PËRMBYTJE POLITIKE

Shumë analistë, diplomatë të huaj, politikanë, mendojnë se konflikti midis Berishës dhe Ramës, ose midis PD dhe PS, ka hyrë në rrugë qorre. Personalisht do të thosha rrugicë qorre, pasi hapësira për manovra politike është ngushtuar gjithnjë e më shumë kohët e fundit.

Nga ana tjetër, ka nga ata që hulumtojnë palodhur se kush e “filloi i pari”, çka është e dobishme historikisht, por jo nga pikëpamja politike. Edhe kur ishim fëmijë ishte vështirë ta gjeje se kush e filloi sherrin e pari. Por edhe po ta gjeje, mes hundëve që rridhnin gjak kjo kishte rëndësi relative, kurse në sytë e prindërve, apo ca më keq të policëve, të gjithë protagonistët dilnin si fëmijë sherrtarë e mbrapshtanë pa ndonjë dallim thelbësor mes tyre.

Po të vazhdojmë metaforën e sjelljes fëmijërore, do të thoshim se hidhnimi midis palëve të zemëruara, mund të vijonte deri në adoleshencë, në mos më tej, sikur të mos ndodhte diçka e papritur e thyerëse. Top i ri me ngjyra? Djemtë e mëhallës tjetër që prishnin portat? Zjarr tek mullarët e kooperativës? Nuk e di. Diçka që të tingëllojë realisht ose simbolikisht si frakturë me të kaluarën për të rifilluar një kapitull të ri. Pa humbës, as të hidhnuar krejt.

Përmbytjet e fundit në Lezhë e në Shkodër, me gjithë dramaticitetin e tyre, u ofruan politikanëve tanë mundësinë që t’i rikonfiguronin qëndrimet e tyre. A nuk është kombi përparësi e të gjithëve? A nuk është jeta e njerëzve më e rëndësishme se çdo gjë? A nuk është emergjenca çasti më i volitshëm për t’u bashkuar për të mirën e popullit? A nuk duhet t’i përballojmë së bashku fatkeqësitë? A nuk e bën fuqinë bashkimi? Siç e shihni edhe retorika kombëtariste, e shtresëzuar në vite, mund t’i ndihmonte forcat politike për t’u ulur në një tryezë për të mirën e atdheut.

Po përdor të shkuarën sepse kam frikë që akuzat e kundërakuzat e bëra këto ditë e orë të fundit sikur po e largojnë këtë mundësi. Megjithatë jam i mendimit se dy partitë kryesore, ose më mirë dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, kanë ende hapësirë për të “shpëtuar fytyrën” e për t’iu paraqitur opinionit publik me një qëndrim tjetër, duke i ricilësuar parametrat e marrëdhënieve ndërpartiake. Pa fitimtarë, pa humbës.

E di që nuk po them ndonjë gjë të re. Historia e politikës botërore e di fare mirë që kërcënimet nga jashtë (ku hyjnë edhe fatkeqësitë natyrore) e unifikojnë klasën politike, po aq sa njihet fakti se fatkeqësitë e ndryshme u kanë dhënë shansin forcave politike që të dalin nga bataku ku kishin rënë me taktikat dritëshkurtra. Diku një tërmet (larg qoftë!), diku një incident (larg qoftë!), diku një anije kozmike alienësh (larg qoftë?), diku një pseudo incident (afër qoftë!), të gjitha kanë shërbyer për rikompaktësimin e qëndrimeve politike dhe rifutjen e tyre në hullitë normale.

Fatkeqësi të tilla, mundësisht pa pasoja tragjike – siç urojmë me gjithë zemër edhe për banorët e zonave të përmbytura – në rast se do të menaxhoheshin mirë nga elitat, mund t’u shërbenin edhe qytetarëve për t’i braktisur llogoret e skajshme politike, për të dalë nga bunkerët e mirëqenies individuale e për t’u shkëputur përgjithnjë nga ajo mendësi që e realizon mbijetesën me parimin “mors tua vita mea”.

Shpeshherë mjafton një levë ose një casus për të lëvizur botën. Por më rëndësi ka urtësia me të cilën përdoret ajo levë, apo si shndërrohet casus bellicasus pacis.

Nuk ka komente

  1. Po, Pishak. Kemi vec ata te dy: laj thaj… Qe e urrejne njeri-tjetrin deri ne vdekje dhe qe zor te ndryshojne pozicion per te shpetuar faqen apo sepse racionalisht eshte e vetmja rrugedalje. Dhe pas tyre eshte nje popull itere i ndare me dysh. Nje politike e tille urrejtjeje mund te sjelle gjithcka vec zgjidhjeve dhe ndertimit te nje te ardhmeje paqesore. Ky eshte deshperim i vertete…nje skene politike kaq e varfer e pa alternative. E sidomos qe nuk ka gjasa te pjelle gjesend te re. permbytja per fat te keq, eshte narrativa e ne-te qe rimerr e perforcon te njejtat pozita partiake e personale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin