, ose nga fjalorë të vjetër e të harruar, thua se po u kthen lirinë të burgosurve të vjetër të ndërgjegjes.

A nuk ka një lidhje midis argumentit për rikthimin në përdorim të gegërishtes letrare dhe argumentit tjetër se shqipja është një, pavarësisht nga dallimet dialektore?

Kam frikë se argumenti i dytë ka çuar shpesh në mistifikimin tjetër: se dallimet midis standardit të 1972-shit që mbështetet në toskërishten dhe gegërishtes janë të natyrës fonetike ose morfologjike (gramatikore), dhe se mjafton pak kozmetikë për të kaluar nga regjistri tosk në atë geg: për shembull, nga toskërishtja kemi vendosur ta quajmë të përfunduar në gjoja gegërishten kemi vendosë me e quejtë të përfunduem(e); por një gegërishte e tillë nuk është veçse një travesti e standardit, sa kohë që strukturat më të thella të shprehjes mbeten të paprekura. Vetë ideja se standardi dhe gegërishtja letrare janë dy forma sipërfaqësisht të ndryshme të së njëjtës përmbajtjeje gjuhësore nuk ka ndonjë bazë objektive për t’u marrë si e mirëqenë; sepse në të vërtetë si njëra formë ashtu edhe tjetra janë në thelb shprehje kulturash jo vetëm të ndryshme, por ndonjëherë edhe të pabashkëmatshme.

Le ta quejmë formulimin e mësipërm edhe ‘neogegnishte’, por kjo a nuk dëshmon veç se arsyeja e vërtetë për sfidimin e standardit është për ta shkulë damkën e ‘çeçenizmit’ dhe për të lëvizur përpjetë në piramidën shoqërore pa sforcimin e stërmadh që dikton zotërimi i përpiktë i kësaj forme të anuar të standardit?

Kujtoj se, kur u shtrua për zgjidhje çështja e njësimit të gjuhës shqipe në vitet 1960, pati dijetarë të kalibrit të Çabejt që, edhe pse e pranuan nevojën objektive për një shqipe “zyrtare” të normëzuar, vunë në dukje se toskërishtja e shkruar dhe gegërishtja e shkruar, si variante letrare, nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për të ndërvepruar mes tyre; prandaj çdo njësim i sforcuar do të përfundonte në dhunë arbitrare ndaj variantit të pafavorizuar në zgjedhjet gjuhësore. Në të vërtetë, ndërveprimi i toskërishtes me gegërishten, si variante letrare të përpunuara, edhe gjatë Rilindjes kish qenë i kufizuar; meqë gjuha e autorëve kryesorë të Rilindjes i bindet më shumë kanuneve të traditës brenda variantit letrar, sesa nevojës për afrim ndërdialektor. Nuk ka asnjëfarë lidhjeje ndërvepruese të drejtpërdrejtë, bie fjala, midis Naim Frashërit dhe Pjetër Bogdanit; sikurse nuk ka midis Gjergj Fishtës dhe Hasan Zyko-Kamberit, përveç faktit që të gjithë shkruajnë forma të ndryshme të shqipes; edhe pse për nga etosi i veprës Naimi dhe Fishta i përkasin, praktikisht, të njëjtës epokë të letrave. Kultura shqiptare, si çdo kulturë tjetër kombëtare, erdhi e formua në rrugë konvergjente; por kjo konvergjencë nuk u lejua të vijonte në mënyrë të natyrshme, qoftë kur u shtyp egërsisht kultura gege katolike pas 1945-ës prej regjimit komunist, qoftë kur u imponua pastaj standardi gjuhësor në 1972-shin. Në lëmë të marrëdhënieve kulturore jug-veri, konvergjenca natyrisht nuk kufizohej vetëm me çështje të natyrës fonetike si hundorësia, grupi ue/ua ose rotacizmi; ose morfologjike si paskajorja e tipit me punue që sipas disa autorëve u mbajt larg me përdhunë nga standardi; por kishte të bënte më tepër me ballafaqimin konstruktiv dhe afrimin e dallesave ndonjëherë tepër të lashta e të rrënjosura thellë, midis gegëve dhe toskëve; shpesh të amplifikuara edhe nga mbishtratet kulturore të katolicizmit, përkatësisht ortodoksisë. Shqipja standard, idealisht, duhej të ishte kurorëzimi i kësaj konvergjence; jo katalizatori i saj, siç e kërkoi me çdo kusht regjimi i E. Hoxhës.

Shpresoj se nuk po pretendoni që gegët nuk e gjejnë dot veten plotësisht në trajtat e standardit, sepse ai ishte sajesë e përshpejtuar e Partisë Komuniste?

Pikërisht: jo sepse standardi është vetvetiu “i huaj” e i papajtueshëm me të folmet gege, por sepse standardi është zhvilluar në rrugë artificiale, burokratike e voluntariste, për t’u përsosur jo aq si formë e njësuar e kulturës kombëtare, sa si instrument për riprodhimin ideologjik të pushtetit totalitar komunist. Natyrisht, komprometimi totalitar i standardit dhe përjashtimi i gegërishtes letrare nga zhvillimet kulturore gjatë gjysmës së dytë të shek. XX janë dy gjëra të ndryshme; prandaj nuk ka ndonjë bazë të thuhet se rikthimi i gegërishtes letrare në ligjërimin publik do të ndihmojë për ta larguar ideologjinë dhe mendësinë totalitare që ende mbetet e rrënjosur atje. E vetmja gjë që mund të pohohet, ose të paktën që mund të pohoj unë, është se edhe përjashtimi i sforcuar i gegërishtes letrare, edhe drunjëzimi i toskërishtes në standard, janë anë të ndryshme të të njëjtave zhvillime historike dhe kulturore, të cilat tanimë janë arkivuar, nuk veprojnë më.

Por, a nuk janë vështirësitë e popullsisë gege për t’u identifikuar me standardin ngërçe të përditshme e reale edhe sot e kësaj dite?

Natyrisht; dhe këto vështirësi  nuk mund t’i faturohen thjesht “kokëfortësisë” kulturore të gegëve, ose provincializmit, ose rezistencës ndaj agresionit kulturor tosk, ose antikomunizmit. Këto vështirësi nuk duan pritur të përjetohen nga elitat kulturore e nga intelektualët, sepse këta kanë aftësi gjuhësore mbi mesataren dhe mund t’i ndërrojnë kodet e të shprehurit më shpejt e më lehtë se përdoruesi tipik i shqipes së shkruar; sidoqë edhe ndër elitat me prejardhje gege nuk është se mungojnë shfaqje të tilla të pasigurisë në përdorim, ose të luhatjeve, ose të hiperkorrektizmit, të cilat tani së fundi i ka vënë re L. Shamku-Shkreli. Edhe pse nevoja e shtetit dhe e administratës për forma gjuhësore të njësuara nuk do ngatërruar me nevojat e kulturës për gjuhë, kam frikë se disa nga këto vështirësi objektive të përvetësimit të standardit sidomos nga folësit e gegërishtes lidhen me synimet tepër objektive të standardizimit të shqipes, ashtu siç u sanksionuan në vitin 1972. Prandaj rishikimi i standardit mund të kërkohet, por jo duke kërkuar reforma protokollare të tipit të rikthimit të paskajores perifrastike, ose të ndryshimeve të thjeshta në drejtshkrim; por para së gjithash në rishikimin e sferave ose të hapësirave ku duhet zbatuar standardi.

Por ngushtim i sferave për përdorimin e standardit, a s’do të kthehej në ekspozim më të paktë, rredhimisht zotërim më të cektë të tij? Mandej, me përhapjen, kultivimin dhe rrënjosjen e një gegërishteje a nuk do ta thërriste kjo nevojën për rishikimin edhe të vetë standardit dikur?

Jo, nuk besoj; sepse standardi do të ishte ligjërimi që buron nga shteti, i mveshur me aq prestigj sa edhe shteti vetë. Sot që shteti (ndoshta shtetet) i shqiptarëve është i dobët, i diskredituar dhe i nëpërkëmbur, prestigji i standardit është dobësuar shumë; por do të ishte katastrofike, madje edhe vetëm për kulturën mbarëshqiptare, sikur kjo prirje të mos kthehej mbrapsht një ditë.

Ndërkohë, lëvrimi publik i gegërishtes letrare t’u mbetet autorëve individë, nëpërmjet gjestesh, të themi, ndonjiherë edhe provokuese?

Një pjesë e atyre autorëve që e shkruajnë sot gegërishten kam frikë se e bëjnë kryesisht për të tërhequr vëmendjen ndaj problemit, ose edhe ndaj vetes së tyre si tribunë të rehabilitimit të asaj forme kulturore; por pa marrë parasysh lexuesin, ose publikun në përgjithësi. Më tepër se e shkruajnë gegërishten, këta tregojnë se gegërishtja ende mund të shkruhet. Nga ana tjetër, situatat e përdorimit të formave gjuhësore janë të ndryshme, në treva të ndryshme ku jetojnë shqiptarët. Në Kosovë tashmë gegërishtja e shkruar mund të shërbejë si pjesë e arsenalit kulturor të sigurimit të pavarësisë së plotë nga Serbia e të krijimit të një shteti të pavarur; por kjo nuk do të thotë se ata që e shkruajnë gegërishten në shtypin e Tiranës ose në botimet në Shqipëri ushqejnë dëshira ose plane për separatizëm të gegëve, autonomi ose kantonalizim të Shqipërisë.

Për Serbinë besoj se është tashmë krejt njëlloj ç’shqipe shkruan Kosova. Megjithatë, e ndjej se zgjidhja lyp angazhim gjithëkombëtar e jo parcial, e në anën tjetër, nuk shoh si mund të ecë pa u kthyer në shqetësim të vetë elitave dhe institucioneve?

Qëllimet e autorëve të ndryshëm është vështirë të gjykohen a priori, ose edhe kur këta autorë vetë kujdesen t’i bëjnë publike; por nuk është gabim të thuhet se, në kufijtë e komunikimit kulturor në Shqipëri, përdorimi i gegërishtes së shkruar sot për sot mbetet i politizuar, dhe u shërben kryesisht autorëve të teksteve, jo lexuesve të tyre. Problemi kryesor, nga pikëpamja ime, është si të tërhiqet në riprodhimin kulturor kombëtar masa e madhe e gegërisht-folësve, që deri tani kanë mbetur të emargjinuar, në skajet, kulturorisht gjysmë-analfabetë dhe në mënyrë tipike të veçuar nga tryezat e shkëmbimit të ideve dhe nga autostradat e komunikimit kombëtar. Si mund të realizohet kjo? Nuk them dot se e kam të gatshme zgjidhjen; as pretendoj se jam në pozicion të privilegjiuar për të propozuar zgjidhje. Por mund të vërej se është utopike dhe anakronike të kërkosh, si disa kolegë, rikthimin e situatës gjuhësore të viteve 1930, kur gegërishten e lëvronin autorë të kalibrit të Fishtës, Koliqit, Prenushit, Harapit e Mjedjes; e kur Shkodra funksiononte si qendër kulturore me revistat e veta kulturore elitare, grupet teatrale e orkestrat; e sidomos me një sistem të kolauduar të riprodhimit e të transmetimit të traditës. Utopike, sepse ajo bazë sociale gegërishtes nuk i ekziston më, i është shkatërruar prej kohësh dhe nuk po i kthehet dot as tani që pengesat politike janë mënjanuar prej vitesh. Anakronike, sa kohë që shkodranishtja letrare mëton t’i rikthehet ligjërimit publik si të ishte një farë zhargoni i katolikëve shqiptarë; sepse kultura shqiptare e sotme priret të organizohet mbi baza funksionale, jo sipas fillesave religjioze të veçanta e aq më keq historike. Prandaj vatrat kryesore të rehabilitimit të ligjërimit në gegërishte unë i shoh në Prishtinë dhe, sado paradoksalisht, në Tiranë; meqë këtu përftohen sot për sot edhe energjitë më premtuese për t’ia kthyer shqipes pasuritë deri tani të keqpërdorura, shpërdoruara e muzeifikuara të gegërishtes.

‘Paradoksalisht’ edhe në Tiranë?E shihni të ndjeshme edhe Tiranën ndaj këtij shqetësimi?

Them në Tiranë, sepse tashmë gjithçka në Shqipëri filtrohet nëpërmjet Tiranës, madje edhe produktet dhe idetë kulturore qendërikëse – që këtej edhe paradoksi. Fatet e përpjekjeve për të futur studimin e gegërishtes letrare në shkolla, në mbarë vendin; krahas me studimin e shqipes standard, ose së bashku me të, do të vendosen gjithashtu në Tiranë. Kjo do të kërkonte, natyrisht, njësimin e drejtshkrimit të gegërishtes por para së gjithash përgatitjen e një brezi mësuesish të cilët të jenë në gjendje ta kryejnë këtë në mënyrë dinjitoze jo vetëm në Pukë e në Martanesh, por edhe në Frashër e në Lazarat. Çështja është nëse mund ta kryejë dot këtë shteti shqiptar objektivisht, e nëse ekziston vullneti institucional për një ndërmarrje të tillë. Të mos harrohet se standardizimi i kurorëzuar me Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972 në Tiranë kërkoi një mobilizim të pashok të forcave intelektuale, i cili u bë i mundur falë metodave totalitare të shtrëngimit e të frikës; e që për nga shtrirja dhe ambicjet mund të krahasohet me hidrocentralet, elektrifikimin, tharjet e kënetave, hekurudhat, terracimet, bunkerët e të tjera piramida të regjimit të kohës. Administrata e sotme publike, përkundrazi, e ka të vështirë deri edhe t’u vërë emra rrugëve në qendrat e qyteteve. Prandaj le të jemi realistë e të pranojmë se shteti i sotëm shqiptar dhe administrata nuk janë në gjendje të kryejnë atë çka duhet për t’ia rikthyer fillesën gegërishte kulturës shqiptare.

Dhe si e mendon pikërisht këtë futje të gegërishtes letrare në programet shkollore? Nuk do të rrezikonte kjo që gegërishtja letrare të studiohej si një lloj “latinishteje” e kulturës shqiptare, gjuhë e vdekur, ose matematikë e një kulture tashmë të perënduar?

Studimi i gegërishtes letrare në shkolla, i gramatikës e i teksteve të thjeshta por edhe analiza filologjike e autorëve të mëdhenj të letërsisë gege, nuk mund veçse të synojë edukimin e një kompetence si të thuash pasive te nxënësit; ose t’i aftësojë këta të komunikojnë nëpërmjet leximit me veprat kryesore të shkruara në gegërishte. Ideja në një rast të tillë do të ishte që, duke u thelluar në analiza filologjike dhe tekstologjike të autorëve gegë, forma e brendshme e gegërishtes letrare, ose tërësia e lidhjeve të kryqëzuara midis teksteve, referimet e ndërsjella, pasuria shpirtërore e përcjellë nëpërmjet trajtash gjuhësore të caktuara do të riprodhohen në vetëdijen gjuhësore dhe kulturore të brezave të rinj dhe, herët a vonë, do ta gjejnë rrugën drejt ligjëratës shqipe të shekullit XXI. Nga kjo pikëpamje, çështjet fonetike, drejtshkrimore ose morfologjike (të tilla si paskajorja) nuk kanë ndonjë farë rëndësie.

Por paskajorja si element edhe sintaksor e stilistik e si element i domosdoshëm për gegët që nuk e ndjejnë të zëvendësueshme krejt prej formave përkatëse të standardit dhe si ngërçi, mbase më i madhi i gegëve, sidomos në të folur? Po si rikthim tek natyrshmëria e shprehjes aty ku zëvendësimi duhet të bëhet me trajta emrore a folje joveprore dhe tingëllon artificial a tepër libror? Po në raport me pjesoren, gjithnjë e më shpesh të reduktuar?

Mendoj se, nga pikëpamja thjesht funksionale, të gjitha këto funksione të paskajores i përmbush edhe lidhorja, përkatësisht paskajorja e tipit për të punuar. Megjithatë, e kuptoj se malli për paskajoren nuk mund të kundërshtohet vetëm me argumente funksionale, ose do mund të kundërshtohet vetëm në atë masë që “ithtarët” e paskajores e paraqitin këtë formë gramatikore si funksionalisht të domosdoshme dhe të pazëvendësuese. Natyrisht ka një mistikë të paskajores gege, sikurse ka edhe një mistikë të gegërishtes, të cilat e mjegullojnë problemin real, duke e bartur në një rrafsh, si të thuash, mitik. Më ka qëlluar të lexoj se paskajorja perifrastike gege është tipar që e afron shqipen me gjuhët perëndimore, ndërsa lidhorja e mban në grupin e gjuhëve ballkanike lindore. Edhe pak dhe paskajorja gege do të shpallet e besimit katolik. Gabimi im është se, i ndodhur përballë sentimentalizmit e ndonjëherë absurditetit të këtyre argumenteve, e humb ndonjëherë prej sysh thelbin e çështjes. Tani, është e vërtetë, siç ma kujton edhe ti, se shumë gegë e kanë praktikisht të vështirë ta zëvendësojnë paskajoren, duke u përtypur e duke u ngatërruar në gjithfarë formash emërore të ngathëta. Por a nuk janë vallë këto vështirësi efekt anësor i drunjëzimit të shqipes standard nga mendësia totalitare, ose i nominalizimit si shprehje gramatikore të etatizmit burokratik? Nëse është kështu, atëherë konflikti midis prirjes instinktive të gegëve për t’u shprehur me paskajore perifrastike dhe modeleve nominale që ofron standardi është më tepër konflikt regjistrash, ose vertikal, sesa konflikt gramatikor horizontal. E kam fjalën që standardi, duke u përdorur shumë si zhargon i burokracive totalitare, e la pas dore përpunimin e një regjistri bisedor mbidialektor, cilësisht të dallueshëm nga toskërishtja bisedore. Nga ana tjetër, standardi nuk ia hap dot dyert paskajores së tipit me punue pa rrezikuar të futë në krizë krejt sistemin morfologjik të foljes; sepse kjo paskajore do të sjellë me vete edhe një formë specifike gegërishte të pjesores (punue përkundrejt punuar), e cila do t’i kundërvihet vetvetiu pjesores së standardit dhe do të krijojë një paralelizëm kaba formash – duke filluar nga format analitike të së kryerës, e duke vijuar me format e diatezës pësore e kështu me radhë, deri te mbiemrat prejpjesorë dhe nominalizimet e tipit të punuarit. Për mendimin tim, standardi për arsye thjesht funksionale nuk e pranon dot paskajoren gege tale quale, e cila më mirë të mbetet atje ku gjithnjë ka qenë: në gegërishten e folur dhe në variantet letrare të gegërishtes; në një kohë që e përsërit se thelbi i gegërishtes letrare, sot, do kërkuar e restauruar përtej sipërfaqes drejtshkrimore dhe gramatikore.

Në ç’kuptim pikërisht?

Një shprehje e tillë si Shumë po shndrit ai diell e pak po nxeh i përket origjinalisht gegërishtes, pavarësisht nga mënyra si drejtshkruhet e si drejtshqiptohet; sepse këtë ia përcaktojnë referime më të thella, si dhjetërrokëshi, sintaksa e posaçme e ndajfoljes, përdorimi i morfemës aktualizuese po, ndoshta edhe i leksemës shndrit përkundrejt sinonimeve stilistikisht të pashenjuara ndriçon e shkëlqen; e më në fund referimin e tejdukshëm ndaj epikës së Veriut. Dua të them që, kushdo që e ka bërë të vetën ligjëratën e kësaj epike, duke e lexuar dhe interpretuar dhe shijuar, nesër nuk do ta ketë të vështirë të pikasë referencën gegërishte në një shprehje të tipit shumë po flet ajo grua e pak po dëgjon, krahas kuptimit denotativ çfarëdo që mund të marrë kjo shprehje e fundit në kontekst. T’i marrësh pasuri të tilla konotative e t’i bësh pjesë të bagazhit kulturor të shqiptarit të mesëm kërkon një predispozitë kulturore, por edhe përpjekje akademike, studime të posaçme, tekste të nivelit universitar e tekste shkollore të zakonshme, mësues në gjendje që t’ua përcjellin nxënësve e sidomos bindjen se nuk mund ketë qytetërim shqiptar pa i integruar në kulturën kombëtare format kulturore të traditës, drejtpërdrejt por edhe nëpërmjet riciklimit të trajtave të tyre gjuhësore. Nëse shteti shqiptar nuk është sot në gjendje as të shqetësohet seriozisht për një nevojë të tillë, ndoshta mund të thuhet se ai nuk është pikërisht shteti që u duhet shqiptarëve, por vetëm një mekanizëm për t’u siguruar pushtetin disa individëve dhe klikave që nuk e vrasin shumë mendjen për dinjitetin e qytetarëve të tyre.

Po a nuk mund të rimëkëmbet gegërishtja letrare nëpërmjet nismash kulturore të shoqërisë civile e të privatëve; me botime të klasikëve të letërsisë gege, e botime rishtas të shkrimtarëve gegë; ose me nxitjen e përdorimit të gegërishtes publike në teatër, stacionet televizive lokale, gazeta, kinematografi e kështu me radhë?

Problemi i vërtetë është nëse ekziston një kërkesë publike për produkte të kësaj natyre; dhe nëse palët e interesuara, detyrimisht elitare, i kanë mundësitë për ta nxitur këtë kërkesë publike, ose për ta edukuar publikun që të mësohet të konsumojë produkte kulturore alternative. Megjithatë, një poet sado i talentuar e qoftë edhe gjeni, që i shkruan dhe i boton krijimet e veta në gegërishte, nuk mund të ketë sot në kulturë një impakt të krahasueshëm me atë të Fishtës ose të Migjenit dje; sepse roli shoqëror i poezisë është tkurrur ndjeshëm. Prandaj kam frikë se shumë orvatje që bëhen sot për përdorim publik të gegërishtes janë të dënuara të mbeten hobi të autorëve përkatës, ose tike kulturore zbavitëse. Nga ana tjetër, sulmet ballore ndaj standardit gjuhësor në Shqipëri kanë më tepër natyrë donkishoteske dhe nuk marrin parasysh funksionet sociale që ka aktualisht standardi; as stresin e madh të po këtij standardi në rrethanat e anomisë sociale në Shqipëri, të krizës së shkollës dhe të kulturës shqipe, të trysnisë së pashembullt të teknologjisë në gjuhë. Gjithnjë do të ketë të fantaksur që çështjen e standardit do ta shtrojnë e do të duan ta zgjidhin me mënyra romantike të shekullit XIX, ose me argumente historike dhe etimologjike; por këta nuk ia vlen as t’i luftosh seriozisht, sepse shumë po zhurmojnë e pak po dëgjohen.

Si duhet t’i qasemi rishikimit të standardit atëherë? Nëse frymëzimit romantik i ka kaluar koha, atëherë çka pikërisht mund t’i energjizojë orvatjet për reformë?

Që standardi i shqipes së sotme duhet të rishikohet, kjo nuk ka lidhje vetëm me nevojën për t’ia hapur dyert prurjeve të gegërishtes; kështu që është mirë që çështje të tilla të trajtohen, sipas rastit, edhe veçmas. Kur vjen puna për rishikim të standardit, në krye duhet ndryshuar mënyra e zbatimit të rregullave ekzistuese, duke lejuar një farë përkulshmërie në të gjitha ato raste për të cilat praktika e përdorimit gjuhësor ka treguar se ekzistojnë luhatje të mëdha. Kjo mund t’u besohet menjëherë specialistëve përkatës, ose gjuhëtarëve të profilizuar në çështje të normës, të cilët ende i kemi, për fat të mirë, me nivel të lartë profesional. Por e theksoj – vetëm identifikimi i atyre rregullave të cilat duhen liruar, për të lejuar variante drejtshkrimore e gramatikore, ose dysorë. Askush nuk shqetësohet, bie fjala, që sot shkruajmë e themi: unë ngjis dhe unë ngjit, ne shëtisim dhe ne shëtitim; edhe pse me kalimin e kohës format me mbylltoren t do të tingëllojnë ndoshta më librore se ato me fishkëllyesen s. Edhe gjuhë të mëdha e me traditë të vjetër shkrimore, si italishtja e spanjishtja, i tolerojnë mirë dysorët; si në italishten devo dhe debbo; gioco dhe giuoco; ose në lidhoren e pakryer të spanjishtes, së cilës i lejohet krejt paradigma e dysuar: cantase dhe cantara, e kështu me radhë për të gjitha foljet e fjalorit. Edhe në shqipe ka vend për t’i liruar menjëherë disa rregulla të normës – si përdorimin e ë-së së patheksuar, ose të apostrofit, ose të pjesëzës të lidhores në format e së ardhmes volitive (do punoj në vend të do të punoj), e kështu me radhë. Unë vetë do të shkoja deri atje sa të eksperimentoja edhe forma të tilla si krkoj, trmet, shprthej, prpunoj, grmoj, ku r-ja funksionon si tingull rrokjeformues. Siç mund të shihet, kjo punë nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rekuperimin e gegërishtes letrare e të pasurisë kulturore gege, por me remontin e standardit vetë; edhe pse logjika ta do që shumë prej dysorëve të toleruar rishtas do të risjellin në ligjërim të shkruar trajta të gegërishtes të folur e të shkruar. Megjithatë, ky proces kërkon vite për t’u kryer si duhet, meqë jo vetëm duhen identifikuar ato pjesë të normës ku do të ndërhyhet, por edhe u duhet lënë kohë përdoruesve të shprehen me fakte; dhe ne shqiptarët, për nga natyra, gradualizmin nuk e durojmë dot, nuk na bind si formë transformimesh sociale, edhe pse shpesh është e vetmja formë e pranueshme.

Por një strategji e rishikimit të standardit nuk mund të përqendrohet thjesht në aspektet teknike, ose të normës; sepse suksesi i saj deri diku varet nga shkalla e përfshirjes së përdoruesve të gjuhës në këtë reformë, apo jo?

Pa dyshim. Tabloja e plotë e ndërhyrjes në ligjërimin publik duhet të përfshijë edhe reformën themelore të mësimdhënies së shqipes në shkolla duke futur atje elemente të gegërishtes letrare; edhe nxitjen e përdorimit publik të gegërishtes letrare; edhe zbutjen e disa rregullave të tanishme të drejtshkrimit dhe të gramatikës së shqipes së njësuar; dhe nëse punohet paralelisht në këto tri drejtime, unë jam optimist se rezultatet nuk do të mungojnë, sidomos për brezat që vijnë. Këtu duhet pasur parasysh edhe se, në rastin e gegërishtes, nuk duhet të ngatërrojmë dy plane cilësisht të ndryshme: variantet letrare të gegërishtes, qoftë shkodranishtes qoftë gegërishtes së lëvruar në Kosovë e gjetiu nga njëra anë, dhe gegërishten e folur, nga ana tjetër. Është romantike dhe ndoshta mistifikuese të vësh shenjën e barazisë midis ligjëratës së Fishtës, ose Gjon Shllakut, dhe muhabetit të lirshëm në një kafene të Mbishkodrës ose Tropojës; sepse varianti letrar gjithnjë do përfytyruar si ngrehinë që mbështetet në vetveten e në intertekstin, jo si tejshkrim të folmesh vernakulare. Nga ana tjetër, edhe rruga ka ndikim të fortë në ligjërimin publik, sidomos në kushtet e një shoqërie të organizuar rreth ekonomisë së tregut dhe demokracisë ose, sipas rastit, demagogjisë. Shqipja që përdoret në stripat e “Rrotës”, për shembull, nuk i referohet aq trashëgimisë letrare të gegërishtes sa ligjërimit urban të gjallë e të përditshëm në Kosovën e sotme; por këtij të fundit i referohet, si të thuash, duke ia shkelur syrin lexuesit, ose në trajta të një operacioni estetik post-modernist. E kam fjalën që jo gjithnjë përdorimi artistik i formave të gegërishtes, letrare a vernakulare qofshin, ka për synim të tërheqë vëmendjen ndaj nevojës për rishikim të normave gjuhësore ose të parimeve të standardit; dhe që jo çdo artist i sotëm geg e ndien për mision t’ia rikthejë shqipes gegërishten letrare, as mund të përfytyrohet vetëdija kulturore gege në trajta revanshiste të revoltës ndaj standardit gjuhësor ekzistues, sa kohë që ka edhe standarde të tjera për t’u sfiduar.

2007

[kjo intervistë duhet të jetë botuar në “Koha ditore” dhe në një libër të përgatitur nga studiuesi Shkëlzen Gashi; është botuar gjithashtu në “Shekulli”]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin