ARTI BASHKËKOHOR NË HAPËSIRËN PUBLIKE

Një intervistë me Pleurad Xhafën

Pleurad Xhafa është një artist i cili jeton dhe punon në Tiranë. Xhafa ka studiuar në Bolonjë, dhe është diplomuar në 2012 me një MFA nga Akademia e Arteve të Bukura të Bolonjës. Xhafa punon kryesisht në video, fotografi dhe instalacion, dhe veprat e tij flasin për politikat e hapësirës publike, përkujtimin dhe punën në Shqipërinë e sotme. Së fundmi, Xhafa merr pjesë në ekspozitën Teatri i Gjelbërimit në Galeria FAB në Tiranë; njëkohësisht veprat e Xhafës Mind Goes Blank, Eye is Gazing Into the Future (2010) dhe Breaking News (2013) janë përfshirë në ekspozitën Triple Feature #5, e cila është hapur tani tek Tirana Art Lab. Biseduam me Xhafën për gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri, marrëdhënien mes artit dhe hapësirës publike, dhe mundësitë e artit bashkëkohor për të shërbyer si një formë kritike ndaj neoliberalizmit. Intervista e mëposhtme u zhvillua nëpërmjet emailit. Intervista u botua fillimisht në anglisht në ARTMargins Online Blog.

 

Pleurad Xhafa, duke krijuar Negative I-II-III-IV, 2015. Vepra e realizuar në bashkëpunim me Departamentin i Shqiponjave. Fotoja nga artisti.

Raino Isto: Çfarë rëndësie ka ose mund të ketë arti bashkëkohor në zhvillimin e ndërgjegjësimit të shoqërisë ndaj hapësirës publike? A mund të flasësh pak për hapësirën publike (ose për zhdukjen e saj) në vitet e fundit në Shqipëri?

Pleurad Xhafa: Për të folur mbi artin bashkëkohor dhe rëndësinë e tij në shoqëri më lejo si fillim të përpiqemi shkurtimisht të kryejmë një diagnozë patologjike të hapësirës publike në Shqipëri. Për 45 vite të regjimit komunist në Shqipëri prona private ishte totalisht e ndaluar, askush nuk e kishte të drejtën të zotëronte një të tillë. Ajo u përkiste të gjithëve dhe asnjërit njëkohësisht. Çdo institucion dhe pasuri natyrore ishte publike, vetëm pushteti politik kishte akses absolut mbi të. Mendoj se ky faktor e deformoi njeriun socialist i cili me ndryshimin e regjimit në vitin 1990, u vërsul për të gllabëruar atë që i ishte mohuar për kaq shumë vite. Në mungesën pothuajse totale të shtetit, qytetet e mëdha pësuan transformime rrënjësore nga lëvizja demografike. Njerëzit rrëmbyen fabrika, prishën dhe vodhën çdo gjë që ata e konsideronin të përbashkët. Ndërtuan pa kriter shtëpi dhe biznese private në çdo cep të mundshëm. Me hyrjen e shekullit të ri dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore gllabërimi i hapësirës publike depërtoi më thellë në plagë. Bisturia e sostifikuar neoliberale me karakter mafioz ndërhyri në ligj duke privatizuar burimet natyrore dhe institucionet publike. Kjo fazë në këndvështrimin tim është ajo më e rrezikshmja pasi infekton çdo qelizë të shoqërisë. Në 26 vite shoqëria shqiptare nuk mundi dot të ndërtojë shtresën e mesme. Vetëm pesë për qind e shqiptarëve janë shumë të pasur, pjesa tjetër janë të varfër dhe shumë të varfër. Për rrjedhojë shtresa e varfër dhe shumë e varfër është e detyruar të pranojë çfarëdo kompromisi që dhuna e kapitalit imponon për të mbijetuar madje duke deformuar rrënjësisht qënien e tyre. Infeksioni i hapësirës publike spostohet në nivele psikologjike dhe shpirtërore e cila shfaqet me doza të ngarkuara ankthi, agresiviteti dhe frike ndaj mendimit ndryshe.

Pikërisht, në këtë terren të infektuar mendoj se arti bashkohor i angazhuar duhet konsideruar si një kërkesë emergjente i cili duhet të kryej rolin e tij si antikorp për të gërvishtur shtresëzimin e shokut terapik. Mbase mund të jem i gabuar, por mendoj që artisti duhet të dalë nga zhgualli i masturbimit mental dhe të krijojë hapësira të nevojshme debati dhe ndërveprimi me njerëzit e thjeshtë që banojnë qytetet dhe periferitë. Vetëm atëherë do të mund të ngrinim një diskutim mbi rolin e artit në raport me ndërgjegjësimin e shoqërisë. Deri atëherë kjo që sapo thashë ngelet një teori në trajtën dëshirore.

RI: A mund të flasësh për lidhjen mes artit dhe politikës në Shqipërinë e sotme (një pyetje e ngrënë nga përdorimi, por jam kurioz të di se si e sheh rolin e artistit në lidhje me politikën)?

PXh: Arti bashkëkohor në Shqipëri është totalisht në krizë. Forma e tij ndriçohet nga reflektorët e pushtetit në katin e parë të Kryeministrisë “COD” ndërsa përmbajtja është groposur në varrezat e Sharrës, madje as varrin nuk ja gjen dot më, pasi edhe emrin e shkruar në bronz e kanë vjedhur natën të varfrit për ta shitur për skrap.

Në gjykimin tim pjesa më e madhe e artistëve që konsiderohen aktiv në Shqipëri janë kthyer në marioneta të propagandës së pushtetit politik. Kjo është dëshpëruese dhe shqetësuese në të njëjtën kohë, pasi kritika si fushë veprimi është pothuajse inekzistente.

Edhe kur shfaqet, shfaqet nga artistë të cilët operojnë në forma individuale. Jam shumë i lumtur që kohët e fundit një kolektiv street arti i quajtur “Çeta” ka vënë në lëvizje ujin e qelbur të skenës artistike shqiptare, por ngelet për tu parë se sa do tu rezistojnë kohës.

Për t’iu rikthyer edhe njëherë pyetjes së parë mbi rëndësinë e artit bashkëkohor në zhvillimin e ndërgjegjësimit ndaj hapësirës publike dhe duke e lidhur atë me rolin e artistit ndaj politikës po marr një shembull të ndodhur kohët e fundit në Tiranë.

PXh: Politikat neoliberale që ndjek qeveria shqiptare në pushtet, prodhuan një reformë në arsim e cila me taksat e qytetarëve favorizon sektorin e universitetit privat. Kjo reformë është kundërshtuar për disa vite rresht nga “Lëvizja për Universitetin”. Si pasojë, gjatë një aktiviteti të mbajtur nga FRESSH- (Forumi Rinor Socialist Shqiptar), studentja dhe aktivistja Mirela Ruko, zbrazi një shishe salce në kokën e Ministres së arsimit Lindita Nikolla. Kjo ngjarje mund t’i kushtojë studentes 3 vite burg.

Në gjykimin tim ky veprim nuk erdhi vetëm si pasojë e reformës në arsim, por si një përgjigje ndaj politikave privatizuese dhe mungesës së demokracisë me përfaqësim.

Por, nëse veprimi i studentes ngriti një debat për herë të parë në Shqipëri i cili e ndau opinion në pro dhe kundër, se deri ku shkon etika e një proteste apo më shumë akoma deri ku mundet të shkojë liria dhe demokracia e të shprehurit, kjo me bën të reflektoj dhe të ngre një pyetje thelbësore kur vjen fjala tek artistët: A janë artistët bashkëkohorë shqiptarë të aftë me format e tyre shprehëse të nxisin një debat po kaq të rëndësishëm?

Pleurad Xhafa, Monument për Dështimin, 28 Janar 2016. Vepra e realizuar në bashkëpunim me MAPS (Museum of Art in Public Space). Fotoja nga artisti.

RI: Disa nga veprat e tua të fundit (kam parasysh Monument për Dështimin dhe Negativë I-II-III-IV) kanë të bëjnë edhe me kujtesën edhe me monumentalitetin. Çfarë roli mendon se luajnë sot monumentet në shoqërinë shqiptare, dhe çfarë marrëdhënie ka arti bashkëkohor me monumentet e tjera zyrtare, (qoftë të kohës së socializmit apo të kohës post socialiste) në hapësirën publike?

PXh: Mendoj se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që feston Ditën e Çlirimit nga pushtimi Nazist në dy data të ndryshme, kjo në varësi të partisë që është në pushtet. Kur Shqipërinë e qeveris PD (Partia Demokratike), ne e festojmë çlirimin më 28 nëntor ndërsa kur pushtetin e merr PS (Partia Socialiste) çlirimin e festojmë më 29 nëntor. Kjo anomali është produkt i forcave politike të cilat përpiqen me çdo kusht të manovrojnë dhe kontrollojnë historinë e Shqipërisë. Po ashtu Shqipëria është i vetmi vend në ish-vendet komuniste të Europës e cila nuk është ballafaquar me të shkuarën e saj. Dosjet e krimit të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe policisë sekrete të regjimit nuk kanë dalë nga skutat e errëta të arkivave. Ende sot në pushtet shërbejnë prokurorë, gjykatës, politikanë të cilët kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë dhe kanë firmosur ekzekutime makabre në emër të propagandës komuniste. Ky raport hipokrizie me historinë, pasqyrohet drejtpërdrejt tek monumentet dhe memorialët të cilat ngrihen si kërpudha helmuese nga subjekte private në bashkëpunim me pushtetin politik në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

Pleurad Xhafa, Monument për Dështimin, 28 Janar 2016. Vepër e realizuar në bashkëpunim me MAPS (Museum of art in public space). Fotoja nga artisti.

Kur vendosa të realizoja Monument për Dështimin i cili sjell në vëmendje gjykimin e çështjes së Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 persona e konsiderova këtë vepër si një dhuratë, si një monument të munguar për qytetin e Tiranës. Gjatë procesit për realizimin e monumentit u përpoqa të bëja një parashikim. Isha i bindur që pllaka e bronzit nuk do të qëndronte për shumë kohë mbi trungun e prerë, pasi bronzi është një material me vlerë dhe mund të vidhej. Për një dokumentim të dytë të punës, vendosa që pllakën ta ngjisja me ngjitës. Gjithçka shkoi përtej parashikimit tim. Disa javë më vonë Kryetari i Bashkisë së Tiranës e hoqi monumentin personalisht me gjithë trung duke e shkatërruar atë plotësisht. Në vend të saj ai mbolli një fidan të ri. Ky veprim tregoi qartë edhe njëherë marrëdhënien që pushteti krijon me historinë dhe modifikimin që ai i bën hapësirës publike në shërbim të estetizimit politik.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj duke mbjellur një pemë të re pas çrrënjosjes të trungut ku ishte instaluar Momument Për Dështimin. Foto nga faqja e Facebook e Erion Veliajt, 28 janar 2016.

RI: Shumë artistë shqiptarë më kanë thënë se mungesa e galerive për artin bashkëkohor është një problem i madh në vend, por gjithashtu më duket se (në kontekstin neoliberal) sa herë që një artist ekspozon në një galeri, rrezikon që arti i saj apo i tij (bashkë me çdo kritikë që mund të mbart) të asimilohet (‘co-opted’) menjëherë nga autoriteti i institucionit. Si mendon, a është akoma me rëndësi ekspozimi në galeri (të paktën për sa i përket mesazhit politik apo kritik të veprave), apo aksionet e ndërmarra në vendet publike janë më me rëndësi?

PXh: Është e vërtetë që arti, sidomos ai kritik rrezikon të asimilohet nga autoriteti i institucionit, aq më tepër kur ndërthuret në hallkat e kapitalit. Por, në Shqipëri ka një ndryshim thelbësor, sistemi i mirëfilltë i artit nuk ekziston, si rrjedhojë as galeritë e as koleksionistët. Unë kam një shqetësim tjetër lidhur me hapësirat artistike në Tiranë. Po fokusohem vetëm në Tiranë pasi në qytetet e tjera të Shqipërisë, arti bashkëkohor dhe hapësirat artistike janë pothuajse inekzistente. Hapësirat, të cilat kanë një qasje të pavarur, sidomos nga strukturat politike, janë shumë të rëndësishme sepse ndihmojnë në formimin e mendimit kritik. Në këndvështrimin tim edhe ato pak hapësira artistike që operojnë në Tiranë janë drejt kapitullimit. Nuk arrijnë dot të përfshijnë publikun e gjerë. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e institucionit por njëkohësisht edhe e artistëve. Interesi dhe numri i vogël i pjesëmarrjes në inaugurime ekspozitash rrezikon të kthehet në një rreth të ngushtë vicioz ku pa e kuptuar bëhet pengesë për hapjen e dialogut. Personalisht mendoj se artisti me mbështetjen e këtyre institucioneve duhet të krijojë taktika politike për të zaptuar përkohësisht hapësira publike duke i kthyer ato në platforma autonome debati të hapur për këdo.

RI: Gjithashtu disa nga veprat e tua lidhen me konceptin e ‘drejtësisë’ (një koncept që është diskutuar shpesh në Shqipëri, përgjithësisht në lidhje me luftën kundër korrupsionit, ‘the rule of law’, etc.). A mund të flasësh pak rreth konceptimit tend mbi idenë e ‘drejtësisë’, dhe rreth lidhjet që mund të krijojë arti bashkëkohor me drejtësinë? A mendon se drejtësia është diçka që i përket kryesisht funksioneve politike, apo është element i të gjitha marrëdhënieve apo lidhjeve mes njerëzve në shoqëri? A është drejtësia diçka që ‘vepron’, apo është më shumë një situatë apo gjendje, dhe ç’ka të bëjë arti me këtë (qoftë me ‘veprimin’ e drejtësisë, apo me drejtësinë si gjendje/situate)?

PXh: Drejtësia dhe arti nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë, por drejtësia mund të jetë subjekt i artit. Negativë I-II-III-IV është një punë që ka për subjekt pikërisht drejtësinë. Kjo punë flet për protestën e 21 janarit. Ngjarje kjo jo shumë e largët në memorien kolektive, e cila la pas 4 të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Më 21 Janar, 2011, kryetari i opozitës së atëhershme, sot Kryeministër i vendit Edi Rama, udhëhoqi qindra protestues kundër qeverisë në pushtet të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo protestë ishte një përgjigje ndaj një video skandali të bërë publik nga mediat, ku Ilir Meta, Ministri i Jashtëm dhe Lideri i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në koalicion me qeverinë, shfaqej duke mbyllur një aferë korruptive. Ditën e protestës katër qytetarë u qëlluan për vdekje nga dritaret e Kryeministrisë prej ushtarëve të Gardës së Republikës.

Diçka e papritur ndodh gjatë zgjedhjeve të 2013, dy kundërshtarët politikë, Ilir Meta dhe Edi Rama hyjnë në një koalicion të përbashkët dhe fitojnë zgjedhjet. Rama bëhet Kryeministër dhe Meta bëhet Kryetar i Kuvendit duke fituar kështu imunitet dhe paprekshmëri nga gjykatat.

E vetmja shenjë që sot ka mbetur nga ajo ngjarje pa fajtorë janë 4 pllaka bronzi që shtrihen buzë trotuareve të bulevardit, pikërisht në vendet ku protestuesit u vranë.

Pleurad Xhafa, duke krijuar Negative I-II-III-IV, 2015. Vepra e realizuar në bashkëpunim me Departamentin i Shqiponjave. Fotoja nga artisti.

Kushti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është “Reforma në Drejtësi”. Nën këqyrjen dhe rekomandimet e BE dhe USA, kjo reformë u votua unanimisht në korrik të 2016 nga të gjitha partitë politike në vend, të njëjtat parti që prodhuan 21 janarin.

Ajo që më bën përshtypje në gjithë këtë histori është se si këto skandale dhe makinacione injorohen publikisht nga të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë.

Ndoshta mosveprimi i drejtësisë ka krijuar një gjendje që ka për qëllim të ruajë status quonë e pushtetit dhe ku përmes një dhune verbale ajo ka mpirë dhe korruptuar vetëdijen e shoqërisë.

RI: Ti ke realizuar disa vepra pranë godinave të shtetit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit; a ke hasur ndonjë problem nga rojet e sigurimit/nga policia gjate krijimit të veprave? A të ka përgjuar më pas policia?

PXh: Kur vendosa të realizoja Negativë I-II-III-IV u përballa me dy vështirësi. E para ishte ajo institucionale pasi për të vepruar mbi memorialët e bronzit më duheshin leje veprimi nga institucionet përkatëse. Njëra ndër to ishte Bashkia e Tiranës. Për rreth pesë muaj rresht kam shkuar personalisht në bashki për të kërkuar leje, e cila nuk m’u dha kurrë. Është e kuptueshme sepse Kryetari i Bashkisë në atë kohë ishte Lulzim Basha i cili në ngjarjen e 21 janarit mbante postin e Ministrit të Brendshëm dhe me shumë gjasa urdhri për të qëlluar mbi protestuesit mund të ketë kaluar nëpërmjet tij. Vështirësia e dytë ishte ajo e realizimit teknik. Për këtë punë unë komisionova një skulptor profesionist i cili kur u njoh me realizimin dhe tematikën e punës u tërhoq menjëherë sepse nuk donte të kishte të bënte më këtë argument. Pas disa takimesh me të, arrita disi ta bindja dhe testi i parë që ai më dha si detyrë ishte të merrja përmasat e memorialeve të cilat do të shërbenin për ndërtimin e kornizave (skeleteve) në dru ku do të derdhej allçia.

Përmendoret e 21 Janarit. Fotoja nga Pleurad Xhafa.

Pasi shkova dhe morra përmasat e memorialëve duke u kthyer për në shtëpi kuptova që po më ndiqnin. Me pas mendova se ishte thjesht një paranojë e imja që më vinte nga argumenti delikat i ngjarjes. Disa kohë më vonë kur shkuam për të realizuar derdhjet në allci të memorialëve, përveç policisë, e cila ishte prezente gjatë gjithë kohës vura re të njëjtin person që më kishte ndjekur. Ai mu afrua dhe më pyeti se çfarë po bëja dhe kush ishte qëllimi i këtyre skulpturave. Mburoja e vetme që unë kisha në atë moment ishte vetëm ARTI. Pasi më sekuestroi dokumentet personale ai vazhdonte të insistonte duke më thënë që nuk duhet të merrem me këto gjëra. Artit nuk kanë ç’i duhen këto gjëra.

RI: Shumë nga veprat e tua janë—në njëfarë mënyre—indekse. D.m.th., fotografia indekson dritën dhe nëpërmjet saj edhe një pjesë të realitetit në një moment të caktuar. Skulpturat në Negative I-II-III-IV janë indekse të pllakave të vendosura në bulevard. Ideja e artit si një ‘indeks’ (shpesh një indeks i papërsosur apo i paplotë) është diskutuar shpesh në teorinë e artit bashkëkohor—a mund të flasësh pak për këtë? A ka diçka që të tërheq tek indeksikaliteti në art?

Pleurad Xhafa, Negative I-II-III-IV ekspozuar në ‘Teatri i Gjelbërimit’ tek Galeria FAB, Tiranë, 2015. Fotoja nga artisti.

PXh: Po ta mendosh, është shumë interesante sepse memorialët e 21 janarit janë zëvendësimi në bronz të disa pjesëzave të trotuareve të Bulevardit Dëshmorët e Kombit ose “Avenue of the Empire” siç u quajt nga fashistët italianë kur e ndërtuan në vitin 1941. Tek “Vepra e artit në epokën e riprodhimit të saj teknologjik” Walter Benjamin analizon se totalitarizmi e përdor eksperiencën artistike si vegël për kontrollin e masave nëpërmjet estetizimit të politikës. Pra memorialët nuk janë gjë tjetër veç imitimi i konceptit totalitar. Nëse do ti referohemi indeksit si koncept performativ të një procesi fizik, në rastin e skulpturave në allçi, marrja e së njëjtës formë në të kundërtën e saj, gjeneron një tjetër këndvështrim, atë të treguesit ku shenjat në negativë materializojnë mohimin: mohimin e drejtësisë, mohimin e transparencës, e llogaridhënies dhe mohimin e përgjegjësisë.

RI: Është shpesh e vështirë të flasësh hapur për ‘klasën punëtore’ ose për ‘punëtorët’ në Shqipëri, sepse koncepti i punëtorit ka qenë lidhur ngushtë me ideologjinë e komunizmit. Por në të njëjtën kohë mua më duket se në kontekstin neoliberal-kapitalist, duhet të flasim sa më shumë për klasat dhe sidomos për punëtorët e për klasën punëtore. A ka një detyrim artisti kontemporan të trajtojë (sa mundet) çështjen e punëtorit? Si i sheh punët e tua në lidhje me kontekstin neoliberal/kapitalist?

PXh: Në regjimin komunist klasa punëtore ishte vetë shoqëria. Megjithëse në fiksion, ajo kishte pozicionin më të rëndësishëm në ndërtimin e ëndrrës ideologjike, ndërsa sot, në kontekstin neoliberal (nën)punëtori është i pa përfaqësuar dhe është totalisht në shërbim të pronarit, madje duke mohuar të drejtat e tij themelore me qëllimin e vetëm të mos humbasë vendin e punës. Mungesa ose më saktë letargjia e sindikatave është një shqetësim i madh në organizimin e punëtorëve për të kërkuar të drejtat e tyre. Këtë nuk e them unë por Kryeministri i vendit tim, i cili në një emision televiziv në Itali u bëri thirrje live bizneseve italiane të vinin dhe të investonin në Shqipëri pasi sindikatat janë inekzistente dhe krahu i punës është shumë i lirë.

Pleurad Xhafa, imazh nga Tireless Worker, video, 43min, 2013. Fotoja nga artisti.

Pikërisht tek filmi Tireless Worker kam dashur të tregoj dinamikat e hierarkisë midis së shkuarës dhe së tashmes për të cilat fola pak më sipër. Krejt rastësisht u njoha me një fabrikë e cila në regjimin komunist ndërtonte bunkerë dhe sot ajo ndërton pllaka për trotuare. Kushtet e mjerueshme të punës dhe moshat e punëtorëve nxitën brenda meje detyrimin dhe përgjegjësinë si artist për të dokumentuar këtë realitet që ndodhej vetëm pak kilometra larg nga qendra e qytetit të Tiranës. Zinxhiri i montazhit dhe puna në normë po degradonte ngadalë punëtorët deri në deformime psiko-fizike. Ajo që më shtyu edhe më shumë për të vazhduar këtë film ishte jeta e punëtorit Haxhi Xhihani i cili punonte në këtë fabrikë që nga viti 1973. Në periudhën e regjimit komunist ai ishte dekoruar nga brigadieri i fabrikës me medaljen e nderit Tireless Worker për kontributin e dhënë në punën kolektive. Ironia e dhimbshme është që mbas regjimit brigadieri u kthye në pronar duke e privatizuar fabrikën në emrin e tij. Aktualisht punëtori Xhihani paguhet me 3$ dita.

Pleurad Xhafa, imazh nga Tireless Worker, video, 43min, 2013. Fotoja nga artisti.

RI: Në disa raste, ke luajtur dhe rolin e dokumentuesit. Si e sheh lidhjen e artit bashkëkohor me zhanrin e “dokumentarit”? Jam kurioz të di nëse ti e koncepton praktikën tënde si artist në lidhje me traditën e realizmit (realizmit duke filluar nga mesi i shek. 19), apo me traditën e dokumentarit që u zhvillua më vonë.

PXh: Pothuajse në të gjitha punët që kam realizuar subjekti ose argumenti që më ka interesuar të shtjelloj, në një farë mënyre ma ka përcaktuar linguazhin (regjistrin?) (gjuhën) e mediumit. Kur punoj me imazhin në lëvizje (filmin ose dokumentarin) preferoj të mbaj një qëndrim të distancuar nga subjekti. Filmi Tireless Worker për shembull ka një ndikim të theksuar të kinemasë neorealiste italiane të mbas luftës së dytë botërore. Punëtorët nuk janë aktorë profesionistë dhe luajnë jetën e tyre në film. Punëtori Xhihani e vë trupin e tij në shërbim të narracionit, ku shikuesi nëpërmjet tij njihet me peizazhin dramatik të Shqipërisë bashkëkohore. Së fundmi jam në një proces dokumentimi me video të protestave të ndryshme që ndodhin në Shqipëri. Forca e këtyre imazheve është pikërisht tek pafuqia e zërit të protestës. Megjithëse kam mbledhur rreth 3tb material dixhital, ende nuk e di se si do të përdoren. Ndoshta nuk do të përdoren kurrë, ndoshta mbas shumë vitesh do të jenë një material i vyer për të treguar kohën e sotme…

RI: Problemet që hasin artistët e angazhuar sot në Shqipëri, janë probleme që hasin dhe artistë të tjerë në mbare botën, qoftë në vendet e Evropës lindore, apo edhe jashtë këtij rajoni… sipas përvojës tënde, çfarë mund të mësojmë në përgjithësi nga përvoja e artistëve në Shqipëri? A ka ndonjë taktikë, ndonjë përvojë që mendon se është e vyeshme për artistët bashkëkohore kudo në gjendjen globale neoliberale të sotme?

PXh: Nuk e di nëse ekzistojnë formula të përcaktuara se si një artist duhet të veprojë, por ajo çfarë unë shoh me rëndësi është përpjekja e ngritjeve të platformave të debatit dhe këmbëngulja në problematizimin e kushteve në të cilat jetohet dhe punohet pavarësisht vendit dhe kohës.

Kjo intervistë u zhvillua nëpërmjet email-it gjatë nëntorit dhe dhjetorit të 2016. 

 

Rreth Autorit

Raino Isto po mbron një PhD në Universitetin e Maryland-it, College Park, duke punuar kryesisht në monumentalitetin dhe ndërtimin e kujtesës në shtetet e Ballkanit, gjatë viteve të socializmit. Një pjesë e madhe e kërkimeve të tij janë përqendruar në Shqipërinë socialiste dhe në ndriçimin e domethënies globale të realizmit socialist gjatë periudhës së Pasluftës. Disa shkrime të tij tani së voni merren me teoritë ekologjike në artin kinez bashkëkohor. Ai blogon dhe arkivon në afterart.org.

Author Archive Page

13 Komente

  1. Raino ose Pleurad,

    Nuk i kam pare Negative I-II-III-IV, por nga fotot dhe shpjegimet ketu, nuk kuptoj ceshtjen e ndeksikalitetit. Kete te fundit une e kuptoj si pjese e analizes gjuhesore, qe para mese 20 vjetesh e kam takuar ne kursin e pare te pragmatikes qe mora ketu (aspekt shume teknik ky i indeksikalitetit), dhe me pas eshte i sterdiskutuar ne te gjitha teorite sociolinguistike te diskurit dhe tekstit. Mendoj se ne parim kemi te bejme me te njejtin kuptim edhe ne art, ne rastin te cilit i referoheni ju te dy me lart (nen foton e 4 skulpturave “Negatives…). Ne kete kuptim nazaliteti dhe mungesa e rotacizmit do indeksikalizonin gegnishten; shprehja “hapju partise” do indeksikalizonte situate tmerri e frike ku mund te te ikte koka se “te ishin vene prapa shoket e partise”; hapja e letrave me “pershendetje, Eda” per mua indeksikalizon rinine qe meton te behet pjese e brezit yuppie ne Shqiperine e viteve 2000, dhe perdorimi i saj gojor, ate te rinise me po ato ideale te pas viteve 2010; pasthirrma “uaaa” (per fat te keq) indeksikalizon shoqerisht dobesi femerore, emocionalitet me doze te pakontrolluar, lehtesi; fjala “kalitje” indeksikalizon socializmin dhe sloganet e tij (ndoshta edhe fashizmin); fjala “pergatitje” indeksikalizon purizmin gjuhesor te cartur dhe pedant te viteve ’80 etj etj. Ne kete kuptim indeksikaliteti eshte lokal, varet nga eksperiencat praktike, personat e grupet, dhe kryesisht ideologjite qe percohen nepermjet tyre, pra jane praktika te hapura e multiple ne kuptimet/ komunikimet qe pjellin e perforcojne a kundershtojne, dhe lidhjet referenciale qe vendosin.

    Nese perdorimi ne kete interviste eshte pak a shume si ky, perse indeksikaliteti i prodhuar ne sallen e ekspozites nuk eshte ne fund te fundit nje perseritje (me elemente te shtuar ndoshta, po jo kundershtuese) te indeksikalitetit shenuar nga “monumenti” ne bulevard qe, per dike, mund te indeksikalizoje realitetin e vrasjes se 4 personave dhe jo ate te bulevardit fashist, qe dikushi mund te mos e njohe fare. Kjo s’do te thote aspak, qe une hedh poshte interpretimin e dhene nga Pleuradi si kundershtim dhe marrje ne pyetje e gjithckaje indeksikalizuar nga Monumenti ne bulevard, dhe se fundmi si perforcim te diskursit te mohimit ne te. Madje, une si konsumuese e produktit artistik, do i beja nje interpretim krejt tjeter kesaj suklpture, po qe do me conte ne pak a shume te njejtin rezultat. Sepse ashtu dua ta shoh.
    Pra perse skulptura ne allci merr nje forme ne te kunderten e asaj ne bulevard, duke permbysur krejt mesazhin. Une mund te beja te njejtin arsyetim per monumentin. Besoj nuk eshte fjala ketu vetem per perdorimine fjales “monument” ne rastin e bulevardit. Indeksikalizimi eshte nje element qe permbahet ne te dyja punet, ndaj nuk mund te jete korniza ose aparati shpjegues i dallimit kaq te forte mes te dyjave. Ideologjite ose kuptimet e kunderta qe shprehen nga keto dy pune nuk i shoh te shpjeguara as ne pyetje dhe as ne pergjigje. Sic thashe, une kam nje interpretim individual per skulpturen si edhe monumentin, por dua se pari te kuptoj ate qe s’kuptoj ne shkrim.

    1. Më duket se Raino i referohet indeksikalitetit të shenjës fotografike, ose faktit që fotografia është edhe indeks, edhe ikonë (nga pikëpamja semiotike); dhe pastaj zhvendoset te procedura e shabllonimit (moulding) të pllakave prej bronxi në bulevard, e ngjashme me marrjen e maskës së një të vdekuri, e cila është edhe më indeksikale se fotografia (në kuptimin që maska është indeks më i fortë i fytyrës se fotografimi; të paktën ashtu besoj unë, meqë mund të kesh foto të ndryshme, krejt të ndryshme, të së njëjtit subjekt por variacioni në maskë është vetvetiu i kufizuar nga teknika e “moulding”). Në rastin e Negativëve, veç indeksikalizimit, ka edhe dekontekstualizim (si gjest performativ), sa kohë që “maska” e këtyre përkujtimoreve ekspozohet në galeri dhe i referohet jo më vrasjeve të 21 janarit drejtpërdrejt, por mënyrës si janë zgjedhur të përkujtohen ato vrasje zyrtarisht. Ndërkohë, mënyra si përgjigjet Xhafa, duke sjellë në vështrim estetizimin e politikës nga regjimet totalitare dhe Benjamin-in kam frikë se nuk lidhet me indeksikalitetin, as me pyetjen që i ka bërë Raino (po mbase e kam gabim xhanëm); dhe unë kam rezerva edhe me interpretimin që ia bën ai vendimit – të kujtdo që ka qenë – për t’i vendosur ato përkujtimore në bulevard; sepse edhe dalja e manifestuesve në protestë atë ditë ishte politike, edhe vrasja e 4 vetëve ishte politike, edhe vendimi për t’i përkujtuar ata në publik me një përkujtimore të tillë ishte politike, edhe ndërhyrja që bën Xhafa me Negativët është politike. Shtoj këtu se mua ato përkujtimore jo vetëm më kanë pëlqyer shumë, por edhe më janë dukur të bukura; jo si argument, por si diçka që nuk mund ta lë pa thënë; por veprën e Xhafës ndërkohë nuk e kam parë.

    2. Unë kam përdorur fjalën ‘indeksikalitet’ në kuptimin e fenomenit të një ngjashmërie në dukje ose ngjashmërie fizike, dhe kjo ngjashmërie vjen nga fakti që vepra (fotografia, skulpturat në allçi, etj.) është, në njëfarë menyrë, një gjurmë. Dmth, fotografia është një gjurmë e dritës, Negativat I-II-III-IV janë gjurmët e përmendoreve në bulevard, etj. Kjo kuptim mund të jetë pak ndryshe nga kuptimi i termit në kontekstet gjuhësore–nuk mund të flas për këtë me siguri. Patjetër, përmendorët në bulevard kanë një aspekt indeksues–janë gjurmët që tregojnë vendet ku janë vrarë protestuesit. Por, besoj që pëmendoret theksojnë më shumë një lidhje metaforike me vrasjet–dmth, të sjellin ndërmend vrasjet në menyrë indirekt; ata nuk duken fizikisht as si protestuesit të vrarë, as si plagët në trupat e protestuesit, etj. Ndërsa vepra e Pleuradit thekson me shume procesi indeksikal, sepse–edhe pse patjetër ka kuptimet metaforike–i përket një tradite të artit kontemporan që hulumton mundësitë indeksuese e artit në menyrat të ndryshme. Ky ka qenë interpretimi im–që patjetër mund te jetë i gabuar–që ma ka frymëzuar pyetjen që ia bëra Adit.

      1. Raino, nga sa thua, kuptimi eshte i njejte me ate sociolinguistic apo tekstual.
        Pra thjesht largesia nga trupi real mbi bulevard, apo “indirektesia” (mosdrejtperdrejtesia) behet shkas qe punet e Pleuradit te kene kuptim krejt te kundert me monumentin ne bulevard? Nje cike problematike kjo per t’u shpjeguar bindshem; ne te dy rastet ka indeksikalitet. Metafore ka ne te dy rastet, sido qe ne shkalle te ndryshme. Mendoj qe monumenti ne bulevard, si edhe puna e Pleuradit jane pune te bukura e qe te bejne te mendohesh. fakti qe ai ne bulevard quhet “monument” mund te diskutohet, sepse emertimi nuk eshte i pafaj. Por as ti as pleuradi nuk flisni per kete. Qe te dyja veprat jane te nevojshme. Une e kuptoj ne menyren time vepren e Pleuradit, aspak sic e pershkruan ti dhe Pleuradi, por ama e pelqej dhe kam menyren time te te kuptuarit te saj si pune artistike kritike dhe mobilizuese. Thjesht me erdhi i pakuptim interpretimi me indeksikalitetin ne shkrim.

  2. Une e lexova sikur Benjamin, por edhe vetë Xhafa, me termin “estetizim të politikës” i referohen artit të agjitacion-propagandës (jo thjesht si zhanër, por si koncept), art i cili tenton drejt ikonografisë, jo indeksimit.

    Ndërkohë personalisht jam i predispozuar të shoh si indeksiale pllakat e bronxit në bulevard, por kurrsesi pllakat e allçisë. Them se këto të fundit tentojnë të kthehen në ikonografi. Por mund ta kem edhe gabim.

    1. Kërkoj ndjesë për një keqkuptim që pata herën e parë që lexova intervistën. Pata kujtuar se memoriali dhe negativët ishin të dyja vepra të Xhafës. Ndaj edhe komenti i mësipërm që bëra për indeksialitetin e veprës duket të jetë më kokëposhtë.

      Duat të pyes këtu për kuriozitet, nëse mund të më përgjigjet dikush. Kush është historia dhe kush janë autorët e memorialeve në bulevard?

  3. L.A.
    memorialet ne bulevard jane pa dyshim ide shume te bukura. Problemi eshte qe arti pervetesohet nga te fuqishmit. Per mua fajtore per te vdekurit e 21 Janarit jane te gjithe grupet tona politike, ndaj nuk duroj dot qe njerez qe jane pjese e aparatusit te perkujtojne te vdekurit. Ato “monumente” ne bulevard, duhet te mbeten aty. Por autori nuk duhet te pranoje para nga nje force politike. As une nuk e njoh autorin, por ia cmoj idene.

    1. Eda,
      Mendoj se, të paktën teorikisht, vlera e një vepre artisktike nuk mund të zhbëhet nga fakti se në një mënyrë ose në një tjetër këto vlera përvetësohen/përdorohen nga pushteti. Artisti nuk e ka gjithmonë mundësinë, apo edhe interesin, të parashikojë se si pushteti mund t’ia përdorë veprën e vet.

      Por ajo që ka në dorë artisti është mënyra sesi e parashtron mesazhin që kërkon të japë, pavarësisht nga pushteti, në kuptimin se cilat janë mundësitë apo hapësirat që ajo/ai lë për interpretimin e veprës, ose sa e hapur është kjo vepër ndaj interpretimeve të ndryshme.

      Kështu që unë e kuptoj “indeksialitetin” e vepës si hapje ndaj mundësisë për interpretime të ndryshme, përkundër ikonografisë apo simbolikës që nuk lënë hapësirë.

      Përshembull, “memorialet” në bulevard i referohen disa koncepteve dhe realiteteve: padrejtësisë, krimit, jetëvë të shuara, apo edhe të vetë konceptit të memorialit. Kurse fizikisht përfaqsojnë buzë trotuaresh që nuk janë më, një vënd ku ka ndodhur krimi etj. Por në të vërtet i bën të gjitha këto pa qënë në të vërtet asnjë nga ato në kuptimin simbolik, ikonografik, apo edhe fizikë të fjalës (në kuptimin që nuk ia ndwrpret funksionin hapësirës – trotuarit, shëtitores etj). E gjitha kjo ështa arritur vetëm nëpërmjet indeksialitetit të veprës.

      Ndërkohë, në kontekstin e artit që bën kritikën e artit, vepra e Xhafës vazhdon natyrshëm në indeksialitetin e veprës “origjinale” (memorialeve). Para është pozicioni kritikë që e bën veprën e Xhafës indeksiale. Ose më saktë vepra e xhafës i referohet konceptit të kritikës së artit.

      Kurse keqkuptimi që unë pata fillimisht, duke kujtuar se negativët e Xhafës ishin ato që i paraprinë memorialit dhe kishin shërbyer si forma për të derdhur bronxin, thjesht nuk merrte parasysh vlerën e negativëve të Xhafës si art që bën kritikën e artit.

  4. Une them pikerisht se “indeksikaliteti” eshte krejt i hapur ne interpretime, lokal, historik dhe subjektiv. Pra jam dakord me gjithe sa thua me lart lidhur me si mund te interpretohet nje veper nepermjet tij. Pyetja ime ishte si dreqin indeksikaliteti i Monumenteve ne bulevard (qe sic thashe une i vleresoj si forme e permbajtje) nuk qenkesh “mohim” dhe nuk pergjegjeson nje grup politik, por ai i Negativeve, ne te kundert kryen mohmin dhe kerkon llogari e ben pergjegjes. Duke kerkuar e imagjinuar perse autori i negativeve ndjen se puna ne allci eshte kaq me kritike se puna ne bronx, kur kjo e fundit u kujton gjithe atyre qe kalojne cdo dite ne bulevard pergjegjesit per jete te nderprera njerezish, perfundova se ndoshta pagesa per artin, ne njefare menyre korrupton permbajtjen e tij nese vjen nga nje force politike qe ka gisht ne ceshtjen themelore qe arti vete ka vene ne qender. Dhe une nuk e di kush ka paguar parate per punet ne bulevard qe une i cmoj me shume se punet ne ekspozite (sido qe me pelqejne te dy palet). Per mua (qe s’di kush paguan e pse) puna ne allci mohon vertet. Por keshtu ben edhe ajo ne bronx. Madje kjo e fundit eshte per mua me e bukur si dhe me mobilizuese. Ndoshta ajo ne allci, duke vrare krejt kontekstin njerezor a bulevardesk, shpreh me fort vetmine politike e njerezore te atyre qe vdiqen. Por kjo eshte nje ide e imja, dhe s’ka te beje fare me indeksikalitetin.

    1. Le të kemi parasysh edhe se, për nga impakti ndaj publikut, nuk mund të krahasohet seriozisht një vepër e ekspozuar në bulevardin kryesor të Tiranës me një vepër të ekspozuar në galeri, që e njeh një publik fare i kufizuar (në rastin më të mirë). Kjo mund të mos ngrejë peshë në krahasimin dhe vlerësimin estetik të veprave në fjalë, por këtu po flasim për angazhimin politik.

  5. Te dyja , kater “gjurmet” e ngjarjes se 21 janarit ne Bulevard dhe kater kallepet me allci , jane estetizim i politikes me mjetet e artit modern.
    Te imagjinojme sikur aty te vendoseshin kater pllaka perkujtimore ,ne secilen gdhendur emri personit te vrare, sic ndodh rendom. Lidhja me ngjarjen do te ishte me e drejtperdrejte por nuk do sugjeronte asgje me shume se te kujtuarit e saj dhe te viktimave.
    Kurse memorialet e konceptuar si “gjurme” te ngjarjes, kthehen ne metafora te “njollave ” te pashlyeshme ne epidermen e hapsires publike dhe ndergjegjes kolektive.
    Nqs memorialet jane metaforike , kater negativet ne allci , mbeten nje riprodhim fizik ne nivelin mimetik te “gjurmeve” artistike te ngjarjes. Edhe pse kallepet e allcise kane indeksikalitet me te spikatur, te dekonteksualizuara , te vendosura diku ne nje ekspozite, ato e humbasin kuptimin kritik qe meton t’u veshi autori. Te pakten mua nuk me thone asgje te tille si kritike ndaj politikes pergjegjese dhe artit (memorialeve) si estetizim i politikes.
    Eshte teper e veshtire per nje vizitor te zakonshen te ekspozites, i cili nuk ka informacion per “gjuhen” dhe simbolikat e artit konceptual , te marri nje mesazh kritik mbi politiken dhe “artin totalitar”. Ndoshta ndonje me imagjinate te forte mund ti shikonte kater negativet si kufoma ne allci te kater memorialeve ( qe te konceptuar ne forme njolle, megjithe elementin netaforik qe mbartin, mbeten njolla pa thellesi).
    Ndoshta Duchamp , me shakane e tij te uriores “artistike” paralajmeroi se perse arti modern nuk duhet marre aq seriozisht.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: