KUR NDËRTOHEJ MUZEU

Kur vizituam, me grupin e punës, Muzeun Mesjetar të Lezhës, që sapo ishte përuruar me sqimë të madhe, na u duk sikur dalluam, në afresket, fytyrën e mikut tonë Tanush L., kunat i ministrit të Historisë Ligor B.

Më pas, në bisedë e sipër rreth tryezës së darkës në Hotelin e Gjuetisë në Ishull, nën vështrimet skeptike të krillave e bajzave të balsamosura dhe të kamerierëve të mësuar me klientelë tjetërlloj, Mimika Ç., njëra nga studiueset e reja të grupit dhe njëkohësisht specialiste e ikonave bizantine, zuri në gojë një thashethem sipas saj të vjetër, se piktorët e afreskeve ilustruese në sallat e Muzeut ishin kujdesur të vendosnin aty fytyrat e veta, të miqve të tyre të fuqishëm dhe padronëve të tyre në hierarkitë e larta të shtetit dhe të pushtetit.

Ideja tingëllonte intriguese sidomos për ne që s’e kishim dëgjuar më parë; aq sa të nesërmen vendosëm të ktheheshim në Muze sërish, këtë herë vetëm për të identifikuar fytyrat e kapitenëve të Skënderbeut, proveditorëve venedikas, murgjërve katolikë, tregtarëve raguzanë, kalorësve normanë, dukëve italianë, fisnikëve arbër, bujarëve sllavë, piratëve saraçenë, të dërguarve të Papatit dhe pashallarëve osmanë.

Ashtu nuk e patëm të vështirë të dallonim menjëherë disa prej piktorëve të afreskeve, që sipas zakonit kishin përjetësuar vetveten në autoportrete tinëzare – veçanërisht Mjeshtrin Gjovalin Gj., i cili e përshëndeste publikun nga tri afreske me temë nga Kultura e Komanit, në tri salla të ndryshme; por edhe Piktorin e Popullit Guri B., i cili e kish paraqitur veten, me hijeshi të madhe, si piktor i oborrit të Gjergj Aranitit.

Më e vështirë ishte identifikimi i të tjerëve – dy vajzave të Diktatorit: Donika dhe Mamica, kjo e fundit në rolin e adashes së vet të pesë shekujve më parë; zëvendësministrit të Ballkanit Vesel Sh., krekosur si Gjergj Elez Alia, pas dyluftimit me Bajlozin e Zi; ministrit të Kulturës Minella F. si Pal Engjëlli, duke shkruar Formulën e Pagëzimit në pergamenë; djalit të madh të Sekretarit të Shtetit, Dashi V. si Gjin Bua Shpata me kostum tradicional epirot; ministrit të Librit Ethem Z., me pamjen e Gjon Buzukut, zhytur në leximin e bocave të Mesharit; Aktorit të Popullit Reshit T., i rimishëruar në trajtat e po atij Moisi Golemi që kishte luajtur, vite më parë, për Teatrin Kombëtar.

E mirinformuara Mimika këmbënguli se nuk duheshin lënë jashtë hetimeve tona ekstrakurrikulare as fytyrat e përçmuara të armiqve – edhe pse përveç Ballaban Pashë Baderës, tek i cili kushdo mund të dallonte tiparet e ngrysura të ish Ministrit të Hidrocentraleve Pertef D., tashmë i dënuar për sabotim të ujërave të brendshme; dhe skiles plakë Despotit Gjergj Brankoviç, ngjashmërinë e të cilit me Josip Broz Titon vetëm ndonjë që nuk kish ndjekur kurrë emisionet e televizionit jugosllav mund ta mohonte, nuk arritëm dot të identifikojmë me siguri të tjerë, ndoshta ngaqë fytyrat e shumë armiqve na ishin zbehur tashmë në kujtesë, tonën ose të piktorëve përkatës.

Vera habitej që ne nuk kishim dëgjuar më parë për këtë ritual pavdekësimi e garë për t’u përfaqësuar në këtë tribunë ose më mirë presidium të kombit; sepse kur ndërtohej objekti të gjithë i kishin parë madje admiruar Peugeot-ë e Shërbimit të Udhëheqjes të çanin si trofta përmes trafikut të dendur në rrugën Tiranë-Lezhë, për të çuar në kantierin verior përfaqësuesit e lartë të nomenklaturës dhe pinjollët e familjeve të mëdha të shtetit, në kohë për të pozuar para piktorëve të Muzeut.

Ishte përsiatur, aso kohe, se vetëm ashtu mund të shpjegohej kompozimi dhe dinamika e afreskeve të Muzeut, të cilat shpalosnin kryesisht skena korale me nuanca pothuajse operistike të mirëfillta, ku veshjet e larmishme dhe shprehjet e gjalla të protagonistëve harmonizoheshin në linjat e një simfonie të vetme të tonalitetit kombëtar. Gjithashtu ishte përsiatur trifishimi, për shkak të kësaj trysnie të paparashikuar në ecurinë e punimeve, i numrit të artistëve e të artizanëve të dërguar atelieve në Italinë fqinjë, për kurse të përshpejtuara dyjavore në teknikën e pikturës murale.

Me ngulm kërkuam të inspektonim përsëri shembëllimin e mikut tonë të vjetër Tanush L., por na thanë se ajo sallë ishte mbyllur, për të përgatitur ekspozitën përkujtimore të 435 vjetorit të masakrës së Mbishkallës; ende nuk kishim marrë vesh për shkarkimin nga detyra, po atë mëngjes, të ministrit të Historisë Ligor B., për shkak të një divergjence ideologjike të papajtueshme në lidhje me qëndrimin që do të mbahej ndaj trashëgimisë së Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme; më pas dëgjuam se në afreskun riprodhues të një skene të famshme nga romani francez rokoko Rrëmbimi i eunukëve, portretit të mikut tonë Tanush ia kishin shtuar një mjekër madhështore post factum, sa për ta dëbuar nga mendja e vizitorit përshoqërimin me kunatin e dikurshëm; por këto do të ishin më shumë spekulime llafazanësh të ngeshëm, meqë mjekrat, mustaqet dhe leshrat e gjata në atë Muze dihej se zbukuronin me qindra fytyra burrash, luftëtarësh, dijetarësh, klerikësh, fisnikësh dhe kreshnikësh të Mesjetës.

1 Comment

  1. Ka një të vërtetë në këtë shkrim, të cilën rastësisht e kam marrë vesh. Në skulpturat e muzeut historik të Krujës, janë vendosur vërtet fytyra njerëzish realë. Pikërisht të punonjësve që merreshin me ndërtimin e muzeut.

    Megjithëse versioni i shkruar këtu, është më zbavitës, më duhet ta pranoj.

Comments are closed.